Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Parlamenti Evropian pezullon punën për zbatimin e marrëveshjes tregtare BE–SHBA

Parlamenti Evropian ka ngrirë procesin e zbatimit të marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump vijon deklaratat e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Kryetari i Komisionit të Tregtisë në Parlamentin Evropian, Bernd Lange, konfirmoi se “marrëveshja BE–SHBA është pezulluar deri në një njoftim të dytë”, duke bërë të ditur se eurodeputetët kanë ndaluar përkohësisht punën për zbatimin e saj.

Në një postim në rrjetet sociale, Lange shkroi se ekipi negociator ka vendosur të pezullojë punën për zbatimin ligjor të të ashtuquajturës Marrëveshje e Turnberry-t.

“Janë në rrezik sovraniteti dhe integriteti ynë territorial. Vazhdimi i punës si zakonisht është i pamundur,” theksoi ai.

Lajmi në përditësim…

Trump zbulon bisedat me Zelenskyn dhe Putinin: Dua ta ndaloj këtë luftë. Është një luftë e tmerrshme

Presidenti amerikan, Donald Trump ka folur për luftën në Ukrainë gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke e përshkruar konfliktin si një “masakër gjaku”.

Ai theksoi rëndësinë e ndërhyrjes për të ndalur dhunën, duke vënë theksin mbi humbjen e jetëve të të rinjve dhe ndikimin human të luftës.

“Kjo është ajo që dua të ndaloj. Nuk i ndihmon Shtetet e Bashkuara, por këto janë shpirtra, këta janë të rinj që po humbin jetën pa arsye”, tha 79-vjeçari, duke e përshkruar situatën si një tragjedi të madhe njerëzore.

“Dua ta ndaloj këtë luftë. Është një luftë e tmerrshme, dhe të gjithë duhet të punojmë për ta ndalur”, deklaroi ai me vendosmëri.

Trump gjithashtu foli për marrëdhëniet e tij me liderët botërorë që lidhen me konfliktin, duke përmendur veçanërisht Vladimir Putinin. Ai tha se presidenti rus është i gatshëm për të arritur një marrëveshje, duke sugjeruar një mundësi për zgjidhje diplomatike.

“Po merrem me presidentin Zelensky, dhe mendoj se ai gjithashtu dëshiron të bëjë një marrëveshje”, shtoi lideri amerikan. Gjatë fjalimit, Trump bëri të ditur se do të takohet personalisht sot me presidentin ukrainas, duke theksuar urgjencën për të ndaluar luftën “ata duhet të ndalojnë atë luftë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Prlamenti Evropian mund të pezullojë marrëveshjen për tarifat amerikane

Parlamenti Evropian po planifikon të pezullojë miratimin e marrëveshjes për tarifat amerikane të arritur në korrik, pas kërcënimeve të presidentit Trump për tarifa të reja mbi Grenlandën. Ky vendim pritet të njoftohet të mërkurën në Strasburg dhe rrit tensionet midis SHBA dhe Evropës.

Tregjet financiare reaguan menjëherë: aksionet ranë dhe dollari amerikan u dobësua, ndërsa kostot e huamarrjes u rritën globalisht.

Marrëveshja e korrikut parashikonte reduktimin e tarifave amerikane ndaj produkteve evropiane në 15%, në këmbim të investimeve evropiane dhe rritjes së eksportit amerikan, por ende duhet miratim nga Parlamenti Evropian. Kryetarët e komitetit të tregtisë thanë se pezullimi është i pashmangshëm për shkak të kërcënimeve ndaj sovranitetit të BE-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe liderë të tjerë evropianë po shqyrtojnë opsione hakmarrjeje, ndërsa SHBA paralajmëron kundër çdo veprimi të tillë. SHBA dhe BE janë partnerët tregtarë më të mëdhenj të njëri-tjetrit, me mbi një të tretën e tregtisë globale.

Në sfond mbetet edhe vendimi i ardhshëm i Gjykatës së Lartë amerikane për ligjshmërinë e tarifave të vendosura nga Trump.

Trump gjen zgjidhjen/ Presidenti i SHBA: NATO do gëzohet me planin për Groenlandën

Presidenti amerikan Donald Trump mbajti mbrëmjen e kësaj të marte një fjalim më shumë se dy orësh nga Shtëpia e Bardhë për të folur për arritjet e administratës së tij në vitin e parë të pushtetit. Ndërkohë, vetëm pjesa e fundit iu rezervua pyetjeve të gazetarëve, vëmendja kryesore ishte tek përplasja SHBA–Europe për çështjen e Groenlandës.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se sa i përket kësaj çështjeje do të ketë një zgjidhje e cila do të kënaqë të gjitha palët duke përfshirë NATO-n, ndërsa refuzoi të deklaronte nëse do të ndërmerrnin veprime ushtarake kundër ishullit të vetëqeverisur danez, duke thënë thjesht: “Do ta shihni”. Kreu i Shtëpisë së Bardhë foli edhe mbi idenë e zevëndësimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga Bordi i Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare të themeluar prej tij, ku tha se kjo ide mund të kthehet në realitet.

“Epo mund të jetë kështu. Dua të them se Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk ka qenë shumë e dobishme. Unë jam një adhurues i madh i potencialit të OKB-së, por ajo kurrë nuk ka përmbushur potencialin e saj. Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të kishte zgjidhur ato luftëra që unë zgjidha. As nuk kam menduar se ndonjëherë ato mund t’i zgjidhin këto konflikte”, tha Trump.

Donald Trump foli edhe për përplasjet e fundit me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Keir Starmer, duke thënë se dy liderët bëhen të ashpër vetëm kur nuk janë pranë Trump, por gjithçka ndryshon kur ato janë përballë tij.

“Mendoj se shkoj shumë mirë me ta. Dua të them, ata gjithmonë më trajtojnë mirë. Bëhen pak të ashpër kur unë nuk jam aty pranë. Por kur unë jam pranë, më trajtojnë shumë mirë. Dhe, e dini, më pëlqejnë të dy. Të dy janë liberalë. Duhet t’i rregullojnë vendet e tyre”, shtoi Trump.

Pjesëmarrja e presidentit amerikan Donald Trump në Forumim Ekonomik të Davosit pritet të zbulojë më shumë mbi marrëdhëniet transatlantike, si dhe synimet amerikane për marrjen e ishullit të vetëqeverisur danez, që e konsideron jetik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rusët goditën ndërtesën e tyre me raketë

Sipas raportimeve të dëshmitarëve dhe videove të publikuara në rrjetet sociale, një raketë ruse e mbrojtjes ajrore goditi një ndërtesë banimi.

Ngjarja ndodhi gjatë një sulmi ukrainas me dronë, për të cilin autoritetet ruse kishin lëshuar paralajmërime të shumta për raketa në rajon.

Banorë raportuan shpërthime gjatë natës, dhe në kanalet ruse në Telegram u publikuan pamje që tregojnë sistemet e mbrojtjes ajrore duke vepruar mbi qytet. Një video thuhet se kap momentin kur raketa ruse bie mbi qytet.

Kryetari i Rostovit të Donit, Alexander Skryabin, konfirmoi një zjarr në një apartament, por tha se shkak ishin fragmente të një droni ukrainas.

Ndërkohë, guvernatori i rajonit të Rostovit, Yuri Slyusar, raportoi se një burrë humbi jetën pasi apartamenti i tij u përfshi nga zjarri, dhe katër persona, përfshirë një fëmijë 4-vjeçar, u plagosën në Rostov dhe periferi.

Rusia më parë ka goditur objektiva brenda territorit të vet gjatë sulmeve ajrore ukrainase, ndërsa Kievi akuzon Moskën se herë pas here inskenon sulme për të përhapur dezinformim. Ushtria ukrainase nuk ka komentuar raportin.

Kosova dhe Bahamet nënshkruajnë marrëveshje për heqjen e ndërsjellë të vizave

Kosova dhe Bahamet kanë nënshkruar një marrëveshje për heqjen reciproke të vizave, duke mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy vendeve.

Kjo u bë e ditur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook.

Ajo theksoi se pas njohjes së Kosovës nga Bahamet dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në dhjetor, ky ishte hapi i radhës për forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve.

“Marrëveshja dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me njëri-tjetrin”, tha Osmani.

Marrëveshja do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe Bahamasit, duke përforcuar lidhjet ekonomike, kulturore dhe diplomatike mes dy vendeve.

Bahamet vendi ishullor i Oqeanit Atlantik, u bënë vendi 121-të i botës që e njeh Kosovën.

Ky vend në Karaibe deri tani ka qenë në mesin e 106 vendeve të botës ku kosovarët detyrohen të pajisen me vizë para se të udhëtojnë për ta vizituar.

Tani, Bahamet janë vendi i 53-të në botë ku kosovarë mund të udhëtojnë lirshëm.

Trump një vit në pushtet/ Shala: Po ndryshon gjithçka për të arritur gjithçka. Kamberi: Lufta diplomatike është shpallur në…

Prof. Dr. Xhavit Shala, ekspert i Shkencave të Sigurisë, i ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, ka vënë në dukje se politika e administratës Trump po karakterizohet nga një qasje radikale për të arritur qëllimet e saj. “Trump po ndryshon gjithçka për të arritur gjithçka. Se çfarë reagimi do të jetë në marrëdhëniet ndërkombëtare, kjo mbetet për t’u parë,” tha Shala, duke theksuar se deri tani kemi parë vetëm reagimin e vendit, i cili ka qenë i vendosur dhe këmbëngulës për realizimin e premtimeve të tij.

Eksperti shtoi se politika e Trump ka tronditur Europën, duke rishikuar marrëdhëniet tradicionale me NATO-n dhe duke zgjeruar aleancën me dy shtete të reja anëtare. Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë strategjike të Groenlandës për sigurinë amerikane dhe rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Kinës në skenën globale.

“Trump po ndryshon gjithçka për të arritur gjithçka. Se çfarë reagimi do të jetë në marrëdhëniet ndërkombëtare kjo mbetet për t’u parë. Deri tani kemi parë vetëm reagimin e Trump, i cili ka qenë tejet këmbëngulës për të arritur gjithçka nga ato që ka premtuar. Ai është duke fituar kohë dhe e di që kjo kohë nuk do të jetë gjithmonë e vlefshme. Kina po merren një rol nga politika globale. Politikat e Trump kanë tronditur Europës, sepse ishim mësuar që sigurinë dhe financimin e mbante SHBA. NATO ka qenë në nostalgji. Në raport me NATO e zgjoi nga gjumi dhe qëllimi për ta dobësuar e forcoi më shumë me dy shtete më shumë anëtare. Trump synon që të realizojë atë që Amerika është e para. Ai është tepër i qartë nga politika e Groenlandës. Që Groenlanda është shumë e rëndësishme për sigurinë e Amerikës, kjo as që diskutohet”, tha Xhavit Shala.

Nga ana tjetër, analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, e sheh këtë periudhë si një “luftë diplomatike” në tre fronte. Ai thekson se vendet kryesore të Bashkimit Europian, Franca dhe Gjermania, nuk janë shumë në linjë me vizionin e Trump për politikën globale, ndërsa figura të tilla si JD Vance po bëjnë diferencën në mënyrën se si administrata e re po ndryshon qasjen e saj ndaj botës.

“Lufta diplomatike është shpallur në tre elementë. JD Vance bëri diferencën e kësaj administrate me ato të mëparshme. Dy nga vendet kryesore që përbëjnë Bashkimin Europian, Franca dhe Gjermania janë dy vende që nuk janë shumë afër vizionit të Trump se si e shikon ai politikën globale”, u shpreh Geron Kamberi.

Përmet/ Gjendet i pajetë 31-vjeçari në banesë, dyshimet e para

Një 31-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij në fshatin Skutaraq  të Përmetit. Sipas informacioneve të para dyshohet që 31-vjeçari të jetë varur veten.

“Rreth orës 19:10, në fshatin Skutaraq, Përmet, në banesën e tij është gjetur i pajetë, dyshohet i vetëvarur, shtetasi D. M.,  rreth 31 vjeç”, njofton policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.

Trump nuk do të marrë pjesë në samitin G7 në Paris

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të martën se ka marrëdhënie të mira me udhëheqësit e Francës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, por se nuk do të marrë pjesë në një takim të Grupit të Shtatë (G7) që pritet të mbahet në Paris.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh me fuqitë evropiane, pas kërcënimeve të presidentit republikan për të marrë nën kontroll Grenlandën. Trump i bëri këto komente gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

“Jam në krah të Irena Gjokës”/ Arben Meçe: Simbol i guximit! Ka dalë kundër agresionit grek, Berishës dhe Metës

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimin ndaj gjytares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, në lidhje me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016.

Sipas dokumentit zyrtar, rezulton se Gjoka është dënuar për tjetërsimin e një vize greke, duke i zgjatur asaj afatin e vlefshmërisë.

Analisti Arben Meçe, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka dalë në mbrojtje të gjyqtares, duke theksuar rolin e saj në përballjen me presione të brendshme dhe të jashtme ndaj sistemit të drejtësisë.

“Nëse dështimin e sistemit të drejtësisë do e lidhim me Irena Gjokën unë them “jo”. Irena Gjoka është ai person i cili përballoi shtetin grek dhe agresionin e shtetit grek. Kur të gjithë u fshehën për dosjen e Belerit, kjo doli ballë për ballë. Irena Gjoka është personi i cili i tregoi vendin Ilir Metës. Doli ballë për ballë armatës së Sali Berishës dhe Irena Gjoka po bëhet viktimë pikërisht për këto arsye.

Irena Gjoka është simboli i njeriut të guximshëm në sistemin e drejtësisë prandaj dhe ne duhet që ta mbrojmë Irena Gjokën. Prandaj ne nuk duhet ta shesim kaq kollaj Irena Gjokën sepse ajo po ndeshet me të keqen më të madhe që ka Shqipëria, qoftë përtej kufirit, edhe brenda kufirit të lidhur me ata përtej kufirit. Prandaj edhe unë jam në krah të Irena Gjokës”, tha Meçe./abcnews.al

“Vettingu ka dështuar”, Karanxha: Irena Gjoka me tre mbiemra, të mos ishte fare në sistemin e drejtësisë

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimet ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, lidhur me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016. Sipas burimeve, megjithëse nuk është bërë publik asnjë dokument zyrtar, nga hetimet rezulton se është administruar një vendim autentik i autoriteteve greke, i cili vërteton dënimin e saj më 7 korrik 2005 nga Gjykata e Janinës.

Zhvillimi ka ngjallur reagime të forta mbi funksionimin e procesit të vettingut në drejtësi, ku ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, e cilësoi rastin si një dështim të vettingut, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si një person me precedent penal ka arritur të kalojë verifikimet dhe të ushtrojë funksione në një institucion të ndjeshëm të drejtësisë.

“Në rastin konkret po konstatojmë se në procesin e Vettingut nga ngecur miu dhe ka kaluar ariu i madh. Në vetting një nga kolonat ishte pastërtia e figurës, që këtu ne kemi dështuar. Fakto që Irena Gjoka me tre mbiemra rezulton e dënuar kemi një rënie të sistemit të vettingut, por Irena Gjoka ka kaluar dhe një komision të posaçëm. Dosja që ka kaluar Irena Gjoka duhet që të shikohet. Një person që ka një problem të tillë nuk duhet të marrë kurrsesi në institucione të tilla që ka shumë filtra. Ajo është dënuar në vitin 2005-ën. Një gjyqtar nuk mund të falsifikojë vizën.

Që në këtë moment nuk duhet të ishte marrë fare. Ajo ka një rrezik tjetër, që dikush mund ta dijë këtë informacion dhe ta përdor si shantazh. Unë konstatoj edhe diçka tjetër, si ka mundësi hetime kaq të gjata me një kohë kaq të gjatë. Ja ku është Janina! Ky është një dështim. Duhet të kishim marrë masa më parë të mos e kishim lënë të shkonte deri këtu. Berisha ka qenë konsistent. Këtu kemi një virus. Kush e  ka futur këtë person aty?! Këtu na del Irena Gjoka e dënuar, e depërtuar, është me dosje shantazhesh”, tha ish-prokurori Karanxha.

Deklarata e fortë e Trump: NATO ekziston falë meje

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi së fundmi se nuk ka asnjë individ, përfshirë presidentët e tjerë, që ka kontribuar më shumë për NATO-n sesa ai.

“Nëse unë nuk do të isha shfaqur, NATO-ja nuk do të ekzistonte tani! Do të kishte përfunduar në hi të historisë. Trishtueshme, por e vërtetë”, shkroi ai në Truth Social.

Deklarata e liderit amerikan vjen derisa presidenti vazhdon të theksojë rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve të aleancës transatlantike gjatë mandatit presidencial.

Ndërkohë, Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ka deklaruar në një intervistë për tensionin e fundit midis Donald Trumpit dhe Evropës.

“Nuk mund të premtoj se SHBA-të do të qëndrojnë në NATO. Askush nuk mundet”, tha Stoltenberg, i cili aktualisht shërben si ministër i Financave i Norvegjisë, për revistën gjermane Der Spiegel.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga anëtarët themelues dhe më të rëndësishëm të NATO-s (Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior).

Ftesa e Trump për Ramën/ Leka: Shqipëria vend lakmues në sferën globale. Asnjë shpresë që Berishës t’i hiqet ‘non grata’

Kryeministri Edi Rama ka pranuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë pjesë si anëtar themelues në Bordin e Paqes, një nismë që e pozicionon Shqipërinë në një rol të rëndësishëm ndërkombëtar. Rama i ka dërguar një letër Trump-it, ku e informon për miratimin e shpejtë të ftesës në Parlament.

Ndërkohë, votimi për anëtarësimin në këtë bord ka kapur në befasi Partinë Demokratike, e cila ende nuk ka bërë publik qëndrimin e saj zyrtar. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka shmangur daljet publike, ndërsa Belind Këlliçi e ka cilësuar ftesën si një lajm të madh për Shqipërinë.

I ftuar në “Tirana Live” në ABC News, analisti Martin Leka komentoi zhvillimet politike të ditëve të fundit dhe reagimin e opozitës ndaj ftesës së Donald Trump për kryeministrin Rama. Sipas tij, kjo ngjarje ka nxjerrë në pah mungesën e një qëndrimi të qartë nga Partia Demokratike dhe ka thelluar kontradiktat brenda saj.

“Narrativat e kanë nxjerrë PD zbuluar. Berisha mendonte se me ardhjen e Trump po i hiqej ‘non grata’, por Berishën nuk i është hequr ‘non grata’. Edhe teoritë konspirative se Rama do të shkojë në SHBA me një avokat. Kjo tregon se Berisha nuk mund të zgjidhte asnjë alternativë tjetër përveçse heshtjes. Sot duhet të ishte një ditë e jashtëzakonshme edhe për opozitën, sepse është një lajm i madh për Shqipërinë.

Ftesa e Trump për Ramën që ta përfaqësoj Shqipërinë në këtë bord, tregon që Shqipëria ka një vend të lakmueshëm dhe të rëndësishëm në sferën ndërkombëtare dhe kjo është fakt. Në këtë aspekt Rama ka bërë  një punë të shkëlqyer duke e ndritur lart emrin e Shqipërisë. Nga ana tjetër nuk ka asnjë shpresë që Berishës t’i hiqet ‘non grata’”, tha Leka.

 

Luftë me akull dhe shampanjë/ Groenlanda përplas fort Trump me Macron

Europa nuk do të përkulet përballë presionit amerikan dhe Perëndimi do të qëndrojë në krah të atyre që e respektojnë dhe jo të atyre që e ngacmojnë. Ky ishte mesazhi që dha Presidenti francez Emmanuel Macron këtë të martë nga Forumi Ekonomik i Davosit, që po mbahet në Zvicër. Kreu i Elizesë, i cili pati një paraqitje jo të zakonshme për shkak të syzeve të diellit që i duhet të mbajë për shkak të një problemi me sytë, deklaroi se gjithçka që Trump synon të bëjë me tarifat e tij tregtare për vendet që kundërshtojnë dorëzimin e Groenlandës është që të dobësojë dhe nënshtrojë Europën.

“Shtetet e Bashkuara, përmes tarifave tregtare, synojnë të minojnë interesat tona të eksportit. Përmes këtyre tarifave kërkojnë lëshime maksimale dhe synojnë hapur të dobësojnë dhe nënshtrojnë Europën. Të gjitha këto janë të papranueshme, për më tepër kur përdoren si leva kundër sovranitetit tonë territorial”, tha Macron.

Presidenti francez Emmanuel Macron përmendi publikisht përdorimin e Mekanizmit Europian Kundër Shtrëngimit kundër Shteteve të Bashkuara, një instrument që do t’i hapte luftë tregtare ndaj Washingtonit duke vendosur tarifa ndëshkuese, duke kufizuar importet dhe eksportet, duke ndalur investimet dhe duke përdorur masa të tjera ekonomike si mjet presioni politik. Macron tha se ky mekanizëm duhet përdorur për aq kohë sa Perëndimi nuk ndihet i respektuar. Media britanike BBC raportoi këtë të martë se Parlamenti Europian ka pezulluar ratifikimin e marrëveshjes tregtare që u arrit mes SHBA dhe BE në muajin korrik për ulje të tarifave tregtare, pas një lufte të nisur nga vetë Trump.

Ndaj kësaj deklarate të Macron reagoi Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i cili vijoi presionin e administratës republikane duke thënë se Europa nuk duhet të hakmerret ndaj planit të Presidentit Trump për të pushtuar Groenlandën, duke thënë se europianët kanë nevojë të ulen dhe të marrin frymë thellë.

Bessent tha se e keqja më e madhe që mund të bëjë Europa në këto momente është të përshkallëzojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, deklaroi këtë të martë se një sulm ushtarak ndaj ishullit të vetëqeverisur nga Amerika është i pamundur, megjithatë ai paralajmëroi se Perëndimi dhe Danimarka duhet të përgatiten për gjithçka. Edhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen kundërshtoi sërish çdo ambicie territoriale të Presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se sovraniteti, kufijtë dhe demokracia janë të panegociueshme.

Siguria ushqimore/ Kusht integrimi, qeveria u mbledh rripat fermerëve

Integrimi kalon nga tryeza…

Siguria ushqimore, duke qenë edhe një prej kapitujve më sfidues në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, ishte në fokus të takimit të ministrisë së bujqësisë me fermerët në Korçë.

Ministri Andis Salla, theksoi se garantimi i sigurisë ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët mes institucioneve dhe fermerëve. Sipas tij, Ministria po punon për orientimin e fermerëve drejt laboratorëve të certifikuar, si dhe për zgjerimin e rrjetit të laboratorëve të rinj që do të shërbejnë për kontrollin dhe analizimin e produkteve bujqësore.

Ministria e Bujqësisë ka akorduar edhe fonde për orientimin dhe informimin e fermerëve mbi përdorimin e pesticideve dhe produkteve të tjera bujqësore, në mënyrë që procesi i prodhimit të jetë i kontrolluar dhe i sigurt. Fermerët do të mbështeten edhe nga agronomët, profesion i cili tashmë është i rregulluar me ligj dhe ndodhet në fazën përfundimtare të zbatimit.

Për çdo grumbullues që ka hasur vështirësi në eksportin e produkteve në vendet e Bashkimit Europian, Ministria ka ngritur një grup të posaçëm pune.

Macron: Trump synon hapur ta dobësojë dhe nënshtrojë Evropën

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar kundër “një zhvendosjeje drejt një bote pa rregulla”, në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Epoka është shënuar nga “shkelja” e ligjit ndërkombëtar dhe nga marrja e kontrollit nga ligji i më të fortit, tha presidenti francez, i cili mbante syze dielli për shkak të një problemi me sytë.

“Është qartë një kohë shumë shqetësuese”, tha Macron, duke përmendur veçanërisht politikën e jashtme agresive të administratës Trump.

Ai tha se marrëveshjet e fundit tregtare që u arritën me SHBA-në nën kërcënimin e tarifave “minojnë interesat tona të eksportit, kërkojnë lëshime maksimale dhe synojnë hapur ta dobësojnë dhe nënshtrojnë Evropën”.

Macron gjithashtu përsëriti pikëpamjen e tij se kërcënimet me tarifa të përdorura si “levë kundër sovranitetit territorial” ishin “të papranueshme”.

Vrasja me çekiç e 57-vjeçarit/ Përveç autorit arrestohen dy të tjerë, ja për çfarë akuzohen

Vrau me send të fortë (çekiç), 57-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga 28-vjeçari.

Vihen në pranga, për moskallëzim krimi,  2 shtetas që kanë qenë të pranishëm gjatë konfliktit.

Sekuestrohen 2 automjete dhe mjeti me të cilin dyshohet se është kryer krimi.

Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për zbardhjen e dinamikës së konfliktit të ndodhur në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, si pasojë e të cilit humbi jetën nga goditja me sende të forta, shtetasi P. N., 57 vjeç, u arrestuan shtetasit:

-A. V., 28 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Vrasja me dashje”;

-L. G., 26 vjeç dhe F. K., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Nga hetimet ka rezultuar se më datë 201.01.2026, rreth orës 01:00, në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, në afërsi të urës së Bushneshit, këta tre shtetas, ndërkohë që qarkullonin në një automjet, janë konfliktuar verbalisht me shtetasin P. N., i cili qarkullonte me automjetin e tij. Më pas, shtetasi A. V. ka goditur me çekiç, në kokë, shtetasin P. N., 57 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.  Pas ngjarjes, shtetasit L. G. dhe F. K. janë larguar.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete dhe mjeti me të cilin dyshohet se është kryer krimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Akuzohet për vrasjen e dy personave gjatë ‘97/ Gjykata Penale dënon me 23 vjet burg Tomor Çelën

Gjykata Penale ka vendosur dënimin me 23 vite burg për Tomor Çelën.

Çela akuzohet për vrasjen e dy personave gjatë ngjarjeve të vitit 1997. 56-vjeçari u ekstradua nga SHBA drejt vendit tone ne qershor te vitit 2022.

Ky i fundit akuzohet për vrasjen e Elton Danit dhe Ledian Hoxhës në rrugën “Bajram Curri” në Tiranë.

❌