Zhupa: Arkivi i ATSH-së pjesë e memories kolektive të shqiptarëve, kemi nisur digjitalizimin
TIRANË, 9 maj/ATSH/ Ekspozita e hapur sot me titullin “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar” nuk është thjesht një rikthim në të kaluarën, por një përpjekje për të kuptuar se si është ndërtuar informacioni publik në Shqipëri, dhe se si ai ka diktuar mënyrën që shoqëria ka parë dhe kuptuar realitetin.
Kështu u shpreh drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së Valbona Zhupa në fjalën përshëndetëse në hapjen e ekspozitës, që mblodhi në mjediset e Kalasë së Tiranës dashamirës të shumtë, profesionistë të medias dhe gazetarë.
“Nëpërmjet kësaj ekspozite kemi dashur të rikthejmë jo vetëm ngjarjet, por edhe atmosferën e epokave të ndryshme: gjurmët e makinave të para të transmetimit, fotografitë bardhezi të dala nga laboratorët, radiostacionet e hershme, buletinet e shtypura me urgjencë, kamerat, negativët, telegrafët, newsroom-et dhe njerëzit që kanë qenë pas lajmit”, theksoi Zhupa.
Ajo informoi se përmes materialeve arkivore të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, janë sjellë fotografi dhe materiale të papublikuara më parë.
“Nga dokumentet e para të shtypit shqiptar, te krijimi i ATSH-së si institucioni qendror i lajmit, kjo ekspozitë sjell fragmente të historisë së informacionit në Shqipëri përmes fotografive, dokumenteve dhe dëshmive arkivore që kanë shoqëruar momentet më të rëndësishme të vendit”, vuri në dukje drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së.
Sipas saj, mes materialeve të ekspozuara gjenden marrëveshje historike të ATSH-së me agjenci ndërkombëtare, ligji i shtypit i vitit 1931, dokumente mbi transmetimin e lajmit në periudha lufte, fotografi të gazetarëve në terren, si edhe materiale që pasqyrojnë zhvillimin e organizimit institucional të lajmit ndër vite.
Po ashtu, Zhupa vlerësoi se ekspozita është gjithashtu një homazh për njerëzit që e kanë ndërtuar ATSH-në ndër dekada.
“Nga Mihal Sherko dhe drejtuesit e parë të agjencisë, te gazetarët, fotoreporterët, redaktorët, përkthyesit, teknikët dhe arkivistët – secili prej tyre ka lënë një gjurmë në historinë e informacionit shqiptar”, theksoi ajo.
Në këtë rrugëtim, një vend të veçantë zë puna e fotoreporterëve të ATSH-së.
“Si kronikanë të kohës, ata kanë qenë dëshmitarë në ngjarje politike, në transformime sociale, në përditshmëri, në festa, në jetën politike, sociale ekonomike të vendit, në kohë krize e në ndryshime epokash. Shumë prej imazheve që sot i konsiderojmë pjesë të memories kolektive të shqiptarëve, kanë kaluar fillimisht përmes objektivit të tyre”, vlerësoi Zhupa.
Një dimension tjetër i rëndësishëm i ekspozitës është edhe teknologjia, sepse historia e lajmit është edhe historia e mënyrës se si ai ka udhëtuar.
“Nga transmetimet e para me telegraf, tek radioja, televizioni dhe platformat digjitale të sotme, informacioni ka ndryshuar vazhdimisht formë, shpejtësi dhe ndikim. Bashkë me të, ka ndryshuar edhe mënyra si njerëzit e kanë kuptuar botën përreth”, theksoi ajo.
Duke u kthyer serisht tek arkivi i ATSH-së, Zhupa përmendi se më në fund ka nisur procesi e digjitalizimit.
“Ky fond përfshin mbi 300 mijë fotografi dhe negativë filmikë, mes tyre dhe materiale të hershme në xham, që sot po digjitalizohen për t’u ruajtur dhe bërë më të aksesueshme për publikun dhe brezat që vijnë”, theksoi ajo.
“Në një kohë kur gjithçka qarkullon me shpejtësi dhe rrezikon të humbasë po aq shpejt, ruajtja e arkivës mbetet një mënyrë për të mos lejuar harresën. Siç shkruante Milan Kundera: “Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës””, vuri në dukje Zhupa.
“Nuk është rastësi që kjo ekspozitë hapet më 9 maj, në Ditën e Evropës, një ditë që na kujton se informimi i lirë dhe i besueshëm është themeli i çdo shoqërie demokratike”, përfundoi drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa.
/r.e/
The post Zhupa: Arkivi i ATSH-së pjesë e memories kolektive të shqiptarëve, kemi nisur digjitalizimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.


