Reading view

Akuzat e PL, SPAK: Asnjë kërkesë nga Beleri e Dule për të takuar Metën

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, se deputeti i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, dhe eurodeputeti Fredi Beleri, nuk janë lejuar të takojnë Ilir Metën në burg.

Sipas SPAK, në këtë rast deputetët nuk kanë nevojë për autorizimin paraprak të prokurorit dhe se miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

“Në bazë të nenit 51 të ligjit nr. 81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit.

Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur,” njofton SPAK.

/a.f/r.e/

The post Akuzat e PL, SPAK: Asnjë kërkesë nga Beleri e Dule për të takuar Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Deklarata e statusit personal, Çelmeta për ATSH-në: Detyrim për çdo të punësuar

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Çdo i punësuar, në shtet apo privat, përpara se të marrë pagën e muajit janar ka detyrimin ligjor të plotësojë Deklaratën e Statusit Personal.

Këtë deklaratë e ka punëdhënësi dhe e firmos çdo punonjës një herë në vit.

Ky dokument është një risi që rrjedh nga Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat dhe nuk shoqërohet me kosto shtesë.

Kjo deklaratë ka rëndësi për ata që bëjnë dy apo më shumë punë, por deklarata firmoset vetëm në njërin nga vendet e punës.

Në rast se punonjësi refuzon të nënshkruajë, ekonomisti do t’i mbajë tatimin pa të drejtë zbritjeje.

Në një prononcim për ATSH-në, drejtoresha e Proceseve të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta bëri të ditur se për ata që kanë një punë, ky element është i paraplotësuar apo i shënjuar në listëpagesën e të ardhurave nga puna.

Sipas saj, ky dokument është i rëndësishëm për t’u plotësuar dhe i thjeshtë.

“Deklarata e Statusit Personal është një marrëdhënie mes dy palëve, punëdhënësit dhe punëmarrësit. Për ata që kanë një punë, ky element është i paraplotësuar apo i shënjuar në listëpagesën e të ardhurave nga puna. Ky dokument është i rëndësishëm për t’u plotësuar dhe i thjeshtë”, u shpreh Çelmeta.

Sipas saj, kjo deklaratë ka rëndësi për ata që bëjnë dy apo më shumë punë.

Çelmeta shpjegon se formulari plotësohet vetëm një herë në një punëdhënës. Ajo shton se në vendin e punës që plotësohet ky formular bëhen dhe zbritjet që parashikon ligji.

“Ajo çfarë ndodh me  individët me më shumë se sa një punësim, është se duke qenë se individi ka të drejtë që zbritjet t’i kërkojë njëherë vetëm në një punë, tek subjekti që ka nënshkruar këtë status, atëherë në subjektet e tjera të ardhurat që realizohen gjatë një muaji do t’i tatohen bruto, pra për të gjithë masën e të ardhurave që realizon brenda një muaji”, sqaroi Çelmeta.

Deri tani ligji parashikonte që për personat që ishin dy apo më shumë të punësuar, të ardhurat bashkoheshin në fund të vitit dhe i nënshtroheshin tatimit, pas plotësimit të deklaratës së të ardhurave vjetore, DIVA.

Me ndryshimet ligjore, tatimi nuk do të mbahet një herë në vit, por çdo muaj.

Pavarësisht kësaj, detyrimi për plotësimin e DIVA-s mbetet në fuqi.

Personat fizikë të vetëpunësuar bëjnë përjashtim nga deklarata e statusit personal. /j.p/

The post Deklarata e statusit personal, Çelmeta për ATSH-në: Detyrim për çdo të punësuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Meta: Akuzat për mosdeklarim pasurie, të turpshme

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta u shpreh në një intervistë për mediet nga qelia e paraburgimit ku ndodhet që prej tetorit të vitit të kaluar, ku u shpreh se akuzat ndaj tij për mosdeklarim pasurie janë të turpshme dhe skandaloze.

“Sipas ligjit të ILDKPI unë kam bërë deklarimet e pasurisë dhe të ardhurave çdo vit dhe kurrë nuk kam marrë një vërejtje, paralajmërim apo gjobë nga ky institucion. Po kështu,  deklarimi im ka qenë i dyfishtë edhe si subjekt i drejtpërdrejtë, por edhe si person i lidhur për shkak të pozicionit të ish-bashkëshortes time e cila ka qenë deputete”, u shpreh Meta.

“Ligji e bën të qartë se ti s’mund të mbash përgjegjësi për deklarimet e familjarëve të tu. Dihet publikisht se ish-bashkëshortja ime dhe nëna e saj kishin bashkëpronësi në një pallat të ndërtuar në tokën e tyre, pallat i firmosur edhe nga Rama edhe nga Basha si kryebashkiakë të Tiranës”, tha Meta.

Meta shtoi më tej se ai “nuk mund të kontrollonte dhe as nuk ishte kurioz sesi “shtoheshin e pakësoheshin llogaritë e tyre bankare nga shitjet e apartamenteve apo për interes të tyre”.

“Pra zero mosdeklarim nga 32 vite jetë publike të hetuar ndaj meje nga SPAK-u dhe Edi Rama”, tha Meta.

Sa i takon lobimit, Meta tha se “për fatin e tyre të keq, qindra letër-porosi të nisura kudo kanë rezultuar një zero me xhufkë, ndaj nën urdhrat e Ramës dhe te McGonigalëve vendosën të më “sekuestronin” mua fizikisht, duke më rrëmbyer si banditë rrugësh pa asnjë shkresë dhe akt zyrtar”.

“Kurrë as kam firmosur ndonjë pagesë apo dhënë ndonjë autorizim për pagesa të paligjshme. Kontratat me kompanitë lobuese miratoheshin në kryesi dhe caktoheshin personat përgjegjës për të firmosur ose ndjekur ato”, tha Meta më tej.

Meta nënvizoi më tej se në çdo rast do të kandidoj dhe zgjidhet deputet në 11 Maj.

“E rëndësishme është që të gjithë faktorët opozitarë të vërtetë të bashkohen në betejë kundër narkoregjimit. Partia e Lirisë është përballë një sfide të jashtëzakonshme dhe unë jam i bindur se do kalitet dhe rritet për shkak të kauzave të mëdha që ajo përfaqëson e mbron”, tha Meta.

Meta u bëri thirrje anëtarëve të Partisë së Lirisë “të mos e shpërdorojnë mundësinë historike të 11 majit për ndryshim”.

“Indiferenca është aleati më i mirë i narkoregjimit ndërsa ballafaqimi e përballja është e vetmja rrugë për shembjen e kësaj kalbësire imorale dhe antishqiptare”, tha Meta.

The post Meta: Akuzat për mosdeklarim pasurie, të turpshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ndarja nga jeta e Janullatos, Meta: Ringriti nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

“Udhëheqës i veçantë shpirtëror dhe shembull frymëzues i dashurisë ndaj njerëzve, me vizion hyjnor e mençuri të rrallë, do t’i mbetemi përherë mirënjohës për gjithçka ka bërë në këto vite për Lavdinë e Zotit, për të mirën e Kishës, që në rrethana të vështira e ringriti nga gërmadhat dhe e zhvilloi më tej, për të mirën e besimtarëve ortodoksë shqiptarë, për forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë”, shkruan Meta.

Meta shton më tej se “kontributi i jashtëzakonshëm dhe përkushtimi i vyer i Fortlumturisë së Tij në më shumë se tre dekada i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së saj kudo në botë”.

“Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme për drejtuesit e lartë të Kishës dhe mbarë komunitetin ortodoks të Shqipërisë!”, shkruan Meta.

Meta nënvizon se trashëgimia e Kryepeshkopit Anastas do të mbetet gjithmonë e gjallë dhe kujtimi i Tij do të jetë i paharruar!

/a.f/

The post Ndarja nga jeta e Janullatos, Meta: Ringriti nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Deklarimi i DIVA-s, Çelmeta për ATSH-në: Pragu u ul në 1,2 milionë lekë në vit, afati i fundit 31 marsi

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” përcaktojnë detyrimin që çdo individ që ka realizuar të ardhura bruto mbi 1,2 milionë lekë në vitin 2024, nga të gjitha burimet, të plotësojë deklaratën vjetore të të ardhurave personale (DIVA) brenda datës 31 mars të këtij viti.

Deri në vitin 2023 kufiri i deklarimit për të ardhurat bruto ishte 2 milionë lekë e sipër. Ndërsa afati për plotësimin e DIVA-s ishte fundi i muajit prill.

Individët që janë të punësuar vetëm në një punëdhënës, por kanë dhe të ardhura të tjera me burim brenda vendit, për të cilat është mbajtur tatimi në burim, kanë detyrimin vetëm për të deklaruar, por nuk kanë për të kryer pagesë tatimi.

Ka edhe të ardhura të tjera, të cilat mund të jenë me burim në Republikën e Shqipërisë, por që nuk u është mbajtur tatimi të cilat duhet që të deklarohen, të llogaritet tatimi dhe të paguhet.

Kjo kategori tatimpaguesish, në rast se do të ketë të ardhura nga jashtë Republikës së Shqipërisë, duhet të marrin dokumentacionin për këto të ardhura dhe për tatimin e paguar, nëse është paguar jashtë vendit.

Në një prononcim për ATSH-në, drejtoresha e Proceseve të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta bëri të ditur se zgjerimi i bazës së deklarimit të të ardhurave personale, duke ulur pragun e detyrimit për deklarim nga 2 milionë lekë në vit, në 1.2 milionë lekë në vit, është masë pozitive për nxitjen e pajtueshmërisë vullnetare dhe deklarimin e të ardhurave.

“Do të na ofrojë zgjerim të bazës së të dhënave që do të mund të përdoren për analiza më të thelluara për trajtimin e individëve”, theksoi Çelmeta.

Çelmeta sqaron se një individ është i detyruar të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore personale kur të ardhurat tatimore vjetore të tij janë më shumë se 1 200 000 lekë në vit nga të gjitha burimet ose kur është në marrëdhënie punësimi me më shumë se një punëdhënës, pavarësisht nga shuma e të ardhurave që merr nga punëdhënësit. Ky detyrim, sipas saj, një individi i lind edhe kur është përfitues i më shumë se 50 000 lekëve e çdo të ardhure tjetër që nuk i nënshtrohen tatimit përfundimtar në burim.

Në DIVA përfshihet deklarimi i të ardhurave bruto nga marrëdhëniet e punësimit ose të ngjashme me to, nga dividenti, qiraja, fitimi kapital nga shitja e pasurive të paluajtshme; interesa bankare etj.

Në rast se nuk do të plotësohet në kohë Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave, ligji parashikon penalitet prej 3 mijë lekë për deklarim të vonuar.

Deklarata për të ardhurat e realizuara në vitin 2024 paraplotësohet nga sistemi e-Filing me të ardhurat e deklaruara nga paga, në çdo listëpagesë ku individi është i regjistruar si i punësuar. Deklarata ka të paraplotësuar edhe tatimin e përllogaritur, edhe atë të paguar, si vlerën e detyrimit për t’u paguar, në rast se rezulton me pagesë.

Sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore vitin e shkuar detyrimin për plotësimin e DIVA-s për vitin 2023, e kishin 73 790 individë, nga të cilët 24 224 me të ardhura mbi 2 milionë lekë dhe 49 566 të dypunësuar.

Individët që deklarojnë për herë të parë DIVA-n, fillimisht duhet të regjistrohen elektronikisht në “www.tatime.gov.al” në rubrikën e-Filing dhe më pas vijohet me gjenerimin dhe plotësimin e deklaratës duke përzgjedhur vitin 2024. /j.p/r.e/

The post Deklarimi i DIVA-s, Çelmeta për ATSH-në: Pragu u ul në 1,2 milionë lekë në vit, afati i fundit 31 marsi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Meta: Masakra e Reçakut i tregoi botës të vërtetën e mizorive në Kosovë

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Sot bëhen 26 vite nga masakra e Reçakut në Kosovë, ku forcat serbe sulmuan popullatën e pafajshme civile shqiptare, duke vrarë dhe masakruar 45 prej tyre.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e përkujtoi këtë ditë duke shkruar në rrjetet sociale mesazh nderimi.

“Nderim përjetë, me përulje dhe respekt, kujtimit të paharruar të 45 martirëve të Masakrës së Reçakut, mizorisë së kryer në zemër të Europës nga xhelati i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç”, shkroi Meta.

Sipas Metës, ky krim i tmerrshëm kundër njerëzimit, siç me të drejtë e përkufizoi Ambasadori Walker, i tregoi mbarë botës të vërtetën e mizorive dhe gjenocidit kriminal në Kosovë.

“Në këtë ditë të kujtimit të sakrificave të shenjta të popullit të Kosovës është e rëndësishme të theksohet se Kosova kurrë nuk do jetë “tokë e askujt”, por përherë toka e Isa Boletinit, e Adem Jasharit dhe e të gjithë heronjve dhe martirëve, të cilët e kanë larë me gjakun e tyre atë tokë”, shkruan Meta.

Meta thekson më tej se “mbi atë gjak u ndërtuan themelet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, që në pak vite është shndërruar model në rajon për bashkëjetesën ndëretnike, si edhe të demokracisë funksionale në rritje, shembull që besoj se do të jepet edhe në zgjedhjet e afërta parlamentare atje”.

“Gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë! Lavdi”, e përmbyll Meta reagimin. /j.p/

The post Meta: Masakra e Reçakut i tregoi botës të vërtetën e mizorive në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Braimllari: Jam i majtë, dua të angazhohem me PS; PL: Është marrë peng nga SPAK

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, ka deklaruar sot se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 majit, nëse i krijohen hapësirat, do të angazhohet me Partinë Socialiste.

“Nuk kam kontakte me PS. Po them dëshirën time. Unë jam i majtë, angazhimi im patjetër do të jetë PS, por nëse krijohen hapësirat. Nuk e kam problem ta nis nga fillimi. Nuk ka rëndësi ku është emri Endrit Braimllarit për të dhënë kontributin tim. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të doja të jepja angazhimin tim në PS”, tha Braimllari në një intervistë televizive.

Pas deklaratës së tij, ka ardhur edhe reagimi nga radhët e Partisë së Lirisë. Zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e cilëson Braimllarin si “sufllaqexhi”.

Ajo shprehet se prej 1 viti e gjysmë Braimllari nuk është më pjesë e asnjë strukture politike të PL dhe as anëtar i Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës, për shkak të “firmave të tij të paligjshme dhe të pamoralshme, si dhe marrja peng nga SPAK, bashkë me të disa të afërm të tij”.

Memelli shton me të tej se Braimllari “ka për detyrim të paraqitet sa më parë pranë Partisë së Lirisë dhe të japë sqarime për parregullsitë me financat që na la trashëgim, si dhe të dorëzojë mandatin e këshilltarit, që nuk i përket atij”.

/r.e//a.f/

The post Braimllari: Jam i majtë, dua të angazhohem me PS; PL: Është marrë peng nga SPAK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Meta: Simitis, reformator i Greqisë për integrimin evropian

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Greqisë, Kostas Simitis.

Meta shkroi në rrjete sociale, nga burgu 313 në Tiranë, se Simitis ka qenë kontributor në Greqi për rënien nga pushteti të juntës ushtarake dhe ka qenë gjithashtu reformator dhe përparimtar në rrugën e Greqisë drejt BE.

“Me trishtim mësova për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Greqisë, Kostas Simitis.

Kontributor për rrëzimin e juntës dhe luftëtar konseguent kundër diktaturave, Simitis ishte një personalitet i madh i politikës greke, jo vetëm si drejtues i PASOK-ut, por edhe si reformator i madh i përshpejtimit të integrimit europian të Greqisë.

Kam patur kënaqësinë të bashkëpunonim dhe i mbetem mirënjohës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve tradicionale shqiptaro-greke, bazuar mbi fqinjësinë e mirë dhe partneritet.

Ngushëllime familjes Simitis dhe popullit grek për këtë humbje të madhe”, shkroi Meta.

Simitis shërbeu si kryeministër në shtetin helen nga radhët e PASOK në vitet 1996-2004.

Ish-kryeministri Kostas Simitis vdiq sot në mëngjes, në moshën 88-vjeçare.

/r.e/

The post Meta: Simitis, reformator i Greqisë për integrimin evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Meta uron Vitin e Ri 2025: Viti i lirisë dhe i ndryshimit për të gjithë shqiptarët

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili ndodhet në masën e sigurisë “Arrest me Burg”, me kërkesë të prokurorisë Speciale Anti-korrupsion, në kuadër të një hetimi të nisur ndaj tij, ka uruar sot të gjithë shqiptarët për vitin e ri 2025.

Në një postim në rrjetet sociale, ku ndau dhe foto nga ngjitja në majën e Jezercës, Meta tha se viti 2024, ishte një vit shumë i vështirë.

“Të nderuar qytetare dhe qytetarë shqiptarë! Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve. Siç është zakon secili nga ne bën edhe një bilanc.

Mbyllim një vit shumë të vështirë, plot sfida të panumërta dhe beteja të përbashkëta.
Më shumë se gjysmën e shqiptarëve, në veçanti pensionistët, ky vit që po troket i gjen në varfëri ekstreme, të pastrehë, të braktisur dhe të përjashtuar nga regjimi aktual, që vrau shpresën edhe për të rinjtë”, shkruan Meta.

“Përpjekja e hapur dhe e dhunshme për asgjësimin e demokracisë dhe pluralizmit politik avancoi si kurrë më parë. Përpara kemi një malore jo të lehtë. E megjithatë duhet të jemi shumë besimplotë se do të ngjitemi në majë sepse kauzat e mëdha dhe ekzistenciale, qëndresa, vendosmëria, dinjiteti dhe patriotizmi ynë e bëjnë të pashmangshme Triumfin e së Mirës ndaj së Keqes dhe Fitoren e përbashkët që po sjell ky Vit i Ri.

Me përkushtim, dashuri dhe vëmendje ndaj gjërave të mira dhe të bukura, me vullnet, forcë e përgjegjësi, me energji pozitive, mençuri dhe vizion ne të gjithë bashkë do ta bëjmë realitet ëndrrën e bukur të të rinjve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa!
Nga zemra ju uroj të jetë ky Vit i Ri plot me gëzime, shëndet, mbarësi, dashuri dhe suksese për ju, familjet tuaja dhe të afërmit kudo që janë! Gëzuar 2025!”, mbyll mesazhin e tij Meta.

/a.f/

The post Meta uron Vitin e Ri 2025: Viti i lirisë dhe i ndryshimit për të gjithë shqiptarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Meta: Drejtësia me regji drejt fundit pa lavdi, jam burgosur për shkak të zgjedhjeve të 11 majit

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nga qelia e paraburgimit, nëpërmjet një postimi të gjatë në rrjetet sociale, ka reaguar në lidhje me situatën politike në vend dhe ka sulmuar organet e reja të drejtësisë.

Sipas presidentit të PL-së, drejtësia po funksionon me regji dhe sipas interesit të qeverisë.

“Këtë na e provojnë çdo ditë me sjelljen e tyre politike institucionet e drejtësisë së “re” apo të kapur gati totalisht nga Rama prej kohësh, që nuk njohin as Kushtetutën, as Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, as procesin e rregullt ligjor”, nënvizon Meta.

Meta tha se kjo u provua edhe një ditë më parë (kur në SPAK u paraqitën Belind Këlliçi dhe Erion Veliaj), “që në të njëjtën ditë u thirr edhe denoncuesi kryesor i skemës kriminale 5D, por edhe arkitekti dhe përfituesi kryesor i saj, apo se në të njëjtën ditë që Partia e Lirisë organizonte protestën e saj para SPAK-ut, BKH që në mëngjes u zgjua me “Harabelin” e me të edhe u ngrysën lajmet”.

Meta hodhi akuza edhe në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

“Dumani ka treguar bindshëm se është një mercenar i Edi Ramës dhe pa dyshim edhe i atyre lloj ndërkombëtarëve që e duan Ramën, sepse shet sovranitet për të vjedhur pushtet”, shkruan Meta.

Meta u ndal edhe te burgosja e tij.

“Sot unë jam në burg, i rrëmbyer në mënyrë të paligjshme, siç e kanë parë të gjithë dhe i izoluar në mënyrën më ekstreme dhe vetëm për shkak të zgjedhjeve të 11 Majit. Ndërkohë që për mua ekziston vetëm një çështje: Çështja Meta”, shkruan Meta.

Meta shkruan më tej se duke qenë në 30 vite të jetës publike në mënyrën më ekstreme i kujdesshëm me ligjin dhe Kushtetutën, është i pashantazhueshëm.

“Unë as jam trembur, as jam fshehur dhe as i jam shmangur kurrë me procedurë përballjes me drejtësinë, përkundrazi i kam fituar të gjitha përballjet me të”.

Meta shton më tej se “është në burg sepse është dëshmitari kryesor, si Kryetar i Kuvendit e President Republike, i korrupsionit më të madh që ka ndodhur këtë dekadë që është shndërrimi i Reformës në Drejtësi në Ramaformë”.

Në fund të fjalës së tij Meta rendit edhe 5 prioritetet e Partisë së Lirisë të miratuara në Konventën e 27 Prillit, e që sipas tij janë rruga e qartë dhe konkrete që i jep fund dramës së shpopullimit dhe që e kthen Shqipërinë në fuqi eksportuese.

“Ndërsa për Reformën në Drejtësi ne si Parti e Lirisë i qëndrojmë Reformës të votuar në Parlament me 140 vota dhe jo Ramaformës me 69 vota”, shkruan Meta.

“Dihet botërisht që falë insistimit tim Reforma në Drejtësi u miratua me 140 vota. Ky miratim ka gjurmën time të pashlyeshme dhe për të cilën u falënderova publikisht edhe nga ambasadori i SHBA”, nënvizon Meta.

Sipas Metës “fundi i Drejtësisë me Regji është i pashmangshëm dhe i afërt, siç është edhe rrëzimi i Narkoregjimit të vetëm në kontinent, krimet “intelektuale” të të cilit janë grabitje pa maska në mes të ditës të qindra-milionë euro të qytetarëve më të varfër të rajonit, në vendin më të pasur të rajonit me burime natyrore”.

/r.e/

The post Meta: Drejtësia me regji drejt fundit pa lavdi, jam burgosur për shkak të zgjedhjeve të 11 majit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Meta: Qeveria shkurtoi fondet për tre sektorët jetikë të vendit, nxit shpopullimin

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Ilir Meta, presidenti i Partisë së Lirisë, i cili ndodhet në “arrest me burg”, në një postim në rrjetet sociale shkruan se vendimi i qeverisë për të shkurtuar fondet buxhetore për Arsimin me 700 milion lekë, për Shëndetësinë me 2.6 miliard lekë dhe për Bujqësinë me 800 milion lekë është tregues i vijimit të moskujdesit dhe braktisjes së tre sektorëve jetikë socialë.

Meta kritikon uljen e fondeve për arsimin, duke theksuar nevojën urgjente për “rritjen e pagave, për ndërtimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve të reja”, dhe shton “mungesa e fondeve do të thellojë akoma më shumë rezultatet negative të Shqipërisë, që renditet e fundit në botë për cilësinë e Arsimit”.

Për shëndetësinë, Meta thekson se të shkurtosh fondet “do të thotë të braktisësh stafin mjekësor, të thellosh mungesën e ilaçeve dhe investimeve në spitale, në një kohë kur skandalet e mostrajtimit dinjitoz të pacientëve thellohen dhe shpërthejnë çdo ditë, si skandali i Onkologjikut, i sëmundjeve kronike e plot të tjera”.

Po ashtu, për sektorin e bujqësisë, Meta shkruan se “të ulësh fondet për Bujqësinë, në kushtet kur fermerët po falimentojnë, po hedhin në kanal prodhimet e tyre dhe po detyrohen të largohen nga Shqipëria, do të thotë ta çosh këtë sektor përfundimisht drejt kapitullimit”.

Më tej Meta kritikon politikat e qeverisë.

“Braktisja e këtyre tre sektorë është një nxitje tjetër e shpopullimit, kësaj axhende antikombëtare të projektuar prej kohësh”, shkruan Meta.

Presidenti i PL-së theksoi se “pesë Prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus që ndalin shpopullimin dhe kthejnë Shqipërinë në fuqi eksportuese janë e vetmja rrugë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit, për mbështetjen e familjeve, si dhe për rritjen e mirëqenies të qytetarëve, në veçanti për pensionistët dhe shtresat në nevojë”.

/a.f/

The post Meta: Qeveria shkurtoi fondet për tre sektorët jetikë të vendit, nxit shpopullimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Meta uron Krishtlindjen: Lindja e shpresës dhe e paqes

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi sot Krishtlindjen për të gjithë besimtarët e krishterë dhe mbarë popullin shqiptar.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Meta u shpreh se “Krishtlindja është lindja e shpresës dhe e paqes, fuqia e dritës hyjnore mbi errësirën dhe konfirmim i dashurisë së Perëndisë ndaj njerëzimit”.

Meta citoi Biblën: “Dashuria është zemërgjerë, kërkon të mirën. Dashuria nuk ka smirë. Dashuria nuk gëzohet me padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën. Dashuria përballon gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka dhe duron gjithçka. Dashuria nuk shteron kurrë”.

“Bekimet dhe ngrohtësia e dashurisë së Zotit qofshin gjithmonë me ju, në çdo familje shqiptare dhe veçanërisht pranë të gjithë atyre që sot përballen me varfërinë, sëmundjet dhe padrejtësitë”, shkruan Meta.

/m.m/a.f/

The post Meta uron Krishtlindjen: Lindja e shpresës dhe e paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Urimi për besimtarët katolikë: Paqe e shpresë për një botë të trazuar

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Imzot Gjergj Meta, president i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë (KISH), uroi përmes një mesazhi të gjithë besimtarët katolikë me rastin e Krishtlindjes, për një botë me paqe dhe shpresë.

Presidenti i KISH, solli në vëmendje një prodhim të kinematografisë botërore “Joyeux Noël”, ku tregohet një histori nga Lufta e Parë Botërore, se si ushtarët e dy fronteve armike, për Krishtlindje bënë një armëpushim dhe festuan me njëri-tjetrin.

“Për ne të krishterët fëmija që lind, pra Jezusi, është Princi i paqes, ai që na jep paqen, por jo si e jep bota. Ai nuk na jep një armëpushim të përkohshëm, por një paqe që nuk mund të na e marrë askush, sepse është paqja e zemrës, është paqe që vjen nga lart dhe zë vend në shpirtin e atyre që e duan Hyjin. Natën e Krishtlindjes në të gjitha kishat tona do të jehojë fjala e Ungjillit dhe kënga e engjëjve: “Lavdi Hyjit në qiell e paqe mbi tokë njerëzve që ai i ka për zemër”, tha imzot Gjergj Meta në mesazhin e tij të Krishtlindjes.

Një urim për besimtarët katolikë ka ardhur edhe nga imzot Arjan Dodaj, arqipeshkvi i Arqidioqezës Tiranë-Durrës.

“Le të shkojmë në Betlehem dhe të shohim çfarë Zoti kumtoi për ne. Kjo është ftesa që na vjen nga Zoti në këtë Krishtlindje: të vihemi në ecje, në ecje si shtegtarë të shpresës në dyert e jubileut që shënon 2025 vite nga lindja e Krishtit.

Imzot Arjan Dodaj nënvizoi se ka ardhur koha të reflektojmë dhe të promovojmë vlerat për femijët dhe atdheun.

1 nga 2

/r.e/

The post Urimi për besimtarët katolikë: Paqe e shpresë për një botë të trazuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

8 Dhjetori, Meta: Mirënjohje të veçantë ndaj lidershipit heroik të Azem Hajdarit

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi sot 8 Dhjetorin, Ditën Kombëtare të Rinisë.

Meta publikoi një video në rrjetet sociale, teksa shpreh “mirënjohje të veçantë ndaj Lidershipit Heroik të Azem Hajdarit, të gjithë djemve dhe vajzave, që 34 vite më parë, duke vrarë frikën i prinë me guxim, kurajë e patriotizëm Lëvizjes Studentore që e futi Shqipërinë në rrugën e Lirisë dhe të Demokracisë”.

“Unë besoj shumë në shpirtin energjik të të rinjve të Shqipërisë për të marrë në dorë fatet e tyre dhe të mbarë vendit, sot më shumë se kurrë, kur pluralizmi politik, liria dhe demokracia janë nën agresionin e një regjimi të dhunshëm”, thekson Meta në një postim në rrjetet sociale.

Meta nënvizon se, “kjo është rruga për të ndaluar shpopullimin dhe garantuar një Shqipëri që u përket të rinjve”.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndodhet në burg, pasi u arrestua më 21 tetor, nën dyshimet për disa vepra penale, “korrupsion” në 3 raste, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

/r.e/

The post 8 Dhjetori, Meta: Mirënjohje të veçantë ndaj lidershipit heroik të Azem Hajdarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Partia e Lirisë protestë para SPAK për arrestimin e Metës: Jo drejtësi me regji

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Partia e Lirisë zhvilloi sot protestë para godinës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e para protestë politike e zhvilluar ndonjëherë më parë në Shqipëri para godinës së SPAK.

Protesta u thirr nga qelia e paraburgimit nga vetë presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pas arrestimit të këtij të fundit nga SPAK në tetor të këtij viti, pasi ky i fundit e akuzon për tre vepra penale.

Me pankartat, të cilat ishin të shkruara edhe në gjuhën angleze, “Jo drejtësi me regji”, “Altin Dumani mercenar i Rilindjes”, “SPAK turpi i reformës në Drejtësi”, mbështetësit e Partisë së Lirisë protestuan para godinës së SPAK.

Protesta kryesohej nga Sekretari i Përgjithshëm i PL-së Tedi Blushi, deputetja Erisa Xhixho si dhe avokati i Metës, Genc Gjokutaj, njëkohësisht anëtar i kryesisë së PL-së.

Në fjalën e tij sekretari i PL-së Tedi Blushi e akuzoi SPAK si shkatërruesin e reformës në drejtësi dhe që po mbron korrupsionin.

“Ky institucion me veprimtarinë e tij antikushtetues e antiligjore ka vrarë besimin e qytetarëve të drejtësia e shteti ligjor duke u bërë njësh me mafien në pushtet. SPAK është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve të lirë të ndershme patriotë për barazi para ligjit. Ky institucion prodhon padrejtësi, antiligj dhe antiarbitraritet. Jemi sot këtu, sepse SPAK-u është tubi i oksigjenit për narkoqeverisjen më të korruptuar në Europë dhe në botë. SPAK është mbrojtësi ligjor i krimit elektoral”, tha Blushi.

Blushi akuzoi kreun e SPAK si mercenar të rilindjes, që sipas tij ka mision persekutimin politik të opozitës.

“Është ky Altin Dumani që shkul një fshat të tërë për ta hetuar për një autokombajnë pa leje. Është një institucion mashtrues e montues procesesh të rreme me zero fakte e dokumente dhe zero prova ndaj liderëve të opozitës vetëm për llogari të narkomafies. Dumani është armiku i shtetit të së drejtës, lirive, dinjitetit njerëzor të çdo shqiptari. Është mercenari më i verbër i rilindjes, misioni i të cilit është persekutimi politik i opozitës””, tha Blushi.

Për të siguruar rendin dhe shmangur përshkallëzimin e situatës, forca të shumta policie kanë rrethuan godinën SPAK.

Në protestë u vu re mungesa e figurave kryesore politike nga radhët e Partisë Demokratike.

Protestë e PL para SPAK, foto: Florian Abazaj
1 nga 5

vijon….

The post Partia e Lirisë protestë para SPAK për arrestimin e Metës: Jo drejtësi me regji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Projektligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, Karamata: Përafrim me legjislacionin e BE-së

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zëvendësministri i Drejtësisë Klajd Karameta, prezantoi projektligjin për  “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Karameta tha se “shpejtësia e zhvillimit teknologjik dhe globalizimi kanë ndryshuar në mënyrë thelbësorë, për mënyrën si mblidhen e transferohen të dhënat personale duke i bërë asete të rëndësishme për shumë biznese si pjesë të aktiviteteve ekonomike”.

Sipas zëvendësministrit, procesi ka “sjellë mundësinë dhe rrezikun që të dhënat personale të qytetarëve të bëhen të aksesueshme dhe të shpërndahen nga persona të paautorizuar”.

“Kuadri ligjor nuk është i përfaruar me legjislacionin e ri të BE-së “për mbrojtjen e të dhënave personale”, u shpreh zëvendësministri.

Zëvendësministri theksoi se objektiv i projektligjit është harmonizimi dhe zbatimi standardeve të BE-së në fushën e mbrojtës së të dhënave personale.

Një tjetër objektiv, shtoi Karamata është “garantimi ndaj qytetarëve i një niveli më të lartë kontrolli për të dhënat tyre personale”.

“Garantimi i mbrojtjes së të dhënave në mënyrë sa më efektive. Sigurimi i mbikëqyrjes efektive të zbatimit të legjislacionit nëpërmjet forcimit të rolit të zyrës së Komisionerit. Garantimi i një trajtimi më të mirë të mbrojtjes së të dhënave lidhur me sfida e privatësisë në botë digjitale. Krijimi i një kuadri ligjor gjithëpërfshirës”, tha Karameta.

Sipas zëvendësministrit, synohet “përfshirja e Shqipërisë në listën e shteteve për të cilat Komisioni Europian ofron sistem të përshtatur të mbrojtjes së të dhënave me qëllim që importimi i të dhënave nga BE-ja të kryhet lehtësisht”.

Deputetja Ermonela Felaj, në cilësinë e relatores tha se ligji aktual është një ligj goxha i hershëm.

“Më duket më se e arsyeshme që Këshilli i Ministrave dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të paraqiten me një ligj. Synohet që qytetarëve shqiptar t’u garantohen standarde më të larta në fushën e mbrujtjes së të dhënave personale”, tha Felaj. /j.p/

The post Projektligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, Karamata: Përafrim me legjislacionin e BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Sulmet në veri të Kosovës, Meta: BE dhe SHBA të ushtrojnë presion ndaj Beogradit

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dënuar “sulmet e fundit terroriste në stacionin policor në Zveçan, dhe shpërthimin e detonuar ndaj kanalit kryesor të Ibër Lepencit”.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta ka theksuar se këto sulme janë të orkestruara nga bandat e dirigjuara nga Serbia, duke nënvizuar se Serbia ende nuk i ka dënuar këto akte kriminale.

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmet e fundit terroriste në stacionin policor në Zveçan, në Komunën e Zveçanit dhe shpërthimin e detonuar ndaj kanalit kryesor të Ibër Lepencit, prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe Korporata Energjitike e Kosovës. Ky sulm kriminal dhe terrorist, që ka synuar të dëmtojë infrastrukturën kritike dhe ndër më të rëndësishmet të Kosovës, vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia, që ende nuk i ka dënuar këto akte kriminale”, shkruan Meta.

Meta akuzon Serbinë për mbështetje të strukturave kriminale dhe për mungesë të vullnetit për të respektuar marrëveshjet me Prishtinën.

“Fajin dhe përgjegjësinë për këto sulme terroriste nuk e ka formati ekzistues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por mungesa e plotë e vullnetit të Beogradit zyrtar për respektimin e marrëveshjeve me Prishtinën zyrtare, si edhe marrja zyrtarisht në mbrojtje nga Serbia të strukturave kriminale, me në krye Millan Radojçiçin, që mbështeten nga institucionet serbe, që kanë glorifikuar edhe sulmin terrorist në Banjskë, si edhe nga ata shqipfolës, që i mbajnë ison Serbisë, që mbështesin dhe implementojnë nisma proserbe si “Ballkani i Hapur” apo që fajësojnë dhe penalizojnë qëndrimet parimore dhe patriotike të Qeverisë së Kosovës, siç ka vepruar dhe vepron çdo ditë Edi Rama”, shkruan Meta.

Meta i ka kërkuar faktorit ndërkombëtar që të ushtrohet presion ndaj Beogradit për të hequr dorë nga këto akte kriminale, që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Partia e Lirisë, në mbështetje të palëkundur të popullit dhe institucioneve, të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës u bën thirrje të gjithë vende partnere ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, të dënojnë me forcën më të madhe këto sulme terroriste, si dhe t’i ushtrojnë presionin e duhur Beogradit zyrtar për të hequr dorë nga këto akte kriminale që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”, e përmbyll Meta reagimin. /j.p/

The post Sulmet në veri të Kosovës, Meta: BE dhe SHBA të ushtrojnë presion ndaj Beogradit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Meta uron 80-vjetorin e Çlirimit: Të rinjtë të marrin më shumë përgjegjësi për të garantuar të ardhmen

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi sot 80-vjetorin e Çlirimit të vendit.

“Në këtë ditë të madhe të historisë sonë, mirënjohja dhe respekti i pakufijshëm shkon për të gjithë martirët e luftës për liri, për të gjithë partizanët, heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilët megjithëse në moshë tepër të re sakrifikuan gjithçka për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë”, shkruan Meta në mesazhin e tij në rrjetet sociale, ndërkohë që ndodhet në qeli pas vendimit të GJKKO-së për “arrest me burg”.

Meta theksoi se të rinjtë duhet të marrin më shumë përgjegjësi dhe angazhim publik për të garantuar fatet e tyre dhe të ardhmen e Atdheut.

“Sot të rinjtë dhe të rejat, veçanërisht në këto kohë jo të lehta për vendin, kanë një detyrë po aq të madhe dhe historike, sa edhe bashkëmoshatarët e tyre tetë dekada më parë, që të marrin më shumë përgjegjësi dhe angazhim publik për të garantuar fatet e tyre dhe të ardhmen e Atdheut, të rrezikuar nga tradhtarët e kombit që shesin kufijtë e Shqipërisë, që dëshmorët i mbrojtën me gjak, nga grabitqarët e pashpirt të pronës dhe interesit publik, si dhe nga kolonizatorët e rinj të juntës sorosiane që kërkojnë të zhbëjnë vlerat kombetare, familjare dhe të shtetit të së drejtës”, u shpreh Meta në mesazhin e tij.

/m.m/r.e/

The post Meta uron 80-vjetorin e Çlirimit: Të rinjtë të marrin më shumë përgjegjësi për të garantuar të ardhmen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Meta uron 28 Nëntorin: Të bashkuar për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa

TIRANË, 28 Nëntor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar sot nga burgu të gjithë shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar.

Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, Meta përkujton figurat historike si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Adem Jashari, duke theksuar rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe mbrojtjes së idealeve të lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar!
Urime të gjithë shqiptarëve kudo janë 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit!”, shkruan Meta.

“Kremtimi i 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë na fton të gjithëve të bashkohemi në mbrojtje të idealit të Lirisë, vlerave, identitetit dhe çështjes kombëtare, të Sovranitetit dhe integritetit territorial kundër çdo pushtuesi dhe kolonizatori të vjetër apo të ri, në mënyrë që Flamuri Kuqezi me shqiponjën dykrenare, simboli ynë i shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i pacënuar, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat dhe bijtë më të mirë të kombit”, tha Meta.

Ai bëri thirrje për angazhim dhe patriotizëm në mbrojtjen e vlerave dhe realizimin e aspiratave të nisura nga etërit e Pavarësisë për të ndërtuar një Shqipëri si gjithë Europa.

“Të dëshmojmë vendosmërinë e palëkundur, mençurinë dhe patriotizmin më të lartë për mbrojtjen e këtyre idealeve e vlerave, si dhe në përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.
Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që ata ndodhen!”, përfundon Meta.

/a.f/

The post Meta uron 28 Nëntorin: Të bashkuar për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Lirimi i Berishës, Meta: Përgëzime për liderin e PD-së

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të liruar nga arresti shtëpiak, kreun e PD-së, Sali Berisha. Meta përshëndet vendimin e GJKKO-së dhe thotë se “Berisha, por edhe qytetarët duan dhe meritojnë një shtet të së drejtës”.

“Përshëndetjet më të përzemërta për liderin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe urime për të gjithë qytetarët që duan dhe meritojnë një shtet të së drejtës!

Në veçanti, dua të përshëndes Prof. Dr. Berishën me deklaratën time, si President i Republikës, të bërë më 22 maj 2021, kur ai u shpall “non grata”, sepse gjithmonë kam qenë i bindur se ajo fletërrufe u hartua kundër tij nga Edi Rama, Sorosi, Charles McGonigal, Rossini dhe Mcgonigalët e tjerë për të shkatërruar pluralizmin politik për qëllime korruptive dhe helmuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA”, shprehet Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Meta thekson se vendimi i Strasburgut e ka klasifikuar “rastin “Berisha” si “leading case”, pra të rëndësishëm dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të gjykatave të brendshme”.

“Desorosifikimi i drejtësisë dhe shoqërisë tonë është një emergjencë kombëtare për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe mbrojtur interesat kombëtare”, thekson Meta.

/r.e//a.f/

The post Lirimi i Berishës, Meta: Përgëzime për liderin e PD-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌