Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Elbasani, me një lojtar më pak barazon 2-2 në shtesë me Partizanin

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Partizani ka barazuar me AF Elbasanin me rezultatin 2 me 2, në ndeshjen e vlefshme për Javën e 22-të të Superiores.

Ndeshja e zhvilluar pasditen e sotme në “Arenën e Demave” ka qenë e luftuar deri në minutën e fundit, ndonëse Elbasani luajti që nga minuta e 24-t me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq të portierit Janaçek.

Ishte Lajthia që kaloi në epërsi ekipin mik në minutën e 21-të, pas një goditjeje me kokë para portës së vendasve.

Në minutën e 35-të Tsague humbi rastin më të mirë për elbasanasit për të dyfishuar shifrat. Por topi i gjuajtur nga pika e bardhë e penalltive fluturoi mbi traun e portës së Partizanit.

Dhe rregulli i pashkruar në futboll “po nuk shënove, do të pësosh”, i ndodhi Elbasanit. Ishte kapiteni vendas Skuka, i cili barazoi rezultatin në minutën e 41-të.

Në minutën e 65-të Sibide harkon nga e djathta e sulmit dhe Isgandarli dyfishoi shifrat për Partizanin.

Takimi pati edhe një episod jo të këndshëm, me momente paniku në fushën e lojës, pasi Sembene u rrëzua pa ndjenja në 85’. Ndeshja u ndërpre dhe u desh ndërhyrja e ambulancës.

Lajthia do të bëhej protagonist sërish, pasi në minutën e parë shtesë barazoi për verdhezinjtë, pas një topi të ardhur nga një goditje këndi dhe një rrëmuje në zonën e Partizanit.

Me këtë barazim Partizani ngjitet në kuotën e 27 pikëve, ndërsa AF Elbasani mbetet në vendin e tretë me 39 pikë.

The post Elbasani, me një lojtar më pak barazon 2-2 në shtesë me Partizanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Starmer: Japonia aleate e rëndësishme e BM-së

LONDËR, 31 janar /ATSH – DPA/– Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka mbërritur në Tokio përpara një takimi me homologen e tij japoneze, në përfundim të vizitës së tij në Azinë Lindore.

Duke folur me gazetarët gjatë fluturimit nga Shanghai drejt Tokios, kryeministri tha se mezi priste të diskutonte çështje të mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe tregtinë dhe ekonominë me kryeministren japoneze, Sanae Takaichi.

Duke përshkruar vizitën tek aleati i G7-s dhe G20-s si “shumë të rëndësishme”, Starmer tha se “përtej Evropës dhe SHBA-së, Japonia është investitorja më i madhe në ekonominë tonë dhe ka 1 000 kompani japoneze që mbështesin 150 000 vende pune në Britaninë e Madhe Pra, ka shumë çështje për t’u diskutuar”.

“Takaichi, e cila erdhi në pushtet në tetor të vitit të kaluar, ka qenë shumë e shpejtë për t’u bashkuar me ‘koalicionin e të gatshmëve’ të udhëhequr nga Britania dhe Franca, që po përgatit një forcë paqeruajtëse për Ukrainën”, shtoi ai.

Starmer pritet të takohet sot me Takaichi në zyrën e saj, Kantei për një darkë pune.

Vizita e tij vjen pas një udhëtimi katër ditor në Kinë, ku ai vazhdoi përpjekjet për të rikthyer marrëdhëniet e Britanisë së Madhe  me Pekinin.

Duke udhëtuar me një delegacion prej më shumë se 50 liderësh biznesi dhe kulturore, Starmer arriti një reduktim të tarifave për uiskin dhe futjen e udhëtimit pa vizë në Kinë për qytetarët britanikë.

Pas një takimi me Presidentin kinez, Xi Jinping, Pekini gjithashtu ra dakord të heqë sanksionet ndaj parlamentarëve britanikë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post LONDËR – Starmer: Japonia aleate e rëndësishme e BM-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Një afresk i restauruar habit me engjëllin që i ngjan Melonit

ROMË, 31 janar /ATSH-DPA/ – Një afresk i restauruar së fundmi në një kishë në qendër të Romës po tërheq vëmendje të veçantë, pasi vëzhguesit kanë vënë re se një prej engjëjve ka një ngjashmëri të habitshme me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Bazilika e “San Lorenzo in Lucina” është një nga kishat më të vjetra kristiane në Romë dhe njihet për bustin e mermerit të mbretit të fundit italian, Umberto II, i cili shkoi në mërgim në vitin 1946.

Mbi bust ndodhet një afresk me dy engjëj, të cilët nuk ishin shumë të njohur para restaurimit.

Tani, megjithatë, një prej tyre ka një ngjashmëri të pazakontë me Meloni, kryeministren italiane.

Sipas një raporti të gazetës “La Repubblica”, restauratori Bruno Valentinetti ka lidhje të gjatë me të djathtën italiane.

Engjëlli me krahë, i quajtur “Engjëlli Meloni”, mban një rrotull që tregon formën e Italisë në formë çizme, ndërsa engjëlli i dytë i dorëzon një kurorë sundimtarit të përbuzur.

“Ka një ngjashmëri të caktuar”, tha prifti i bazilikës, Daniele Micheletti.

“Por, do t’ju duhej të pyesnit restauratorin pse e bëri kështu. Unë nuk e di”, shtoi ai.

Megjithatë, Valentinetti tha se nuk sheh asnjë ngjashmëri me lideren italiane, duke theksuar se ai vetëm “ka restauruar atë që ishte aty 25 vjet më parë”.

“La Repubblica” shkruante se Valentinetti më parë ka punuar për punime të brendshme në San Lorenzo dhe thuhet se ishte punësuar edhe nga i ndjeri populist i djathtë Silvio Berlusconi, ish-kryeministër i Italisë, për të kryer punime rinovuese në një vilë.

Meloni postoi një foto të engjëllit në faqen e saj në Instagram me shënimin “Jo, sigurisht që nuk dukem si një engjëll”, e shoqëruar me një emoji gazmor./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post ROMË – Një afresk i restauruar habit me engjëllin që i ngjan Melonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamtumirë Fitim Makashi, një emër që la gjurmë në Teatrin Kombëtar

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Ka ndërruar jetë sot në moshën 82-vjeçare aktori i njohur i kinemasë dhe teatrit shqiptar, Fitim Makashi.

Teatri Kombëtar i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik për ndarjen nga jeta të aktorit Makashi, një prej figurave që ka dhënë një kontribut të çmuar në historinë e këtij institucioni.

“Puna dhe përkushtimi i tij në skenë dhe jashtë saj lanë gjurmë të rëndësishme në jetën artistike dhe në kujtesën e Teatrit Kombëtar. Ai do të mbahet mend për profesionalizmin, pasionin dhe dashurinë për artin”.

I lindur më 10 prill 1944 në Gjirokastër, Fitim Makashi kreu studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe u angazhua për vite me radhë në Teatrin Popullor, ku interpretoi dhjetëra role në drama dhe komedi, duke u vlerësuar për seriozitetin dhe natyrshmërinë e tij në skenë.

Makashi la gjurmë të pashlyeshme edhe në kinematografinë shqiptare, duke interpretuar në filma të njohur që nga vitet ’60 deri në fillim të viteve ’90. Midis filmave ku luajti përfshihen: “Dueli i heshtur” (1967), “Prita” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Ndërgjegja” (1972), “Rugicat që kërkonin diell” (1975), “Në fillim të verës” (1975), “Ilegalët” (1976), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Intendenti” (1980), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Tre njerëz me guna” (1985), “Shpella e piratëve” (1991) dhe “Vdekja e kalit” (1992). Interpretimet e tij u dalluan për karakter të fortë dhe prani të veçantë artistike, duke e bërë pjesë të rëndësishme të brezit që ndërtoi identitetin e kinemasë shqiptare.

Përveç karrierës si aktor, Fitim Makashi kontribuoi si pedagog, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të artistëve shqiptarë.

Trashëgimia e tij artistike dhe ndikimi në teatrin dhe filmin shqiptar mbeten pjesë e rëndësishme e kujtesës kulturore kombëtare.

Stili artistik i Fitim Makashit karakterizohej nga një thellësi emocionale dhe një interpretim i natyrshëm, që e bën çdo rol të tij të paharrueshëm. Me një aftësi të jashtëzakonshme për të sjellë personazhe kompleksë në skenë dhe ekran, ai ka krijuar portrete autentike që mbeten të ngulitura në kujtesën e publikut. Qasja e tij ndaj aktrimit është e ndjeshme dhe e detajuar, duke i dhënë një dimension të veçantë çdo figure që ka interpretuar. Nën elegancën e tij artistike fshihet një forcë e madhe shprehëse, që ka kontribuar në zhvillimin e teatrit dhe kinemasë shqiptare.

Fitim Makashi është babai i artistit Redon Makashi.

Publiku shqiptar nderon kujtimin e tij dhe rolin që luajti në zhvillimin e artit skenik dhe kinematografik në vend.

/r.e/ /a.g/

The post Lamtumirë Fitim Makashi, një emër që la gjurmë në Teatrin Kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Shpërthime në mbarë vendin mes rritjes së tensioneve rajonale

TEHERAN, 31 janar /ATSH-DPA/ – Disa shpërthime u raportuan sot në pjesë të ndryshme të Iranit duke shtuar frikën për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit në rajon.

Në qytetin portual Bandar Abbas, një person humbi jetën dhe 14 të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi, njoftoi agjencia e lajmeve “Tasnim”, e afërt me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC).

Dëshmitarë okularë raportuan gjithashtu për të paktën një shpërthim pranë kryeqytetit Teheran, megjithëse detaje të mëtejshme nuk janë bërë ende publike.

Në jugperëndim të Iranit, portali online ”Nur News” bëri të ditur, duke cituar shefin e zjarrfikësve në qytetin Ahvaz, se një shpërthim gazi atje shkaktoi vdekjen e katër personave.

Agjencia “Tasnim” hodhi poshtë thashethemet se shpërthimi në Bandar Abbas kishte qenë një tentativë sulmi ndaj komandantit të marinës së IRGC-së, Alireza Tangsiri.

Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve IRNA publikoi një fotografi që tregon fasadën pjesërisht të shkatërruar të një ndërtese shumëkatëshe banimi, duke theksuar se shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë.

Ngjarjet vijnë në prag të nisjes së një manovre detare triditore të Gardës Revolucionare, ku pritet të marrin pjesë edhe Kina dhe Rusia.

Ky mision zhvillohet në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka dislokuar një flotë ushtarake, përfshirë aeroplanmbajtëse, në rajon, ndërsa më herët ka kërcënuar udhëheqjen iraniane me ndërhyrje pas shtypjes së ashpër të protestave nga regjimi iranian./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post IRAN – Shpërthime në mbarë vendin mes rritjes së tensioneve rajonale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parku i ri pranë Bunës, “mushkëri e re” për Shkodrën


TIRANË, 31 janar/ATSH/ Punimet për ndërtimin e parkut rekreativ pranë Urës së Bunës në Shkodër, pjesë e projektit për transformimin urban të hyrjes së qytetit, vijojnë sipas planit dhe pritet të krijojnë një hapësirë moderne, të gjelbër dhe të aksesueshme për qytetarët.

Parku shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 18 hektarësh dhe do të jetë një zonë multifunksionale për pushim, rekreacion dhe aktivitete në natyrë, duke u konceptuar si “mushkëri e re” për qytetin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i punimeve dhe theksoi se projekti synon të krijojë një hapësirë të hapur për familjet, të rinjtë dhe të gjithë qytetarët, duke përmirësuar cilësinë e jetesës dhe duke shtuar hapësirat publike.

“Një hapësirë prej 18 hektarësh, e dominuar nga gjelbërimi, që po merr formë si “mushkëria e re” e qytetit një zonë e hapur për familjet, të rinjtë dhe të gjithë ata që duan natyrën, qetësinë dhe cilësinë e jetesës”, theksoi Rama.

Sipas Kryeministrit, hyrja e Shkodrës nuk po ndryshon vetëm pamje, por po fiton një dimension të ri, më shumë hapësirë publike, më shumë gjelbërim, më shumë jetë.

Punimet përfshijnë sistemimin e territorit, krijimin e shtigjeve pedonale, hapësirave çlodhëse dhe ambienteve rekreative, duke ruajtur harmoninë me mjedisin përreth. Parku ndodhet mes Bunës dhe rrugës kryesore hyrëse të qytetit dhe kombinon zonat e gjelbra me hapësirat për pushim, këndet e lojrave për fëmijë, zonat sportive dhe të piknikut.

Një element i veçantë janë Kopshtet e Pazarit të Vjetër, të cilat pasqyrojnë rëndësinë historike të Pazarit të Shkodrës për qytetin dhe për Ballkanin. Kopshtet përbëhen nga 30 dhoma, që ngjasojnë me rrugicat e pazarit të ndara sipas zejeve, ndërsa gjeometria e tyre është e frymëzuar nga motivet e veshjeve tradicionale të ekspozuara në Muzeun Historik të Shkodrës.

Këndet e lojrave për fëmijë përbëhen nga pesë ishuj lojërash me programe argëtuese për fëmijët e moshave të ndryshme, ndërsa zona e lojërave të tavolinës është e dedikuar për shah, pingpong dhe lojëra të tjera për të gjitha moshat.

Vëmendje e veçantë është kushtuar gjelbërimit. Pemët ekzistuese ruhen dhe parku do të pasurohet me bimësi të re, duke përfshirë pemë të larta, shkurre dhe bimë të ulëta, për të krijuar një hapësirë të bukur, natyrale dhe të qëndrueshme për qytetarët.

/r.e/

The post Parku i ri pranë Bunës, “mushkëri e re” për Shkodrën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akreditohen 71 institucione shëndetësore gjatë 2025-ës

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor përmbylli procesin e akreditimit të institucioneve shëndetësore për vitin 2025, një proces që synon rritjen e sigurisë së pacientëve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve shëndetësore në të gjithë vendin.

Gjatë këtij procesi janë akredituar gjithsej 71 institucione shëndetësore, nga të cilat 66 qendra shëndetësore, 4 spitale bashkiake dhe 1 spital rajonal.

Sipas Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, procesi i akreditimit shërben si një mekanizëm i rëndësishëm për garantimin e transparencës dhe përmirësimin e performancës së institucioneve shëndetësore, duke nxitur zbatimin e praktikave më të mira në ofrimin e shërbimeve.

Akreditimi i institucioneve shëndetësore për vitin 2025 konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sistemit publik të kujdesit shëndetësor, duke rritur besimin e qytetarëve dhe duke garantuar shërbime më të sigurta, më cilësore dhe më të aksesueshme për të gjithë pacientët.

Operatori thekson se procesi do të vijojë edhe në vitet në vijim, si pjesë e angazhimit për rritjen e standardeve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor në Shqipëri.

/r.e/

The post Akreditohen 71 institucione shëndetësore gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHKUP – Qytetarët protestojnë në mbrojtje të shëndetit dhe mjedisit

SHKUP, 31 janar /ATSH-AA/ – Qytetarët e Shkupit kanë dalë në rrugë në një marshim të organizuar nga iniciativa qytetare ”Stop për Çimentoren Usje”, duke kërkuar mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit nga ndotja e ajrit.

Marshimi filloi para godinës së qeverisë e më pas  pjesëmarrësit vazhduan drejt parlamentit dhe përfunduan protestën në mënyrë paqësore para Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ku përsëritën kërkesat e tyre për veprime urgjente dhe kontroll më të madh mbi ndotësit.

Me mesazhe të tilla ”Fitim për ta, sëmundje për ne”, ”Ne thithim helm” dhe ”Ajri nuk është luks, është e drejtë”, pjesëmarrësit thanë se interesat ekonomike nuk duhet të jenë më të rëndësishme se shëndeti i njerëzve.

 “Institucionet e kanë për detyrë të veprojnë në interes të qytetarëve dhe se çështjet që lidhen me ndotjen dhe mbrojtjen e shëndetit publik kërkojnë masa urgjente dhe specifike”, tha Aleksandar Todeski, një aktivist nga iniciativa ”Stop për Çimentoren Usje”.

Protestat do të vazhdojnë. Është e rëndësishme që qytetarët të dalin në protestë dhe ky numër i qytetarëve është dëshmi e mjaftueshme se duhet tashmë të trajtohen gjërat që të gjithë të thithim ajër të pastër”, shtoi Todeski.

Qyteti i Shkupit ka miratuar një iniciativë për dislokimin e fabrikës jashtë zonave urbane, por kompania mohon se është shkaktar i ndotjes, duke theksuar se emetimet janë nën vlerat ligjore dhe monitorohen vazhdimisht.

Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke u renditur mes qyteteve me ajrin më të ndotur në botë.

Fabrika e çimentos “Usje”, e cila ndodhet në periferi të kryeqytetit, është një nga kompanitë kryesore të prodhimit të çimentos dhe materialeve të ndërtimit për tregun vendas dhe atë rajonal./   /Ad.Ab./  a.jor.

 

 

The post SHKUP – Qytetarët protestojnë në mbrojtje të shëndetit dhe mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Avokati i Popullit: Monitorojmë protestën e thirrur nga “Shqipëria Bëhet”

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Avokati i Popullit bën të ditur se do të monitorojë protestën e organizuar sot nga Partia Shqipëria Bëhet, në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Sipas deklaratës së përcjellë në media, një ekip vëzhguesish të Avokatit të Popullit është angazhuar në terren, ndërsa strukturat përkatëse janë vënë në gatishmëri për të qenë të pranishme, sipas nevojës, në ambientet e komisariateve të policisë dhe institucioneve shëndetësore.

Ky angazhim, theksohet më tej, synon ndjekjen nga afër të çdo veprimi pasues dhe garantimin e respektimit të standardeve ligjore dhe të të drejtave të qytetarëve.

“Avokati i Popullit do të vijojë monitorimin e situatës dhe do të ushtrojë kompetencat e tij ligjore në përputhje me zhvillimet në terren”, thuhet në deklaratë.

/r.e/

The post Avokati i Popullit: Monitorojmë protestën e thirrur nga “Shqipëria Bëhet” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vora dhe Flamurtari ndahen në barazim pa gola

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Vora dhe Flamurtari janë ndarë sot në “paqe” në takimin e parë të vlefshëm për Javën e 22-të të kategorisë Abbisnet Superiore.

Në stadiumin “Vora” ekipi vendas ishte ai i cili kërkoi dhe iu afrua më shumë golit, duke goditur edhe traversën e portës vlonjate, por pa ia dalë në fund të tundte rrjetën, e ku pa dyshim lojtari më i mirë për vlonjatët ishte gardiani i portës, Aleksovski. Ky është barazimi i tretë radhazi për ekipin e Arjan Bellajit.

Kështu, Vora u desh të kënaqej me vetëm një pikë, duke shkuar në kuotën e 25 pikëve. Flamurtari e mbylli këtë transfertë me rezultat pozitiv, që e ndihmon për të qëndruar përkohësisht jashtë dyshes së fundit në tabelën e renditjes, duke shkuar në kuotën e 19 pikëve, po aq sa Bylisi, që ka një ndeshje më pak.

Ndeshjet e tjera të Javës së 22-të:

Partizani – AF Elbasani 31.01.2026 16:30
Dinamo City – Bylis 31.01.2026 19:00
Teuta – Vllaznia 01.02.2026 16:30
Egnatia – Tirana 01.02.2026 16:30

The post Vora dhe Flamurtari ndahen në barazim pa gola appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VENEZUELË – Amnisti për të burgosurit politikë

BUENOS AIRES, 31 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria e Venezuelës shpalli një amnisti gjithëpërfshirëse për të burgosurit politikë duke e paraqitur masën si një hap drejt pajtimit kombëtar pas viteve të përplasjeve politike.

“Ne kemi vendosur të ecim përpara me një ligj të përgjithshëm amnistie që mbulon të gjithë periudhën e dhunës politike nga viti 1999 deri në ditët e sotme”, deklaroi presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez.

Ajo shtoi se, si pjesë e këtij procesi, do të mbyllet edhe burgu famëkeq i shërbimit sekret, ”El Helicoide”, në Karakas, i njohur ndër vite si simbol i ndalimeve dhe persekutimit politik.

Që nga kapja e liderit venezuelian Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara më 3 janar, autoritetet në Karakas kanë liruar tashmë qindra të burgosur politikë, nën presionin e Uashingtonit.

Sipas Rodríguez, amnistia synon të ndihmojë në shërimin e plagëve të shkaktuara nga konfrontimet politike në vendin e Amerikës së Jugut dhe të krijojë kushte për stabilitet politik dhe shoqëror.

Në të njëjtën kohë, ambasada amerikane në Bogota, Kolumbi, e cila mbulon edhe Venezuelën, njoftoi se “të gjithë shtetasit amerikanë të njohur si të ndaluar në Venezuelë” janë liruar tashmë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post VENEZUELË – Amnisti për të burgosurit politikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transporti hekurudhor, qymyri dhe nafta mbajnë peshën kryesore

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Transporti hekurudhor në vend shënoi rënie gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, si në transportin e mallrave, ashtu edhe në atë të pasagjerëve.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT-i, gjatë kësaj periudhe, përmes rrjetit hekurudhor u transportuan rreth 98,9 mijë tonë mallra, me një rënie prej 26% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2024.

Edhe volumi i mallrave të transportuar u ul ndjeshëm, duke zbritur në 3,36 milionë tonë kilometra, ose 25% më pak se një vit më parë.

Sipas të dhënave, transporti hekurudhor i mallrave mbetet i përqendruar kryesisht në distanca të shkurtra, ndërsa pjesën dërrmuese të ngarkesave e përbëjnë qymyri, linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror, të cilat përfaqësojnë mbi 93% të totalit të mallrave të transportuara me hekurudhë.

Rënie e ndjeshme u regjistrua edhe në transportin e pasagjerëve. Gjatë tremujorit të katërt 2025, vetëm 178 pasagjerë udhëtuan me tren, duke shënuar një ulje prej 73,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Aktualisht, gjatësia e rrjetit hekurudhor në shfrytëzim në Shqipëri është 253 kilometra, me linja funksionale që lidhin kufirin me Gjormin, Durrësin me Elbasanin, Rrogozhinën me Fierin dhe Fierin me Vlorën.

/r.e/

The post Transporti hekurudhor, qymyri dhe nafta mbajnë peshën kryesore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kategoria Superiore, kalendari për dy javët e ardhshme

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar kalendarin për dy javët e ardhshme të kategorisë Abissnet Superiore.

Java e 23-të fillon më 6 shkurt, kur do të luhen katër ndeshje në të njëjtën ditë. Në orën 13:30 do të luajnë Vllaznia-Vora (luhet në Vorë pas marrëveshjes në Fazën e Dytë), do të luhet edhe takimi Bylis-Partizani. Në orën 16:30 do të luhet Elbasani-Teuta, kurse në orën 19:00 do të luhet Flamurtari-Egnatia. Java do të mbyllet të shtunën me derbin kryeqytetas Tirana-Dinamo City. Takimi do të luhet në “Selman Stërmasi dhe do të nisë në orën 13:30.

Java e 24-t nis më 14 shkurt, në orën 13:30 me takimin Vora-Egnatia, për t’u mbyllur me Teuta-Bylis në orën 16:30. Të dielën, Vllaznia mat forcat me AF Elbasanin dhe Dinamo City pret në “Elbasan Arena” Flamurtarin. Kjo javë rezervon një tjetër derbi për Tiranën, atë me Partizanin, që do ta luajë në stadiumin “Air Albania” të dielën e 15 shkurtit, në orën 19:30.

Java e 23-të

6 shkurt (e premte)

Vllaznia – Vora, ora 13:30 (Stadiumi “Vora”)

Bylis – Partizani, ora 13:30 (Stadiumi “Adush Muça”)

Elbasani – Teuta, ora 16:30 (Stadiumi “Elbasan Arena”)

Flamurtari – Egnatia, ora 19:00 (Stadiumi “Flamurtari”)

7 shkurt (e shtunë)

Tirana – Dinamo, ora 13:30 (Stadiumi “Selman Stërmasi”)

Java e 24-t

14 shkurt (e shtunë)

Vora – Egnatia, ora 13:30 (Stadiumi “Vora”)

Teuta – Bylis, ora 16:30 (Stadiumi “Niko Dovana”)

15 shkurt (e diel)

Vllaznia – Elbasani, ora 16:30 (Stadiumi “Loro Boriçi”)

Dinamo – Flamurtari, ora 16:30 (Stadiumi “Elbasan Arena”)

Partizani – Tirana, ora 19:30 (Stadiumi “Air Albania”)

 

The post Kategoria Superiore, kalendari për dy javët e ardhshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Pistorius: Nuk shoh shenja të gatishmërisë së Putinit për paqe

BERLIN, 31 janar /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka vënë në dyshim nëse presidenti rus Vladimir Putin dëshiron realisht të arrijë paqen përmes negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Në një deklaratë për grupin mediatik RND, të publikuar sot, Pistorius tha se presidenti amerikan Donald Trump ka sjellë njëfarë dinamike në përpjekjet diplomatike, por theksoi se veprimet e Moskës tregojnë një realitet tjetër.

“Deri tani, nuk shoh asnjë shenjë që Rusia e dëshiron seriozisht paqen”, tha Pistorius.

Gjatë negociatave mes palëve ndërluftuese nën ndërmjetësimin e SHBA-së në Abu Dabi fundjavën e kaluar, Putin bombardoi Ukrainën “në një mënyrë që mezi është parë gjatë kësaj lufte”.

Sipas tij, këto sulme shkojnë përtej objektivave ushtarake.

“Ky është terror i drejtuar ekskluzivisht kundër popullsisë civile, gjatë një dimri me temperatura minus 20 gradë Celsius”, tha Pistorius.

“Putin nuk ka treguar asnjë gatishmëri për kompromis”, shtoi ai.

Në kryeqytetin ukrainas Kiev dhe në qytete të tjera, miliona njerëz kanë përjetuar javë të tëra errësire dhe të ftohti pas sulmeve ajrore ruse, të cilat kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën e energjisë elektrike dhe të ngrohjes.

Gjatë bisedimeve, sulme të reja me dronë dhe raketa vonuan sërish riparimet e furnizimit me energji në Kiev për disa ditë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi dje se Rusia do të respektojë kërkesën e Trump për një armëpushim të kufizuar dhe të përkohshëm në Ukrainë deri të dielën.

I pyetur për përpjekjet për ndalimin e sulmeve, Pistorius tha se nëse Putin do t’i merrte seriozisht bisedimet në Abu Dabi, nuk do të kishte nevojë që t’i kërkohej një armëpushim./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post GJERMANI – Pistorius: Nuk shoh shenja të gatishmërisë së Putinit për paqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sigurimet shënojnë rritje të qëndrueshme në 2025-ën, dominojnë ato motorike

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Tregu i sigurimeve në Shqipëri vijoi tendencën pozitive gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe të numrit të kontratave të sigurimit.

Referuar raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat nga primet e shkruara bruto arritën në rreth 27,1 miliardë lekë, ose 10,5% më shumë krahasuar me vitin 2024. Gjatë vitit, u lidhën gjithsej 1,68 milionë kontrata sigurimi, me një rritje vjetore prej 5,1%.

Struktura e tregut mbetet e orientuar kryesisht drejt sigurimeve të Jojetës, të cilat përbëjnë 91% të vëllimit të përgjithshëm të primeve. Sigurimet e Jetës zënë 9%, ndërsa risigurimi ka një peshë minimale. Sipas të dhënave, 62,4% e primeve i përkasin sigurimeve të detyrueshme dhe 37,6% sigurimeve vullnetare.

Gjatë vitit 2025, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve arritën në rreth 8,6 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 0,8% krahasuar me vitin paraardhës. Sigurimi motorik mbetet zëri kryesor, me 6,5 miliardë lekë dëme të paguara, ose mbi 76% të totalit.

Në sigurimin e detyrueshëm motorik, primet e shkruara bruto arritën në rreth 16,9 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 12,2%. Brenda këtij segmenti, MTPL e brendshme regjistroi rritje si në prime, ashtu edhe në numrin e kontratave, ndërsa Kartoni Jeshil shënoi rritje të primeve, por ulje të kontratave. Sigurimi kufitar pati një rënie të lehtë si në vëllim, ashtu edhe në kontrata.

Sigurimet vullnetare gjatë vitit 2025 sollën të ardhura prej rreth 10,2 miliardë lekë, ose 7,9% më shumë se në vitin 2024, ndërsa numri i kontratave u rrit me 10%. Brenda tyre, sigurimet e pronës dhe përgjegjësive siguruan rreth 4,2 miliardë lekë, ku peshën kryesore e mbajnë sigurimi nga zjarri dhe dëmtimet në pronë.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit arritën në rreth 1,4 miliardë lekë, me rritje prej 3,7%, ndërsa sigurimet e Jetës shënuan një ecuri të fortë, me prime të shkruara bruto në vlerën e rreth 2,4 miliardë lekë, ose 17,6% më shumë krahasuar me vitin 2024.

/r.e/

The post Sigurimet shënojnë rritje të qëndrueshme në 2025-ën, dominojnë ato motorike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pylli i Fazanëve në Maliq, atraksion ekoturistik në juglindje të vendit


TIRANË, 31 janar/ATSH/ Pylli i Fazanëve në Maliq konsiderohet si një nga destinancionet më tërheqëse në juglindje të vendit për turizëm gjithëstinor.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky pyll, të cilin e cilësoi një nga atraksionet më të bukura të juglindjes së vendit.

“Ndërthur një ekosistem të pasur me mundësi të shkëlqyera për ekoturizëm, ky pyll ofron përvoja unike për të shijuar bukuritë e natyrë”, u shpreh Rama.

Ky pyll, me një sipërfaqe prej 50 ha, ndodhet vetëm 10 km larg qytetit të Korçës. Ai ka një peizazh fantastik dhe gëzon njëkohësisht edhe statusin e monumentit natyror.

Interesant është fakti që në këtë pyll gjen jo vetëm fazanët, simbolin e këtij monumenti, por edhe shumë kafshë të tjera.

Larmishmëria e pyllit me plepa, shelgje, blire, pisha dhe bredha bën interesante edhe ecjet në natyrë duke dalë nga rutina e ambienteve urbane.

Pylli i Fazanëve, i rijetësuar nga dora e njeriut, është kthyer në një nga destinacionet e rëndësishme të juglindjes së vendit me organizimet familjare e shoqërore jo vetëm nga banorë të kësaj zone, por tashmë edhe të turistëve vendas dhe të huaj.

/m.m/r.e/

The post Pylli i Fazanëve në Maliq, atraksion ekoturistik në juglindje të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJEOLOGJI – Afrika po ndahet në dy pjesë pas një procesi të fuqishëm tektonik

UASHINGTON, 31 janar /ATSH/ – Shkencëtarët kanë konfirmuar se Afrika po ndahet gradualisht në dy pjesë, si pasojë e një procesi të fuqishëm tektonik që po përparon më shpejt nga sa mendohej më parë, sipas Euronews.

Sistemi i Riftit të Afrikës Lindore, që shtrihet nga Deti i Kuq deri në Mozambik, po çan kontinentin përgjatë vijave të thella gjeologjike dhe, brenda 5–10 milionë vjetësh, mund të krijojë një oqean të ri mes Afrikës Lindore dhe Perëndimore.

Të dhënat e fundit nga NASA, Universiteti i Rochester dhe Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së tregojnë se korja e Tokës në këtë rajon po hollohet dhe po çahet në disa pika njëkohësisht.

Në disa zona janë zbuluar shenja të hershme të formimit të korës oqeanike, çka tregon se procesi ka kaluar nga faza kontinentale drejt asaj detare.

Matjet satelitore kanë regjistruar zgjerim të dukshëm të luginave dhe çarjeve me kalimin e viteve.

Ky proces, megjithëse shumë i ngadaltë për jetën e përditshme të njeriut, po matet në kohë reale falë teknologjisë GPS, e cila ndjek lëvizjet e tokës me saktësi milimetrike.

Gjeofizikanët e përshkruajnë Afrikën Lindore si një laborator natyror ku mund të vëzhgohet drejtpërdrejt ndarja e një kontinenti.

Një nga ngjarjet më të spikatura ndodhi në vitin 2005, kur në shkretëtirën e Etiopisë u hap brenda pak ditësh një çarje rreth 56 kilometra e gjatë.

Zona më aktive ndodhet në rajonin Afar të Etiopisë, ku takohen tre pllaka tektonike; Nubiane, Somaliane dhe Arabe.

Ky bashkim trefish krijon tensione të forta, shoqëruar me tërmete dhe aktivitet vullkanik.

Shkencëtarët kanë zbuluar se pulsimet e magmës nga manteli i Tokës luajnë rol kyç në përshpejtimin e procesit të çarjes.

Përveç rrezikut sizmik dhe vullkanik për zonat e banuara dhe infrastrukturën, ky proces sjell edhe mundësi ekonomike.

Aktiviteti tektonik është burim i rëndësishëm i energjisë gjeotermale, të cilën vende si Kenia po e shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë.

Në planin afatgjatë, uji i Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit pritet të përmbytë luginën e riftit, duke formuar një oqean të ri dhe duke ndryshuar përgjithmonë hartën gjeografike të Afrikës./   Ad.Ab./  a.jor.

The post GJEOLOGJI – Afrika po ndahet në dy pjesë pas një procesi të fuqishëm tektonik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Qeveria amerikane mbyllet, pasi Kongresi nuk arrin të miratojë buxhetin

UASHINGTON, 31 janar /ATSH-DPA/ – Dhoma e Përfaqësuesve nuk ka arritur të miratojë legjislacionin e nevojshëm për buxhetin deri në afatin e 30 janarit duke shënuar fillimin e një mbylljeje të qeverisë.

Senati ra dakord për një zgjidhje kompromisi të minutës së fundit për financimin pasues, por Dhoma nuk pritet të votojë për projektligjet e reja të buxhetit deri të hënën, të paktën.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump duhet t’i nënshkruajë ato në ligj.

Çështjet e fundit të buxhetit vijnë pas të shtënave fatale të dy qytetarëve amerikanë në Minneapolis pas zbatimit agresiv të deportimit, të nxitur nga administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Kjo nxiti thirrje nga demokratët në Senat për të bllokuar projektligjet e buxhetit, pasi ato përmbanin fonde për agjencinë e Imigracionit dhe Doganave ose ICE, e cila ka kryer bastisjet e imigracionit.

Pjesë e kompromisit të rënë dakord nga Senati të premten ishte miratimi i rregullt i pesë projektligjeve të buxhetit plus një dispozitë të veçantë për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, agjencia që mbikëqyr ICE.

Kompromisi lejon një buxhet kalimtar dyjavor për t’u dhënë demokratëve dhe republikanëve kohë për të negociuar një kompromis që mund të fitojë mbështetjen e shumicës./  a.jor.

The post SHBA – Qeveria amerikane mbyllet, pasi Kongresi nuk arrin të miratojë buxhetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TENIS – Elena Rybakina fiton ”Australian Open”

MELBURN, 31 janar /ATSH-DPA/ – Elena Rybakina fitoi betejën e saj me Aryna Sabalenkan për të rrëmbyer titullin e parë të ”Australian Open”.

Tre vjet pasi humbi ndaj të njëjtës kundërshtare në një nga finalet e fundit të Grand Slam, dhe tre vjet e gjysmë që nga fitimi i titullit të saj të parë të madh në Wimbledon, Rybakina është rikthyer në krye.

Do të jetë një tjetër pilulë e hidhur për t’u gëlltitur për Sabalenkan, e cila kryesoi 3-0 në setin vendimtar, ndërkohë që Rybakina u rikthye fuqishëm dhe triumfoi 6-4, 4-6, 6-4.

Duke fituar tituj radhazi në Melbourne në 2023 dhe 2024, Sabalenka tani ka humbur finale të ngushta dy vjet radhazi pasi Madison Keys e mposhti 12 muaj më parë.

Vitin e kaluar ajo humbi pesë nga nëntë finalet e saj, përfshirë humbjen e hidhur ndaj Coco Gauff në ”French Open” dhe ndaj Rybakina në finalet e WTA./ a.jor.

The post TENIS – Elena Rybakina fiton ”Australian Open” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Një defekt teknik shkakton ndërprerje të rënda të energjisë në Ukrainë

KIEV, 31 janar /ATSH-ANSA/ – Një defekt në sistemin elektrik të Ukrainës ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në një pjesë të konsiderueshme të vendit.

“Sot në orën 10:42 të mëngjesit, ndodhi një defekt teknologjik që shkaktoi ndërprerjen e njëkohshme të linjës 400 kW midis sistemeve elektrike rumune dhe moldave dhe linjës 750 kW midis Ukrainës Perëndimore dhe Qendrore”, tha Ministri ukrainas i Energjisë Shmyhal, në Telegram.

”Ajo shkaktoi një ndërprerje të menjëhershme të energjisë elektrike në rrjetin elektrik ukrainas dhe aktivizimin e pajisjeve automatike të mbrojtjes në nënstacione.
Metroja e Kievit është gjithashtu jashtë shërbimit sot”, shtoi ai.   /os/.

The post KIEV – Një defekt teknik shkakton ndërprerje të rënda të energjisë në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌