Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Çështja “Balluku” mes dy qasjeve PE dhe qeveri

Sebi Alla Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, shveshi disi gjuhën diplomatike teksa komentoi punën e Prokurorisë Speciale SPAK në përballje me politikën. “Është thelbësore që puna e SPAK-ut të mos ndërpritet nga aktorë të tjerë dhe që institucionet e tjera shtetërore të mbështesin punën e SPAK-ut”, tha zyrtari i PE-së.

Në përcjellje të mesazhit Schieder tha se: “Shtetet anëtare duhet të jenë unanimisht të qarta se çdo përpjekje për të minuar reformën apo SPAK-un mund të shkaktojë dëme serioze dhe do të rrezikonte gjithashtu të përmbyste ecurinë e arritur në luftën kundër korrupsionit dhe arritjet e viteve të fundit në këtë drejtim”

Çështja Balluku

Periudha e faktmbledhjes së reporterit të Parlamentit Europian për Shqipërinë korrespondoi me përplasjen e hapur institucionale qeveri-SPAK, në lidhje me çështjen “Balluku”. Prokuroria Speciale më 16 dhjetor të vitit të kaluar i kërkoi zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut, zëvendëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Ajo akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrsve në tendera ose ankande publike, në tetë raste, për dy vepra publike, ndërtimi i tunelit të Llogarasë dhe shtatë lotet e Unazës së Madhe.

Që nga 16 dhjetori Parlamenti ka shmangur marrjen në shqyrtim të kërkesës së SPAK, duke njoftuar së fundmi se presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të shprehet në lidhje me masën e parë të marrë nga GJKKO ndaj Ballukut për pezullim nga detyra.

“Të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK, por nuk është për Kuvendin apo për Parlamentin Evropian që të ndërhyjnë apo për të bërë komente specifike. Jam i sigurt dhe për parlamentin në Shqipëri që do të bëhen diskutimet e duhura dhe vendimet e duhura do të merren në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit”, tha Schieder.

Qëndrimi i ministrit

Ndërsa raportuesi i PE-së ishte i sigurt se Kuvendi i Shqipërisë do të marrë vendimet e duhura, pak minuta më vonë në një konferencë shtypi, Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ndau një qëndrim të prerë për çështjen Balluku dhe imunitetin e saj. “Qëndrimi i mazhorancës ka qenë i qartë. Kryeministri ka ushtruar të drejtën e tij për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Në thelb qëndron pretendimi i një pushteti ekzekutiv për kalim te një pushtet tjetër, gjyqësor. Këtu kemi të bëjmë me pushtetin legjislativ që konfirmon mandatin e ministrave përfshirë edhe mua dhe nga ana tjetër Kushtetuta përcakton qartë që ministrat gëzojnë imunitetin e deputetëve”, tha Lamallari.

Situata politike

Raportuesi i PE-së nëse me çështjen e përplasjes me SPAK qe i qartë, për situatën politike dhe protestat e opozitës kërkoi të mos bëheshin “dramatike”, “pa përdorim molotovesh” dhe diskutime brenda institucioneve, duke sigjeruar se: “kjo vlen për të dyja palët”. “…ne si PE, mendojmë që ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap para, të mos dramatizohet çdo gjë, të mos fillohet me molotovë, por të luftohet fort me argumente në skenën politike aty ku duhet. Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë”, tha Schieder.

Ai u kujtoi palëve që në pranverë vendi ynë kalon në verifikime të hollësishme në përmbyshjen e detyrave të lëna për integrimin e vendit në BE.

 “Në pranverë Shqipëria do fillojë të mbyllë kapitujt, do vazhdojë të jetë pararojë për zgjerimin. Nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e kapitujve, por edhe për mbylljen. Ideja e ligjit nuk është që ne e kënaqem BE”, tha ai, duke përmbyllur me sugjerimin që: “Arena politike, duhet të bëni të pamundurën, që të ketë komunikimin e duhur për mënyrën se ku është Shqipëria tani dhe se ku do arrijë në të ardhmen”

The post Çështja “Balluku” mes dy qasjeve PE dhe qeveri appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo arratisje në vaskë nga kontrolli i policëve të ICE

Pretendimi: Kjo video tregon një protestues që i shmanget policisë së emigracionit në një vaskë në Minnesota

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————–

Një video qesharake që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një protestues të veshur si viking në Minnesota, ShBA, i cili po i shmanget vrapit të një grupi të policisë së emigracionit (ICE).

Në disa qytete amerikane, përfshirë Minneapolis, kryeqytetin e Minnesota, ka pasur përplasje midis qytetarëve dhe agjentëve të ICE pas bastisjeve të ndryshme dhe operacioneve të kontrollit të imigracionit, dhe veçanërisht vrasjesRenee Nicole Good më 7 janar dhe vrasjes së protestuesit Alex Pretti në 24 janar nga agjentët e ICE.

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon një incident të vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

‘Agjentët’ e ICE duken identikë dhe lëvizjet e tyre janë të panatyrshme. Ata nuk mbajnë veshur uniformat standarde. Këmbët e oficerëve nuk prekin tokën dhe siluetat e tyre janë të shtrembëruara. Ndërkohë, fytyrat e njerëzve në video janë të turbullta. 

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimsht në Instagram, Facebook, TikTok, dhe YouTube nga llogaria “Strange AI.”

Në videon origjinale vërehet një tjetër gabim i programit gjenerues: ora shfaqet si “4:06 PHM” në vend të “4:06 PM.” Ndërkaq, televizioni “POVART”, logo e të cilit shfaqet në këtë video, nuk ekziston si media.

Në profilin e YouTube, përdoruesi shpjegon se StrangeAI është një llogari ku “botët, krijesat dhe fantazitë e çuditshme të gjeneruara nga AI marrin jetë”. AI shton: “Nga transformimet e mahnitshme te paroditë mahnitëse të IA-së, kanali ynë është destinacioni juaj ideal për histori futuriste dhe krijime dixhitale të çuditshme.”

Përshkrimi i kanalit në Youtube StrangeAI

Në përshkrimin e llogarisë StrangeAI në Facebook, gjithashtu, thuhet: “Përmbajtja ime është tërësisht Inteligjencë Artificiale dhe e redaktuar nga unë”.

Përshkrimi i llogarisë StrangeAI në Facebook

Për më tepër, përdoruesi e ka etiketuar videon si “komedi” dhe “meme”. 

Për të mos lënë asnjë dyshim, menaxheri i faqes StrangeAI pranoi për Snopes se video ishte krijuar me Sora 2, një nga mjetet më të fundit të zhvilluara nga OpenAI për të transformuar tekstin në video shumë realiste.

Nuk ka raporte të tjera në shtypin vendas ose artikuj lajmesh që dokumentojnë ndonjë incident të ngjashëm.

The post E gjeneruar kjo arratisje në vaskë nga kontrolli i policëve të ICE appeared first on Faktoje.al.

“Jemi në hall”, zëri i fermerit nga Divjaka që sfidoi monologun e qeverisë

Një dëgjesë që duhej të ishte dialog, rezultoi monolog. Në Divjakë, një fermer kërkoi vetëm një minutë për të folur për hallin e mbijetesës, përballë një kryeministri me mikrofon dhe një ekonomie “të hapur” që nuk mbron askënd. 

Esmeralda Topi 

Në Divjakë, një nga zonat më pjellore të Shqipërisë, qeveria kishte shkuar për të dëgjuar fermerët. Të paktën kështu u njoftua. 

Dëgjesa për Skemën Kombëtare 2026 duhej të shërbente për të ndërtuar një panoramë të nevojave në terren. Por ajo që ndodhi në sallë ishte krejt tjetër. Një monolog i gjatë pushteti përballë qindra fermerëve që prisnin, radhën për të folur.

Fjalimet nisën me drejtuesen politike të qarkut, vijuan me kryetarin e bashkisë, ministrin e Financave, ministrin e Bujqësisë dhe u mbyllën me kryeministrin. 

Takimi u ndërpre disa herë nga një zë fermeri që mezi dëgjohej nga salla. “Ore, na mbroni!” 

I njëjti që u ngrit në këmbë sapo kryeministri lajmëroi se duhej të largohej për një angazhim tjetër. “Mesa kuptoj, nuk ju vijnë mirë informacionet!”, i tha.

“Ti nuk na kupton mirë, kështu që mos fillo nga e kundërta,” iu përgjigj kryeministri.

“E kemi nga halli, s’e kemi nga qejfi…”, tha fermeri, ende pa mikrofon.

“Dëgjo, unë e kuptoj shumë mirë…”, vijoi Rama.

“Nuk ka lidhje personale, as politikë s’po bëj…”, u përpoq të sqarojë fermeri.

“Unë po bëj politikë për veten time,” u përgjigj kryeministri.

“Jo, mos më keqkupto, të lutem më dëgjo… mesa kuptoj unë, nuk të vijnë informacionet e sakta…”

“Po nga e kupton ti?”, pyeti Rama.

“Po të të vinin informacionet e sakta, do thoje që ne kemi të drejtë që në fjalën e parë”

“Për çfarë të thashë unë që s’ke të drejtë? Ti s’ke folur akoma,” ia preu kryeministri.

Fermeri iu kthye sallës: “Një minutë, një minutë se jam ngritur unë tani. Jam fermer. Punoj 8–10 hektarë tokë, herë dy bëhen 20 hektarë. Ne jemi shtresa më e pambrojtur në Shqipëri”

“Po për çfarë?”, ndërhyri Rama.

“Ja ta shpjegoj. I thamë ministrit të Financave kur u mblodhëm për fushatë politike: na mbro se po hyjnë mallra nga jashtë”

 “Kjo nuk ekziston,” e ndërpreu kryeministri.

“Ju doni ta bëni monopol mallin, më tha. Që nuk është e vërtetë…”, vijoi fermeri.

“Të lutem…”, tha Rama.

“Unë kam respekt, por do flas se jam në hall. Kryetari e di shumë mirë, zoti kryeministër, që ne e marrim mallin pa likuidim…”

“O miku im, unë kam një problem shumë të madh: mua njeri nuk më imponohet dot me forcë,” tha Rama.

“Me zor nuk imponohesh mbi të tjerët që ta marrësh fjalën se do ti. Ulu, ulu. Ka radhë dhe ka edukatë. Fjala nuk merret me zor”

“Ore, do mbaj familjen unë, se nuk e mbaj dot me fjalë,” u dëgjua fermeri.

“Janë 500 veta këtu,” tha Rama.

“Të njëjtin hall kanë,” erdhi përgjigjja.

“Më dëgjo mua tani. Nuk ekziston në një ekonomi të hapur mbyllja e kufijve të produkteve. E kuptove?”

Debati vazhdoi derisa Rama e mbylli: “Mos ta zgjasim këtë muhabet se është muhabet kot. T’i mbyllim kufijtë që ti të shesësh mallin, kjo nuk ekziston”

“Dakord… ne s’kemi forcë,” tha fermeri, duke ngritur supet, i dorëzuar.

Kryeministri u largua, sinjali u ndërpre. Dëgjesa mbaroi me të vetmin fermer që tregoi hallin e tij, që tha se e ndante me 500 të tjerët që ishin aty dhe duartrokitën teksa kryeministri iku.

Përfundim 

Dëgjesa në Divjakë është një shembull se si propaganda mund të maskojë realitetin. Ajo që duhej të ishte një dialog për nevojat e fermerëve u shndërrua në një monolog të pushtetit, ku zëri i atyre që prodhojnë ushqimin nuk u dëgjua. Fermeri që sfidoi rregullin e mikrofonit dhe kërkoi vetëm një minutë për të folur, nuk arriti të ndryshojë vendimet, por u bë simbol i hallit të një shtrese të pambrojtur. Asaj që propaganda përpiqet ta fshehë. Të paktën publikisht. Për aq sa dëgjuam e pamë me dyer të hapura.    

The post “Jemi në hall”, zëri i fermerit nga Divjaka që sfidoi monologun e qeverisë appeared first on Faktoje.al.

Zvarritje punimesh në rrugën Ndroq–Plepa

5 kilometrat e parë të rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa duhet të përfundonin përpara natës së ndërrimit të viteve. Verifikimet në terren tregojnë se punimet nuk janë mbyllur, ndërsa ARRSH konfirmon për Faktoje se rikonstruksioni i plotë i aksit është ende larg.

Esmeralda Topi

Punimet për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa nisën në vjeshtën e vitit 2024. Aksi, me një gjatësi totale rreth 28 kilometra, po zbatohet në tre faza dhe konsiderohet një investim i rëndësishëm për lidhjen e zonave rurale me Tiranën dhe Durrësin, si dhe për zhvillimin e agroturizmit.

Gjatë një inspektimi në kantier, kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaruan se faza e parë, që përfshin rreth 5 km, ishte drejt përfundimit.

“Afati kontraktual është maj 2026, por synimi ynë është që këto 5 kilometrat e para t’i përfundojmë natën e vitit të ri”, u shpreh Balluku.

Sipas saj, rruga do të kalonte nga një rrugë rurale në një rrugë të kategorisë C, me kurorë 12.5 metra, dy korsi qarkullimi dhe shpejtësi nga 50 deri në 100 km/orë. 

Pjesë e projektit është edhe ndërtimi i një ure të re në zonën e Urës së Beshirit, me fonde të Bankës Botërore, e cila do të eleminojë kthesat e rrezikshme në këtë segment.

Fakt

Verifikimet në terren tregojnë se 5 kilometrat e para të rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa nuk janë përfunduar, pavarësisht deklaratave për mbylljen e tyre përpara ndërrimit të viteve. Në segmentet e para të aksit vijojnë të jenë aktive punimet, me zona të papërfunduara dhe ndërhyrje në infrastrukturën nëntokësore.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), punimet në kontratën “Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa”, Loti 1, janë realizuar vetëm në masën 76% të vlerës së kontratës.

“Punimet sipas kontratës përfundojnë në maj 2026”, sqaron shkurtimisht ARRSH për Faktoje.

Kostoja totale për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Tiranë–Ndroq–Plepa është 87 milionë euro, faturë që do të mbulohet nga taksat e qytetarëve. 

Faza e parë e rikonstruksionit të rrugës Tiranë–Ndroq–Plepa përfshin rreth 5 kilometra nga 28 km që është gjatësia totale e aksit, pra rreth 18% e gjithë rrugës. Kjo do të thotë se afërsisht 82% e punimeve mbeten ende për t’u realizuar.

Përfundim

Rikonstruksioni i rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa është një projekt me rëndësi të veçantë infrastrukturore dhe ekonomike për zonat përreth, por deri tani është shoqëruar me deklarata optimiste që nuk janë reflektuar në terren.

Nisur nga verifikimet e kryera dhe informacionet zyrtare të ARRSH-së, deklaratën e ministres Belinda Balluku se 5 kilometrat e parë të rrugës do të përfundonin përpara natës së ndërrimit të viteve, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Zvarritje punimesh në rrugën Ndroq–Plepa appeared first on Faktoje.al.

Asnjë lidhje mes radarit “top golfi” dhe sistemit HAARP

Pretendimi: Kjo video tregon një teknologji HAARP që mund të shkaktojë tërmete me intensitet të lartë

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një “teknologji HAARP” “mund të shkaktojë tërmete me intensitet të lartë.”

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk sillet asnjë provë, burim apo referencë.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale është botuar në Youtube më 24 mars 2023.

Megjithatë, as në titull, as në përshkrimin e videos nuk përmendet HAARP apo tërmete intensive.

Sipas përshkrimit të videos, ajo tregon “Radarin me Bazë Detare X-Band (SBX-1), një stacion radari paralajmërues i hershëm lundrues, vetëlëvizës, i lëvizshëm dhe me skanim elektronik aktiv, që po largohet nga Pearl Harbor duke u tërhequr më 23 Mars 2023.”

Radari SBX-1 u zhvillua si pjesë e Sistemit të Mbrojtjes nga Raketat Balistike të Agjencisë së Mbrojtjes nga Raketat të Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara (MDA). Zyrtarisht ai është i bazuar në Ishullin Adak në Alaska, por ka kaluar kohë të konsiderueshme në baën ushtarake Pearl Harbor në status prove.

Sipas MDA, SBX-1 është radari i lëvizshëm më i madh dhe më i fuqishëm në botë i këtij lloji.

Më 2 mars 2023, MDA organizoi një tur të SBX-1 në Hawaii. Mediave vendase iu dha mundësia të vizitonin SBX-1, i njohur nga vendasit si “topi gjigant i golfit.”

Profesore Helene Galiegue nga Shkolla Kombëtare e Aviacionit Civil francez tha për AFP se radarët X-band përdoren zakonisht nga ushtria, aviacioni civil, shërbimet meteorologjike dhe misionet hapësinore. 

Ajo shpjegoi gjithashtu se radarët nuk mund të shkaktojnë ndryshime në klimë apo në mot. “Valët elektromagnetike në këto frekuenca nuk ndryshojnë strukturën e grimcave të shiut apo reve, dhe atmosfera është plotësisht transparente ndaj valëve të frekuencave të larta. Nga ana tjetër, radarët me brez X përdoren nga meteorologët për të zbuluar dhe hartuar grimcat e shiut në distanca shumë të gjata,” tha Galiegue.

Maria Sabrina Greco, profesore në Universitetin e Pizës konfirmoi për AFP se “nuk ka radarë të aftë për të shkaktuar ndryshime klimaterike ose manipulime të motit.”

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. HAARP nuk ka si të ndikojë në tërmete.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

Faktoje ka verifikuar dhe më parë pretendimin se radari SBX-1 është një pajisje e HAARP.

The post Asnjë lidhje mes radarit “top golfi” dhe sistemit HAARP appeared first on Faktoje.al.

Shpifja, pse ndryshimet e PS nuk bindin median dhe shoqërinë civile

Sebi Alla – Mes debateve dhe kundërshtive të opozitës dhe grupeve të interesit, kryesisht organizata në mbrojtje të gazetarëve, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës propozimet e qeverisë për ndryshimet në Kodin Penal për dekriminalizimin e shpifjes, konkretisht nenin 120.

Me 85 vota pro, asnjë abstemin dhe 10 kundër, u miratuan ndryshimet, ndërkohë si pjesë e këtij drafti u rrëzuan propozimet e deputetes së PD-së Jorida Tabaku.

Mazhoranca vendosi me propozim të saj (të pakonsultuar paraprakisht) që të mbajë në Kodin Penal veprën e shpifjes, por të shtojë një përjashtim nga ky penalizim për gazetarët e regjistruar.

Më konkretisht, në shtojcën e nenit 120  parashikohet:  “Një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pavarësisht nga shtetësia apo vendi ku ushtrohet aktiviteti, nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes sipas këtij neni, për përhapjen me mirëbesim të të dhënave /thënieve ose çdo informacioni tjetër, përmes shtypit, medias audiovizive, medias elektronike ose platformave të tjera të komunikimit publik”.

Përcaktimi “i regjistruar” dhe “i njohur” ndonëse vijon me togfjalëshin “me legjislacionin në fuqi” mbetet i pasaktësuar në legjislacion apo rregullime të tjera në sektorin e medias

Shoqëria civile

Me iniciativën e SCiDEV, në një deklaratë të shoqërisë civile (22 janar) për dekriminalizimin e shpifjes, thuhet ndër të tjera se, “Shqipëria nuk ka një sistem ligjor për regjistrimin e gazetarëve dhe nuk duhet të ketë një të tillë, pasi krijimi i një regjistri do të binte ndesh me standardet evropiane të lirisë së shprehjes dhe do të rrezikonte vendosjen e mekanizmave të kontrollit ose filtrimit të ushtrimit të profesionit”.

Referuar deklaratës, “ekziston rreziku që kjo dispozitë të mos mund të zbatohet nga gjykatat dhe, njëkohësisht, t’i hapë rrugë përpjekjeve për krijimin e një regjistri formal, me pasoja të rënda për pluralizmin mediatik dhe pavarësinë e gazetarisë…”

“Parakushtet e shumta dhe formulimet e paqarta e bëjnë zbatimin e tij praktikisht të pamundur, duke sjellë në praktikë mungesë dekriminalizimi edhe në formë të pjesshme”, thuhet në deklaratë.

Edhe Kryetari i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, thotë për Faktoje se përpos disa përmirësimeve, neni i ndryshuar sjelle edhe absurditete   

“Ka gjëra të cilat janë thjesht produkte të mediokritetit dhe injorancës së atyre që e kanë propozuar siç është regjistrimi i gazetarëve që janë thjesht absurde, të paaplikueshme në kundërshtim me të drejtat e njeriut, me legjislacionin europian mes asaj që pret Europa me vullnetin dhe interesin e komunitetit të gazetareve”.

“Do rihapet dhe riqepet sërish (neni) nisur nga mënyra se si e kanë ndërtuar”, vëren ai.

Platforma  

Nisma e miratuar vetëm me votat e PS vjen pas një procesi konsultimi public jo të shkurtër (qysh prej janarit të vitit të shkuar) të disa organizatave të shoqërisë civile, organizata të medias, gazetarë, ekspertë nga Kuvendi dhe përfaqësues të qeverisë për dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes.

Referuar deklaratës së përbashkët të shoqërisë civile të mbajtur më 22 janar, “qasja e re (e PS) devijonte nga objektivi fillestar i procesit konsultativ dhe nuk ishte në përputhje me rekomandimet e kahershme të shoqërisë civile dhe komunitetit të gazetarëve, të cilat kanë kërkuar vazhdimisht mbrojtje të barabartë të lirisë së shprehjes për të gjithë individët, të lidhur me natyrën e shprehjes dhe interesin publik që i shërben, dhe jo me statusin profesional të folësit”.

Në fund të gjithë këtij procesi, Koloreto Cukali vëren se në Kuvend u miratua një version, që nuk kishte kaluar në asnjë nga proceset e mëparshme të konsultimit.

Besimi i ndërsjelltë, sipas tij, është i humbur.

“Dhe ky për mua është problemi më shqetësues”, thotë ai për Faktoje.

PS

Por për Partinë Socialiste procesi konkludoi në fund me një nismë në kuadër të detyrave që BE-ja i ka vënë Shqipërisë.  

Gjatë prezantimit të projektligjit në Kuvend, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha se  ndryshimet janë pjesë e procesit të integrimit europian. “Nga gjithçka që është përmendur këtu (parlament), u tha se nuk është konsultuar me Komisionin Evropian apo që KE e ka kundërshtuar. Është komplet e pavërtetë. Jo shumë larg nga sot ata janë shprehur për sa i përket dekriminalizimit të shpifjes për gazetarët që inkurajojnë qeverinë shqiptare”, tha ministri Lamallari.

Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, nënvizoi gjithashtu se, “ shtesat dhe ndryshimet që paraqesim, nuk janë akt i zakonshëm legjislativ, por hap i domosdoshëm në procesin e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me BE-në”

PD

Ndryshe ishte qëndrimi i deputetes së PD-së Jorida Tabaku. “Kodi Penal do të përdoret si kërcënim ndaj gazetarëve për të seleksionuar ata gazetarë që do t’i kërcënojë me burg e ata të tjerë të cilët do t’i lejojë që të vazhdojnë të shpifin, të fyejnë, të intimidojnë. Kjo nuk është Shqipëria europiane. Kjo nuk është një vend normal. E ka Maqedonia, e ka Mali i Zi, e ka Kosova. Komplet të dekriminalizuar shpifjen. Ndërkohë që qeveria shqiptare e përdor akoma si kërcënim”, tha Tabaku.

Ulsi Manja, në anën tjetër, e justifikoi ruajtjen e nenit 120 në Kodin Penal si një masë mbrojtëse nga portalet online. “Gazetarët të merren me lajmin, me të vërtetën, nuk duhet të shqetësohen. Profesionistët e shpifjes duhet të shqetësohen, nuk ka ligj që e mbron profesionistin që shpif. 800 portale, shpifësish profesionistë duhet të përballen me forcën e ligjit”.

OSBE

Pak orë pas miratimit, prezenca e OSBE-së në Tiranë vlerësoi ndryshimet në Kodin Penal që sipas saj janë hap i parë i rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes, por sugjeroi se:  “… vijojmë të inkurajojmë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale”

Problemi mbetet

Të dyja pretendimet, si për dekriminalizimin e shpifjes ashtu edhe se janë bërë ndryshimet sipas udhëzimeve nga BE, shihen me skepticizëm nga përfaqësues të medias.

Drejtori  i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase, në një qëndrim për Faktoje.al, këtë ndryshim në Kodin Penal e konsideron të paplotë, jo në frymën e rekomandimeve të KE dhe që lë sërish hapësirë për vijimin e padive penale ndaj gazetarëve.

 “Ky variant i votuar i ndryshimit të nenit 120, për veprën e Shpifjes, nuk plotëson kërkesën disa vjeçare të organizatave vendase dhe institucioneve ndërkombëtare për dekriminalizimin e shpifjes”, thotë Tase.

Sipas tij, “autoritetet shqiptare “plotësuan kuadratin” e një kërkese ndaj Komisionit Evropian, por në praktikë do të vijojmë të kemi padi penale ndaj gazetarëve derisa të përcaktohet standarti për t’u quajtur i tillë”.

Precedenti

E parë në këtë frymë, Tase ngre shqetësimin se në vijim edhe rekomandime të tjera që mbërrijnë si kusht për procesin e integrimit të vendit tonë në BE, mund të bëhen pa prekur thelbin.

“Kjo është një shenjë e keqe që në këtë mënyrë fiktive mund të plotësohen dhe standartet e tjera që kërkohen në procesin e integrimit evropian në fushën e mjedisit, sigurisë ushqimore e çdo sektor tjetër të rëndësishëm”, thekson Tase.

Aktivistët dhe qytetarët

Gjithashtu një tjetër shqetësim që ngrihet nga ekspertë të komunikimit është se ky ligj nuk përjashton nga dekriminalizimi aktivistë apo qytetarë që veprojnë në interes publik.

“Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe praktika në Bashkimin Evropian kanë përcaktuar nevojën për sigurimin e lirisë së shprehjes jo vetëm për gazetarët profesionistë, por për çdo aktivist apo qytetar që vepron në interes të publikut”, thotë Tase.

Ai sjell në vëmendje se ky nen do të vijojë të jetë një kërcënim penal për çdo aktivist të shoqërisë civile apo qytetar që merr guximin të publikojë me identitetin e tij në një media tradicionale apo edhe në rrjetet sociale një denoncim publik ndaj zyrtarëve të lartë.

“Mbetet ende e paqartë se cilat janë argumentet e ligjvënësve për të mos hequr dorë nga mbajtja në Kodin Penal e këtij neni, ashtu si dhe nenit të fyerjes. Të dyja këto vepra, rekomandohet prej vitesh të kalohen në Kodin Civil. Praktikat aktuale garantojnë se mjetet civile janë të mjaftueshme për të mbrojtur reputacionin e çdo individi, aq më tepër të politikanëve apo zyrtarëve të lartë”, thekson Tase.

The post Shpifja, pse ndryshimet e PS nuk bindin median dhe shoqërinë civile appeared first on Faktoje.al.

Zierja e uthullës pak shanse për të pastruar qiellin nga kimikatet

Pretendimi: Avullimi i uthullës pastron qiellin nga vazhdat kimike ose kemtrajlet dhe ndikimet e HAARP

Verdikti: E paprovuar

———————————————————–

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se avullimi i uthullës përdoret për të pastruar qiellin nga “chemtrails dhe ndikimet e HAARP.”

Si zakonisht, ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë për ta mbështetur. 

Spërkatja e kimikateve nga avionët (chemtrails) është një teori konspirative që pretendon se qeveria apo palë të tjera janë të angazhuar në një program sekret për të futur kimikate toksike në atmosferë nëpërmjet avionëve në një mënyrë që formon vazhda në qiell, si ato që duken pas avionëve.

Sipas Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe NASA, vazhdat e bardha që duken pas avionëve në qiell quhen vazhda kondensimi (contrails), përbëhen kryesisht nga uji, dhe “nuk janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.”

Vazhdat e kondesimit formohen kur avulli dhe grimcat e hirit të imët nga djegia e karburantit të avionit ngrijnë në kristale akulli. Në ajër me lagështi të ulët, kristalet thjesht shpërbëhen. Nëse ajri ka më shumë lagështi, ato mbeten, dhe krijojnë vazhdat e avullit që duken me sy nëpër qiell. Ky ndryshim në nivelin e lagështisë së ajrit shpjegon pse disa avionë kanë vazhdë kondensimi dhe disa jo.

Spërkatja e uthullës në ballkon nuk ka asnjë efekt tek këto vazhda, ashtu siç nuk do të kishte efekt tek retë. Vazhdat e kondensimit janë fenomene fizike që ndodhin në lartësi prej mijëra metrash. Një lëng i spërkatur nga disa metra lartësi nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në formimin ose shpërndarjen e tyre.

Uthulla nuk posedon ndonjë veti të veçantë lidhur me agjentët kimikë të dëmshëm, përveçse është dezinfektues i butë dhe heqës i gëlqeres.

Kimisti Dario Bressanini me shaka e quajti uthullën “një nga katër kalorësit e apokalipsit të pastrimit”, së bashku me sodën e bukës, kripën dhe limonin, përbërës që shpesh shiten në mënyrë të rreme si kura çudibërëse për gjithëfarëlloj problemi.

Teoria se uthulla pastron qiellin nga kemtrajlet është në qarkullim të paktën që nga viti 2012

Më 22 nëntor 2016, një sondazh i shkencëtarëve atmosferikë u botua nga Environmental Research Letters. 76 nga 77 (98.7%) e shkencëtarëve që morën pjesë në këtë studim thanë se nuk kishte prova të ekzistencës së një programi sekret të spërkatjes atmosferike në shkallë të gjerë dhe se të dhënat e cituara si prova mund të shpjegoheshin përmes faktorëve të tjerë.

Siç shpjegon skuadra kërkimore e fizikantit David Keith në Universitetin e Harvardit, nuk ka prova për ekzistencën e vazhdave kimike (chemtrails). Nëse do të ekzistonte vërtet një program qeveritar i kësaj shkalle, ai do të përfshinte një program po aq masiv për prodhimin, ngarkimin dhe shpërndarjen e materialeve. Mijëra ose edhe dhjetëra mijëra njerëz do duhej të punonin për këto programe. Kjo do të thotë se do të ishte tmerrësisht shumë e vështirë që kjo të mbetej sekrete për shumë gjatë, pasi do të mjaftonte vetëm një njeri i përfshirë në program të dilte hapur i pajisur me prova si fotografi, dokumente, apo pajisje fizike për ta dekonspiruar.

Këto prova ende nuk kanë dalë.

Në fjalët e skuadrës së Keith:

“Nëse beson në kemtrajle, pyete veten si mund të jesh kaq i sigurt që ka vërtet një konspiraci të madhe. Merr në konsideratë shpjegime alternative, të thjeshta. Ki parasysh që interneti është plot me njerëz që janë krejt të sigurt për gjëra që thjesht nuk janë të vërteta. Ki parasysh që edhe pse qeveritë mund të mbajnë sekrete që përfshijnë vetëm pak njerëz, ato nuk arrijnë të mbajnë sekret programe të mëdha. Rusët, për shembull, dinin detaje specifike mbi projektin e bombës atomike që përpara se të ndodhte testimi i parë i armëve bërthamore, dhe në atë rast njerëzit e përfshirë në atë projekt kishin motivin e qartë patriotik të mbanin sekretin.

Nëse mendon se vazhdat e kondensimit të avionëve “duken ndryshe” ose “po sillen çuditshëm” konsidero që vazhdat e zakonshme të kondensimit nganjëherë mbeten për një kohë të gjatë dhe mënyra se si duken mund të ndryshojë papritur përgjatë të njejtës rrugë sepse avionët fluturojnë përmes vendeve me temperatura dhe lagështi të ndryshme. […] Sigurisht që ka mundësi që diçka tjetër po ndodh, por për ta provuar duhet më shumë se thjesht fotografi të diçkaje që duket njësoj me vazhdat normale të kondesimit”.

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në Alaskë dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhej për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

Faktoje ka verifikuar edhe më parë pretendime lidhur me të ashtuquajturat kemtrajle dhe sistemin HAARP.

The post Zierja e uthullës pak shanse për të pastruar qiellin nga kimikatet appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar mësuesja harbute pogradecare në avion

Pretendimi: Kjo video tregon një shkëmbim real në aeroplan

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————

Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në Instagram pretendon se tregon një mësuese pogradecare, e cila ka vendosur këmbët mbi kokën e pasagjeres para saj dhe përplaset me të përtej çdo norme normale etike.

Megjithatë, video qesharake nuk tregon një ngjarje të vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Origjina e gjeneruar e videos është veçanërisht e dukshme në mënyrën e panatyrshme dhe shqipen e çalë që flet pasagjerja e avionit. 

Më tej, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillmisht në TikTok nga një llogari që poston përmbajtje të gjeneruara me AI.

Këto imazhe janë shembuj i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.” 

Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.

Llumi AI në Facebook zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit. Llumi AI që nxit zemërim, ofendim dhe skandalizim merr shumë angazhim. 
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post E gjeneruar mësuesja harbute pogradecare në avion appeared first on Faktoje.al.

Bill Gates nuk u rrethua nga protestues në Forumin e Davosit

Pretendimi: Kjo video tregon një grup njerëzish në dalje të Forumit të Davosit, duke rrethuar makinën e miliarderit Bill Gates 

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një turmë në Davos, Zvicër, që rrethon makinën e milarderit Bill Gates ndërsa e quajnë atë vrasës dhe kërkojnë arrestimin e tij.

Megjithatë, ky pretendim është i rremë.

Video e mësipërme nuk është xhiruar në Davos, në Zvicër, por në Downing Street, Londër. Kjo dëshmohet nga një krahasim pamor i videos me pamje të rezidencës zyrtare të Kryeministrit britanik në Londër.

Në tetor 2021, miliarderi Bill Gates vizitoi Londrën për të darkuar me Kryeministrin e atëhershëm Boris Johnson, i cili ftoi 20 figura më me ndikim të biznesit në botë për të ndihmuar në promovimin e interesave britanike në nivel ndërkombëtar.

Sipas revistës Newsweek, më 18 tetor 2021, protestues në Londër u mblodhën rreth një makine dhe bllokuan rrugën që të çonte në Downing Street me disa që bërtisnin “arrestoni Bill Gates” dhe mbanin pankarta kundër vaksinimit. Policia përfundimisht e shoqëroi automjetin në një hyrje tjetër të Downing Street. Nuk dihet se kush ishte në makinë.

Pamje të këtij incidenti u botuan në rrjet që në 2021. Në to, vërehen ngjashmëri me videon e mësipërme, si veshja e oficerëve të policisë.

Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror 2026 u zhvillua në Davos të Zvicrës, midis 19 dhe 23 janarit. Pamje filmike tregojnë se Gates ishte i pranishëm. 

Bill Gates flet në Forumin Ekonomik Botëror

Megjithatë, nuk ka patur asnjë raportim të besueshëm se ai është sulmuar nga ndonjë turmë që kërkon arrestimin e tij.

Video e mësipërme tregon një incident që ka ndodhur në Londër 5 vite më parë.

The post Bill Gates nuk u rrethua nga protestues në Forumin e Davosit appeared first on Faktoje.al.

Rasti “Balluku”, Kuvendi zvarrit kërkesën e SPAK

Mazhoranca ka mbi 1 muaj e gjysmë që zvarrit kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, duke shtyrë pa afat mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Rregullorja e Kuvendit përcakton se nëse nuk ka vendim brenda 3 muajve, kërkesa konsiderohet e rrëzuar. Për Ballukun, afati skadon më 16 mars.

Esmeralda Topi

“Ne si Parti Socialsite dhe si grup parlamentar do të votojmë çdo kërkesë për heqje imuniteti, për autorizim të Kuvendit për çdo deputet qoftë krahut të majtë, qoftë krahut të djathtë, qoftë pa krahë,” deklaronte dy vite më parë Bledi Çuçi në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar socialist.

Sot, dy vite pas kësaj deklarate, realiteti është krejt tjetër.

Socialistët shtynë pa afat mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për arrestimin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Numri dy i qeverisë akuzohet për “paracaktim fituesish në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe shkelje në procedurat e Unazës së Madhe” me vlerë qindra milionë euro.

Megjithatë, mazhoranca ka 1 muaj e gjysmë që e zvarrit kërkesën e SPAK. Shtyrja e vendimit u bë me justifikimin e verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.

“…shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ‘për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit… të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese…”– shkruhet në urdhërin e firmosur këtë të mërkurë nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Ping – pong institucional

“Në rastin Balluku, Kuvendi po i largohet përgjegjësisë funksionale dhe përgjegjësive kushtetuese.” – thotë për Faktoje.al studiuesi Afrim Krasniqi.

Zvarritja prej javësh e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve shkon në të njëjtën linjë me qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama, që në krye të herës deklaroi se mazhoranca do të priste të shprehej Gjykata Kushtetuese, përpara se të mbante qëndrim për heqjen e imunitetit parlamentar të zëvendëses së tij.

Në fakt, vendimi i gjyqtarëve kushtetues lidhet me një tjëtër masë të marrë më herët nga Gjykata e Posaçme ndaj Ballukut.

“Kuvendi nuk ka pse pret Gjykatën Kushtetuese në interpretimin e një vendimi që nuk lidhje direkte me mandatin dhe kërkesën e SPAK-ut.”- thekson Krasniqi.

Mirëpo, një ditë më parë edhe Kushtetuesja shtyu pa afat vendimin e saj për Ballukun. Me pak fjalë, Gjykata Kushtetuese pret Kuvendin e Shqipërisë, Kuvendi pret Kushtetuesen. Në këtë ping-pong institucional, Belinda Balluku është fituesja e përkohshme, duke ruajtur postin e saj në qeveri si zv.kryeministre dhe ministre, si edhe në parlament si deputete.

Rast i paprecedentë

Kjo është hera e parë që Kuvendi i Shqipërisë zvarrit shqyrtimin e një kërkese për heqje imuniteti ndaj një deputeti.

Të dhënat e Institutit të Studimeve Politike tregojnë se nga viti 2015 deri më 2025, Kuvendi ka marrë vendim për kërkesat e prokurorisë brenda pak ditësh, nga 2 deri në 9 ditë në shumicën e rasteve.

“Kjo përbën një zhvillim të ri kundër frymës së reformës në drejtësi dhe kundër retorikës antikorrupsion në Shqipëri.”- ngre si shqetësim studiuesi Afrim Krasniqi.

“Është paradoks se kjo ndodh në kohën kur Shqipëria është një vend që po i afrohet gjithnjë e mëshumë BE-së.”- shton më tej ai.

Për Tom Doshin, Mark Frrokun, Armando Prengën, Arben Ahmetajn dhe Sali Berishën, Kuvendi ka vepruar me shpejtësi.

Ndërsa për Belinda Ballukun, kërkesa e SPAK është depozituar më 16 dhjetor 2025 dhe ende nuk ka asnjë vendim, duke shënuar një zvarritje të paprecedentë.

“Çdo sjellje tjetër, përfshi edhe alibi të tilla për shtyrje proceduriale janë akte politike që synojnë të mbrojnë zv.kryeministren dhe synojnë të shmangin përballjen e saj me drejtësinë duke i dhënë një mbrojtje të madhe politike që nuk e kanë pasur pjesa më e madhe e zyrtareve gjatë viteve të fundit.”- argumenton Afrim Krasniqi nga ISP.

Ku fle lepuri?

Zvarritja institucionale ka një kufi të qartë. Rregullorja e Kuvendit përcakton tre muaj kohë për të dalë me një vendim, në të kundërt kërkesa e SPAK bëhet nul.

“Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.”- përcakton neni 118, pika 5, e Rregullores së Kuvendit.

Ky nen është çelësi i lojës.

“Afati mund të konsumohet nëse parlamenti vazhdon të djeg etapat me procedura të tilla, siç po ndodh,” – argumenton Krasniqi. 

Më 16 mars, procedurat ligjore për heqjen e imunitetit digjen. Nëse Kuvendi nuk merr vendim brenda afatit, kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut bie automatikisht, duke e lënë pa efekt.

“Zyrtarja më e lartë e qeverisë, numri dy i saj është akuzuar dhe duhet të përballet me drejtësinë. Çdo formë tjetër, procedurë apo akt që pamundëson këtë gjë thjesht bëhet pengesë për drejtësinë.”- përfundon Afrim Krasniqi.

“Mos e mbroni korrupsionin”

Përballë kryesisë së Kuvendit, një grup qytetarësh dhe aktivistësh protesuan kundër shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve, duke kërkuar që Parlamenti të mos dorëzojë imunitetin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Protestuesit i bënë thirrje pesë deputetëve të mazhorancës, që të mbajnë përgjegjësi ndaj votuesve të tyre dhe të mos bëhen palë me korrupsionin.

Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, në fjalën e tij, u kërkoi deputetëve të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe jo, siç u shpreh ai, “ministrat hajdutë që vjedhin qytetarët”.

 “Nuk mundet me urdhër partie të mbrohen ata që bëjnë rrugë me 220 milionë euro që prishen. Deputetët janë mandatuar nga qytetarët për të mbrojtur interesat e tyre dhe jo hajdutët,” u shpreh ai.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi i kryer, deklaratën e deputetit socialist Bledi Çuçi se ‘Partia Socialsite do të votojë çdo kërkesë për heqje imuniteti’, e kategorizojmë të pavërtetë.

Shënim i redaksisë: Titulli i këtij artikulli është ndryshuar. Versioni i mëparshëm ishte “Balluku, si ‘lule mos më prek’ për socialistët”.

Përditësuar më 28 janar 2026.

The post Rasti “Balluku”, Kuvendi zvarrit kërkesën e SPAK appeared first on Faktoje.al.

Asnjë provë për rrëzimin e dy satelitëve amerikanë nga Rusia

Pretendimi: Rusia ka rrëzuar dy satelitë sekretë ushtarakë amerikanë. Trump është i tmerruar.

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se Rusia ka rrëzuar dy satelitë sekretë ushtarakë amerikanë, gjë që e ka “tmerruar” presidentin amerikan Trump.

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm, nuk jepet asnjë provë, burim apo referencë.

Postimi i mësipërm i referohet një videoje në gjuhën italiane të botuar në Youtube nga një llogari që duket se poston video të shumta të ngjashme me ‘lajme’ sensacionaliste (dhe të pabesueshme) pro-Rusi.

Video 24-minutëshe nis me çfarë ajo quan një “fakt të thatë, por thelbësor” se “sistemet e kontrollit hapësinor të Shteteve të Bashkuara kanë regjistruar humbjen e komunikimit stabël me dy mjete hapësinore me përdorim ushtarak.”

Megjithatë, ky “fakt i thatë” mbetet i pakonfirmuar. Video nuk jep ndonjë burim, zyrtar ose jo, që vërteton këtë “fakt.”

Humbja e komunikimit me dy satelitë të orbitës së ulët nuk është njoftuar nga Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) amerikane, Departamenti i Mbrojtjes amerikan apo ndonjë institucion tjetër zyrtar.

Njësoj, asnjë lajm i tillë nuk është raportuar në mediat ndërkombëtare apo vendase. Logjikisht, nëse një veprim i tillë do të kishte ndodhur vërtet ai do të ishte raportuar gjerësisht.

Në vitin 2021, Rusia shkatërroi vërtet një satelit jo-funksional sovietik për të testuar një armë anti-satelit, duke lëshuar në hapësirë mbi 1500 copëza mbeturinash mjaftueshëm të mëdha për t’u gjurmuar dhe qindra mijëra copëza më të vogla.

Përpara operacionit, Rusia nxorri një njoftim për pilotët (NOTAM) që i paralajmëronte ata të qëndronin larg hapësirës ajrore mbi Kozmodromin Plesetsk, një strukturë në bregdetin verior të vendit që është e njohur për lëshimin e raketave anti-satelit.

Në 2007, Kina shpërtheu një nga satelitët e saj, duke prodhuar mijëra copëza mbeturinash. Shtetet e Bashkuara vazhduan në vitin 2008, duke shkatërruar një satelit zbulimi që po dështonte në një orbitë shumë të ulët, një ngjarje që rezultoi në rreth 400 copëza mbeturinash orbitale. India bëri të njëjtën gjë në Mars 2019, duke u bërë vendi i katërt që demonstroi atë që njihet si aftësi armësh kundërhapësinore. India qëllimisht shënjestroi një satelit në orbitën shumë të ulët të Tokës, dhe shumica e mbeturinave u dogjën në atmosferën e planetit pak më vonë. Vetëm tre copëza të gjurmueshme mbeten duke rrethuar planetin.

Sisteme të shumta anti-satelitore ose ekzistojnë ose janë në zhvillim. Disa shkatërrojnë në mënyrë aktive satelitët me shpërthim, ndërsa të tjerë i çaktivizojnë satelitët në mënyrë më pasive. Këto teknologji përfshijnë mikrovalë me fuqi të lartë që mund të prishin elektronikën, pajisje që bllokojnë sistemet e komunikimit dhe sisteme lazeri me bazë tokësore. Ekspertët e Projektit të Sigurisë Hapësinore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare raportojnë se sistemet anti-satelitorë të Kinës tani janë aq të fuqishme sa vendi “mund të kërcënojë çdo satelit amerikan në LEO, dhe ndoshta edhe orbitën mesatare të Tokës dhe GEO [orbitën gjeostacionare]”.

Rusia ka testuar sisteme anti-satelitore që nga vitet 1960, duke filluar me sisteme anti-satelitore bashkë-orbitale që takohen me dhe shkatërrojnë objektivat nga hapësira në vend të tokës. Ajo ka testuar raketa Nudol në hapësirë ​​që nga viti 2014, pa goditur asgjë deri më tani.

The post Asnjë provë për rrëzimin e dy satelitëve amerikanë nga Rusia appeared first on Faktoje.al.

Frika nga autizmi ul vaksinimin, vendi në rrezik epidemik

Që prej pandemisë, numri i prindërve që refuzojnë vaksinimin e fëmijëve është rritur ndjeshëm. Vlora, Lezha dhe Tirana janë pikat më të nxehta të këtij fenomeni, me përqindjet më alarmante të fëmijëve të pavaskinuar. Dezinformimi dhe teoritë konspirative në rrjetet sociale po sfidojnë shëndetin publik, teksa ekspertët paralajmërojnë se rikthimi i mbulimit vaksinal mbi 95% është jetik, përndryshe rreziku i shpërthimeve epidemike mbetet i pashmangshëm.

Sebi Alla

Afër 18 për qind e fëmijëve në Qarkun Vlorë, nuk morën vaksinën e detyruar për vitin 2024, ndërsa edhe në rrethe të tjera të mëdha, refuzimi mbetet i lartë. Të dhënat mbi mbulimin vaksionor në vend në periudhën 2015-2024, të siguruara nga Faktoje.al nga Instituti i Shëndetit Publik, (ISHP), ngrenë shqetësimin se vaksinimi në vend që nga koha e pandemisë dhe në vijim, ka ardhur në ulje.

Në rastet e shfaqjes së fruthit dhe sëmundje të tjera ngjitëse në moshat pediatrike, është vërtetuar se fëmijët kanë refuzuar vaksinat dhe ky fenomen po zgjerohet, pavarësisht se shërbimi vaksinor mbetet i mbuluar në të gjithë vendin dhe autoritetet thonë se sensibilizimi është shtuar.

Një nga masat kryesore për të detyruar prindërit të vaksionojnë fëmijët është mosregjistrimi në çerdhe, kopshte dhe shkolla. Nëse nuk paraqesin kartelën e plotësuar të vaksinimit, fëmijët nuk mund të regjistrohen. Por ky rregull nuk aplikohet në sektorin privat.

 “Gjatë vitit 2025, u evidentua një shpërthim i fruthit me disa raste në një çerdhe private në Fier, ku u konstatua se fëmijët e prekur ishin të pavaksinuar. Ky rast nënvizon nevojën për forcimin e kontrollit dhe zbatimin e njëtrajtshëm të kritereve të vaksinimit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat”, thotë për Faktoje.al, mjekja epidemiologe, Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Frikë nga autizmi

Shtimi i rasteve të shfaqjes së autizmit në grupmoshat 2-3 vjeç shpesh është lidhur nga prindërit me kryerjen e vaksinave, por kjo teori pa bazë shkencore, e shoqëruar edhe me publikime pa kritere në rrjetet sociale të deklaratave nga “konspiracionistë”, përveç konfuzionit ka sjellë refuzim të vaksinimit të fëmijëve nga disa prindër.

“Sipas vlerësimeve zyrtare të Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), vaksinat që hasin më shpesh problematika në zbatimin e tyre janë vaksina FRP (Fruth–Rubeolë–Parotit) dhe vaksina kundër HPV-së. Një nga polemikat më të spikatura lidhet me vaksinën FRP/MMR dhe pretendimin se ajo shkakton autizëm”- thotë për Faktoje, mjekja epidemiologe, eksperte në Institutin e Shëndetit Publik, Rovena Daja.

Sipas saj, ky pretendim e ka origjinën nga një artikull i publikuar në vitin 1998 në revistën The Lancet, nga Andrew Wakefield, i cili më vonë u tërhoq për shkak të shkeljeve serioze etike dhe metodologjike.

“Ky publikim shtuar edhe shumë raste të publikimeve pa bazë shkencore, apo duke u mbështetur në teori konspirative janë disa nga shkaqet që prindërit refuzojnë ti vaksinojnë fëmijët”, thotë ekspertja Daja.

“Sa i përket vaksinës kundër HPV-së, ajo perceptohet nga disa prindër si “vaksinë e re” në Shqipëri. Në fakt, kjo vaksinë përdoret globalisht prej më shumë se 20 vitesh, me një profil të lartë sigurie dhe efikasiteti në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me HPV”, shton ajo.

Vaksinim me frikë

Në një vëzhgim të bërë nga Faktoje. al në kopshte të Tiranë, prindërit thonë se shpesh vihen në mëdyshje mbi vaksinimin, duke e shtyrë disi në kohë injektimin e dozave të përcaktuara në kalendar strikt nga institucionet shëndetësore. Megjithatë, të tjerë pranojnë se kanë dëgjuar, madje edhe në çerdhe dhe kopshte ku kanë fëmijët e tyre që disa nga prindërit refuzojnë të bëjnë vaksinat.

“Po njoh disa që e kanë shumë merak dhe akoma s’ia kanë bërë. Fëmija bën 3 vjeç dhe akoma s’ia kanë bërë (vaksinën). Personalisht se kam pasur fare merak këtë gjë”-thotë një nënë e re.

Një ndërlidhje e frikës së prindërve e shoqëruar me dezinformacionin e marrë në rrjetet sociale, kryesisht nga burime të pakunfimuara dhe jo shkencore, ka bërë që në vendin tonë nga nisja e pandemisë dhe deri më tani të kemi një problem në vaksionimin e fëmijëve.

“Vaksinat që paraqesin më shpesh problematika janë: vaksina ndaj FRP (kundër fruthit, rubeolës dhe parotit), doza e parë që aplikohet 12-15 muaj dhe vaksina ndaj HPV që aplikohet 13 vjeç”, thotë ISHP për Faktoje.

Sipas këtij institucioni, duke parë uljen e numrit të fëmijëve të vaksionuar që nga periudha e pandemisë është punuar si me sensibilizim të shtuar, ashtu edhe rekomandime të përhershëm nga mjekë pediatër për të ndërgjegjësuar prindërit për vaksionim në kohë dhe të plotë sipas kalendarëve të vendosur nga institucionet shëndetësore. 

Rrethet më problematike

Në referim të të dhënave nga ISHP, qarku me për qindje më të lartë të vaksionimit është ai i Dibrës. Edhe në periudhë pandemie niveli i vaksinimit ka qenë mjaft i lartë, ku për disa vite rresht rezulton edhe në masën 100 për qind të vaksinimit.

Situatë krejt tjetër është në qarkun Vlorë me numër të lartë popullsie. Veçanërisht viti 2024 cilësohet si më problematik ku 82.3 për qind e fëmijëve morën vaksinat, ndërsa 17.7 për qind e kanë refuzuar. Për ekspertët kjo cilësohet shifër shumë e lartë dhe shqetësuese. Po ashtu edhe në vitet e mëparshme për vitet 2021-2023 luhatet mes shifrave 87-90 për qind me mbulesë vaksinore.

Pas Vlorës, një tjetër qark me probleme në vaksionim konsiderohet edhe Lezha. Trendi i rënies nis në periudhë pandemie dhe ka mbajtur të njëtën kurbë për vitet pasardhëse në shifrat deri në 96 për qind.

Po ashtu Tirana dhe Shkodra në vlera të përafërta rezulton se 3-4 për qind e fëmijëve figurojnë të pavaksinuar, një shifër problematike referuar numrit të lartë të banorëve që kanë të dyja qarqet në vend.

“Pandemia COVID-19 ka pasur ndikim të ndjeshëm në programet e vaksinimit jo vetëm në Shqipëri, por është një fenomen i vërejtur në nivel global. Në periudhën pas pandemisë, Programi Kombëtar i Vaksinimit ka organizuar fushata ndërgjegjësimi dhe informimi për prindërit, ka realizuar trajnime dhe aktivitete sensibilizuese me stafin mjekësor, me fokus komunikimin me prindërit hezitues ndaj vaksinimit. Këto aktivitete vijojnë edhe aktualisht, me qëllim rikthimin dhe ruajtjen e mbulesës vaksinale mbi 95 % sipas udhëzimeve të OBSH-së”, thotë ISHP.

The post Frika nga autizmi ul vaksinimin, vendi në rrezik epidemik appeared first on Faktoje.al.

Kjo anije gjenerator energjie asnjë lidhje me projektin HAARP

Pretendimi: Kjo video tregon projektin HAARP, një “fabrikë lundruese e tornadove dhe fatkeqësive të ndryshme.”

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————-

Video e një anijeje që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon famëkeqin projektin HAARP, një “fabrikë lundruese e tornadove dhe fatkeqësive të ndryshme.”

Si zakonisht, nuk sillet asnjë provë, burim, apo referencë që mbështet pretendimin e jashtëzakonshëm.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në Youtube në vitin 2016 me titullin “Stacioni elektrik lundrues Osman Khan në Detin e Zi, Kantieri Detar i Tuzla.”

Anija e mësipërme, e quajtur Osman Khan, nuk ka të bëjë fare me projektin HAARP. Ajo është një anije me motor që prodhon energji elektrike dhe i përket kompanisë Karadeniz, e cila zotëron një flotë të madhe anijesh të tilla.

Ajo ka aftësinë të gjenerojë 470 Mw energji elektrike, të mjaftueshme për të furnizuar me energji afërsisht 235 mijë shtëpi (duke supozuar një përdorim mesatar prej 2 kw për shtëpi gjatë 24 orëve).

13 nëntor 2016, anija Osman Khan, lundroi për në Gana në një ceremoni ku morën pjesë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, dhe zyrtarë të tjerë turq. Ajo u ngarkua me detyrën për të furnizuar me energji elektrike rrjetin elektrik në Gana. 

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i krijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

The post Kjo anije gjenerator energjie asnjë lidhje me projektin HAARP appeared first on Faktoje.al.

Krahasimi i nivelit të ujit në Statujën e Lirisë nuk rrëzon ngrohjen globale

Pretendimi: Ky imazh i Statujës së Lirisë provon se ngrohja globale dhe rritja e nivelit të oqeaneve janë mashtrime

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————–

Dy foto të Statujës së Lirisë në Nju Jork, të cilat pretendohet se janë bërë me më shumë se 100 vjet diferencë, po qarkullojnë në rrjete sociale me pretendimin se ato janë prova të mjaftueshme për të vërtetuar se nuk ka patur ndonjë rritje të ndjeshme të nivelit të detit, një pasojë e njohur e ngrohjes globale.

Megjithatë, ekspertët e oqeanografisë dhe ndryshimeve klimatike paralajmërojnë se krahasimi fotografik nuk mund të përdoret si provë e sjelljes së nivelit të detit. 

Problemi me imazhin e mësipërm qëndron pikërisht në mungesën e kontekstit. Pa e ditur nëse fotot janë bërë në baticë të lartë apo të ulët, nuk ka asnjë mënyrë për t’i krahasuar ato. 

Metodat shkencore të matjes mund të përshkruajnë ndryshimet në nivelin e detit me shumë saktësi dhe ato tregojnë se ai është rritur ndjeshëm në Gjirin e Nju Jorkut gjatë njëqind viteve të fundit.

Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) amerikane thekson se mënyra e saktë për të matur ndryshimet afatgjata është me anë të nivelit mesatar të detit, i llogaritur nga seritë historike që eliminojnë efektet momentale të baticave dhe kushteve të motit. 

Sipas Shërbimit Kombëtar të Oqeaneve të qeverisë amerikane, niveli i detit mund të rritet me dy mekanizma të ndryshëm si pasojë e ndryshimeve klimatike. Së pari, ndërsa oqeanet ngrohen për shkak të një temperature globale në rritje, uji i detit bymehet, duke zënë më shumë hapësirë ​​në pellgun e oqeanit dhe duke shkaktuar një rritje të nivelit të ujit. Mekanizmi i dytë është shkrirja e akullit mbi tokë, e cila më pas shton ujë në oqean.

“Batica në Nju Jork ndryshon me rreth 1.5 metra. Në varësi të kohës së ditës kur është bërë fotografia, ndryshimi i dukshëm mund të jetë i madh ose praktikisht i papërfillshëm”, shpjegoi për Metsul Jacqueline Austermann, një profesore në universitetin Columbia e cila hulumton ndryshimet në nivelet e oqeanit. 

Më tej, që nga viti 1856, NOAA ka mbajtur matje të vazhdueshme në Battery Park, të vendosur në majën jugore të Manhattanit, vetëm pak kilometra nga Statuja e Lirisë. Këto të dhëna konsiderohen si një pikë referimi për monitorimin e nivelit të detit në rajon.

Sipas NOAA, niveli relativ i detit në zonë është rritur rreth 30 centimetra në 100 vitet e fundit, me një shpejtësi mesatare prej afërsisht 3 milimetrash në vit. Në dekadat e fundit, kjo shpejtësi është përshpejtuar, duke arritur në rreth 4.5 milimetra në vit në Nju Jork. 

Në shkallë globale, NOAA dhe NASA vlerësojnë se nivelet e oqeaneve janë rritur midis 20 dhe 25 centimetrave që nga viti 1880. Vetëm që nga viti 1993, rritja mesatare globale ka qenë pothuajse 10 centimetra, duke demonstruar intensifikimin të fenomenit kohët e fundit.

Rritja e nivelit të detit nuk është një fenomen teorik. Ndikimet e tij po ndihen. 

Një studim i botuar pas Uraganit Sandy në vitin 2012 arriti në përfundimin se rritja e nivelit të oqeaneve shtoi afërsisht 8 miliardë dollarë dëme shtesë në rajonin e Nju Jorkut. Për më tepër, parashikimet nga Paneli i Ndryshimeve Klimatike të qytetit tregojnë se, deri në vitin 2050, nivelet e detit mund të rriten me 28 deri në 53 centimetra shtesë. Kjo do të rrisë frekuencën e të ashtuquajturave “përmbytje të ditëve me diell”, kur baticat jashtëzakonisht të larta shkaktojnë përmbytje edhe pa shi ose stuhi. 

Sipas Kenneth G. Miller, profesor i Shkencave të Tokës dhe Planetare në universitetin Rutgers, mohimi i rritjes së nivelit të detit bazuar në imazhe të izoluara injoron dekada hulumtimi. “Rritja globale prej 3.3 mm në vit dhe rritja lokale në Nju Jork prej 4.5 mm në vit është një fakt i dokumentuar nga satelitët dhe matësit e baticës,” tha ai.

The post Krahasimi i nivelit të ujit në Statujën e Lirisë nuk rrëzon ngrohjen globale appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar bora masive në Rusi që ka kthyer pallatet në pista skish

Pretendimi: Kjo video tregon njerëzit në Rusi që rrëshqasin nga kati i katërt pas një stuhie dëbore

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale dhe media, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon njerëz në Rusi duke rrëshqitur poshtë nga kati i katërt i një godine pasi një stuhi e kishte çuar nivelin e borës në lartësi ekstreme.

Gadishulli Kamchatka i Rusisë u godit nga stuhi dëbore që nga mesi i janarit, të shkaktuara nga një seri ciklonesh nga deti i Okhotskut. Këto stuhi bllokuan hyrjet e shtëpive, duke bllokuar banorët brenda, duke paralizuar transportin dhe aeroportet, dhe duke detyruar mbylljen e shkollave. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik rus, hera e fundit që kishte rënë një dëborë e tillë ishte para më shumë se 30 vitesh.

Si fillim, që në pamje të parë vërehet që njerëzit në video nuk rrëshqasin nga kati i katërt i godinës, por nga shumë më lart, të paktën nga kati i tetë. 

Nëse kjo ju duket e jashtëzakonshme, keni instinkte të mira. Video e mësipërme nuk tregon ngjarje të vërteta. Ajo është krijuar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Kjo tregohet nga elementë të videos që duken të pamundur ose alogjikë. Me një grumbull bore kaq të pjerrët dhe të lartë, njerëzit që përpiqen të rrëshqasin poshtë tij ka shumë të ngjarë të fundosen në dëborë ose të shkaktojnë shembjen e formacionit të brishtë të dëborës.

Gjithashtu, një sy i vëmendshëm mund të konstatojë se dy personat që qëndrojnë në tarracën e pallatit mbajnë të njëjtat ngjyra veshjesh me ata që duken se rrëshkasin në pjesën e poshtme të borës. Këto gabime logjike janë një tjetër shenjë e përdorimit të inteligjencës artificiale. 

Videot AI karakterizohen nga një kinematografi shumë perfekte dhe një metodë dukshëm e panatyrshme e kuadrimit. Ato janë shumë të pastra dhe u mungojnë detajet si elementë të vegjël të qytetit. Detajet e vogla zhduken ose anashkalohen. 

Pamjet reale nga gadishulli tregojnë katet përdhese të mbuluara dhe njerëzit që përpiqen të hapin dyert. Në videon e mësipërme, grumbulli i borës shkon deri në lartësinë e një ndërtese nëntëkatëshe, që do ta bënte atë mbi 60 metra të lartë. Megjithatë, sipas autoriteteve vendase, shtresa e dëborës kishte arritur lartësinë maksimale 2,5 metra në pikat më ekstreme.

Më tej, në Kamchatka, nuk ka ndërtesa banimi shumëkatëshe. Për shkak të rreziqeve, përfshirë ato gjeologjike, Kamchatka karakterizohet nga ndërtesa të ulëta deri në rreth 5 kate.

The post E gjeneruar bora masive në Rusi që ka kthyer pallatet në pista skish appeared first on Faktoje.al.

Sigurim i detyrueshëm nga tërmetet, jashtë skemës përmbytjet dhe zjarret

Shtatë vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, qeveria ende nuk ka miratuar ligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Ministri i Financave, Petrit Malaj, kishte deklaruar se ligji i ri do të miratohej brenda dhjetorit 2025, por drafti vijon pezull.

I paqartë mbetet edhe primi i sigurimit, duke lënë të hapur pyetjen se sa do të paguajnë qytetarët për të siguruar banesat nga tërmeti.

Esmeralda Topi

Në dhjetor 2025, ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se ligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet do të miratohej brenda muajit. Ai e paraqiti nismën si një hap të domosdoshëm për një vend me risk të lartë sizmik, duke theksuar se konsultimet kishin përfunduar dhe se drafti ishte gati për miratim në qeveri.

“Ky projektligj do të miratohet në qeveri këtë muaj.”- deklaroi Malaj, gjatë një interviste televizive.

Pavarësisht këtij zotimi, drafti ende nuk ka marrë dritën jeshile nga Këshilli i Ministrave. Këtë janar, Malaj u detyrua të përsëriste përpara gazetarëve se miratimi do të ndodhte “shumë shpejt”. Ai nuk dhe shpjegime për vonesën,e as një afat të ri. 

Primi i paqartë

Drafti për sigurimin e detyrueshëm u hodh për konsultim publik korrikun e vitit të shkuar.  Në të parashikohet krijimi i një Fondi Kombëtar, organizuar si shoqëri aksionare shtetërore, që do të administrojë skemën.

Ky fond do të mbështetet nga primet e qytetarëve, buxheti i shtetit, risigurimi dhe grante të ndryshme. Por detaji më i ndjeshëm, tarifa/primi që çdo familje do të duhet të paguajë për sigurimin e banesës, mbetet ende i paqartë.

“Primi do të jetë lehtësisht i përballueshëm nga qytetarët shqiptarë. ”- tha Malaj.

Kufiri maksimal i shumës së sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa metodologjia e llogaritjes së primit do të jetë e bazuar në klasifikimin e banesave sipas riskut.

Skema parashikon që buxheti i shtetit të mbulojë primin për personat që përfitojnë ndihmë sociale. Ndërsa njësitë e vetëqeverisjes vendore do të financojnë primin për banesat sociale.

Përjashtohen zjarret dhe përmbytjet

Skema e sigurimit përjashton zjarret dhe përmbytjet, ndonëse Shqipëria goditet çdo vit nga këto fatkeqësi natyrore, duke i lënë qytetarët të pambrojtur përballë rreziqeve të përsëritura.

“Përsa i përket fatkeqësive të tjera natyrore, zjarri, përmbytje e të tjera, ne nuk e kemi të parashikuar në këtë ligj. Pavarësisht se për çështjen e përmbytjeve kemi parashikuar diçka e cila më tej mund të shtjellohet me aktet nënligjore. Por për momentin ligji do të paraqitet vetëm për sigurimin e detyrueshëm nga tërmeti,”-argumentoi ministri i financave Petrit Malaj.

Drafti i konsultuar parashikon mbulim vetëm për banesat dhe seksionet brenda tyre, edhe kur përdoren si zyra apo njësi tregtare, ndërsa ndërtesat e ndërtuara me qerpiç, kallam apo struktura të përkohshme mbeten jashtë skemës.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e ministrit të financave Petrit Malaj se ‘projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet do të kalonte për miratim brenda dhjetorit 2025’, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Sigurim i detyrueshëm nga tërmetet, jashtë skemës përmbytjet dhe zjarret appeared first on Faktoje.al.

E manipuluar kjo foto e Ramës të prangosur nga DEA amerikane

Pretendimi: Kjo foto paraqet kryeministrin shqiptar të arrestuar nga forcat speciale amerikane

Verdikti: E pavërtetë/ Foto e manipuluar

Barbara Halla

Përgjatë janarit, në rrjetet sociale qarkulloi një imazh i kryeministrit shqiptar Edi Rama i arrestuar nga agjentë të Zyrës Federale për Zbatimin e Ligjit të Drograve (DEA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pamjet paraqesin kryeministrin të rrethuar nga persona me uniforma dhe mbishkrimin DEA. Fotoja duket qartësisht që është manipuluar në mënyrë dixhitale (përmes programeve si Photoshop ose AI), por i shtohet rrebeshit të imazheve dhe deklaratave të manipuluara, sipas të cilave ShBA ka nisur hetime ndaj Ramës. 

Fotoja që është marrë për bazë për të krijuar këtë imazh filloi të qarkullonte në mediat sociale në fillim të janarit, pas arrestimit të presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga forcat speciale amerikane. Siç e ka treguar Faktoje, edhe fotoja e Maduros ishte e gjeneruar me AI, dhe postuar për herë të parë nga një përdorues i platformës X/Twitter. Pra, këtu kemi të bëjmë me një imazh të manipuluar dy herë. 

Që nga arrestimi i Maduro me datë 3 janar 2026, në mediat shqiptare janë shpërndarë disa imazhe të manipuluar ose të gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Po ashtu, kanë marrë dhenë dhe disa narrativa sipas të cilave Edi Rama mund të arrestohet nga ShBA në të njëjtën mënyrë si është arrestuar Maduro. Për momentin nuk ka asnjë provë, deklaratë, apo çështje gjyqësore kundër Ramës në SHBA, siç e ka shpjeguar Faktoje në një artikull tjetër ku janë hedhur poshtë këto narrativa.   

Në këtë rast, është e qartë se imazhi në fjalë është një foto e manipuluar apo e gjeneruar me mjete digjitale. Deri në këto momente nuk ka asnjë arsye për të menduar se Rama është arrestuar nga marinsat e ShBA. 

The post E manipuluar kjo foto e Ramës të prangosur nga DEA amerikane appeared first on Faktoje.al.

Rama nuk udhëtoi në ShBA për hetimet ndaj McGonigal

Pretendimi: Kryeministri Edi Rama udhëton në 20 janar drejt ShBA për të dëshmuar në çështjen McGonigal

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Në ditët e para të janarit qarkulloi në media lajmi se kryeministri Edi Rama do të merrej në pyetje nga autoritetet amerikane në lidhje me hetimin mbi ish-agjentin e FBI-së, Charles McConigal. Më konkretisht, pretendohej se Rama do të udhëtonte drejt Uashingtonit më 20 janar për t’u marrë në pyetje dhe për të dëshmuar si “person në dijeni” lidhur me hetimin për korrupsion të zyrtarit amerikan.

Kjo deklaratë, e nisur në një studio televizive në News24, u pasua nga portale të ndryshme dhe më pas u përsërit edhe në diskutimet publike të politikanëve opozitarë duke aluduar se Rama rrezikonte “fatin e Maduro-s” në SHBA.

Pretendime të tilla mbështeten vetëm në burime të paidentifikuara dhe pa prova konkrete, dhe veçanërisht pa asnjë referencë zyrtare nga autoritetet amerikane ose ndonjë njoftim të Departamentit të Drejtësisë ose Ambasadës Amerikane që të konfirmonte një ftesë të tillë apo një thirrje për t’u marrë në pyetje një kryeministri në detyrë.

Me kalimin e datës 20 janar, nuk pati asnjë njoftim nga qarqe zyrtare që Rama kishte shkuar në Uashington, as që ai ishte marrë në pyetje apo kishte një seancë gjyqësore në ndonjë gjykatë federale amerikane. Në këtë ditë, Rama iu përgjigj ftesës së marrë nga presidenti Trump për të qënë pjesë e Bordit të Paqes, ndërkohë që një ditë më pas u shfaq publikisht në Kryeministri me familjarët e viktimave dhe në homazhet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në 15-vjetorin e protestës së 21 janarit.

Vetë Rama i ka ironizuar pretendimet për një gjyq amerikan, duke i quajtur fantazi të opozitës dhe duke mohuar ekzistencën e çështjeve penale kundër tij në SHBA. Këto pretendime, siç e ka treguar Faktoje, janë shtuar që prej arrestimit të presidentit venezuelian, Nicolas Maduro me datë 3 janar, por nuk bazohen në fakte apo deklarata zyrtare. 

The post Rama nuk udhëtoi në ShBA për hetimet ndaj McGonigal appeared first on Faktoje.al.

Pavarësisht gëzimit për foshnjën, Romeo Veshaj nuk u bë baba

Pretendimi: Aktori dhe moderatori Romeo Veshaj është bërë baba për herë të parë

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Lajmi se aktori Romeo Veshaj është bërë baba për herë të parë ka ngjallur interes të lartë te lexuesit. Pretendimi (link, link, link) shoqërohet me disa fotografi ku Veshaj shihet duke mbajtur në krahë një foshnjë të porsalindur, si edhe me imazhe të tij së bashku me Heidi Bacin, partneren e tij prej edicionit të Big Brother Vip 3. Gjatë ditëve të para pas publikimit në Facebook, figurojnë mbi 195 mijë shikime të këtij njoftimi për çiftin e dashur të ekranit. Megjithatë, ky pretendim që do ketë gëzuar shumë nëna shqiptare, nuk është i saktë.

Sipas raportimeve të mediave të tjera dhe informacionit të konfirmuar nga familja, foshnja e porsalindur nuk është vajza e Romeo Veshajt. Bëhet fjalë për vajzën e vëllait të tij, Mario, i cili së bashku me partneren, janë bërë prindër për herë të parë. Lajmi për lindjen e vajzës është bërë publik dhe është pritur me entuziazëm, duke shënuar një moment të rëndësishëm për familjen Veshaj.

Fotografitë nga materniteti, ku shfaqen Romeo pranë foshnjës, kanë kontribuar në keqinterpretimin e situatës. Një tjetër element që rrëzon pretendimin është mospërputhja mes personave të shfaqur në fotografi. Gruaja e fotografuar në shtratin e spitalit, e cila ka lindur foshnjën, është brune dhe identifikohet si Kristina Mere. Ndërkohë, në postimin viral janë përfshirë qëllimisht edhe fotografi të Romeo Veshajt me Heidi Bacin, që nuk ka asnjë ngjashmëri me nënën e re në fotot e publikuara.

Mediat rozë kanë folur për një ndarje të çiftit prej më shumë se një viti duke e rënduar më tej keqpërdorimin që është bërë në këtë rast me dy personazhet e ekranit.  

The post Pavarësisht gëzimit për foshnjën, Romeo Veshaj nuk u bë baba appeared first on Faktoje.al.

Vendimi i KQZ në Kosovë për rinumërim dhe jo zgjedhje të parakohshme

Pretendimi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka vendosur të mbahen zgjedhje të parakohshme

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————————

Një postim i 19 janarit në Facebook jep lajmin: “Zgjedhje të parakohshme! KZQ sapo mori vendimin e PAPRITUR”, ndërsa fton lexuesit të marrin vesh më shumë duke klikuar lidhjen në komente.

Lajmi patjetër do të sjellë interes për publikun kosovar, i cili votoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28  dhjetor 2025, më pak se një muaj më parë, zgjedhje që u mbajtën pasi legjislatura e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dështoi të konstituonte përbërjen e re të Kuvendit për muaj të tërë, duke e lënë vendin pa parlament funksional.

Megjithatë, votuesit kosovarë nuk duhet të gëzohen apo hidhërohen. Lajmi nuk është i vërtetë. 

Artikulli që referohet në komente përmban tekstin identik të një artikulli të Radio Evropa e Lirë me titull: “KQZ vendos për rinumërim të plotë të votave.” Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vendosur që do të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në 28 komuna për këto zgjedhje. 

Qartazi, në titull të artikullit është përmendur tërthorazi emërtimi “zgjedhje të parakohshme”, i cili i referohet zgjedhjeve të 28 dhjetorit, dhe vendimit të fundit të KQZ në Kosovë për të rinumëruar votat e këtyre zgjedhjeve. 

Titulli i paqartë i lajmit që synon të krijojë idenë e zgjedhjeve të parakoshme, keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve, reagimeve dhe komenteve.

The post Vendimi i KQZ në Kosovë për rinumërim dhe jo zgjedhje të parakohshme appeared first on Faktoje.al.

❌