Reading view

Ekskluzive: William Walker u shkruan liderëve politikë, propozon Faton Bislimin për President të Kosovës



Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori në pension William G. Walker, u është drejtuar me një letër liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, duke propozuar Faton “Tony” Bislimin si kandidat për President të Kosovës, shkruan Telegrafi.

Telegrafi ka siguruar letrën e ambasadorit Walker, në të cilën diplomati amerikan shpreh shqetësimin e tij për, siç e cilëson, bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Siç merr vesh Telegrafi, letra u është dërguar të gjithë liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me kërkesën që emri dhe kualifikimet e Bislimit të merren në konsideratë gjatë diskutimeve për presidentin.

telegrafi.com

Letra është konfirmuar për Telegrafin, nga persona afër ambasadorit amerikan Wollker.

“Si mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar, ashtu siç jam i bindur se jeni edhe ju dhe qytetarët e Kosovës, për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri”, thuhet në letrën e Walkerit.

"Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë meritojnë të merren në konsideratë, por, sipas vlerësimit tim, asnjëri prej tyre nuk i përmbush në tërësi aftësitë, përvojën dhe profilin personal që kërkon posti i Presidentit. Prandaj, më lejoni të propozoj një emër.

Për më shumë lexo letrën e plotë:

Nga: Ambasadori (në pension) William G. Walker

Lënda: Propozim për kandidaturë për President të Kosovës

Si mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar, ashtu siç jam i bindur se jeni edhe ju dhe qytetarët e Kosovës, për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nuk besoj se zgjedhje të tjera do të sillnin qartësi apo zgjidhje për këtë situatë, e aq më pak ta rikthenin Kosovën në rrugën e një qeverisjeje efektive.

Në mënyrë që institucioni i Presidencës ta ushtrojë me sukses rolin e tij, Kosovës i nevojitet një person me aftësi të veçanta dhe me përkushtim të fuqishëm për ta avancuar vendin drejt pozitës që i takon në botë.

Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë meritojnë të merren në konsideratë, por, sipas vlerësimit tim, asnjëri prej tyre nuk i përmbush në tërësi aftësitë, përvojën dhe profilin personal që kërkon posti i Presidentit. Prandaj, më lejoni të propozoj një emër.

Faton “Tony” Bislimin e njoh prej shumë vitesh. Kemi diskutuar shpesh për politikën e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe për vendin e këtij shteti të ri në Evropë dhe në botë. Nuk kam asnjë dyshim për pavarësinë e tij në mendim dhe për aftësinë e tij për t’i artikuluar dhe mbrojtur qartë qëndrimet e veta për çfarëdo çështjeje.

Sipas mendimit tim, ndër emrat që mund të merren në konsideratë, Fatoni i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme, si dhe profilin personal që kërkohet për të qenë një President i suksesshëm.

Më lejoni t’i rendis disa prej cilësive që, sipas meje, janë thelbësore për ushtrimin me sukses të detyrës së Presidentit:

1. Njohja e botës përtej Kosovës

Fatoni ka jetuar, udhëtuar dhe studiuar në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Njohuritë dhe përvoja e tij ndërkombëtare janë të jashtëzakonshme.

2. Formim i shkëlqyer akademik

Studimet e Fatonit në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada kanë qenë të nivelit më të lartë. Po ashtu, aftësitë e tij si edukator dhe ligjërues janë dëshmuar gjerësisht.

3. Aftësitë komunikuese.

Fatoni zotëron në mënyrë të plotë shqipen dhe anglishten, ndërsa, me sa di, edhe frëngjishten.

4. Njohje e thellë e procesit të shtetformimit të Kosovës

Fatoni ka njohuri dhe kuptim të jashtëzakonshëm për rrugëtimin e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës së viteve ’90, si dhe për proceset komplekse dhe personalitetet që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Ai ka pasur gjithashtu kontakte personale me shumë prej akterëve të përfshirë.

5. Personaliteti

Fatoni i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme sociale. Di të jetë i afërt dhe serioz kur situata e kërkon, por edhe të sjellë lehtësi dhe humor kur është e nevojshme. Janë të paktë ata që largohen nga një bisedë me Fatonin të zemëruar apo të pakënaqur, pavarësisht dallimeve në argumente apo pikëpamje. Pikërisht ky është lloji i personalitetit që kërkohet për një Presidencë të suksesshme.

6. Kandidat i konsensusit

Kosova ka nevojë të madhe për një President që perceptohet si përfaqësues i vendit në tërësi, jo i një partie, i një individi apo i një qëndrimi të ngurtë politik për çdo çështje. Fatoni nuk përfaqëson interesa partiake. Ai përfaqëson bindjet e veta dhe përkushtimin për një Kosovë më të mirë.

Me një fjalë, sipas mendimit tim, Fatoni i posedon të gjitha cilësitë e nevojshme për të qenë një President i suksesshëm i Kosovës.

Kërkoj vetëm që emri dhe kualifikimet e tija të merren në konsideratë gjatë diskutimeve tuaja.

Me respekt dhe me urimet më të mira,

Amb. William G. Walker

Shënim: Kjo letër u është dërguar të gjithë liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, në ndërkohë deri në publikimin e letrës nuk është konfirmuar nga LVV, PDK, LDK e AAK që e njëjta ka arritur në adresën e tyre.

Ndryshe Faton Bislimi aktualisht jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe punon e avokon për çështjen e shqiptarëve. /Telegrafi/.

  •  

“Serbia po armatoset me armë sulmuese” – Kroacia kërkon presion ndërkombëtar ndaj Beogradit



Tensionet politike ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë janë përshkallëzuar pas deklaratave të zyrtarëve të lartë kroatë për armatosjen e përshpejtuar të Serbisë, ndërsa nga Zagrebi tashmë po kërkohet që partnerët perëndimorë të ushtrojnë edhe presion politik ndaj Beogradit, shkruan Telegrafi.

Kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviq, dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, kanë ngritur publikisht shqetësimin për kapacitetet ushtarake që Serbia po ndërton, duke kërkuar që për këtë çështje të informohen aleatët e Kroacisë. Deklaratat e tyre kanë nxitur reagimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa në polemikë është përfshirë edhe ministri kroat i Ekonomisë, Ante Shushnjar.

Jandrokoviq, duke folur para ambasadorëve, konsujve dhe atasheve ushtarakë kroatë në konferencën e tyre vjetore në Zagreb, tha se Serbia nuk po pajiset vetëm me mjete mbrojtëse.

“Serbia po armatoset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me armë ofensive, sulmuese. Dhe këtë duhet t’ua themi aleatëve tanë perëndimorë. Nuk duhet të ikim nga kjo...”, deklaroi ai, shkruajnë mediat në Kroaci, transmeton Telegrafi.

Sipas Jandrokoviqit, elitat e reja politike në disa prej vendeve perëndimore nuk e njohin sa duhet historinë e ish-Jugosllavisë, politikën e Sllobodan Millosheviqit dhe rreziqet që, sipas tij, mund të dalin nga zhvillimet aktuale në rajon. Ai kërkoi që diplomacia kroate të jetë më aktive në shpjegimin e këtyre çështjeve te partnerët ndërkombëtarë.

“Večernji list” shkruan se shqetësimet kroate janë shtuar edhe pas modernizimit të shpejtë të ushtrisë serbe gjatë viteve të fundit. Veçanërisht reagime në Kroaci kishte shkaktuar vendimi i Francës për t’i shitur Serbisë 12 avionë luftarakë Rafale. Presidenti kroat Zoran Milanoviq gjithashtu kishte kritikuar më herët aleatët perëndimorë për furnizimin e Beogradit me armë.

Megjithatë, gazeta kroate vë në pah edhe një problem të diplomacisë së Zagrebit: Kroacia aktualisht nuk ka ambasador në Paris dhe as në Londër, ndërkohë që pikërisht këto kryeqytete janë ndër adresat kryesore ku autoritetet kroate duan ta përcjellin mesazhin për Serbinë.

Anushiq: Duhet të ushtrohet presion politik ndaj Serbisë

Një qëndrim edhe më të drejtpërdrejtë ka mbajtur ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq.

Ai tha se Kroacia duhet t’i informojë vazhdimisht partnerët e saj për armatosjen dhe politikën e Serbisë, në mënyrë që ndaj Beogradit të ushtrohet presion politik.

“Duhet t’i informojmë dhe t’i njohim partnerët tanë me këtë situatë, në mënyrë që ata të ushtrojnë presion politik ndaj Serbisë”, deklaroi Anushiq në konferencën vjetore të diplomatëve dhe përfaqësuesve ushtarakë kroatë në Zagreb.

Ai e lidhi këtë çështje edhe me situatën më të gjerë të sigurisë në Evropë, duke deklaruar se vendet evropiane duhet t’i jenë mirënjohëse Ukrainës pasi, sipas tij, duke iu kundërvënë agresionit rus, ajo po mbron edhe kufijtë e Evropës.

Anushiq foli gjithashtu për modernizimin e ushtrisë kroate, duke deklaruar se synimi është që deri në vitin 2030 Kroacia të ketë një ushtri “plotësisht të pajisur, të fuqishme dhe moderne”, shkruajnë mediat kroate, transmeton Telegrafi.

Ai tha se po zhvillohet një modernizim historik i të tri degëve të forcave të armatosura kroate dhe paralajmëroi zhvillim më të madh të industrisë vendore të mbrojtjes, përfshirë sistemet pa pilot.

Deklaratat nga Zagrebi kanë shkaktuar reagimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ai iu përgjigj Jandrokoviqit, sipas mediave kroate, me ironi, duke thënë se kishte kaluar koha kur, sipas tij, “me ambasadorë mbi tanke dëboheshin njerëzit”, ndërsa u tha kroatëve se do të ishte më mirë ta “ndiqnin atë dhe të mësonin” se si zhvillohet politika.

Pikërisht kjo deklaratë e Vuçiqit hapi një polemikë të re, pasi ministri kroat i Ekonomisë, Ante Shushnjar, doli në mbrojtje të Jandrokoviqit dhe e krahasoi politikën që vjen nga Serbia me një “reality show”.

“E dua humorin britanik dhe serialet politike, por di të shoh edhe ndonjë reality të mirë. Vështirë se mund të gjendet një reality show politik më i mirë se ai që vjen nga fqinjët. Kur mendon se skenari ka arritur kufirin e së mundshmes, të nesërmen vjen një episod i ri”, shkroi Shushnjar në platformën X.

Gledam ovu današnju raspravu i moram se složiti sa savjetom - svojim kolegama u Hrvatskoj stvarno preporučujem da prate predsjednika Vučića. Pogotovo zadnjih dana.

Volim britanski humor i političke serije, ali znam baciti oko i na dobar reality. A bolji politički reality show… pic.twitter.com/Okd4e6WNIw
— Ante Šušnjar (@susnjar_a) August 25, 2026


Ai reagoi veçanërisht ndaj pretendimit të Vuçiqit për një ambasador amerikan mbi tank.

Sipas Shushnjarit, Vuçiq po i referohej ish-ambasadorit amerikan në Kroaci, Peter Galbraith, por ministri kroat tha se faktet ishin ndryshe.

“Unë nuk do të gënjeja aq lehtë për amerikanët”, shkroi ai, duke shtuar se Galbraith “nuk ishte mbi tank”, por ishte në një traktor së bashku me një familje refugjatësh serbë në afërsi të Glinës.

Në fund, Shushnjar e vazhdoi ironinë duke thënë se “reality është një zhanër i pakëndshëm” sepse “kamerat mbajnë mend”, pavarësisht se si interpretohen ngjarjet më vonë.

Përplasja e fundit zhvillohet në një kohë kur raportet mes Zagrebit dhe Beogradit vazhdojnë të jenë të ngarkuara nga çështjet e trashëguara nga luftërat e viteve ’90, dallimet në politikën rajonale dhe diskutimet për orientimin strategjik dhe ushtarak të Serbisë.

Deklaratat e Jandrokoviqit dhe Anushiqit tregojnë se Zagrebi synon që çështjen e armatosjes së Serbisë ta ngrejë edhe në nivel ndërkombëtar, duke kërkuar që aleatët perëndimorë jo vetëm të jenë të informuar, por edhe të ushtrojnë presion politik ndaj Beogradit. /Telegrafi/.

  •  

Ndryshim në krye të KFOR-it, ky është gjenerali që do ta pasojë Ulutash-in



Komandanti aktual i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutash, ka pritur në Shtabin e KFOR-it në Camp Film City, në Prishtinë, një delegacion të rotacionit të ardhshëm KFOR XXXI.

Delegacioni është udhëhequr nga gjeneralmajor Roberto Vergori i Ushtrisë Italiane, i cili është caktuar si komandanti i ardhshëm i KFOR-it, shkruan Telegrafi.

Në takim ka marrë pjesë gjithashtu gjeneral brigade Onur Çakıcı nga Ushtria Turke, i caktuar për të marrë detyrën e zëvendëskomandantit të ardhshëm të KFOR-it.

Sipas njoftimit, delegacioni mori pjesë në programin e trajnimit për udhëheqësit kryesorë (Key Leader Training), i cili synon ta njohë udhëheqjen e ardhshme me stafin e KFOR-it dhe procedurat operacionale të misionit.


Në njoftim thuhet se KFOR-i ka ritheksuar se vazhdon zbatimin e mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.


Misioni i NATO-s thekson se vepron në çdo kohë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë. /Telegrafi/

  •  

Nga “topi i zjarrit” te “sulmi terrorist” – si u ndërtua dhe u përhap narrativa kundër Kosovës në mediat serbe



“Serbia Qendrore nën sulm! Sulm terrorist nga territori i Kosovës: U qëllua një ‘top zjarri’ – ky ishte qëllimi ”, “Top zjarri i hedhur nga Kosova, Serbia Qendrore nën sulm! Dyshohet për një sulm terrorist”, “Një top zjarri u qëllua nga territori i Kosovës drejt Serbisë Qendrore! Qëllimi ishte të shkaktohej zjarr?! ”.

Këta ishin vetëm disa nga titujt e publikuar gjatë dy-tri ditëve të fundit në mediat pro-qeveritare në Serbi, shkruan Telegrafi.

Në një kohë kur janë shtuar lajmet e rreme, dezinformatat dhe keqinformimi në shumë media e faqe të dyshimta, së fundmi edhe disa media me qasje pro pushtetit në Serbi kanë publikuar një informacion të pakonfirmuar, i cili është mohuar nga Policia e Kosovës.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se autoritetet serbe kanë “gjetur” në zonën e Bërnjakut një pajisje me parashutë, për të cilën mediat pro-qeveritare në Serbi pretendojnë se ishte hedhur nga territori i Kosovës me qëllim shkaktimin e një zjarri në Serbi.

Sipas mediave në Serbi, Vuçiq ka thënë gjatë një vizite në Kralevë se pajisja tashmë është në duart e institucioneve serbe dhe se hetimet po vazhdojnë.

“E kemi gjetur atë pajisje me parashutë. Qëllimi është i qartë, por hetimet janë ende duke vazhduar”, ka deklaruar Vuçiq.

Megjithatë, pretendimet se pajisja është hedhur nga territori i Kosovës nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, ndërsa Policia e Kosovës i ka mohuar ato.

Si nisi pretendimi për “topin e zjarrit”?

Sipas portalit në gjuhën serbe në Kosovë, Kossev, historia nisi më 23 gusht nga tabloidi serb Informer, i cili publikoi një artikull duke pretenduar se një “pajisje ndezëse”, të cilën e përshkroi si “top zjarri”, ishte hedhur nga Kosova drejt Serbisë Qendrore.

Informer njihet për qasje të ashpër ndaj Kosovës dhe për mbështetje ndaj pushtetit në Serbi.

Informer publikoi edhe një video, për të cilën pretendoi se tregonte pajisjen duke fluturuar drejt territorit serb, si dhe një fotografi të një objekti që thuhej se ishte gjetur në Bërnjak.

Pretendimi u përhap shpejt në një numër mediash të tjera serbe, mes tyre Blic, Alo, Srbija Danas etj. Disa prej tyre e paraqitën rastin që në tituj si një “sulm terrorist” apo si dyshim për një sulm të tillë.

Lajmi për këtë ngjarje dhe reagimet ndaj saj morën vëmendje edhe në mediat në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.





Por, çfarë tha Policia e Kosovës?

Policia e Kosovës reagoi pas përhapjes së pretendimeve në mediat serbe, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Në reagimin e saj, Policia tha se asnjë institucion i Kosovës nuk ka përdorur armën apo pajisjen që po përshkruhej në media.

“Asnjë lloj arme e tillë siç është paraqitur në media nuk është përdorur nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe nuk ka asnjë njoftim nga njësitë e Policisë së Kosovës se kanë vërejtur diçka të tillë që është hedhur nga territori i Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë”, thuhej në reagim, transmeton Telegrafi.

Policia tha se reagimi ishte bërë me qëllim të “informimit të saktë dhe parandalimit të përhapjes së dezinformatave”.


Sipas Policisë, pretendime të ngjashme nga Serbia janë shfaqur edhe më herët dhe synojnë që Kosova të paraqitet para faktorit ndërkombëtar si përgjegjëse për zhvillime negative në zonën kufitare.

Policia Kufitare, sipas njoftimit, vazhdon patrullimin dhe monitorimin e zonës, ndërsa disa patrullime realizohen edhe së bashku me KFOR-in./Telegrafi/.

  •  

Media kroate: Një pikë kthese në Ballkan, Vuqiç është gati të përdorë edhe skenarin më të errët



Ballkani Perëndimor po hyn në një vjeshtë politikisht të tensionuar, me Kosovën në një ngërç politik, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën para zgjedhjeve, ndërsa rajoni vazhdon të jetë në mes të interesave të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, shkruan Telegrafi.

Kështu e nis analizën media kroate “Jutarnji list”, duke vlerësuar se KFOR-i vazhdon të jetë një nga faktorët kryesorë për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe, rrjedhimisht, në rajon.

Media kroate rikujton deklaratat e muajit prill, kur pas një takimi në Zagreb kushtuar bashkëpunimit trepalësh Kroaci-Shqipëri-Kosovë ishte theksuar rëndësia e KFOR-it dhe stabilitetit të Kosovës për paqen rajonale.

Në qershor, sipas artikullit, nga Brukseli erdhi njoftimi se NATO do ta përshtaste gradualisht praninë e KFOR-it gjatë vitit të ardhshëm, duke marrë parasysh situatën e qëndrueshme të sigurisë. Megjithatë, Jutarnji shkruan se më pas situata pësoi tensione të reja.

Në këtë kontekst përmendet paralajmërimi për zvogëlimin e pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, çështje që ka nxitur reagime në Serbi. Po ashtu, përmenden rrënimet e objekteve në zonën e Liqenit të Ujmanit dhe deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, shkruan Telegrafi.

Media kroate e lidh këtë retorikë edhe me faktin se Vuçiq tashmë ka hyrë në fushatë zgjedhore.

Jutarnji për krizën politike në Kosovë

Një pjesë e konsiderueshme e analizës i kushtohet zhvillimeve politike në Kosovë.

Media kroate shkruan se vendi ndodhet prej rreth 18 muajsh në krizë politike dhe përmend zgjedhjet e shkurtit 2025, ato të dhjetorit dhe zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar problemet e vazhdueshme me konstituimin e institucioneve.

Në artikull citohet edhe Azem Vllasi, i cili, duke komentuar qasjen e Albin Kurtit ndaj pushtetit, kishte thënë se Kurti “dëshiron të dominojë në pushtet sepse merr më së shumti vota në zgjedhje”.

Zgjedhjet e reja u mbajtën në dhjetor, Kurti fitoi shumicën, por tani ata nuk kanë arritur të zgjedhin një president të ri, gjë që kërkon 80 vota. Zgjedhjet e treta në gjashtëmbëdhjetë muaj u mbajtën më 7 qershor. Dhe asgjë nuk është zgjidhur, Kuvendi përsëri dështon të zgjedhë një udhëheqje dhe zgjedhjet e katërta në më pak se dy vjet janë të kërcënuara. Cirku që Kosova i paraqet botës është në një dritë të keqe për shkak të kokëfortësisë së Kurtit, shkruan ky medium kroat.

Megjithatë, sipas analizës, zgjedhjet eventuale të reja në Kosovë nuk pritet të kenë ndikim të madh në stabilitetin rajonal, pasi “KFOR-i garanton paqen”.

Vuçiq para zgjedhjeve dhe paralajmërimi për një skenar të rrezikshëm

Vëmendje e veçantë i kushtohet zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të paralajmëruara për 18 ose 25 tetor.

Sipas Jutarnjit, Vuçiq tashmë ka vënë në lëvizje aparatin institucional dhe mediatik për të siguruar fitoren e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), ndërsa pritet të jetë pjesë e listës së saj.

Analiza paralajmëron për një situatë potencialisht të rrezikshme nëse si pushteti, ashtu edhe opozita, shpallin fitoren pas zgjedhjeve dhe opozita pretendon se rezultati është manipuluar.

Sipas autorit, në një skenar të tillë nuk duhet përjashtuar mundësia që Vuçiq t'i akuzojë kundërshtarët se nuk po respektojnë standardet demokratike dhe të përdoret forcë për pengimin e protestave. Për këtë arsye, Jutarnji e konsideron veçanërisht të rëndësishme praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë, në veçanti atyre të BE-së.

Edhe Bosnja para një testi të madh

Zgjedhjet në Bosnjë dhe Hercegovinë janë një tjetër pikë e rëndësishme e analizës. Jutarnji parashikon beteja të forta politike brenda të tri komuniteteve konstituive.

Opozita serbe synon ta largojë nga pushteti SNSD-në e Milorad Dodikut, ndërsa SDA synon rikthimin në pushtetin qendror. Në të njëjtën kohë, partitë kroate shpresojnë që këtë herë të arrijnë të zgjedhin kandidatin që ato e konsiderojnë përfaqësues legjitim kroat në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës.

Rusia synon ta ruajë ndikimin në Beograd dhe Banja Llukë

Analiza trajton gjithashtu përplasjen e interesave të fuqive të mëdha në Ballkan.

Sipas Jutarnjit, Rusia synon ta ruajë ndikimin e saj në Beograd dhe Banja Llukë, ndërsa Kina e sheh Serbinë si platformë për forcimin e pranisë së saj. SHBA-ja, nga ana tjetër, e ka vendosur stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe paprekshmërinë e kufijve të Bosnjë e Hercegovinës ndër prioritetet kryesore rajonale.

Në këtë kontekst përmendet edhe varësia energjetike nga Rusia, e cila, sipas një dokumenti të Departamentit amerikan të Shtetit të cituar nga Jutarnji, mbetet një dobësi strategjike për rajonin.

Për dallim nga Kosova, Serbia dhe Bosnja, media kroate vlerëson se situata në Mal të Zi është stabilizuar ndjeshëm, duke ia atribuar një pjesë të kësaj edhe anëtarësimit të vendit në NATO dhe perspektivës së integrimit në BE.

Në përfundim, analiza e Jutarnji list e paraqet vjeshtën e vitit 2026 si një periudhë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor: Kosova përballet me ngërç institucional, Serbia me zgjedhje potencialisht të tensionuara, Bosnja me përplasje të forta politike, ndërsa NATO, BE-ja, SHBA-ja dhe Rusia vazhdojnë të kenë interesa të drejtpërdrejta në stabilitetin dhe orientimin e rajonit./Telegrafi/.

  •  

Kosova importon shumë më tepër sesa eksporton – eksporti mbulon vetëm 14.5% të importit



Kosova vazhdon të përballet me një hendek të madh ndërmjet importit dhe eksportit. Vetëm gjatë muajit korrik 2026, në vend u importuan mallra në vlerë prej 720.5 milionë eurosh, ndërsa eksportet arritën në vetëm 104.8 milionë euro, shkruan Telegrafi.

Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), eksporti arriti të mbulojë vetëm 14.5 për qind të importit, ndërsa deficiti tregtar për muajin korrik arriti në 615.7 milionë euro.

Krahasuar me korrikun e vitit 2025, megjithatë, eksportet kanë shënuar një rritje dukshëm më të shpejtë sesa importet.

“Eksporti i mallrave në muajin korrik 2026 kishte vlerën 104.8 milionë euro, ndërsa importi 720.5 milionë euro, që është një rritje prej 25.0% për eksport, si dhe një rritje prej 9.1% për import”, thuhet në komunikatën e ASK-së, transmeton Telegrafi.

Pavarësisht rritjes së eksporteve, deficiti tregtar është thelluar. Në korrik të vitit të kaluar ai ishte 576.4 milionë euro, ndërsa këtë vit është rritur në 615.7 milionë euro, apo për 6.8 për qind.

Çfarë eksporton më së shumti Kosova?

Metalet vazhdojnë të dominojnë eksportet e Kosovës. Sipas ASK-së, 27.8 për qind e të gjitha eksporteve gjatë korrikut përbëheshin nga metalet bazë dhe artikujt prej tyre, shkruan Telegrafi.

Pas tyre renditen ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12.7 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10.1 për qind, produktet minerale me 9.5 për qind, ndërsa artikujt e ndryshëm të prodhuar përbënin 7.1 për qind të eksporteve.

Në anën tjetër, në strukturën e importeve dominojnë produktet minerale me 15.7 për qind, të pasuara nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 13.3 për qind. Makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike përbënin 12.4 për qind, ndërsa mjetet e transportit 11.5 për qind të importeve.

Gati gjysma e eksporteve shkuan në vendet e CEFTA-s

Një tjetër statistikë interesante lidhet me destinacionin e produkteve kosovare. 48 për qind e të gjitha eksporteve të Kosovës gjatë korrikut shkuan në vendet e CEFTA-s.

Vlera e eksporteve drejt këtyre vendeve arriti në 50.3 milionë euro, duke shënuar rritje prej 27.4 për qind.

Partneri kryesor në CEFTA ishte Maqedonia e Veriut, me 16.9 për qind të eksporteve të përgjithshme të Kosovës, e ndjekur shumë afër nga Shqipëria me 16.7 për qind. Serbia përbënte 6.7 për qind, ndërsa Mali i Zi 5.1 për qind.

Gjermania, partneri kryesor brenda BE-së

Në vendet e Bashkimit Evropian, Kosova eksportoi mallra në vlerë prej 31.5 milionë eurosh, që përbënin 30.1 për qind të eksporteve totale. Eksportet drejt BE-së u rritën me 9.6 për qind.

Gjermania ishte destinacioni kryesor evropian, duke përfaqësuar 9.6 për qind të eksporteve të përgjithshme, pasuar nga Italia me 3.1 për qind dhe Holanda me 2.9 për qind.

Por dallimi është shumë më i madh kur shikohet importi: nga vendet e BE-së Kosova bleu mallra në vlerë prej 303.4 milionë eurosh, ose 42.1 për qind të të gjitha importeve. Vetëm Gjermania përbënte 12.8 për qind të importeve të Kosovës.

Turqia dhe Kina dominojnë importet jashtë BE-së dhe CEFTA-s

Kosova importoi 328.2 milionë euro mallra nga vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s, që përfaqësojnë plot 45.6 për qind të importeve totale

Në këtë kategori dominojnë Turqia me 13.5 për qind dhe Kina me 13.3 për qind të importeve të përgjithshme të Kosovës. Ndërkaq, te eksportet drejt vendeve të tjera dallohen Zvicra me 7.8 për qind dhe Turqia me 4.3 për qind.

Në total, vetëm gjatë korrikut, Kosova realizoi rreth 825.3 milionë euro tregti të mallrave me jashtë, por për çdo 100 euro mallra të importuara, vendi eksportoi vetëm rreth 14.5 euro./Telegrafi/.

  •  

Murphy reagon ndaj thirrjes që SHBA-ja ta njohë pavarësinë e Republika Serbe: “Çmenduria më e madhe e shkruar për Bosnjën”, përmend edhe Kosovën



Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bosnjë dhe Hercegovinë, Michael Murphy, ka reaguar ndaj një shkrimi të autorit izraelit Jose Lev Alvarez, në të cilin argumentohet se administrata e Donald Trumpit duhet ta njohë pavarësinë e Republika Srpska, shkruan Telegrafi.

Artikulli i publikuar në Washington Examiner mban titullin “Lëreni Bosnjën të shpërbëhet: Pse Donald Trump duhet ta njohë Republikën Serbe të pavarur”.

Murphy pretendon se shkrimi është pjesë e përpjekjeve më të gjera lobuese për të ndryshuar narrativën rreth Bosnjë dhe Hercegovinës në Washington, raporton Klix.ba.

Sipas tij, gjatë vitit të fundit janë publikuar një numër “analizash” për Bosnjën, shumë prej të cilave, siç pretendon ai, janë shkruar nga lobistë të paguar për të promovuar mite etnonacionaliste dhe dezinformata për vendin dhe historinë e tij.

Megjithatë, Murphy e cilësoi shkrimin e Alvarez si më ekstrem se të tjerët.

“Ky ‘shkrim analitik’ është bindshëm më i çmenduri”, ka deklaruar ish-ambasadori amerikan.

Murphy, me ironi, tha se nga artikulli mund të nxirren edhe disa ide, duke përmendur mundësinë që anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës të propozojnë njohjen e Kosovës, si dhe t'u ofrojnë Shteteve të Bashkuara mundësinë për krijimin e një baze ushtarake në vend.

"Disa anëtarë të Presidencës së B&H ndoshta mund të përpiqen të zbatojnë disa nga idetë e tij duke propozuar një vendim që B&H të njohë Kosovën, si dhe një vendim tjetër që do t'u ofronte SHBA-ve një bazë në B&H. Forcat amerikane mund të ktheheshin në Tuzla, ku ishin të stacionuara për vite me radhë pas luftës, ose të krijonin një bazë në Brçko. Të dyja do të ishin në kohën e duhur", shtoi ish-ambasadori i SHBA-së, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, forcat amerikane mund të riktheheshin në Tuzla, ku kishin qenë të stacionuara për vite pas luftës, ose të krijonin një bazë në Brçko.

Në artikullin e tij, Alvarez argumenton se SHBA-ja duhet ta njohë pavarësinë e Republika Serbe, ndërsa ndër pretendimet e tij është se serbët janë “të bllokuar në një shtet artificial” dhe se eksperimentet multietnike në Ballkan kanë dështuar.

Klix.ba thekson se nuk është konfirmuar nëse shkrimi është pjesë e aktiviteteve lobuese të lidhura me kompani të paguara nga Qeveria e Republika Srpska, pasi publikimi nuk përmban ndonjë tregues të qartë se bëhet fjalë për përmbajtje të sponsorizuar./Telegrafi/.

  •  

Prania e KFOR-it te Ura e Ibrit, Maqedonci: Serbia po përpiqet të krijojë artificialisht krizë




Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë përshtatjen e pranisë së misionit në urën mbi lumin Ibër, është reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve vendore të sigurisë.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka theksuar se ky proces bazohet në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk nënkupton zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Kosovë.

“Optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë përshtatjen e pranisë në urën mbi Ibër, është para së gjithash reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe i rritjes së kapaciteteve të institucioneve tona të sigurisë. Ky është një proces i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.

Sipas tij, Kosova ndër vite ka ndërtuar institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë, ndërsa bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdon të jetë i ngushtë.

Ministri i Mbrojtjes ka reaguar edhe ndaj deklaratave të udhëheqjes së Serbisë lidhur me zhvillimet e fundit rreth pranisë së KFOR-it.

Sipas Maqedoncit, përpjekjet e lidershipit serb për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi të një situate të paqëndrueshme në Kosovë nuk përputhen me realitetin në terren.

“Përkundrazi, ato synojnë të krijojnë perceptimin e një krize atje ku vlerësimet profesionale të sigurisë tregojnë progres”, ka thënë ai.

Maqedonci ka vlerësuar se kjo narrativë e udhëheqjes politike dhe ushtarake të Serbisë duhet parë edhe në kontekstin e zhvillimeve të tjera të fundit.



Sipas tij, ajo synon gjithashtu të zhvendosë vëmendjen nga çështje që kërkojnë përgjigje dhe përgjegjësi, duke përmendur gjetjet lidhur me varrezën masive në Kalludër, zbulimin e armëve dhe pajisjeve në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, si dhe veprimet e institucioneve të Kosovës kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subversive.

“Në vend të narrativave që prodhojnë frikë dhe tension, rajoni ynë ka nevojë për përgjegjësi, transparencë dhe respektim të fakteve. Republika e Kosovës nuk është burim i destabilitetit”, ka shkruar Maqedonci.


Ai ka shtuar se Kosova është shtet demokratik dhe partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe aleatëve të saj, si dhe kontribuuese në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Në fund, Maqedonci ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët strategjikë për forcimin e kapaciteteve dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët.

“Siguria dhe stabiliteti i qëndrueshëm ndërtohen mbi fakte, bashkëpunim dhe përgjegjësi institucionale – jo mbi dezinformim, narrativa të frikës dhe përpjekje për krijimin artificial të krizave”, ka përfunduar Maqedonci. /Telegrafi/

  •  

Shpjegim: Fundi i një simboli të ndarjes? Ura e Ibrit, presioni i Vuçiqit, qëndrimi i NATO-s dhe vlerësimet e ekspertëve – çfarë dihet deri tani?



Kanë kaluar 27 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ura mbi lumin Ibër, e cila për vite me radhë ka simbolizuar ndarjen mes pjesës jugore dhe asaj veriore të Mitrovicës, mund të hyjë në një fazë të re.

Së fundmi është diskutuar mundësia që ura të hapet gradualisht për qarkullimin e automjeteve, ndërsa përgjegjësitë për sigurinë në këtë zonë të kalojnë gradualisht nga forcat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, te institucionet vendore të sigurisë.

Kjo çështje ka nxitur reagime nga institucionet e Serbisë dhe veçanërisht nga presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, i cili, në një periudhë kur Serbia po përgatitet për zhvillime të reja zgjedhore, po e rikthen gjithnjë e më shumë çështjen e urës në diskursin e tij publik, duke e përdorur edhe për qëllime të brendshme politike.


Presidenti i Serbisë ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar nga Aleanca që të mos lejojë hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.


Vuçiq ka deklaruar se nga KFOR-i ka kërkuar gjithashtu që të ndërhyjë për të ndalur atë që ai e ka cilësuar si “terror ndaj serbëve”, duke përmendur arrestimet, dëbimet dhe rrënimin e shtëpive.

Në anën tjetër, sipas ekspertëve të sigurisë dhe njohësve të zhvillimeve politike në Kosovë, presidenti serb ka ashpërsuar retorikën kundër planeve për hapjen e urës, ndërsa letra zyrtare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s po shihet si një përpjekje për ta ngritur këtë çështje nga niveli lokal në arenën më të lartë ndërkombëtare dhe diplomatike.

Sipas tyre, Beogradi synon që situata në veri të mbetet e ngrirë dhe ura të vazhdojë ta ruajë kuptimin e saj politik si simbol i ndarjes së qytetit.

Arben Fetoshi, drejtor i Institutit OCTOPUS, ka reaguar gjithashtu ndaj letrës që Vuçiq i ka dërguar Mark Rutte lidhur me hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.


Në një analizë të publikuar me titullin “Letra e Vuçiqit në shtabin e demantimit – Një ankesë drejtuar NATO-s, kundër NATO-s”, Fetoshi vlerëson se letra e presidentit serb paraqet një përpjekje të Serbisë për ta ruajtur kuptimin politik të urës si simbol i ndarjes dhe për ta paraqitur si kërcënim një proces që, sipas tij, NATO e konsideron përmirësim të sigurisë.

Ekspertët e sigurisë në Kosovë kanë vlerësuar se letra e presidentit serb përfaqëson një përpjekje të Serbisë për ta ruajtur simbolikën politike të urës si vijë ndarëse dhe për ta paraqitur si kërcënim një proces që, sipas NATO-s, lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë.

Kjo çështje pritet të marrë një dimension edhe më të madh politik në Serbi, veçanërisht në kuadër të zhvillimeve zgjedhore dhe debatit të brendshëm politik.

Çfarë deklaroi NATO?

Ndërkohë, për këtë çështje është deklaruar edhe NATO. Në një përgjigje ekskluzive për Telegrafin, një zyrtar i NATO-s ka bërë të ditur se Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, është në kontakt të rregullt me presidentin serb.

Sipas zyrtarit të NATO-s, KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore në Mitrovicë, në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Ky proces, sipas tij, është pjesë e optimizimit të pozicionimit të KFOR-it dhe po zhvillohet me transparencë të plotë me të gjithë akterët e përfshirë, nën udhëheqjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të Komandantit të KFOR-it, Gjeneralmajorit Ulutaş.

“Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushtet dhe i kthyeshëm nëse këtë e kërkojnë zhvillimet përkatëse të sigurisë”, ka thënë zyrtari i NATO-s për Telegrafin.


Ai ka bërë të ditur se procesi po koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.

Po ashtu, sipas tij, edhe akterët lokalë janë angazhuar dhe informuar rregullisht për këtë proces, përfshirë Listën Serbe.

Zyrtari ka bërë të ditur se komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ulutaş, është takuar më 11 gusht me përfaqësuesit e Listës Serbe, me kërkesën e tyre.

“Gjeneralmajori Ulutaş vazhdon të mbajë kontakte të ngushta me të gjithë homologët e tij kryesorë në institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

Ai ka theksuar se personeli i KFOR-it është i pozicionuar në mënyrë të tillë që të mund t’u përgjigjet zhvillimeve të mundshme të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, dhe do të vazhdojë kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet”, ka deklaruar zyrtari i NATO-s.

Sa i përket mundësisë së rihapjes së urës mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve, NATO ka bërë të ditur se çdo vendim duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve lokale.

“Çdo vendim për rihapjen e mundshme të urës për trafikun e automjeteve duhet të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”, ka thënë zyrtari.

KFOR-i, sipas tij, vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të vitit 1999, me qëllim garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Ai ka shtuar se KFOR-i vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë, në mënyrë që të mund të avancojnë përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Bashkimi Evropian.

Për komentet e mëtejshme lidhur me statusin e urës, NATO i është referuar Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës.

Ndërkaq, zyrtari i NATO-s ka sqaruar se KFOR-i nuk ka mandat për zbatimin e ligjit, por bashkëpunon ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës, në përputhje me standardet operacionale dhe parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve.

“KFOR-i mban një prani të fuqishme dhe të dukshme në veri të Kosovës, në dobi të të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ekipet ndërlidhëse dhe monitoruese të KFOR-it vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme në të gjithë Kosovën, përmes kontakteve të rregullta me komunitetet lokale, në mënyrë që misioni të jetë i pozicionuar për t’iu përgjigjur nevojave lokale të sigurisë në përputhje me mandatin e tij.

Në këtë mënyrë, çështja e Urës së Ibrit po rikthehet sërish në qendër të debatit politik dhe të sigurisë. Përderisa KFOR-i po flet për një tranzicion gradual dhe të bazuar në situatën e sigurisë, Beogradi po kërkon që ura të mos hapet për automjete.

Debati pritet të vazhdojë, ndërsa vendimi përfundimtar për të ardhmen e urës mund të ketë jo vetëm ndikim praktik në lirinë e lëvizjes në Mitrovicë, por edhe peshë të konsiderueshme politike në raportet Kosovë–Serbi.

Çfarë po kërkon Serbia?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se pret që deri të hënën ose të martën të marrë përgjigje nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, lidhur me letrën që i ka dërguar për situatën në Kosovë dhe Urën e Ibrit.

Gjatë një vizite në Vladimirci, Vuçiq ka thënë se beson se Rutte do t’i përgjigjet dhe se pret që mes tyre të zhvillohet edhe një bisedë telefonike.

Ai ka thënë se përmes letrës ka dashur të mbetet një gjurmë e shkruar se kishte paralajmëruar për pasojat e asaj që ai e ka cilësuar si “veprim të egër të shqiptarëve dhe të Kurtit”.

Vuçiq është shprehur i bindur se do të marrë përgjigje nga kreu i NATO-s.

Presidenti serb një ditë më parë i kishte dërguar letër Ruttes, në të cilën kishte kërkuar që KFOR-i të ndërhyjë për të ndalur atë që ai e quan “terror ndaj serbëve” në Kosovë, si dhe të pengojë hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve. /Telegrafi/.

  •  

Vuçiq thotë se pret përgjigjen e shefit të NATO-s, tash akuzon Kurtin e Plenkoviqin se duan fitoren e kundërshtarëve të tij në Serbi



Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se pret që deri të hënën ose të martën të marrë përgjigje nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, lidhur me letrën që i ka dërguar për situatën në Kosovë dhe Urën e Ibrit, shkruan Telegrafi.

Gjatë një vizite në Vladimirci, Vuçiq ka thënë se beson se Rutte do t’i përgjigjet dhe se pret që mes tyre të zhvillohet edhe një bisedë telefonike.

“Besoj se do ta marr përgjigjen deri të hënën ose të martën. Besoj se do të më telefonojë që të bisedojmë”, ka deklaruar Vuçiq, transmeton Danas.

Presidenti serb një ditë më parë i kishte dërguar letër Ruttes, në të cilën kishte kërkuar nga KFOR-i që të ndërhyjë për të ndalur atë që ai e quan “terror ndaj serbëve” në Kosovë, si dhe të pengojë hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve.

I pyetur nga gazetarët në Serbi nëse pret “presion” shtesë ndaj serbëve në Kosovë para zgjedhjeve, Vuçiq ka thënë se një gjë të tillë e pret.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, duke pretenduar se ata kanë mbështetur kundërshtarët e tij politikë në Serbi.

“Kurti tashmë është deklaruar. Ai, së bashku me Plenkoviqin, në një konferencë të përbashkët për media, i kanë mbështetur kundërshtarët tanë dhe do të bëjnë gjithçka që kundërshtarët tanë të fitojnë në zgjedhje. Nuk ka asgjë të re këtu. Cila do të jetë përgjigjja e Beogradit? T’i mposhtë ata. Të gjithë së bashku”, ka deklaruar Vuçiq.

Deklaratat e presidentit serb vijnë në kohën kur çështja e Urës së Ibrit është rikthyer në fokus, pas paralajmërimeve për një tranzicion gradual të pranisë së KFOR-it në zonën e urës dhe diskutimeve për mundësinë e hapjes së saj për qarkullimin e automjeteve.

Për këtë për Telegrafin janë deklaruar edhe NATO.

Një zyrtar i NATO-s ka thënë për Telegrafin se Rutte është në kontakt të rregullt me presidentin serb.


Sipas zyrtarit të NATO-s, KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore në Mitrovicë, në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Ky proces, sipas tij, është pjesë e optimizimit të pozicionimit të KFOR-it dhe po zhvillohet me transparencë të plotë me të gjithë akterët e përfshirë, nën udhëheqjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të Komandantit të KFOR-it, Gjeneralmajorit Ulutaş. /Telegrafi/.

  •  

Vuçiq vazhdon thirrjet kundër hapjes së urës së Ibrit, thotë se i ka shkruar shefit të NATO-s



Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur edhe sot se i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar që Aleanca të mos lejojë hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Vuçiq tha se nga KFOR-i ka kërkuar gjithashtu që të ndërhyjë për të ndalur atë që ai e quajti “terror ndaj serbëve”, si dhe arrestimet, dëbimet dhe rrënimin e shtëpive.

“Sapo i dërgova një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të ndalojë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen e tyre, arrestimet, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, deklaroi Vuçiq, shkruajnë mediat në Serbi, transmeton Telegrafi.

Ai tha se i ka kërkuar Rutte-s që NATO të mos e lejojë hapjen e urës.

“Kemi kërkuar që të mos e bëjnë këtë, sepse hapja e urës mbi Ibër është çështje e dialogut në Bruksel”, tha Vuçiq, duke e lidhur situatën edhe me mosformimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti serb paralajmëroi se Beogradi do të vazhdojë, siç tha ai, “luftën politike në të gjitha mënyrat e mundshme”, duke mos përjashtuar as kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Serbia dhe Vuçiq kërkojnë që ura e Ibrit të mos hapet, duke e ndërlidhur këtë çështje me situatën e sigurisë në Kosovë. Pretendime të tilla janë kundërshtuar nga institucionet e sigurisë në Kosovë dhe institucione të tjera.



Në Kosovë, bartja e kompetencave të sigurisë në urën e Ibrit nga KFOR-i te Policia e Kosovës është vlerësuar si hap pozitiv, ndërsa ka pasur thirrje që ura të hapet sa më shpejt, me arsyetimin se kjo do të ndihmonte në normalizimin e lëvizjes dhe krijimin e mirëbesimit ndërmjet qytetarëve në të dy pjesët e Mitrovicës. /Telegrafi/

  •  

Hoxhaj me mesazh për Kurtin para Qeverisë



Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i është drejtuar Albin Kurtit përmes një videoje të publikuar nga aksioni i PDK-së para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Deputetët e PDK-së kanë bllokuar dyert e ndërtesës së Qeverisë, duke kundërshtuar qëndrimin e Kurtit në zyrën e kryeministrit pas marrjes së mandatit të deputetit.



“Dil nga zyra, o deputet uzurpues!”, ka shkruar Hoxhaj krahas videos së publikuar nga vendi i ngjarjes.


PDK-ja po kërkon që Kurti ta lirojë menjëherë zyrën e kryeministrit, duke e cilësuar qëndrimin e tij në Qeveri si uzurpim të institucionit si dhe thirrjen e seancës konstituive të Kuvendjt nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari./Telegrafi/.

  •  

Çfarë po ndodh me mediat në rajon? EFJ ngre alarmin për shitjen e “Adria News Network”



Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), së bashku me Balkan Free Media Initiative dhe ARTICLE 19 Europe, kanë ngritur shqetësime për shitjen e propozuar të Adria News Network (ANN) te Alpac Capital/European Future Media Investment, shkruan Telegrafi.

Organizatat u kanë bërë thirrje institucioneve evropiane dhe autoriteteve rregullatore që transaksioni të shqyrtohet urgjentisht, veçanërisht për ndikimin që mund të ketë në pluralizmin mediatik, pavarësinë editoriale dhe transparencën e pronësisë së mediave.

Sipas EFJ-së, shqetësimet lidhen edhe me burimet e financimit të Alpac Capital dhe me blerjen e mëhershme të Euronews. Organizata kërkon transparencë të plotë për pronarët përfundimtarë dhe financimin e ofertës për ANN.

EFJ ka përmendur gjithashtu ndryshimet e fundit në drejtimin e disa mediave në rajon, përfshirë N1 Slovenia dhe N1 Serbia, duke vlerësuar se këto zhvillime kanë rritur shqetësimet për të ardhmen e pavarësisë editoriale.

Sipas organizatës, pronari i Alpac Capital, Pedro Vargas Santos David, është regjistruar si drejtor në kompani të lidhura me disa media në Ballkanin Perëndimor, përfshirë N1, TV Nova, Nova.rs, Radar dhe Danas.

EFJ, ARTICLE 19 Europe dhe Balkan Free Media Initiative kanë kërkuar që autoritetet të vlerësojnë transaksionin në përputhje me Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) dhe të sigurojnë garanci për mbrojtjen e gazetarëve dhe pavarësisë së redaksive.

“Gazetarët nuk janë asete që transferohen nga një pronar te tjetri bashkë me kompaninë, ndërsa redaksitë nuk duhet të bëhen instrumente të interesave politike apo komerciale”, ka deklaruar presidentja e EFJ-së, Maja Sever, transmeton Telegrafi.

  •  

Ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes kërkon zgjedhje presidenciale gjatë luftës



Ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale edhe gjatë luftës, duke paraqitur një nga sfidat më të mëdha politike për presidentin Volodymyr Zelensky që nga fillimi i pushtimit rus.

Fedorov, i cili u shkarkua nga Zelensky gjatë një riorganizimi të qeverisë në korrik, ka deklaruar se Ukraina po përballet me një “krizë sistematike të qeverisjes” dhe se duhet të gjendet një mekanizëm ligjor dhe i sigurt për rikthimin e plotë të procesit demokratik, shkruan Skynews.

Ligji ukrainas nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë gjendjes së luftës. Mandati pesëvjeçar i Zelenskyt duhej të përfundonte në maj të vitit 2024, por zgjedhjet janë pezulluar që nga shpallja e gjendjes së luftës pas pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, transmeton Telegrafi.

Zelensky ka deklaruar më herët se zgjedhjet mund të mbahen nëse garantohet siguria dhe arrihet një armëpushim. Zyra e presidentit ukrainas nuk ka komentuar menjëherë kërkesën e Fedorovit.

Ndërkohë, Zelensky ka propozuar Yevhen Khmaran si ministër të ri të Mbrojtjes, kandidaturë që është mbështetur unanimisht nga komiteti përkatës parlamentar./Telegrafi/.

  •  

PDK dhe prodhuesit vendorë para Qeverisë: Kurti ta ndalë bllokadën, kriza institucionale po na çon drejt falimentimit



Prodhuesit vendorë i janë bashkuar sot protestës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve, në mënyrë që problemet me të cilat po përballen fermerët, prodhuesit dhe bizneset të trajtohen institucionalisht.

Në emër të prodhuesve vendorë, Abedin Ramadani, i cili merret me prodhimin e drithërave dhe sektorin e qumështit, tha se kriza institucionale po e rëndon edhe më shumë gjendjen e prodhuesve, të cilët tashmë po përballen me kosto të larta, treg të pasigurt dhe konkurrencë të fortë nga importi.

“Për më tepër, deklaratat dhe sulmet e papërgjegjshme nga eksponentët e qeverisë në detyrë po e dëmtojnë drejtpërdrejt besimin e qytetarëve dhe të prodhuesve vendorë. Dhe kur humb besimi, dëmi nuk i bie vetëm kompanisë, dëmtohet fermeri, punëtori, familja e tij dhe krejt zinxhiri i prodhuesve. Sot përveç këtyre kemi dhe një tjetër problem politik që po na dëmtojnë shumë: mbyllja e Kuvendit. Kur Kuvendi nuk funksionon dhe vendi mbahet nën bllokadë, askush nuk merret me seriozitet me hallet tona. Nuk ka debat për mbështetjen e prodhuesve, për subvencionet, për tregun, për mbrojtjen e prodhimit vendor apo për politikat që duhet të na mbrojnë.”, deklaroi Ramadani.



Ramadani i bëri thirrje Albin Kurtit që të hapë rrugën për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që deputetët të mund të diskutojnë dhe të marrin vendime për problemet reale të qytetarëve dhe ekonomisë.

“Zotëri Kurti, konstituoje Kuvendin! Lejoji deputetët të hyjnë në sallë dhe të flasin për problemet reale që qytetarët dhe fermerët përballen, bizneset, ju lutemi! Situata është e jashtëzakonshme. Përndryshe, nëse kjo gjendje vazhdon, për shumë prodhues vendorë falimentimi po bëhet rrezik real. Dhe ta dini, kur një fermë mbyllat, ajo nuk mundet të hapet me një vendim të qeverisë. Ajo mbyllat për gjithmonë. Ne duam si fermerë të punojmë. Duam të prodhojmë. Duam të investojmë këtu, por shteti duhet të na japë arsye për të vazhduar, jo arsye për të hequr... për të hequr dorë”, deklaroi ai.

Ai ka thënë se, pavarësisht kontratës për shitjen e qumështit me çmim të përcaktuar, sasia që mund të dorëzojë është e kufizuar, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për çmimin e grurit dhe rritjen e shpenzimeve të prodhimit.

“E kam një kontratë të qumështit, ku për një vit e kam të caktuar çmimin 35 centë. Edhe sasinë e kam të limituar, sepse prodhoj më shumë. Unë duhet ta... qumështin ose ta derdh ose të bëj një zgjidhje, se përndryshe nuk mundem me dërguar, se edhe këto firma janë bllokuar për shembull prej prodhimit që vjen prej jashtë. Tjetra, edhe te çmimi i grurit. Ne si fermerë që dy-tri vite dëmtohemi shumë. Jemi me një çmim 17 centë të grurit, kur ne e paguajmë domethënë litrën e dizelit paguajmë 1 euro e 78 centë kur lëvrojmë. Ne njëjtë po përballemi sikur ata me kerret luksoze si ne që bëjmë me traktorë”, tha ai.

Grupi Parlamentar i PDK-së ka vazhduar protestën para Qeverisë me kërkesën për konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit dhe rikthimin e funksionimit të institucioneve, duke theksuar se bllokada institucionale tashmë po prodhon pasoja konkrete për qytetarët, ekonominë dhe prodhuesit vendorë./Kosovapress/.

  •  

Emini: Bllokada i krijon Vetëvendosjes pozitë të favorshme, opozita e dobët dhe e përçarë



As zgjedhjet e reja dhe as një vendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese nuk do t’i jepnin zgjidhje të qëndrueshme krizës institucionale në Kosovë, nëse partitë nuk tregojnë vullnet për kompromis dhe bashkëjetesë politike, thotë analistja politike, Donika Emini.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Emini thotë se partitë janë barrikaduar në pozicionet e tyre dhe nuk janë afër një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit. Sipas saj, pa ndryshuar raportet mes tyre, çdo rrugëdalje nga bllokada do të ishte vetëm e përkohshme dhe vendi rrezikon të kthehet sërish në të njëjtën pikë.

Emini vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje është në pozitën më të favorshme nga vazhdimi i bllokadës, pasi sipas saj, përmes Qeverisë në detyrë, vazhdon ta ushtrojë pushtetin pa mbikëqyrjen e një Kuvendi funksional.

“Sa më shumë të zgjasë kaosi dhe sa më pak të funksionojë mbikëqyrja institucionale, aq më shumë konsolidohet kontrolli i Vetëvendosjes”, paralajmëron ajo, duke shtuar se vazhdimi i kësaj gjendjeje mund të çojë gradualisht drejt kapjes së shtetit.

Megjithatë, ajo ia atribuon një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë edhe partive që deri më tani kanë qenë në opozitë, të cilat i përshkruan si të dobëta, të përçara dhe pa strategji të përbashkët. Sipas Eminit, vazhdimi i krizës mund t’iu konvenojë edhe atyre, nëse e shohin atë si instrument për ta sfiduar dhe dobësuar Vetëvendosjen.

Ajo nuk pret as ndonjë ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare, duke theksuar se përgjegjësia për daljen nga kriza u takon para së gjithash partive politike të Kosovës.

  •  

Trump njofton se ka pezulluar tarifën 50 për qind ndaj Kanadasë për një periudhë treditore



“Kam ndërprerë tarifat 50 për qind ndaj Kanadasë, bazuar në faktin se Kanadaja dhe SHBA-ja, në varësi të finalizimit të dokumenteve, kanë një marrëveshje! tha Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën vonë se ai ka ndaluar një tarifë të planifikuar prej 50 për qind për mallrat kanadeze përpara një afati të mesnatës, transmeton Anadolu.

“Kam ndërprerë tarifat 50 për qind ndaj Kanadasë, që ishin planifikuar të fillonin nesër në mëngjes për një periudhë treditore, bazuar në faktin se Kanadaja dhe SHBA-ja, në varësi të finalizimit të dokumenteve, kanë një marrëveshje! tha ai në platformën e tij “Truth Social”.

Trump sugjeroi gjithashtu se marrëveshja mund të ringjallë gazsjellësin Keystone XL, një projekt i madh energjetik ndërkufitar që u anulua gjatë administratës së mëparshme Biden.

"Tubacioni i madh Keystone XL, i vrarë shumë kohë më parë nga Joe Biden i Përgjumur, mund të zgjohet nga varri!" tha ai

Njoftimi pasoi një telefonatë të martën midis Trumpit dhe kryeministrit kanadez, Mark Carney, i cili po kërkonte të arrinte një marrëveshje dhe të shmangte tarifat për mallrat kanadeze me vlerë rreth 30 miliardë dollarë (22 miliardë dollarë).

Nga ana e tij, Carney tha se SHBA-ja ka rënë dakord të shtyjë zbatimin e një tarife të planifikuar prej 50 për qind për një sërë mallrash kanadeze sipas nenit 338 të Aktit të Tarifave të SHBA-së të vitit 1930 deri në fund të ditës së 21 gushtit.

Kanadaja dhe SHBA-ja kanë mbajtur "diskutime intensive" javët e fundit me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare dhe sigurimin më të sigurt për bizneset, punëtorët, fermerët dhe familjet kanadeze, shtoi ai.

"Është bërë përparim thelbësor, megjithëse ka ende punë të rëndësishme për t'u bërë," tha Carney në një deklaratë.

Kanadaja do të mbetet e fokusuar në forcimin e ekonomisë së saj të brendshme ndërkohë që negociatat vazhdojnë, shtoi ai.

  •  

Azerbajxhani thërret ambasadorin rus në shenjë proteste ndaj deklaratave "provokative" të mediave ruse



Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit tha se vëmendja e ambasadorit Mikhail Yevdokimov u tërhoq veçanërisht mbi deklaratat, për të cilat tha se ishin kundër Azerbajxhanit dhe udhëheqjes së vendit.

Azerbajxhani thirri të martën ambasadorin rus në Baku për të protestuar ndaj asaj që i përshkroi si deklarata të fundit “provokuese, fyese dhe kërcënuese” që synojnë vendin, popullin e tij dhe udhëheqjen në median dhe hapësirën informative ruse, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit tha se vëmendja e ambasadorit Mikhail Yevdokimov u tërhoq veçanërisht mbi deklaratat, për të cilat tha se ishin kundër Azerbajxhanit dhe udhëheqjes së vendit, gjatë një transmetimi javën e kaluar "në kuadër të projektit "Chistota Ponimaniya".

“Përveç kësaj, programi i transmetuar në radion ‘Sputnik’ më 7 gusht, u kujtuan pretendimet absurde të bëra në lidhje me përfshirjen e udhëheqjes së Azerbajxhanit në ‘listën e terroristëve dhe ekstremistëve të Rusisë’, si dhe pikëpamjet provokuese të shprehura sërish në kanalin televiziv ‘Spas’ më 16 gusht kundër udhëheqjes së Azerbajxhanit”, thuhet më tej.

Ministria vuri në dukje se diskutimet për ndërhyrje të mundshme në proceset e brendshme politike të Azerbajxhanit, si dhe thirrjet për dhunë fizike kundër vendit dhe udhëheqjes së tij, janë "të papranueshme".

Ndër të tjera në deklaratën e misnitrisë shtohet se pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Bakuja për t'iu kundërvënë aktiviteteve të tilla dhe diskutimeve të çështjes në nivele të ndryshme politike, vazhdimi i një retorike të tillë në një formë gjithnjë e më të ashpër është një "shkak për shqetësim serioz".

“Gjatë takimit, pritshmëria jonë për të marrë masa urgjente dhe efektive për t'i dhënë fund provokimeve, kërcënimeve dhe retorikës së dhunshme kundër Azerbajxhanit në hapësirën informative dhe medias iu përcoll edhe një herë palës ruse,” njoftoi ministria në deklaratën e saj./AA/.

  •  

Vota e Islandës për BE-në: Një komb i ndarë për Evropën



Shqetësimet për sigurinë, kontrollin mbi të drejtat e peshkimit dhe rritja e kostos së jetesës po formësojnë debatin në Islandë për atë nëse duhet të rifillohen bisedimet për anëtarësim në BE.

Kisha e bardhë qëndron e vetmuar në fshatrat islandeze. Era fryn mbi fjordin Hvalfjord. Kristjan Ingolfsson, një peshkop në pension, jeton pranë kishës Hallgrimskirkja në Saubaer, i rrethuar nga qetësia dhe peizazhe të pafundme shkruan DW.

Por larg këtij cepi të qetë të Islandës perëndimore, debati mbi Evropën po nxehet. Në fund të gushtit, votuesit do të vendosin nëse do të rihapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Referendumi nuk ka të bëjë me anëtarësimin e menjëhershëm në BE, por me rifillimin e negociatave që u pezulluan më shumë se një dekadë më parë.

"Njerëzit [islandezë] janë pak më ndryshe nga ata të kontinentit, të cilët gjithmonë duhet të mendojnë për kufijtë. Ne nuk kemi kufij, kemi vetëm detin përreth nesh," thotë Kristjan Ingolfsson, transmeton Telegrafi.

"Kjo të jep një ndjenjë të veçantë lirie. Dhe besoj se kjo është gjithashtu pjesë e të gjithë diskutimit, që njerëzit duan të jenë të lirë."

Pavarësisht nëse bëjnë fushatë pro ose kundër afrimit me Brukselin, shumë islandezë e shohin debatin përmes të njëjtave koncepte: liria, pavarësia dhe sovraniteti.

Fushata "Po"

Në selinë e grupit pro-evropian në kryeqytetin Reykjavik, mbështetësit po festojnë nisjen zyrtare të fushatës. Zyra e vogël është plot me njerëz dhe vullnetarët dalin deri në trotuar nën diellin e pasdites. Të rinjtë përzihen me pensionistët. Një DJ kujdeset për muzikën, ndërsa birrat dhe pijet freskuese ruhen në kovë me akull.

Në qendër të gjithçkaje është Snaeros Sindradottir, drejtoreshë ekzekutive e fushatës "Po". Nëna 34-vjeçare zakonisht drejton një galeri arti, por tani e ka lënë atë punë pezull. Në vend të saj, ajo i kalon ditët duke bërë fushatë për një marrëdhënie më të afërt me Evropën.

Referendumi po zhvillohet në një kohë pasigurie gjeopolitike në rritje. Sipas Sindradottir, kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Groenlandës fqinje janë bërë pjesë e debatit islandez për Evropën.

"Dhe nuk është aspak ngushëllues fakti që Trump e ka ngatërruar emrin e Groenlandës me Islandën në disa raste."

Islanda, me rreth 400,000 banorë, nuk ka ushtri të përhershme. Siguria e saj sigurohet përmes NATO-s, ku Islanda është një nga anëtarët themelues. Vendi ka gjithashtu një marrëveshje dypalëshe mbrojtjeje me Uashingtonin. Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA kishte një bazë të rëndësishme ushtarake pranë Reykjavikut, megjithëse prania e përhershme e trupave përfundoi në vitin 2006.

"Mendoj se siguria jonë do të rritej patjetër nëse hyjmë në BE," thotë Sindradottir.

"Duke pasur parasysh situatën në Shtetet e Bashkuara, do të ishte më e mençur të mbështeteshim te aleatët dhe miqtë tanë të vërtetë në Evropë."

Islanda tashmë është e lidhur ngushtë me Evropën. Vendi është pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA), e cila lejon lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve midis Islandës dhe shumicës së vendeve të BE-së, edhe pse Islanda nuk është anëtare e BE-së. Ajo gjithashtu bën pjesë në zonën Schengen pa kontrolle pasaportash.

Pawel Bartoszek, kryetar i komisionit parlamentar për punët e jashtme, thekson se Islanda ka një monedhë të vogël dhe relativisht të paqëndrueshme.

"Kjo na ka kushtuar inflacion dhe norma interesi shumë më të larta krahasuar me Evropën kontinentale."

Sipas Bartoszek, adoptimi i euros në të ardhmen mund të ulë kostot e huamarrjes për familjet dhe bizneset. Normat e kredive hipotekore prej 8 deri në 9% janë të zakonshme në Islandë, ndërsa në pjesën tjetër të Evropës huamarrësit shpesh paguajnë afërsisht gjysmën e kësaj norme.

Fushata "Jo"

Në qendër të Reykjavikut, aktivistët e lëvizjes kundër BE-së po paraqesin argumentin e kundërt. Ata kanë vendosur një tavolinë të vogël ku shpërndajnë fletushka dhe badge me mbishkrimin "Jo". Haraldur Olafsson, profesor i fizikës, kalon deri në 12 orë në ditë duke bërë fushatë kundër anëtarësimit.

"Ne jemi këtu për t'u shpjeguar njerëzve se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një hap gjigant larg demokracisë."

"Po i japim pushtet dikujt tjetër që do të vendosë rregulla të cilat ne nuk mund t'i kontrollojmë," shton ai.

Prej vitesh, Olafsson ka bërë fushatë kundër hyrjes në BE. Ai është president i organizatës Heimssyn, e cila bën pjesë në kampin "Jo".

"Nuk njoh askënd në Islandë që ka frikë nga rusët apo amerikanët," thotë Olafsson.

"Sinqerisht, nuk besoj se këto çështje ndërkombëtare kanë shumë rëndësi në politikën lokale. I vetmi kërcënim vjen nga Bashkimi Evropian. BE-ja është e vetmja fuqi e madhe në botë që dëshiron të qeverisë Islandën, të vendosë ligje në Islandë dhe të japë gjykime."

Mbështetësit e anëtarësimit në BE e kundërshtojnë këtë argument, duke theksuar se si anëtare e BE-së, Islanda do të merrte pjesë në procesin vendimmarrës, në vend që thjesht të ndiqte rregulla të vendosura diku tjetër.

Industria e pasur e peshkimit

Industria e peshkimit në Islandë është një nga shtyllat kryesore të mirëqenies ekonomike të vendit. Për këtë arsye, debati mbi anëtarësimin e mundshëm në BE është bërë shumë emocional, me të dyja palët që diskutojnë nëse Bashkimi Evropian do të fitonte kontroll mbi burimet e vlefshme detare të Islandës

"Bashkimi Evropian nuk ka asgjë për të thënë për burimet natyrore në Islandë, detin apo peshkun," thotë Olafsson.

"BE-ja nuk e ka fjalën e fundit për energjinë, e cila është një burim natyror shumë i rëndësishëm për Islandën." Megjithatë, ai argumenton:

"Ekonomia e Islandës është shumë e ndryshme nga ekonomia e Evropës. Disavantazhi kryesor është se BE-ja do të merrte kontrollin mbi administrimin e burimeve tona natyrore."

Më vonë, Olafsson takon në portin e Reykjavikut ish-peshkatarin Agust Österby, i cili po riparon dritaren e vjetër të barkës së tij prej druri. Österby doli për herë të parë në det me të atin kur ishte gjashtë vjeç. Sot, ai restauron anije prej druri.

Sipas tij, islandezët janë kokëfortë dhe të pavarur nga natyra.

"Disi është në gjenet tona që t'i zgjidhim gjërat vetë, të përballemi vetë me jetën, detin dhe motin."

Ai shton: "Ne nuk do t'ia japim kurrë lirinë tonë Bashkimit Evropian. Ne e dimë saktësisht si bëhen gjërat në Islandë. Nuk kemi nevojë për ndihmë nga jashtë."

Ish-peshkatari thotë se nuk beson që islandezët ndihen të kërcënuar nga askush, as nga Donald Trump.

Referendumi për të thyer ngërçin

Politologu Audunn Arnorsson nuk pajtohet me idenë se Islanda mund të mbajë profil të ulët dhe të shmangë presionet ndërkombëtare. Ai frikësohet se kjo strategji "mund të kthehet kundër saj".

Nëse Islanda do të përballej ndonjëherë me presione të ngjashme me ato që Groenlanda ka përjetuar nga "vëllai i madh në Perëndim", mundësia e anëtarësimit në BE do të ishte e vlefshme, përfshirë qasjen në mbrojtjen e përbashkët doganore të bllokut.

Islanda i pati nisur negociatat për anëtarësim edhe më parë, në vitin 2010, pas krizës bankare dhe ekonomike. Ato u pezulluan më vonë pas ndryshimit të qeverisë dhe nuk u rifilluan më.Sipas Arnorsson, referendumi u bë mënyra e vetme për të zhbllokuar ngërçin politik mbi çështjen e rifillimit të negociatave.

Debati që po ndan Islandën

Edhe anëtarët e parlamentit islandez janë të ndarë për çështjen e rifillimit të negociatave me Bashkimin Evropian. Debati tejkalon vijat tradicionale partiake.

Gudrun Hafsteinsdottir, udhëheqëse e Partisë së Pavarësisë në opozitë, beson se një komb i vogël si Islanda mund të ketë një zë më të fortë jashtë BE-së sesa brenda saj.

"Në Parlamentin Evropian do të kishim afërsisht gjashtë vende nga 726. Kemi frikë se thjesht do të zhdukemi në këtë masë që është Bashkimi Evropian."

Shtete të tjera të vogla anëtare të BE-së, si Malta, Luksemburgu dhe Qiproja, kanë gjithashtu minimumin prej gjashtë vendeve në Parlamentin Evropian.

Për Hafsteinsdottir, anëtarësimi në BE nuk është zgjidhja për forcimin e sigurisë së Islandës. "Forca jonë qëndron në NATO dhe në marrëveshjen tonë dypalëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe nuk kemi pasur asnjë sinjal nga pala amerikane se dëshiron ta ndryshojë këtë marrëveshje që kemi pasur në Islandë prej dekadash."

Megjithatë, një gjë tjetër e shqetëson thellësisht lideren e opozitës: përçarjet që debati ka krijuar mes familjeve dhe miqve. "Po krijojmë një plagë që nuk do të shërohet për vite me radhë. Nuk mund të mbijetojmë në këtë vend të ashpër nëse nuk kemi solidaritet mes nesh, që të mund të përballemi me natyrën."

Sondazhet parashikojnë një garë shumë të ngushtë, me mbështetësit dhe kundërshtarët e integrimit më të afërt me BE-në pothuajse në baraspeshë. Të dy kampet tani po luftojnë për të njëjtin grup: votuesit e pavendosur, të cilët ka shumë të ngjarë të përcaktojnë rezultatin më 29 gusht.

Një votë "Po" nuk do të nënkuptonte anëtarësimin në BE. Ajo vetëm do të hapte negociatat e anëtarësimit, ndërsa para hyrjes përfundimtare në bllok do të nevojitej një referendum i dytë.

Por ish-peshkopi Kristjan Ingolfsson mbetet optimist: "Pavarësisht rezultatit, ne do të mbetemi një popull i vetëm dhe kjo nuk do të ndërtojë mure mes nesh."/DW/.

  •  

Një tërmet me magnitudë 5,7 ballë godet bregdetin e Chiapas në Meksikë



Një tërmet me magnitudë 5,7 ballë goditi brigjet e shtetit jugor Chiapas të Meksikës të hënën vonë me orën lokale, sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC), transmeton Anadolu. Deri më tani nuk raportohet për dëme apo viktima

Tërmeti ndodhi në orën 23:02 me orën lokale të hënën në një thellësi prej 10 kilometrash, tha EMSC.

Epiqendra e tij ishte rreth 122 km në jugperëndim të Tapachula, një qytet me rreth 202.000 njerëz dhe 106 km në perëndim-jugperëndim të Brisas Barra de Suchiate.

Deri më tani nuk raportohet për dëme apo viktima./AA/.

  •  
❌