Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Valvula e zemrës mund të zëvendësohet pa operacion të hapur: Pas shtatë vitesh, rezultatet janë befasuese



Studimi PARTNER 3 tregon rezultate shumë të ngjashme afatgjata te pacientët me rrezik të ulët kirurgjikal, por një ndërlikim u shfaq dukshëm më shpesh pas TAVR-it

Zëvendësimi i valvulës aortale përmes kateterit, pa pasur nevojë për operacion klasik në zemër të hapur, ka treguar qëndrueshmëri të krahasueshme me ndërhyrjen kirurgjikale edhe shtatë vjet pas procedurës.

Rezultatet e studimit PARTNER 3 tregojnë se te pacientët me stenozë të rëndë simptomatike të valvulës aortale dhe me rrezik të ulët kirurgjikal, zëvendësimi transkateterik i valvulës aortale (TAVR) dhe zëvendësimi kirurgjikal (SAVR) kishin shkallë të ngjashme të dëmtimit strukturor të valvulës, dështimit të bioprotezës dhe nevojës për ndërhyrje të përsëritur.

Megjithatë, tromboza e valvulës u regjistrua dukshëm më shpesh pas TAVR-it.

TAVR po përdoret gjithnjë e më shumë

Stenoza aortale shfaqet kur valvula aortale ngushtohet dhe pengon kalimin normal të gjakut nga zemra drejt pjesës tjetër të organizmit. Kur sëmundja bëhet e rëndë dhe shkakton simptoma, zëvendësimi i valvulës mund të jetë i nevojshëm.

Për shumë vite, trajtimi standard ka qenë zëvendësimi kirurgjikal i valvulës aortale përmes operacionit në zemër të hapur.

TAVR ofron një alternativë më pak invazive. Valvula e re vendoset përmes një kateteri, zakonisht duke hyrë nëpërmjet një arterie, pa qenë e nevojshme hapja klasike e kraharorit.

Fillimisht kjo metodë përdorej kryesisht te pacientët me rrezik të lartë kirurgjikal, por përdorimi i saj është zgjeruar edhe te pacientët me rrezik të ulët. Për këtë arsye, jetëgjatësia dhe qëndrueshmëria e valvulave TAVR janë bërë çështje veçanërisht të rëndësishme, transmeton Telegrafi.

Studimi përfshiu 1.000 pacientë

PARTNER 3 ishte një studim i randomizuar që përfshiu 1.000 pacientë me stenozë të rëndë simptomatike të valvulës aortale dhe me rrezik të ulët kirurgjikal.

Në analizën e qëndrueshmërisë së valvulës, 495 pacientë iu nënshtruan TAVR-it me valvulën SAPIEN 3, ndërsa 453 u trajtuan me zëvendësim kirurgjikal të valvulës.

Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte rreth 74 vjeç. Pacientët u ndoqën për shtatë vjet dhe funksioni i valvulave u vlerësua rregullisht, përfshirë kontrollet ekokardiografike.

Rezultate pothuajse të njëjta pas shtatë vitesh

Dëmtimi strukturor i rëndësishëm i bioprotezës u regjistrua te 7,3 për qind e pacientëve me TAVR dhe te 7,6 për qind e pacientëve që iu nënshtruan kirurgjisë.

Edhe dështimi i bioprotezës nga të gjitha shkaqet ishte i ngjashëm: 6,9 për qind pas TAVR-it dhe 7,5 për qind pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Nevoja për një ndërhyrje tjetër në valvul u regjistrua te 6 për qind e pacientëve me TAVR dhe te 5,5 për qind e pacientëve të operuar.

Pas shtatë vitesh, 73,4 për qind e pacientëve të trajtuar me TAVR dhe 74,8 për qind e atyre që iu nënshtruan kirurgjisë ishin gjallë dhe pa dështim të bioprotezës.

Tromboza, dallimi kryesor mes dy metodave

Një ndryshim i rëndësishëm u vu re te tromboza e valvulës.

Mosfunksionimi i valvulës i lidhur me trombozën u regjistrua te 5,2 për qind e pacientëve pas TAVR-it, krahasuar me vetëm 0,9 për qind pas kirurgjisë.

Shumica e rasteve pas TAVR-it ndodhën gjatë tri viteve të para dhe shumë prej tyre u zgjidhën spontanisht ose pas trajtimit. Vetëm një numër i vogël përparoi deri në dështim të bioprotezës.

Ndërkohë, problemet e lidhura me endokarditin ishin të rralla dhe pothuajse të njëjta në të dyja grupet.

Cila metodë është më e mirë?

Rezultatet shtatëvjeçare janë inkurajuese për përdorimin e TAVR-it te pacientët me rrezik të ulët kirurgjikal, por nuk do të thotë se kjo metodë është automatikisht zgjedhja më e mirë për të gjithë.

Mosha, anatomia e valvulës dhe enëve të gjakut, gjendja e arterieve koronare, sëmundjet shoqëruese dhe jetëgjatësia e pritshme janë ndër faktorët që duhet të merren parasysh gjatë zgjedhjes së trajtimit.

Rezultatet tregojnë gjithashtu nevojën për ndjekjen e pacientëve pas TAVR-it, veçanërisht për zbulimin e hershëm të trombozës së valvulës.

Ndjekja dhjetëvjeçare e pacientëve të studimit PARTNER 3 pritet të japë përgjigje edhe më të qarta për qëndrueshmërinë shumë afatgjatë të këtyre valvulave. /Telegrafi/

Fjalët e para të Joshuas pas fitores me nokaut ndaj Kristian Prengës



Anthony Joshua e shfrytëzoi intervistën e parë pas fitores me nokaut në raundin e dytë ndaj Kristian Prengës për të shprehur respekt ndaj kundërshtarit shqiptar, para se t'i dërgonte një mesazh të fortë rivalit të tij të madh, Tyson Fury.

Duke folur për DAZN menjëherë pas përfundimit të meçit, ish-kampioni britanik falënderoi tifozët për mbështetjen, ndërsa vlerësoi edhe Prengën dhe ekipin e tij për përballjen.

"Para së gjithash dua t'i falënderoj të gjithë që erdhën sonte. Gjithashtu dua t'i them një faleminderit të madh Kristian Prengës dhe ekipit të tij", deklaroi Joshua, duke treguar respekt për kundërshtarin që e vuri në vështirësi në fillim të sfidës.

Megjithatë, intervista mori një kthesë interesante kur Joshua e ndërpreu veten për të pyetur nëse Tyson Fury ndodhej në sallë.

"Prisni një minutë, a është Tyson Fury këtu? Tani të kalojmë te gjërat më të rëndësishme. A është këtu apo jo?", tha ai, përpara se të lëshonte një deklaratë të fortë në drejtim të rivalit të tij.

After being knocked down in the first round, Anthony Joshua stops Prenga in the 2nd round🚨🚨🚨🚨🚨 pic.twitter.com/IkdcUlR2rM
— BattleLyfe (@Battlelyfe23) July 25, 2026


"Do t'ia shqyej zemrën. Jam kampioni më i ashpër dhe më i pamëshirshëm që ka ekzistuar ndonjëherë. Askush nuk mund të më ndalë", u shpreh Joshua.

Pak çaste më vonë, ai zbuti tonin, duke theksuar se deklaratat ishin pjesë e atmosferës së boksit dhe se rivaliteti nuk përjashton respektin.

"Me gjithë shakatë, ka dy anë të kësaj. Duhet ta kesh atë zjarrin brenda, atë energjinë. Por ekziston edhe respekti. Unë respektoj gjithçka që Tyson Fury ka bërë dhe ka arritur në karrierën e tij. Megjithatë, kam kërkuar këtë ndeshje prej një kohe të gjatë dhe tani jemi këtu”, përfundoi Joshua./Telegrafi/

Bimët mund të jetojnë me dekada, por shumë i hedhin pas pak vitesh: Ky truk i thjeshtë i shpëton



Problemi shpesh nuk është as te uji, as te drita – arsyeja e vërtetë fshihet nën dhe dhe mund të vërehet nga disa shenja shumë të qarta

Mendoni se bimës suaj të shtëpisë i mungon uji ose drita? Mund të jeni duke gabuar. Ekspertët paralajmërojnë se arsyeja më e zakonshme pse edhe bimët më rezistente fillojnë të dobësohen shpesh nuk shihet fare – sepse fshihet nën dhe.

Një detaj i vogël, të cilin shumë njerëz e neglizhojnë për vite me radhë, mund t’ia shkurtojë ndjeshëm jetën bimës, edhe pse me kujdesin e duhur ajo mund ta zbukurojë shtëpinë për dekada.

Ka bimë të brendshme që mund të jetojnë edhe më gjatë se pronarët e tyre. Me pak përkujdesje, ato mund të zgjasin dhjetëra vjet, madje shpesh kalojnë nga një brez te tjetri si kujtim i çmuar familjar.

Megjithatë, shumë prej tyre përfundojnë në mbeturina shumë më herët, jo për shkak të ndonjë sëmundjeje apo mungesës së dritës, por për shkak të një gabimi që shumica e njerëzve e bëjnë pa e kuptuar.

Rrënjët mbeten pa hapësirë dhe bima nis të dobësohet

Ndërsa bima rritet, zhvillohen edhe rrënjët e saj. Me kalimin e kohës, ato mund ta mbushin pothuajse të gjithë vazon, të mbështillen rreth mureve të saj dhe të mbeten pa hapësirë për t’u zhvilluar më tej.

Në këtë fazë, dheu nuk arrin më të mbajë sasinë e nevojshme të ujit dhe të lëndëve ushqyese, sepse pjesa më e madhe e vazos është mbushur me rrënjë.

Bima mund të duket krejtësisht e shëndetshme për një periudhë, por më pas fillon papritur të vyshket, rritja ngadalësohet dhe ajo humbet gjallërinë.

Shumica e njerëzve mendojnë se problemi lidhet me ujitjen ose me dritën, ndërsa shkaku i vërtetë fshihet nën sipërfaqen e dheut, transmeton Telegrafi.

Gabimi që shumë njerëz e harrojnë

Fatmirësisht, zgjidhja është shumë e thjeshtë. Mjafton që çdo disa vjet ta transplantoni bimën në një vazo pak më të madhe dhe t’i shtoni dhe të freskët e cilësor.

Në këtë mënyrë, rrënjët fitojnë hapësirë të re për t’u zhvilluar, ndërsa bima merr edhe lëndët ushqyese që i nevojiten për një rritje të shëndetshme.

Ka disa shenja të qarta që tregojnë se ka ardhur koha për ndërrimin e vazos. Rrënjët mund të fillojnë të dalin nga vrimat në fund të saj, ndërsa gjatë ujitjes uji mund të rrjedhë menjëherë jashtë, sepse brenda ka mbetur shumë pak dhe.

Ky ndryshim i vogël mund t’ia zgjasë jetën bimës me dekada

Kur rrënjët kanë hapësirë të mjaftueshme, shumica e bimëve të shtëpisë që jetojnë gjatë nuk kërkojnë shumë përkujdesje.

Ujitja e moderuar, drita e mjaftueshme e ditës dhe ushqimi i herëpashershëm janë zakonisht të mjaftueshme që ato të mbeten të harlisura dhe të shëndetshme për shumë vite.

Shumë bimë mund ta përballojnë edhe ndonjë ujitje të harruar ose kushte jo krejtësisht ideale, por ka një gjë që pothuajse asnjëra nuk e toleron mirë: rrënjët e bllokuara në një vazo tepër të vogël.

Prandaj, transplantimi i rregullt mund të bëjë dallimin mes një bime që vyshket pas vetëm disa vitesh dhe një bime që do ta zbukurojë shtëpinë tuaj për dekada, duke u bërë një nga “banoret” më jetëgjata të saj. /Telegrafi/

E rrëzoi Joshuan, por nuk arriti ta mposhtë – Prenga bie me nokaut në raundin e dytë



Anthony Joshua realizoi një rikthim dramatik dhe spektakolar në ring, duke mposhtur me nokaut në raundin e dytë Kristian Prengën në duelin kryesor të mbrëmjes në Xhedah të Arabisë Saudite.

Ndeshja nisi në mënyrën më të papritur të mundshme. Vetëm pak sekonda pas gongut hapës, Prenga goditi Joshuan me një uppercut të fuqishëm, duke e rrëzuar britanikun në dysheme.

Joshua u ngrit, por gjatë pjesës së mbetur të raundit dukej i paqëndrueshëm, madje u lëkund edhe në fund të raundit, duke krijuar përshtypjen se boksieri shqiptar kishte kontrollin e plotë të meçit.

Ishte një nga fillimet më të vështira në karrierën e Joshua-s dhe një moment që habiti publikun në arenë dhe komentatorët britanikë.

Megjithatë, në raundin e dytë Joshua ndryshoi tërësisht ritmin e përballjes. Ai filloi të përdorte më mirë grushtin për të fituar distancën, ndërsa kombinimet me të djathtën filluan të gjenin objektivin.

ANTHONY JOSHUA KNOCKS OUT KRISTIAN PRENGA IN ROUND 2 AFTER BEING DROPPED MULTIPLE TIMES IN ROUND 1‼️

WHAT JUST HAPPENED?! 🤯 pic.twitter.com/y6kQPG6H6u
— Source of Boxing (@Sourceofboxing) July 25, 2026

Ndërsa Prenga u tërhoq dhe humbi iniciativën që kishte ndërtuar në raundin e parë, Joshua fitoi besim me çdo goditje të pastër.

Me rreth 40 sekonda të mbetura në raundin e dytë, Joshua shpërtheu me një seri goditjesh të fuqishme që e dërguan Prengën në tapet.

Boksieri nga Mirdita nuk arriti të ngrihej brenda numërimit të gjyqtarit dhe ndeshja u ndërpre me fitore me nokaut teknik për Anthony Joshua./Telegrafi/

Mbingarkesa e klinikave në QKUK, kërkohet referim më i drejtë



Përveç personave të lënduar në aksidente, Qendra Emergjente në QKUK vazhdon të përballet me fluks të madh pacientësh, ndërsa drejtuesit e saj apelojnë që qytetarët fillimisht t`u drejtohen qendrave të mjekësisë familjare dhe spitaleve rajonale. Sipas tyre, vetëm rastet urgjente duhet të referohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe për të ulur mbingarkesën.

Klinika Emergjente është një nga klinikat në QKUK, ku çdo ditë qindra pacientë marrin shërbime urgjente.

Megjithatë, sipas drejtorit të kësaj klinike, Naser Syla, shumë prej këtyre rasteve do të duhej të trajtoheshin nëpër qendrat e mjekësisë familjare dhe në spitalet rajonale.

Ndaj, ai rekomandon që vetëm rastet që janë të domosdoshme të referohen në këtë klinikë, për të ulur mbingarkesën dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.

“Të ndiqet rruga dhe mënyra e trajtimit të pacientëve. Gjithsesi, më së pari të shkojnë në mjekësinë familjare, pastaj në spitalet rajonale, e vetëm rastet që duhet të trajtohen dhe janë të domosdoshme të sillen këtu. Apeli është që të mos ngarkohet Emergjenca dhe QKUK-ja..”, thekson Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK.

Fluksi i pacientëve nuk mungon as nëpër qendrat e mjekësisë familjare. Megjithatë, theksohet se në shumicën e rasteve, porta e parë për qytetarët duhet të jetë mjekësia familjare.

“Të them të drejtën, të gjithë jemi të mbingarkuar, pavarësisht se kemi staf profesional dhe ia dalim ta menaxhojmë këtë situatë. Shumica kërkojnë ndihmë në qendrat e mjekësisë dhe qendrat e tjera. Ne ofrojmë gjitha shërbime. Megjithatë, ne e theksojmë që porta e parë është mjekësia familjare dhe ne i kemi të gjitha për të ofruar ndihmë. Në raste të rralla i referojmë që të shkojnë atje, por u themi që të mos shkojnë direkt atje”, tha Rushit Ismajli, specialist i mjekësisë familjare.

Megjithëse thanë se pavarësisht numrit të lartë të rasteve të trajtuara, mjekët kanë ofruar kujdes të pandërprerë për të gjithë pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore./RTK

Renditja e pasurisë për të rritur: Si krahasohet Evropa me vendet më të pasura në botë?



Pasuria mesatare për të rritur në Evropën Perëndimore është më pak se gjysma e asaj të SHBA-së.

Vendet evropiane performojnë më mirë në pasurinë mesatare, ndërsa SHBA-të bien ndjeshëm, transmeton Telegrafi.

Pasuria për person në të gjithë globin ndryshon ndjeshëm siç tregohet nga Raporti Global i Pasurisë UBS 2026.

SHBA-të janë shtëpia e 38.1% të pasurisë personale nga 56 vendet në raport që përfaqësojnë mbi 92% të pasurisë botërore.

Evropa Perëndimore vjen pas me 21.9%, ndërsa Evropa Lindore përbën vetëm 3.3%.

Pasuria mesatare dhe mediane për të rritur gjithashtu ndryshon shumë në të gjitha vendet, me 18 nga 30 ekonomitë kryesore globale në pasurinë mesatare për të rritur që janë në Evropë. Kjo rritet në 19 tregje për pasurinë mesatare.

Pra, cilat vende janë më të pasura për sa i përket pasurisë për të rritur? Dhe sa pasuri për të rritur kanë evropianët?

Që nga fundi i vitit 2025, Zvicra kryeson listën globale të 30 vendeve më të mira me një mesatare prej 777,506 euro për të rritur. SHBA-të renditen të dytat me 594,651 euro (ose 696,277 dollarë). Luksemburgu (559,170 euro) është vendi i BE-së me pasurinë mesatare më të lartë për të rritur.

Pjesa vijon nga Hong Kongu, Australia dhe Singapori, me mbi 450,000 euro.

Danimarka (446,959 euro), Norvegjia (363,303 euro) dhe Holanda (354,673 euro) janë vendet e tjera evropiane në 10 vendet e para.

Pasuria mesatare për të rritur është gjithashtu mbi nivelin e 300,000 € në Belgjikë (348,382 euro) dhe Suedi (347,089 euro).

Pesë ekonomitë më të mëdha të Evropës shfaqen gjithashtu në listë.

Gjermania renditet më lart në vendin e 14-të, ndërsa Italia më poshtë në vendin e 23-të, por nivelet mesatare të pasurisë nuk janë shumë të ndryshme. Mesatarja e Gjermanisë është 296,023 euro krahasuar me 238,653 euro në Itali. Franca vjen pas me 291,536 euro, pastaj Spanja me 261,689 euro dhe Mbretëria e Bashkuar me 250,071 euro.

Irlanda (268,312 euro), Austria (239,123 euro), Finlanda (178,610 euro), Portugalia (167,188 euro), Malta (139,769 euro) dhe Greqia (122,421 euro) janë vendet e tjera evropiane në listën e 30 vendeve të para.

Kur pasuria për të rritur shqyrtohet sipas medianës dhe jo sipas mesatares, si shumat ashtu edhe renditja ndryshojnë ndjeshëm. Një medianë është numri i mesëm në një listë të renditur nga më e ulëta në më të lartën, ose nga më e larta në më të ulëtën.

"Përfundimi që mund të nxjerrim është se çdo treg ka një shpërndarje të ndryshme të pasurisë, duke u dukur kështu më i pasur ose më i varfër në varësi të segmentit të popullsisë së rritur që shqyrtojmë", thuhet në raport.

Luksemburgu kryeson listën globale të pasurisë mesatare me 336,498 euro. Kjo është më pak se gjysma e shifrës më të lartë të pasurisë mesatare. Belgjika renditet e dyta, por pasuria mesatare bie në 236,712 euro.

Australia (180,018 euro), Zelanda e Re (176,460 euro) dhe Hong Kongu (160,533 euro) janë gjithashtu në 10 vendet e para, pasi janë në renditjen mesatare të pasurisë.

Danimarka (174,029 euro), Zvicra (124,310 euro) dhe Norvegjia (119,569 euro) janë vendet e tjera evropiane në 10 vendet e para.

Renditja ndryshon tërësisht midis pesë ekonomive më të mëdha të Evropës. Italia ka pasurinë më të lartë mesatare për të rritur me 111,881 €, duke u renditur e 11-ta në nivel global. Gjermania, në të kundërt, ka shifrën më të ulët me 45,679 euro, duke u renditur e fundit në nivel global. Mbretëria e Bashkuar (107,042 euro), Franca (104,106 euro) dhe Spanja (95,290 euro) janë më afër Italisë, duke e bërë shifrën e Gjermanisë të dallohet si dukshëm më e ulët.

Kur krahasohen të dyja listat, Sllovenia zëvendëson Emiratet e Bashkuara Arabe në renditjen mesatare të pasurisë.

SHBA-të renditen të tretat nga fundi me 58,927 euro, krahasuar me të dytat në renditjen mesatare të pasurisë. Kjo është padyshim rënia më e madhe e vetme në listë.

Gjermania gjithashtu ra 16 vende, nga vendi i 14-të në të 30-tin. Rënia është gjithashtu mbi 10 vende në Suedi dhe Singapor.

Këto vende renditen dukshëm më lart në pasurinë mesatare sesa në pasurinë mesatare, duke treguar një përqendrim të madh të pasurisë ekstreme në krye.

Japonia ngjitet 14 vende, nga vendi i 24-të në të 10-tin. Malta, Italia, Belgjika dhe Mbretëria e Bashkuar janë vende të tjera me pozicione dukshëm më të larta në renditjen mesatare krahasuar me mesataren.

Kjo tregon një klasë të mesme më të gjerë dhe më të shpërndarë në mënyrë të barabartë.

Raporti theksoi se pasuria mesatare dihet se jep një pamje më të saktë të niveleve të pasurisë që mbizotërojnë në mes të shkallës.

Megjithatë, të gjitha këto të dhëna nuk na tregojnë asgjë për fuqinë blerëse.

Duke parë në terma më të gjerë rajonalë, SHBA-të kanë qartë pasurinë mesatare më të lartë për të rritur krahasuar me rajone të tjera, përfshirë Evropën.

Ajo është 594,651 euro në SHBA, ndërsa pasuria mesatare në Evropën Perëndimore është më pak se gjysma e kësaj shume. Është 287,884 euro në Evropën Perëndimore, ndërsa kjo bie në 53,055 euro në Evropën Lindore. /Telegrafi/

Varka e policisë britanike përplaset në shtyllat e urës Westminister në Londër, lëndohen katër prej tyre



Ky është momenti kur një varkë policie në Londër përplaset me urën e Ëestminsterit, duke i dërguar oficerët të fluturojnë në lumin Thames, ndërsa pesë prej tyre janë 'të lënduar rëndë'.

Që atëherë kanë dalë pamje të reja të varkës së zezë të fryrë që udhëton me shpejtësi përpara se të godasë shtyllën e urës së Westminsterit, transmeton Telegrafi.

Valët u ngritën në ajër ndërsa oficerët u hodhën në ujë, me kokat e tyre që shiheshin duke u lëkundur mbi ujë ndërsa varka largohej prej tyre.

Katër oficerë policie u lënduan rëndë pasi varka patrulluese u përplas në urë dje pasdite. Lëndimet e tyre nuk janë kërcënuese për jetën.

Pasi u trajtuan nga paramedikët në vendngjarje, ata u dërguan me urgjencë në spital. Një oficer i pestë policie u trajtua gjithashtu në spital, por më vonë u lirua.

Anija patrulluese po përgjigjej ndaj raportimeve për një person në ujë më tej në lumë, tha policia metropolitane. /Telegrafi/

Barcelona gjen pasardhësin e Lewandowskit? Deco ‘çmendet’ pas yllit francez



Barcelona ka ringjallur interesimin për sulmuesin e Bournemouthit, Eli Junior Kroupi, teksa drejtori sportiv Deco vazhdon kërkimin për pasardhësin afatgjatë të Robert Lewandowskit.

Sipas SPORT, klubi katalanas ka rihapur diskutimet e brendshme për një transferim të 20-vjeçarit, pasi tentativa për të siguruar shërbimet e Julian Alvarez ka ngecur për shkak të refuzimit të Atletico Madridit për të negociuar.

Kroupi është shfaqur si një nga alternativat kryesore të departamentit sportiv të Barcelonës, pavarësisht qëndrimit të prerë të Bournemouthit se sulmuesi francez nuk është në shitje.

Talenti francez pati një sezon debutues fantastik në Ligën Premier, pas transferimit prej 13 milionë eurosh nga Lorient, duke realizuar 13 gola në 35 paraqitje dhe duke u vendosur si një nga sulmuesit e rinj më premtues në Evropë.

Paraqitjet e tij kanë tërhequr gjithashtu interesimin e klubeve të mëdha si Chelsea, Paris Saint-Germain, Arsenal, Bayern Munich dhe Manchester City.

Deco raportohet se është një admirues i madh i profilit të Kroupit, duke e parë atë si një sulmues që mund të udhëheqë repartin ofensiv të Barcelonës për shumë vite.

Megjithatë, Bournemouth mbetet i vendosur për ta mbajtur një prej talenteve më të çmuara të klubit./Telegrafi/

Lil Wayne do të nderohet me yll në Hollywood Walk of Fame, reperi mbeti i habitur kur mori lajmin: Nuk e besoja se ishte e vërtetë



Reperi i njohur amerikan Lil Wayne do të nderohet me një yll në Hollywood Walk of Fame gjatë vitit 2027, duke marrë një nga vlerësimet më prestigjioze për kontributin e tij në industrinë e muzikës.

Emri i tij është përfshirë në listën e personaliteteve që do të marrin këtë nderim, krahas figurave të njohura nga bota e muzikës dhe kinemasë si Pedro Pascal, Keke Palmer, Karol G, Elle Fanning, Dakota Fanning, Idris Elba, Lisa Kudrow, Kate Hudson, Delroy Lindo, Adam Scott dhe Sam Rockwell.

Lajmi duket se e surprizoi edhe vetë artistin, i cili reagoi me entuziazëm në platformën X, duke treguar se në fillim mendoi se gjithçka ishte një shaka.

"Vëllai im Fabian më tha se jam konfirmuar për të pasur yllin tim në Walk of Fame. Mendova se po tallej me mua, siç bëjnë zakonisht vëllezërit. Por më pas kuptova se ishte e vërtetë. Çfarë po thua, vëlla? Është seriozisht?", shkroi Lil Wayne.

Ky vlerësim vjen pas më shumë se dy dekadash karrierë të suksesshme, gjatë së cilës Lil Wayne është shndërruar në një nga emrat më me ndikim në historinë e hip-hopit amerikan.

Me miliona albume të shitura, dhjetëra hite që kanë dominuar klasifikimet muzikore dhe një ndikim të madh te brezat e rinj të reperëve, ai ka ndërtuar një karrierë që e ka bërë një nga artistët më të rëndësishëm të zhanrit.

Ceremonia e vendosjes së yllit pritet të zhvillohet gjatë vitit 2027 në Hollywood, ku Lil Wayne do t'i bashkohet listës së gjatë të ikonave të argëtimit që janë përjetësuar në një prej simboleve më të njohura të industrisë së filmit dhe muzikës. /Telegrafi/

Bllokada politike paralizon institucionet, 24 agjenci funksionojnë me mandate të skaduara ose jo të plota



Bllokada politike dhe mungesa e institucioneve të reja kanë bërë që dhjetëra institucione shtetërore të udhëhiqen nga ushtrues detyre. Njohësit e çështjeve kushtetuese paralajmërojnë se kjo gjendje po rrezikon funksionimin normal të shtetit dhe të institucioneve të pavarura.

Kosova tash e një kohë të gjatë po funksionon me ushtrues detyre në shumë institucione. Pozita kryesore e shtetit, ajo e presidentit, është me ushtrues detyre, ku këtë pozitë e ka Albulena Haxhiu, e cila po ashtu ka edhe pozitën e kryetares së Kuvendit në detyrë, pas shpërndarjes së Kuvendit.

Kryeministri Albin Kurti vazhdon ta ushtrojë detyrën në cilësinë e kryeministrit në detyrë, deri në formimin e institucioneve të reja që dalin nga zgjedhjet e 7 qershorit. Me ushtrues detyre funksionojnë edhe një sërë institucionesh në kuadër të Ministrisë së Financave, përfshirë Thesarin, Njësinë për Inteligjencë Financiare dhe Agjencinë Qendrore të Prokurimit. Edhe në Ministrinë e Drejtësisë, disa institucione udhëhiqen nga ushtrues detyre, si Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Situatë e ngjashme është edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Agjencia e Regjistrimit Civil funksionojnë me ushtrues detyre.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se, përveç pozitave të mbajtura me ushtrues detyre, shqetësues mbetet fakti se një numër institucionesh funksionojnë me përbërje jo të plotë, ndërsa të tjera rrezikojnë të bllokohen nëse nuk konstituohen institucionet e reja.

“E shohim që shumë institucione, shumë pozita janë duke u mbajtur me ushtrues detyre dhe kjo është jashtëzakonisht problematike, mbajtja e pozitave me ushtrues detyre duhet të jetë vetëm si rast përjashtimor që mos të krijohet ndonjë vakuum. Bazuar në gjetjet e Institutit të Kosovës për Drejtësi janë gjithsej 24 institucione apo agjenci të pavarura të cilat funksionojnë në përbërje jo të plotë apo në përbërje që pritet tu skadoj mandate”, tha Gzim Shala nga IKD.

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se kjo gjendje është pasojë e drejtpërdrejtë e bllokadës politike dhe mungesës së një Kuvendi funksional.

“Aktualisht rrezikon nëse vazhdon kjo bllokada e konstituimit të Kuvendit dhe e zgjedhjes së qeverisë që ne të përfundojmë pa zgjedhjen e dy gjyqtarëve në gjykatë Kushtetuese, vitin e ardhshëm i skadon mandati edhe pesë të tjerëve që pastaj në mungesë të parlamentit do të bllokohet në tërësi edhe puna e gjykatës kushtetuese, po ashtu kemi të bëjmë edhe me skadimin e Avokatit të Populli”, Vullnet Bugaqku nga KDI.

Sipas raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, 24 institucione dhe agjenci të pavarura aktualisht funksionojnë me përbërje jo të plotë ose me mandate që kanë skaduar apo pritet të skadojnë së shpejti.

Në mesin e tyre janë Gjykata Kushtetuese, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Institucioni i Avokatit të Popullit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Zyra e Rregullatorit për Energji, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, bordi i KOSTT-it, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit./RTK

Anulohet parada e krenarisë në Berlin, vetura shtyp pjesëmarrësit – raportohet për të lënduar



Një operacion i madh policor është duke u zhvilluar në lagjen Tiergarten të Berlinit, një park i madh me të njëjtin emër në kryeqytetin gjerman, pasi një automjet goditi një numër njerëzish.

Policia e Berlinit tha se të lënduarit po trajtoheshin në vendngjarje, por nuk tha se sa ishin lënduar. Policia theksoi se po kryen një kërkim intensiv për të dyshuarit.

Parku Tiergarten është pranë rrugës së paradës së krenarisë LGBTQ+, Christopher Street Day Parade, transmeton Telegrafi.

Auto beim #CSD in Berlin in Menschenmenge gefahren. Der CSD wurde abgebrochen. Situation noch unklar. pic.twitter.com/AlZQ2zrAdQ
— Anabel Schunke (@ainyrockstar) July 25, 2026

Policia anuloi marshimin e krenarisë dhe u kërkoi pjesëmarrësve të largoheshin menjëherë nga ambientet.

Një zëdhënës i policisë tha në një video të postuar në X: "Tani jemi në vendngjarje me një prani të fortë policie dhe paramedikësh nga shërbimi zjarrfikës i Berlinit dhe organizata të tjera”.

BREAKING: Car driven into Pride parade in Berlin, Germany, causing multiple injuries - Bild pic.twitter.com/Hszax892ni
— BNO News Live (@BNODesk) July 25, 2026

"Një automjet dyshohet se hyri në park dhe goditi disa njerëz, duke i plagosur me sa duket. Kjo është arsyeja pse tani ka disa pacientë që po trajtohen nga shërbimi zjarrfikës i Berlinit në zonën e [...] Tiergarten.

"Ne po kërkojmë për të dyshuar të mundshëm dhe do të përditësojmë kur të kemi më shumë informacion", shtuan ata. /Telegrafi/

“65 mijë minoritarë në Shqipëri”/ PS kërkon që Dropulli, Finiqi dhe Pusteci të mos preken nga Reforma Territoriale



Në Shqipëri jetojnë mbi 65 mijë qytetarë që janë vetëdeklaruar pjesë e pakicave kombëtare, ndërsa komuniteti më i madh mbetet ai grek me 23.485 banorë.

Këto të dhëna janë pjesë e raportit për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, të hartuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar dhe të paraqitur në Kuvend nga deputetët socialistë.

Sipas raportit, nga 2.402.113 banorë të regjistruar në vend, 2.186.917 janë deklaruar me përkatësi etnike shqiptare. Pas pakicës greke, komunitetet më të mëdha janë ai egjiptian me 12.375 banorë, rom me 9.813, bullgar me 7.057, boshnjak me 2.963, arumun me 2.459, maqedonas me 2.281, serb me 584 dhe malazez me 511 banorë.

Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë, 134.451 persona, nuk kanë të dhëna të disponueshme për përkatësinë etnike, ndërsa 13.507 kanë zgjedhur të mos përgjigjen. Raporti thekson se reforma e re administrativo-territoriale nuk duhet të bazohet vetëm në tregues ekonomikë, financiarë apo demografikë, por duhet të garantojë edhe mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe ruajtjen e identitetit të tyre.

Në dokument nënvizohet se kufijtë administrativë ndikojnë drejtpërdrejt në përfaqësimin vendor, përdorimin e gjuhës, aksesin në shërbime dhe ushtrimin e të drejtave të komuniteteve minoritare. Për këtë arsye, çdo ndryshim në hartën territoriale duhet të shoqërohet me konsultim të komuniteteve dhe me një analizë të ndikimit që mund të ketë mbi jetën e tyre. Socialistët veçojnë tre bashki ku pakicat kombëtare janë të përqendruara dhe që, sipas raportit, kërkojnë trajtim të veçantë: Dropullin në qarkun e Gjirokastrës, Finiqin në qarkun e Vlorës dhe Pustecin në qarkun e Korçës.

Raporti paralajmëron se, edhe nëse në të ardhmen do të propozohet reduktimi i numrit të bashkive për shkak të popullsisë së ulët apo performancës financiare, këto njësi vendore nuk duhet të analizohen vetëm përmes treguesve ekonomikë. Ligji shqiptar parashikon gjithashtu që, në njësitë vendore ku pakicat kombëtare përbëjnë mbi 20% të popullsisë, ato mund të kërkojnë përdorimin e gjuhës së tyre në marrëdhëniet me institucionet vendore dhe vendosjen e emërtimeve dygjuhëshe për rrugët, njësitë administrative dhe treguesit topografikë.

Dokumenti përmend edhe bashki me profil të fortë identitar, si Hasi dhe Konispoli, duke kërkuar që çdo vendimmarrje për hartën e re territoriale të mos dëmtojë kohezionin social, traditat historike dhe të drejtat e pakicave kombëtare./Top Channel

Të shtëna me armë zjarri në Gjorm të Kurbinit, plagoset një 22-vjeçar



Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së shtunës në fshatin Gjorm, në Bashkinë Kurbin, ku janë regjistruar të shtëna me armë zjarri.

Sipas informacioneve paraprake, V. P., 22 vjeç ka mbetur i plagosur nga të shtënat.

I riu është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmë mjekësore.

Forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.

Kurbin/Informacion paraprak

Më datë 25.07.2026, rreth orës 19:00, është dërguar në spital shtetasi V. P., 22 vjeç, banues në fshatin Sanxhak, Kurbin, i dëmtuar në këmbë, dyshohet me armë zjarri, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ushtari ukrainas rrëzon dronin rus, e qëllon me pushkë nga kabina e aeroplanit



Momenti kur një ushtar ukrainas nga ulësja e pasme e një aeroplani rrëzoi disa dronë rusë nga një kabinë e hapur.

Pamjet treguan një bashkëpilot të Yak-52 të ulur në ulësen e pasme të aeroplanit përpara se të drejtonte pushkën e tij dhe të qëllonte dronët Shahed, transmeton Telegrafi.

Pasi qëlloi me pushkën e tij në një moment, një gjurmë e hollë tymi filloi të ngrihej nga krahu i djathtë i dronit, përpara se piloti të fluturonte më afër dhe ai të shpërthente mbi det.

Ushtari në ulësen e pasme regjistroi gjithashtu rrëzimin e dronëve armik të cilët shpërthyen në flakë pasi u rrëzuan në një fushë.

Dronët Shahed janë kontributi më i madh i Iranit në luftën e Vladimir Putinit, të cilët janë përshtatur nga forcat ruse dhe përdoren për të goditur Ukrainën.

Pamjet u publikuan pasi Rusia u godit nga një valë e re sulmesh me rreze të gjatë nga ushtria ukrainase, duke përfshirë një goditje në një bazë kyçe raketash bërthamore.

"Kazermat ushtarake" në rajonin e Saratovit u përfshinë nga flakët pas një alarmi për raketa dhe dronë sot.

Baza Engels-2 është shtëpia e bombarduesve bërthamorë strategjikë të çmuar të Putinit, të cilët janë përdorur vazhdimisht në sulmet me raketa KH-101 në Ukrainë.

Nuk pati raportime për viktima në bazën ajrore të vendosur pranë qytetit të Engelsit.

Sulmi ukrainas erdhi pasi inteligjenca e re sugjeron se Putini po planifikon një ofensivë masive të vjeshtës, duke rekrutuar më shumë burra rusë për të luftuar, në një përpjekje për të përmbysur pengesat. /Telegrafi/

Barnatoret “roje të natës”, nis planifikimi i orarit të kujdestarisë në nivel vendi



Kanë kaluar gati dy vjet prej kur është larguar nga implementimi orari i kujdestarive gjatë natës për barnatoret në Prishtinë. Mirëpo, kjo synohet të rikthehet sërish në funksion. Ndërkohë, Oda e Farmacistëve të Kosovës tashmë është pjesë e një grupi punues me Ministrinë e Shëndetësisë, përmes së cilit po synohet që të bëhet orari i kujdestarisë së barnatoreve në gjithë vendin.

Orarin gjatë së cilit i ofrojnë shërbime pacientëve e kanë të vendosur në derë.

Ndërkohë pas kësaj ore, kjo farmaci në kryeqytet mbyllet, por ka të tjera që punojnë 24 orë, ndonëse nuk e kanë të përcaktuar me ndonjë rregullore.

Kësisoj, ka më shumë se dy vite që orari i kujdestarisë së barnatoreve në Prishtinë është larguar.

Por, drejtori i shëndetësisë, Bujar Gashi bën të ditur shërbimet do të rikthehen në 24 orë.

“Po në planifikimet tona, në të ardhmen është e planifikuar që të mbahen takime të grupeve punuese me grupet e interesit edhe qytetarët po edhe farmacistët e kryeqytet që formula e cila do të bëhet të jetë e përshtatshme me në rend të parë për qytetarët e pastaj edhe për barnatoret”, ka thënë Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë.

Por, a kanë pranuar kërkesa nga farmacistët deri më tani?

“Jo deri më tani nuk kemi marr ndonjë kërkese sepse është edhe fillimi i mandatit tim por në të ardhmen do të mundohemi të gjejmë një formulë të arsyeshme, e cila do të jetë e arsyeshme”, ka thënë Bujar Gashi, Drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë.

Veç komunës së Prishtinës, një orar kujdestarie po planifikohet në nivel nacional.

Nënkryetarja e Odës së Farmacistëve, Jehona Hakaj dha detaje.

“Është duke u bërë plotësim-ndryshimi i ligjit 11/2015 për qarkulluesit me pakicë pra barnatoret. Ministri ka formu një komision ku unë jam e deleguar nga Oda e Farmacistëve dhe kemi përpilu një orar që është për të mirën e qytetarëve, por edhe farmacistëve”, ka thënë Jehona Hakaj, Nënkryetare e Odës së Farmacistëve.

Numri dy i përfaqësuesëve të farmacistëve tha se janë në fazën e shqyrtimit të ankesave dhe kërkesave.

“Po besoj që deri tek mesi i gushtit do të jetë edhe finalizimi i këtij plotësim-ndryshimi i këtij ligji, do të shohim se cilat kanë qenë kërkesat e palëve të pakënaqura në këtë rast”, ka thënë Jehona Hakaj, Nënkryetare e Odës së Farmacistëve.

Pas plotësim-ndryshimit të ligjit do të nevojitet një muaj kohë për implementimin fillestar të orarit të kujdestarive dhe se sipas Odës, 97% e farmacistëve janë pro rregullimit të orarit./Tv Dukagjini

- YouTube youtu.be

14-vjeçari ndihmon policinë britanike për një telefonatë të rreme, aeroplanët luftarakë u ngritën në ajër për të interceptuar fluturaken e Qatar Airways që po shkonte drejt Mançesterit



Një djalë po ndihmon një hetim policor pasi një kërcënim i rremë iu bë një aeroplani që po shkonte drejt aeroportit të Mançesterit.

Dy Typhoon u ngritën nga Coningsby në Lincolnshire të premten për të kapur fluturimin e Qatar Airways, pasi ai u kërcënua nga ajo që rezultoi të ishte një mashtrim, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.

Menjëherë pasi Boeing 777 - fluturimi 23 nga kryeqyteti i Katarit, Doha - hyri në hapësirën ajrore të Mbretërisë së Bashkuar të premten në mbrëmje, ai u kap nga aeroplanët luftarakë mbi Nottingham.

Nats, ish-Shërbimet Kombëtare të Trafikut Ajror, tha se mori kërcënimin rreth orës 6 pasdite dhe shkaktoi një përgjigje që përfshinte policinë, forcat ajrore dhe autoritetet e aeroportit.

Por shoqërimi i Typhoon u anulua para se fluturimi të arrinte në Mançester.

Aeroplani u ul në mënyrë të sigurt dhe policia tha se nuk kishte kërcënim për pasagjerët ose ekuipazhin.

Policia e Greater Manchester tha se një djalë 14-vjeçar nga Bolton, i cili nuk ishte në bordin e fluturimit, po 'ndihmon oficerët me hetimet e tyre'.

Kryeinspektori Gary Homa tha se mashtrimi ishte 'krejtësisht i papranueshëm' dhe çdo shqetësim sigurie i raportuar u 'trajtua jashtëzakonisht seriozisht' nga forca e rendit.

Ai shtoi se thirrjet mashtruese mund të shkaktojnë "ndërprerje të konsiderueshme, të devijojnë burimet jetësore të shërbimit të emergjencës dhe të krijojnë shqetësim të panevojshëm për pasagjerët, ekuipazhin dhe publikun e gjerë".

"Për fat të mirë, ky incident përfundoi në mënyrë të sigurt, por bërja e raportimeve të rreme nuk është shaka dhe mund të ketë pasoja serioze.

Ne gjithmonë do t'i hetojmë incidentet e këtij lloji në tërësi dhe do të ndërmarrim veprime të forta aty ku janë kryer vepra penale", tha ai.

Një zëdhënës i forcave ajrore tha se nisi një "alarm reagimi të shpejtë" për një fluturim të Qatar Airways i cili "po shkaktonte shqetësim tek autoritetet civile".

"Incidenti u zgjidh dhe avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin e Mançesterit", shtoi forca.

Ekipet tokësore të emergjencës pritën ndërsa aeroplani u ul, por ai u drejtua në mënyrë të sigurt drejt portës së tij, duke mbërritur në orën 7.45 të mbrëmjes.

Një zëdhënës i Qatar Airways tha se fluturimit 23 "iu sigurua një shoqërues për një pjesë të udhëtimit të tij para uljes pas një njoftimi sigurie nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar".

"Në asnjë moment avioni nuk ishte në rrezik dhe operacionet normale vazhduan në bord gjatë gjithë kohës. Fluturimi u ul në mënyrë të sigurt dhe të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi zbritën pa incidente", shtoi ai.

"Siguria dhe mbrojtja e pasagjerëve dhe ekuipazhit tonë mbetet përparësia jonë më e lartë. I falënderojmë pasagjerët tanë për mirëkuptimin e tyre", theksuan ndër tjera. /Telegrafi/

Bebe Rexha elektrizoi 'Tomorrowland 2026' me një performancë spektakolare, ndezi atmosferën në festivalin më të madh evropian



Bebe Rexha dhuroi një performancë spektakolare në edicionin e sivjetmë të Tomorrowland, duke elektrizuar mijëra adhurues të muzikës në një prej festivaleve më të mëdha të Evropës.

Artistja shqiptaro-amerikane u ngjit në skenën Freedom Stage, ku interpretoi disa prej hiteve të saj më të njohura, duke krijuar një atmosferë të zjarrtë dhe duke marrë ovacione të shumta nga publiku.

Faqja zyrtare e Tomorrowland në rrjetet sociale publikoi disa fotografi nga performanca e Bebe Rexhës, ku ajo u shfaq plot energji, ndërsa publiku këndonte dhe vallëzonte së bashku me të.

Para performancës, Rexha kishte zbuluar se kishte kërkuar këshilla nga bashkëpunëtori i saj i ngushtë, DJ dhe producenti me famë botërore David Guetta, i cili i kishte sugjeruar që seti i saj të ishte i mbushur vetëm me energji.

Ajo kishte treguar se dëshironte të krijonte një performancë ndryshe nga koncertet e zakonshme pop, duke e përshkruar atë si një kombinim mes një DJ-i dhe një ylli të muzikës pop.

Sipas artistes, performanca përfshiu një miks dinamik të hiteve të saj si "Me, Myself & I" dhe "I'm Good (Blue)", të ndërthurura me klasike të muzikës elektronike si "Satisfaction" e Benny Benassi dhe "Sandstorm" e Darude, duke mbajtur ritmin në një nivel të lartë gjatë gjithë setit.

Debutimi i saj në Tomorrowland u prit me entuziazëm të madh nga publiku dhe konsiderohet një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën ndërkombëtare të këngëtares.

Bebe Rexha po shijon një periudhë mjaft të suksesshme si artiste e pavarur. Vetëm pak javë më parë ajo publikoi albumin e saj më të ri, "Dirty Blonde", projektin e parë të realizuar pas përfundimit të bashkëpunimit me shtëpinë diskografike Warner Records, duke dëshmuar se vazhdon të jetë një nga emrat më të rëndësishëm të skenës muzikore ndërkombëtare. /Telegrafi/

Pse Real Madridi po mendon ta shesë Viniciusin? Këto janë tri arsyet kryesore



Real Madridi raportohet se është i gatshëm të shqyrtojë largimin e Vinicius Juniorit gjatë kësaj vere, nëse Arsenali e konkretizon interesimin e tij me një ofertë të madhe financiare.

Sipas Daily Mail, bisedimet për rinovimin e kontratës së brazilianit kanë ngecur dhe nuk kanë shënuar asnjë përparim gjatë 12 muajve të fundit.

Vinicius, i cili ka hyrë në sezonin e fundit të kontratës së tij me klubin madrilen, po kërkon një pagë të ngjashme me atë të Kylian Mbappes, futbollistit më të paguar në skuadër, si dhe një bonus të majmë besnikërie. Nga ana tjetër, Real Madridi nuk dëshiron të rrezikojë ta humbasë lojtarin si futbollist të lirë në verën e vitit 2027.

Raporti shton se trajneri Jose Mourinho nuk pritet ta bllokojë një transferim të mundshëm, pavarësisht se e vlerëson shumë cilësinë e Viniciusit.

Portugezi besohet se largimi i brazilianit do ta zgjidhte një problem taktik që kishte shqetësuar edhe paraardhësit e tij, Carlo Ancelottin dhe Xabi Alonson. Sipas raportit, Viniciusi dhe Mbappe preferojnë të luajnë në të njëjtat hapësira të sulmit, ndërsa kontributi i tyre në fazën mbrojtëse është i kufizuar.

Probleme raportohet se ka pasur edhe jashtë fushës. Marrëdhënia mes Viniciusit dhe Mbappes nuk ka qenë ideale, me francezin që, sipas Daily Mail, e konsideronte brazilianin si një nga arsyet që çuan në largimin e Xabi Alonsos.

Gjithçka nisi pasi Vinicius reagoi ashpër ndaj një zëvendësimi, duke krijuar tensione që dobësuan pozitën e trajnerit spanjoll. Alonso u shkarkua më vonë, pavarësisht se Mbappe kishte tentuar ta mbështeste duke luajtur në Superkupën e Spanjës edhe pse nuk ishte plotësisht i gatshëm fizikisht.

Raporti rikujton edhe përplasjen mes Mourinhos dhe Viniciusit pas ndeshjes së play-offit të Ligës së Kampionëve ndaj Benficas.

Braziliani kishte akuzuar Gianluca Prestiannin për ofendime raciste, ndërsa Mourinho deklaroi pas ndeshjes se nuk mund të konfirmonte versionin e asnjërës palë. Trajneri kritikoi gjithashtu mënyrën se si Viniciusi festoi golin e tij, gjë që nuk u prit mirë nga kampi i futbollistit dhe marrëdhëniet mes tyre mbetën të ftohta.

Me negociatat për kontratën që vazhdojnë të jenë të bllokuara, Real Madridi ka dy alternativa.

Klubi mund t'i plotësojë kërkesat e Viniciusit me një kontratë prej 30 milionë eurosh në sezon, plus një bonus besnikërie prej 15 milionë eurosh, ose ta shesë atë gjatë kësaj vere nëse Arsenali paraqet një ofertë të kënaqshme, duke shmangur kështu rrezikun që ta humbasë pa dëmshpërblim pas skadimit të kontratës./Telegrafi/

Rama paralajmëroi rishikimin e bashkëpunimit me BIRN-in, Kallxo.com sqaron rastin “Lule Gjeli”



Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se Kryeqyteti do të rishqyrtojë çdo formë të bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale me BIRN Kosovën, pas publikimit të një opinioni me pseudonimin “Lule Gjeli” në Kallxo.com.

Rama ka kërkuar nga BIRN Kosova, Kallxo.com, Internews Kosova dhe drejtoresha Jeta Xharra sqarime për autorin e opinionit, kohën dhe natyrën e bashkëpunimit, si dhe nëse autori është paguar për publikimet.

Ai ka kërkuar që sqarimet të bëhen publike deri të hënën, duke paralajmëruar ndërprerjen e bashkëpunimit institucional nëse përgjigjet nuk i përmbushin, sipas tij, standardet e transparencës.

Ndërkohë, Kallxo.com ka sqaruar se opinioni me pseudonimin “Lule Gjeli” është publikuar më 27 gusht 2020, me kërkesë të autorit, identiteti i të cilit, sipas mediumit, nuk është i panjohur për redaksinë.

Kallxo.com ka deklaruar se, përveç publikimit të këtij opinioni, nuk ka pasur bashkëpunim tjetër me autorin apo me profilin “Lule Gjeli”, ndërsa ka mohuar se autori është paguar për publikimin.

Mediumi ka shtuar se ka verifikuar si të rreme dhjetëra postime të faqes “Lule Gjeli” dhe se edhe vetë Kallxo.com është sulmuar nga ky profil.

Djali i Bolsonaros nominohet si kandidat presidencial i krahut të djathtë në Brazil



Senatori brazilian Flávio Bolsonaro, djali i ish-presidentit Jair Bolsonaro, u konfirmua të shtunën si kandidati presidencial i Partisë Liberale të babait të tij, duke krijuar një sfidë kundër presidentit aktual Luiz Inácio Lula da Silva në zgjedhjet e tetorit.

"Gjaku i Bolsonaros rrjedh këtu", tha ai në konventën e partisë në São Paulo, ndërsa respektoi babain e tij, i cili po vuan një dënim me 27 vjet burg për komplotimin e një grushti shteti pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2022, transmeton Telegrafi.

Bolsonaro i ri përballet me një fushatë të vështirë, pa një kandidat për zëvendëspresident të zgjedhur ende dhe mbështetje të kufizuar nga partitë e qendrës që ndihmuan të atin të fitonte në vitin 2018. Disa figura kyçe munguan në konventë, përfshirë njerkën e tij Michelle Bolsonaro, një zë i shquar midis votuesve ungjillorë.

Flávio Bolsonaro mori mbështetje nga Presidenti argjentinas Javier Milei dhe një mesazh mbështetjeje nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa ai kërkon mbështetje të mëtejshme nga aleatët e presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Fushata e tij ka pësuar tashmë pengesa, duke përfshirë kritikat për kërkesën e tij për fonde nga një bankier i burgosur për të financuar një film për babain e tij dhe reagimet negative pas kërkimit të mbështetjes së SHBA-së, ndërsa Uashingtoni vendosi tarifa më të larta për eksportet braziliane.

Jair Bolsonaro u shfaq në këtë aktivitet përmes një videoje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, ndërsa ai mbetet nën arrest shtëpiak dhe i është ndaluar të bëjë deklarata publike.

Flávio Bolsonaro akuzoi Lulën dhe Gjykatën Supreme të Brazilit se kanë synuar familjen e tij, duke i paraqitur zgjedhjet si një betejë për të ardhmen e vendit.

Partia e Punëtorëve e Lulës pritet të konfirmojë zyrtarisht kandidaturën për rizgjedhje të presidentit 80-vjeçar më 2 gusht. /Telegrafi/

❌