Një pushues i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e ujit të detit në Vlorë. Sipas tij, uji në këtë zonë ka një ngjyrë të pazakontë, është i turbullt dhe shoqërohet edhe me një erë të rëndë. “Po jua dërgoj edhe një video, po nuk e di a shihet mirë ngjyra e ujit. Po ngjyra e ujit është shumë e keqe edhe kundërmon”, shkruan qytetari. Në pamjet e dërguara në redaksi, uji pranë bregut duket i turbullt dhe me ngjyrë të gjelbër-kafe, ndërsa në sipërfaqe dallohen edhe mbetje bimore apo alga. Shqetësimi është edhe më i madh për shkak se bëhet fjalë për një plazh të frekuentuar nga pushues, të cilët vijojnë të futen në det pavarësisht situatës së konstatuar në pamje. Nuk mund të përcaktohet vetëm nga pamjet shkaku i ndryshimit të ngjyrës së ujit apo nëse bëhet fjalë për ndotje, ndaj situata kërkon verifikim dhe analiza nga institucionet përgjegjëse. JOQ Albania publikon pamjet e dërguara nga pushuesi për të sjellë shqetësimin në vëmendje të autoriteteve dhe për të kërkuar verifikimin e cilësisë së ujit në këtë zonë të bregdetit të Vlorës.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të ndarë një pamje të pazakontë të filmuar në një rrugë interurbane. Në video shfaqet një automjet tip Mercedes-Benz SUV, mbi çatinë e të cilit është vendosur një dele e gjallë, së bashku me bagazhe dhe sende të tjera. Kafsha duket se është lidhur mbi pjesën e sipërme të automjetit dhe transportohet në këtë mënyrë gjatë lëvizjes në rrugë. Pamja ka ngjallur shqetësim për sigurinë e kafshës, por edhe për rrezikun që një transport i tillë mund të krijojë për përdoruesit e tjerë të rrugës. JOQ Albania publikon pamjet e dërguara nga qytetari, duke sjellë në vëmendje këtë mënyrë të pazakontë transporti.
Ndërsa debati politik për performancën e ligjvënësve vijon, faturat financiare që ata i kushtojnë buxhetit të shtetit mbeten një nga çështjet me interesin më të madh publik. Pasqyrat financiare të Kuvendit të Shqipërisë zbulojnë shifrat e detajuara të shpenzimeve për deputetët gjatë muajit korrik 2026. Përveç pagës bazë prej afro 2,000 eurosh në muaj, ligjvënësit përfitojnë edhe paketa të majme shtesë. Këto përfitime përfshijnë deri në 400 euro në muaj për karburant, 170 euro për shpenzime telefonike, si dhe shuma të konsiderueshme për dieta udhëtimesh brenda vendit, rimbursim qira banese dhe fatura hoteli. Lista e ligjvënësve që kanë arkëtuar shumat më të larta të përfitimeve dytësore (pa përfshirë pagën bazë) kryesohet nga emra që në pjesën më të madhe mbeten figura kryesisht anonime në sferën publike, me pak ose aspak prani në debatin parlamentar: Antoneta Dhima: 2,812 € Elton Korreshi: 2,812 € Zamira Sinaj: 2,812 € Erjo Mile: 2,794 € Bledi Çomo: 2,794 € Ledina Alolli: 2,757 € Zegjine Çaushi: 2,738 € Ilirjan Pendavinji: 2,720 € Fadil Nasufi: 2,702 € Kiduina Zaka: 2,702 € Struktura e shpenzimeve dytësore Në total, Kuvendi ka shpenzuar 250,997 euro vetëm për përfitimet dytësore të deputetëve gjatë muajit korrik, të ndara si më poshtë: Dieta për udhëtimet brenda vendit: 156,243 € Rimbursim për karburant: 49,512 € Rimbursim për shpenzime telefonie: 23,991 € Honorare për mbledhjet e komisioneve: 14,484 € Rimbursim për qira banese: 6,570 € Rimbursim faturë hoteli: 194 € Fatura totale për buxhetin e shtetit Duke mbledhur të gjithë zërat financiarë: 290,000 euro për pagat bazë dhe 250,997 euro për përfitimet ekstra. Rezulton se vetëm gjatë muajit korrik deputetët i kanë kushtuar buxhetit të shtetit një shumë totale prej 540,997.15 eurosh (afro 541 mijë euro).
Kompania koncesionare "Vlora International Airport" (VIA) po përgatit një padi kundër qeverisë shqiptare në Gjytatën e Arbitrazhit të Londrës, pas vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës për të anuluar kontratën koncesionare. Ndryshe nga paditë e zakonshme, kjo kërkesë nuk lidhet me dëmshpërblim financiar, por synon marrjen e një mase sigurimi për të bllokuar procedurën e zgjidhjes së kontratës. Përplasja mes palëve nisi pasi VIA aktivizoi nenin 21 të kontratës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me mirëkuptim. Egzekutivi e refuzoi këtë kërkesë duke deklaruar se pretendimet e kompanisë bien ndesh me raportimet zyrtare dhe punimet e konfirmuara në terren, duke vijuar zyrtarisht me procedurën e anulimit. Aktualisht, VIA drejtohet nga administratori Vegim Hoxha (i vendosur nga kompania "2A Group"), pas ngrirjes së aksioneve të shoqërisë "Mabco". Nga ana tjetër, "Mabco" e Behgjet Pacollit ka paralajmëruar padi për dëmshpërblim dhe fitim të munguar, ndonëse Pacolli i ka bërë thirrje publike qeverisë për zgjidhje me mirëkuptim. Gjykata e Arbitrazhit në Londër pritet të marrë një vendim për masën e sigurimit brenda një muaji e gjysmë.
Një turist i huaj në Sarandë është filmuar teksa ndihmon në lehtësimin e trafikut, pasi një aks rrugor ishte bllokuar për më shumë se gjysmë ore. Pamjet e dërguara në redaksinë e JOQ Albania tregojnë turistin në mes të rrugës, teksa orienton drejtuesit e automjeteve dhe përpiqet të ndihmojë në normalizimin e qarkullimit në një prej segmenteve të rënduara nga trafiku. Sipas qytetarit që ka dërguar videon, situata kishte zgjatur për më shumë se 30 minuta, duke shkaktuar bllokim dhe vështirësi në lëvizjen e automjeteve. Në vend që të vazhdonte pushimet e tij, turisti duket se ka vendosur të ndërhyjë vetë për të ndihmuar në zhbllokimin e rrugës. “Përshëndetje. Pas bllokimit të rrugës për më tepër se gjysmë ore në rrugën 5 të Sarandës, ky turist i ktheu pushimet e tij në detyrën që Policia e Shtetit duhet të kryejë”, shkruan qytetari në mesazhin e dërguar në redaksi. Pamjet sjellin një situatë sa të pazakontë, aq edhe ironike: një turist që ka ardhur në Sarandë për pushime përfundon duke dalë në rrugë për të ndihmuar në menaxhimin e trafikut. Në kulmin e sezonit turistik, kur qarkullimi në Sarandë rëndohet ndjeshëm, ndërhyrja e një turisti për të orientuar automjetet ka bërë që qytetari ta shohë situatën si një tjetër rast që ngre pikëpyetje mbi menaxhimin e trafikut në qytet.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania lidhur me aktivitetin online të një shtetasi të huaj që jeton dhe punon në Durrës. Sipas denoncimit, personi dyshohet se regjistron në mënyrë të përsëritur gra, vajza dhe në disa raste edhe fëmijë në hapësira publike, pa pëlqimin e tyre. Materialet e dërguara tregojnë se ai ka realizuar video në zona të ndryshme të Durrësit, përfshirë Golemin, Plazhin, Bulevardin dhe Vollgën, ndërsa sipas denoncuesit, ka qenë aktiv edhe në Tiranë. Në disa prej videove, kamera fokusohet te vajza dhe gra që kalojnë në rrugë apo shëtitore, ndërsa personi i regjistron gjatë lëvizjes. Denoncuesi pretendon gjithashtu se disa prej këtyre pamjeve janë shoqëruar me komente dhe publikime në rrjetet sociale, duke iu treguar personave jashtë Shqipërisë pamje të grave shqiptare. Për këtë arsye, denoncuesi kërkon që aktiviteti i tij të verifikohet nga autoritetet kompetente, veçanërisht për të përcaktuar mënyrën se si janë realizuar dhe përdorur këto materiale. JOQ Albania publikon shqetësimin për ndërgjegjësim dhe parandalim, pa synuar nxitjen e urrejtjes apo diskriminimit ndaj asnjë komuniteti. Çdo pretendim lidhur me personin dhe aktivitetin e tij duhet të verifikohet nga autoritetet përkatëse. Qëllimi është që sjellje potencialisht problematike të verifikohen në kohë dhe të merren masat e nevojshme nëse konstatohet shkelje e ligjit.
Një pushuese ka përjetuar një surprizë krejtësisht të papritur gjatë pushimeve të saj në plazhet e Zanzibarit, duke marrë me vete një kujtim që vështirë se do ta harrojë ndonjëherë. E reja po relaksohej në ujë, kur pa u vënë re, nga prapa i është afruar një breshkë detare. Pa asnjë paralajmërim, krijesa ujore e ka kafshuar atë direkt në të ndenjura. Pavarësisht tronditjes së momentit dhe dhimbjes së lehtë, ngjarja ka kaluar pa pasoja të rënda, por me siguri mbetet një nga "suveniret" më të pazakonta e më të paharrueshme që mund të marrësh nga një udhëtim tropikal.
Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar sjelljen e disa drejtuesve të mjeteve në trafik. “Shihni si hyjnë, ne presim në radhë në trafik”, shprehet denoncuesja, duke treguar automjetet që futen në radhë ndërsa pjesa tjetër e drejtuesve presin. Pamjet tregojnë një trafik të rënduar, ku lëvizja e mjeteve është e ngadaltë dhe krijohen radhë të gjata. JOQ Albania publikon pamjet e dërguara nga qytetari, duke sjellë në vëmendje një tjetër situatë të përditshme në trafikun e rrugëve shqiptare.
Një 70-vjeçar në Tiranë është bërë pre e një skeme mashtrimi, ku tre të rinj dyshohet se kanë përdorur Inteligjencën Artificiale për ta bindur që t’u dorëzonte 100 mijë euro. Policia ka arrestuar dy prej të dyshuarve, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Në pranga kanë rënë Brian Serica, 31-vjeç, dhe Skerdi Meta, 23-vjeç. Ndërkohë, në kërkim është shpallur R. H., 31-vjeç. Sipas autoriteteve, të rinjtë kanë komunikuar me 70-vjeçarin përmes mesazheve, duke u paraqitur si persona të njohur të tij. Dyshohet se, përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale, ata kanë arritur ta bindin 70-vjeçarin se bëhej fjalë për një person që ai e njihte. I moshuari, i cili ushtronte aktivitetin e këmbimit valutor, është bindur që t’u dorëzonte shumën prej 100 mijë eurosh, me pretendimin se paratë do t’i ktheheshin pas disa orësh. Por koha kaloi dhe shuma nuk iu kthye. Pas kësaj, 70-vjeçari ka denoncuar rastin pranë Policisë, duke bërë të mundur nisjen e hetimeve. Uniformat blu kanë arrestuar dy të dyshuarit, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e R. H. Paralelisht, hetuesit po punojnë për identifikimin e personit që shkoi pranë subjektit të 70-vjeçarit dhe mori shumën prej 100 mijë eurosh. Rasti po hetohet nga autoritetet, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar roli i secilit prej personave të dyshuar në skemën e mashtrimit.
Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë nga një vend që eksporton fuqi punëtore, në një treg që po tërheq punonjës nga jashtë. Të dhënat më të fundit të INSTAT konfirmojnë se mungesa e fuqisë punëtore në vend po mbushet me ritme të shpejta nga shtetas të huaj, ku Azia po zë një peshë gjithnjë e më të madhe. Në fund të vitit 2025, në Shqipëri rezultonin 32.163 të huaj me leje qëndrimi, duke shënuar një rritje prej 46,6% krahasuar me vitin 2024, ku numri i tyre ishte rreth 21,9 mijë. Në vetëm katër vjet, ky numër është më shumë se dyfishuar (nga 14,9 mijë në vitin 2021). Sipas shifrave zyrtare, 55,1% e lejeve të qëndrimit janë dhënë për arsye punësimi. Pas tij renditet bashkimi familjar me 19,8%, ndërsa qëllimet humanitare dhe studimet zënë përkatësisht 7,9% dhe 3,1%. Sa i përket profilit demografik, 65% e të huajve janë meshkuj dhe 35% femra, ndërsa grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30-39 vjeç (24,5%). Edhe pse Evropa mban ende peshën kryesore me 52,9% të totalit (ku Kosova me 6.284 persona dhe Italia me 4.065 persona kryesojnë), dinamika më e fortë vjen nga Azia. Prania nga Azia: Arriti në 9.891 persona në fund të 2025-ës, me një rritje prej 117,6% brenda një viti. India: Renditet e treta në total me 2.886 persona (9% të totalit), duke pësuar një rritje prej 87,6%. Filipinet: Renditen të katërtat me 2.401 persona (7,5% të totalit), me një rritje prej 136,1% krahasuar me vitin 2024. Fluksi pritet të vijojë me ritme të larta, pasi gjatë vitit 2025 aplikimet për leje qëndrimi u rritën me 43,5%, ku vetëm kërkesat nga India dhe Filipinet përbënin mbi 1 në çdo 4 aplikime (26,6%). Paralelisht me emigracionin e rregullt, gjatë vitit 2025 janë identifikuar 1.926 të huaj me qëndrim të parregullt, nga 1.540 që ishin në vitin 2024 (një rritje prej 25%).
Shqipëria ka fituar medaljen e parë të artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, falë mundësit Islam Dudaev. 31-vjeçari, i natyralizuar si shqiptar, triumfoi në kategorinë deri në 74 kilogramë, në stilin e lirë ndërsa në finale, Dudaev mposhti Fati Vejselin, mundësin nga Maqedonia e Veriut, duke u shpallur kampion i Lojërave Mesdhetare. Dudaev, i cili […]
Presidenti Bajram Begaj ka uruar ekipin shqiptar të mundjes për rezultatet e arritura në Lojërat Mesdhetare të zhvilluara në Taranto. Mundësit kuqezi siguruan tri medalje, një të artë, një të argjendtë dhe një të bronztë. Islam Dudaev u shpall kampion, duke fituar medaljen e artë, ndërsa Zelimkhan Abakarov mori medaljen e argjendtë. Ardit Zeneli e […]
Topi i futbollit me të cilin Diego Maradona shënoi golin e tij ”Dora e Zotit” kundër Anglisë në Kupën e Botës 1986 është shitur në ankand për 3,35 milionë dollarë.
Çmimi i shitjes i arritur nga ”Heritage Auctions” në Shtetet e Bashkuara ishte afërsisht 6,7 milionë dollarë nën vlerësimin prej 10 milionë dollarësh.
Shtëpia e ankandeve me seli në Dallas kishte vendosur një çmim fillestar prej 2,5 milionë dollarësh për topin ”Adidas Azteca”.
Maradona shënoi dy herë në fitoren çerekfinale të Argjentinës ndaj Anglisë më 22 qershor 1986 në ”Estadio Azteca”.
Ai goditi në mënyrë kontroverse topin hapës përtej portierit të Anglisë Peter Shilton përpara se të shënonte një goditje të shkëlqyer individuale, e cila më vonë u votua si goli i shekullit.
Futbollisti argjentinas, i cili vdiq në moshën 60 vjeç në nëntor 2020, pretendoi se goli i tij i parë i diskutueshëm u shënua ”pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit”.
Arbitri tunizian Ali Bin Nasser, i cili drejtoi ndeshjen, e mori topin në kohën e plotë dhe e mbajti atë për më shumë se tre dekada.
Ai e shiti topin në vitin 2022 për 2,37 milionë dollarë.
Pronari i tij i ri e nxori përsëri në ankand në vitin 2023, por nuk arriti të përmbushte çmimin rezervë.
Pas mposhtjes së Anglisë, Argjentina u bë kampione bote për herë të dytë pas një fitoreje 3-2 ndaj Gjermanisë Perëndimore në finale./ mxh
Në Bavari u zhvillua kampionati i 65-të gjerman i mundjes me gishta, një traditë e pazakontë alpine ku forca nuk matet me muskuj apo pesha, por me gishtin e mesit.
Rreth 150 garues morën pjesë në aktivitetin e zhvilluar të dielën në Pflugdorf-Stadl, duke u përballur kokë më kokë në një tavolinë, transmeton Telegrafi.
Rregullat janë të thjeshta, por përballja është e dhimbshme: dy konkurrentët ulen përballë njëri-tjetrit dhe lidhin gishtat e mesit përmes një laku prej lëkure. Më pas, secili përpiqet ta tërheqë kundërshtarin drejt vetes dhe ta kalojë vijën e përcaktuar.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Krutje të Lushnjës. Një i ri me probleme të shëndetit mendor ka vrarë të ëmën dhe ka plagosur rëndë të babanë e tij. Menjëherë pas ngjarjes, i riu është larguar në drejtim të paditur. Policia është vënë në ndjekje të tij.
Kanceri i prostatës mund të zhvillohet për një kohë të gjatë pa dhënë shenja të dukshme, ndaj specialistët theksojnë rëndësinë e njohjes së faktorëve të rrezikut dhe diskutimit me mjekun për kontrollet e nevojshme.
Një artikull i publikuar së fundmi nga The Telegraph, i bazuar në këshillat e një kirurgu të kancerit të prostatës, rikthen vëmendjen te ajo që burrat duhet të dinë për këtë sëmundje.
Një nga çështjet kryesore është testi i gjakut PSA, i cili mund të ndihmojë në zbulimin e hershëm të rasteve potencialisht agresive, por rezultati i lartë nuk do të thotë domosdoshmërisht se një person ka kancer.
Sipas burimeve mjekësore, PSA mund të rritet edhe për arsye të tjera që lidhen me prostatën. Për këtë arsye, një rezultat i vetëm nuk mjafton për vendosjen e diagnozës dhe zakonisht kërkohen vlerësime të mëtejshme.
Një tjetër problem është se kanceri i prostatës shpesh nuk shkakton simptoma në fazat e hershme. Vështirësitë gjatë urinimit mund të jenë një shenjë e problemeve me prostatën, por nuk janë domosdoshmërisht tregues i kancerit.
Rreziku rritet me moshën, veçanërisht pas moshës 50-vjeçare. Historia familjare e kancerit të prostatës, por edhe disa mutacione të trashëguara gjenetike, përfshirë ndryshimet në gjenet BRCA, mund ta rrisin rrezikun për disa burra.
Ekspertët rekomandojnë që vendimi për testimin PSA të merret pas konsultimit me mjekun, duke marrë parasysh moshën, historinë familjare dhe faktorët individualë të rrezikut.
Testimi mund të ndihmojë në zbulimin e hershëm të sëmundjes, por ka edhe rrezikun e zbulimit të tumoreve që rriten shumë ngadalë dhe që mund të mos shkaktojnë kurrë probleme serioze. Kjo mund të çojë në ankth dhe trajtime të panevojshme.
Prandaj, mesazhi kryesor i specialistëve është që burrat të mos presin domosdoshmërisht shfaqjen e simptomave për të diskutuar shëndetin e prostatës me mjekun, veçanërisht nëse kanë faktorë të njohur rreziku.
Autoritetet greke po analizojnë me imtësi një video që dyshohet se ka regjistruar momentet e vrasjes së 45-vjeçares shqiptare, Julieta Obzova, në zonën e Nea Smyrni në Athinë. Në pamje shfaqet 48-vjeçari Altin Allmuça, i cili dyshohet se e kishte pritur gruan pranë hyrjes së pallatit ku ajo banonte. Sipas mediave greke, videoja tregon se […]
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Lushnjën mbrëmjen e kësaj të hëne, teksa raportohet për një krim në familje.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zhymë, ku një 45-vjeçar, i cili dyshohet të jetë me probleme të shëndetit mendor, ka vrarë duke e goditur me sqepar nënën e tij, shtetasen F. D., 80 vjeçe, dhe ka plagosur rëndë babain, shtetasin H. D., 77 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, 45-vjeçari është larguar në drejtim të paditur, ndërsa Policia është vënë në ndjekje të tij. Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të saj.
Njoftimi i policisë
“Rreth orës 21:20, në fshatin Zhymë, Lushnjë, shtetasi F. D., 45 vjeç, dyshohet se, në banesë, për motive ende të paqarta, ka goditur me një send metalik prerës (sqepar) nënën e tij, shtetasen F. D., 80 vjeçe, e cila, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën, si dhe ka plagosur rëndë babain e tij, shtetasin H. D., 77 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Shtetasi F. D., i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, është larguar nga banesa pas ngjarjes. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.
U ndalua dhe një 37-vjeçar, pasi ka mashtruar punonjës e u ka marrë para, duke u thënë se ishte i afërt i pronarëve.
Policia e Tiranës njofton sot në 24 gusht se ka finalizuar brenda 24 orëve dy operacione kundër mashtrimit dhe vjedhjes, duke çuar përpara drejtësisë disa persona të dyshuar.
Në operacionin “Shuma” u arrestuan B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, ndërsa R. H., 31 vjeç, është shpallur në kërkim. Sipas Policisë, grupi përdori inteligjencën artificiale gjatë komunikimit me një 70-vjeçar, të cilit iu prezantuan si persona të njohur. Ata e bindën të dorëzonte 100 mijë euro, me premtimin se paratë do t’i ktheheshin pas disa orësh.
Kur shuma nuk u kthye në orarin e premtuar, 70-vjeçari njoftoi menjëherë policinë. Hetimet vijojnë për kapjen e personit të shpallur në kërkim, identifikimin e personit që mori paratë dhe zbardhjen e përfshirjes së personave të tjerë.
Ndërkohë, në operacionin tjetër “Imazhi” u kap dhe u ndalua G. B., 37 vjeç, i shpallur më parë në kërkim. Ai dyshohet se ka mashtruar punonjës në dy biznese duke u thënë se ishte i njohur i pronarëve dhe ka marrë 20 mijë lekë, ndërsa më pas dyshohet se ka vjedhur një çantë me 25 mijë lekë.
Policia apelon për vigjilencë të shtuar, veçanërisht ndaj kontakteve dhe videove të krijuara me inteligjencë artificiale, dhe kërkon denoncimin e menjëhershëm të çdo rasti të dyshimtë.
“DVP Tiranë/Finalizohen gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione kundër krimeve ekonomike për zbardhen e raste me pasoja në fushën e mashtrimit dhe të vjedhjes.
Në njërin prej rasteve, autorët kanë mashtruar një shtetas duke përdorur inteligjencën artificiale, gjatë komunikimit.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, si dhe nga shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, pas kallëzimeve të disa qytetarëve për raste mashtrimi dhe/ose vjedhjeje në subjektet e tyre, u finalizuan, në 24 orë, 2 operacione për zbardhjen e këtyre krimeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale. Konkretisht:
Në kuadër të operacionit të koduar “Shuma”, u arrestuan shtetasit B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. H., 31 vjeç.
Këta shtetas, duke përdorur inteligjencën artificiale dhe duke iu prezantuar një 70-vjeçari, përmes mesazheve, si të njohur të tij, e kanë mashtruar 70-vjeçarin që ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave dhe i kanë marrë 100 000 euro me justifikimin se do t’ia kthenin pas disa orësh. 70 vjeçari, pasi nuk ka marrë shumën e dhënë në orën e premtuar, ka njoftuar menjëherë Policinë.
Operacioni vijon për kapjen e shtetasit R. H., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që ka shkuar te subjekti i 70-vjeçarit dhe ka marrë shumën e eurove, si dhe të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Në kuadër të operacionit të koduar “Imazhi”, u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim, G. B., 37 vjeç, i cili dyshohet se:
më datë 14.08.2026, ka marrë 20 000 lekë, në 2 biznese, në rrugët “Brigada VIII” dhe “Teodor Keko”, duke mashtruar punonjësit se ishte i njohur i pronarëve të subjekteve dhe se do t’ua kthente paratë menjëherë, ndërsa më datë 21.08.2026, ka vjedhur një çantë me 25 000 lekë brenda, në një subjekt në rrugën “Skënder Luarasi”.
Vijon hetimi për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht veprimtaritë kriminale të 37-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët dhe administratorët e subjekteve që të tregojnë vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj rasteve të mashtrimit, si dhe që në asnjë rast të mos japin para ose të dhëna shtetasve të paverifikuar që i kontaktojnë në mënyra të ndryshme përfshi dhe videot e krijuara me inteligjencë artificiale.
Gjithashtu, Policia e Shtetit fton për denoncim të menjëhershëm të çdo dyshimi, personi të dyshuar, indicieje apo rasti kur bien pre e veprave penale në këtë fushë, pasi vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të shpejtë dhe të ngushtë mundësohet identifikimi dhe kapja e autorëve, si dhe mbrojtja e pronës dhe pasurisë së qytetarëve“, njoftojnë uniformat blu.
HMD ka prezantuar Nokia 300 Charge, një telefon klasik me tastierë që vjen me një veçori mjaft të pazakontë për këtë kategori: bateri 3,700 mAh dhe funksion karikimi të kundërt.
Përmes portës USB-C, bateria mund të karikohet me 10W, ndërsa një buton i dedikuar “Out” në anë e kthen telefonin në një lloj power bank-u, duke lejuar karikimin e pajisjeve të tjera me të njëjtën fuqi.
Për një telefon tradicional, bateria është jashtëzakonisht e madhe. Për krahasim, Nokia 110 Power ka bateri 1,750 mAh, ndërsa Nokia 105 ka vetëm 1,000 mAh, transmeton Telegrafi.
Sipas HMD, Nokia 300 Charge mund të qëndrojë deri në 40 ditë në pritje dhe të ofrojë deri në 37 orë biseda, duke e bërë potencialisht një telefon ideal rezervë për udhëtime apo situata emergjente.
Por ka një kufizim të madh: pajisja mbështet vetëm rrjetet 2G, në frekuencat 900 dhe 1,800 MHz. Kjo do të thotë se telefoni nuk mund të përdoret në shumë vende ku rrjetet 2G janë çaktivizuar.
Telefoni ka gjithashtu një elektrik dore shumë të fuqishme, që sipas HMD është katër herë më e ndritshme se ajo e Nokia 105 dhe dy herë më e ndritshme se elektrikja e iPhone 16 Pro.
Nokia 300 Charge ka ekran 2.4-inç, rezolucion 320×240 pikselë, sistemin S30+ dhe procesorin Unisoc SC6531E. Ka vetëm 4 MB RAM dhe 4 MB hapësirë të brendshme, por mbështet kartë microSD deri në 32 GB dhe ruan edhe folenë tradicionale 3.5 mm për kufje.
Me dizajn këndor dhe anë me teksturë, telefoni synon të japë një pamje të fortë dhe rezistente, edhe pse nuk ka certifikim zyrtar për rezistencë ndaj ujit apo goditjeve.
Nokia 300 Charge është shfaqur në disa tregje të Azisë me çmim rreth 35–37 dollarë, ndërsa në disa vende shitet edhe me emrin Nokia 300 Power Bank.
Një telefon pa aplikacione moderne, pa 5G dhe me vetëm 4 MB RAM — por me një bateri që mund të karikojë edhe telefonin tuaj. /Telegrafi/