Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 February 2026Main stream

Apeli i GJKKO la në fuqi vendimin me burg, kryebashkiaku i Rrogozhinës vetëdorëzohet në Polici

9 February 2026 at 22:13

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, pas vendimit të Apelit të GJKKO, është vetëdorëzuar pasditen kësaj të hëne në Policinë e Rrogozhinës në zbatim të vendimit që la në fuqi dënimin e shkallës së parë: 1 vit burg dhe 5 vite heqje të së drejtës për ushtrimin e funksioneve publike.

Kryebashkiaku u Rrogozhinës u regjistrua teksa ndikonte tek punonjësit e OSHEE për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor në këmbim të votave për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.

Apeli i GJKKO la në fuqi edhe vendimet për 3 të pandehur të tjerë Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku, të cilët u dënuan nga shkalla e parë përkatësisht me 1 vit dhe 8 muaj burg, ku për Toskun dënimi u pezullua duke u vendosur në shërbim prove.

Në fuqi u la edhe dënimi për Ndriçim Tafxhafa që u dënua me 1 vit burg/abcnews.al

“Kanë lidhje me…”, Meçe: Korporata gjyqtarë-prokurorë përbën rrezik kombëtar

9 February 2026 at 21:14

TIRANË– Korporata gjyqtarë-prokurorë tashmë mund të konsiderohet si një çështje, që përbën “rrezik kombëtar”.

Kështu u shpreh analisti i njohur, Arben Meçe, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News. Sipas tij, kjo korporatë ka lidhje me politikën dhe shpeshherë ata ka bërë ndërhyrje të forta të paramenduara në politikë.

“Korporata gjyqtarë-prokurorë është bërë rrezik kombëtar. Kur kjo korporatë lidhet me politikën pastaj, kjo korporatë është e lidhur absolutisht me politikën. Ne sot, në këtë tavolinë, kemi hedhur fakte të shumta që kanë vërtetuar që këta prokurorë dhe gjyqtarë kanë lidhje të forta politike dhe me vendimmarrjet e tyre kanë bërë ndërhyrje të paramenduara në politikë”, tha ai.

 

Vendimi 4 me 4 i Kushtetueses/Dervishaj: Ka krijuar një normë të re, balanca mes pushteteve nuk ekziston më

9 February 2026 at 21:06

TIRANË– Eksperti ligjor Bledar Dervishaj, në emisionin “Real Story” në ABC News, komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, i cili përfundoi me barazim 4-4.

Sipas Dervishit, ky vendim ka krijuar një precedent të ri dhe ka prekur ekuilibrin dhe balanca mes pushteteve nuk ekziston më.

Ai paralajmëroi se pasojat e këtij vendimi mund të jenë të thella për funksionimin e institucioneve dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre.

“Po të hysh më tej, me këtë vendimmarrje, Gjykata Kushtetuese ka krijuar një normë të re, ku balanca mes pushteteve nuk ekziston më.”, tha ai.

Vendimi i Kushtetueses/ Gjikondi për padinë e Ramës: Mungesa e gjyqtarit të nëntë ka sjellë amulli

9 February 2026 at 20:39

Gjykata Kushtetuese vendosi 4 me 4 ndaj padisë së Kryeministrit Edi Rama për masën e pezullimit nga detyra të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke krijuar një situatë të paqartë ligjore.

Pyetja që ka lindur,është fakti: sa kushtetues është vendimi i Gjykatës Kushtetuese?

Juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në emisionin “Real Story”, tha se kjo amulli është krijuar nga mungesa e gjyqtarit të nëntë në Gjykatën Kushtetuese.

“Mungesa e gjyqtarit të nëntë e ka sjellë atë amulli, Prej 17 muajsh, parlamenti shqiptar mban në sirtarët e vet kandidaturat për të zëvendësuar Elsa Toskën. Ka vendim, sepse 4 gjyqtarët, sepse kanë arsyetuar vendimet e tyre edhe pse nuk e kemi tekstin e tyre.”, tha ajo.

Vendimi i Kushtetueses për padinë e Ramës/ Meçe: Këtë vendim s’duhet ta merrnin kurrë, sepse nuk ua lejon Kushtetuta

9 February 2026 at 20:28

TIRANË- Belinda Balluku do qëndrojë në detyrë, pavarësisht se pezullimi i saj u rikthye nga vendimi kontrovers i Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri Edi Rama iu tha sot deputetëve të shumicës se do të ndryshojnë Kodin Penal, që të pamundësojë pezullimin e atyre që mandatohen në detyrë nga Presidenti i Republikës.

Analisti Arben Meçe, i ftuar në emisionin “Real Story”, tha se Gjykata Kushtetuese nxori vendim antikushtetues dhe nga kjo lind e drejta qeverisë ta dërgojë çështjen në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

“Formalisht ka vendim. Tani ky vendim është Kushtetues apo jo? Këtë e vendos Kushtetuesja vetë. Gjykata Kushtetuese vendos me shumicë votash dhe pari i çdo gjykate është që duhet të vendosë dhe për këtë arsye trupa gjyqësore bëhen tej gjithmonë, gjithmonë duhet të ketë vendimmarrje.

Çdo vendim i trupit gjyqësor, i cili nuk është me vendimmarrja me shumicë, por është me barazim, është antikushtetues ne dhe nëse ti e dërgon në GJED, kemi shumë precedentë, ku rezultate kanë dalë barazim dhe gjykata i ka kthyer mbrapsht dhe thotë cenohet: kuorumi funksional, privohen palët nga një vendim gjyqësor efektiv.

Gjykata Kushtetuese duke cenuar parimin kushtetues, nxjerrë një vendim antikushtetuese, ky nuk është vendim. Vetë vendimi është antikushtetues dhe çdo gjë tjetër që shkruhet brenda është antikushtetuese, sepse nuk i lejohet gjykatës të dalë pa vendim, çështja nuk quhet e gjykuar.

Nuk u dha as vendim dhe lind e drejta që të vijojë procedurat në instancat më të larta, në GJED, kjo është instanca që e njeh shteti shqiptar si nënshkrues i konventës. Këtë vendim nuk duhet ta merrni kurrë, sepse nuk ta lejon kushtetuta. GJED në Strasburg, vetëm ajo e zgjidh”, tha ai.

Balluku mban postin/ Petraj: Një vendim pa vendim është absurditet, Kushtetuesja duhej t’i drejtohej “Venecias”

9 February 2026 at 18:29

Belinda Balluku do të qëndrojë në detyrë, pavarësisht se pezullimi i saj u rikthye nga vendimi kontrovers i Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri Rama iu tha deputetëve të shumicës se do të ndryshojnë Kodin Penal, që të pamundësojë pezullimin e atyre që mandatohet në detyrë nga Presidenti i Republikës.

Deri në ndryshimin e Kodit Penal, kërkesa tjetër e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres do të duhet të presë.

Avokati i njohur Edmond Petraj, i ftuar në “Tirana Live”, u shpreh se është emergjente bërja e disa ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.

Ai theksoi se përfaqësuesit e zgjedhur me votën e popullit nuk mund të pezullohen nga pushteti gjyqësor, ndërsa ndryshimet ligjore janë të domosdoshme për të rregulluar raportin mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.

Avokati kritikoi gjithashtu qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se ajo nuk mori një vendim të qartë, por duhej ta kishte dërguar çështjen për opinion në Komisionin e Venecias. Sipas tij, mosmarrja e një vendimi përbën një absurditet dhe cenon autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.

“Kodi i Procedurës penale duhet ndryshuar. Duhet ndryshim konkrete real, që mos të fusin duart për herë të dytë.Të gjithë të zgjedhurit duhet të kenë imunitet dhe s’mund të jenë pjesë e pezullimit apo arrestimit.

Të zgjedhurit me votën e popullit nuk mund të pezullohen nga gjykata. Ndryshimet janë të nevojshme për të rregulluar raportin ekzekutiv-gjyqësor. Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim, por ajo duhet t’ia dërgonte për opinion Komisionit Venecias. Kjo do të ishte krejt normale.

Një vendim pa vendim, mua më duket absurditet. Gjykata Kushtetuese mblidhet për këto gjëra, për të vendosur kemi tejkalim kompetencash apo jo. Gjykata Kushtetuese kishte autoritetin dhe dinjitetin për të mos u bërë palë e një përqeshjeje masive. Duhet të jepte vendim për këtë gjë. U detyrua mazhoranca të vinte vijën e demarkacionit, sepse Gjykata Kushtetuese nuk e vendosi dot”, tha ai.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK/ Tirana zyrtare: Drejtësia nuk duhet të cenojë dinjitetin e luftës çlirimtare të Kosovës

9 February 2026 at 17:54

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar mbi zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria kërkoi burg ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në deklaratën e saj, Spiropali thekson se kohëzgjatja e paraburgimit, e cila ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, si dhe natyra e akuzave të ngritura, ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin e masave, respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor dhe të drejtave themelore të njeriut.

Sipas saj, kjo situatë po ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një trajtimi të njëanshëm të çështjes, veçanërisht kur krahasohet me mungesën e përgjegjësisë penale për shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës, të cilat mbeten ende të patrajtuara.

 Ajo thekson se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, pa krijuar narrativa selektive për palët e përfshira në konflikt.

Duke iu referuar rolit historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Spiropali thekson se ajo ishte një lëvizje çlirimtare e mbështetur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare, në përballje me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara ndaj popullsisë civile.

Ministrja vë në dukje se Gjykata ka një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që procesi gjyqësor të mos cenojë padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri.

Reagimi i Spiropalit: 

Po ndjekim me shqetësim të thellë zhvillimet e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria paraqiti propozimin e dënimeve ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Kohëzgjatja e paraburgimit, që tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, dhe natyra e akuzave të ngritura ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Kjo situatë ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, sidomos kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb.

Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten të patrajtuara dhe pa përgjegjësi të plotë penale. Kjo pabarazi në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare.

Ne besojmë se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, pa krijuar perceptimin e trajtimeve selektive ndaj palëve të përfshira në konflikt. Drejtësia që perceptohet si e njëanshme rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të lërë plagë të reja në një rajon që ka nevojë për pajtim të qëndrueshëm.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare në përballje me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara gjerësisht ndaj popullsisë civile. Çdo proces gjyqësor që trajton individë të asaj lufte duhet të ruajë me kujdes dallimin thelbësor midis përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri.

Gjykata ka sot një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që procesi të mos lejojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të prekin padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri. Vetëm një vendim i drejtë, i bazuar në prova dhe në standardet më të larta të drejtësisë, mund të largojë hijen e rëndë që këto qëndrime kanë hedhur mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë.

Shqipëria riafirmon se drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin, jo për të krijuar narrativa që rishkruajnë historinë ose relativizojnë përgjegjësitë e njohura ndërkombëtarisht për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ne theksojmë rëndësinë që procedurat të përmbyllen brenda një afati të arsyeshëm dhe me respekt të plotë për standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë. E ardhmja e Kosovës dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen mbi drejtësi të besueshme, që forcon paqen dhe jo perceptime padrejtësie.

Republika e Shqipërisë do të vijojë ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës, drejtësisë ndërkombëtare dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

KE paralajmëron kompaninë Meta për politikën e WhatsApp për inteligjencën artificiale

9 February 2026 at 17:09

Komisioni Evropian të hënën njoftoi kompaninë Meta për pikëpamjen e tij paraprake se kompania mund të ketë shkelur rregullat e konkurrencës së BE-së duke përjashtuar asistentët e inteligjencës artificiale (IA) të palëve të treta nga WhatsApp, një veprim që mund të dëmtojë konkurrencën në tregun e IA-së që po rritet me shpejtësi.

Në një deklaratë, Komisioni Evropian tha se ndryshimi i politikës së kompanisë Meta rrezikon të bllokojë konkurrentët nga hyrja ose zgjerimi në tregun e asistentëve të IA-së për qëllime të përgjithshme.

Prandaj, Brukseli po shqyrton masa të përkohshme për të anuluar përjashtimin ndërsa hetimi vazhdon. Meta, produktet kryesore të së cilës përfshijnë Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Messenger, gjithashtu ofron mjetin e vet të IA-së për qëllime të përgjithshme, Meta AI.

Sipas Komisionit Evropian, Meta njoftoi një përditësim të Kushteve të Zgjidhjes së Biznesit të WhatsApp në tetor 2025, duke ndaluar në mënyrë efektive asistentët e IA-së të palëve të treta nga qasja dhe bashkëveprimi me përdoruesit në platformë. Që nga janari, Meta AI ka qenë asistenti i vetëm i IA-së i disponueshëm në WhatsApp.

Komisioni i BE-së tha se paraprakisht e konsideron këtë sjellje si shkelje të rregullave antitrust të BE-së. Në këtë fazë të hetimit, komisioni konsideron se Meta ka të ngjarë të mbajë një pozicion dominues në tregun e Zonës Ekonomike Evropiane për aplikacionet e komunikimit me konsumatorët, veçanërisht përmes WhatsApp.

Ai gjithashtu mban qëndrimin paraprak se Meta mund të jetë duke abuzuar me këtë pozicion dominues duke refuzuar aksesin në WhatsApp për asistentët e inteligjencës artificiale të palëve të treta.

Sipas Komisionit Evropian, sjellja e Metës mund të rrisë pengesat për hyrje dhe zgjerim dhe të margjinalizojë në mënyrë të pakthyeshme konkurrentët më të vegjël në tregun e asistentëve të inteligjencës artificiale.

Meta tani ka mundësinë t’u përgjigjet shqetësimeve të komisionit dhe të ushtrojë të drejtat e tij të mbrojtjes. Pas dëgjimit të mbrojtjes së Metës, nëse Komisioni Evropian arrin në përfundimin se kushtet ligjore janë përmbushur, ai mund të miratojë një vendim që vendos masa të përkohshme. Një vendim i tillë nuk do të paragjykojë gjetjet përfundimtare mbi thelbin e çështjes.

“Inteligjenca artificiale po u sjell konsumatorëve inovacione të jashtëzakonshme dhe një prej tyre është tregu në zhvillim i asistentëve të inteligjencës artificiale. Ne duhet të mbrojmë konkurrencën efektive në këtë fushë të gjallë, që do të thotë se nuk mund të lejojmë që kompanitë dominuese të teknologjisë të shfrytëzojnë në mënyrë të paligjshme dominimin e tyre për t’i dhënë vetes një avantazh të padrejtë”, tha Teresa Ribera, zëvendëspresidente ekzekutive e Komisionit Evropian për tranzicion të pastër, të drejtë dhe konkurrues.

Nënpresidenti i SHBA mbërrin në Armeni për vizitë zyrtare dyditore

9 February 2026 at 16:59

Nënpresidenti i SHBA-së, JD Vance, mbërriti sot në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, për një vizitë zyrtare dyditore, ku është planifikuar të takohet me kryeministrin e vendit, raportoi media shtetërore.

Mbërritja e JD Vance dhe bashkëshortes së tij, Usha Vance, në Aeroportin Zvartnots të Jerevanit u raportua nga agjencia shtetërore armene e lajmeve Armenpress.

Më herët, Zyra e Kryeministrit të Armenisë kishte njoftuar se ata do të mbërrinin në Jerevan për një vizitë më 9–10 shkurt.

“Sonte, kryeministri armen Nikol Pashinyan do të takohet me nënpresidentin amerikan, ndërsa më pas do të japin deklarata”, thuhet në raport.

Ndërkohë, një njoftim për media i Departamentit amerikan të Shtetit, i publikuar të shtunën, tha se vizita e Vance në Armeni, si dhe në Azerbajxhanin fqinj, më 9–11 shkurt, do të “çojë përpara përpjekjet e paqes të presidentit (Donald) Trump dhe do të promovojë Rrugën Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar (TRIPP)”.

Në një samit trepalësh mes presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev, Pashinyanit dhe Trumpit në Shtëpinë e Bardhë më 8 gusht të vitit të kaluar, Baku dhe Jerevani nënshkruan një deklaratë për t’i dhënë fund konfliktit disadekadësh, duke u zotuar të ndalin armiqësitë, të rihapin rrugët e transportit dhe të normalizojnë marrëdhëniet.

Projekti TRIPP synon të lidhë Azerbajxhanin kontinental me enklavën e tij Nakhçivan përmes Armenisë, në përputhje me deklaratën.

Azerbajxhani ka kryer disa dërgesa të produkteve të naftës të prodhuara në vend drejt Armenisë javët e fundit, e para prej të cilave u realizua në fund të dhjetorit, ndërsa dy fqinjët e Kaukazit Jugor po ndërmarrin hapa për përmirësimin e marrëdhënieve pas vitesh konflikti.

Raporti i Sigurisë së Mynihut 2026: Bota ka hyrë në një epokë të rrezikshme të “politikës së shkatërrimit”

9 February 2026 at 16:17

Bota ka hyrë në një epokë të rrezikshme të “politikës së shkatërrimit” që i jep përparësi shkatërrimit të institucioneve në vend të përpjekjeve sociale dhe politike që synojnë nxitjen e ndryshimit përmes përshtatjeve graduale, sipas një raporti të kryer nga Konferenca e Sigurisë së Mynihut, para takimit të saj vjetor këtë javë.

Konferenca e MSC-së do të mbledhë rreth 65 liderë botërorë, së bashku me gati 100 ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, zyrtarë të lartë ushtarakë dhe politikëbërës të nivelit të lartë për tre ditë diskutimesh që fillojnë të premten.

Ndër të ftuarit më të shquar që priten në Mynih është sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz.

I mbajtur për herë të parë në vitin 1963, eventi është rritur nga një takim relativisht i panjohur i strategëve të Luftës së Ftohtë në një forum kryesor për mbështetësit e NATO-s, lidhjeve transatlantike dhe rendit global të udhëhequr nga Perëndimi.

Megjithatë, konferenca e këtij viti do të përqendrohet në shkatërrimin e këtyre marrëdhënieve dhe normave diplomatike.

Raporti i Sigurisë i Mynihut 2026, i publikuar sot, i cili përcakton temat e konferencës, ia hedh pjesën më të madhe të fajit, ndryshimit radikal të presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili përshkruhet si një person që po “shmang rregullat ekzistuese” dhe po angazhohet në “politikë buldozeri”.

Por, Trump është vetëm manifestimi më i fuqishëm i një trendi më të gjerë që po zhvillohet në shumë vende.

“Në shumë shoqëri perëndimore, forcat politike që favorizojnë shkatërrimin kundrejt reformës po fitojnë vrull”, tha ekipi i ekspertëve në raportin e titulluar “Nën Shkatërrim”.

Vendimmarrësit e establishmentit shihen gjithnjë e më shumë jo si udhëheqës, por si “rojtarë të status quo-së” dhe administratorë të një sistemi politik të paralizuar që nuk i përgjigjet më nevojave të shumicës.

Perspektivë e zymtë për të ardhmen

Si pjesë e raportit, konferenca publikoi rezultatet e një ankete të kryer në disa vende. Pjesëmarrësit u pyetën nëse politikat aktuale qeveritare po përmirësonin perspektivat për brezat e ardhshëm.

Në Kinë, 80% e të anketuarve thanë se prisnin përmirësime, dhe 61% në Indi shprehën të njëjtat pritshmëri.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm 31% ndanin këtë pikëpamje. Pritshmëritë ishin edhe më të ulëta midis të anketuarve në Evropë, me 22% në Itali, 20% në Britani të Madhe, 13% në Gjermani dhe vetëm 12% në Francë prisnin rezultate më të mira.

“Një pasiguri e thellë po trondit globin, Evropën në veçanti”, shkruan kryetari i MSC, Wolfgang Ischinger në një parathënie të raportit.

“Rrallë në historinë e kohëve të fundit të konferencës ka pasur kaq shumë pyetje themelore në tryezë në të njëjtën kohë: në lidhje me sigurinë e Evropës, qëndrueshmërinë e partneritetit transatlantik dhe aftësinë e unionit ndërkombëtar për të menaxhuar një botë gjithnjë e më komplekse dhe të kontestuar”, sipas Ischinger.

Vlerësimet për politikat e Trump ishin të dobëta në shumë vende

Edhe në SHBA, vetëm 39% mendojnë se politikat e tij janë të mira për vendin dhe 37% mendojnë se ato i sjellin dobi botës, ndërsa afërsisht gjysma e të anketuarve thonë se ato janë të dëmshme.

Skepticizmi është më i fortë në Kanada dhe Gjermani. Rreth 77% e kanadezëve presin pasoja negative për vendin e tyre dhe 71% për botën. Në Gjermani, shifrat janë përkatësisht 72% dhe 69%.

Jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikëpamjet më të favorshme për politikat e Trump gjenden në Brazil, Indi dhe Kinë.

Rezultatet bazohen në anketa të rreth 1000 personave nga secili vend i G7, përfshirë Brazilin, Kinën, Indinë dhe Afrikën e Jugut, në nëntor.

Thirrje për pavarësi më të madhe nga Washingtoni

Raporti thotë se vendet që janë ende të përkushtuara ndaj një rendi të bazuar në rregulla duhet të organizohen dhe të ndjekin qasje që shkëput varësinë nga Uashingtoni.

Ai paralajmëron se ata që mbeten vëzhgues rrezikojnë të përfundojnë “në mëshirën e politikës së fuqive të mëdha”.

Për të shmangur këtë, qeveritë do të duhet të “përparojnë” duke investuar më shumë në mbrojtjen e tyre dhe duke bashkëpunuar më ngushtë, ndërsa u tregojnë gjithashtu votuesve se reformat kuptimplote mund të japin rezultate më të mira sesa “një politikë shkatërrimi të përhapur”.

Yesterday — 8 February 2026Main stream

Një vendim pa vendim i Kushtetueses/ Artur Nura: Ka dhënë një vendim gjysmak, nuk e kreu detyrën që ia ngarkon Kushtetuta

7 February 2026 at 23:39

TIRANË– Gjykata Kushtetuese rrezoi të premten padinë e kryeministrit Edi Rama, i cili u ankua për tejkalim kompetencash nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

GJKKO vendosi në muajin nëntor 2025 pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pas 3 javësh shqyrtim, gjyqtarët votuan katër pro dhe 4 kundër, duke mos arritur të marrin një vendim shumice, e duke rikthyer masa e pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren.

Analisti Artur Nura, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News tha se kryeministri Edi Rama duhet ta vijojë “betejën” e tij politike me institucionet e drejtësisë dhe pse jo vendimin e së premtes dhënë nga Gjykata Kushtetues ta çojë edhe në Strasburg.

Sipas tij, në një sistem demokratik çdo institucion duhet të ketë kufijtë e vetë dhe duhet të ushtrojë aktivitetin e vet ligjor brenda kompetencave, pa cenuar pavarësinë e pushteteve të tjera.

Gjatë bisedimit për “Ora e Fundit”, Nura theksoi se Gjykata Kushtetuese  dha një vendim gjysmak ndaj padisë së Ramës dhe nuk e kreu siç duhet detyrën, që ia ka ngarkuar vetë Kushtetuta e Republikës.

“Besoj se Rama duhet t’i qëndrojë qasjes së tij politike. Mund ta referojë çështjen edhe në Strasburg, që të ndahet njëherë e mirë ‘shapi nga sheqeri’. Ka kufij për çdo pushtet. Kjo është demokracia.

Iku koha kur një person vendoste për të gjitha shkallët e drejtësisë. Sot duhen ndarë kompetencat e pushteteve në mënyrë demokratike dhe asnjëri nuk duhet të ndërhyjë në kompetencat e institucioneve.

Nëse ti nuk respekton vullnetin e sovranit, Rama duhet ta vazhdojë betejën politike në raport me institucionet e drejtësisë. Parimisht, presioni që bën Berisha në mënyrë permanente ndaj drejtësisë dhe ndaj emrave të këtyre institucioneve nuk përbën lajm, por është i zakonshëm.

Gjykata Kushtetuese, sipas mendimit tim, si gazetar dhe jo si jurist, them që ka dhënë një vendim gjysmak, që nuk e çoi vendimin deri në fund për detyrën që i ka dhënë Kushtetuta”, tha ndër të tjera gazetari Nura./abcnews.al

Tension dhe dhunë në Milano/ Përplasje mes protestuesve anti-olimpiadë dhe Policisë

7 February 2026 at 23:16

Auoritetet italiane dyshojnë për akte sabotimi ndaj rrjetit hekurudhor në veri të Italisë, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të lëvizjes në këtë rajon, ndërsa mijëra njerëz gjenden aty me nisjen e Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina.

Policia raportoi tre incidente të ndara që përfshinin dëmtime të linjave hekurudhore, për të cilat hetuesit besojnë se janë të lidhura me Lojërat. Sipas raineës, hetuesit nuk kanë përjashtuar as pistën e terrorizmit.

Një zjarr dëmtoi infrastrukturën hekurudhore mes Bolonjës dhe Venecias, duke shkaktuar vonesa deri në dy orë e gjysmë. Më vonë policia gjeti kabllo të prera dhe një pajisje shpërthyese në zona të afërta.

Ministria e Transportit në Itali i quajti incidentet një akt “sabotimi serioz”, duke thënë se ato pasqyronin vandalizmin gjatë Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 2024.

Policia njoftoi se një mekanizmi ndërrimi të shinave iu vu në zjarr pranë Pesaros, në bregdetin Adriatik.

Karabinierët zbuluan kabllo elektrike të prera pranë Bolonjës, së bashku me një pajisje shpërthyese të improvizuar të lënë pranë një shine.

Stacioni hekurudhor i Bolonjës është një nyje kryesore transporti, që lidh qytetet në veri dhe jug, si dhe linjat nga lindja në perëndim.

Ndahet nga jeta vokalisti i “3 Doors Down”/ Brad Arnold, 47 vjeç, vuante nga një sëmundje e rëndë

7 February 2026 at 23:07

Ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare Brad Arnold, këngëtari dhe themeluesi i grupit 3 Doors Down. Ishte grupi muzikor që ndau lajmin, ndërsa shpjegoi se artisti ndërroi jetë pas një beteje të guximshme me kancerin.

“Së bashku me bashkëshorten e tij të dashur Jennifer dhe familjen pranë tij, ai u nda nga jeta në paqe, i rrethuar nga njerëzit që e donin,” thuhej në deklaratën e grupit. “Muzika e tij jehon shumë përtej skenës, duke krijuar momente të lidhjes mes njerëzve, gëzimit, besimit dhe përvoja të përbashkëta që do të jetojnë gjatë, edhe pasi dritat e skenës janë fikur.”

Arnold kishte njoftuar në maj të vitit 2025, përmes një videoje, se ishte diagnostikuar me kancer të veshkave në fazën e katërt.

Për shkak të sëmundjes, grupi “3 Doors Down” u detyrua të anulonte turneun e tij veror. Pavarësisht diagnozës së rëndë, këngëtari ishte shprehur se nuk kishte frikë.

I lindur në Mississippi të Shteteve të Bashkuara, Brad Arnold themeloi grupin “3 Doors Down” në vitin 1996 së bashku me kitaristin Matt Roberts dhe basistin Todd Harrell. Roberts ndërroi jetë në vitin 2016 nga një mbidozë e dyshuar droge, ndërsa Harrell u largua nga grupi pas disa akuzave për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe një akuze për vrasje nga pakujdesia në trafik.

Vetë Arnold kishte folur hapur për betejën e tij me alkoolin, duke treguar se nuk kishte pirë përgjatë dekadës së fundit. Në një intervistë të janarit të vitit 2025, artisti kishte deklaruar se vitet pa alkool kishin qenë “vitet më të mira” të jetës së tij.

Hiti më i madh i grupit ishte kënga “Kryptonite”, e publikuar në vitin 2000, e cila u nominua për çmimin Grammy. Ajo ishte shkruar nga Arnold kur ishte vetëm 15 vjeç, gjatë orës së matematikës, sipas deklaratës së grupit. Një tjetër hit i grupit është edhe “Here Without You”.

​Senatorja amerikane kërkon rivendosjen e sanksioneve ndaj Dodik

7 February 2026 at 22:52

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen (D-NH), anëtare e lartë e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, ka reaguar në lidhje me vendimin e administratës Trump për të hequr sanksionet ndaj udhëheqësit të Republika Srpska Milorad Dodik.

Me anë të një deklarate, ajo ka bërë thirrje për rivendosjen e sanksioneve ndaj Dodik.

“Administrata Trump duhet të turpërohet nga vendimi i saj për të hequr udhëheqësin e Republika Srpska Milorad Dodik nga sanksionet e SHBA-së tetorin e kaluar”, tha Shaheen.

“Dodik ka përdorur retorikë separatiste dhe ka minuar integritetin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, gjë që bie ndesh me justifikimin e Administratës për të hequr Dodik dhe miqtë e tij nga lista në fund të vitit të kaluar”, shtoi ajo.

“Vizita e Dodik në Uashington e ka bërë shumë të qartë se ai nuk është i interesuar të vendosë interesat e të gjithë boshnjakëve përpara interesave të tij politike”, vazhdon deklarata e senatores.

“Administrata Trump duhet të veprojë shpejt për të rivendosur sanksionet ndaj Dodik sipas sanksioneve të detyrueshme që unë sigurova në Aktin më të fundit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare.”

Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj Dodikut në vitin 2017, për shkak të veprimeve që u konsideruan si kërcënim për stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe si shkelje e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.

Kujtojmë se më 29 tetor 2025, Ministria e Financave dhe Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (OFAC) mori vendim për të hequr sanksionet për Milorad Dodik dhe shumë persona të tjerë nga entiteti Republika Srpska.

Pentagoni i jep fund lidhjeve akademike me Universitetin e Harvardit

7 February 2026 at 22:13

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes po i shkëput lidhjet e tij akademike me Universitetin e Harvardit, me Sekretarin Pete Hegseth që akuzon universitetin më të vjetër amerikan se është një qendër e “aktivizmit të urrejtjes ndaj Amerikës”.

Hegseth njoftoi se Pentagoni do t’i jepte fund trajnimit ushtarak të nivelit pasuniversitar, bursave dhe programeve të certifikimit me institucionin e Ivy League.

“Harvardi është bërë një fabrikë për ideologji të zgjuar dhe një terren pjellor për radikalët antiamerikanë që nuk përputhet me fokusin e departamentit”, tha ai.

Për muaj të tërë, administrata Trump ka kërcënuar të shkurtojë fondet dhe të marrë masa të tjera kundër Harvardit, duke pretenduar se është “i zgjuar” dhe antisemit.

Javën e kaluar, presidenti Donald Trump njoftoi se do të kërkojë 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Harvardi, pasi akuzoi universitetin se “ka dhënë shumë budallallëqe”.

Ndryshe, Pentagoni do t’i japë fund marrëdhënies së tij akademike me shkollën në vjeshtë, duke i dhënë çdo personeli ushtarak që aktualisht ndjek mësimet kohë për të përfunduar studimet e tij.

Përveç kritikave për mësimdhënien në universitet, Hegseth tha se Pentagoni po e ndërpret gjithashtu Harvardin sepse disa nga programet e tij kërkimore kanë bashkëpunuar me Partinë Komuniste Kineze.

Sipas New York Times, midis viteve 2010 dhe 2025, Harvardi mori 560 milionë dollarë në dhurata dhe kontrata nga fondacione kineze, donatorë privatë dhe entitete qeveritare.

Hegseth akuzoi gjithashtu universitetin për inkurajimin e një “mjedisi në kampus që festonte Hamasin” dhe “lejonte sulme ndaj hebrenjve”.

Administrata Trump e ka kritikuar vazhdimisht Harvardin për mënyrën se si i ka trajtuar protestat pro-palestineze, të cilat ndodhën në shumë kampuse universitare në muajt pas sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.

Gurët e shtëpisë time/ Italiani nga Mirdita: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut

7 February 2026 at 21:48

Jemi në Orosh, në zemër të Mirditës. Kjo është kisha e Shën Lledrit apo e Shën Aleksandrit. Gjin Prenga na tregon se kisha u ndërtua nga Abat Doçi, por u dogj në 1967. Mirdita ka qenë bastion i katolicizmit në Shqipëri, ndërkohë që Republika e Mirditës pati një marrëveshje vasaliteti ndaj sulltanit osman. Padre Michele Leovino ka ardhur nga Bari në Mirditë dhe shërben në kishën e Oroshit.

Shqipja, gjuhë e veçantë, na thotë ai, duke shtuar: “Gjuha shqipe më tingëllon shumë mirë”. Padre Michele Leovino thotë se duhet promovuar Abacia, sepse është “mishërimi i fesë në jetën e popullit”. “Zemra jonë është këtu në Orosh, ky vend të vlerësohet, duhet gjithmonë bashkim dhe bashkëpunim”, na thotë ai. Ndërkohë, Gjin Prenga ka provuar emigracionin në Greqi, ku u detyrua të ndërronte edhe emrin, por u rikthye.

“Dua të vdes këtu në Orosh”, na thotë Gjini. Padre Michele Leovino ka mësuar ndërkohë atë që është krenari për shqiptarët. “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Fshati u dogj dy herë, në kohën e osmanëve dhe të Zogut. Mirditorët morën pjesë dhe vendosën fatin e luftës së Krimesë, duke u bërë pjesë e aleancës franko-turke. Diktatura ishte shumë e ashpër me Oroshin. Babai i Gjinit u shkollua në Itali; kur u kthye, i kërkuan të bëhej agjent i Sigurimit, por nuk pranoi dhe u persekutua. Oroshi është pjesë e 100 fshatrave turistike. Këtu, kisha dhe kapidani kanë qenë autoritetet e padiskutueshme.

Në Orosh është edhe Nanë Mara, e cila na tregon kohët e vështira të komunizmit. “Tash jemi mirë, veç nuk kemi takat me hanger”, na thotë. Na tregon edhe për djalin që shkoi në emigracion në Itali. “I thashë djalit, mos shko, mos shko”, na thotë, duke treguar sa e lumtur ishte kur ai u kthye.

I biri, Marjan Gega, na tregon ushqimet e mrekullueshme të bujtinës, përpunimin e mishit të derrit dhe produktet tradicionale. Këtu sheh një piano të vjetër, çifteli, sharki dhe kitarë. Marjani është rikthyer pas 24 vjetësh. “Paketa e maleve” është ëndrra e tij.

“Falënderoj personalisht zotin Kryeministër, është njeri me vizion”, na thotë, duke shtuar: “mbaroi punë me detin, tani është kthyer te malet”. E bukura Lugina e Fanit të shoqëron kudo në Mirditë, një nga mrekullitë e veriut që pret të rizbulohet.

Before yesterdayMain stream
❌
❌