TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Në mesnatën mes 8 dhe 9 shkurtit me orën evropiane, do të zhvillohet edicioni i 60 i finales së Super Bowl në NFL, ngjarja më e madhe dhe më e ndjekur sportive në SHBA.
Ndeshja e shumëpritur e Super Bowl LX për të përcaktuar skuadrën më të mirë të sezonit fillon sot në orën 6:30 pasdite (ora lokale) në Kaliforni (ShBA), me Seattle Seahawks që përballen me New England Patriots.
New England po kërkon të bëjë histori duke u bërë skuadra e parë e NFL-së me shtatë fitore në Super Bowl. Herën e fundit që Seahawks luajtën në ndeshjen e madhe ishte kundër Patriots në vitin 2015 për Super Bowl XLIX, ku Seattle humbi një ndeshje shkatërruese 28-24. New England hyri në playoff si vendi i dytë i AFC-së, ndërsa Seattle hyri si vendi i parë i NFC-së.
Çfarë është Super Bowl?
Super Bowl përbën kulmin e sezonit në futbollin amerikan, një sfidë unike që në muajin shkurt të çdo viti dorëzon titullin e NFL mes 2 skuadrave më të mira të Konferencës së Lindjes dhe Perëndimit. Është sfida që përmbyll një rrugëtim të gjatë që nis me sezonin e rregullt dhe që me kalimin e viteve është shndërruar në një festë të vërtetë kombëtare jo zyrtare në ShBA. Në këtë ditë e gjithë Amerika ndalet totalisht teksa të gjithë mblidhen në shtëpi dhe lokale pët të ndjekur një ndeshje që është një sinonim i atletizmit të jashtëzakonshëm dhe patriotizmit të madh.
Gjithsesi të thuash që Super Bowl është thjesht një ndeshje është e gabuar, sepse ky event është cilësuar shtyllë e kulturës pop globale.
Transmetimi i ndeshjes
Rrjeti televiziv “NBC” do të transmetojë këtë të diel një pjesë të programit të pragndeshjes Super Bowl në NFL nga Alkatrazi, ishulli ikonik në Gjirin e San Franciskos (Kaliforni), i njohur ndryshe si “Shkëmbi” (The Rock).
Mbulimi televiziv i ndeshjes, eventi më i ndjekur i vitit në Shtetet e Bashkuara, do të nisë rreth pesë orë para fishkëllimës së parë, me lidhje direkte edhe nga ky ishull historik, i cili deri në vitin 1963 shërbeu si burg për kriminelë të rrezikshëm , ndërsa sot është muze dhe atraksion turistik. Në transmetim do të marrin pjesë edhe ish-yjet e NFL-së, si Rodney Harrison, dy herë fitues i “Super Bowl”-it me Patriots, si dhe Tony Dungy, po ashtu dy herë kampion: një herë si lojtar me Pittsburgh Steelers dhe një herë si trajner i Indianapolis Colts.
Fakte dhe kuriozitete mbi stadiumin dhe shtetin
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Levi’s” në Santa Clara, Kaliforni, shtëpia e San Francisco 49ers.
Kjo është hera e dytë që “Levi’s Stadiums” pret një Super Bowl. Hera e parë ishte 10 vite më parë, Super Bowl 50, kur Denver Broncos mposhtën Carolina Panthers 24-10.
Ky është Super Bowl i 14-të i mbajtur në shtetin e Kalifornisë. Vetëm Florida (17) ka pritur më shpesh.
Fakte dhe kuriozitete mbi Patriots vs Seahawks
Patriots marrin pjesë në Super Bowl për herë të 12-të, më shumë se çdo ekip tjetër. Në fakt, asnjë ekip tjetër nuk ka më shumë se tetë paraqitje. New England është në kërkim të fitores së shtatë në Super Bowl, e cila do t’i lejonte që të kalonin Pittsburgh Steelers.
Dhjetë nga 12 paraqitjet e New England në Super Bowl kanë ardhur që nga viti 2000. Asnjë ekip tjetër nuk është paraqitur në më shumë se pesë Super Bowl gjatë kësaj periudhe.
New England është skuadra e parë që arrin në Super Bowl pasi ka humbur 13 ose më shumë ndeshje sezonin e kaluar.
Seahawks janë në Super Bowl-in e tyre të katërt, të tri finalet e tyre kanë ardhur pas vitit 2006. Bilanci i tyre në këto finale është negativ pasi mundur të fitojnë vetëm një herë.
Protagonistët e Super Bowl LX janë të njëjtët e Super Bowl XLIX. Atë ndeshje Patriots fituan 28-24, edhe pse ishin në disavantazh të dhjetë pikëve.
Kjo është finalja e 10-të e Super Bowl në historinë e NFL-së e cila luhet mes këtyre dy ekipeve, të cilat janë ndeshur më parë me njëra-tjetrën në aktin e fundit. Fituesit e takimeve të para kanë mundur që të fitojnë plot gjashtë herë edhe në takimet e dyta.
The post Finalja e 60-të e Super Bowl në NFL appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.