Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Main stream

Rënie gurësh në aksin Kukës-Bushtricë, vështirësohet lëvizja e automjeteve

By: V K
5 February 2026 at 11:38

Gjatë orëve të natës, i gjithë qarku i Kukësit është përfshirë  nga reshje shiu me intensitet mesatar,  të shoqëruara herë pas here edhe me erë, duke krijuar vështirësi në disa segmente rrugore.

Reshjet kanë vijuar deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, kur janë ndërprerë gradualisht.

Si pasojë e motit të paqëndrueshëm, në disa akse rrugore të qarkut janë shënuar rënie gurësh dhe inertesh nga shpatet malore, veçanërisht në zonat me terren të thyer.

Problematika më e theksuar është evidentuar në segmentin rrugor Kukës–Bushtricë, ku në orët e para të ditës së sotme janë regjistruar rënie gurësh dhe masash dherash, duke vështirësuar përkohësisht lëvizjen e automjeteve.

Aktualisht, ky aks kombëtar që lidh Kukësin me Peshkopinë është i qarkullueshëm normalisht, megjithatë drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve në vijim.

Sipas raportimeve nga strukturat vendore, në bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has, nuk janë konstatuar dëme në banesa apo infrastrukturë tjetër publike dhe nuk ka pasur situata emergjente që të kërkojnë ndërhyrje shtesë.

Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht në të gjithë territorin e qarkut, pa ndërprerje. Autoritetet vendore dhe shërbimet emergjente mbeten në gatishmëri për të monitoruar situatën, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të ndjekin informacionet zyrtare dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, sidomos në akset malore.

The post Rënie gurësh në aksin Kukës-Bushtricë, vështirësohet lëvizja e automjeteve appeared first on Albeu.com.

“Ai nuk është asgjë para Ronaldos”, legjenda e Al Itihad shpërthen kundër Benzemas pas largimit nga klubi

By: V K
5 February 2026 at 11:18

Transferimi i Karim Benzemas nga Al Itihad te Al Hilal, vazhdon të jetë një temë e nxehtë në Arabinë Saudite. Francezi është kritikuar nga një legjendë e klubit të Al Itihad, Mohamed Nor.

I ftuar në një emision televiziv, ish-mesfushori e kritikoi ashpër duke e akuzuar atë se e kishte braktisur ekipin në momentin e tij më të vështirë.

“Kur Benzema erdhi në Al Itihad, ai nuk ofroi asgjë në sezonin e parë, pastaj gjërat ndryshuan në sezonin pasardhës, falë tifozëve që e ndihmuan, qëndruan me të, brohoritën emrin e tij dhe e inkurajuan. Benzema humbi shumë penallti sezonin e kaluar, por tifozët qëndruan me të, e mbështetën dhe e inkurajuan derisa ekipi fitoi titujt e ligës dhe kupës.

A është e drejtë që ai të vijë këtë sezon dhe të thotë se nuk dëshiron të luajë me këtë ekip? Me gjithë respektin për të, ai nuk është asgjë në krahasim me Kristiano Ronaldon, dhe nuk ia vlen të përmendet. Nëse Benzema nuk donte ta përfundonte kontratën e tij me ekipin, klubi duhet të kishte përfituar nga shuma e largimit të tij, të paktën klubi duhet të kishte marrë pjesën e mbetur të vlerës së kontratës së lojtarit”, deklaroi ai.

The post “Ai nuk është asgjë para Ronaldos”, legjenda e Al Itihad shpërthen kundër Benzemas pas largimit nga klubi appeared first on Albeu.com.

I pandehur si anëtar i grupit kriminal për hakerimin e SPAK-ut, ish-kreu i Burgjeve Agim Ismaili paraqitet në GJKKO

By: V K
5 February 2026 at 10:52

Këtë të enjte, ish-drejtori i Burgjeve Agim Ismaili, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO). Ai është nën hetim nga SPAK, për sulmin kibernetik ndaj institucionit të drejtësisë.

Hetimi ndaj Ismailit po zhvillohet për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sistemi kompjuterik i SPAK, u sulmua më 12 mars dhe u zbulua disa ditë më vonë. SPAK bëri me dije më 3 prill se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-ve të prokurorëve të posaçëm. Në njoftim nënvizohej se nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme.

Sipas SPAK, autorët kishin arritur të merrnin disa informacione, por pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore.

Sipas njoftimit të SPAK, u tentua të ndërhyhet edhe në email-in e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

Në hetimet e para u identifikuan si përgjegjës dy persona të cilët u arrestuan, ish-drejtori i paraburgimit të Vlorës, Zambak Gjoni dhe ish-punonjësi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Arnold Rrokaj.

Dy të arrestuarit, dyshohet se i kanë shpërndarë të dhënat dhe tek persona të tjerë që po verifikohen për rolin e tyre në këtë ngjarje.

The post I pandehur si anëtar i grupit kriminal për hakerimin e SPAK-ut, ish-kreu i Burgjeve Agim Ismaili paraqitet në GJKKO appeared first on Albeu.com.

Humben jetën në banesën e tyre në Itali, kjo është familja shqiptare që u helmua nga monoksidi i karbonit

By: V K
5 February 2026 at 10:39

Mbrëmjen e djeshme, një ngjarje tragjike është regjistruar në Lucca të Italisë, ku një familje shqiptare prej katër pjesëtarësh, është shuar si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesën e tyre.

Personat që shihni në foto, janë Arti Kola, 48-vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 42-vjeçe, dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar, 23-vjeç, dhe Xhesika, 15-vjeçe, të cilët humbën jetën në banesën e tyre në Itali, si pasojë e një rrjedhjeje gazi.

Ata janë me origjinë nga qarku i Elbasanit.

Mediat italiane raportojnë se sipas autoriteteve, ishte pikërisht vëllai i kryefamiljarit ai që ngriti alarmin, pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave.

Pasi mbërritën në shtëpinë trekatëshe dhe nuk morën përgjigje, ai dhe dy oficerë të karabinierëve hynë me forcë brenda, ku u përballën me një skenë të rëndë: katër trupat e pajetë të shtrirë në dysheme.

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës së darkës. Kur ekipet e shpëtimit hynë në banesë, gjetën tryezën të shtruar, ç`ka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë.

Dy karabinierët që ndërhynë për ndihmën e parë pësuan gjithashtu shenja të lehta helmimi, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet italiane, kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrjedhjes së monoksidit të karbonit dhe për të verifikuar gjendjen e sistemit të ngrohjes në banesë.

 

The post Humben jetën në banesën e tyre në Itali, kjo është familja shqiptare që u helmua nga monoksidi i karbonit appeared first on Albeu.com.

E dyshuar për çështjen e AKSH-it/ Apeli i GJKKO merr vendimin për ish-zyrtaren e policisë, Ervina Gjana

By: V K
5 February 2026 at 10:36

Apeli i GJKKO, ka pranuar  kërkesën e zyrtares së policisë, Ervina Gjana, për t’i kthyer disa sende të bllokuara me urdhër të SPAK.

Gjatë kontrolleve që në fokus kishin bashkëjetuesin e Gjanës, shtetasin Renato Hristic, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit sekuestruannë benesën e vartëses së Ilir Prodës, 8 aparate celulare dhe dy laptopë.

Drejtoresha e krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, ngriti pretendime se celularët i përkisnin vetë asaj dhe jo bashkëjetuesit dhe kërkoi kthimin e tyre, ndërsa për laptop iu tha hetuesve se ishin të fëmijëve.

Ndërkohë që ajo kërkoi kthimin gjykata pranoi kërkesën e SPAK dhe urdhri sekuestrimin edhe të celularëve të zyrtares që konsiderohet si një prej njerëzve më të besuar të kryepolicit Ilir Proda.

SPAK njoftoi pak javë më parë një grup kriminal brenda Agjencisë Kombëtare të Shqipërisë së Informacionit dhe shpalli në kërkim të dyshuaeit si drejtues të këtij grupi biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Në arrest shtëpie u dërgua Mirlinda Karcanaj drejtoresha e AKSHIT, si dhe zëvendësja e saj Hava Delibashi. 3 biznesmenë të tjerë dhe një zyrtar policie janë në masa më të lehta sigurie, si ndalim për të dalë jashtë vendit apo pezullim nga ushtrimi i funksionit.

Agasi dhe Beqiri sipas SPAK, urdhëruan rrëmbimin e biznesmenit Gerond Mece që ta detyronin të tërhiqej nga ankesat për tenderat pranë AKSHIT.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 40 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses E.Gj: “Ankim kundër vendimit nr. 834, datë 30.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Kërkesë për verifikimin e ligjshmërisë së ekzekutimit të vendimit nr. 812, datë 15.12.2025, për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve, përsa i përket sekuestrimit të sendeve personale të një personi të tretë, si dhe kthimin e sendeve të sekuestruara pa bazë ligjore”, duke pranuar pjesërisht ankimin e znj. E.Gj, ndryshoi vendimin nr. 834, datë 30.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.

The post E dyshuar për çështjen e AKSH-it/ Apeli i GJKKO merr vendimin për ish-zyrtaren e policisë, Ervina Gjana appeared first on Albeu.com.

Aksident në aksin Gjirokastër-Tepelenë, tre persona të plagosur (VIDEO)

By: V K
5 February 2026 at 10:14

Mëngjesin e sotëm rreth orës 09:15, një aksident automobilistik është regjistruar në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë.

Në aksident janë përfshirë një automjet tip BMW dhe një automjet tip Renault Clio. Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të plagosur.

Forcat e shërbimit zjarrfikës kanë ndërhyrë në vendngjarje për nxjerrjen e drejtuesit të automjetit Renault Clio, në pronësi të shtetasit Klevant Vasi, i cili është transportuar me ambulancë drejt spitalit për marrjen e ndihmës mjekësore.

Sipas informacionit paraprak, personat e plagosur ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shkaqet e aksidentit po hetohen nga policia.

 

The post Aksident në aksin Gjirokastër-Tepelenë, tre persona të plagosur (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

BIRN: Rama në Izrael me avionin privat të sekuestruar nga ish-miliarderi i kriptovalutave

By: V K
5 February 2026 at 10:09

Gjatë vizitës 3-ditore në Izrael midis datave 25-27 janar, kryeministri Edi Rama, udhëtoi vajtje e kthim me një avion privat, dikur në pronësi të themeluesit të bursës së kriptovalutave FTX, e cila falimentoi në mënyrë spektakolare në nëntor 2022.

Avionët privatë reaktivë për distanca të gjata, të cilët përdoren nga elitat globale të biznesit dhe politikës, nuk janë thjesht mjete udhëtimi.

Ata shërbejnë si një metaforë e hendekut midis njerëzve të pasur dhe të pushtetshëm dhe pjesës tjetër të shoqërisë, e cila pret me durim në terminal për të marrë aeroplanin e linjës.

Në Shqipëri, dikur një vend i izoluar dhe ende i varfër – ku vetëm një grup i vogël njerëzish udhëtonte jashtë vendit për dekada – simbolika e përdorimit të një aeroplani privat është më e fortë, në mënyrë të veçantë kur këto udhëtime bëhen nga zyrtarë publikë si kryeministri Edi Rama, shpesh larg syve kureshtarë të publikut.

Udhëtimi i fundit i liderit jetëgjatë shqiptar në vizitën shtetërore tre-ditore në Izrael me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, u realizua nëpërmjet avionit ‘Bombardier Global 5000’, dikur në pronësi të Sam Bankman Fried, një sipërmarrës amerikan i dënuar për mashtrim dhe pastrim parash.

Kjo nuk është hera e parë që Rama përdor një avion privat për udhëtimet e tij zyrtare. Për vite me radhë, ai shfrytëzoi një Airbus A319-100 të konfigurimit VIP nga kompania e flamurit ‘Air Albania’, i pagëzuar me emrin ‘Ismail’, në nder të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Bej Vlora.

Përfaqësues të mazhorancës argumentojnë se përdorimi i një “avioni qeveritar” për udhëtime zyrtare nga kryeministri lidhet me “dinjitetin” e shtetit shqiptar dhe përfaqësimin e tij në arenën ndërkombëtare.

Kritikët e Ramës nga radhët e opozitës mendojnë të kundërtën, ndërsa theksojnë se dinjiteti që gëzon një zyrtar publik – qoftë brenda apo jashtë vendit – nuk lidhet me luksin e mjeteve të transportit të përdorura prej tij.

“Dinjiteti i vendit tonë, fatkeqësisht, cenohet përditë e më shumë nga një kryeministër dhe një qeveri e korruptuar dhe e papërgjegjshme, që kohët e fundit u kanë hyrë edhe aventurave gjeopolitike për hir të interesave të ngushta politike”, tha Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë.

I pyetur nga BIRN, Rama e lidhi përdorimin e një avioni privat për udhëtimin e tij në Izrael me çështjen e sigurisë.

“Udhëtimi në Izrael ka pasur edhe elemente të mirëkuptueshme sigurie të veçantë dhe transporti ka qenë pjesë e këtyre elementëve”, tha ai, nëpërmjet një zëdhënëseje.

“Shpenzimet nuk janë mbuluar nga qeveria shqiptare”, shtoi Rama, pa specifikuar se kush i kishte mbuluar ato.

Qeveria e Izraelit nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN nëse ishte ajo që e kishte paguar fluturimin e kryeministrit shqiptar për në Tel Aviv.

Një vizitë ‘historike’

 

Tre dekada pas rënies së regjimit komunist, i cili e izoloi vendin për gati gjysmë shekulli, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në Europë, me të ardhura për frymë pak më të larta se Moldavia dhe Kosova.

Edi Rama është një nga politikanët që ka shenjuar periudhën e tranzicionit, duke udhëhequr prej vitit 2013 si kryeministër, ndërsa siguroi një mandat të katërt të paprecedentë në zgjedhjet e vitit 2025.

Megjithatë, pavarësisht sukseseve në zgjedhje, të cilat i detyrohen shumë transformimit të Partisë Socialiste në një makineri elektorale, qeveria e drejtuar nga Rama është përndjekur nga akuzat për korrupsion në nivelet më të larta ekzekutive të saj – përfshirë marrjen të pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku për shkelje të barazisë në tendera.

Në klimën e një përballjeje mes pushtetesh për imunitetin e Ballukut, vizita shtetërore në Izrael përbënte një mundësi të artë për kryeministrin për të lëmuar imazhin e tij të dëmtuar.

Së bashku me kryeministrin në Izrael udhëtoi edhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Megi Fino, dhe shefja e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni.

Stacioni i parë i vizitës në Izrael me 25 janar ishte ‘Nova Site’, afër Kibutz Re’im në jug të Izraelit, vendi ku nisi sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe u vranë 378 të rinj që merrnin pjesë në festivalin muzikor.

Më 26 janar, kryeministri shqiptar u prit në një takim në Tel Aviv nga homologu i tij, Benjamin Netanyahu, i cili po përballet gjithashtu me akuza për korrupsion në Izrael dhe është subjekt i një kërkese arresti ndërkombëtar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për krime lufte në Gaza. Ai i ka kundërshtuar me forcë të dyja akuzat.

Në të njëjtën ditë, kryeministri shqiptar iu drejtua me një fjalim parlamentit izraelit, ku ai theksoi lidhjet historike midis dy popujve, përfshirë ndihmën që shqiptarët dhanë për popullin hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Media proqeveritare në Tiranë nxituan ta shpallnin fjalimin e tij si “historik”.

Më 27 janar, Rama mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare për luftën kundër antisemitizmit, përpara se të kthehej në atdhe.

Sipas të dhënave të aplikacionit “Flightradar”, avioni “Bombardier Global 5000” u nis nga “Nënë Tereza” në Rinas të dielën, më 25 janar, në orën 10:53 dhe arriti në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit në orën 13:55.

I njëjti mjet fluturues udhëtoi të martën, më 27 janar, përsëri drejt Tiranës, ku u ul në orën 20:33. Menjëherë pas uljes së avionit në aeroportin “Nënë Tereza”, eskorta e kryeministrit Edi Rama u pa të largohej nga terminali VIP.

Avioni i multimiliarderit të kriptovalutave

 


Sam Bankman Fried

Avioni Bombardier Global 5000 me numër “N410AT”, i regjistuar në Administratën Federale të Aviacionit (FAA) në SHBA, është një avion reaktiv biznesi i kategorisë ‘ultra long range’, i prodhuar nga kompania kanadeze Bombardier Aerospace në vitin 2008.

Ky model konsiderohet një nga avionët më luksozë dhe më të aftë për fluturime ndërkontinentale në segmentin e tij. Të dhënat e pronarit aktual të avionit janë anonimizuar nga FAA në bazë të “Titullit 49 të Kodit të Shteteve të Bashkuara, Seksioni 44114,”, e cila është një dispozitë e ligjit federal amerikan që rregullon regjistrimin e avionëve në Shtetet e Bashkuara dhe lejon që, këta të fundit, të mbeten anonimë.

Ndryshe, për pronarët e mëparshëm të këtij mjeti fluturues dihet më shumë, pasi avioni ka qenë objekt i një procesi ligjor në SHBA, pas kolapsit të bursës së kriptovalutave FTX, the arrestimin të themeluesit të saj, Sam Bankman Fried, i njohur gjithashtu me nofkën ‘SBF’.

Avioni ‘Bombardier’ ishte blerë nga FTX nëpërmjet kompanisë Trans Island Airways në vitin 2021, për vlerën 15.9 milionë dollarë.

FTX gjithashtu, zotëronte një tjetër avion privat të llojit “Embraer Legacy” më vlerë 11.2 milionë dollarë. Të dy mjetet u sekuestruan në vitin 2023.

Në mars 2024, Bankman-Fried u dënua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 25 vjet burg, i ngarkuar me shtatë akuza penale për mashtrim dhe komplot.

Themeluesi i bursës FTX dhe kompanisë së investimeve ‘Alameda Research’, SBF ishte një nga figurat kyçe të tregut të kriptovalutave.

Bursa e kriptovalutave FTX kolapsoi në nëntor 2022, pas publikimit të akuzave për mashtrim dhe korrupsion, të cilat çuan në tërheqje masive të fondeve nga klientët. Bankman-Fried u arrestua dhe u ekstradua në dhjetor të të njëjtit vit në SHBA.

Në shkurt 2025, Gjykata Federale e Distriktit Jugor të Nju Jorkut, nxori një vendimin përfundimtar konfiskimi për pasurinë e SBF, për një vlerë të barabartë me 1 miliard dollarë, përfshirë dy avionët e tij privatë.

Mungesë transparence

Avionët privatë zënë një vend të veçantë në tregun e shërbimeve të luksit, duke qenë një simbol ekskluziviteti, ndaj të cilit shumë pak njerëz mund të kenë qasje.

Kjo industri përfitoi një ngritje të madhe gjatë pandemisë globale të COVID-19 dhe ka regjistruar rritje të fortë edhe në vitet që pasuan.

Sipas kompanisë së inteligjencës financiare “Wing X”, ajo vlerësohej në 39.8 miliardë dollarë në vitin 2025.

Me gjithë zhvillimin e tregut të fluturimeve private, ky sektor ka tërhequr edhe kritika, për shkak të ndikimit në mjedis dhe shkarkimeve të larta të dioksidit të karbonit në atmosferë.

Në Shqipëri, kritikat, të cilat kanë shënjestruar kryesisht kryeministrin Edi Rama për përdorimin e avionëve privatë, kanë qenë më me këmbë në tokë. Ato lidhen gjerësisht me transparencën e shpenzimeve publike për transport nga kreu i qeverisë.

Që kur mori Presidencën e OSBE-së për një periudhë 1-vjeçare në vitin 2020, kryeministri ka përdorur për udhëtime zyrtare një avion të kompanisë së flamurit “Air Albania”, duke përfituar nga një kontratë kuadër me çmim në kosto për orë fluturimi.

Përdorimi i këtij avioni nga kryeministri dhe shpenzimet për operimin e tij kanë qenë burim akuzash nga opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike, e cila ka kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar. Kërkesa e PD-së është hedhur poshtë nga mazhoranca në shkurt 2023.

Në tetor 2025, Këshilli i Ministrave vendosi t’i shpallë sekret të dhënat për udhëtimet e kryeministrit dhe të zyrtarëve të lartë jashtë vendit, duke argumentuar se kjo bëhej për të mbrojtur të dhënat personale.

“Prej atij momenti, qytetarët e kanë humbur të drejtën të dinë se me çfarë mjeti, kostoje apo eskorte udhëton kryeministri i vendit”, shprehet Rigels Xhemollari, drejtues ekzekutiv i “Qëndresa Qytetare”, një organizatë kundër korrupsionit me qendër në Tiranë.

Sipas Xhemollarit, me këtë vendim nuk kemi të bëjmë vetëm me rënien e një standardi etik, por edhe të një standardi demokratik, pasi sipas tij ka humbur llogaridhënia për taksat publike.

“Në momentin që një zyrtar i lartë udhëton me paratë e përbashkëta, ai ka detyrim të publikojë minimalisht kostot dhe kontratat e udhëtimit”, tha ai. “Fakti që kryeministri nuk e bën këtë, nënkupton minimalisht fshehje të kostove dhe maksimalisht abuzim me detyrën”, shtoi Xhemollari.

Falimenti i ‘Air Albania’

 

Marrëveshjes midis Këshillit të Ministrave dhe kompanisë “Air Albania” për përdorimin e “Ismailit” për fluturime zyrtare i erdhi fundi në dhjetor 2025, pasi kompania ajrore ndaloi së operuari, nën barrën e rreth 50 milionë dollarëve borxhe të akumuluara ndër vite.

Besnik Vathi, themelues i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA), i tha BIRN se falimentimi i Air Albania erdhi si rrjedhojë e faktorëve të jashtëm të tregut dhe menaxhimit të dobët të kompanisë.

Ai theksoi se shumë vende i subvencionojnë kompanitë ajrore të “flamurit”, duke u siguruar fluturime pa konkurrencë në disa destinacione, pasi i konsiderojnë ato shtylla të rëndësishme të zhvillimit të turizmit.

“Ndërsa Air Albania u la të konkurronte në një treg shumë të ashpër – ku prezentë janë Wizz Air dhe Ryanair – dhe u detyrua të punonte në një situatë të vështirë”, tha Vathi. “Menaxhimi ishte anadollak, pa vizion dhe pa koncepte”, shtoi ai, ndërsa theksoi se “pati mungesë vizioni për të krijuar një kompani të suksesshme”.

Ndryshe, kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, fajëson qeverinë për falimentimin e kompanisë ajrore të flamurit.

“E konsideroj, së paku, politikisht përgjegjës Edi Ramën”, tha ai, ndërsa rikujtoi se vite më parë kryeministri e trumbetonte themelimin e saj si histori suksesi.

Qori ishte gjithashtu kritik për përdorimin e fluturimeve “charter” nga Kryeministria.

“Përdorimi i çarterave privatë është shpërdorim i shpenzimeve nga buxheti i shtetit vetëm për hir të komoditetit të lëvizjes së një kryeministri, i cili në parim, duhet të ishte kryeshërbyesi i popullit, por në fakt përditë e më shumë ka një stil jetese luksoz, në sinkron me autokratët e të shkuarës dhe të tashmes nëpër botë”, tha ai.

“Luksi është antitezë e demokracisë, e cila, aty ku lulëzon, shkon bashkë me thjeshtësinë në paraqitjen publike të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe me kursimin e shpenzimeve qeveritare”, shtoi ai.

Edhe Xhemollari, ishte i mendimit se përdorimi i fluturimeve private nga qeveria shqiptare nuk i bënte nder reputacionit të kryeministrit.

“Justifikimi i [kreut të Kuvendit Niko] Peleshit për ‘përfaqësim dinjitoz’, apo ai i kryeministrit për të reklamuar kompaninë ajrore, tashmë të falimentuar, janë hije propagande për të justifikuar luksin e udhëtimeve me avionë privatë”, tha ai.

“Dinjitoze për një vend të varfër si Shqipëria do të ishte nëse do të udhëtonte si çdo qytetar i kësaj republike, me avionët që përdorin ata që paguajnë taksat në këtë vend, e jo si baron droge apo si drejtues i vendeve diktatoriale”, përfundoi Xhemollari./BIRN

The post BIRN: Rama në Izrael me avionin privat të sekuestruar nga ish-miliarderi i kriptovalutave appeared first on Albeu.com.

Shuarja e familjes shqiptare në Itali, zbardhen emrat e 4 viktimave

By: V K
5 February 2026 at 09:38

Mbrëmjen e djeshme 4 shkurt 2026, një ngjarje tragjike është regjistruar në Lucca të Italisë, ku një familje shqiptare prej katër pjesëtarësh, është shuar si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesën e tyre.

Kryetari i komunës së Porcarit në Itali, Leonardo Fornaciari, ka bërë publik emrat e 4 anëtarëve të familjes shqiptare.

Viktimat janë: Arti Kola, 48-vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 42-vjeçe, dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar, 23-vjeç, dhe Xhesika, 15-vjeçe.

Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit, u lëndua dhe po merr trajtim në spital.

“Jemi të gjithë të mërzitur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje tragjike që më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, madje edhe atë që ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë, qëndron i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve në një përqafim ideal për këtë zi të rëndë që ka prekur Porcarin. U prehshin në paqe”, shkruan Fornaciari.

 

 

NGJARJA

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës (4 shkurt) në rrethana ende të paqarta, ndërsa ka dyshime se rrjedhja është shkaktuar nga një defekt në kaldajën e banesës së tyre.

Viktimat janë babai 48 vjeç, nëna 43 vjeçe dhe dy fëmijët, përkatësisht 22 dhe 15 vjeç, por ende nuk kanë identifikuar. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit raportohet se ka mbetur i lënduar dhe ndodhet në spital.

Po ashtu edhe dy karabinierë, të cilët mbërritën në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, pësuan një intoksikim të lehtë, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas autoriteteve, tragjedia ka ndodhur rreth orarit të darkës. Gjatë hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit kanë gjetur tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë.

Alarmin e ka dhënë pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve të shumta, ata u detyruan të thyejnë derën.

Brenda banesës, forcat e rendit u përballën me një skenë dramatike, katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme. Pak çaste më vonë, edhe familjari i pestë humbi ndjenjat për shkak të monoksidit të karbonit, nën sytë e karabinierëve, të cilët arritën të dalin në kohë nga banesa dhe të japin alarmin. Ai u transportua me urgjencë në spitalin e Cisanellos.

The post Shuarja e familjes shqiptare në Itali, zbardhen emrat e 4 viktimave appeared first on Albeu.com.

Kriza e blegtorisë, importet e bulmetit u rritën me 62% ndërmjet 2021-2025

By: V K
5 February 2026 at 09:31

Bilanci tregtar i Shqipërisë për produktet e shportës, po dëshmon një varësi gjithnjë e më të theksuar nga importet jashtë vendit.

Sipas të dhënave të INSTAT nga tregtia e jashtme, kategoria “Produkte bulmetore, vezët dhe mjalti” ka pësuar një rritje të fortë të vlerës së importit, duke u ngjitur nga 6.8 miliardë lekë në vitin 2024, në rreth 7.7 miliardë lekë në vitin 2025.

Ky zgjerim prej rreth 14% brenda një viti kalendarik dhe 62% që nga viti 2021, po tregon se prodhimi vendas po humbet terren me shpejtësi përballë produkteve që vijnë kryesisht nga vendet e Rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Kjo rritje e importeve, vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e një krize strukturore që ka mbërthyer sektorin e blegtorisë në Shqipëri.

Prej vitesh, numri i krerëve në blegtori po pëson rënie sistematike, e nxitur nga braktisja e fshatit, plakja e popullsisë rurale dhe mungesa e interesit të të rinjve për të trashëguar fermat familjare.

Nga ana tjetër, kostoja e prodhimit vendas është shtrenjtuar për shkak të rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore dhe bazës ushqimore.

Blegtorët shqiptarë po e gjejnë veten të pafuqishëm për të konkurruar me prodhuesit e huaj, të cilët mbështeten nga skema subvencionimi dhe teknologji më efikase.

Sakaq, tregu po reagon duke u orientuar drejt mbushjes së vakumit të krijuar nga prodhimi vendas përmes importeve.

Ndërsa konsumi i brendshëm mbetet relativisht i qëndrueshëm dhe kërkesa nga sektori i turizmit po rritet vit pas viti, mungesa e qumështit dhe nënprodukteve të tij “Made in Albania” po plotësohet nga fabrikat e huaja.

Forcimi i monedhës vendase e ka bërë importin e djathit, qumështit apo gjalpit nga vendet e Bashkimit Evropian shumë më të lirë sesa vitet e kaluara.

Për një tregtar, sot është me më leverdi të sjellë një maune me qumësht nga Italia apo Hungaria, sesa të grumbullojë sasi të vogla qumështi nëpër fshatrat e Shqipërisë me kosto logjistike të lartë.

Leku i fortë po godet rëndë prodhuesin vendas që nuk konkurron dot me çmimet e huaja.

Kjo situatë krijon një rreth vicioz ku, sa më shumë rriten importet, aq më shumë ulet presioni mbi institucionet për të mbështetur blegtorinë lokale, duke e lënë këtë të fundit në mëshirë të fatit dhe të zhvlerësuar përballë konkurrencës rajonale.

Ekspertët e fushës paralajmërojnë se nëse kjo tendencë e reflektuar në shifrat e vitit 2025 do të vijojnë me të njëjtat ritme.

Shqipëria rrezikon të humbasë sovranitetin ushqimor në produktet bazë. Rritja e importeve me plot 10 milionë euro brenda një viti po tregon se politikat e subvencionimit nuk kanë arritur të frenojnë tkurrjen e stallave./ Monitor

The post Kriza e blegtorisë, importet e bulmetit u rritën me 62% ndërmjet 2021-2025 appeared first on Albeu.com.

Ngjarje tronditëse/ Tre motra hidhen nga kati i nëntë i pallatit, më e vogla 12-vjeç

By: V K
5 February 2026 at 09:12

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Indinë, ku tre motra të mitura, të moshës 12, 14 dhe 16-vjeç, kanë humbur jetën pasi u hodhën nga kati i nëntë i pallatit ku banonin.

Tragjedia dyshohet se ndodhi pasi babai i tyre u kishte ndaluar përdorimin e telefonit celular dhe lojën e një të ashtuquajture “lojë dashurie” koreane.

Sipas mediave indiane, viktimat janë identifikuar si Vishikha (16-vjeç), Prachi (14-vjeç) dhe Patsi (12- vjeç).

Ato lanë pas një shënim vetëvrasjeje prej tetë faqesh, në të cilin shprehnin lidhjen e tyre të fortë me kulturën koreane.

Në shënim thuhej:Babi, më vjen keq. Koreja është jeta jonë, Koreja është dashuria jonë më e madhe. Pavarësisht se çfarë thua, ne nuk mund të heqim dorë. Kjo është arsyeja pse po kryejmë vetëvrasje”.

Shënimi përfundonte me fjalët: “U përpoqët të na distanconit nga koreanët, por tani e dini sa shumë i duam”.

Babai i vajzave, i tronditur nga ngjarja, deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni të lojës që ato po luanin.

“Kjo nuk duhet t’i ndodhë asnjë prindi apo fëmije. Nuk e dija për lojën, përndryshe nuk do t’i kisha lejuar kurrë ta përdornin”, tha ai për mediat.

Megjithatë, raportime të fundit sugjerojnë se rrethanat e ngjarjes mund të jenë më komplekse. Sipas policisë, dy nga motrat mund të kenë tentuar ta ndalonin të tretën nga ndërmarrja e aktit fatal, ç`ka ngre dyshime se rënia mund të ketë ndodhur gjatë një përpjekjeje për ta parandaluar atë.

Babai i përshkroi vajzat si të varura në mënyrë ekstreme nga gjithçka që lidhej me Korenë, përfshirë filmat, muzikën dhe serialet televizive.

Ai tha se kjo varësi kishte filluar gjatë pandemisë COVID-19, ndërsa mediat lokale raportojnë se vajzat nuk ishin kthyer më në shkollë që nga ajo periudhë.

Një zëdhënës i policisë bëri të ditur se ditët e fundit vajzave, u ishte ndaluar përdorimi i telefonave celularë, një vendim që, sipas tij, duket se i ka ndikuar ndjeshëm emocionalisht.

Sipas Daily Mail, në murin e dhomës së tyre ishin shkruar fraza si; “Jam shumë, shumë e vetmuar”, duke sugjeruar gjendje të rënduar psikologjike. Ngjarja tragjike ndodhi pak pas orës 02:00 të mëngjesit të së mërkurës.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe ende nuk ka identifikuar lojën specifike që dyshohet se ka ndikuar në reagimin ekstrem të vajzave.

The post Ngjarje tronditëse/ Tre motra hidhen nga kati i nëntë i pallatit, më e vogla 12-vjeç appeared first on Albeu.com.

Arbër Hoxha: Pas fitores në Serbi, Shqipëria mund të mposhtë Poloninë edhe në transfertë

By: V K
5 February 2026 at 08:56

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha, në një intervistë,  ka folur për play-offin e muajit mars, ku Kombëtarja e Shqipërisë luan ndaj Polonisë.

Hoxha tha se do donte që kjo ndeshje të zhvillohej në Tiranë, para tifozëve “kuqezi”.

Megjithatë, fitorja ndaj Serbisë si mysafir u ka dhënë motivim të gjithëve dhe besim se mund të mposhtin këdo larg shtëpisë.

“Nuk është problem që luajmë në transfertë, edhe pse do donim të luanim në stadiumin tonë të zjarrtë në Tiranë.

E dimë se do kemi shumë tifozë atje dhe besojmë se do marrin një fitore ndaj Polonisë. Pas fitores në Serbi, ndjejmë se jemi më të fortë”, u shpreh Arbër Hoxha.

Kujtojmë që ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë, zhvillohet në mars më datën 26.

The post Arbër Hoxha: Pas fitores në Serbi, Shqipëria mund të mposhtë Poloninë edhe në transfertë appeared first on Albeu.com.

E quajti “pervers”, gruaja e Mirit i përgjigjet ashpër babait të Selinës: Shiko vajzën tënde se…

By: V K
5 February 2026 at 08:48

Në një intervistë për “Top Albania Radio”, bashkëshortja e Mirit, Rabea, ka folur për herë të parë publikisht lidhur me situatat e krijuara në “Big Brother VIP Albania”, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt deklaratave të forta të babait të Selin dhe duke sqaruar raportin e shumëdiskutuar mes banorëve.

Rabea u pyet rreth komenteve të babait të Selin, i cili e kishte cilësuar Mirin si “pervers” pas dinamikave të krijuara në shtëpi.

Ajo mbrojti partnerin e saj, duke theksuar se ajo që po ndodh brenda është thjesht lojë dhe se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi njërin person.

“Më duhet të them unë e kam parë intervistën atë ditë kur doli. Edhe momentin e parë ishte kështu si i shokuar. Nga një anë e kuptoj merakun e babait për një vajzë. Por ky meraku nuk të jep të drejtë të gjykosh një person që ti nuk e njeh, që nuk ka bërë asnjëgjë ilegale, thjesht ka bërë një lojë. Më ka nevrikosur një çik që ka folur kështu. Ti si baba nuk mund t’i japesh gjithë fajin Mirit për atë situatën atje brenda, shiko një çik edhe gocën tënde. Ajo ka marrë disa këshilla nga jashtë, por nuk do ta kuptojë. Duhet të shikosh njëçik vajzën tënde se e ke edukuar ti, jo Miri”, u shpreh ajo.

Lidhur me natyrën e marrëdhënies Miri-Selin, Rabea ishte e prerë, duke e cilësuar atë si strategji të pastër loje pa asnjë ndjenjë reale.

“E shof si marrëdhënie [loje]. Thjesht miqësore që është lindur nga një detyrim pas Prime të parë. E kanë pranuar këtë sfidë dhe pastaj nisi loja e tyre. Nuk ka absolutisht ndjenja mes tyre. Secili përfiton nga kjo situatë. Nëse ka dyshime, ato ushqehen nga Selini dhe jo Miri”.

Gjatë intervistës u prek edhe momenti delikat kur vajza e Mirit, gjatë vizitës në shtëpi, përmendi emrin e Selin si të preferuarën e saj, një detaj që Rabea sqaroi se ishte tërësisht spontan.

“Nuk e kemi diskutuar më përpara se nuk e kisha menduar se ai pyet ashtu por ajo ka dhënë përgjigjen e saj që kishte në zemër. Vajza më tha më mbrapa se donte të thoshte Stelin por edhe Selin. Si vajzë e pafajshme tha atë që kishte në zemër. Vajza ka qarë shumë kur doli”.

Për të mbyllur diskutimin me nota humori, e pyetur se kë do të zgjidhte ajo vetë nëse Miri do t’ia bënte të njëjtën pyetje, Rabea u përgjigj: “Unë do t’i kisha thënë përveç teje më pëlqen Boli (arushi)”.

 

The post E quajti “pervers”, gruaja e Mirit i përgjigjet ashpër babait të Selinës: Shiko vajzën tënde se… appeared first on Albeu.com.

Shuhet familja shqiptare/ Zbardhen detaje tronditëse nga ngjarja e rëndë në Itali, policia gjeti tryezën shtruar, ishin bërë gati të…

By: V K
5 February 2026 at 08:24

Të tjera detaje tronditëse janë zbardhur në lidhje me tragjedinë në familjen shqiptare në Itali, ku katër anëtarët e saj, babai, nëna dhe dy fëmijët humbën jetën nga rrjedhja e gazit.

Sipas informacioneve që raportojnë mediat italiane, referuar autoriteteve, tragjedia ka ndodhur rreth orarit të darkës.

Gjatë hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit dhe policia kanë gjetur tryezën të shtruar, ç`ka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë darkën.

Alarmin e ka dhënë pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve të shumta, ata u detyruan të thyejnë derën.

Brenda banesës, forcat e rendit u përballën me një skenë dramatike, katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme. Pak çaste më vonë, edhe familjari i pestë humbi ndjenjat për shkak të monoksidit të karbonit, nën sytë e karabinierëve, të cilët arritën të dalin në kohë nga banesa dhe të japin alarmin. Ai u transportua me urgjencë në spitalin e Cisanellos.

Në vendngjarje mbërriti edhe kryebashkiaku i Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu tronditje dhe dhimbje të thellë për një tragjedi që, sipas tij, ka prekur mbarë komunitetin e këtij qyteti të vogël, vetëm pak kilometra larg Luccës.

The post Shuhet familja shqiptare/ Zbardhen detaje tronditëse nga ngjarja e rëndë në Itali, policia gjeti tryezën shtruar, ishin bërë gati të… appeared first on Albeu.com.

Tragjedi në familjen shqiptare në Itali, katër anëtarët humbin jetën nga rrjedhja e gazit

By: V K
5 February 2026 at 08:01

Mbrëmjen e djeshme (4 shkurt 2026), një tragjedi ka ndodhur në një familje shqiptare në Lucca të Italisë, ku 4 anëtarët e saj kanë humbur jetën nga rrjedhjeje e gazit.

Lajmi i rëndë është raportuar nga mediat italiane, të cilat thonë se ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa ka dyshime se rrjedhja është shkaktuar nga një defekt në kaldajën e banesës së tyre.

Viktimat janë babai 48-vjeç, nëna 43-vjeçe dhe dy fëmijët, përkatësisht 22 dhe 15-vjeç. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit raportohet se ka mbetur i lënduar dhe ndodhet në spital.

Po ashtu, edhe dy karabinierë, të cilët mbërritën në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, pësuan një intoksikim të lehtë, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas autoriteteve, tragjedia ka ndodhur rreth orarit të darkës. Gjatë hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit kanë gjetur tryezën të shtruar, ç`ka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë.

Alarmin e ka dhënë pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve të shumta, ata u detyruan të thyejnë derën.

Brenda banesës, forcat e rendit u përballën me një skenë dramatike, katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme.

Pak çaste më vonë, edhe familjari i pestë humbi ndjenjat për shkak të monoksidit të karbonit, nën sytë e karabinierëve, të cilët arritën të dalin në kohë nga banesa dhe të japin alarmin. Ai u transportua me urgjencë në spitalin e Cisanellos.

The post Tragjedi në familjen shqiptare në Itali, katër anëtarët humbin jetën nga rrjedhja e gazit appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor 5 Shkurt 2026/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
5 February 2026 at 07:52

Sot, 5 Shkurt 2026, dollari amerikan, blihet me 81.2 lekë dhe shitet me 82.2 lekë.

Euro, blihet me 96.2 lekë dhe shitet 96.9 lekë.

Franga zvicerane, këmbehet në blerje me 104.6 lekë, ndërsa në shitje me 105.6 lekë.

Dollari kanadez, sot në blerje këmbehet me 59.3 lekë, ndërsa në shitje me 60.5 lekë

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

The post Këmbimi valutor 5 Shkurt 2026/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Familjet shqiptare paguajnë faturën më të lartë në rajon për shërbimet shëndetësore

By: V K
5 February 2026 at 07:47

Shqipëria renditet ndër vendet me barrën më të lartë të shpenzimeve direkte për shëndetin, duke dëshmuar gjithashtu dëshmon mungesë stabiliteti në mbrojtjen financiare që shteti u ofron familjeve për shërbimet bazë, sipas rezultateve të anketës “Securimetri 2025” nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Sipas shifrave zyrtare të anketimit, rreth 57% e familjeve shqiptare deklarojnë se shpenzojnë midis 1% dhe 10% të të ardhurave të tyre totale për vizita mjekësore dhe barna.

Ky grup përfaqëson shumicën dërrmuese të popullsisë dhe shënon nivelin më të lartë në të gjithë Ballkanin Perëndimor për këtë kategori.

Ndërsa në vendet fqinje si Bosnja apo Serbia, një pjesë më e madhe e qytetarëve arrijnë të mbulohen nga skemat publike me kosto minimale, në Shqipëri duket se çdo kontakt me sistemin shëndetësor shoqërohet me një faturë që rëndon mbi buxhetin e të sëmurëve.

Edhe më shqetësues është fakti se 27% e familjeve shqiptare, detyrohen të alokojnë më shumë se 10% të të ardhurave të tyre për shëndetin.

Ky prag konsiderohet kritik nga organizatat ndërkombëtare si OBSH, pasi shpenzime të këtij niveli shpesh çojnë në varfërim të mëtejshëm të shtresave të mesme dhe të ulëta.

Ndonëse vende si Serbia (34%) apo Kosova (32%) kanë përqindje më të larta në këtë kategori ekstreme, struktura e shpenzimeve në Shqipëri tregon një shtrirje më të gjerë të barrës financiare në të gjithë shoqërinë.

Ajo që e bën situatën në Shqipëri unike në rajon, është numri shumë i ulët i atyre që nuk paguajnë. Vetëm 9% e familjeve arrijnë të mbajnë shpenzimet shëndetësore nën nivelin 1%.

Ky është treguesi më i ulët në Ballkan (ku mesatarja rajonale është 13%), duke sugjeruar se mbulimi “falas” mbetet më shumë një premtim sesa një realitet i prekshëm për pjesën më të madhe të shqiptarëve.

Analistët sugjerojnë se ky trend reflekton nevojën urgjente, për një rishikim të listës së barnave të rimbursueshme dhe përmirësimin e menaxhimit të sistemit parësor.

Në kushtet kur pagat po përballen me një inflacion të lartë, fakti që mbi 84% e popullsisë duhet të paguajë shuma të ndjeshme nga xhepi për shëndetin (kategoritë 1-10% dhe mbi 10% së bashku), e vendos sigurinë sociale të vendit në një pozicion mjaft vulnerabël.

Kostoja e shëndetit do të vijojë të mbetet një nga pengesat kryesore për rritjen e mirëqenies së familjeve shqiptare në vitet e ardhshme./Monitor

The post Familjet shqiptare paguajnë faturën më të lartë në rajon për shërbimet shëndetësore appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit 5 Shkurt 2026/ Kthjellime, vranësira dhe reshje shiu

By: V K
5 February 2026 at 07:34

Ditën e sotme vendi ynë, do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me intervale afatshkurtra të herëpashershme me kthjellime dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura, të cilat do të shoqërohen me reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët ndërsa lokalisht mesatar në formë shtrëngatash në zonën perëndimore.

Në relievet e larta malore në verilindje-juglindje të vendit reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim kryesor juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 7m/s, ndërsa në male, lugina e bregdet era pritet të arrijë shpejtësi 15m/s

Deti – Valëzimi forcës 2-4 ballë

The post Parashikimi i motit 5 Shkurt 2026/ Kthjellime, vranësira dhe reshje shiu appeared first on Albeu.com.

Horoskopi 5 Shkurt 2026/ Çfarë parashikojnë yjet për ju

By: V K
5 February 2026 at 07:30

Dashi

E enjtja do të jetë mjaft pozitive, ku Venusi do të ketë ndikim tranzit dhe do e bëjë dashurinë mjaft të favorizuar. Ky është momenti i duhur për të shprehur idetë dhe projektet tuaja. Në punë do të ketë mundësi të shumta, por kjo gjë do ju tensionojë.

Demi

Në dashuri do të ketë momente tensioni. Kujdes duhet të tregoni me të lindurit e shenjës së luanit dhe ujorit, ku mund të hasni në probleme. Yjet do të jenë mjaft të favorshme në punë, ku do të ketë mundësi rikuperimi dhe rimarrje në dorë të situatës.

Binjakët

Mundohuni që të gjeni një moment për tu relaksuar. Dashuria do të jetë mjaft pozitive, ku do të keni mundësi që të bëni projekte premtuese. Kujdes duhet të tregoni me punën, dhe mos lejoni që problemet e saj të ndikojnë në sferat e tjera të jetës tuaj.

Gaforrja

Dashuria do të jetë mjaft e favorshme. Ky është momenti i duhur si për dashuritë e reja, edhe për rikuperimin e një raporti. Në punë duhet të ruani qetësinë para se të merrni disa vendime.

Luani

Qielli favorizon dashurinë. Një histori do të ketë mundësi që të rikuperohet, ashtu sikundër mund të lindë një lidhje e re. Situata do të jetë mjaft e favorshme edhe në punë.

Virgjëresha

Prilli ishte një muaj mjaft i veçantë, ku mund ta keni gjetur veten në situata të dyjëzuara. Në dashuri duhet treguar kujdes, pasi mund të përfshiheni në dy histori njëkohësisht. Në punë do ju duhet të merrni vendime.

Peshorja

Nëse nuk i duroni dot më disa persona, mund të ndryshoni sjellje ose të jeni më pak të sjellshëm. Në dashuri ndiheni të qetë, pasi keni arritur në disa përfundime. Në punë mund të ketë zhvillime premtuese.

Akrepi

Mund të jeni përballur me probleme në çift kohëve të fundit, por tashmë do të ketë mundësi për përmirësim. Kujdes duhet treguar me financat, në mënyrë që të mos shpenzoni shumë gjatë kësaj periudhe. Po ashtu mund të përballeni me lodhje, ndaj duhet të gjeni një moment për tu relaksuar.

Shigjetari

Ky është momenti ideal për të zgjeruar rrethin miqësor dhe kontaktet, duke pasur njohje të reja, shkruan noa.al. Mërkuri do të ketë ndikim të favorshëm në financa. Edhe në punë, do të arrini që të fitoni diçka më shumë.

Bricjapi

E enjtja do të jetë nën ritmin e duhur. Në dashuri gjërat do të ecin më mirë, por ju nuk do të jeni të qetë me veten. Mundohuni që të mos mendoni për gjëra që kanë ndodhur shumë kohë më parë dhe fokusohuni tek e tashmja. Në punë duhet qetësi, ndaj shmangni problemet. Do të keni dëshirë për ndryshim.

Ujori

Dashuria do të jetë mjaft e favorizuar pasi Venusi do të jetë në anën tuaj. Në punë, diçka do të lëvizë dhe më në fund do të merrni atë që dëshironi. Disa gjëra kanë nevojë për ndryshim radikal.

Peshqit

E enjtja do të jetë e mbushur me nervozizëm dhe dyshime. Në dashuri gjërat vijojnë që të jenë tejet të komplikuara, ndaj mundohuni që të ruani qetësinë dhe të mos bëni asgjë të nxituar. Puna do të ecë më së mirë, ku problemet e lindura së fundmi mund të zgjidhen.

The post Horoskopi 5 Shkurt 2026/ Çfarë parashikojnë yjet për ju appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 4 February 2026Main stream

Seanca në GJKKO për grupin e Laert Haxhiut, përplasje mes të akuzuarve, Tafani: Ai më mori në qafë

By: V K
4 February 2026 at 15:56

Këtë të mërkurë, në Gjykatën e Posaçme, po zhvillohet procesi në ngarkim të grupit të Laert Haxhiut.

Avokati Aldo Duro iu drejtua trupës gjykuese: Edhe njëherë përsëris kërkesën time për vlerësim psikologjik për bashkëpunëtorin e drejtësisë Artan Tafani. Ai jo vetëm ka qenë përdorues i drogëve, të llojit kokainë dhe heroinë, por vazhdon trajtimin me metadon, një substancë e cila krijon varësi po njësoj”.

Të pandehurit kundërshtuan dëshmitë e dhëna nga bashkëpunëtori Artan Tafani.

Erisiano Abedini: Nuk e kam takuar Laert Haxhinë. Unë me këta persona nuk jam as mik, as armik, asgjë. Kemi tre vjet që nuk po marrim asnjë përgjigje. Nuk më lidh as profesioni me Laert Haxhiun as miqësia me të. Kam tjetër profesion dhe tjetër miqësi. Vlerësojeni pak këtë.

Bujar Abedini: Unë dua as mëshirë asgjë, dua vetëm drejtësi.

Aldo Shkëmbi: Kemi të drejtë të njihemi me të gjitha aktet, nuk na interesojnë faktet apo të dhënat për persona që nuk janë objekt i këtij gjykimi.

Prokurori Behar Dibra: Ka një hetim tjetër që po vijon dhe aktet nuk lidhen me çështjen, objekt i këtij gjykimi. Kërkesa është e pabazuar në ligj. Aktet që ka dhënë cilësinë e personit që ka dijeni, nuk kanë asnjë interes.

Artan Tafani për vrasjen e Fridman Xhaferrit: Në lidhje me pengmarrjen, e kam shpjeguar se si është goditur në kokë me armë. Plumbi e ka kapur në rrëshqitje sepse lëvizte. Ai ka qenë gjallë derisa është futur në ujë. Ka ndërruar jetë kur e futëm në ujë, herën e dytë kur e lidhëm me gurë. Makina ka qenë e zezë, por bënte nuancë kur rrinte në diell. Në lidhje me Bledarin dhe Mariglenin, kur kërkuam vend me hedh trupin e Fridmanit, nuk ka qenë hera e parë.

Tafani iu drejtua të pandehurve në kafaz:

“Shoku juaj më mori në qafë mua, Laerti”.

Pas këshillimit në dhomën e këshillimit, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e të pandehurve për kundërshtimin e dëshmisë së dhënë nga Artan Tafani gjatë këtij gjykimi në raport me dëshmitë e dhëna gjatë fazës paraprake. Të gjitha procesverbalet, të cilat edhe prokurori i relatori bëhen pjesë e fashikullit të gjykatës, do të vlerësohen nga gjykata për të shqyrtuar besueshmërinë e personit që është pyetur (Artan Tafani).

The post Seanca në GJKKO për grupin e Laert Haxhiut, përplasje mes të akuzuarve, Tafani: Ai më mori në qafë appeared first on Albeu.com.

Rama replikon me Klodiana Lalën për Shoqatën e Prokurorëve: S’e thumbova, por ilustrova moshën e njomë të saj! Gazetarja: Sapo gënjeu sërish mbreti…

By: V K
4 February 2026 at 15:24

Kryeministri Edi Rama, është përfshirë në një tjetër diskutim me gazetaren Klodiana Lala, pas një deklarate të bërë për Shoqatën e Prokurorëve për debatin e krijuar për çështjen e rritjes së pagave të gjyqtarëve.

Në reagimin e tij, kryeministri thoshte se Shoqata e Prokurorëve, që paska treguar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve ishte “ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim”.

Gazetarja Lala, nxorri një dokument që tregonte se shoqata në fjalë ishte e regjistruar. Reagimin e saj e shoqëronte edhe me një koment ku shkruante: “Sapo gënjeu sërish mbreti lakuriq!”.

 

 

Në replikë të kësaj, kryeministri shkroi sërish në rrjetin social X, duke thënë se ka shkruar që “janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit”, dhe duke shtuar se nuk ka pasur qëllim t’i thumbojë por të ilustrojë moshën e njomë të shoqatës.

Sipas tij, regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, por “duhet bërë edhe tek tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur”.

Një zëdhënës/e vullnetar/e i/e shoqatës së prokurorëve paska thënë se shoqata e re qenkej e regjistruar në gjykatë dhe unë paskesha gënjyer, po në fakt unë nuk shkruajta që s’janë regjistruar në gjykatë.

Unë shkruajta, “janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit”, – pra s’pata qëllim ta thumboj, po thjesht të ilustroj moshën fare të njomë të shoqatës, ndërkohë që dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, po duhet bërë edhe tek tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur.

Por halli me zëdhënësit vullnetarë është se e kanë zellin më të madh se sa zëdhënësit institucionalë, ndërkohë që informacionin e kanë si rregull gjysmak, çka i bën lajmës të nxituar të gjysëm të vërtetave – të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha”.

Gazetarja reagoi menjëherë, duke shkruar: “Hap pozitiv…Më në fund pranoi se gënjeu”.

 

The post Rama replikon me Klodiana Lalën për Shoqatën e Prokurorëve: S’e thumbova, por ilustrova moshën e njomë të saj! Gazetarja: Sapo gënjeu sërish mbreti… appeared first on Albeu.com.

❌
❌