Sindikata e Policisë së Kosovës ka shpreh pakënaqësinë e saj lidhur me suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë ne Gjakovë nga Inspektorati Policor i Kosovës, duke e konsideruar këtë veprim si të ngutshëm dhe jo adekuat për rrethanat e rastit.
Sindikata thekson se suspendime të tilla dëmtojnë rëndë institucionin e Policisë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, duke krijuar mungesë të fuqisë punëtore në stacionet policore, si dhe në cenimin e autoritetit dhe besueshmërisë së organit të sigurisë.
“Pa dashur të ndërhyjë në kompetencat dhe pavarësinë institucionale të Inspektoratit Policor të Kosovës, Sindikata, duke u bazuar në audio incizimin e publikuar në media dhe pas analizimit të plotë të ngjarjes, ka vlerësuar se zyrtarët policorë të suspenduar kanë kryer detyrën e tyre me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin.
Sipas të dhënave të bëra publike, zyrtarët policorë janë kërcënuar me jetë në vendin e tyre të punës, përkatësisht në stacionin policor, në prani të dëshmitarëve – zyrtarë policorë. Në audio incizim dëgjohet i dyshuari duke përcaktuar edhe kohën e mundshme të sulmit ndaj zyrtarëve policorë. Për këtë arsye, me të drejtë ai është trajtuar si i dyshuar për veprat penale të kërcënimit dhe pengimit të personit zyrtar në kryerje të detyrës, dhe me urdhër të prokurorit është caktuar masa e paraburgimit”, thuhet në reagim.
“Po ashtu, ekziston dyshimi se audio incizimi i publikuar është i shkëputur në pjesë dhe jo i plotë, i shkëputur nga i dyshimti. Ku Sipas legjislacionit në fuqi, asnjë audio incizim i paautorizuar dhe i pa urdhëruar nga organet kompetente nuk mund të konsiderohet provë ligjore në asnjë rast e as në rastin konkret.
Andaj, Sindikata e Policisë së Kosovës i bën thirrje Inspektorati Policor që të rishqyrtojë vendimin dhe të mundësojë kthimin e menjëhershëm në detyrë të zyrtarëve policorë, pasi konsideron se ata në këtë rast kanë qenë viktima të kërcënimit me jetë nga i dyshuari dhe kanë vepruar në përputhje me ligjin gjatë ushtrimit të detyrës së tyre”, thuhet në reagim. /Telegrafi/
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se në vitin 2025 është rritur numri i fluturimeve dhe udhëtarëve krahasuar me vitin 2024.
ASK njofton se gjithsej numri i fluturimeve të realizuara ishte 14.516, ose 11,7 % më shumë sesa në periudhën e kaluar (viti 2024), ndërsa numri i udhëtareve gjithsej ishte 4.595.524, ose 12,7 % më shumë sesa në periudhën e kaluar.
Transporti Hekurudhor
Në vitin 2025, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte rreth 87 mijë, ose 29 % më shumë sesa në periudhën e kaluar (viti 2024). Mallra të transportuara përmes hekurudhës nuk kishte në vitin 2025.
Transporti Rrugor
Në vitin 2025 në Kosovë janë të regjistruara 546 551 mjete motorike dhe jo motorike, ku në raport me vitin 2024 ka një rritje për 5,34 %.
Një gjykatë në Beograd e ka dënuar në mungesë ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Gjelosh Krasniqi me 15 vjet burgim nën akuzat për krime gjatë luftës në Kosovë.
Më 26 shkurt, Krasniqi është shpallur fajtor për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një civili serb në qershor të vitit 1999 në fshatin Bellopojë afër Pejës, shkruan Rel.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka thënë se aktakuza kundër Krasniqit bazohet kryesisht në deklarata të dëshmitarëve dhe prova të kufizuara forenzike dhe mjeko-ligjore dhe se avokati mbrojtës, sipas detyrës zyrtare, nuk kishte kontakt me të pandehurin.
Kjo organizatë joqeveritare ka thënë se bashkëpunimi me institucionet gjyqësore të Kosovës është i domosdoshëm për ndjekjen penale të krimeve kundër serbëve në Kosovë.
“Sidomos për faktin se Krasniqi është dënuar për krime kundër civilëve nga Gjykata e Qarkut e Pejës në vitin 2009”, është thënë në deklaratë.
Aty përmendet edhe se gjykimet në mungesë në rastet e krimeve të luftës në Kosovë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe se "krijohet përshtypja se motivet për fillimin e procedurave të tilla rrjedhin pjesërisht nga hakmarrja ligjore dhe jo ekskluzivisht nga dëshira për të arritur drejtësi për viktimat".
Fondi ka rikujtuar se Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi deri më tani ka ngritur shtatë padi kundër personave që nuk janë në dispozicion të gjyqësorit serb dhe se pesë prej tyre janë kundër qytetarëve të Kosovës, për krime të kryera kundër popullsisë joshqiptare.
Që nga viti 2014, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës nuk ka ngritur asnjë padi të re për krime në Kosovë kundër personave që janë shtetas të Serbisë.
Në përgjigje të këtyre kritikave, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se "ata fillojnë dhe zhvillojnë procedurat në përputhje me provat dhe ligjin".
Serbia, përveç ngritjes së padive dhe gjykimeve në mungesë, ka vazhduar të ndalojë qytetarët e Kosovës në pikat kufitare.
Arrestimi i fundit ndodhi më 5 shkurt, kur një ish-anëtar i UÇK-së u arrestua në pikën kufitare midis Serbisë dhe Kroacisë. Komisioni Evropian paralajmëroi në atë kohë se arrestimi dhe ndjekja penale e një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe përfaqësonte një tjetër shkelje të detyrimeve të Serbisë sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Kosovën, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.
"Serbia është zotuar të mos fillojë hetime penale ose ndjekje penale për krime të dyshuara të kryera në Kosovë, përveç nëse kërkohet nga autoritetet e Kosovës", tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se akuzat për krime lufte dhe krime të tjera të rënda janë brenda juridiksionit të institucioneve të Kosovës dhe i bëri thirrje Serbisë të përmbushë detyrimet e saj.
Një ditë pas vizitës zyrtare në Kosovë, Elisa Spiropali, u shkarkua nga detyra e ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama vendimin për largimin e Spiropalit nga kjo detyrë e mori të enjten, një ditë pas vizitës zyrtare të Spiropalit në Kosovë.
Spiropali në një postim të gjatë ndër të tjera thekson se Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol dhe partia është më e rëndësishme se çdo individ, por dinjiteti personal mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shërbim publik i ndershëm dhe i qëndrueshëm.
Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen.
Politika është një territor ku koha lëviz shpejt, por kujtesa lëviz ngadalë. Në fund ajo që mbetet nuk është posti që ke mbajtur, por mënyra se si e ke mbajtur atë dhe çfarë peshe i ke dhënë fjalës dhe qëndrimit tënd.
Shërbimi ndaj Shqipërisë për mua ka qenë dhe është i lidhur pazgjidhshmërisht me dashurinë për Shqipërinë, zgjedhje e vetëdijshme dhe jo aksident karriere, një akt besimi se vendi ynë mund dhe duhet të qëndrojë në anën e duhur të historisë, ashtu siç në momentet kyçe të saj Shqipëria ka ditur të zgjedhë orientimin perëndimor, edhe kur kjo zgjedhje ka qenë e vështirë. Nga koha kur rilindasit kërkonin dritë në Evropë, te vendimi historik për anëtarësimin në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Europian, projekti ynë kombëtar ka qenë gjithmonë projekt për t’u bërë pjesë e qytetërimit politik që ndërtoi shtetin e së drejtës, dinjitetin institucional dhe njerëzor.
Në këtë kuptim, detyra ime si Ministre e Jashtme nuk ishte thjesht funksion, por vazhdim i një narrative historike që e sheh Shqipërinë si pjesë të pandashme të Perëndimit politik.
I jam mirënjohëse Partisë Socialiste dhe Kryeministrit për besimin e dhënë ndër vite, sepse mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal.
Ne kemi ndërtuar së bashku një model që e ka zhvendosur Shqipërinë nga psikologjia e tranzicionit drejt normalitetit evropian, duke zgjedhur reforma kur ishte më e lehtë të zgjidhej kompromisi me mediokritetin dhe duke zgjedhur përgjegjësinë kur populizmi ofronte duartrokitje të shpejta. Ky model nuk është i përsosur, por është i qartë në orientim dhe i vendosur në qëllim.
Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se politika nuk është zotërim apo pronësim, por kujdestari e përkohshme. Institucionet janë më të mëdha se individët, por janë individët ata që u japin atyre frymë, ton dhe karakter. Në çdo funksion që më është besuar, si deputete, kryetare Kuvendi e ministre, kam zgjedhur të jem zë me bindje dhe jo jehonë pa peshë, sepse dinjiteti i shtetit mbrohet jo vetëm me marrëveshje e dokumente, por me qëndrimin që mban kur përfaqëson flamurin tënd përballë të tjerëve. Në Evropën politike, nga De Gasperi te Schuman, modeli që mbeti ishte ai i burrështetasit që ndërton mbi parime dhe jo mbi kalkulime afatshkurtra, dhe ky mbetet edhe për mua standardi ideal i shërbimit publik.
Vendimet politike janë pjesë e një vizioni më të gjerë dhe si të tilla respektohen, por historia personale e secilit prej nesh nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati, as me fuqinë e përkohshme politike, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit. Në histori, figurat që mbeten nuk janë ato që mbajnë më gjatë pushtetin, por ato që nuk relativizojnë kurrë karakterin, sepse dinjiteti nuk është dekoratë ceremoniale, por qëndrueshmëri përballë kohës dhe aftësi për të mos u frikësuar as nga e kaluara, as nga e ardhmja.
Socialistëve u detyrohem gjithmonë besnikëri ndaj idealeve dhe jo ndaj komoditetit, sepse e majta europiane që kemi synuar të ndërtojmë në Shqipëri nuk është retorikë, por përpjekje për drejtësi sociale, shtet funksional dhe integrim të pakthyeshëm në Bashkimin Evropian. Këto janë busulla që nuk ndryshojnë me rrethanat dhe nuk zbehen me rotacionin e detyrave.
Forca e një projekti politik matet nga aftësia për të prodhuar modele që qëndrojnë edhe kur rrethanat ndryshojnë, sepse modelet nuk rrëzohen me dekrete, ato provohen me kohën.
Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol dhe Partia është më e rëndësishme se çdo individ, por dinjiteti personal mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shërbim publik i ndershëm dhe i qëndrueshëm. Në këtë kuptim, për mua përfundimi i një detyre nuk është tërheqje, por vazhdim i angazhimit me të njëjtën bindje dhe të njëjtën përgjegjësi.
Mesazhet tuaja më të shumta në largim, se në marrjen e detyrës, ma përforcojnë detyrimin dhe vendosmërinë për të dhënë më shumë.
Sepse pozicionet janë kalimtare, ndërsa gjurma është zgjedhje e vetëdijshme. /Telegrafi/
Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme ka vendosur lidhur me ankesën e paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Dardan Krivaqa për veprën penale vrasje e rëndë.
Në njoftim thuhet se në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, kolegji i shkallës së tretë, pas shqyrtimit të shkresave të çështjes, pretendimeve të paraqitura në ankesë, propozimit të Prokurorisë së Shtetit dhe përgjigjes së përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, me shumicë votash ka marrë aktgjykim me të cilin refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, ndërsa vërtetohen aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit.
"Me aktgjykimin e shkallës së parë, i akuzuari Dardan Krivaqa ishte shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Aktgjykimi ishte vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë", thuhet në njoftim.
Duke shqyrtuar pretendimet e paraqitura nga mbrojtja e të akuzuarit, Kolegji i Gjykatës Supreme konstaton se aktgjykimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë, nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se janë dhënë arsye të qarta për vendimmarrjen.
Kolegji gjyqësor vlerëson se gjykatat më të ulëta kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave dhe provat materiale, duke përfshirë edhe video-incizimet e administruara nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima.
"Nga këto prova është konstatuar se viktima, Marigona Osmani ka qenë në gjendje të rënduar fizike gjatë periudhës kritike dhe se lëndimet e saj janë shkaktuar si rezultat i veprimeve të dhunshme të të akuzuarit", thuhet në njoftim.
Po ashtu, Kolegji Gjyqësor i Gjykatës Supreme ka vlerësuar raportin e autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë, sipas të cilëve vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë) të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Ndaj, është konstatuar se viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike gjatë kohës kur janë shkaktuar lëndimet, gjë që mbështetë kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.
Kolegji gjyqësor ka shqyrtuar gjithashtu pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike të të akuzuarit dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike, duke konstatuar se këto pretendime nuk janë mbështetur me prova që do ta vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave më të ulëta. Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike është konstatuar se tek i akuzuari nuk është gjetur ndonjë çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe se ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij.
Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme konstaton se dënimi me burgim të përjetshëm i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë dhe i vërtetuar nga gjykata e shkallës së dytë është në përputhje me ligjin dhe me rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj. /Telegrafi/
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka folur sot lidhur me bashkëqeverisjen në kryeqytet, gjersa tha se janë në vazhdën e diskutimeve me të gjitha partitë politike.
Rama në një deklaratë para gazetarëve tha se shumë shpejt do ta prezantojë të gjithë kabinetin.
“Jemi në vazhdën e marrëveshjeve, diskutimeve me të gjitha partitë... puna po vazhdon në Kryeqytet. Të gjitha dikasteret janë në punim e sipër, kjo nuk është një qeverisje e re, është një vazhdimësi e katërvjeçarit të mëparshëm. Si e tillë, jemi duke i bërë disa ndryshime, disa gjëra kanë me qëndru të njëjta, disa ndryshime tashmë janë publike dhe po vazhdojmë në krijimin e ekipit për katër vitet e ardhshme”, tha ai.
Rama më tej tha se u ka bërë ftesë të gjitha partive për bashkëqeverisje.
“Jam në pritje përfundimtare, mendoj se ndoshta është një prolongim edhe për shkak të çështjeve edhe të niveleve tjera sepse kemi pas një numër të madh të zgjedhjeve në vitin 2025... tash e kemi edhe zgjedhjen e presidentit.
Pra, janë disa çështje që ndërlidhen edhe me nivelin lokal. Për këtë arsye po them që të kemi edhe pak durim. Me siguri që brenda shumë pak kohës, do ta bëjmë prezent të gjithë kabinetin. Pra, mendoj që deri në fund të javës së ardhshme ose në fillimin e javën tjetër, do ta kemi pasqyrën e plotë”, ka thënë Rama.
I pyetur se a nuk kanë mjaftuar disa muaj për formimin e kabinetit qeverisës në Prishtinë, ai tha “unë u kam bërë kërkesë publike të gjitha partive. Tash janë lajmëruar, disa, disa jo... disa presin edhe zgjedhjen e presidentit, pra nuk kam dashur me bëj presion ndaj asnjë partie...”, tha ai. /Telegrafi/
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi u deklaruan sërish të pafajshëm duke i qëndruar kështu mbrapa qëndrimeve parapake.
Po ashtu, ata kanë thënë se e kanë kuptuar aktakuzën e cila u lexua në formë të përmbledhjes.
Sipas Prokurorisë, Bashkim Smakaj mban përgjegjësi penale-individuale për pikën 12: tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023, raporton Betimi për Drejtësi.
Në pikën 13, Bashkim Smakaj sipas Prokurorisë akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës së paku në mes 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023.
Isni Kilaj përmendet në pikën e 14 të aktakuzës dhe sipas Prokurorisë mbanë përgjegjësi penale për tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi midis 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023.
Ngjashëm sikur Smakaj, në pikën 15, Kilaj akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023.
Kurse në pikën 16, Fadil Fazliu sipas Prokurorisë mban përgjegjësi penale-individuale për tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023.
Në pikën 17, Fazliu ngarkohet me veprën penale për mosbindje ndaj gjykatës midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023.
Ndërsa, Hajredin Kuçi mban përgjegjësi penale individuale për pikën 18 të aktakuzës e që sipas Prokurorisë është “mosbindje ndaj gjykatë” që dyshohet se është kryer 1 dhe 13 shtatorit 2023.
Ndërsa, pika e radhës është serish mosbindje ndaj gjykatës për Kuçin që dyshohet së është kryer midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.B. dhe E.K., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale pranimi i ryshfetit në sektorin privat.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Dardan Maloku, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 25.02.2026 në Ferizaj, përkatësisht në KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K. në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kanë kërkuar shumën prej 400.00 euro të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njehsori elektrik do t'i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njehsorit elektrik.
Kjo shumë e të hollave do të ndahej ndërmjet katër personave, me ç’rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve i’u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /Telegrafi/
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në fillim të seancës u tha që gjatë deklaratës hyrëse të Prokurorisë, palët janë dakorduar që të mos lexohet aktakuza në tërësi por vetëm një përmbledhje e saj.
Për rrjedhojë, Prokuroria tregoi se aktakuza e tyre, e ngarkon Thaçin me 11 pika ku pretendohet se ka kryer vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, raporton Betimi për Drejtësi.
Pra, sipas Prokurorisë, Hashim Thaçi mban përgjegjësi penale-individuale për pika 1: tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi midis së paku me 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023
U tha se ne pikën 2, Thaçi ngarkohet me tentativë të pengimit të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023.
Ndërsa, në pikën 3, ai tha se Thaçi ngarkohet me tentativë të pengimit të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi midis së paku midis 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023.
Në pikën 4, sipas Prokurorisë Thaçi ngarkohet me veprën penale të shkeljes se fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku me 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023.
Në pikën 5, sipas Prokurorisë Thaçi ngarkohet me veprën penale të shkeljes se fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023.
Në pikën 6, sipas Prokurorisë Thaçi ngarkohet me veprën penale të shkeljes se fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë midis së paku midis 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023.
Në pikën 7, Thaçi ngarkohet me veprën penale të shkeljes së fshehtësisë së procedurës përmes zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të një dëshmitari të mbrojtur midis së paku midis 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023.
Në pikën 8, Thaçi ngarkohet me veprën penale “mosbindje ndaj Gjykatës” midis së paku 26 qershorit dhe 18 korrikut 2023.
Në pikën 9, Thaçi ngarkohet me “mosbindje ndaj gjykatës” në midis së paku 1 shtatorit dhe 13 shtatorit 2023.
Edhe në pikën 10, Thaçi ngarkohet me veprën penale për mosbindje ndaj gjykatës për periudhën midis 9 shtatorit dhe 30 tetorit 2023.
Ngjashëm edhe në pikën 11 por periudha e kryerjes së veprës penale pretendohet se ka qenë midis së paku 6 tetorit dhe 2 nëntorit 2023.
Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar se nuk do të bëjë deklaratë hyrëse në fillim të gjykimit në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
As mbrojtja e Fazliut s’do të bëjë deklaratë hyrëse me fillim të gjykimit.
Më 6 shkurt, Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka refuzuar ankesën e Hashim Thaçit lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave të tij themelore gjatë procedurave në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Ndryshe, gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smkajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, është caktuar që të fillojë më 27 shkurt 2026.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Kryeministri Edi Rama mblodh paraditen e së premtes kabinetin qeveritar, një ditë pasi lajmëroi 7 ndryshime në qeveri.
Mbledhja e qeverisë zgjati më pak se 30 minuta dhe në të mungonin dy ministrat e larguar nga kabineti Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu, raporton euronews.al
Një ditë më parë kryeministri bëri 7 ndryshime në qeveri, përfshirë largimin e ministrave, Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Piro Vengu.
Ndër ndryshimet e bëra një ditë më parë në mbledhjen e grupit të PS është emërimi i ministres Albana Koçiu si zv.kryeministre pas shkarkimit të Belinda Ballukut.
Enea Karakaçi u emërua Ministër i Infrastrukturës duke marrë postin tjetër të Ballukut.
Ndryshimet në qeveri:
Albana Koçiu emërohet Zëvendëskryeministre.
Besfort Lamallari merr postin e Ministrit të Brendshëm.
Ferit Hoxha emërohet Ministër i Jashtëm.
Enea Karakaci do të udhëheqë Ministrinë e Infrastrukturës.
Erjona Ismaili emërohet Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Sokol Havolli ka bërë të ditur se është emëruar drejtor i Investimeve Kapitale në Prishtinë.
Havolli këtë e bëri të ditur në një postim në Facebook.
Lexoni të plotë postimin:
Me nder dhe përgjegjësi të madhe kam pranuar emërimin në Drejtorinë e Investimeve Kapitale të Kryeqytetit për mandatin e dytë të Kryetarit Përparim Rama.
Falënderoj Kryetarin Rama për besimin e dhënë për vazhdimin e punës nga viti i kaluar, si dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për mbështetjen e vazhdueshme.
Nuk do të jem shpesh në zyrë, sepse puna ime është në terren, aty ku realizohen projektet, aty ku preken drejtpërdrejt nevojat e qytetarëve dhe aty ku investimet kapitale marrin formë konkrete.
Me përkushtim të plotë, do të punoj që çdo projekt të zbatohet me cilësi, efikasitet dhe përgjegjësi. /Telegrafi/
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për vdekjen e foshnjës në maternitetin e Spitalit Rajonal të Durrësit, ngjarje e ndodhur më 19 shkurt dhe e denoncuar nga nëna e foshnjës pak ditë më pas, ndërsa ndaj mjekut që ndoqi aktivitetin e lindjes ka nisur procedimi penal për neglizhencë mjekësore.
Top Channel mësoi nga burime pranë grupit hetimor se mjeku 43-vjeçar I. Sh ka qenë me shërbim roje gjatë natës kur nëna u paraqit në maternitet.
Nga verifikimet e para rezulton se, gjatë pritjes 6-orëshe për të lindur, fetusi shfaqi dy episode të problemeve me rrahje të zemrës.
Dyshohet se këto shenja nuk u vlerësuan nga mjeku për të futur nënën në sallë për ndërhyrje cezariane. Ajo u la të bëjë lindje natyrale.
Foshnja ishte djalë dhe lindi me peshë 3500 gram, në gjendje asfiksie dhe me ujëra të ndotura.
I porsalinduri nuk ka shfaqur menjëherë shenja jete, duke reaguar vetëm pas ndërhyrjes së mjekëve. Pas kësaj, foshnja u vendos në aparatin (cpap) që ndihmon frymëmarrjen, për shkak të mungesës së oksigjenit. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, foshnja ndërroi jetë 3-4 orë pas lindjes. Gjendja e rënduar që në lindje nuk ka lejuar transportimin në Tiranë për ndihmë të specializuar.
Procedimi penal ndaj mjekut ka nisur pas kallëzimit të bërë nga nëna e foshnjës për neglizhencë mjekësore. Hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa Drejtoria e spitalit të Durrësit ka ngritur një komision për të kryer oponencën klinike të kartelës mjekësore. /tch/
Vesel Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate ka theksuar se Fatmir Limaj është një nga fytyrat më unifikuese të skenës politike në Kosovë dhe personi më adekuat për president.
Veseli në një postim në Facebook shkruan se figura e tij lidhet si me periudhën e luftës, ashtu edhe me fazën e ndërtimit dhe konsolidimit institucional të Kosovës, duke qenë pjesë aktive e të gjitha zhvillimeve politike në Kosovë.
Lexoni të plotë postimin e Veselit:
Z.Limaj është një nga figurat më unifikuese të skenës politike në Kosovë, gjithashtu personalitet i njohur në jetën politike dhe historike të Kosovës. Gjatë luftës të viteve 1998–1999 ai ishte ndër komandantët më të shquar në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas përfundimit të luftës, z.Limaj u përfshi në politikë dhe ka mbajtur disa funksione të rëndësishme shtetërore. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në disa legjislatura, si dhe Ministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit (2007–2010). Gjatë kësaj periudhe u realizuan projekte të mëdha infrastrukturore rrugore, përfshirë ndërtimin e autostradës Morinë–Merdarë, aeroportin “Adem Jashari” disa nga investimet më të mëdha publike në Kosovë pas luftës.
Figura e tij lidhet si me periudhën e luftës, ashtu edhe me fazën e ndërtimit dhe konsolidimit institucional të Kosovës, duke qenë pjesë aktive e të gjitha zhvillimeve politike në Kosovë.
Andaj ftojë pozitë dhe opozitë që ta zgjedhin për president të Kosovës njeriun unifikues, i dëshmuar në çdo etapë të zhvillimeve politike në Kosovë. /Telegrafi/
Prokuroria e Durrësit ka lëshuar të martën 33 masa sigurie në lidhje me çështjen e 102 kontejnerëve me mbetje të kompanisë “Kurum”, të cilat janë vendosur prej më shumë një viti në një zonë urbane mes Porto Romanos industriale dhe Shën Avlashit.
Masat e sigurisë janë firmosur për personat si të dyshuar për përfshirje në këtë çështje ku përfshihen administratori dhe drejtues drejtorish të të “Kurum International”, pronarja dhe drejtues të kompanisë “Sokolaj”, punonjës të doganës së Durrësit, zyrtarë të sektorit të monitorimit të lejeve mjedisore dhe drejtorisë së inspektimit në AKM si dhe ish-drejtoresha e kësaj agjencie (Arta Dollani) por edhe ajo aktuale (Marjeta Përlala)
Masë arresti edhe për dy inspektorë të Autoritetit Portual Durrës, shkruan faktoje.al
Gjithsej janë 26 masa “arrest me burg”, ndërsa 7 masa janë “arrest shtëpie”.
Mbetje të rrezikshme
Nga analizat laboratorike në Itali dhe aktet e ekspertimit njoftohet se, bëhet fjalë për mbetje të koduara 10 02 07*, të cilat konsiderohen të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin.
“Duke iu referuar akteve të administruara dhe rezultateve të ekspertimit, rezulton se subjektet Sokolaj sh.p.k. dhe Kurum International, në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve të rrezikshme, të cilat kualifikohen sipas kodit 10 02 07*, kanë kryer një sërë veprimesh për fshehjen e llojit të vërtetë të mbetjes, në bashkëpunim edhe me të tretë, me qëllim eksportimin jashtë Shqipërisë, duke iu shmangur të gjitha detyrimeve ligjore të parashikuara në legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.
Vendimi
Faktoje raportoi më herët se, në mungesë të laboratorëve të certifikuar për kryerjen e analizave të 2100 ton mbetje, të dyshuara të rrezikshme, pas plot një viti sorollatje Prokuroria e Durrësit mori vendimin që ekspertiza të kryhej në Itali.
Ecuria
Fillimisht, Prokuroria e Durrësit si hap të parë i kërkoi tre institucioneve shtetërore, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Fakultetit të Gjeologji Minierave dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës që të merrnin kampionë në këto kontejnerë dhe kryenin analizat nëse mbetjet ishin toksike, apo “oksid hekuri” siç paraqitej në dokumentacion nga kompania transportuese “Sokolaj shpk”.
Të tria këto institucione i kthyen përgjigje zyrtare Prokurorisë së Durrësit se nuk kishin as laboratorë dhe as ekspertë për kryerjen e kësaj ekspertize.
BAN
Organizata mjedisore ndërkombëtare “Basel Action Network” (BAN) me qendër në Seatle të Shteteve të Bashkuara, ngriti shqetësimin se në anijen “Molivia” të nisur nga Shqipëria më 4 korrik 2024 nëpërmjet Portit të Durrësit fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme. Mbetjet dyshohej se ishin marrë nga pluhuri i furnaltave të kompanisë Kurum në Elbasan e cila vepron në fushën e përpunimit të skrapit për prodhim hekuri.
BAN mori të dhëna që kjo anije bashkë me (Oksidin e Hekurit) po transportonte EAFD.
Përbërësi EAFD është material i cili vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike, si (Cadmiumi dhe Kromi), të cilat konsiderohen të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin, çka detyroi vendin pritës Tajlandën që të kthente pas mbetjet, duke e rikthyer anijen sërish në Durrës më 28 shtator të vitit të kaluar.
Dokumentacioni
Kompania transportuese “Sokolaj shpk”, në dokumentacionin shoqërues përcaktonte se ngarkesa ishte me “Oksid Hekuri”, por dyshimet e “Basel Action Netëork”, mbeteshin se në kontejnerët që mbajnë 2100 ton material kishte mbetje të rrezikshme EAFD.
Drejtori Ekzekutiv i BAN, Jim Puckett erdhi në Shqipëri dhe u vetëofrua që të merrte pjesë në çdo proces të transportimit dhe analizimit të mbetjeve të dyshuara toksike, por hasi në një vështirësi të “pakalueshme” ndonëse zyrtarisht Prokuroria e Durrësit njoftonte se e kishin ftuar BAN për të paraqitur çdo dëshmi dhe dokumentacion.
Mbetjet në mes të fushës
Faktoje raportoi në tetor të vitit të kaluar se në pjesën lindore të zonës industriale të Porto Romanos ndodheshin ende 102 kontejnerët të dyshuara se mund të përmbajnë mbetje toksike.
Fillimisht ambienti ishte përdorur për automjetet e sekuestruara nga Policia e Durrësit, por pas vendimit për tu vendosur aty, u krye rrethimi i plotë dhe ruhet 24 orë nga një patrullë e Policisë së Shtetit.
Zona është lagunore dhe çdo rrjedhje e mundshme dhe dekompozim nga qëndrimi i gjatë në kontejnerë mund të përbëjë rrezik si për kontaminimin e tokës dhe ujërave nëntokësorë, por edhe drejtpërdrejtë për banorët, shtëpitë e të cilëve nuk janë më shumë se 200 metra larg.
Tomorr Shukulli dhe Valentina Koltraku, të arrestuar për aksidentin tragjik që shkaktoi vdekjen e një 7-vjeçari në Tiranë, janë liruar nga qelia dhe u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Prokuroria kishte kërkuar vazhdimin e arrestit në burg për Shukullin, por gjykata vendosi një masë më të butë.
Gjatë deklarimeve para gjykatës, Shukulli tha se kishte ndaluar dhe i kishte dhënë disa para të miturit, të cilat i ishin rënë në tokë. Ai deklaroi se nuk e kishte vënë re fëmijën dhe, me ndezjen e semaforit, makina e tij kishte goditur fëmijën që po përpiqej të merrte paratë. Ndërkohë, Valentina Koltraku tha se kishte qenë menjëherë pas fuoristradës dhe nuk kishte pasur pamje të qartë të ngjarjes, raporton euronews.al
Të dy personat kanë shprehur tronditjen e tyre për këtë ngjarje të rëndë, duke theksuar se aksidenti ka qenë i paqëllimshëm, ndërsa Shukulli shtoi se përpiqej vetëm ta ndihmonte të miturin duke i ofruar paratë.
Kujtojmë që aksidenti me pasojë vdekjen e 7 vjeçarit ndodhi të martën në rrugën “Kastriotët”, në kryeqytet.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë krijohet ideja se, Tomorr Shukulli i ka dhënë disa monedha 7-vjeçarit. Kur i mituri ka dalë para makinës për të lëvizur, lekët i kanë rënë në tokë dhe është përkulur për ti marrë. Në atë moment është ndezur semafori jeshil dhe Shukulli ka nisur makinë e cila e ka përplasur 7-vjeçarin dhe menjëherë më pas ka ardhur makina e dytë që drejtohej nga 42-vjeçarja e cila dyshohet ta ketë shtypur 7 vjeçarin.
Nga dëshmitë thuhet se 55-vjeçari ka ndaluar makinën menjëherë pasi ka dëgjuar njerëzit në rrugë duke bërtitur, ndërsa 42-vjeçarja Valentina Koltraku, ka vijuar rrugën dhe është larguar. Po ashtu thuhet se Shukulli e ka dërguar fëmijën te Spitali i Traumës, me idenë se nuk ka qenë ai që e ka përplasur. Sipas tij, ka dëgjuar të bërtiturat e njerëzve dhe kur ka dalë ka parë fëmijën të aksidentuar, dhe e ka çuar në spital, por jo se ai ka qenë i pari që e ka përplasur. Makina fuoristradë që ndodhet e para afër semaforit, drejtohej nga Shukulli, ndërkohë që makina pas tij drejtohet nga Koltraku.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personave që shihen në fotografi.
Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në veprën penale “Sulm”.
“Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tyre, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Sot, më 27 shkurt, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Seanca është planifikuar të fillojë në orën 09:30 dhe të përfundojë në orën 16:00.
Aktakuza fillestare kundër pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025.
Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin.
Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tre grupe, të përbëra nga Smakaj, Fazliu dhe Kilaj dhe persona të tjerë për të cilët nuk janë ngritur akuza dhe Kuçi, me qëllimin e ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.
Isni Kilaj u arrestua së pari si i dyshuar më 2 nëntor 2023, dhe u lirua përkohësisht me kushte të rrepta më 15 maj 2024.
Pas konfirmimit të Aktakuzës, më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe transferuan në njësinë e paraburgimit të DHSK-së.
Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë.
Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.
Në njoftimin e Speciales thuhet se Prokuroria dorëzoi dosjen paraprake të saj më 19 shtator 2025. Smakaj, Thaçi dhe Fazliu dorëzuan dosjet paraprake të tyre më 19 dhe 20 tetor 2025.
Dosja e çështjes iu kalua për gjykim Gjykatësit të Vetëm më 12 nëntor 2025.
Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë për të dytën herë në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm më 10 dhjetor 2025. Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht më 10 shkurt 2026 në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm.
Pas deklaratave hyrëse, Prokuroria do të fillojë paraqitjen e provave të saj. /Telegrafi/
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot do të mbajë mot kryesisht me diell.
IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1°C deri 2 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga maksimale nga 10 deri në deri 14 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga jugperëndimi, 1–4 m/s. /Telegrafi/
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, njofton se ka refuzuar importin e një sasie prej 21,280 kg koncentrat pije (lëng portokalli – 65 përzierje aseptike konvencionale), i cili ishte eksportuar nga kompania ProdalimBV, me seli në Vierhavensstraat 30, 3029 BE, Rotterdam, Holandë, dhe importuar në Kosovë nga Laberion SH.P.K., 32 Llapi Street, Podujevë.
Në njoftim thuhet se pas kontrollit të dokumentacionit dhe inspektimit fizik të mallit nga Inspektorati Fito Sanitar, është konstatuar se koncentrati për pije kishte afat të skaduar dhe, si pasojë, është ndaluar hyrja e tij në Republikën e Kosovës.
“Ky vendim është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore, i cili përcakton se produktet me afat të skaduar paraqesin rrezikshmëri të lartë për konsumatorët, dhe si të tillë, ato nuk lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/