Komuna e Gostivarit njofton se është arritur marrëveshje me Sindikatën e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë në Gostivar, për pagesën e K-15 për të gjithë mësimdhënësit.
Sipas komunës, pagesa do të realizohet sipas një dinamike të dakorduar deri në fund të muajit prill.
“Në periudhën kur nga Qeveria janë lëshuar dotacionet dhe kur, sipas afatit ligjor, pagesa e K-15 është dashur të realizohet deri më 31.12.2025, me komunën e Gostivarit ka udhëhequr një i besuar i Qeverisë. Në të njëjtën kohë, dotacionet e lëshuara kanë qenë të destinuara vetëm për shkollat fillore, duke mos përfshirë institucionet e tjera arsimore, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në mosrealizimin e pagesës brenda afatit ligjor. Pas marrjes së përgjegjësisë nga udhëheqja aktuale e Komunës së Gostivarit, është zhvilluar dialog konstruktiv me Sindikatën e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – Gostivar dhe është arritur një marrëveshje xhentëllmene, sipas së cilës pagesa e K-15 për të gjithë mësimdhënësit, përfshirë edhe ata të institucioneve që nuk kanë qenë të mbuluara me dotacione, do të realizohet sipas një dinamike të dakorduar deri në fund të muajit prill të këtij viti”, thuhet në njoftimin e komunës.
Arjanit Hoxha është emëruar sot nënkryetar i Bashkimi Demokratik për Integrim.
Në një reagim publik pas emërimit, Hoxha ka theksuar se ky vendim shënon përmbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një etape të re në angazhimin e tij politik.
Hoxha shkruan se aktiviteti i tij politik vazhdon me misionin për mbrojtjen e kauzës kombëtare.
“Sot u përmbyll një kapitull që nuk ka qenë as i lehtë e as i shkurtër, për t’i hapur rrugë një kapitulli të ri. Më është besuar përgjegjësia për të ushtruar detyrën e nënkryetarit të BDI-së, një proces që shënon nisjen e një rruge të re me vazhdimësi të kauzës sime kombëtare: përfaqësimin e denjë, Ky hap nuk është për pushtet personal. Është për përgjegjësi më të madhe, për angazhim më të fortë dhe për një të ardhme ku zëri ynë dëgjohet dhe respektohet. Forca jonë është bashkimi", shkruan Hoxha.
Raporti mbi masat e marra për mbrojtjen e Ohrit dhe Liqenit të Ohrit është dorëzuar zyrtarisht në UNESCO, bëri të ditur sot ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
Vendimi nëse rajoni i Ohrit do të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik pritet të merret në qershor, gjatë sesionit të ardhshëm të UNESCO-s, që do të mbahet në Korenë e Jugut. Ministri theksoi se institucionet duhet të jenë të përgatitura për çdo skenar të mundshëm.
“I morëm të gjitha të dhënat e nevojshme nga të gjitha institucionet dhe në bazë të atyre të dhënave, por edhe në bazë të komunikimit me Shqipërinë, u bë raporti. Në ndërkohë, formuam edhe shtab të krizës për ta ngritur gjithë situatën në një nivel shumë më të lartë. Shtabi i krizës kishte dy takime, kemi mendim nga ai. Javën e kaluar të hënën, pata takim me Komisionin kombëtar për UNESCO-n, kemi bërë mendim, e kaluam raportin dhe të martën raporti kaloi edhe në Qeveri. Menjëherë i krahasuam dy raportet, si nga ana e Maqedonisë, ashtu edhe nga Shqipëria, dhe tani janë dërguar në UNESCO. Tani, në këtë periudhë nuk na mbetet asgjë tjetër, përveç ta justifikojmë atë që kemi bërë deri në shkurt.”, – deklaroi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov. Preskar: Besojmë në potencialin e komuniteteve rurale
Këto informacione, ministri i Kulturës i dha gjatë pjesëmarrjes në panairin e turizmit, ku mori pjesë edhe ambasadori slloven, Gregor Presker, i cili theksoi se panairi është një iniciativë e veçantë që promovon agroturizmin.
“Ky projekt ka një qëllim të qartë dhe human: ruajtjen e natyrës dhe përmirësimin e jetës së njerëzve në zonat rurale, veçanërisht të të rinjve dhe grave, duke forcuar pavarësinë e tyre ekonomike dhe rolin në komunitet. Kjo nuk është vetëm një çështje ekonomike, por edhe çështje dinjiteti, përfaqësimi të drejtë dhe e ardhmja. Ne besojmë fuqishëm në potencialin e komuniteteve rurale dhe në forcën e njerëzve lokalë. Ky është një investim në njerëzit, në mjedisin jetësor dhe në perspektivën evropiane.”, – theksoi ambasadori i Sllovenisë, Gregor Preskar.
Përfaqësuesi i Ambasadës së Zvicrës, Mihal Harari, theksoi se ndërtimi i një destinacioni turistik aktiv dhe të qëndrueshëm nuk është rezultat vetëm i përpjekjeve individuale. Ai nënvizoi se nevojitet bashkëpunim mes ofruesve të shërbimeve, lidhje të forta me komunitetin lokal dhe përgjegjësi e përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.
Arjanit Hoxha, kryetari i Partisë Demokratike Evropiane, do të jetë nënkryetari i gjashtë i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Sot, Këshilli i përgjithshëm e ka niratuar propozimin e kryetarit Ali Ahmeti që Hoxha të jetë nënkryetar i BDI-së, ndërkohë që edhe 8 anëtarë rë PDE-së, janë emëruar anëtarë në Këshillin e Përgjithshëm të BDI-së.
Njoftimi i plotë nga BDI:
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot ka konvokuar mbledhjen e tretë të Këshillit të Përgjithshëm , në të cilën në rend dite u shqyrtuan çështje që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm partiak, si dhe zhvillimet aktuale politike në vend.Sa i përket organizimit të brendshëm partiak, njoftojmë opinionin publik se sot, me unanimitet të plotë, Partia Demokratike Evropiane iu bashkangjit Bashkimit Demokratik për Integrim.
Me propozim të kryetarit Ali Ahmeti, Këshilli i Përgjithshëm miratoi këtë iniciativë, me ç’rast Arjanit Hoxha dhe Vedat Osmani, Dritan Ramadani, Bastri Bajrami, Arben Fejzullahu, Femi Iseni, Liridon Useini dhe Veli Veliu u bënë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së. Po ashtu, me propozim të kryetarit Ali Ahmeti dhe me mbështetje unanime të Këshillit të Përgjithshëm, Arjanit Hoxha u zgjodh nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.Në pjesën që kishte të bëjë me zhvillimet aktuale politike, Këshilli i Përgjithshëm diskutoi gjerësisht për çështjet thelbësore që prekin shtetin dhe shoqërinë, të cilat e karakterizojnë aktualitetin politik në vend.
Vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimeve shqetësuese në kuadër të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë ndarjen e gjyqtarëve në linja etnike në trajtimin e çështjeve me sensitivitet të lartë, të cilat prekin drejtpërdrejt Marrëveshjen e Ohrit.U theksuan shqetësimet lidhur me tentativat për minimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke filluar nga vendimi për shfuqizimin e mekanizmit të balancuesit, tentativat për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe përpjekjet për cenimin e dygjuhësisë në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, përfshirë përdorimin e gjuhëve në ambalazhe dhe etiketimin e produkteve, si dhe procesuimin e Rasteve të Hagës nga kjo Gjykatë, çështje e cila ishte e mbyllur më vitin 2001 me Ligjin për Amnisti.Gjithashtu, u diskutua për rastet që janë në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, përfshirë iniciativat për ndryshimin e emrave në Komunën e Tetovës, konkretisht përpjekjet për ndryshimin e emrave “Dëshmorët e kombit”, “Dervish Cara” dhe “Kongresi i Manastirit”, të cilat po procedohen në mënyrë tendencioze dhe me ndarje etnike brenda Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë kontekst, u shprehën shqetësime edhe për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve, si dhe për përjashtimin e diasporës nga përgjegjësia dhe përfaqësimi, si pasojë e vendimeve dhe qasjeve të Gjykatës Kushtetuese.Në fund, u hapën edhe çështje të tjera të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimet aktuale politike në vend, për të cilat Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të mbajë qëndrim të qartë dhe konsekuent në mbrojtje të barazisë, Marrëveshjes së Ohrit dhe stabilitetit demokratik të shtetit.
Në ndërkohë, BDI një muaj më parë, në Kongresin e partisë, për nënkryetarë zgjodhi Bujar Osmanin, Faton Ahmetin, Arbana Pashollin, Erkan Arifin dhe Artan Bilalli Zendedin. Me emërimin e sotëm të Arjanit Hoxhës, BDI për herë të parë bëhet ne gjashtë nënkryetarë.
385 studentë shqiptarë të fakulteteve juridike në Maqedoninë e Veriut, kanë nënshkruar një peticion me një kërkesë të qartë dhe legjitime: Provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Lajmin e ka bërë të ditur ish-kryetari i Parlamentit Studentor, Mevlan Ademi, teksa sqaron se kërkesa e studentëve është dërguar edhe tek Ministria e Drejtësisë dhe institucione të tjera.
"Që nga koha kur isha kryetar i Parlamentit Studentor, kam nisur këtë iniciativë për ta bërë të mundur zhvillimin e këtij provimi — më të rëndësishmit për juristët — edhe në gjuhën tonë amtare. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite, deri më sot kemi hasur vetëm në vesh të shurdhër.Por sot nuk jam më vetëm. Sot, 385 juristë të së ardhmes janë bashkuar për të kërkuar një të drejtë të garantuar me Kushtetutë.Kërkesa është dorëzuar zyrtarisht në Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin e RMV-së dhe Qeverinë e RMV-së", shkruan Ademi në Facebook.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski ka komentuar kërkesën e sindikalistëve për rritjen e pagës minimale.
Ai tha se nuk e ka parë propozim ligjin e LSDM-së opozitare për rrogën minimale por shtoi se sindikatat dhe punëdhënësit duhet të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.
“Nuk e kam parë propozimin e ligjit të LSDM-së për rrogë minimale, por qëndrimi ynë është i qartë: të punësuarit dhe punëdhënësit janë ata që me një takim mbi partiak duhet të gjejnë një zgjidhje për rrogën minimale. Ne si punëdhënës më të mëdhenj, do të përsëris për të disatën herë, raportet tona me të punësuarit janë rregulluar. Kanë mbetur edhe një pjesë e vogël, rreth shtatë- tetë mijë të punësuar në administratë; nëse pajtohen dy sindikatat më të mëdha, apo përfaqësuesit e sindikatës pajtohen, nesër jemi në gjendje që ta pranojmë. Me fjalë të tjera, më shkurt, për dy vite e dy muaj nga sot, të punësuarit në administratë do të kenë minimum 40 % të ardhura më të larta”, deklaroi Mickoski.
Kujtojmë se LSM kërkon pagë minimale prej 600 eurove, ndërsa gjithë pagat e tjera të rriten për 6.000 denarë.
Protestuesit në qytetin e Shkupit kërkuan mbylljen e fabrikës së çimentos "Usje", duke theksuar se fitimi ekonomik nuk duhet të jetë mbi shëndetin e njerëzve.
Protesta filloi para Qeverisë, pas së cilës protestuesit u drejtuan drejt Parlamentit dhe vazhduan para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Pjesëmarrësit thanë se institucionet kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe se kërkesat për mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit duhet të marrin një përgjigje specifike dhe urgjente institucionale.
Disa nga mesazhet e dërguara përmes pankartave iu referuan edhe çështjes së matjes së ndotjes, me kritika se situata reale nuk po paraqitet në mënyrë adekuate dhe se qytetarët janë ekspozuar ndaj emetimeve të dëmshme për vite me radhë.
Protestuesit theksuan se nuk mund të pranojnë një situatë në të cilën, siç thanë ata, “nuk mund të marrim frymë nga fitimi”, duke theksuar se e drejta për ajër të pastër është një e drejtë themelore njerëzore, jo një privilegj.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, nga Zagrebi ku iu drejtua Kongresit të Partisë Socialdemokrate të Kroacisë, në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Në fjalimin e tij, kritikoi qeverinë e Maqedonisë së Veriut duke thënë se në vend ka tendenca gjithnjë e më autoritare, ndikim në rritje të oligarkisë ekonomike dhe financiare, politika që dëmtojnë punëtorët, presione ndaj sindikatave dhe diskreditim të organizatave qytetare dhe intelektualëve kritikë.
Ai tha se patriotizmi i rremë i qeverisë përdoret për të mbrojtur rrjete kriminale dhe klienteliste dhe se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është bllokuar, pasi sipas tij, qeveria e ka braktisur konsensusin e gjerë politik dhe shoqëror duke argumentuar se rrezikohet identiteti kombëtar.
“Edhe në vendin tim përballemi me tendenca gjithnjë e më autoritare, ndikim në rritje të oligarkisë ekonomike dhe financiare, politika ekonomike që dëmtojnë drejtpërdrejt punëtorët, presione ndaj sindikatave, diskreditim të organizatave qytetare dhe intelektualëve progresivë kritikë. Patriotizmi i rremë i kryeministrit dhe qeverisë sonë është vetëm një maskë pas së cilës fshihet mbrojtja e rrjeteve kriminale dhe klienteliste, e shoqëruar me presion intensiv mbi sistemin gjyqësor. Maqedonia e Veriut është bllokuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa qeveria e ka lënë konsensusin e gjerë politik dhe shoqëror për këtë çështje me arsyetimin se rrezikohet identiteti kombëtar”, theksoi Filipçe.
Koalicioni VLEN vlerëson se përmes pjesëmarrjes në Qeveri po e vendos sistemin shëndetësor në binarë të qartë, me planifikim, standarde dhe partneritete reale. Kjo u theksua në konferencën “Partneritet për shëndetësi”, e kryesuar nga ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Sipas VLEN-it, konferenca ka vendosur një kornizë më të qartë për mbështetjen e projekteve në shëndetësi, duke orientuar partneritetet me sektorin privat dhe aktorët ndërkombëtarë drejt nevojave reale dhe rezultateve të matshme.
"Prioritetet për periudhën 2024–2028 përfshijnë optimizimin dhe riorganizimin funksional të sistemit shëndetësor, qasje të balancuar rajonalisht për pacientët, standardizim të procedurave spitalore dhe rregullim të sistemit të referimit për të ulur dërgimet e panevojshme. VLEN thekson se vëmendje e veçantë i kushtohet personelit mjekësor, përmes trajnimit të vazhdueshëm, mbështetjes për mjekët e rinj dhe masave për të parandaluar largimin e tyre nga vendi", thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Sipas tyre, përmes kësaj force politike, synimi është një sistem më i rregullt dhe efikas, ku pacientët marrin shërbime më të shpejta dhe cilësore, urgjenca reagon në kohë dhe mjekët e rinj kanë kushte dinjitoze pune.
Policia ndaloi sot dy shtetas turq, S.A.O. (35 vjeç) dhe K.H. (32 vjeç), të dy të dyshuar për kontrabandim emigrantësh.
"Rreth orës 02:30, në autostradën Gjevgjeli–Shkup, policia ndaloi një “Shkoda Octavia” me targa të Shkupit, të drejtuar nga S.A.O., ku udhëtonte edhe K.H. Gjatë kontrollit u gjetën katër emigrantë ilegalë nga Egjipti, të moshës 15–35 vjeç. Dy të dyshuarit u mbajtën në Stacionin Policor të Gjevgjelisë, ndërsa emigrantët u dërguan në Qendrën e Pranimit dhe Transitit “Vinojug”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Pas hetimeve, policia do të përgatisë parashtresën përkatëse ndaj tyre.
Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuale ka shprehur shqetësim për vendimin e shkallës së parë të gjykatës, më 12 janar të këtij viti, kundër gazetares Liridona Vejseli, për “keqpërdorim të të dhënave personale”, në lidhje me publikimin e emrit dhe mbiemrit të një gjyqtari në rrjetet sociale Instagram dhe TikTok.
Sipas këtij institucioni, ky vendim dërgon një mesazh shqetësues lidhur me lirinë e shprehjes dhe liritë mediatike.
"Ndjekja penale e gazetarëve për publikimin e të dhënave për funksionarë publikë në kontekstin e detyrës së tyre profesionale krijon presion mbi mediat dhe kufizon të drejtën e publikut për informim. Të gjithë aktorët e përgjegjshëm duhet të kontribuojnë në mënyrë aktive për krijimin e kushteve që mundësojnë ushtrimin e pandërprerë të lirisë së shprehjes dhe informimit, si dhe për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirive mediatike", thuhet në reagim.
Gazetarja Vejsliu u gjobit me 700 euro dënim për shkak se në një rast të ndjeshëm gjyqësor, ka përmendur emrin e një gjykatësi që e ka trajtuar atë rast.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski komentoi paralajmërimet për “non paper” nga eurokomisionerja Mart Kos, në lidhje me statusin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, ku parashihet edhe anëtarësim pa të drejtë vote.
Ai tha se qëndrimi i qeverisë është që duhet të punojmë dhe të bëjmë gjithçka që duhet, që ta realizojmë qëllimin tonë të dytë strategjik , anëtarësimin e plotë në BE.
"Nuk do të jetë lehtë, sepse qeveria e kaluar bëri komplikim të atillë me procesin eurintegrues, duke i dorëzuar të gjitha pozitat që ishin arritur paraprakisht në dekadat e fundit", tha Mickoski.
Ai tha se njëherë do ta shikojë non paperin.
“Ta shohim njëherë atë non paper. Ka liderë nga rajoni që këtë e kërkojnë, të jemi të sinqertë…nga ana e BE-së. Ta shohim atë no paper. Shumë herë kemi dëgjuar deri tani për “gradual integration”, respektivisht integrim në etapa, dhe “safe guards”, të tipit mekanizma mbrojtës, ja të themi Polonia 20 vjet nuk mundi të shfrytëzojë fonde strukturore për bujqësinë, për herët ë parë filloi t’i shfrytëzojë në vitin 2024. Fillimisht ta shohim konceptin, pastaj to ta themi qëndrimin tonë”, deklaroi Mickoski.
LSDM paraqiti Ligjin për Rritjen e Pagës Minimale në 600 Euro, duke vlerësuar se është një masë realiste dhe e nevojshme për të mbrojtur standardin e jetesës së punëtorëve, në përputhje me kërkesat e qarta të sindikatave dhe kushtet aktuale ekonomike në vend.
Partia thekson se ligji është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj përkeqësimit dramatik të standardit të jetesës në një vit e gjysmë të kaluar, një periudhë në të cilën inflacioni, rritja e çmimeve të ushqimit, energjisë elektrike, ngrohjes dhe shërbimeve bazë kanë ulur seriozisht fuqinë blerëse, veçanërisht tek qytetarët që jetojnë me pagën minimale.
Sipas LSDM, për mijëra familje paga minimale është burimi i vetëm ose dominues i të ardhurave, prandaj shteti është i detyruar të sigurojë fonde për rritjen e saj në 600 Euro.
"Nuk mund të ketë para për tendera kriminalë, dhe mund të pretendohet se nuk ka fonde për punëtorët", reagon LSDM, duke përmendur një sërë shembujsh të prokurimeve dhe kontratave publike që, sipas tyre, ngrenë dyshime serioze për abuzim.
Në deklaratë thuhet se qytetarët dëgjojnë çdo ditë për qindra tenderë të dhënë kompanive individuale, miliona dollarë për kompani me një numër minimal punonjësish, si dhe kontrata të lidhura me kompani të afërta me koalicionin qeverisës OBRM-PDUKM – ZNAM.
“Kjo është zgjedhja e qeverisë – skema tenderësh në vend të punëtorëve”, thotë LSDM, duke shtuar se të rinjtë po largohen masivisht nga vendi, ndërsa Qeveria njëkohësisht po importon fuqi punëtore të huaj me pretekstin e mungesës së personelit.
Aleksandar Nikolloski, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, trajtoi temën e bllokadave nga transportuesit që kanë qenë aktuale ditët e fundit, për të cilat theksoi se është i kënaqur që BE-ja përshpejtoi procedurën dhe publikoi dokumentin më herët se sa ishte planifikuar.
Ai shtoi se pas takimit në Bruksel, do të pasojë një takim i përbashkët për të shqyrtuar propozimet, dhe qëllimi është të ofrohen zgjidhjet më të mira për transportuesit, të cilët janë një motor kyç i ekonomisë maqedonase.
"Është një dokument prej 19 faqesh, i cili mbulon plotësisht rregullat e reja të zonës Shengen dhe aty ka një fjalë kyçe, pikërisht në këtë pjesë që e theksova në njoftimin tim, ku shoferët e kamionëve, ose transportuesit, pranohen si profesionistë, me kategoritë e tjera që janë të listuara këtu, si sportistët, artistët, etj., që është hera e parë që BE-ja e ka zgjidhur problemin në këtë mënyrë. Në thelb, kjo ishte një nga mënyrat për të dalë nga problemi, sepse kur transportuesit filluan protestat, ata kërkuan të fillonte një dialog që do ta zgjidhte problemin, u ofruan 3 zgjidhje dhe kjo është një nga tre zgjidhjet", tha Nikolloski.
Ai shtoi se të martën do të mbahet një takim, i cili, siç thotë ai, nuk ishte planifikuar për një vit, dhe fillimisht ishte rënë dakord për 6 shkurt, por dje data u zhvendos për të martën.
“Dua të përgëzoj të gjithë ata njerëz të guximshëm që dolën në protesta këto ditë, të cilët treguan se problemi është vërtet serioz. Për t'i përgëzuar për vendosmërinë, guximin e tyre, pata nderin t'i vizitoja dhe t'i mbështesja. Dola me ta, dhe mendoj se ata treguan se problemi është vërtet i madh dhe se duhet të trajtohet seriozisht, dhe fakti që ishin të bashkuar dhe këmbëngulës, askush nuk arriti t'i thyente, dha rezultate”, tha Nikolloski.
Ai theksoi se ai vetë dha mbështetje të plotë, por edhe Kryeministri dhe Qeveria, për të zgjidhur problemin. Nikolloski theksoi se procesi po zhvillohet në koordinim të plotë me transportuesit.
"Dua të ofroj zgjidhjet më të mira të mundshme që do t'u përshtaten transportuesve tanë. Ata janë një nga nxitësit kryesorë të ekonomisë maqedonase, qytete të tëra në Maqedoni jetojnë nga transporti. Ne duhet t'i japim mbështetje të plotë këtij sektori. Në takimin e së martës me BE-në, do të ofroj zgjidhjet më të mira të mundshme për të cilat do të biem dakord së bashku me transportuesit. Këmbëngulja dhe uniteti i transportuesve nga Maqedonia dhe i gjithë rajoni ishte thelbësor që Bashkimi Evropian të reagonte dhe të miratonte një dokument që do t'i kualifikonte transportuesit si "profesionistë. Kjo është ajo që ne po kërkonim dhe kjo është ajo që transportuesit po kërkonin. Një takim është planifikuar për të martën në të cilin do të përcaktohen të gjitha çështjet dhe unë, në koordinim me transportuesit, do të ofroj zgjidhjet më të mira", deklaroi Nikolloski.
Nga nesër, më 1 shkurt, zyrtarisht nis zbatimi i sistemit “Safe City” me ç'rast shkelësit e rregullave në trafik do të gjobiten.
Kamerat e trafikut të vendosura në pika kyçe në Shkup, Kumanovë, Tetovë dhe Korridoret 8 dhe 10, do të regjistrojnë automatikisht shkeljet, ndërsa gjobat do të dërgohen pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Policisë.
Gjobat varijojnë nga 10 euro deri në 500 euro, varësisht nga lloji i shkeljes.
Safe City do të evidentojë shkeljet më të rënda në trafik, si tejkalim i shpejtësisë së lejuar, kalim në semafor të kuq, drejtim i automjeteve të paregjistruara, si dhe parkim ose ndalim i gabuar.
Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë me lagështi. Dukshmëri e reduktuar për shkak të mjegullës deri në 100 m është në rrugën Shën Nikollë, Saramzalino dhe Veles, njofton LAMM.
Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në pikat kufitare, në anën e Maqedonisë së Veriut, nuk ka vonesa më të gjata për automjetet e pasagjerëve dhe autobusët që hyjnë dhe dalin nga vendi.
Nga 15.11.2025, filloi detyrimi ligjor për posedimin e detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete, pavarësisht nga kushtet aktuale të motit. Ky detyrim do të zgjasë deri më 15.03.2026.
LAMM rekomandon shpejtësi të rregulluar, respektim të sinjaleve të vendosura të trafikut dhe menaxhim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë - Veles, Mavrovë - Dibër - Strugë, Vinicë - Berovë dhe Koçan - Dellçevë.
Prodhimi industrial në dhjetor të vitit 2025 është rritur për 2.3 për qind në krahasim me dhjetorin 2024, ndërsa në vitin 2025 në krahasim me vitin 2024 për 1,9 për qind, kumtoi sot Enti shtetëror i statistikave.
Ndikim më të madh ndaj rritjes së prodhimit industrial në dhjetor 2025, në krahasim me dhjetorin 2024, ka rritje të prodhimit nëpër sektorët: Prodhim i prodhimeve ushqimore me 3,5 për qind, Prodhim i pijeve me 34.2 për qind dhe Prodhim i automjeteve motorizuese, rimorkiove dhe gjysmërimorkiove me 3.5 për qind.
Në sektorin Xehtari dhe nxjerrje të gurëve në dhjetor 2025, në krahasim me dhjetorin 2024, prodhimi industrial shënon rënie prej 6.6 për qind, në Industrinë përpunuese rritje prej 4.5 për qind, ndërsa në sektorin Furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim rënie prej 3.9 për qind.
Sipas grupeve kryesore industriale, prodhimi në dhjetor 2025, në krahasim me dhjetorin 2024, shënon rritje tek Prodhimet intermediare, përveç energjisë për 9.8 për qind dhe prodhimeve të paqëndrueshme për konsum të gjerë për 2.4 për qind, përderisa rënie shënon tek Energjia për 3.9 për qind, Prodhimet kapitale për 0.8 për qind dhe Prodhimet e qëndrueshme për konsum të gjerë për 3.8 për qind.
Një këmbësor i mitur është plagosur rëndë pasditen e sotme në një aksident trafiku që ka ndodhur në Vizbeg të Shkupit, njoftojnë nga policia.
Sipas informacioneve zyrtare, aksidenti ka ndodhur sot (30.01.2026) rreth orës 17:03, në kryqëzimin e bulevardit “Sllovenia” me rrugën “J. Magistrala”, ku një automjet i tipit “Opel” me targa të Shkupit, i drejtuar nga F.Ç. (44) nga Shkupi, ka goditur një këmbësor të mitur, gjithashtu nga Shkupi.
I mituri është transportuar me automjet të Ndihmës së Shpejtë në Qendrën Emergjente “Nënë Tereza”, ku mjekët kanë konstatuar lëndime të rënda trupore, pas çka ai është mbajtur për trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit dhe për sqarimin e plotë të rastit.
Qytetarët nga Kumanova që kanë punuar në Irak dhe Afganistan, dhe të cilët kanë marrë vendime se duhet të paguajnë tatim për vitin 2020, u takuan me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova.
Në takim mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Zgjidhje apo ndonjë marrëveshje nuk u arrit.
Ata që ishin të pranishëm në këtë takim shprehen disi të revoltuar, pasi sipas tyre takimi i ngjante një ore prezantimi për punën e DAP-it. Ata shtojnë se kanë dorëzuar shumë dëshmi se nuk duhet ta paguajnë tatimin, pasi ai tashmë është paguar nga kompanitë nga të cilat kanë qenë të angazhuar, në vendet nga të cilat vijnë këto kompani.
Ndërkohë, ditët e fundit personat që kanë punuar jashtë vendit dhe që kanë marrë këto vendime kanë protestuar, kryesisht në Kumanovë dhe Tetovë, kundër vendimeve për pagesën e tatimit.
Siç thonë ata, për këtë problem do të kërkojnë edhe ndihmë dhe konsultime ndërkombëtare.
“Nuk arritëm të gjejmë zgjidhje. Sot u ftuam këtu praktikisht për të pasur një prezantim se si punon DAP-i, si i zbaton ligjet; në fakt ishte një takim seminarik, ku na mësonin se si duhet të veprojmë me ligjet dhe me këto vendime. Ne sollëm dëshmi, ata thonë se i kanë, po i shqyrtojnë, tashmë një muaj po i shqyrtojnë. Nuk kemi asnjë përgjigje”, tha Zhikica Milanov.