Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Main stream

Moti sot parashikohet i kthjellët, mjegull në lugina

17 January 2026 at 07:30

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se ditën e shtunë do të ketë mot të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit. Në relievet malore lindore priten vranësira mesatare deri të dendura, me intervale të herëpashershme dielli.

Mjegull e dendur do të regjistrohet gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes në zonat luginore.

Era do të fryjë kryesisht nga verilindja-lindja me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore shpejtësia e erës mund të arrijë deri në 12 m/s, shoqëruar me valëzim në det 1-2 ballë.

/a.f/r.e/

The post Moti sot parashikohet i kthjellët, mjegull në lugina appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 16 January 2026Main stream

Rregulla të reja për hyrjen në Kosovë, në fuqi nga 15 marsi

16 January 2026 at 21:14

PRISHTINË, 16 janar /ATSH/ Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka publikuar një dokument udhëzues për shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës, me qëllim informimin e tyre për detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në vend.

Sipas njoftimit, çdo shtetas i huaj, me rastin e hyrjes në Kosovë, detyrohet të zotërojë dokument të vlefshëm udhëtimi, vizë ose leje qëndrimi kur kërkohet, të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit, si dhe të lajmërojë adresën e qëndrimit brenda tri ditësh nga hyrja në vend. Po ashtu, kërkohet respektimi i ligjeve të Republikës së Kosovës dhe mospërbërja e kërcënimit për sigurinë dhe shëndetin publik.

Ministria ka bërë të ditur se qëndrimi afatshkurtër lejohet deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh, pa të drejtë punësimi pa leje pune. Çdo qëndrim mbi këtë afat kërkon aplikim për lejeqëndrim. Për qëllime punësimi, shtetasit e huaj duhet të pajisen me leje qëndrimi të përkohshme dhe leje pune, ndërsa puna pa leje është e ndaluar.

Gjithashtu, për qëndrime për studime, ribashkim familjar, arsye humanitare apo kërkime shkencore, kërkohet pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe plotësimi i kritereve ligjore përkatëse. Aplikimet mund të bëhen në misionet diplomatike ose në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion, në rastet kur nuk kërkohet vizë hyrëse.

Ministria paralajmëron se mosrespektimi i këtyre rregullave mund të rezultojë me masa ligjore, përfshirë anulimin e lejeqëndrimit, gjoba, urdhër largimi apo ndalim të hyrjes në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit, zbatimi i plotë i këtyre rregullave fillon më 15 mars 2026, ndërsa çdo hyrje pas kësaj date që nuk është në përputhje me udhëzuesin do të rezultojë me ndalim hyrjeje në Kosovë.

/KosovaPress//r.e/

The post Rregulla të reja për hyrjen në Kosovë, në fuqi nga 15 marsi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjatet me dy muaj paraburgimi për Veselin, Selimin e Krasniqin

16 January 2026 at 21:11

PRISHTINË, 16 janar /ATSh/ Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të qëndrojnë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë, të paktën.

Vendimin për zgjatjen e kësaj mase ndaj tre ish-eporëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjykohen bashkë me Hashim Thaçin, e mori Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në çështjen Thaçi.

Përmes një njoftimi kjo gjykatë bën me dije se në rastin në fjalë trupi gjykues ”konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund ta pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë krime të tjera”.

Gjithashtu, bëhet me dije se vendimi i fundit i rishikimit të paraburgimit të Thaçit u lëshua në dhjetor 2025, dhe rishikimi i ardhshëm pritet në shkurt..

Ky vendim erdhi një ditë pasi, Specialja njoftoi se nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-katërshes së UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim për më shumë se pesë vjet.

/KosovaPress//r.e/

The post Zgjatet me dy muaj paraburgimi për Veselin, Selimin e Krasniqin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova bllokon ushqimin për fëmijë me origjinë nga Holanda

16 January 2026 at 21:07

PRISHTINË, 16 janar /ATSH/ Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) Kosovë ka njoftuar se ka bllokuar një produkt ushqimor për fëmijë pas konstatimit të substancës Cereulide në formulën e tij.

Lajmi ka ardhur pas njoftimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të Shqipërisë, përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), referencë 2025.9963.

Sipas AUV-së, subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar 462 copë të këtij produkti në Kosovë për kompaninë “Rossmann Kosova”. Në bashkëpunim me kompaninë, produkti është bllokuar dhe së shpejti do të nisë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Agjencia thekson se pavarësisht mungesës së inspektorëve, mbetet e përkushtuar në monitorimin e tregut dhe të zinxhirit ushqimor, për të garantuar që konsumatorët në Kosovë të kenë ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm.

/KosovaPress//r.e/

The post Kosova bllokon ushqimin për fëmijë me origjinë nga Holanda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis nga zbatimi ligji për automjetet, serbët hyjnë pa probleme në Jarinjë

16 January 2026 at 21:04

PRISHTINË, 16 janar /ATSH/ Edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit për automjete, qytetarët kanë hyrë pa “telashe” në Pikën e Kalimii Kufitaë Jarinjë.

Ishin kryesisht serbë ata që hynin në Kosovë, edhe pse prapa kamerave nuk thanë se janë njoftuar me rregullat e reja të ligjit për automjete, i cili ka nisur së zbatuari sot në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Qeveria ka njoftuar se kjo është faza e parë e zbatimit, ku vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese lidhur me procedurat dhe rregullat specifike që parashihen me këto ligje.

Kjo periudhë e zbatimit njohës do të zgjasë deri më 15 mars. Pas kësaj date, do të nisë zbatimi i plotë i të gjitha procedurave dhe rregullave të përcaktuara me ligj.

Ky ligj parashikon që automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.

Këto masa do të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë dhe që deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi mbi bazën e autorizimit, ose nuk kanë pasur dokumente të Kosovës.

Zbatimi pa përjashtime i këtij ligji ishte parashikuar të fillonte më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shtyu këtë afat deri në mesnatën e 15 janarit 2026, për të mundësuar zhvillimin e një fushate informuese.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të policisë për veri, Veton Elshani ka thënë se ligji do të zbatohet vetëm për ata që vijnë në Kosovë për turizëm, punë ose studime.

Nga Policia e Kosovës thanë se drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin.

Megjithatë, deri më tani, kjo praktikë është toleruar për t’u dhënë qytetarëve kohë t’i ndërrojnë targat.

Veton Elshani theksoi se, nga 15 janari në mesnatë, policia do ta zbatojë ligjin në terren. Ai shtoi se drejtimi i automjeteve mbi bazën e autorizimit do të lejohet vetëm në raste emergjente, por me paralajmërim.

“Për shembull, nëse dikush shkon në spital, nuk do ta ndalojmë dhe nuk do ta konfiskojmë menjëherë automjetin. Por, nëse i njëjti person ndalohet përsëri në ditët në vazhdim, mund t’i vendoset gjobë deri në 200 euro”, shpjegoi ai.

Kosova ndaloi në fund të vitit 2022 qarkullimin e automjeteve me targa me akronimet e qyteteve të Serbisë.

Kjo masë shkaktoi daljen e disa serbëve nga institucionet e Kosovës dhe rriti tensionet në terren.

Disa nga pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, i regjistruan më pas automjetet e tyre me targa të Serbisë dhe i përdornin ato mbi bazën e autorizimit.

Në këtë autorizim përfshihen të dhënat e kartës së identitetit të drejtuesit të automjetit, e cila lëshohet nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë, por që Prishtina zyrtare nuk e njeh.

/KosovaPress//r.e/

The post Nis nga zbatimi ligji për automjetet, serbët hyjnë pa probleme në Jarinjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas heqjes së masave, Kosova kërkon avancim në integrimin evropian

16 January 2026 at 20:57

PRISHTINË, 16 janar /ATSH/ Paralajmërimi i Bashkimit Evropian për largimin e tërësishëm të masave ndëshkuese ndaj Kosovës është mirëpritur nga qeveria në detyrë.

Sipas tyre, lirimi i fondeve për Kosovën dhe mbështetja financiare që nga ky fillimvit është një vendim i duhur i BE-së, sado që, siç thonë ata, është i vonuar. Po ashtu, në ekzekutiv presin që këtë vit të ketë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian dhe avancimin në procese, siç është marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Bashkimi Evropian të enjten për KosovaPress, konfirmoi se ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për lirimin e mbi 400 milionë eurove këtë fillimviti, në mbështetje financiare për vendin.

Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress, se lirimi i mjeteve financiare për Kosovën nga ky fillimviti, është pozitiv për vendin.

Madje, thekson nevojën që BE-ja të ndërmarrë edhe hapa të tjerë të rëndësishëm përpara në integrimin evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se krahas 216 milionë eurove që janë liruar në dhjetor të vitit 2025, synojnë që shumë shpejt të lirojnë edhe 205 milionë euro në fillim të këtij viti.

Ajo tha se ky vendim është marrë pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit lokale. Derisa tregoi në detaje edhe se në cilat projekte do të përfitojë Kosova.

Në anën tjetër, hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbëreshë Loxha, thotë për KosovaPress, se largimi i masave karshi përfitimit të mjeteve financiare është i rëndësishëm edhe në imazhin e Kosovës në aspektin ndërkombëtar.

Sipas saj, posa të formohen institucionet e reja në vend, duhet të punohet shumë në sanimin e çdo dëmi eventual që masat i kanë bërë Kosovës.

Gjatë së enjtes, edhe Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar se pret heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës në javët e ardhshme.

Jan Gert Koopman, drejtor i Drejtorisë për Zgjerim në KE, theksoi se bëhet fjalë për lirimin e më shumë se 400 milionë eurove, përfshirë edhe masat që KE-ja i kishte hequr fillimisht në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai shpjegoi se institucionet po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen.

/KosovaPress//r.e/

The post Pas heqjes së masave, Kosova kërkon avancim në integrimin evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Angazhim maksimal të strukturave për protestën e 24 janarit

16 January 2026 at 20:40

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi sot angazhim maksimal të strukturave të PD për protestën e 24 janarit.

Gjatë mbledhjes me kryetarët e degëve, Berisha e përkufizoi vitin 2026 si vitin më vendimtar për opozitën dhe për Shqipërinë, duke theksuar se përballja me qeverinë aktuale nuk është më një betejë e zakonshme politike, por një mision historik për rrëzimin e asaj që ai e cilëson si një narko-diktaturë.

Berisha tha se duhet angazhim i çdo strukture për protestën e datës 24 janar. “Ne nisim këtë vit pasi në një betejë të pabarabartë, në një betejë të vështirë, ne ja kemi dalur të paraqesim me sukses para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar të vërtetat dramatike të narkoshtetit, të diktaturës autoritare apo autokracisë elektorale të Edi Ramës.”

Berisha tha se, “nuk vjen kush nga jashtë për ta hequr. Atë duhet ta heqim ne. Ne shqiptarët na kanë votuar për të përmbushur misionin tonë, largimin e tij nga pushteti”.

“Ndaj dhe duhet një dialog intensiv me anëtarët tanë, pasi kjo protestë ka rëndësi të madhe. Shqiptarët e presin nga ne me kohë këtë protestë, sikundër presin zërin tonë të revoltuar, kryengritjen tonë paqësore të përditshme deri në rrëzimin e tij”, tha Berisha.

Ai tha se beteja do bazohet tek guximtarët. “Po të shohësh në aparencë, ne jemi një parti e madhe. Jemi me një elektorat të madh. Por, natyrisht beteja krijon dhe problemet e veta. Ndaj dhe ne do e bazojmë këtë betejë në guximtarë, se vetëm ata do mund të shpëtojnë Shqipërinë. Nuk mundet asnjë nga ne të mendojë asgjë tjetër përveç përmbushjes së misionit tonë, largimit një minutë më parë nga pushteti të kësaj organizate kriminale”, tha Berisha.

/a.f/r.e/

The post Berisha: Angazhim maksimal të strukturave për protestën e 24 janarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shteti shqiptar aksionar 49% në kompaninë për prodhimin e anijeve në Pashaliman

16 January 2026 at 18:35

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot se për herë të parë ndodh që shteti po merr pjesë në sipërmarrje dhe për këtë solli në vëmendje bashkëpunimin me kompaninë italiane të prodhimit të anijeve, “Fincantieri”.

Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të premte në Tiranë grupin parlamentar socialist. Në fjalën e tij në fund të punimeve njoftoi dhe marrëveshjen me “Ficantieri”-n, kompaninë italiane të prodhimit të anijeve. Rama tha se shteti shqiptar është aksionar në nivelin 49% me kompaninë që do të prodhojë anije në bazën e Pashalimanit.

“Shteti po merr pjesë në sipërmarrje, krejt e kundërta e rrugës që çon në abuzim me asetet publike, në abuzim me fondet publike. Kur them abuzim, nuk kam parasysh vetëm atë për qëllime përfitime, por dhe për një qasje largpamëse dhe sot, jo më larg se sot, në ndërkohë që ne flisnim këtu, zhvillohej seanca e fundit e negociatave me një nga ekselencat më të mëdha të botës, “Fincantieri”, kompania e madhe publike italiane që është lider në prodhimin e anijeve të të gjitha përmasave dhe falë KAYO-s, ne kem hyrë në një marrëveshje me “Fincantieri”-n për një kompani të përbashkët, ku 51% do t’i kenë italianët dhe 49% shteti shqiptar”.

Rama tha se “aktiviteti i kompanisë në portin e Pashalimanit do të bëjë që, nga njëra anë, ushtria shqiptare të vazhdojë të ngrejë forcën e vet detare, duke i prodhuar në vend anijet në dispozicion të saj dhe nga ana tjetër, do të realizohet mirëmbajtja e tyre me një kompani ku shtetit shqiptar është aksionar, dhe patjetër që do të krijojë punësim të specializuar me paga të larta”, tha Rama.

“Nga ana tjetër, kjo kompani do të marrë porosi nga vende të tjera, duke ndërtuar anije të kalibrave të ndryshëm nga ato që ndërton “Ficantieri” në kantierin e vet, që do t’i shesë, dhe nga shitja shteti shqiptar, FA do të përfitojnë 49%. Do të bëjë mirëmbajtjen e anijeve të rojave bregdetare të NATO-s në Shqipëri, 49% i merr shteti shqiptar. Kjo linjë do të thotë transferim teknologjie e shumë të tjera më pas. Ky është vetëm një shembull”, u shpreh Rama.

/a.f/r.e/

The post Rama: Shteti shqiptar aksionar 49% në kompaninë për prodhimin e anijeve në Pashaliman appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Më shumë dëgjesa në Kuvend nga ministrat për çështjet me interes publik

16 January 2026 at 18:17

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, u kërkoi ministrave të kenë më shumë dëgjesa në Kuvend, me qëllim informimin e publikut, përkundër “baltës së hedhur nga opozita”, siç i cilësoi ai akuzat e opozitës.

Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të premte në Tiranë grupin parlamentar socialist, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, ndërsa kërkoi më shumë angazhim nga ana e të gjithëve.

“Është mirë që këtë temë ta trajtojmë dhe të krijojmë më tepër hapësirë si grup parlamentar për të pasur dëshmi të ministrave dhe të tjerëve për çështje që kanë interes për publikun, pra dëgjesa të parlamentit”, tha Rama.

Sipas tij, numri i dëgjesave është shumë i vogël dhe kjo për shkak se opozita nuk i njeh këto si instrument parlamentar, por kërkon vetëm “teatër” përmes komisioneve parlamentare.

“Ka shumë pak dëgjesa, pasi kemi një çetë që nuk e njeh dëgjesën, por komisionin hetimor, që e thënë ndryshe është ftesë për një teatër balte. Dëgjesat janë një praktikë e konsoliduar parlamentare në vendet normale dhe ne s’mund të presim, se zakonisht i ka për detyrë opozita t’i thërrasë ato, por mund t’i organizojë edhe mazhoranca”, theksoi Rama.

“Na duhen dëgjesat dhe si një instrument institucional për të trajtuar çështjet të një rëndësie të parë për vendin, por që degradojnë në copëza trillimesh dhe historish që hidhen për të helmuar publikun”, u shpreh kryeministri Rama.

/a.f/r.e/

The post Rama: Më shumë dëgjesa në Kuvend nga ministrat për çështjet me interes publik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

KPA konfirmon shkarkimin nga detyra të prokurores Ornela Rrumbullaku

15 January 2026 at 21:02

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi sot të konfirmoi vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Ornela Rrumbullaku.

Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë, Sokol Çomo, Ina Rama e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Rrumbullakut kundë vendimarrjes së Komisionit.

‘Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 51/2024, datë 11.12.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ornela Rrumbullaku kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 792, datë 04.09.2024.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 792, datë 04.09.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Ornela Rrumbullaku. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në vendim.

Ornela Rrumbullaku përfundoi studimet e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Rrethit Kavajë. Në vitin 2019, Rrumbullaku u komandua si këshilltare pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Deri në momentin e shkarkimit nga detyra ajo e ushtronte funksionin në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

/a.f/r.e/

The post KPA konfirmon shkarkimin nga detyra të prokurores Ornela Rrumbullaku appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis heqja e masave nga BE, mbi 400 milionë euro mbështetje për Kosovën

15 January 2026 at 20:35

PRISHTINË, 15 janar /ATSh/ Bashkimi Evropian ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës, duke hapur rrugën për lirimin e mbi 400 milionë eurove në mbështetje financiare për vendin.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se krahas 216 milionë eurove që janë liruar në dhjetor të vitit 2025, synojnë që shumë shpejt të lirojmë edhe 205 milionë euro në fillim të këtij viti.

Ajo tha se ky vendim është marrë pas ndryshimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit lokale.

Hipper tregoi në detaje edhe se në cilat projekte do të përfitojë Kosova.

“Pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale, ne po heqim masat për Kosovën. Prandaj, kemi liruar afërsisht 50% të ndihmës financiare që arrin në rreth 216 milionë euro. Kjo do të lejojë nënshkrimin e kontratave për katër projekte (që përfaqësojnë gjithsej 34,6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe fillimin e zbatimit; për të përfunduar programimin e të gjitha fondeve të mbetura IPA III të destinuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit të Komisionit në pranverën e vitit 2026 që do të lejonte që projektet e para të fillonin në gjysmën e dytë të vitit 2026). Për më tepër, Komisioni synon të lirojë shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti, në përputhje me Përfundimet e Presidencës për Zgjerimin të miratuara më 16 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së BE-së për KosovaPress.

Gjatë së enjtes, edhe Komisioni Evropian (KE) ka konfirmuar se pret heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës në javët e ardhshme.

Jan Gert Koopman, drejtor i Drejtorisë për Zgjerim në KE, theksoi se bëhet fjalë për lirimin e më shumë se 400 milionë eurove, përfshirë edhe masat që KE-ja i kishte hequr fillimisht në dhjetor të vitit të kaluar.

Ai shpjegoi se institucionet po punojnë paralelisht në programimin e mjeteve dhe në kontraktimin e projekteve që do të financohen.

Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.

/KosovaPress//r.e/

The post Nis heqja e masave nga BE, mbi 400 milionë euro mbështetje për Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manaj drejt klubit kinez Sharjah FC

15 January 2026 at 19:40

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Sulmuesi i Kombëtares, Rey Manaj pritet të firmosë me klubin e Superligës së Kinës, Zhejiang.

Futbollisti 28-vjeçar, sipas medieve, i ka thënë po ofertës së skuadrës nga Kina, e cila i ka ofruar një pagë prej 4 milionë eurosh në sezon, si dhe bonuse për dy sezonet e ardhshme.

Manaj mbyll kështu aventurën e tij te Sharjah FC, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku skuadra renditet në vendin e 11-të. Këtë sezon, Manaj ka shënuar dy gola në 11 ndeshje të luajtura, çka ka mjaftuar për të tërhequr vëmendjen e klubit kinez.

Manaj ka pasur oferta edhe nga Turqia, por skuadra kineze duket se ka bindur ambiciet e sulmuesit kuqezi.

/a.f/r.e/

The post Manaj drejt klubit kinez Sharjah FC appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani dekoron Hasan Arat me Medaljen Presidenciale të Meritave

15 January 2026 at 19:24

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar sot Hasan Arat me Medaljen Presidenciale të Meritave.

Në një njoftim për medien, zyra e shtypit e presidentes së Kosovës informon se Hasan Arat u dekorua nga presidentja Osmani me Medaljen Presidenciale të Meritave, në shenjë mirënjohjeje institucionale për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe promovimin e sportit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.

Gjatë ceremonisë solemne, vijon njoftimi, Presidentja Osmani theksoi se Arat është një personalitet i shquar i sportit dhe jetës publike ndërkombëtare, i cili me vizion, përkushtim dhe integritet ka dhënë një kontribut të çmuar edhe për shtetin e Kosovës. Ajo veçoi angazhimin e tij të rëndësishëm në mbështetjen e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare.

Një vlerësim i veçantë iu kushtua rolit vendimtar të Arat në procesin e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një ngjarje historike për sportin kosovar dhe për afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Pas dekorimit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Arat ka theksuar se ky organizim përfaqëson jo vetëm një ngjarje madhore sportive, por edhe një moment të rëndësishëm për diplomacinë sportive dhe afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Duke folur për vlerën simbolike dhe praktike të Lojërave Mesdhetare, Arat ka theksuar se Kosova tashmë ka dëshmuar se është një vend me potencial të jashtëzakonshëm sportiv.

“Është një nder i madh për mua të marr këtë medalje nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Dhe u uroj gjithë të mirat popullit të Kosovës që të kenë lojëra të shkëlqyera të Mesdheut 2030 në Prishtinë. Kosova është një vend i madh në sport dhe këto Lojëra Mesdhetare do të sjellin një trashëgimi të madhe për vendin dhe do të frymëzojnë brezat e rinj që t’i ndjekin ato. Është një ditë e madhe për diplomacinë sportive që lidh vendet, sjell paqe, solidaritet dhe frymëzon brezat e rinj. Kosova ka një potencial të madh dhe kjo e vërtetoi, Lojërat Mesdhetare 2030 në Prishtinë vërtetojnë se do të jenë lojëra fantastike dhe një njohje e madhe për shtetin e Kosovës”, theksoi Arat.

Në vijim, ai u ndal te dashuria e popullit të Kosovës për sportin, duke e cilësuar atë si një element kyç që lidh shoqëritë dhe shtetet mes vete. Ai thekson se sporti shërben si një gjuhë universale e dialogut dhe solidaritetit, e cila historikisht ka ndihmuar edhe në njohjen dhe afirmimin e Kosovës në arenën botërore.

“E dini, populli i Kosovës e do shumë sportin dhe sporti është një dialog ndërkombëtar që lidh vendet dhe njerëzit me njëri-tjetrin. Ju e keni parë kur morët medaljen e artë në vitin 2016, njohja e Kosovës ishte një nga më të mirat në atë kohë. Pra, ne patëm të njëjtën përvojë për Turqinë dhe sporti është gjithmonë një lidhje e madhe diplomatike dhe solidariteti i mbarë botës. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme për brezat që do të vijnë. Kjo trashëgimi do të sjellë një frymëzim fantastik te të rinjtë. Për të rinjtë, kjo është shumë e rëndësishme”, deklaroi Arat.

Ai ka theksuar se Lojërat Mesdhetare janë ndër organizimet më të mëdha sportive dhe kërkojnë përgatitje të kujdesshme dhe profesionale. Sipas tij, mënyra se si do të organizohen këto lojëra do të përcaktojë trashëgiminë që do të mbetet për dekada, ndaj kujdesi, planifikimi dhe standardet e larta janë thelbësore për suksesin e tyre.

Arat është biznismen dhe adminsitrator sportiv nga Turqia, por me prejardhje shqiptare. Në karrierën e tij sportive ka qenë basketbollist, ndërsa si udhëheqës është anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë,  kryetar i komisionit koordinues për Lojërat Evropiane Krakoë 2023, udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për organizimin e LO 2020, ish-anëtar i komisioneve të ndryshme në IOC e ANOC, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Botërore të Atletikës, etj. Së fundi (2023-2024), për më shumë se një vit ishte president i klubit të madh turk të futbollit, Beshiktash.

/a.f/r.e/

The post Osmani dekoron Hasan Arat me Medaljen Presidenciale të Meritave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Riparohet ura e Xhyrës në Librazhd, Vengu: Sigurojmë infrastrukturën kritike pas reshjeve intensive

15 January 2026 at 18:40

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Reparti i Xhenios i Forcave të Armatosura ka riparuar urën e Xhyrës në Librazhd, duke rikthyer në normalitet qarkullimin për rreth 2 000 banorë të kësaj zone.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë një inspektimi të urës së rivënë në funksion pas dëmtimeve të shkaktuara nga reshjet, bëri të ditur se puna është realizuar në kohë rekord.

Vengu nënvizoi se të gjitha strukturat e emergjencave, Forcat e Armatosura dhe bashkitë janë të angazhuara në rehabilitimin e zonave të dëmtuara nga rrëshqitjet e dherave, si edhe të infrastrukturës kritike që lidh zonat me njëra-tjetrën.

Ai theksoi se zona e Xhyrës ka një rëndësi të veçantë edhe për turizmin. “Këtu ka bujtina, verë, kulinari dhe është një zonë mjaft atraktive për turizmin”, u shpreh Vengu.

Ministri bëri të ditur se puna po zhvillohet paralelisht në disa qarqe, si në Selenicë të Vlorës, Gjirokastër dhe Delvinë. Ndërkohë, ndërhyrjet kanë përfunduar në Laç dhe Shkodër, ndërsa mbeten për t’u realizuar dy ura në Tiranë, në zonën e Baldushkut, si dhe në Elbasan e Librazhd, ndër të tjera.

Vengu kujtoi gjithashtu se në buxhetin e vitit 2026 Ministria e Mbrojtjes ka çelur thirrjen për infrastrukturën parandaluese, ku përfshihen edhe urat, jo vetëm ato të tipit “bailey”, por edhe ura klasike me betonarme, me qëllim përballimin e kushteve të vështira.

Vendi ynë u përfshi ditët e fundit nga reshje intensive shiu dhe bore, të cilat shkaktuan problematika në qarkullim, si edhe rrëshqitje dheu në disa akse rrugore, duke bllokuar ose kufizuar lëvizjen e automjeteve.

/a.f/r.e/

The post Riparohet ura e Xhyrës në Librazhd, Vengu: Sigurojmë infrastrukturën kritike pas reshjeve intensive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, datat e deklaratave përmbyllëse

15 January 2026 at 18:12

PRISHTINË, 15 janar /ATSh/ Dhoma e Specializuar në Hagë ka njoftuar se nga data 9 deri më 13 shkurt dhe më 16 dhe 18 shkurt, do të paraqiten para gjykatës deklaratat përmbyllëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Seancat janë planifikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në orën 16:30.

“Rendi i ditës më poshtë buron nga Njoftimi i Trupit Gjykues në lidhje me Mbylljen e Procedurës së Paraqitjes së Provave të datës 18 dhjetor 2025. Ky rend dite bazohet në vlerësimet aktuale dhe mund të ndryshojë, për shembull nëse një palë ka nevojë për më pak kohë seç mendohej. E hënë, 9 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Prokurorisë. E martë, 10 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Prokurorisë; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Viktimave. E mërkurë, 11 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Thaçit; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Veselit. E enjte, 12 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Veselit; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Selimit. E premte: 13 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Selimit; Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Krasniqit. E hënë, 16 shkurt: Deklarata Përmbyllëse e Mbrojtjes së Krasniqit; pyetje të mundshme nga Trupi Gjykues. E mërkurë, 18 shkurt: Përgjigje nga palët dhe deklarata nga të akuzuarit”, thuhet në njoftim.

Historiku i çështjes

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktakuza në fuqi në këtë çështje.

Secili prej të akuzuarve akuzohet mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për gjashtë akuza që lidhen me krime lufte.

Në aktakuzë thuhet se krimet për të cilat janë ngritur akuza janë kryer nga të paktën marsi deri në shtator 1999 dhe kanë ndodhur në disa vende në Kosovë dhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë.

Pas arrestimit të tyre nga Prokurori i Specializuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj më 15 prill 2025. Mbrojtja e Viktimave që përfaqëson 155 viktima pjesëmarrëse, paraqiti provat e saj në korrik 2025, dhe Mbrojtja e Thaçit dhe Mbrojtja e Krasniqit paraqitën provat e tyre nga shtatori deri në dhjetor 2025. Trupi Gjykues mbylli procedurën e paraqitjes së provave më 19 dhjetor 2025. Në këtë çështje, 134 dëshmitarë kanë dhanë dëshmi në gjykatë, 125 të thirrur nga Prokuroria, dy të thirrur nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë të thirrur nga Mbrojtja. Gjithashtu, 164 deklarata dëshmitarësh u pranuan vetëm në formë të shkruar.

Pas deklaratave përmbyllëse, Trupi Gjykues do të vijojë me kuvendimet për nxjerrjen e aktgjykimit. Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditësh nga mbyllja e paraqitjes së provave. Në rast se për shkak të rrethanave kërkohet kohë shtesë, ky afat mund të zgjatet me 60 ditë të tjera.

Data dhe ora e gjithë seancave publike të planifikuara mund të gjendet në kalendarin e gjykatës në faqen e internetit të DhSK-së. Ndryshimet e mundshme të seancave të planifikuara të përshkruara në këtë informim do të pasqyrohen në kalendar.

/KosovaPress//r.e/

The post Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, datat e deklaratave përmbyllëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendimi për vizat, VanHorn: Siguria ekonomike është siguri kombëtare

15 January 2026 at 17:01

TIRANË, 15 janar/ATSH/ E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn gjatë një aktiviteti për promovimin e teknologjisë amerikane të komunikimit, citoi fjalët e presidentit të ShBA-së, Donald Trump, duke theksuar se “siguria ekonomike është siguri kombëtare”.

Ambasada e ShBA-së në Tiranë, në një postim në rrjetet sociale ndau citimin e VanHorn: gjatë aktivitetit. “Siç ka thënë Presidenti Trump, ‘siguria ekonomike është siguri kombëtare’. Ky parim është veçanërisht i rëndësishëm për sigurinë publike dhe infrastrukturën kritike, ku teknologjia që zgjedhin vendet ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë, sovranitetin dhe sigurinë e qytetarëve”, u shpreh e ngarkuara me punë, Nancy VanHorn, gjatë aktivitetit për promovimin e teknologjisë amerikane të komunikimit.

Deklarata e VanHorn vjen pas vendimit të ShBA-ve për pezullimin e dhënies së vizave për 75 vende, mes të cilave përfshihen Shqipëria dhe Kosova.

Ambasada e ShBA-së në Tiranë ka sqaruar se cilët qytetarë shqiptarë mund të vijojnë të udhëtojnë drejt ShBA-së dhe cilat kategori janë të ndaluara.

Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, shtetasit shqiptarë që disponojnë vizë amerikane lejohen të udhëtojnë drejt ShBA-së vetëm për qëllime turizmi, pushimesh, blerjesh, takimesh biznesi ose vizitash te miqtë dhe të afërmit.

Ambasada thekson se nuk lejohet udhëtimi drejt ShBA-së me qëllim lindjen e fëmijës, studimin për një diplomë apo punësimin.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka marrë vendim për pezullimin e vizave të emigrantëve për 75 vende, ku përfshihen edhe Shqipëria dhe Kosova.

“Është përgjegjësia juaj ta përdorni vizën tuaj në mënyrë korrekte”, deklaron Ambasada e ShBA-së në reagimin e saj në rrjetet sociale.

Aktiviteti për teknologjinë e konunikimit - Foto të publikuara nga Ambasada e ShBA në Tiranë
1 nga 9
E ngarkuara me punë e ShBA në Tiranë, Nancy VanHorn

/a.f/r.e/

The post Vendimi për vizat, VanHorn: Siguria ekonomike është siguri kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot i qëndrueshëm, pasdite priten vranësira

15 January 2026 at 07:30

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU) njofton se vendi ynë do të ndikohet sot nga kushte të qëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet i kthjellët me vranësira të pakta kalimtare deri në orët e mesditës. Pas mesditës pritet shtim gradual i vranësirave mesatare deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit.

Era do të fryjë nga verilindja në juglindje me shpejtësi mesatare rreth 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të arrijë deri në 9 m/s. Deti do të ketë valëzim 1–2 ballë.

/a.f/

 

The post Moti sot i qëndrueshëm, pasdite priten vranësira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani pas takimit me Sørensen: Kosova gati për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE

14 January 2026 at 22:23

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, duke theksuar se Kosova është e gatshme për kapitullin e radhës në rrugën evropiane, atë të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Në një reagim pas takimit, Osmani u shpreh se dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe në trajtimin e barabartë të palëve, duke nënvizuar njëkohësisht shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

“Tani që janë hequr masat e padrejta, do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë evropianë për të ecur me vendosmëri drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi Osmani.
Pas takimeve në Prishtinë, Sørensen do të udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë.

Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

/a.f/r.e/

The post Osmani pas takimit me Sørensen: Kosova gati për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lumir Abdixhiku jep dorëheqjen si kryetar i LDK-së

14 January 2026 at 20:47

PRISHTINË, 14 janar /ATSh/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pas humbjes në zgjedhjet e Kosovës. Vendimin e ka bërë publik përmes një statusi të gjatë, ku thekson se ky është akti më moral dhe më i përgjegjshëm që një kryetar partie mund të marrë.

Ai bëri të ditur se pas një diskutimi prej 5 orë e gjysmë me anëtarë dhe struktura të partisë, është arritur një qëndrim i përbashkët, që sipas tij pasqyron vullnetin e “shumicës dërmuese”.

Abdixhiku tha se nuk i shmanget përgjegjësisë dhe reflektimit, duke theksuar se vendimi tashmë nuk është më i tij, por i LDK-së.

“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, shkruan Abdixhiku.

Ai njoftoi se është thirrur Kuvendi i LDK-së, ku pritet të zhvillohet debat dhe të merren vendime “hapur”, duke shtuar se do ta respektojë çdo vendim që del nga Kuvendi.

“Dua ta them qartë; nuk jam i lidhur pas pozitës. Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre. Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht”, deklaroi Abdixhiku.

Pak më parë, Hykmete Bajrami deklaron se ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme, raporton KosovaPress.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se dje në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së ka kërkuar dhe dorëheqje të parevokushme dhe për Lumir Abdixhikun nga pozita e kryetarit të LDK-së, siç shprehet ajo “si standard i vendosur vetë nga LDK-ja”.


/KosovaPress/

The post Lumir Abdixhiku jep dorëheqjen si kryetar i LDK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ernest Muçi e nis vitin me dy gola, Trabzonspor mposht Istanbulspor

14 January 2026 at 19:43

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Futbollisti i Kombëtares, Ernest Muçi shënoi sot një dygolësh dhe dhuroi një asist në fitoren 6-1 të arritur nga Trabzonspor ndaj Istanbulspor AS.

Muçi ka treguar edhe njëherë se po kalon një formë të mirë këtë sezon, duke nisur vitin sportiv me dy gola, të cilët i hapën rrugën fitores së Trabzonspor në sfidën e javës së 2-të të Kupës së Turqisë, Grupi A.

Muçi gjeti golin në minutën e 41-të për të barazuar rezultatin 1-1. Në pjesën e dytë të sfidës, Muçi dhuroi një asist në minutën e 57-të dhe shënoi sërish në minutën e 61′, duke vendosur rezultatin 3-1 për Trabzonin. Më pas, ekipi shënoi edhe tri gola të tjerë, duke çuar rezultatin përfundimtar në 6-1.

/a.f/r.e/

The post Ernest Muçi e nis vitin me dy gola, Trabzonspor mposht Istanbulspor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌