Guri për ATSH: Gjurmueshmëria do të garantohet nga ferma deri te konsumatori final
TIRANË, 19 janar /ATSH/ Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri deklaroi se siguria ushqimore mbetet një nga kapitujt më sfidues në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Guri bëri të ditur se kapitujt 11, 12 dhe 13, që përfshijnë bujqësinë dhe zhvillimin rural, sigurinë ushqimore dhe peshkimin, janë hapur të fundit në procesin e negociatave me BE-në.
“Skema Kombëtare 2026 do të shërbejë si një instrument për përafrimin me BE-në, duke përfshirë masat mbështetëse dhe kërkesat ligjore për fermerët dhe blegtorët. Në vitin 2026 ky proces do të jetë vullnetar, ndërsa në 2027 do të bëhet i detyrueshëm, me qëllim që në 2030-ën fermerët shqiptarë të gjejnë në BE të njëjtat kushte që u janë krijuar gradualisht përmes skemës kombëtare”, tha Guri.
Ai theksoi rëndësinë e standardizimit të sigurisë ushqimore brenda fermave dhe blegtorisë. “Këto kushte do të rrisin sigurinë ushqimore në nivelin e fermës, duke përfshirë përdorimin e pesticideve dhe gjurmueshmërinë e produkteve nga ferma, deri te konsumatori final. Agronomi do të kontrollojë përdorimin e produkteve dhe do të firmosë fletoren e fermerit, duke krijuar një zinxhir të pandërprerë gjurmueshmërie”, sqaroi ai.
Sa i përket Kapitullit 12 për sigurinë ushqimore, Guri nënvizoi se numri i akteve nënligjore që duhen hartuar dhe zbatuar është i madh, duke vënë theksin tek projekti i Bashkimit Europian “CC Food Safety” me një vlerë prej 13,5 milionë euro, që synon kategorizimin e operatorëve ushqimorë dhe përafrimin me standardet e BE-së.
Zëvendësministri shtoi se ky proces do të mbështetet edhe financiarisht nga Banka Shqiptare e Sigurimeve (BShS), kredia sovrane dhe Banka e Zhvillimit, për të siguruar implementimin e standardeve të BE-së në prodhimin ushqimor dhe blegtoral.
“Skema Kombëtare e vitit 2026 do t’u kërkojë fermerëve dhe blegtorëve jo vetëm të prodhojnë, por të prodhojnë sipas kushteve që afrohen me standardet e BE-së, duke krijuar një zinxhir të sigurt dhe të gjurmueshëm të produkteve ushqimore”, përfundoi Guri.
Guri: Vijon vlerësimi i dëmeve nga reshjet, investim tek argjinaturat problematike
Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, bëri të ditur se 87 ekspertë të MBZHR janë angazhuar në procesin e verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve në tetë rajone të vendit, të prekura nga reshjet e shumta të javës së kaluar.
“Ne kemi angazhuar 87 specialistë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të cilët janë në funksion të bashkive për të kryer procesin e vlerësimit të dëmeve, proces që nis nga strukturat vendore”, tha Guri, teksa bëri të ditur se, “qëllimi ynë ka qenë të jemi pranë fermerëve, jo vetëm për vlerësimin e dëmeve, por edhe për mbështetje teknike dhe ndërhyrje të menjëhershme aty ku ka qenë e nevojshme”.
Zv.ministri Guri deklaroi se “sot, situata e përmbytjeve në tokat bujqësore është drejt përmirësimit. Vetëm disa sipërfaqe të vogla mbeten ende nën ujë, për shkak të kushteve morfologjike të terrenit”.
Sa i përket dëmeve në blegtori, Guri bëri të ditur se janë raportuar humbje të kufizuara, konkretisht rreth 50 krerë gjedhë dhe 12 krerë bagëti të imta.
Në lidhje me prodhimin bujqësor, ai theksoi se dëmet kanë qenë minimale në parcelat ku uji është tërhequr shpejt, ndërsa më të konsiderueshme në zonat ku uji ka qëndruar për një periudhë më të gjatë.
“Duhet pasur parasysh që në këtë periudhë kemi të kultivuara kulturat e lashta, si gruri dhe thekra. Aty ku uji është larguar menjëherë, dëmet janë minimale, ndërsa në zonat ku uji ka qëndruar më gjatë, dëmtimet janë më të ndjeshme”, u shpreh Guri.
Duke folur për masat afatmesme dhe afatgjata, ai theksoi se investimet në ujitje dhe kullim janë një prioritet kryesor i buxhetit të vitit 2026, me fokus zonat që shfaqën problematika gjatë situatës së fundit.
“Në investimet që nisim këtë vit, prioritet janë të gjitha pikat ku argjinaturat dhe kanalet ujitëse-kulluese patën probleme gjatë kësaj situate, konkretisht në argjinaturat e lumenjve Devoll, Seman, Drojë të Lezhës”, tha ai.
Guri kujtoi se reshjet intensive të shiut të javës së kaluar, sollën përmbytjen e 13 100 hektarëve tokë bujqësore në rajonet Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Fier, Vlorë, në grykëderdhjen e Semanit dhe zonën e Karavastasë.
Sipas tij, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve dhe për të adresuar çdo problematikë që paraqitej, MBZHR angazhoi në terren 200 veterinerë, specialistë të ujitjes dhe kullimit, si dhe të mbrojtjes së bimëve.
Në kuadër të masave emergjente, Guri bëri të ditur se ekspertët e bordeve të ujitjes dhe kullimit, në varësi të MBZHR, vunë në përdorim 28 ekskavatorë për pastrimin dhe hapjen e kanaleve të bllokuara, kryesisht nga mbetjet e ardhura si pasojë e proceseve bujqësore. Ndërkohë që të gjithë hidrovoret kanë qenë në funksion.
/e.xh/r.e/a.f/
The post Guri për ATSH: Gjurmueshmëria do të garantohet nga ferma deri te konsumatori final appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.