Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 February 2026Main stream

Sekuestrohen pasuri 200 mijë euro në Selitë me burime kriminale

10 February 2026 at 10:58

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Policia e Shtetit finalizoi operacionin e koduar “Burimi” gjatë të cilit ka sekuestruar pasuri me vlerë 200 000 euro, në pronësi të 2 shtetasve të dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Operacioni u finalizua në vijim të hetimeve intensive, të kryera nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive/pronave, produkte të veprimtarive kriminale brenda dhe jashtë vendit.

Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për vënien e sekuestros preventive mbi 1 apartament në Selitë dhe 1 garazh në Selitë të Vogël, me vlerë totale rreth 200 000 euro, në pronësi përkatësisht të shtetasit P. B., 63 vjeç, i dënuar në Shqipëri për trafikim të lëndëve narkotike, dhe të shtetasit Gj. Ll. alias Sh. Ll., 44 vjeç i dënuar në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.

Policia njoftoi se vijon hetimet për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera, me burime kriminale, në pronësi të këtyre shtetasve dhe shtetasve të lidhur me ta.

The post Sekuestrohen pasuri 200 mijë euro në Selitë me burime kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Procesi në Hagë, Prokuroria pretendon se Thaçi ishte përkrahës i drejtpërdrejtë i qëllimit të përbashkët kriminal

10 February 2026 at 10:53

PRISHTINË, 10 shkurt/ATSH/ Sot është dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Për rolin e tyre si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në kohën e luftës në Kosovë, Prokuroria ka kërkuar për katër të akuzuarit nga 45 vjet burgim për secilin.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria e ka nisur fjalën e vet duke thënë se të akuzuarit kanë pasur rol të fortë kolektiv si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Në rolet që kishin, ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të koordinonin veprimet e tyre dhe mohuan veprat penale në mënyrë që t’i gënjenin ndërkombëtarët”.

Hashim Thaçi përshkruhet si njëri prej themeluesve të UÇK-së, duke cituar disa deklarata të Azem Sylës.

Në deklarimet e sotme, Prokuroria e Specializuar pretendoi se Thaçi i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët, andaj deklaratat e këtyre të fundit duhet të merren me rezervë lidhur me UÇK-në, komandën e organizatës dhe rolin e ish-eprorëve në të.

“Ata nuk e dinin se ai [Thaçi] mund të bënte emërime ushtarake…Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues”, u shpreh prokurori.

Në fjalën e vet, Prokuroria pretendon se Hashim Thaçi ka qenë përkrahës i drejtpërdrejtë i qëllimit të përbashkët kriminal, dhe që kjo gjë mund të vërtetohet bazuar në mënyrën se si ai ka folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Prokurorët, më pas, u janë referuar disa deklaratave në Komunikatën 53 të UÇK-së, të 18 shtatorit 1998, në të cilën Shtabi i Përgjithshëm ka deklaruar se “vetëm në Sferkë, Prapaqan dhe Baran, ku dezertorët, ish-anëtarë të UDB-së, aktualisht institucionalistët sikurse Tahir Zemaj kanë influencë, armiku nuk gjeti rezistencë, pavarësisht se këto fshatra u dogjën, u përvëluan dhe u shkatërruan. Një ditë këta persona do të mbajnë përgjegjësi për dëmet që po u shkaktojnë popullit dhe mëmëdheut”.

Sipas Prokurorisë, ky ishte mesazh i qartë për ata që pengonin kontrollin e UÇK-së.

“Të përshkruhen kontributet e Thaçit si neutrale, është absurde, sepse ka prova për të vërtetuar të kundërtën. Nuk është kontribut neutral të thuash këto fjalë nga një pozicion siç kishte Thaçi dhe nuk është kontribut neutral të marrësh në pyetje, të kërcënosh, të rrahësh persona në Qirez”, deklaroi Prokuroria. /j.p/

 

The post Procesi në Hagë, Prokuroria pretendon se Thaçi ishte përkrahës i drejtpërdrejtë i qëllimit të përbashkët kriminal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RENEA, në elitën botërore të forcave speciale në “SWAT Challenge Dubai 2026”

10 February 2026 at 10:43

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Forcat RENEA janë duke marrë pjesë në Dubai në “SWAT Challenge Dubai 2026”, një nga kompeticionet më prestigjioze ndërkombëtare të forcave special.

Kryeministri Edi Rama ndau momente nga pjesëmarrja e forcave shqiptare, duke u shprehur se RENEA me këtë pjesëmarrje bëhet pjesë e elitës botërore të forcave speciale.

Në garë, për të pestin vit radhazi Policia e Shtetit përfaqësohet nga Njësia Elite RENEA, e cila këtë vit konkurron me dy ekipe, RENEA “A” dhe RENEA “B”

Në ditën e tretë të garave, ekipet e RENEA-s po demonstrojnë profesionalizëm të lartë në një garë ku marrin pjesë rreth 50 shtete me 109 ekipe nga e gjithë bota.

The post RENEA, në elitën botërore të forcave speciale në “SWAT Challenge Dubai 2026” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali takim me nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike: Shqipëria trajtohet si aleate e besueshme

10 February 2026 at 09:54

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka zhvilluar një takim, të cilin e cilësoi përmbajtësor, me nënsekretaren e Shtetit  për Çështjet Politike, Allison Hooker, përgjegjëse për marrëdhëniet politike të SHBA-ve me aleatët në mbarë botën gjatë vizitës së saj në Uashington.

Spiropali informoi se në takim u fol për çështjet që prekin drejtpërdrejt interesat e Shqipërisë: sigurinë në kuadër të NATO-s, stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, si dhe hapat konkretë për thellimin e partneritetit ekonomik e strategjik mes dy vendeve, si garanci që zëri i Shqipërisë dëgjohet aty ku merren vendimet.

“Shqipëria sot trajtohet si një aleate e besueshme, që qëndron krah partnerëve të saj dhe kontribuon realisht për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, deklaroi Spiropali në postimin në rrjetet sociale ku publikoi edhe momente nga takimi.

“Partneriteti ynë me SHBA-të nuk është çështje protokolli apo fotografie. Është një marrëdhënie e ndërtuar mbi interesa, vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta”, përfundoi kryediplomatja shqiptare.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali  zhvilloi javën e kaluar vizitë në në Uashington ku pati disa takime në Kongresin Amerikan, që patën në fokus thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në disa dimensione.

The post Spiropali takim me nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike: Shqipëria trajtohet si aleate e besueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kanosje me armën e shërbimit, pezullohet efektivi pas ngjarjes në Laprakë

10 February 2026 at 09:46

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Policisë njoftoi sot se ka pezulluar nga detyra nënkomisarin F.H dhe ka nisur ndaj tij hetimin disiplinor, në lidhje me një ngjarje të ndodhur në datën 9 shkurt në Laprakë.

Nënkomisari me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore në DVP Kukës, për motive të dobëta, u konfliktua me shtetasin D. H., të cilin dyshohet se e ka kanosur me armën e shërbimit.

Gjithashtu, në funksion të hetimit, punonjësit të Policisë iu bllokua arma e shërbimit, tip pistoletë “TT”.

Po në lidhje me këtë rast, ka kryer veprime hetimore e procedurale Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka referuar materialet procedurale Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kanosja”.

The post Kanosje me armën e shërbimit, pezullohet efektivi pas ngjarjes në Laprakë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 9 February 2026Main stream

Osmani: Çdo përpjekje për barazimin e UÇK-së me krimet e Serbisë, minon besimin në drejtësi

9 February 2026 at 20:26

PRISHTINË, 9 shkurt/ATSH/ Teksa në Hagë mbahet sot seanca e deklaratave përmbyllëse në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se çdo përpjekje që tenton ta barazojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë”.

Osmani u shpreh në rrjetet sociale se qytetarët e Kosovës duan drejtësi, por theksoi se lufta e UÇK-së “ishte e drejtë dhe e pastër”.

“Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, theksoi Osmani.

Në Gjykatën Speciale në Hagë nisën sot deklaratat përmbyllëse për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërt janë deklaruar të pafajshëm. /j.p/r.e/

The post Osmani: Çdo përpjekje për barazimin e UÇK-së me krimet e Serbisë, minon besimin në drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015

9 February 2026 at 15:41

PRISHTINË, 9 shkurt/ATSH/ Bashkimi Evropian tha se arrestimi i fundit nga Serbia i një veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është “një shkelje tjetër” e obligimeve të Serbisë të Marrëveshjes për dialogun dhe drejtësinë të vitit 2015.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është zotuar që të mos iniciojë hetime penale apo ndjeje penale për krimet që pretendohet se janë kryer në Kosovë, përveç nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet e Kosovës. Juridiksioni mbi pretendimet për krime të luftës dhe vepra të tjera serioze bie mbi institucionet e Kosovës. I bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë zotimet e saj”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Më 5 shkurt, autoritetet e Serbisë arrestuan Mitehat Llozhanin me të hyrë në terrorin serb nga kufiri me Kroacinë. Ai, sipas autoriteteve, në Beograd dyshohet për krime kundër popullatës civile.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë rast.

Sipas Serbisë, i arrestuari dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”. Në njoftim thuhet po ashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve”.
Por, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se i arrestuari ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

 

Nënkryetari i kësaj organizate të veteranëve, Gazmend Syla, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Llozhanit iu gjet kartela e veteranit në xhep gjatë kontrollit nga autoritetet serbe. /rel/

The post BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Deklaratat e Prokurorisë Speciale për akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së

9 February 2026 at 11:42

PRISHTINË, 9 shkurt/ATSH/ Ndërsa dhanë deklaratat përfundimtare në Gjykatën Speciale në Hagë për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi prokurorët u ndalën në secilin prej tyre.

Ish-krerët e UÇK akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Prokurori Alan Tieger iu rikthye procesit gjyqësor duke përmendur se çfarë kanë thënë disa prej dëshmitarëve.

Ai përsëriti se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin në vijën e parë të UÇK-së prej fillimit dhe kishin rol të rëndësishëm.

Tieger përmendi që të dy kanë shkuar në Zvicër më 1994 dhe deri më 1998 janë kthyer në Kosovë çdo 3-4 muaj dhe kanë qëndruar aty për disa javë secilën herë.

“Thaçi dhe Veseli kanë pasur detyra të rëndësishme gjatë asaj kohe, të mbanin kontakte, të sillnin armë, përfshirë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të 1997-ës”, shtoi prokurori.

Sipas tij, Thaçi e fitoi reputacionin e personit që lidhi luftëtarët në Kosovë dhe planifikuesit që jetonin në mërgim.

Prokurori e përshkroi Rexhep Selimin si person me lidhje të ngushta me Adem Jasharin dhe me rol të rëndësishëm në fushëbetejë dhe si dikush që gëzonte shumë respekt dhe besueshmëri nga luftëtarët.

Sipas Prokurorisë, Selimi ka qenë organizator dhe pjesëmarrës në sulmet e vitit 1997 kundër forcave serbe.

“Ai gëzonte shumë respekt si ish i burgosur politik. Ndonëse ai ka pasur profil ligjor në LDK në vitet ’90, ai kishte kontakte me Adem Jasharin më 1991 dhe ishte përfshirë në UÇK prej 1993 dhe na ka shpjeguar se iu bashkua Shtabit të Përgjithshëm më 1997. Dhe ja, kështu u bënë bashkë të akuzuarit dhe ata vepronin në mënyrë kolektive”, u shpreh prokurori.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. /rel/

 

The post Deklaratat e Prokurorisë Speciale për akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prokuroria në Hagë kërkon 45 vjet burgim për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

9 February 2026 at 10:50

PRISHTINË, 9 shkurt/ATSH/ Në Gjykatën Speciale në Hagë nisën sot deklaratat përmbyllëse për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West e nisi fjalën e saj duke thënë se Gjykata Speciale është bërë “trup funksional, i suksesshëm në një periudhë relativisht të shkurtër”.

Prokurorja West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha prokurorja.

Ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 plus kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së”.

Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.

“Pavarësisht frikës, stigmës dhe situatave me të cilat janë përballur dëshmitarët dhe familjarët e tyre nga një grup i kufizuar, por me zë, në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dalë në pah, prandaj pavarësisht kësaj kanë përzgjedhur të bashkëpunojnë me zyrën time dhe të japin dëshmi para kësaj gjykate”, u shpreh ajo në deklaratën përmbyllëse. /rel/

The post Prokuroria në Hagë kërkon 45 vjet burgim për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Mot me vranësira, pasdite reshjet humbasin intensitetin

8 February 2026 at 07:30

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura kryesisht në pjesën e parë të ditës. Prej orëve të mesditës e pasdite vranësirat do të përqendrohen në relievet malore në lindje.

Parashikohet reshje shiu me intensitet të ulët hera –herës deri mesatar në formën e shtrëngatave afatshkurta që në orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes.
Gjatë ditës reshjet humbasin intensitet, me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të territorit si dhe shtrëngata afatshkurtra përgjatë relieveve malore. Në orët e pasdites pritet ndërprerje graduale e reshjeve.

Në zonën e Alpeve dhe relievet e larta malore verilindje – juglindje të vendit, parashikohet reshje dëbore me intensitet të ulët lokalisht mesatar.
Era do të fryjë me drejtim kryesor verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 5m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare era pritet të fitojë shpejtësi 9m/s, me valëzimin në det të forcës 1-2ballë.

Temperaturat parashikohen:

The post Mot me vranësira, pasdite reshjet humbasin intensitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Intervistohen 14 të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në Kllokot

7 February 2026 at 14:45

PRISHTINË, 7 shkurt/ATSH/ Policia e Kosovës ka arrestuar dhe intervistuar 14 persona – kryesues dhe anëtarë të komisioneve numëruese – nën dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Kllokot.

Sipas njoftimit të Policisë, arrestimet janë kryer më 6 shkurt, ndërsa të dyshuarit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve. Me vendim të prokurorit, ata janë liruar pas intervistimit.

Deri më tani, për shkak të dyshimeve për manipulim të votave janë ndaluar dhjetëra persona në disa rajone të Kosovës dhe janë intervistuar qindra të tjerë. Hetime po zhvillohen në Prizren, Malishevë, Podujevë, Ferizaj dhe Mitrovicë.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, e ka cilësuar procesin zgjedhor të 28 dhjetorit si ndër proceset “më të kompromentuara”, pasi janë vërejtur mospërputhje të mëdha në numrin e votave të kandidatëve për deputetë pas një rinumërimi të pjesshëm të urdhëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Më pas, KQZ-ja urdhëroi rinumërim të plotë të votave, i cili përfundoi në fundjavën që shkoi.

Pula ka thënë se edhe kandidatët të cilëve u janë shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve, por deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ndaj ndonjërit prej tyre kanë nisur procedura hetimore.

Pas përfundimit të rinumërimit, më 31 janar, KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.

Sipas rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. /rel/

The post Intervistohen 14 të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në Kllokot appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot me vranësira dhe intervale kthjellimesh

7 February 2026 at 07:30

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura,  kryesisht në pjesën e parë të ditës, ndërsa nuk do të mungojnë intervale me kthjellime.

Reshjet parashikohen të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në formë shtrëngatash afatshkurtra në pjesën më të madhe të vendit nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit.

Gjatë ditës reshjet e shiut pritet të vijojnë me intensitet të ulët, të herëpashershme në të gjithë vendit por me ndërprerje.

Në zonën e Alpeve dhe relievet e larta malore verilindje- juglindje të vendit reshje dëbore me intensitet kryesisht të ulët.

Era do të fryjë me drejtim kryesor verilindje-veriperëndim  me shpejtësi mesatare 4m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare era pritet të fitojë shpejtësi 9m/s, me valëzimin në det të forcës 1-2ballë.

Temperaturat parashikohen: 

QYTETET Temperaturat Siglat

Shkodër

8/12 Re shi

Kukës

8/11 Re shi/borë

Lezhë

9/12 Re shi

Dibër

6/9 Re shi/borë

Durrës

9/16 Re shi

Tiranë

9/17 Re shi

Elbasan

7/15 Re shi

Berat

8/17 Re shi diell

Vlorë

10/17 Re shi diell

Korçë

5/9 Re shi diell

Gjirokastër

8/16 Re shi diell

Sarandë

10/17 Re shi diell

 

 

The post Mot me vranësira dhe intervale kthjellimesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla uron Agim Ademin për rizgjedhjen në krye të FFK-së

6 February 2026 at 19:21

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, së bashku me zëvendëspresidentin e UEFA-s dhe Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i kanë shprehur urimet Presidentit Agim Ademi për rizgjedhjen në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla vlerësoi arritjet e deritanishme të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se këto rezultate përbëjnë një promovim të shkëlqyer të shtetit të Kosovës. Ai nënvizoi se drejtimi i mençur dhe vizionar i Presidentit Agim Ademi ka qenë një faktor kyç në këto suksese.

Gjithashtu, kryetari i grupit parlamentar të PS shprehu kënaqësinë për rritjen e bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si një vlerë të shtuar për zhvillimin e futbollit në të dy vendet.

Në përfundim, Balla u shpreh optimist se do të ishte një arritje historike që Shqipëria dhe Kosova të mbyllin me sukses fundin e muajit mars dhe të sigurojnë kualifikimin në Kampionatin Botëror.

The post Balla uron Agim Ademin për rizgjedhjen në krye të FFK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejt përfundimit kopshti i ri në Farkë të Madhe

6 February 2026 at 19:11

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Në lagjet dhe njësitë administrative të Tiranës vijon të ketë kërkesë për kopshte dhe çerdhe të reja ndërkohë që edhe mjediset ekzistuese janë përmirësuar dhe pajisur me mjete bashkëkohore.

Kështu, në Farkë të Madhe në Tiranë janë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e kopshtit të ri.

Kryeministri Edi Rama përcolli në rrjetet sociale pamje nga mjediset e reja që do të mbushen së shpejti me fëmijë.

Kopshti i ri në Farkë të Madhe do të plotësojë kërkesat e komunitetit që janë në rritje.

Rritja e popullsisë në kryeqytet ka shtuar nevojën për mjedise të reja për fëmijët, ndërsa sipas bashkisë së Tiranës janë 109 çerdhe dhe kopshte të reja të hapura në këto 9 vite.

Përveç rritjes së buxhetit të dedikuar vit pas viti, bashkia e Tiranës do të vijojë hapjen e institucioneve të reja arsimore, duke marrë edhe hapësira me qira në ato zona ku nuk ka hapësira publike për t’i shërbyer komunitetit.

Kështu, pritet të plotësohen nevojat sidomos në lagjet e reja në kryeqytet.

The post Drejt përfundimit kopshti i ri në Farkë të Madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të veteranit të UÇK-së nga Serbia

6 February 2026 at 18:47

PRISHTINË, 6 shkurt/ATSH/ Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare, pasi Serbia arrestoi një veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një ditë më parë, nën pretendimet për krime kundër popullatës civile.

MPJD tha më 6 janar se ka pranuar informacione për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Mitehat Llozhani me të hyrë në Serbi nga pika kufitare e Batrovcit në kufi me Kroacinë.

Kjo ministri tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës i ka dorëzuar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë duke i kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve të ndalimit dhe informacione të tjera të rëndësishme për rastin.

“Po ashtu, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka njoftuar për rastin delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës”, tha MPJD.

MPJD tha po ashtu theksoi se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt me familjen e të arrestuarit dhe do të paraqesë kërkesë zyrtare për ta vizituar atë.

Autoritetet në Serbi mbrëmjen e 5 shkurtit konfirmuan arrestimin e veteranit të UÇK-së dhe thanë se është dërguar në ndalim prej 48 orësh.

Sipas Serbisë, ai dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”. Në njoftim thuhet po ashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve”.

Por, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se i arrestuari ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Nënkryetari i kësaj organizate të veteranëve, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Llozhanit iu gjet kartela e veteranit në xhep gjatë kontrollit nga autoritetet serbe.

Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave. /rel/

The post Kosova kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të veteranit të UÇK-së nga Serbia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i paqëndrueshëm, pasdite shkarkesa elektrike dhe breshër

6 February 2026 at 07:30

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e premte vendi ynë ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe alternime të herëpashershme kthjellimesh kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe në pjesën e parë të ditës.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët fillimisht përgjatë vijës bregdetare e më pas gradualisht shtrihen në pjesën tjetër të territorit. Prej orëve të pasdites në zonën e veriperëndimit e pjesërisht në qendër reshje shiu me intensitet mesatar dhe hera-herës deri të lartë në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Në relievet malore në veri-verilindje e juglindje të vendit reshje bore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim kryesor juglindje-jug me shpejtësi mesatare 10m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare era fiton shpejtësi 17m/s, me valëzimin në det të forcës 3-4ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat

Shkodër

9/11 Re shi diell

Kukës

6/10 Re shi/borë diell

Lezhë

9/11 Re shi diell

Dibër

4/8 Re shi/borë diell

Durrës

9/15 Re shi diell

Tiranë

9/15 Re shi diell

Elbasan

8/13 Re shi diell

Berat

9/15 Re shi diell

Vlorë

8/15 Re shi diell

Korçë

2/8 Re shi/borë diell

Gjirokastër

8/14 Re shi diell

Sarandë

9/15 Re shi diell

 

 

The post Mot i paqëndrueshëm, pasdite shkarkesa elektrike dhe breshër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Serbia arreston një veteran të UÇK-së

5 February 2026 at 19:33

PRISHTINË, 5 shkurt/ATSH/ Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet në Serbi paraditen e 5 shkurtit, thanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Lozhani u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë dhe gjatë kontrollit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.

Syla shtoi se ai ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri dhe nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Ndërkaq, Koci tha se arrestimi ndodhi rreth orës 11:00 të 5 shkurtit.

Sipas tij, ky rast nuk është i izoluar, pasi arrestime të shtetasve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi po përsëriten.

Koci kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë për këto arrestime, pa përjashtuar edhe masa politike, “përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”.

“Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, shkroi ai.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk kanë reaguar për këtë rast.

Ende nuk dihet se nën çfarë pretendimesh është arrestuar Lozhani.

Por, Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave. /rel/

The post Serbia arreston një veteran të UÇK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje shiu në territor, në jugperëndim shtrëngata afatshkurtra

5 February 2026 at 07:30

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e enjte vendi ynë ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet me vranësira mesatar e deri të dendura  si dhe alternime kthjellimesh prej orëve të mesditës kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në zonën e jugperëndimit hera-herës reshje në formën e shtrëngatave afatshkurtra.

Pas orëve të pasdites reshjet humbasin territor duke mbetur prezente përgjatë vijës bregdetare me intensitet kryesisht të ulët. Në relievet e larta malore në verilindje-juglindje të vendit reshje bore me intensitet të ulët.

Era ka fryrë me drejtim kryesor juglindje-jugperëndim me shpejtësi 7m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare era fiton shpejtësi 10m/s, me valëzimin në det të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat

Shkodër

4/13 Re shi diell

Kukës

2/13 Re shi/borë diell

Lezhë

5/13 Re shi diell

Dibër

2/10 Re shi/borë diell

Durrës

9/17 Re shi diell

Tiranë

10/17 Re shi diell

Elbasan

7/15 Re shi diell

Berat

9/17 Re shi diell

Vlorë

12/17 Re shi diell

Korçë

4/10 Re shi/borë diell

Gjirokastër

7/16 Re shi diell

Sarandë

8/17 Re shi diell

 

The post Reshje shiu në territor, në jugperëndim shtrëngata afatshkurtra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LVV, kritika Kushtetueses për aktgjykimin mbi nënkryetarin serb

4 February 2026 at 21:41

PRISHTINË, 4 shkurt/ATSH/ Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të plotë lidhur me ankesën e Listës Serbe për nënkryetarin e Kuvendit. LVV kritikon Gjykatën Kushtetuese për zgjerim të kompetencës përtej mandatit kushtetues.

Vetëvendosje në një reagim në Facebook, shkruan se Kushtetuesja brenda katër muajsh, për të njëjtën çështje, sipas tyre ka ndërruar jurisprudencën pa asnjë ndryshim normativ apo faktik.

“Parimi i sigurisë juridike është element strukturor i shtetit demokratik dhe kusht sine qua non për legjitimitetin e vet autoritetit gjyqësor. Një gjykatë kushtetuese që ndryshon qëndrimin për çështje identike kushtetuese, pa asnjë ndryshim normativ, faktik apo sistemik, cenon jo vetëm parimin e parashikueshmërisë të së drejtës, por edhe besimin e qytetarëve në koherencën e rendit kushtetues”, shkruan LVV.

Sipas Vetëvendosjes, një ndryshim i tillë nuk mund të justifikohet si zhvillim i jurisprudencës, pasi mungon elementi thelbësor i tij evolucioni i rrethanave normative ose shoqërore.

“Në këto kushte, ndryshimi i qëndrimit merr karakterin e një përdorimi formal të kompetencës gjyqësore për të prodhuar një rezultat të ri normativ, çka përbën formë klasike të abus de droit”, thuhet në reagimin e saj.

Më tej thuhet sipas VV-së, Gjykata Kushtetuese nuk ka rol kontrollues mbi legjislativin, as rol arbitri politik. “Ajo ka vetëm një rol: autoritetin përfundimtar në interpretimin e çështjeve kushtetuese. Ky autoritet nuk i jep mandat të krijojë norma të reja, të shpikë kritere përfaqësimi apo të vendosë kushte që Kushtetuta nuk i njeh”, thuhet në komunikatë.

Sipas VV-së, Gjykata aktuale Kushtetuese është duke bërë hermeneutikë të teksteve të veta. “Kur Gjykata Kushtetuese bëhet autoreferenciale, ajo kalon jashtë kufijve kushtetues. Kushtetuta nuk interpretohet përmes vetëvendimeve të Gjykatës, por përmes tekstit, strukturës dhe qëllimit të saj”.

VV vlerëson se zgjerimi i rolit të Gjykatës Kushtetuese me këtë përbërje nuk është rastësi e as rast i izoluar.

“Në vijimësi, edhe në shumicën e kolegjeve të kaluara, me disa përjashtime, është ndjekur e njëjta prirje: zgjerim gradual i kompetencës përtej mandatit kushtetues. Në këtë mënyrë, qëllimisht po formësohet një pol pushteti paralel dhe i padukshëm nga sovrani, i cili shfaqet sa herë demokracia fillon të marrë hov dhe jeta realpolitike prodhon kontradikta”, thuhet në reagim.

Po ashtu sipas VV-së, dhjetra ligje reformuese e me interes për vendin Gjykata Kushtetuese i ka bllokuar, e pastaj shfuqizuar pjesërisht ose në tërësi shumicën prej tyre.

“Kjo luftë e tyre ndaj Qeverisë po bën aq shumë dëme: nga rrëzimi i Ligjit për çmime tavan për produktet bazë e deri te bllokimi tash e 770 ditë i Ligjit për Fondin Sovran të Kosovës”.

Sipas VV-së: “Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë: nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjidhet nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe me shumicën e votave të Kuvendit. Ajo nuk flet për shumicën e deputetëve serbë, as për legjitimitet të brendshëm komunitar dhe as për ekskluzivitet partiak. Çdo kriter shtesë është krijim norme, jo interpretim”, thuhet në reagim.

VV thekson se dispozitat e Propozimit gjithëpërfshirës të Ahtisarit njohin përfaqësimin e komuniteteve, jo dominimin e një subjekti politik mbi institucionet.

“Aty flitet për komunitete, jo për parti. Gjykata Kushtetuese sot po bën të kundërtën, po e ngushton Propozimin e Ahtisarit përtej tekstit dhe qëllimit, duke krijuar në praktikë një të drejtë vetoje për një subjekt konkret politik Listën Serbe. Gjykata Kushtetuese po dëshiron të kapërcejë ekipin negociator të vitit 2006 dhe Ahtisaarin në 2007. Teksa Kushtetutën për këtë çështje tashmë e ka shndërruar në materie diskutimi dhe tkurrjeje, jo zbatimi”, thuhet më tej në reagimin e gjatë të VV-së.

Sipas Vetëvendosjes, çdo interpretim që e sakrifikon këtë funksionalitet për hir të një subjekti politik, i cili për më keq s’e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, nuk e mbron rendin kushtetues dhe e dëmton atë.

“Sipas Kushtetutës ne jemi shoqëri multietnike, jo shtet multietnik, sepse jemi Republikë demokratike e parlamentare dhe jo federatë a konfederatë. Këtë nuk mundet ta ndërrojë asnjë gjykata, as kjo kushtetuesja”, thuhet në kështu në fund të reagimit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar sot aktgjykimin e plotë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke theksuar se nënkryetari propozohet nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti.

Aktgjykimi i plotë publikohet disa ditë pasi Kushtetuesja publikoi një njoftim lidhur me këtë vendim sa i përket zgjedhjes së Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit gjatë legjislaturës së kaluar, duke gjetur se ai ishte zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Më 16 tetor të vitit të kaluar, Lista Serbe, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me ankesë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.

Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Por, as Kurti dhe as mandatari i dytë, Glauk Konjufca, nuk arritën t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja, më 28 dhjetor 2025. Nga këto zgjedhje, VV doli e para sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, me 51.10 për qind të votave, por ende nuk ka rezultat përfundimtar nga KQZ. /KosovaPress/

The post LVV, kritika Kushtetueses për aktgjykimin mbi nënkryetarin serb appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lëkundje sizmike në qarkun Korçë me magnitudë deri në 4.1 ballë

4 February 2026 at 20:33

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi se gjatë mbrëmjes së sotme, në orën 19:50, janë regjistruar disa lëkundje sizmike në qarkun Korçë, me epiqendër në zonën Hoçisht – Bilisht – Korçë, sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave.

Të dhënat tregojne se magnituda maksimale e lëkundjeve sizmike ka qenë 4.1 ballë ndërsa thellësia 5–15 km.

AKMC njoftoi se deri në këto momente nuk raportohet për dëme ndërkohë që situata po monitorohet dhe çdo informacion i ri do të përcillet në vijim.

The post Lëkundje sizmike në qarkun Korçë me magnitudë deri në 4.1 ballë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌