TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal te një nga momentet më të veçanta të kësaj jave, vizita në Vatikan.
Ndryshe nga vizitat e mëparshme, Rama theksoi se kjo vizitë kishte një domethënie të veçantë, pasi përfshiu edhe një ndalesë të paharrueshme në Bazilikën “Zoja e Këshillit të Mirë”, vend ku ruhet shëmbëlltyra e Shën Marisë, e shkëputur nga muri i Kishës së Vjetër të Shkodrës në vitin 1467.
Kryeministri informoi se kishte ftuar Papën në Shqipëri, në festën e madhe të komunitetit katolik, pikërisht për 130 vjetorin e shpalljes së “Zojës së Këshillit të Mirë” nga Papa Leone XIII, mbrojtësja e Shqipërisë, “Regina Di Albania”.
Kryeministri u shpreh se asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur më parë pragun e kësaj bazilike, duke shtuar se rëndësinë e kësaj ndalese e kishte kuptuar plotësisht vetëm së fundmi.
Bazilika “Zoja e Këshillit të Mirë” përbën një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore shqiptare jashtë vendit, me vlera të veçanta historike dhe fetare.
Një tjetër veçanti e kësaj bazilike është fakti se ajo ndodhet nën kujdesin e Urdhrit Augustinian, një urdhër me peshë të veçantë në historinë e Kishës Katolike, të cilit i përket edhe papa Leone XIV.
Papa Leone i XIV, ndalesën e parë, pasi u zgjodh dhe pasi doli tymi i bardhë mbi Selinë e Shenjtë ishte pikërisht vizita në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë. Dhe lutja përpara pikërisht atij imazhi të ardhur nga Shkodra.
Kryeministri vlerësoi se një tjetër moment emocionues ishte edhe qëndrimi në sallën e pritjes përpara audiencës me Papa Luanin XIV ku u ktheva mbrapa në kohë.
“Në po atë sallë, në pritje të takimit të paharrueshëm me Papa Françeskun, pasi ai ishte zgjedhur Papë dhe pasi unë isha zgjedhur kryeministër, dhe prej ku, u krijua baza e një miqësie të jashtëzakonshme, e një miqësie, e cila është një ndër gjërat më të bukura të jetës time. E për këtë arsye, edhe homazhi në varrin e thjeshtë, po shumë të bukur, të Papa Françeskut, i cili u bë dhe një mik i madh i Shqipërisë, i cili e mbajti gjithmonë vendin tonë në lutjet e tij, duke përcjellë mesazhe të vazhdueshme dashurie, afërsie, respekti, mirësie për popullin shqiptar, ishte absolutisht prekës”, tha ai.
Nga ana tjetër, vijoi Rama, patjetër që ishte me një peshë të veçantë, siç mund të kuptohet edhe prezantimi me Papa Leone XIV.
“Një karakter, një natyrë krejt e ndryshme nga e Papa Françeskut, por një njeri me një dritë, me një mirësi të thellë, me të cilin sigurisht që folëm për Shqipërinë, folëm për rajonin, folëm për botën dhe të cilin e ftova që të jetë i pranishëm në festën e madhe të komunitetit katolik, pikërisht për 130 vjetorin e shpalljes së “Zojës së Këshillit të Mirë” nga Papa Leone XIII, mbrojtësja e Shqipërisë, “Regina Di Albania”. Nuk e di a do të jetë e mundur, por gjithsesi ftesa u bë dhe Papa u shpreh shumë i interesuar”, deklaroi Rama.
Ndërkohë, kryeminsitri u shpreh se edhe takimi me Sekretarin e Shtetit kardinalin Parolin ishte pjesë e vizitës. Ai e vlerësoi si një njeri të rrallë, një personalitet i madh, një njohës i jashtëzakonshëm i punëve të botës dhe po ashtu një dashamirës i jashtëzakonshëm i Shqipërisë.
/r.e/
The post Rama: Bazilika “Zoja e Këshillit të Mirë”, një vlerë e trashëgimisë shpirtërore shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.