Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 23 January 2026Main stream

Dënimi në Greqi / Irena Gjoka, letër KLGJ: Nuk jam njoftuar, asnjë pengesë të vijoj punën si gjyqtare

23 January 2026 at 20:44

Gazeta Si – Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, i ka dërguar një letër shpjeguese Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), në të cilën sqaron arsyet pse nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një vendim gjyqësor grek, për të cilin ajo pretendon se nuk ka pasur asnjëherë dijeni.

Në letrën e saj, Gjoka thekson se nuk është njoftuar në asnjë mënyrë për procesin gjyqësor, duke ia bërë të pamundur të reagojë apo të paraqitet në gjykatë.

Sipas saj, pavarësisht këtij fakti, personalisht nuk është njoftuar, as zyrtarisht dhe as faktikisht për procesin gjyqësor administrativ apo ndonjë proces tjetër të zhvilluar ndaj saj në gjykatat e shtetit grek.

Gjyqtarja shpjegon se ngjarjet që çuan deri te vendimi gjyqësor, filluan më 24 dhjetor 2002, kur ajo u ndalua në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë.

“Kam vlerësuar se autoritetet greke nuk kanë pasur asnjë arsye të ndalojnë hyrjen time në Greqi dhe për këtë arsye jam pajisur me një vizë tjetër, pranë konsullatës greke në Shqipëri”.

Ajo tregon se edhe në 13 shkurt 2003 është ndaluar sërish të hyjë në Greqi, duke e konsideruar këtë masë të padrejtë dhe arbitrare.

Në vijim, Gjoka sqaron se ka autorizuar një përfaqësues, shtetasin Andon Konomi/Ikonomou, “për të kundërshtuar për llogari të saj masën administrative të marrë në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare nga autoritetet greke, pranë Ministrisë së Rendit Publik Athinë apo çdo institucioni tjetër, për të kryer çdo lloj veprimi që nuk është i ndaluar me ligj, lidhur specifikisht me masën e ndalimit të hyrjes të dhënë ndaj saj.

Për të gjithë procesin gjyqësor në Greqi, Gjoka tregon se është njoftuar për herë të parë shumë vite më vonë, përmes përfaqësuesit të saj dhe dokumenteve që u përcollën nga autoritetet greke përmes Prokurorisë së Përgjithshme.

“Jam informuar për herë të parë për vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë me nr.1447/2005, datë 07.06.2005, sipas së cilit rezultoj e dënuar në mungesë nga kjo gjykatë në datë 07.06.2005, pa praninë e një mbrojtësi, pa u njoftuar për procesin ndaj meje”.

Ajo sqaron gjithashtu natyrën e veprës për të cilën është dënuar, duke argumentuar se nuk është një vepër penale, por administrative.

“Nga aktet që më janë dorëzuar nga përfaqësuesi im, si dhe aktet e përcjella nga autoritetet greke… rezultoj e dënuar për veprën e parashikuar në paragrafin 7 të nenit 54 të ligjit 2910/2001 me titull ‘Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek’, me tre muaj burgim dhe 1500 Euro gjobë. Dënimi me burgim është konvertuar me gjobë në masën 4,4 Euro në ditë”, thekson Gjoka.

Gjyqtarja shton se në vendimin e Gjykatës së Janinës, nuk përmendet kurrë se ajo ka kryer një shkelje penale.

“Çmoj të theksoj se, në të gjithë përmbajtjen e vendimit të Gjykatës së Janinës të dhënë ndaj meje, nuk përmendet në asnjë moment përcaktimi i shkeljes së pretenduar si të kryer nga unë, e natyrës ‘penale’, por ajo cilësohet në të gjitha rastet si një ‘vepër’, ‘shkelje’ e cila parashikohet nga paragrafi 7 i nenit 54 të Ligjit nr. 2910/2001”.

Në përfundim, Irena Gjoka shpreh rezerva lidhur me ligjshmërinë e vendimit dhe procedurën. “Lidhur me vendimin e sipërpërmendur, shpreh rezervat e mia sa i takon ligjshmërisë në thelb të këtij vendimi, por edhe ligjshmërisë së aspekteve proceduriale të marrjes së tij”.

Në përfundim, gjyqtarja thekson se as Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka bazë për të nisur procedim disiplinor.

“Vendimi i dënimit jo i formës së prerë konsiderohet i paqenë dhe nuk mund të përbëjë shkak për mbarimin e mandatit tim si gjyqtare”, – thekson ajo, duke shtuar se çdo procedim disiplinor do të ishte i pavlefshëm edhe për shkak të kalimit të afatit 5-vjeçar.

Ky reagim vjen pas akuzave publike ndaj gjyqtares, kryesisht nga lideri i PD, Sali Berisha, për shkak se Gjoka gjykonte dosjen “Partizani”.

Ndërsa, KLGJ pritet të shqyrtojë letrën e gjyqtares dhe të vendosë nëse Irena Gjoka ka kryer shkelje e nëse do vijojë detyrën e saj.

The post Dënimi në Greqi / Irena Gjoka, letër KLGJ: Nuk jam njoftuar, asnjë pengesë të vijoj punën si gjyqtare appeared first on Gazeta Si.

Transferimet e oficerëve, GJKKO pushon çështjen ndaj ish-kryepolicit Rrumbullaku

23 January 2026 at 12:35

Gazeta Si – Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO, ka pushuar çështjen ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili po hetohej për shpërdorim detyre në lidhje me dyshimet për transferimet e punonjësve të policisë në Berat.

SPAK tha se nuk gjeti prova për kryerjen e veprës penale për të cilën u bë kallëzimi penal ndaj tij. Në nëntor të vitit të kaluar, Rrumbullaku është pyetur si person në dijeni për rreth një orë në Prokurorinë e Posaçme për hetimin që kishte të bënte me këtë çështje,

Hetimi kishte nisur më herët nga Prokuroria e Beratit, por dosja u transferua në SPAK për shkak të kompetencës. Bëhet fjalë për 20 transferime në radhët e uniformave blu që u dyshua se ishin kryer në shkelje të ligjit.

Muhamet Rrumbullaku u emërua në krye të Policisë së Shtetit më 7 shtator 2022, ndërsa zëvendësoi në këtë post Gledis Nanon, i cili u shkarkua nga kjo detyrë.

Ndërsa në 5 shtator 2024, Rrumbullaku i ka dorëzuar ish-ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha dorëheqjen e tij.

Më parë, Rrumbullaku ka qenë drejtues i SHÇBA-së, e transformuar në Agjenci të Mbikëqyrjes Policore.

The post Transferimet e oficerëve, GJKKO pushon çështjen ndaj ish-kryepolicit Rrumbullaku appeared first on Gazeta Si.

Ministri i Drejtësisë kërkon hetim për gjyqtaren e Korçës: Nuk zbardhi vendimin për 14 muaj

23 January 2026 at 11:32

Gazeta Si – Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i është drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) me një kërkesë zyrtare për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Eglantina Mikani, për shkelje të rënda procedurale në trajtimin e një çështjeje penale ndaj R.F., i akuzuar për veprën “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.

Sipas dokumentacionit, vendimi penal është shpallur më 14 dhjetor 2022, ndërsa vendimi i arsyetuar dhe dosja përkatëse janë depozituar në sekretarinë gjyqësore vetëm më 7 mars 2024, pra me një vonesë prej 14 muajsh e 24 ditësh, në kundërshtim flagrant me afatet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.

Ministri Lamallari vlerëson se kjo vonesë e pajustifikuar ka prodhuar pasoja konkrete juridike, pasi vendimi ka marrë formë të prerë më 20 maj 2024, duke i hequr të pandehurit mundësinë për të përfituar nga amnistia e parashikuar në ligjin nr. 33/2024.

Në kërkesën drejtuar ILD-së, argumentohet se veprimet e gjyqtares bien ndesh me parashikimet e Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale, të cilat detyrojnë gjyqtarët të shpallin dhe arsyetojnë vendimet gjyqësore brenda afateve ligjore, pa përjashtime dhe pa vonesa të pajustifikuara.

Ky është rasti i dytë që nga marrja e detyrës në të cilin Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i drejtohet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për hetim disiplinor ndaj një gjyqtari për shkeljet procedurale që cenojnë të drejtat e qytetarëve dhe besimin e publikut te drejtësia.

Në muajin dhjetor ministri Lamallari kërkoi nga ILD hetim disiplinor për gjyqtarin e Lezhës, Ilir Përdeda, i cili gjithashtu për një vit nuk e zbardhi vendimin e dhënë prej tij.

The post Ministri i Drejtësisë kërkon hetim për gjyqtaren e Korçës: Nuk zbardhi vendimin për 14 muaj appeared first on Gazeta Si.

Si i mashtronte qytetarët 60-vjeçarja, duke u marrë parà si ‘avokate’!

23 January 2026 at 10:53

Gazeta Si – Një rast mashtrimi i një 60-vjeçareje në Fier, u zbulua pak kohë më parë, teksa hiqej si avokate dhe kishte arritur t’u merrte qytetarëve shuma të ndryshme monetare.

Gruaja, u premtonte atyre zgjidhjen e çështjeve të ndryshme ligjore e gjyqësore përfshirë legalizimin e pronave, procedurat e pensionit apo çështjes e pronësisë.

Prokuroria e Fierit ka njoftuar përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim për të pandehurën K.K., e cila u ka marrë paratë qytetarëve pa u kryer asnjë prej shërbimeve të premtuara.

Në total 8 persona rezultojnë të jenë mashtruar nga e pandehura në zonën e Lushnjës dhe Fierit. Hetimi ka zbuluar gjithashtu se e pandehura ka kryer veprime në dukje të një përfaqësimi ligjor në një kohë kur nuk kishte status aktiv për ushtrimin e profesionit të avokatit, si dhe ka përfituar të ardhura nga ky aktivitet pa i deklaruar ato pranë organeve tatimore.

Në disa episode, viktimat janë siguruar nga e pandehura se procedurat ishin në vijim dhe se çështjet do të përfundonin brenda afateve të caktuara, ndërkohë që më pas komunikimi me të është ndërprerë dhe nuk është dhënë asnjë rezultat konkret.

Në raste të tjera, rezulton se janë dhënë informacione të pavërteta mbi ekzistencën e proceseve gjyqësore apo aplikimeve administrative, të cilat, pas verifikimit pranë institucioneve përkatëse, nuk kanë rezultuar të jenë bërë prej saj.

Nga të dhënat e administruara, rezulton se për disa vite ajo ka ushtruar aktivitet ekonomik faktik, ndërkohë që figuronte me status pasiv në regjistrat tatimorë, duke mos deklaruar të ardhurat e përfituara dhe duke shmangur detyrimet përkatëse tatimore.

The post Si i mashtronte qytetarët 60-vjeçarja, duke u marrë parà si ‘avokate’! appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Gjykata Kushtetuese kalon në seancë publike çështjen ‘McGonigal’

22 January 2026 at 14:39

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Kushtetuese ka kaluar në seancë ankimin e PD për ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen e McGonigal, që u refuzua nga mazhoranca socialiste.

Në kërkesën e tyre, deputetët kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të përcaktojë detyrimin e Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.

Paralelisht, deputetet kërkojnë edhe ngritjen e një komisioni të dytë hetimor, i cili do të ketë për objekt kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe verifikimin e përdorimit të burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025.

The post Gjykata Kushtetuese kalon në seancë publike çështjen ‘McGonigal’ appeared first on Gazeta Si.

Pezullimi i Ballukut, SPAK kundër qeverisë: Masa të mbetet në fuqi, nuk preket kryeministri

22 January 2026 at 13:48

Gazeta Si – Gjatë seancës publike në Gjykatën Kushtetuese, SPAK ka kërkuar që të lihet në fuqi masa për pezullimin e nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur si e dyshuar për abuzimin me tenderin e Tunelit të Llogarasë.

Prokurori Dritan Prençi, parashtroi argumentet e SPAK, duke theksuar që në fillim se ndryshe nga çfarë pretendon Këshilli i Ministrave, nuk ka një konflikt kompetencash mes GJKKO dhe Qeverisë.

Prençi theksoi se kryeministri, si palë paditëse, nuk ka legjitimitet për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në këtë rast, pasi nuk është subjekt i procedimit penal dhe nuk i janë cenuar kompetencat kushtetuese.

Sipas SPAK, “nuk ekziston asnjë konflikt kompetencash që të justifikojë aktivizimin e Kushtetueses” për këtë rast.

SPAK argumentoi se GJKKO ushtron kompetencat e saj në kuadër të procedimit penal, ndërsa Kryeministri “vepron mbi bazën e Kushtetutës në një sferë krejtësisht tjetër”.

Sipas Prençit, “masat e sigurisë janë masa personale, kompetencë ekskluzive e gjykatës, dhe se ato janë të ankimueshme vetëm përmes rrugëve dhe shkallëve të tjera të gjyqësorit”.

Kërkesa e Kryeministrit, sipas SPAK, nuk lidhet me mbrojtjen e kompetencave institucionale, por synon të ndërhyjë në një proces penal në zhvillim, gjë që bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve.

Pra, sipas SPAK, në “Kushtetuese mund të shkonte vetë Balluku, vetëm pasi të kishte ezauruar ankimin në Apelin e GJKKO-së dhe rekursin në Gjykatën e Lartë”.

Sa i përket pretendimit se pezullimi i Ballukut ka penguar ushtrimin e kompetencave të kryeministrit, SPAK e cilësoi këtë argument të pabazë.

“Masa ndaluese prek vetëm individin dhe jo funksionimin e institucionit, ka natyrë të përkohshme dhe është e domosdoshme për garantimin e vijimit normal të hetimit penal”, – argumentoi Dritan Prençi.

Sa i takon pretendimeve të qeverisë se Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra pa autorizim nga Kuvendi, pasi gëzon imunitetin e deputetit, SPAK theksoi se qeveria tenton të barazojë funksionin legjislativ të deputetit me funksionin ekzekutiv të ministrit. Mandati i deputetit dhe detyra e ministrit, sipas SPAK, nuk krijojnë një status të vetëm juridik.

Prençi nënvizoi se Balluku ka ndikuar në procesin e marrjes së provave, duke qenë se është rikthyer në detyrë.

“Duke patur parasysh edhe rolin dhe funksionin e lartë shtetëror të zonjës Balluku, dhe kemi argumentuar në parimin e proporcionalitetit, nevojat për marrjen e provave, hetimet, me dëshmitarë dhe siç kemi argumentuar edhe në kërkesën tjetër në Kuvend, që realisht kanë ndërhyrë në procesin e hetimit dhe ka cenuar marrjen e provave”, tha prokurori i SPAK.

Më tej, Prençi përmbylli se masa duhet të mbetet në fuqi dhe kërkesa e kryeministrit të rrëzohet.

“Vendimet e GJKKO janë marrë nga organi kompetent dhe nuk cenojnë pushtetet. Masa duhet të mbetet në fuqi si masë e domosdoshme dhe propocionale për garantimin e vijimit të procesit penal. Kërkesa e kryeministrit në tërësinë e saj nuk duhet të pranohet”, tha Prençi.

The post Pezullimi i Ballukut, SPAK kundër qeverisë: Masa të mbetet në fuqi, nuk preket kryeministri appeared first on Gazeta Si.

Seanca në Kushtetuese për Ballukun, qeveria: GJKKO nuk ka të drejtë të pezullojë një ministër

22 January 2026 at 12:02

Gazeta Si – Prej orës 10:00 të kësaj të enjteje po mbahet në Gjykatën Kushtetuese seanca publike pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama për të zgjidhur konfliktin e kompetencave të vendimit të GJKKO-së për zv/kryeministren Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për abuzim me tenderin e Tunelit të Llogarasë.

Seanca me relator Sandër Becin, po zhvillohet pa praninë e zv.kryeministres, pasi ajo nuk është palë në këtë çështje.

Këshilli i Ministrave po përballet me dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Si palë të interesuara, kanë dërguar përfaqësues edhe Presidenca dhe Kuvendi.

Ndërkohë, GJKKO nuk ka dërguar përfaqësues me argumentin se pjesëmarrja e tyre si palë do cenonte parimin e ndarjes së pushteteve

Përfaqësuesja ligjore e qeverisë, Irma Qosja

Qeveria: Vendimi i GJKKO-së, në kundërshtim me Kushtetutën

Përfaqësuesja e qeverisë, Irma Qosja, sqaroi se kërkesa për pezullimin e vendimit nga Këshilli i Ministrave, ka të bëjë me marrëdhënien mes tre pushteteve dhe nëse Gjykata Penale ka të drejtë të pezullojë një ministër njësoj siç mund të pezullojë çdo zyrtar tjetër të pushtetit ekzekutiv.

“Kërkesat kanë të bëjnë me marrëdhënien mes tre pushteteve dhe në thelb të këtyre kërkimeve qëndron pyetje. A ka të drejtë Gjykata Penale të pezullojë nga detyra një ministër njësoj siç mund të pezullojë çdo zyrtar tjetër të pushtetit ekzekutiv? Ne vlerësojmë që jo, megjithatë argumentet për këtë i përkasin themelit të çështjes”, tha Qosja.

Ajo tha se vendimi i GJKKO-së është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Në mbështetje të të gjitha argumentave të parashtruara, arrijmë në konkluzionin që dy vendimet e GJKKO, 119 dhe 120 për pjesën e vendosjes së masës ndaluese për pezullimin e ushtrimit të detyrës të zv. Kryeministres dhe Ministrit të Infrastrukturës, si dhe vazhdimin e zbatimit të kësaj mase, janë vendime të nxjerra në kundërshtim me kushtetutën dhe jurispudencën e Gjykatës Kushtetuese. Në këto kushte kërkojmë nga gjykata shfuqizimin pjesërisht të këtyre vendimeve si dhe pranimin e kërkesës sipas objektit”, tha ajo.

Përfaqësuesja e saj, tha se Këshilli i Ministrave është organi që i është pezulluar veprimtaria në një prej fushave të tij, fushën e infrastrukturës dhe energjisë.

“GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra, pezulloi jo vetëm vendimmarrjen e ministrit brenda ministrisë përkatëse, por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë, sepse tashmë ministri i pezulluar nuk mund të propozojë asnjë projekt-akt në kompetencë të tij”, tha Qosja.

Përfaqësuesi i qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, Herald Jonuzaj

Përfaqësuesi tjetër i qeverisë, Herald Jonuzaj duke iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese tha se zv/ministri e ka të ndaluar që të propozojë akte në Këshillin e Ministrave.

“Ligji parashikon që aktet propozohen vetëm nga ministri”, tha ai. Më tej ai bëri me dije se nga momenti që Gjykata Kushtetuese hoqi pezullimin nga detyra të ministres Belinda Balluku, kanë qenë mbi 50 akte që kanë kaluar prej saj.

Gjatë seancës, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Asim Vokshi i drejtoi disa pyetje përfaqësuesve të qeverisë.

“Ky është një terren kushtetues i pashkelur më parë dhe nuk gjejmë një praktikë të mëparshme të ketë trajtuar këtë lloj problematike”, tha ai.

Çshtja “Balluku”

Qeveria kërkon “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Para nisjes së seancës, GJKKO njoftoi se nuk do të marrë pjesë, pasi vlerëson se “nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë”.

Gjithashtu GJKKO thotë se “për sa kohë një çështje konkrete penale është e varur përpara juridiksionit gjyqësor të zakonshëm nuk mund të ndërhyhet nga autoritet të tjera shtetërore pa cenuar nenin 145 të Kushtetutës”. 

Numri 2 i qeverisë aktualisht është rikthyer në detyrë pas një vendimi të Kushtetueses, deri në shqyrtimin e plotë të ankimit të kryeministrit Rama dhe shpalljes së vendimit përfundimtar nëse do ta ‘lejojë’ ose jo precedentin e krijuar nga GJKKO me pezullimin e një anëtari qeverie.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut.

Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar.

Belinda Balluku u pezullua nga detyra si zv/kryeministre dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë më 20 nëntor, pas hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe. Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë vendim deri në shqyrtimin e plotë të çështjes.

The post Seanca në Kushtetuese për Ballukun, qeveria: GJKKO nuk ka të drejtë të pezullojë një ministër appeared first on Gazeta Si.

Dosja 5D/ Apeli i GJKKO-së heq arrestin me burg për Taulant Tushen, lihet në arrest shtëpie

21 January 2026 at 18:28

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata e posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurimit për Taulant Tushen, i arrestuar në kuadër të çështjes së 5D.

Apeli i Posaçëm e ka liruar nga qelia duke e dërguar në masën e sigurimit arrest në shtëpi.

Taulant Tusha, ish-drejtor i Planifikimit të Punëve Publike dhe komisionit të prokurimeve publike në bashkinë e Tiranës, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, e kryer dy herë dhe e kryer në bashkëpunim.

Për periudhën 2016-2020, SPAK ka zbuluar se “5D Konstruksion” sh.p.k ka marrë 12 tendera publikë, duke shkelur rregullat e prokurimit dhe duke siguruar përfitime prej rreth 192.7 milionë lekësh.

Po kjo kompani, ka marrë pjesë në tendera të organizuar nga UKT, Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”, duke u favorizuar nga të pandehurit që ushtronin funksione publike. Përfitimet monetare janë përdorur për blerjen e pasurive dhe financimin e aktiviteteve të tjera tregtare.

The post Dosja 5D/ Apeli i GJKKO-së heq arrestin me burg për Taulant Tushen, lihet në arrest shtëpie appeared first on Gazeta Si.

Lamallari prezanton Kodin Penal: Ashpërsim dënimi për abuzimet seksuale, parkimin e dyfishtë e ndërtimet pa leje

21 January 2026 at 14:50

Nga Gazeta Si- Korrigjimet në Kodin Penal ekzistues parashikojnë ashpërsimin e veprave penale me natyrë seksuale në raport me fëmijët, trafikimin e qenieve njerëzore apo shfrytëzimin e njeriut.

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve paketën e ndryshimeve për Kodin Penal, që do të miratohet në javën pasardhëse.

Ashpërsime do të ketë për zaptimin e paligjshëm të tokës dhe ndërtimet pa leje, sidomos për zonat e mbrojtura. Rishikime do të ketë dhe për zjarrvënësit kur qëllimi është tjetërsimi i tokës.

“Ashpërsojmë veprat penale me natyrë seksuale në raport me fëmijët. Trafikimi i qenieve njerëzore, përjashtohet çdo justifikim me pëlqimin e viktimave. Zero tolerancë për shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Ashpërsohen ndjeshëm edhe dënimet për zënien e paligjshme të tokës dhe ndërtimet pa leje, sidomos në zonat e mbrojtura”, tha Lamallari, duke shtuar se dënime të ashpra do të ketë edhe për parkimin e dyfishtë.

“Dënohet parkimi i dyfishtë më shumë kur pengon mjetet e emergjencës”, thotë Lamallari.

Gjithashtu, projektligji forcon mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërsa ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre.

Në përfundim, ministri e cilësoi paketën si një reformë të guximshme dhe të domosdoshme, që synon jo vetëm ndëshkimin e krimit, por edhe parandalimin dhe garantimin e sigurisë për qytetarët, duke ndërtuar një sistem penal modern dhe plotësisht të përputhshëm me standardet europiane.

The post Lamallari prezanton Kodin Penal: Ashpërsim dënimi për abuzimet seksuale, parkimin e dyfishtë e ndërtimet pa leje appeared first on Gazeta Si.

Xhaxhai i Aleks Nikës takon prokurorin e çështjes dhe akuzon Berishën për ’21 Janarin’: Nuk duam hakmarrje

21 January 2026 at 12:46

Gazeta Si – Pas zhvillimit të homazheve para kryeministrisë për viktimat e “21 Janarit”, xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, ka marrë informacione në SPAK nga prokurori i çështjes, Alfred Shehu, për t’u informuar mbi hecurinë e hetimeve.

Nika u shpreh se zëri në audio-regjistrimin e dorëzuar prej tij në SPAK dhe e dërguar për ekspertizë jashtë vendit, është identifikuar, por nuk jep më tepër detaje.

“Do të takoj prokurorin për ta pyetur për ecurinë e hetimeve, jemi palë në procesin hetimor dhe janë të detyruar të na japin shpjegime. Nuk kemi informacion deri tani. Janë bërë ekspertimet, zëri është identifikuar i kujt është, janë sekrete hetimore. Kam kërkuar unë takim”, tha Mark Nika pak para se të hynte në Prokurorinë e Posaçme.

Pasi doli nga SPAK, Nika u shpreh se prokurori Alfred Shehu i kishte shpjeguar se hetimet po ecnin dhe kanë përparim.

“Se kur do të përfundojnë, kjo është një çështje e tyre. Nuk u futa në hollësi, Ne kërkojmë me insistim që çështja të avancojë. Drejtësinë e kemi kërkuar nga drejtësia, jo nga e vjetra, por tani nga SPAK. Drejtësinë e duam vetëm nga SPAK”, tha ai ai.

Nika akuzoi ish-kryeministrin e kohës Sali Berisha si përgjegjësin kryesor, duke përmendur dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha.

Ndër të tjera ai tha se vënia në vend e drejtësisë, nuk është përgjegjësi e Edi Ramës dhe mazhorancës.

“Nuk është përgjegjësia e mazhorancës, nuk kemi as komunikim për këtë punë. Nuk kam kërkuar kurrë nga Rama për drejtësi, drejtësinë e dua nga SPAK. Këtë kërkova dhe unë pse po vonohet. Prokurori i çështjes më tha që janë veprime që duhet të restaurohet dosja e vjetër. Hollësira nuk më dha prokurori, ai do të zbatojë procedurat kaq mund të më thoshte ai mua. Në kuptimin e ekzekutimit të tij, në planin politik, dihet është Partia Demokratike, Berisha. Ai ka qenë kryeministër, ministër i Brendshëm ka qenë Lulzim Basha. Po të jenë trima le të thonë e kemi bërë ne. Ata e fshehin, pse e fshehin kur nuk ke faj? Pse ik Pse fshihesh. pse bën manipulimin e provave? Ndërsa prokurori i çështjes po heton me kompetencë procedurat. Kanë frikë edhe dëshmitarët. Kanë presion nga ata që e kanë bërë krimin”, tha Nika

Nika theksoi se çështjen tanimë ia kanë lënë SPAK-ut në dorë, duke nënvizuar se nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi.

“21 Janari për ne ishte ditë tragjike. Koha për politikanët, pushtetarët dhe diplomatët e huaj mbaroi. Çështja e 21 Janarit nuk është më një debat politik, por një çështje penale që kërkon përgjegjësi ligjore dhe drejtësi të plotë. Ne nuk duam hakmarrje, por drejtësi”.

The post Xhaxhai i Aleks Nikës takon prokurorin e çështjes dhe akuzon Berishën për ’21 Janarin’: Nuk duam hakmarrje appeared first on Gazeta Si.

Vlorë, i sekuestrohen 400 mijë euro pasuri të dënuarit për trafik droge

21 January 2026 at 11:55

Gazeta Si – Me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, gjykata ka vendosur sekuestrimin e pasurive të 40-vjeçarit Arjan Rrokaj, i cili më herët është dënuar për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria bën me dije se ndaj Rrokajt janë sekuestruar disa apartamente, njësi të ndryshme (garazhe apo ambiente zyre) si edhe automjete, me një vlerë të përgjithshme rreth 400 mijë euro.

Sipas organit të akuzës, pasuritë në fjalë nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme dhe dyshohet se janë përfituar përmes veprimtarive të paligjshme.

Arjan Rrokaj është dënuar nga Gjykata e Breshias me 8 vite burg për akuzat e mësipërme dhe në mars të vitit 2025 u arrestua në Vlorë me qëllim ekstradimin drejt Italisë për vuajtjen e plotë të dënimit.

The post Vlorë, i sekuestrohen 400 mijë euro pasuri të dënuarit për trafik droge appeared first on Gazeta Si.

Rama: “21 Janari”, gropë e hapur që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë së re

21 January 2026 at 10:44

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë ceremonisë së përkujtimit të katër viktimave të 21 Janarit se kjo çështje është një “gropë e hapur që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë së re”.

Në ceremoninë e mbajtur në godinën e Kryeministrisë, ku të pranishëm ishin edhe familjarë të katër viktimave që u vranë në 21 janar të vitit 2011, Rama ndau të vërtetën sipas tij, lidhur me përgjegjësinë ndaj jetëve të sakrifikuara të katër dëshmorëve, si edhe dhe zotimin për të bërë drejtësi për “21 Janarin”.

“Ne e kemi mbajtur me dinjitet të lartë atë përgjegjësi dhe nuk e kemi tradhtuar aspak zotimin solemn, përderisa duke pavarësuar drejtësinë nga pushteti politik dhe duke ngritur SPAK-un dhe Gjykatën Speciale kemi krijuar për herë të parë kushtet për fundin e pandëshkueshmërisë me ligj, jo me zakon”, tha Rama, ndërsa theksoi se kjo është bërë përmes organeve të drejtësisë, jo përmes partisë dhe qeverisë.

“Kush kërkon nga ne pse nuk është bërë drejtësi për 21 Janarin. të “shohë” te stacioni i trenit, jo te kjo godinë. Sepse nga kjo godinë ka dalë bërthama e Reformës në Drejtësi dhe në godinën përballë është çelur ajo bërthamë dhe në godinën e Parlamentit është bekuar ajo farë e drejtësisë së pavarur nga pushteti politik”, tha ai.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se “nuk është pushteti politik as i qeverisë, as i shumicës së parlamentit, as i partisë apo i gjitha partive që duhet të bëjë punën në kanalet e hetimeve dhe në sallat e gjyqeve. Është një pushtet tjetër që duhet t’i bëjë këto”.

Ai shtoi se deri kur drejtësia e re nuk do ketë bërë gjyqin e vërtetë të 21 Janarit ajo do të jetë një drejtësi gjithmonë e më e vjetër.

“Por, drejtësinë për vet 21 Janarin, asnjë vjetërsirë e vjetër apo e re nuk do mund ta mohojë dot pafundësisht vendosjen e këtij guri themeli, sepse 21 Janari si çështje e hapur, është gropë e hapur në themelet e drejtësisë së re, është një gropë e hapur që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë së re”, pohoi Rama.

Në fund të fjalës, Rama pohoi se “drejtësia për 21 Janarin është themel moral për drejtësinë e re dhe për shtetin shqiptar të së drejtës”.

“Të tjerat, përpara 21 Janarit, janë si hetimet dhe gjyqi i kafeve të Nexhmijes”, përfundoi Rama.

/e.i/r.e/

The post Rama: “21 Janari”, gropë e hapur që vë në dyshim të fortë moralin e drejtësisë së re appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama mes vetëlavdërimit dhe sulmeve ndaj drejtësisë, mediave dhe qytetarëve

By: Elva
20 January 2026 at 19:31

Kryeministri Edi Rama po i përdor gjithnjë e më hapur rrjetet sociale si një mur propagande, ku vetëlavdërohet për nderimet që, sipas tij, i bëhen nga shtete të huaja dhe sulmon këdo që e kritikon: gjyqtarë, prokurorë, media, gazetarë, opozitë dhe madje edhe qytetarë. Reagimi i fundit i Ramës ishte ndaj seancës së sotme të […]

The post Rama mes vetëlavdërimit dhe sulmeve ndaj drejtësisë, mediave dhe qytetarëve appeared first on BoldNews.al.

Rama sulmon sërish gjyqtarët: Në Kushtetuese po zhvillohet një farsë e shëmtuar për rritje rrogash me gjyq

By: armand
20 January 2026 at 16:36

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj seancës së sotme të Gjykatës Kushtetuese, e cila po shqyrton kërkesën e dy shoqatave të gjyqtarëve për rritjen e pagave. Rama në vazhdën e sulmit ndaj gjyqtarëve dhe organeve të drejtësisë, e ka cilësuar procesin si “farsën më të shëmtuar të imagjinueshme”, duke theksuar se seanca po zhvillohet pa […]

The post Rama sulmon sërish gjyqtarët: Në Kushtetuese po zhvillohet një farsë e shëmtuar për rritje rrogash me gjyq appeared first on BoldNews.al.

Dyshohet se fshehu dënimin në Greqi, Prokuroria i kërkon KLGJ-së të vendosë për Irena Gjokën

20 January 2026 at 11:06

Gazeta Si – Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimet për gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka, e akuzuar se ka gënjyer në formularin e vetëdeklarimit të Vettingut, ku dyshohet se ka fshehur një proces gjyqësor në Greqi për falsifikim dokumentash. 

Organi i akuzës nuk ka publikuar të dhëna për gjetjet përfundimtare të kontrollit të figurës së Irena Gjokës, por thotë se dokumentet janë dorëzuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor që kërkoi një kontroll të dytë të figurës së saj.

Në njoftim thuhet se janë kryer verifikime brenda dhe jashtë vendit. Dokumentacioni i është përcjellë KLGJ-së për të vlerësuar nëse gjyqtarja është apo jo në kushtet e ndalimit për të mbajtur postin që ka sipas parashikimeve të ligjit të dekriminalizimit.

Gjoka ka qenë gjykatëse në disa çështje të bujshme kundër krerëve opozitës, të cilët e kanë akuzuar për njëanshmëri në qëndrimet e saj.

Prej kohësh, kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza të shumta në drejtim të gjyqtares Irena Gjoka ku dhe kërkon largimin e saj nga trupi gjykues i dosjes për aferën “Partizani”.

Berisha ka akuzuar gjyqtaren se ka ndërruar mbiemrin, nga Shpata në Gjoka dhe se është dëbuar nga Greqia për 12 vite nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Verifikimi nisi në vitin 2024 për gjyqtaren Gjoka pas publikimit për herë të parë të disa fakteve nga mediat greke për një urdhër dëbimi të dhënë nga policia e vendit fqinj.

Gazeta “Protothema” publikoi një vendim në të cilin pretendonte se gjyqtarja ka tentuar të futej në Greqi me datë 24 dhjetor 2002, nëpërmjet pikës kufitare Kakavijë, duke përdorur një vizë të falsifikuar konsullore.

Më pas, Gjokës, e cila në atë kohë kishte mbiemër tjetër, i është ndaluar hyrja në vendin fqinj. Ajo ka apeluar vendimin në Gjykatën e Athinës, e cila më pas ia ka kaluar për kompetencë Gjykatës së Janinës, e cila ka në zonën e saj, pikën doganore të Kakavijës.

Sipas medias greke, gjykata vendore e ka rrëzuar pretendimin e Irena Gjokës, duke lënë në fuqi urdhrin e dëbimit.

Ndërsa në maj të vitit 2025, Berisha publikoi një vendim ku thoshte se Irena Gjoka rezulton e dënuar në vitin 2005 me burg dhe gjobë dhe këtë nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit.

“Mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjithshme është regjistruar me nr.40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka (Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike””, njoftoi prokuroria.

The post Dyshohet se fshehu dënimin në Greqi, Prokuroria i kërkon KLGJ-së të vendosë për Irena Gjokën appeared first on Gazeta Si.

SPAK mbyll hetimet, Elvis Roshit i komunikohet akuza për shpërdorim detyre

20 January 2026 at 10:09

Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi i marrë i pandehur për shpërdorim detyre.

Roshi u paraqit sot në SPAK, nën shoqërinë e avokatit mbrojtës Andi Skënderi, ku iu komunikua mbyllja e hetimeve, ndërsa dosja pritet të kalojë për gjykim. 

Elvis Roshi u kallëzua 10 vite më parë në Prokurorinë e Kavajës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në shtator të vitit 2015, pasi ai dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderët e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

Në dy raste, KLSH e akuzoi bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesëmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët.

Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës.

Çështja shkoi më pas në Prokurorinë e Durrësit e cila kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK.

The post SPAK mbyll hetimet, Elvis Roshit i komunikohet akuza për shpërdorim detyre appeared first on Gazeta Si.

‘Call Center‘-at mashtrues në Tiranë, GJKKO lë në burg 8 të arrestuarit

19 January 2026 at 18:18

Gazeta Si – Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për tetë të arrestuarit lidhur me aksionin e SPAK-ut ndaj “Call Center”-ave mashtruese në kryeqytet.

Për dy nga të arrestuarit, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, me një afat prej 20 ditësh. Masat e sigurisë janë si më poshtë:

Remir Gjoligaj- arrest me burg

Endri Gjata- arrest me burg

David Qerimi- arrest me burg

Elis Merkaj- arrest me burg

Rentjan Peposhi – arrest me burg me afat 20 ditë

Odeas Kuqi- arrest me burg me afat 20 ditë

Hysen Xhepexhiu- arrest me burg

Klaudio Kaçupi – arrest me burg

Ata akuzohen se në dy ambiente në katin e nëntë dhe të 13 në një ndërtesë në qendër të Tiranës, përballë katedrales ortodokse, kanë mashtruar shtetas italian dhe evropianë për investime në kriptomonedha.

Kanë qenë gazetarët e emisionit investigativ italian “Le Iene” të cilët kanë dorëzuar në SPAK materiale të punës së tyre që ndihmuan në zbulimin e kësaj veprimtarie.

Sipas njoftimit të SPAK, puna ishte e mirë organizuar me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.

Organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, duke përdorur jo vetëm kamerat, por edhe personel vëzhgimi, jashtë kësaj qendre.

Për dy ditë me radhë SPAK gjurmoi në qendër të kryeqytetit organizatorët e aktivitetit mashtrues, pasi lëviznin ambientet për të mos u kapur.

Në katin e pestë të objektit tjetër në qendër të Tiranës u zbulua një tjetër call center ne ndërtim e sipër.

Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta SIM, dokumente, dhe blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancë, po transportonin një kosh mbeturinash, brenda së cilit kishte sende nga “Call Center”-i tjetër, të cilat ishin duke i asgjësuar.

The post ‘Call Center‘-at mashtrues në Tiranë, GJKKO lë në burg 8 të arrestuarit appeared first on Gazeta Si.

Të përfshirë në një vrasje në vitin 2018 në Dibër, arrestohen dy vëllezër në Gjirokastër

19 January 2026 at 13:31

Gazeta Si – Dy vëllezër, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e një personi në vitin 2018 në Dibër, janë arrestuar gjatë një operacioni policor të koduar me emrin “Twins”.

Sipas një njoftimi, në pranga ranë K.K., 39 vjeç, dhe K.K., 39 vjeç, të dy banues në Gjirokastër. Gjatë kontrollit të banesave të tyre, policia sekuestroi 3 armë zjarri, përfshirë 2 kallashnikovë dhe 1 pushkë, një thikë, 3 krehëra, municion luftarak, një maskë dhe 3 aparate celularë.

Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të verifikuar nëse ato janë përdorur në vrasjen e vitit 2018 ose në ngjarje të tjera kriminale.

Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Dibrës, e cila ka nisur një punë intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vrasjeje. Po ashtu, po vijon puna për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar për këtë ngjarje.

The post Të përfshirë në një vrasje në vitin 2018 në Dibër, arrestohen dy vëllezër në Gjirokastër appeared first on Gazeta Si.

Shtyhet në 2 shkurt seanca paraprake ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj

19 January 2026 at 13:15

Gazeta Si – Shtyhet për në 2 shkurt seanca paraprake ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë, të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Avokatja e caktuar kryesisht për Erion Veliajn, Valentina Teodoresku, ka marrë leje nga gjykata për t’u takuar me Erion Veliajn në paraburgimin e Durrësit dhe për t’u konsultuar lidhur me mbrojtjen e tij.

Kryebashkiaku ishte i pranishëm në seancë ndryshe nga hera e kaluar kur nuk u paraqit me pretendimin se furgoni i drejtorisë së burgjeve kishte mbërritur vonë.

Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së Erion Veliajt, ku avokatët e tij thanë para Gjykatës së Posaçme se kryebashkiaku i Tiranës donte të ishte i pranishëm dhe kishte pritur prej mëngjesit furgonin e shoqërimit në ambientet e paraburgimit të Durrësit.

Sipas tyre, mungesa e Veliajt pa një deklaratë për vullnetin e tij nëse do të ishte apo jo i pranishëm e bënte të pamundur vijimin e seancës.

Por pretendimet e ngritura nga avokatët se nuk është shoqëruar në ambientet e gjykatës u mohuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që i cilësoi si të pavërteta.

Më herët, Gjykata e Posaçme i rrëzoi kërkesat e Erion Veliajt për t’i dhënë akses të njihet me dosjen në burg, si dhe që gjatë seancave gjyqësore të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë.

Po shtu, Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë Erion Veliajn me vendimin e marrë më datë 3 nëntor, ku thuhej se vendimi i qeverisë për shkarkimin e tij si kryebashkiak ishte i kundraligjshëm për faktin se atij nuk iu dha mundësia që të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak, ku u votua me shumicë votash për ta shkarkuar.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt të këtij viti nga SPAK në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash. Në dosjen ndaj tij janë në total 29 të pandehur ku krahas kryebashkiakut të Tiranës është edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe disa përfaqësues të kompanive private dhe organizatave jofitimrurëse.

Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.

Aktualisht çështja ndaj tij është në seancë paraprake dhe pritet të vendoset nëse gjykata do të pranojë çështjen ndaj tij për gjykim të plotë.

The post Shtyhet në 2 shkurt seanca paraprake ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj appeared first on Gazeta Si.

Vrasja e ish-policit, SPAK kërkon 32 vite burg për Leonard Dukën. E ëma e viktimës kërkon dënim me vdekje

19 January 2026 at 12:32

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 57 vite burg për vëllezërit Duka, konkretisht, 32 vite për Leonard Dukën dhe 25 vite për Erlis Dukën, të akuzuar për organizimin dhe vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019 në Tiranë.

Pas dy ditësh, më 21 janar, në orën 11:45 pritet vendimi final i Gjykatës së Posaçme për këtë çështje, ndërsa SPAK ka kërkuar burg edhe për 4 të dyshuar të tjerë si të përfshirë në ngjarje.

Gjatë seancës gjyqësore të kësaj të hëne, vetë Duka deklaroi pafajësinë. “Deklaroj që jam i pafajshëm dhe prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia që të më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia”, tha ai. Ndërsa avokatja e tij, theksoi se konkluzionet e SPAK-ut nuk janë të bazuara në prova dhe në ligj.

Sipas avokates, përgjimet në “SKY ECC” nuk janë të ligjshme dhe se identifikimi që është bërë nga oficeri i Policisë Gjyqësore të kodeve, ka qenë “amator dhe jo i besueshëm”, pasi nuk është ndjekur procedura e standarde.

Gjatë seancës pati edhe debate në sallë. E ëma e viktimës në gjendje të rënduar emicionale kërkoi që Duka të dënohet me vdekje.

“Leonard Duka më ka vrarë djalin. Më solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe më tha që s’kam gjë me Santin, por doli e me vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë”, tha ajo.

Ata akuzohen për “vrasje me paramendim”, “armëmbajtje pa leje”, “trafik narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

I akuzuar si një organizatorët e vrasjes së Santiago Malkos në gusht 2019 në Tiranë, Leonard Duka u ekstradua nga Belgjika vitin e kaluar, pas arrestimit po atje në 14 shkurt 2023.

Për vrasjen e Santiago Malkos vijojnë në kërkim Elis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltion Logu.

Më herët, GJKKO, dënoi me 28 vite burg Ilir Selmanin, ndërsa Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen e Blendi Tetës, i akuzuar po ashtu për këtë çështje.

Emri i Leonard Dukës doli dhe në dosjen e operacionit “Revanshi”, ku u zbardhën komunikime e biseda të zhvilluara në aplikacionin “Sky” dhe “Encrochat”.

Në këto biseda, Duka thurte plane për eliminimin fizik të Ervis Martinajt dhe lidhjeve të afërta të tij shoqërore, siç ishte Erigers Mihasi.

Mbi këto dyshime për Leonard Dukën, SPAK ka ngritur akuzën e sigurimit të kushteve të vrasjes në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Dhunimi i babait të vëllezërve Duka, dyshohet se është edhe shkaku i armiqësisë mes ish-miqve Duka-Martinaj, që kaluan më tej në konflikt të përgjakshëm.

Nga hetimet dhe dëshmitë, rezulton se Malko kishte rrahur babanë e vëllezërve Duka dhe situata kishte denigruar më tej, teksa ish-polici cilësohej si mbështetës i “mbretit të kumarit”, Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej 8 gushtit 2022 pa asnjë gjurmë.

SPAK ka kërkuar masën e dënimit për:

Leonard Duka – 32 vjet burgim/ Dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së Lartë.

Erlis Duka – 25 vjet burgim

Fatmir Hyseni – 32 vite burgim

Aleksandër Manxhaku– 22 vjet burgim

Oltjon Loga – 23 vjet burgim

Dritan Agai– 23 vjet burgim

The post Vrasja e ish-policit, SPAK kërkon 32 vite burg për Leonard Dukën. E ëma e viktimës kërkon dënim me vdekje appeared first on Gazeta Si.

❌
❌