Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 30 January 2026Main stream

Begaj i dorëzon flamurin ekipit përfaqësues në Lojërat Olimpike Dimërore 2026

30 January 2026 at 20:54

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i dorëzoi sot flamurin kombëtar ekipit olimpik “Team Albania” që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore 2026, të cilat do të zhvillohen në datat 6-22 shkurt 2026 në Milano dhe Cortina d’Ampezzo të Italisë.

“Flamuri kuqezi që po merrni sot është i “rëndë”. Ai mban në vetvete pritshmërinë e një vendi të tërë. Flamuri kuqezi nuk ju kërkon domosdoshmërisht medalje, ju kërkon dinjitet. Ai mishëron vlerat e paqes, respektit, krenarisë. Ai i tejkalon kufijtë përmes sportit.  Flamuri kuqezi ju kërkon të tregoni se Shqipëria është aty me ju, është e fortë, e denjë dhe e barabartë mes të barabartëve dhe mes më të mirëve të botës. Nisuni me besim! Garoni fort dhe me nder. Flamuri është në duart tuaja”, deklaroi Presidenti i Republikës, ndërsa i dorëzoi ekipit tonë flamurin kombëtar.

Veç urimit për sukses në Alpet e Italisë, Begaj i shprehu ekipit tonë të skiatorëve mirënjohje dhe përgëzime për atë që kanë arritur në sport, duke e renditur Shqipërinë krah vendeve që kanë traditë shekullore në sportet dimërore dhe njëherazi u uroi sukses në gara.

“Një fakt i tillë na bën të gjithëve krenarë”, deklaroi Kreu i Shtetit.

“Në Lojërat Olimpike të Milanos dhe Cortinës ju do të përfaqësoni Shqipërinë, vendin tuaj, do të mbani ambicien e Shqipërisë që po garon me më të mirët, aty ku deri dje ishim thjesht vizitorë të largët. Fakti që sot renditemi me dinjitet krah vendeve që kanë traditë shekullore në sportet dimërore, duhet të na bëjë të gjithëve krenarë. Kjo tregon se madhësia e një kombi për t’u përfaqësuar në sport e kudo nuk matet vetëm me kilometrat katrorë të pistave të skive që ne mund të kemi, apo terreneve sportive që ne mund të kemi, por matet me madhësinë e zemrës së atyre sportistëve që na përfaqësojnë”, theksoi Presidenti.

“Investimi tek talenti i jashtëzakonshëm i Lara Colturit dhe mbështetja për sportistët tanë, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti, tregojnë qartë se sporti shqiptar ka dalë nga faza e pjesëmarrjes simbolike”, u shpreh Begaj, i cili falënderoi të gjithë kontribuuesit që bënë të mundur arritjen e deritanishme dhe bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët.

Duke iu drejtuar katërshes së ekipit shqiptar që do të përfaqësojë flamurin kuqezi në Lojërat Olimpike Dimërore 2026 në Itali, Kreu i Shtetit theksoi se kjo pjesëmarrje, pavarësisht rezultatit, ju bën fitues të krenarisë së të gjithë shqiptarëve, veçanërisht të brezit të ri që mëson përmes shembullit tuaj se suksesi vjen me disiplinë, me punë, përkushtim dhe pasion.

“Kur të jeni në startin e garës, mbani mend se pas jush janë familjet tuaja, të cilat unë dua t’i falënderoj pafund për sakrificën e tyre, janë federatat dhe Komiteti Olimpik, por pas jush është edhe një popull i tërë që po mësohet të shohë flamurin e tij kuqezi të garojë si i barabartë mes të barabartëve”, deklaroi Presidenti i Republikës.

1 nga 3

/r.e/a.f/

The post Begaj i dorëzon flamurin ekipit përfaqësues në Lojërat Olimpike Dimërore 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria avancon me paketat ligjore për Kapitullin e Mjedisit

30 January 2026 at 20:21

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Ministria e Mjedisit po avancon me përmbushjen e reformave dhe harmonizimin e legjislacionit në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, së bashku me një ekip të ministrisë, u takuan këtë javë me Grupin Ndërinstitucional të Integrimit Europian për Kapitullin 27, me fokus në përshpejtimin e reformave në mjedis dhe përfaqësimin e legjislacionit shqiptar me acquis-in e BE-së.

Gjatë takimit u diskutua rishikimi i Planit të Veprimit, vendosja e një ritmi mujor për dorëzimin e paketave të plota ligjore, si dhe ndërtimi i një sistemi të fortë monitorimi të brendshëm, me qëllim garantimin e koordinimit të institucioneve dhe respektimin e afateve të përcaktuara.

Jaupaj nënvizoi se vitet 2026 dhe 2027 do të jenë një “kantier ligjor” për Kapitullin 27, duke kërkuar angazhim maksimal nga të gjitha institucionet.

Ai theksoi se vetëm përmes koordinimit të vazhdueshëm dhe monitorimit të fortë do të arrihet përmbushja e standardeve europiane dhe avancimi i Shqipërisë në rrugën e integrimit.

Sipas ministrit, implementimi i këtij ritmi dhe ndërtimi i sistemeve të brendshme të monitorimit janë vendimtarë për të siguruar dorëzimin në kohë të paketave ligjore dhe për të garantuar progres real në harmonizimin e legjislacionit mjedisor me BE-në.

1 nga 4

/e.xh/r.e/a.f/

The post Shqipëria avancon me paketat ligjore për Kapitullin e Mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TIA mbyll 2025-ën me 11,6 milionë pasagjerë

30 January 2026 at 20:02

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Transporti ajror në Shqipëri po shënon një rritje të qëndrueshme, si në numrin e fluturimeve, ashtu edhe në pasagjerë, duke reflektuar zhvillimin ekonomik dhe rritjen e kërkesës për lëvizshmëri ndërkombëtare.

Tirana International Airport (TIA) njoftoi se gjatë vitit 2025 u ka shërbyer 11,6 milionë pasagjerëve, duke regjistruar rritje, krahasuar me 10,7 milionë pasagjerë në vitin 2024.

Ky rekord përfaqëson një sukses të rëndësishëm për transportin ajror dhe është një tregues i qartë i rritjes së kapacitetit dhe efikasitetit të infrastrukturës ajrore në vend.

Rrjeti ajror i TIA-së përfshin 68 destinacione, operim me 17 linja ajrore dhe lidhje direkte me 22 shtete, duke ofruar mundësi të gjera për lëvizjen e pasagjerëve, veçanërisht gjatë periudhës së festave të fundvitit.

Rritja e vazhdueshme e trafikut shoqërohet me zgjerim të destinacioneve, përmirësim të shërbimeve dhe investime në infrastrukturë, duke e kthyer TIA-n në një nyjë të rëndësishme lidhjeje për rajonin dhe më gjerë.

Administratori i aeroportit falënderon udhëtarët për besimin dhe mbështetjen e tyre gjatë vitit 2025, duke theksuar se investimet e vazhdueshme synojnë rritjen e cilësisë së shërbimeve, fluksin e fluturimeve dhe mbështetjen e turizmit dhe biznesit në Shqipëri.

/e.xh/r.e/a.f/

The post TIA mbyll 2025-ën me 11,6 milionë pasagjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali pret Albertin, diskutojnë përgatitjet për Forumin e Korridorit VIII në Tiranë

30 January 2026 at 18:29

TIRANË, 30 janar /ATSh/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali priti ditën e sotme në një takim, ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Marco Alberti, me fokus koordinimin e përgatitjeve për mbajtjen në Tiranë të Forumit të Korridorit VIII.

Spiropali e cilëson këtë projekt “një arterie strategjike që sjell me vete potencial ndërlidhjeje infrastrukturore me rëndësi politike, ekonomike, të sigurisë rajonale e europiane”.

Ministrja njoftoi se kjo platformë e nivelit të lartë do të mbahet më 18 shkurt, në Tiranë, me praninë e ministrave të Jashtëm të Italisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

Mbajtja e këtij forumi në Tiranë, konfirmon sipas Ministres së Jashtme, vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe operacional përgjatë Korridorit VIII, nga Adriatiku në Detin e Zi.

1 nga 3

/e.xh/a.f/r.e/

The post Spiropali pret Albertin, diskutojnë përgatitjet për Forumin e Korridorit VIII në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Substanca toksike, AKU tërheq nga tregu 648 njësi të importuara “Aptamil 1 Pronutra”

30 January 2026 at 18:23

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se pas një sinjalizimi të marrë nga autoritetet europiane, lidhur me gjetjen e një lënde toksike gjatë kontrolleve të kryera në Gjermani, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit “Aptamil 1 Pronutra”, me paketim 800 gramë dhe datë skadence 10 nëntor 2026.

Sipas të dhënave paraprake, në total janë importuar 648 njësi të këtij produkti, nga të cilat 362 njësi janë shpërndarë në Kosovë, ndërsa 267 njësi janë hedhur në tregun shqiptar.  AKU bën me dije se sasia më e madhe e produktit është tërhequr tashmë nga tregu, ndërkohë që kontrollet po vijojnë në qarqet Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë dhe Shkodër, për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Në bazë të ligjit “Për Ushqimin”, i ndryshuar, ushqimi konsiderohet i pasigurt kur është i dëmshëm për shëndetin e njeriut dhe, si i tillë, nuk lejohet të nxirret në treg apo të përdoret për përpunim. Po ashtu, ligji parashikon detyrimin e operatorit të biznesit ushqimor që, në rast konstatimi të një ushqimi ose lënde të parë që nuk përmbush kërkesat e sigurisë ushqimore, të ndërmarrë menjëherë masat për refuzimin, bllokimin dhe njoftimin e autoritetit kompetent.

AKU vlerëson angazhimin e industrisë së përpunimit të qumështit për zbatimin e standardeve të sigurisë ushqimore, duke theksuar se, përveç kontrollit për aflatoksinën, industria është e detyruar me ligj të kryejë analiza të rregullta edhe për praninë e antibiotikëve dhe nivelin e qelizave somatike, indikatorë kyç të cilësisë dhe sigurisë së produkteve të qumështit.

/a.f/r.e/

The post Substanca toksike, AKU tërheq nga tregu 648 njësi të importuara “Aptamil 1 Pronutra” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Salla: Bashkëpunim ndërkombëtar për avancimin e bujqësisë digjitale

29 January 2026 at 16:53

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Përparimi i reformave në sektorin agro-ushqimor dhe përafrimi i tyre me standardet e Bashkimit Evropian ishte në fokus të takimit të zhvilluar në Tiranë ndërmjet ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, dhe përfaqësuesve të donatorëve të huaj, Delegacionit të Bashkimit Evropian, Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim dhe Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO).

Gjatë takimit, ministri Salla theksoi rëndësinë e ndërtimit të sistemeve funksionale që synojnë përmirësimin e qeverisjes dhe administrimit në bujqësi, si dhe zbatimin e politikave të orientuara drejt Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP) të Bashkimit Evropian.

Ministri vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për avancimin e bujqësisë digjitale, forcimin e shërbimeve këshillimore për fermerët, garantimin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e sistemeve bujqësore të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike.

Nga ana e tyre, donatorët theksuan se synimi kryesor mbetet përkthimi i prioriteteve të reformave në rezultate konkrete për fermerët dhe komunitetet rurale, duke kontribuar në ndërtimin e një sektori agroushqimor modern, efikas dhe të qëndrueshëm.

Ky angazhim vjen në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për zhvillimin rural, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian për integrimin e sektorit bujqësor shqiptar në standardet evropiane.

1 nga 2

/e.xh/r.e/a.f/

The post Salla: Bashkëpunim ndërkombëtar për avancimin e bujqësisë digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcohet dollari, bie lehtë euroja

29 January 2026 at 15:07

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të enjten dollari amerikan forcoi pozitat në raport me lekun, krahasuar me një ditë më parë, ndërsa euroja shënoi rënie te lehtë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan këmbehet me 80,84 lekë ose 0,15 lekë më shumë ndërsa euroja zbriti me 0,01 lekë, duke u kuotuar në vlerën e 96,64 lekëve.

Paundi britanik këmbehet me 111,56 lekë, ose 0,30 lekë më shumë se ditën e mërkurë  dhe franga zvicerane u ngjit me 0,16 lekë duke u këmbyer sot me 105,32 lekë. /j.p/

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 80.84 +0.15
Euro EUR 96.64 -0.01
Poundi Britanik GBP 111.56 +0.30
Franga Zvicerane CHF 105.32 +0.16
Jeni Japonez (100) JPY 52.72 -0.14
Dollari Australian AUD 56.95 +0.44
Dollari Kanadez CAD 59.70 +0.21
Korona Suedeze SEK 9.14 -0.01
Korona Norvegjeze NOK 8.45 +0.06
Korona Daneze DKK 12.94 -0.01
SDR SDR 111.83 +0.53
Ari(OZ 1) XAU 444614.34 +19,312.68
Argjend(OZ 1) XAG 9461.41 +378.94
Juani Kinez (onshore) CNY 11.64 +0.02
Juani Kinez (offshore) CNH 11.65 +0.03
Lira Turke TRY 1.86 0.00

The post Forcohet dollari, bie lehtë euroja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banka e Shqipërisë dhe AMF, bashkëpunim në kuadër të integrimit në BE

29 January 2026 at 14:51

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti sot në një takim zyrtar drejtoreshën e re Ekzekutive të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF),  Adela Xhemali.

Në fokus të takimit ishin zhvillimet kryesore të ekonomisë shqiptare, masat e fundit rregullatore për mbrojtjen e konsumatorit dhe forcimi i stabilitetit financiar, si dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.

Sejko prezantoi situatën e përgjithshme ekonomike dhe perspektivat afatmesme, ndërsa u ndal tek ndërveprimi në rritje mes sektorit bankar dhe atij jobankar, konsolidimi i grupeve financiare ndërsektoriale dhe shkëmbimi i të dhënave statistikore për monitorimin e rreziqeve.

Palët diskutuan gjithashtu mbi bashkëpunimin për përmbushjen e detyrimeve nga kapitujt e acquis communautaire, duke përfshirë Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”, Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare” dhe Kapitullin 17 “Politika ekonomike dhe monetare”.

Guvernatori Sejko riafirmoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe efektiv me AMF-në, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit.

e.xh/j.p/

The post Banka e Shqipërisë dhe AMF, bashkëpunim në kuadër të integrimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

38 institucione publike, përfituese nga programi Interreg Europe 2021-2027

29 January 2026 at 13:30

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, miratoi sot projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian për programin e bashkëpunimit Interreg Europe 2021-2027 (Interreg VI-C).

Drejtori i Konvergjencës dhe Kohezionit në SASPAC, Klajdi Demko tha se, marrëveshja, e miratuar nga Komisioni Evropian më 23 korrik 2024, i mundëson Shqipërisë të përfitojë fonde nga Instrumenti për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA) për projekte ndërrajonale bashkëpunimi dhe shkëmbimi të praktikave më të mira evropiane.

Demko bëri të ditur se, deri tani 38 përfitues institucione publike, janë angazhuar në zbatimin e projekteve në kuadër të “Interreg Europe”, me një vlerë totale 3.7 milionë euro.

Sipas tij, Interreg Europe synon përmirësimin e politikave rajonale dhe zhvillimit territorial, përmes shkëmbimit të njohurive, përhapjes së praktikave të mira dhe forcimit të kapaciteteve të institucioneve publike. Programi fokusohet tek fushat: zhvillim inteligjent, qëndrueshmëri mjedisore, politika sociale, inovacion dhe qeverisje vendore.

Gjatë diskutimit fjalën e mori edhe relatori i pr/ligjit deputeti Ornaldo Rakipi.

Ai vuri në dukje se pr/ligj forcon bazën ligjore për të përfituar nga projektet e europiane ku siç tha ai, bujqësia, agroturizmi janë ndër sektorët kryesorë.

Projektligji përcakton gjithashtu strukturën e menaxhimit të programit në Shqipëri, me Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) si autoritet kombëtar përgjegjës për koordinimin, monitorimin dhe certifikimin e projekteve.

“Përfituesit shqiptarë do të kenë mundësi të aplikojnë për projekte bashkëpunimi ndërkombëtar, duke zhvilluar rrjete bashkëpunimi me homologët evropianë dhe duke përvetësuar praktika të suksesshme të zhvillimit rajonal në vendet e Bashkimit Evropian”, vuri në dukje deputeti socialist.

“Ky projektligj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian dhe modernizimit të politikave publike në Shqipëri, duke ofruar instrumente ligjore dhe financiare për projekte të qëndrueshme dhe efektive rajonale”, u shpreh Rakipi.

Referuar relacionit që shoqëron këtë pr/ligj programi ka një buxhet total prej 493 milionë eurosh, ku pjesa më e madhe sigurohet nga Bashkimi Evropian (rreth 394 milionë euro), ndërsa pjesa tjetër përbën bashkëfinancimin e shteteve pjesëmarrëse. Shqipëria, si vend përfitues, pritet të përfitojë rreth 2 milionë euro për periudhën e zbatimit të programit.

e.xh/j.p/

The post 38 institucione publike, përfituese nga programi Interreg Europe 2021-2027 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Eksportet bujqësore drejt konsolidimit, synojmë 1 miliard dollarë deri në vitin 2030

28 January 2026 at 15:54

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se sektori i bujqësisë dhe agropërpunimit po shënon përmirësim të qëndrueshëm në eksport, duke u mbështetur në rritjen e standardeve, certifikimit dhe investimeve, me synimin që eksportet bujqësore të arrijnë në 1 miliard dollarë amerikanë deri në vitin 2030.

Gjatë përshëndetjes në aktivitetin “ExportON”, ministri Salla vlerësoi këtë platformë si një hap të rëndësishëm që bashkon në një tryezë të vetme politikat e eksportit, financimin, standardet, promovimin dhe pengesat reale të sektorit privat, veçanërisht në bujqësi dhe agropërpunim, ku potenciali i rritjes mbetet i lartë, por kërkesat për standarde janë gjithnjë e më të forta.

Salla theksoi se sot eksporti nuk përfaqëson vetëm shitjen e produkteve jashtë vendit, por lidhet ngushtë me besueshmërinë, certifikimin dhe garantimin e sigurisë për konsumatorin.

Sipas tij, raporti i eksporteve ndaj importeve ka arritur aktualisht në 1 me 3, nga 1 me 7 që ishte rreth një dekadë më parë, ndërsa objektivi afatmesëm i qeverisë është arritja e raportit një import me dy eksporte.

Ministri bëri të ditur se eksportet bujqësore shqiptare shtrihen sot në rreth 80 shtete, ku Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor tregtar, duke përfaqësuar rreth 58% të vlerës totale të eksporteve bujqësore.

Ai vuri në dukje se struktura e eksporteve tregon qartë fushat ku Shqipëria ka avantazh konkurrues, me zarzavatet që zënë peshën më të madhe si në sasi ashtu edhe në vlerë, të ndjekura nga peshku dhe produktet e detit.

“Kjo tregon se jemi në rrugën e duhur, pasi në tregun e Bashkimit Evropian hapet dera vetëm kur plotësohen standardet, kontrollet, dokumentacioni dhe siguria e produktit”, theksoi Salla.

Ministri bëri të ditur se aktualisht po punohet në disa drejtime paralele, ku një ndër prioritetet kryesore është përafrimi i plotë i legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, me synimin për finalizimin e transpozimit ligjor deri në vitin 2027 dhe konsolidimin e kontrollit zyrtar në nivel qendror dhe rajonal brenda vitit 2026.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm është digjitalizimi i kontrollit ushqimor, i cili do të mundësojë monitorim të vazhdueshëm, standardizim të të dhënave në kohë reale dhe rritje të transparencës, në shërbim si të konsumatorit ashtu edhe të eksportuesit.

Në këtë kuadër, Salla nënvizoi rëndësinë e investimeve në rrjetin laboratorik, modernizimin e laboratorëve rajonalë dhe forcimin e pikave të inspektimit kufitar, të cilat janë thelbësore për besueshmërinë e analizave dhe lehtësimin e procedurave të eksportit.

Ministri theksoi se për të arritur objektivin “Bujqësia 2030”, rritja e eksporteve kërkon domosdoshmërisht edhe investime të reja. Për këtë qëllim, përmes skemave kombëtare dhe së shpejti edhe nëpërmjet programit IPARD, do të mbështetet modernizimi i fermave dhe kapaciteteve të përpunimit.

Salla bëri të ditur se për vitin 2026 janë planifikuar rreth 2 miliardë lekë mbështetje investimi, me grante deri në 50% të vlerës së investimeve, si dhe instrumente financiare përmes Fondit të Garancisë Sovrane për subjektet agropërpunuese, duke krijuar një paketë të integruar mbështetjeje.

“Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë sistemin e standardeve dhe infrastrukturën mbështetëse. Ndërkohë, sektori privat duhet të investojë në cilësi, certifikim dhe organizim, sepse eksporti është një maratonë, jo një sprint. Së bashku duhet ta bëjmë Shqipërinë dhe produktin shqiptar një histori suksesi që lexohet në etiketë dhe provohet në treg, ‘Made in Albania’”, përfundoi ministri Salla.

e.xh/

The post Salla: Eksportet bujqësore drejt konsolidimit, synojmë 1 miliard dollarë deri në vitin 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Eksportet dominohen nga shërbimet, nevojitet mbështetje më e fortë për mallrat

28 January 2026 at 15:36

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në prani të Kryeministrit Edi Rama mori pjesë në konferencën “Eksport On”, ku prezantoi vizionin dhe politikat e qeverisë për nxitjen e eksporteve dhe forcimin e prodhimit vendas, si shtylla kyçe të modelit të ri të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Në fjalën e saj, ministrja theksoi se ekonomia shqiptare ka shënuar përmirësime të qëndrueshme vitet e fundit, me rritje të prodhimit të brendshëm bruto, investimeve, punësimit dhe pagave, duke reflektuar një klimë pozitive për biznesin dhe sektorin privat. Megjithatë, ajo vuri në dukje nevojën për transformimin e strukturës ekonomike, duke kaluar nga një ekonomi e mbështetur kryesisht në shërbime dhe konsum vendas, drejt një modeli të bazuar në investime, eksporte dhe rritje të produktivitetit.

Ibrahimaj nënvizoi se, pavarësisht rritjes së eksporteve shqiptare në vitet e fundit, struktura e tyre dominohet nga shërbimet, ndërsa eksportet e mallrave kanë nevojë për mbështetje më të fortë, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me kapacitetin prodhues dhe industrializimin e vendit. Në këtë kuadër, ministrja bëri të ditur, se gjatë vitit 2026 do të miratohet një politikë e re industriale për nxitjen e prodhimit vendas.

Fokusi i fjalës së ministres ishte Programi për Nxitjen e Eksporteve, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, i cili mbështetet në katër shtylla kryesore: ndërgjegjësimin dhe promovimin, thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave, harmonizimin e standardeve me Bashkimin Europian dhe instrumentet financiare.

Në këtë kuadër, ajo vlerësoi rolin e AIDA-s dhe platformës Eksport On në rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit të bizneseve, si dhe njoftoi se gjatë këtij viti do të miratohet ligji për “Made in Albania”, i cili synon ndërtimin dhe promovimin e markës kombëtare, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit të procedurave tregtare, përmes çeljes së dritares së vetme unike për eksportuesit dhe zbatimit të projekteve të Bankës Botërore për lehtësimin e tregtisë. Ajo njoftoi se do të lançohet së shpejti edhe programi kombëtar për mbështetjen e biznesit në procesin e integrimit europian, me fokus në rritjen e kapaciteteve dhe financimin për arritjen e standardeve.

Një rol kyç në mbështetjen e eksporteve do të luajë edhe Banka e Zhvillimit, e cila do të shërbejë si instrument për financimin, modernizimin e industrisë dhe sigurimin e eksporteve, duke ulur kostot dhe riskun për bizneset shqiptare.

Në përfundim, Ibrahimaj theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me biznesin dhe garantoi se shqetësimet e tyre do të përkthehen në politika konkrete mbështetëse, me synimin që bizneset shqiptare të jenë më konkurruese dhe të përfitojnë nga aksesimi i tregut të përbashkët europian.

e.xh/j.p/

The post Ibrahimaj: Eksportet dominohen nga shërbimet, nevojitet mbështetje më e fortë për mallrat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dollari humb terren ndaj lekut, euroja forcohet lehtë

28 January 2026 at 13:55

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të mërkurën dollari amerikan humbi terren në raport me lekun, krahasuar me një ditë më parë, ndërsa euroja u forcua lehtë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e gjelbër amerikane zbriti me 0,60 lekë dhe këmbehet me 80,69 lekë.

Ndërsa euroja u forcua me 0,04 lekë dhe këmbehet me 96,65 lekë.

Paundi britanik, krahasuar me një ditë më parë, u nënçmua me 0,10 lekë, duke zbritur në kuotën e 111,26 lekëve.

Ndërkohë, franga zvicerane këmbehet me 105,16 lekë, ose 0,39 lekë më shumë se ditën e martë.

Banka e Shqipërisë vlerëson se kursi i këmbimit valutor paraqitet i qëndrueshëm dhe reflekton kërkesë ofertën e tregut, ndikuar nga faktorët sezonalë.

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 80.69 -0.60
Euro EUR 96.65 +0.04
Poundi Britanik GBP 111.26 -0.10
Franga Zvicerane CHF 105.16 +0.39
Jeni Japonez (100) JPY 52.86 -0.06
Dollari Australian AUD 56.51 +0.18
Dollari Kanadez CAD 59.49 +0.18
Korona Suedeze SEK 9.15 +0.04
Korona Norvegjeze NOK 8.39 +0.05
Korona Daneze DKK 12.95 +0.01
SDR SDR 111.30 -0.68
Ari(OZ 1) XAU 425301.66 +11,933.07
Argjend(OZ 1) XAG 9082.47 -50.46
Juani Kinez (onshore) CNY 11.62 -0.07
Juani Kinez (offshore) CNH 11.62 -0.08
Lira Turke TRY 1.86 -0.01

 

e.xh/j.p/

The post Dollari humb terren ndaj lekut, euroja forcohet lehtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo për ATSH-në: 69 zona prioritare në 13 bashki, 100 aplikime për investime në Paketën e Maleve

28 January 2026 at 13:23

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi sot në një konferencë për mediet se “Paketa e Maleve” përbën një instrument të rëndësishëm që synon nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të territorit, veçanërisht në zonat me potencial të pashfrytëzuar.

I pyetur nga ATSH mbi ecurinë e aplikimeve për investime të reja në kuadër të kësaj nisme, si dhe mbi shifrat konkrete, Demo bëri të ditur se janë miratuar tashmë 69 zona prioritare për zhvillim, me vendim të Këshillit të Ministrave, të shpërndara në 13 bashki.

Sipas tij, këto bashki janë Vau i Dejës, Klos, Mat, Shkodër, Shijak, Kukës, Skrapar, Elbasan, Përmet, Belsh, Memaliaj, Tepelenë dhe Dibër, të cilat kanë përfituar miratimin e zonave prioritare për zhvillim në kuadër të paketës.

Ministri theksoi se deri më tani janë evidentuar rreth 100 raste aplikimesh për investime të reja, të cilat ndodhen në faza të ndryshme të procesit të shqyrtimit, duke nënvizuar se ky proces është dinamik dhe ndryshon nga dita në ditë, për shkak të interesit në rritje.

“Fluksi më i lartë i aplikimeve lidhet me bashkitë që kanë territore më të mëdha. Bashkia Shkodër ka shfaqur interes shumë të lartë, po ashtu edhe Kukësi, por edhe bashkitë e tjera po ndjekin procesin me vëmendje” u shpreh Demo.

Ai shtoi se brenda dy muajve në vijim pritet të ketë një tablo më të qartë të aplikimeve, ndërsa qytetarët dhe sipërmarrësit do të ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për përfitimet që ofron kjo nismë.

Demo bëri të ditur gjithashtu se numri i bashkive të përfshira në procesin e plotësimit të aplikimeve do të vijojë të rritet duke u shtrirë në 61, çka sipas tij tregon rritje të angazhimit në nivel vendor.

“Jam i bindur se bashkitë e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj nisme, e cila është në interes të zhvillimit të territorit dhe të vetë bashkive, për të ndërtuar zona që ose nuk kanë pasur mundësi zhvillimi për shkak të problematikave të ndryshme, ose mund të shërbejnë si incentiva për të motivuar sipërmarrje të caktuara që të investojnë në këto zona”, tha ai.

Ministri nënvizoi se një investim i qëndrueshëm në agroturizëm ka efekt transformues jo vetëm për një fshat të vetëm, por për grupe fshatrash, duke ndikuar pozitivisht në prodhimin bujqësor, krijimin e tregjeve dhe veçanërisht në zhvillimin turistik të zonës.

Në përfundim, Demo shprehu bindjen se Paketa e Maleve është një element shtytës për zhvillimin e qëndrueshëm, duke siguruar se qeveria qendrore mbetet e gatshme të mbështesë bashkitë me informacion dhe asistencë teknike për zbatimin e plotë të kësaj nisme.

“Paketa e Maleve” është një nismë e qeverisë shqiptare e prezantuar në fillim të vitit 2025, që synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe social në zonat malore dhe rurale me potencial zhvillimi, përmes lehtësimit të procedurave dhe krijimit të incentivave për investime private.

Paketa fokusohet kryesisht në sektorë si agroturizmi, bujqësia, blegtoria, përpunimi i produkteve lokale dhe turizmi natyror, duke synuar krijimin e vendeve të reja të punës dhe frenimin e emigrimit nga zonat e thella. Në kuadër të kësaj nisme, bashkitë propozojnë zona prioritare për zhvillim, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe përfitojnë mbështetje institucionale për realizimin e projekteve. e.xh/j.p/

The post Demo për ATSH-në: 69 zona prioritare në 13 bashki, 100 aplikime për investime në Paketën e Maleve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Leku fiton terren ndaj të gjitha valutave

27 January 2026 at 14:39

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të martën leku fitoi pikë ndaj valutave, krahasuar me një ditë më parë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euroja këmbehet me 96,61 lekë ose 0,06 lekë më pak se ditën e hënë. Monedha e gjelbër amerikane u zhvlerësua me 0,24 lekë dhe këmbehet me 81,29 lekë.
Paundi britanik u zhvlerësua në raport me lekun me 0,09 lekë dhe këmbehet me 111,36 lekë. Franga zvicerane zbriti në kuotën e 104,77 lekëve ose 0,23 lekë më pak se në fillim të javës.
Aktorët e tregut shprehen se, luhatjet në tregun valutor i adreson ecurisë në bursat ndërkombëtare ndërsa faktor i rëndësishëm është edhe kërkesë oferta në tregun e brendshëm. /j.p/
Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 81.29 -0.24
Euro EUR 96.61 -0.06
Poundi Britanik GBP 111.36 -0.09
Franga Zvicerane CHF 104.77 -0.23
Jeni Japonez (100) JPY 52.92 -0.15
Dollari Australian AUD 56.33 -0.14
Dollari Kanadez CAD 59.31 -0.32
Korona Suedeze SEK 9.11 -0.01
Korona Norvegjeze NOK 8.34 -0.01
Korona Daneze DKK 12.94 -0.01
SDR SDR 111.98 -0.35
Ari(OZ 1) XAU 413368.59 -1,813.97
Argjend(OZ 1) XAG 9132.93 +214.36
Juani Kinez (onshore) CNY 11.69 -0.03
Juani Kinez (offshore) CNH 11.70 -0.03
Lira Turke TRY 1.87

The post Leku fiton terren ndaj të gjitha valutave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Solovova: BERZH, 217.5 milionë euro për 31 projekte në Shqipëri gjatë vitit 2025

27 January 2026 at 13:41

TIRANË, 27 janar /ATSH/ BERZH shënon vit rekord në financimin e projekteve në Shqipëri.

Drejtore e Zyrës së BERZH-it në Shqipëri, Ekaterina Solovova, bëri të ditur se viti 2025 ishte një vit jashtëzakonisht i suksesshëm për Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vend, me një nivel rekordi të financimeve dhe projekteve të mbështetura.

Duke marrë fjalën gjatë prezantimit sot në Tiranë, të raportit të tranzicionit të BERZH, 2025-26 “Brave old World”, Solovova tha se “gjatë vitit të kaluar, BERZH ofroi 217.5 milionë euro financim për 31 projekte, duke përfshirë projekte të rëndësishme infrastrukturore, energjetike dhe të sektorit privat, si dhe asistencë teknike dhe mbështetje për sipërmarrësit dhe institucionet vendase”.

Sipas saj, investimet kryesore u adresuan në infrastrukturë dhe energji.

“Nga totali i financimeve, 111 milionë euro u alokuan për projekte të infrastrukturës së qëndrueshme në sektorët e transportit dhe energjisë. Një nga projektet kryesore ishte rehabilitimi i Korridorit 8 të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, me financim të përbashkët nga BERZH (30 milionë euro) dhe grante prej 60 milionë euro nga Bashkimi Europian”, u shpreh Solovova.

Në sektorin e energjisë, vijoi ajo, BERZH ofroi 45.75 milionë euro për OSHEE për ristrukturimin e borxheve afatshkurtra dhe për modernizimin e rrjetit elektrik, ndërsa 30 milionë euro u dhanë KESH për ndërtimin e centralit diellor fotovoltaik prej 50 MW, duke përfshirë edhe 9.2 milionë euro grante investimi.

Në fokus të mbështetjes tonë është edhe sektori privat dhe sipërmarrësit.

“Përveç projekteve infrastrukturore, BERZH ka mbështetur konkurrueshmërinë e sektorit privat përmes programeve të turizmit, agrobiznesit dhe teknologjive inovative, duke ofruar ndihmë dhe asistencë teknike për bizneset, përfshirë gratë sipërmarrëse dhe sipërmarrësit e rinj.

Gjatë vitit 2025, BERZH realizoi gjithashtu 42 projekte këshillimi për bizneset e vogla, duke kontribuar në avancimin e programëve qeveritare dhe në integrimin e sipërmarrësve shqiptarë në tregjet ndërkombëtare”, theksoi Solovova.

Solovova vuri në dukje rëndësinë e ndihmës ndaj institucioneve financiare vendase dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor në sektorin privat, duke ofruar mbështetje për një rritje të qëndrueshme dhe profesionalizim të sektorit financiar në Shqipëri.

“Viti 2025 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për BERZH në Shqipëri. Projeketet tona kanë sjellë ndryshime reale në infrastrukturë, energji, sipërmarrje dhe zhvillim rural. Historitë e suksesit që kemi ndihmuar të ndërtohen janë dëshmi e angazhimit tonë për një Shqipëri më moderne dhe konkurruese”, tha Drejtorja e BERZH-it Solovova.

e.xh/j.p/

The post Solovova: BERZH, 217.5 milionë euro për 31 projekte në Shqipëri gjatë vitit 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Rritja ekonomike 3,9%, borxhi publik në nivelin më të ulët prej 54%

27 January 2026 at 19:16

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Kuvend aktin normativ për ndryshime në ligjin e buxhetit të vitit 2025, që parashikon mbështetjen e  shtresave në nevojë, përfshirë familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, si dhe garanton fondet për skemën e pensioneve.

Ministri bëri të ditur se “mbështetja buxhetore për familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar për vitin 2025 arrin në 256 milionë euro, përfshirë fondin për bonusin e fundvitit. Ndërsa fondi për pensionistët, që përfshin indeksimin dhe bonusin, është rreth 11,8 miliardë lekë”.

Akti normativ, parashikon transferimin e fondeve të papërdorura nga ministritë dhe institucionet buxhetore drejt llogarisë së mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë dhe rialokimin e kursimeve të evidentuara që nga janari 2025 drejt projekteve me ecuri më të mirë.

“Me anë të këtij akti normativ ne synojmë mbajtjen të pandryshuar të totalit të të ardhurave buxhetore, rishpërndarjen e rreth 30 miliardë lekëve kursime të evidentuara për realizim sa më të plotë të shpenzimeve publike”, u shpreh Malaj.

Ministri deklaroi se, nga perspektiva makroekonomike, viti 2025 pritet të mbyllet me një rritje ekonomike prej 3,9%, borxhi publik vlerësohet të jetë 54% të PBB-së, në nivelin më të ulët se ndonjëherë. Të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet, sipas të dhënave paraprake, arritën në 668 miliardë lekë.

Ndër masat e tjera, akti siguron financim shtesë për fermerët (2 miliardë lekë), mbështetje për furnizimin me medikamente në QSUT dhe spitale të tjera (1,76 miliardë lekë), fonde për Policinë e Shtetit (1,3 miliardë lekë) dhe aktivitete sportive kombëtare dhe ndërkombëtare (847 milionë lekë).

Në drejtim të investimeve kapitale, janë parashikuar rialokime prej 10 miliardë lekësh për projekte me performancë më të mirë, përfshirë transportin rrugor (5,8 miliardë lekë), transportin ajror (4 miliardë lekë) dhe ujësjellës kanalizime (508 milionë lekë).

Investime të tjera përfshijnë: 200 milionë lekë për Institutin e të Miturve në Konflikt me Ligjin, 551 milionë lekë për blerjen e Selisë Diplomatike në Londër, 1 miliard lekë për kapitalin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit dhe 1,2 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të njësive vendore.

Ministri i Financave theksoi se ky akt nuk është vetëm një instrument teknik buxhetor, por një akt përgjegjësie politike që ruan ekuilibrat fiskalë, garanton vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

/e.xh/j.p/r.e/

The post Malaj: Rritja ekonomike 3,9%, borxhi publik në nivelin më të ulët prej 54% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Strategjia për zhvillimin e futbollit 2026-2030, Gonxhja: Ligji për sponsorizimet, hap kyç

26 January 2026 at 22:27

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) prezantoi këtë të hënë strategjinë e re katërvjeçare “Vision to Victory 2026-2030”, e cila synon të sjellë zhvillime cilësore në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar. Strategjia është ndërtuar në bashkëpunim me ekspertët e UEFA-s dhe mbështetet në një punë kërkimore të gjatë.

Në prezantim morën pjesë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përfaqësues të klubeve dhe shoqatave rajonale të futbollit, ish-futbollistë, sponsorë dhe media.

Presidenti Duka bëri një bilanc të strategjisë së kaluar “Futbolli për Kombin”, duke nënvizuar se 95% e objektivave janë realizuar ose janë në fazë të avancuar zbatimi. Ai theksoi se strategjia e re synon rritjen e pjesëmarrjes dhe cilësisë së futbollit, forcimin e strukturave organizative, investime të qëndrueshme në infrastrukturë dhe zhvillimin e talenteve të rinj.

“Kjo strategji është ndërtuar për të qenë e matshme, e zbatueshme dhe e lidhur drejtpërdrejt me realitetin e futbollit shqiptar. Deri në vitin 2030, synojmë të arrijmë 26 mijë futbollistë të regjistruar, nga 24.078 që janë sot”, tha presidenti Duka. Ai shtoi se rritja do të arrihet përmes zgjerimit të programeve në shkolla dhe komunitete, mbështetjes së klubeve për moshat e vogla, aktiviteteve të organizuara për fëmijët dhe vazhdimit të projekteve “Uniforma Ime” dhe “Topi YT”.

Në aspektin e infrastrukturës, strategjia parashikon shtimin e 30 deri në 40 fushave të reja futbolli deri në vitin 2030, kryesisht në rajonin e Tiranës. Duka theksoi se objektivi kombëtar është ndërtimi i 200 fushave të reja, një synim që kërkon mbështetje nga buxhetet e shtetit.

“Objektiv strategjik mbetet gjithashtu rritja e numrit të spektatorëve në stadiumet kombëtare, forcimi financiar i klubeve dhe akademive të futbollit dhe përfundimi i ligjit të Sponsorizimeve në Sport. Progresi i futbollit shqiptar do të jetë shumë i ngadaltë pa një ligj të tillë”, shtoi ai.

Presidenti i FSHF-së prezantoi edhe objektivat për ekipet kombëtare: pjesëmarrjen e ekipit A të djemve në turnetë finale europiane dhe botërore, kalimin e fazës së grupeve nga ekipi U-21 në Euro 2027 dhe Euro 2029, si dhe qëndrimin në Ligën B për ekipin kombëtar të vajzave dhe synimin për kualifikimin në Kampionatin Europian 2029.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi rëndësinë e partneritetit me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe angazhimin e ministrisë për të çliruar potencialet e sportit dhe futbollit në vend.

Gonxhja theksoi se sporti është një nga gjeneratorët më të mëdhenj ekonomikë dhe turistik të vendit, ndërsa ligji i sponsorizimit do të përfaqësojë një hap kyç për zhvillimin e sportit, artit dhe kulturës.

“Kur kemi një partneritet dhe një aktor kaq të rëndësishëm dhe kaq të strukturuar siç është Federata Shqiptare e Futbollit, çfarë do të duhet të bënte më shumë Ministria që drejtoj sesa të sinkronizohej në strategji, në plan veprimi, në mendim, në gjithçka me FSHF, që është një organizatë në funksion të interesit publik”, tha ministri.

Ai shtoi se MTKS synon të çlirojë çdo mundësi dhe energji të bllokuara deri më sot, duke lidhur sportin me artin, kulturën dhe turizmin, të cilat sipas tij përbëjnë fitime të jashtëzakonshme për vendin.

“Ligji i sponsorizimit nuk është më zotim, është në masat e një betimi tim dhe të Presidentit të Federatës, sepse do të vijë për artin, sportin dhe rininë. Një kampionat, një skuadër e suksesshme, një sport i zhvilluar janë automatikisht gjeneratorë ekonomikë të jashtëzakonshëm”, deklaroi Gonxhja.

Ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së futbollit në të gjitha nivelet dhe bashkëpunimin me klubet, akademitë dhe institucionet për të forcuar zhvillimin e sportit në Shqipëri.

1 nga 3

/e.xh/a.f/r.e/

The post Strategjia për zhvillimin e futbollit 2026-2030, Gonxhja: Ligji për sponsorizimet, hap kyç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fondi rezervë për kreditë me probleme u ul me 3,3%

26 January 2026 at 20:45

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Bankat tregtare kanë rritur lehtë fondin rezervë, ose siç njihet ndryshe të provigjioneve, për kreditë me probleme, konform kërkesave regullatore të Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, gjendja e provigjioneve në fund të tremujorit të tretë të vitit 2025 ishte 30 miliardë lekë, në rënie me 3,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shpenzimet e provigjioneve janë të lidhura direkt me cilësinë e portofolit të aseteve të sektorit bankar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme ka qenë në stanjacion gjatë vitit 2025. Në fund të nëntorit kredia me probleme zbriti në 4,19%, nga 4,48% që kishte qenë në nëntor të vitit 2024.

Për kreditë standarde bankat duhet të llogarisin provigjione në masën 1%, ndërsa për ato në vonesë nga 30 deri në 60 ditë, provigjionimi kërkohet në masën 5%.

Shkalla e provigjionimit rritet kur fillon klasifikimi si kredi me probleme (me vonesë në shlyerje prej më shumë se 60 ditë). Për këtë kategori (nën standarde) kërkohet provigjionim jo më pak se 20%, për kategorinë “e dyshimtë” (me vonesë më shumë se 90 ditë) jo më pak se 50% dhe për kategorinë “e humbur” (me vonesë mbi 180 ditë) kërkohet provigjionim i plotë, në masën 100%.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Fondi rezervë për kreditë me probleme u ul me 3,3% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Holokausti si mësim qytetarie dhe instrument edukimi kundër urrejtjes

26 January 2026 at 20:42

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Fondacionin “Besa”, organizoi Klubin e Librit “Mësojmë nga e kaluara”, me diskutimin e romanit “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit” të shkrimtarit Marçel Hila, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Në aktivitet morën pjesë mësues të historisë dhe edukimit qytetar, studentë të masterit “Mësues në Histori”, pedagogë, përfaqësues të institucionit, gazetarë dhe studiues të fushës së historisë dhe kujtesës. Diskutimet u fokusuan te kujtesa historike, edukimi qytetar dhe përgjegjësia morale e shoqërisë.

Kryetarja e Autoritetit, dr. Gentiana Sula, theksoi rëndësinë e kujtesës aktive dhe rolin e saj në edukimin qytetar.

“Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit nuk është thjesht një datë kalendarike, por një provë morale për shoqëritë dhe një thirrje për kujtesë aktive. Shqipëria, në një Evropë të përkulur nga frika dhe urrejtja racore, vendosi njeriun mbi politikën dhe jetën mbi urdhrin. Rezultati është i pakontestueshëm: Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë hebrenj të shpëtuar sesa kishte përpara luftës. Kjo nuk ishte rastësi, por kulturë morale dhe zgjedhje njerëzore – ishte Besa”, tha Sula.

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Besa”, Albi Greva, vlerësoi bashkëpunimin me Autoritetin e Dosjeve dhe nënvizoi rëndësinë e edukimit mbi Holokaustin dhe historinë e shpëtimit të hebrenjve.

“Ky muze do të dokumentojë dhe përcjellë ndër breza historinë e mikpritjes, solidaritetit dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, jo si narrativë mitizuese, por si dëshmi të bazuar në fakte, dokumente dhe histori njerëzore. Ruajtja dhe transmetimi i kësaj historie është një mënyrë për të ndërtuar rezistencë shoqërore ndaj ideologjive të urrejtjes dhe për të forcuar kulturën e bashkëjetesës”, tha Greva.

Ndërsa Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit, vuri në dukje rolin e veçantë të qytetit të Beratit dhe komunitetit të tij në strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përmendur veprën heroike të Kadri Cakranit.

“Kadri Cakrani udhëhoqi mbrojtjen dhe shpëtimin e qindra hebrenjve në qytetin e Beratit, duke rrezikuar jetën e tij dhe të familjes. Berati u shndërrua në një strehë shpëtimi në një nga periudhat më të errëta të historisë evropiane. Sot, Kadri Cakrani nderohet ndërkombëtarisht si simbol i besës dhe solidaritetit shqiptar”, u shpreh Vrioni.

Autori Marçel Hila prezantoi librin “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit”, që sjell histori konkrete dhe dëshmi njerëzore të familjeve hebreje të strehuara në Shqipëri, ndërsa gazetarja Monika Stafa, autore e librit “Hebrenjtë në Shqipëri”, theksoi se bashkëjetesa mes hebrenjve dhe shqiptarëve nuk ishte rastësore, por e ndërtuar mbi vlera të thella si mikpritja, toleranca dhe respekti për tjetrin.

Simon Mirakaj, ish-i përndjekur politik dhe ish-anëtar i Autoritetit, shtoi se aktet pozitive të administratës shqiptare gjatë luftës për shpëtimin e hebrenjve janë një mësim i rëndësishëm për brezat e rinj: “Kjo datë na vë përballë kujtesës historike dhe ideologjive të çmendura që plagosën hebrenjtë dhe mbarë njerëzimin. Akti i Kadri Cakranit, që strehoi rreth 200 hebrenj, si dhe kontributi i Kolë Bibë Mirakës, Mustafa Krujës, Eqerem Bej Libohovës dhe Zef Kadarjes, dëshmojnë guximin dhe përgjegjësinë morale të shqiptarëve”, tha Mirakaj.

Diskutimi në klubin e librit nxiti reflektime mbi mënyrat se si letërsia, dëshmitë personale dhe dokumentet arkivore mund të përdoren si mjete edukative për të nxitur mendimin kritik dhe për të shmangur banalizimin e së shkuarës.

Në përfundim u theksua se Klubi i Librit “Mësojmë nga e kaluara” synon të lidhë letërsinë me historinë, arkivat me edukimin qytetar dhe përkujtimin me përgjegjësinë, duke e kthyer kujtesën e Holokaustit në një instrument aktiv për formimin e brezave të rinj dhe ndërtimin e një shoqërie më humane dhe më të ndërgjegjshme.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Holokausti si mësim qytetarie dhe instrument edukimi kundër urrejtjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Netanyahu: Shqipëria ishte “ishull paqeje” gjatë Holokaustit, të gatshëm t’ju mbështesim me çdo gjë

26 January 2026 at 19:20

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu vlerësoi rolin historik dhe unik të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët përbën një shembull të rrallë humanizmi dhe guximi që nuk do të harrohet kurrë.

Në fjalën e mbajtur sot në një seancë plenare të veçantë të parlamentit të Izraelit, ku ishte i ftuar kryeministri Edi Rama, Netanyahu, tha se “ai kapitull i historisë sonë nuk do të harrohet kurrë ndër breza. Por ajo që nuk do të harrohet po kështu është edhe shembulli i atyre njerëzve që shpëtuan hebrenjtë dhe i ndihmuan të iknin nga persekutimi”.

Sipas tij, ajo që ndodhi në Shqipëri gjatë pushtimit italian dhe nazist ishte unike. “Dhjetëra e qindra shqiptarë myslimanë rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrenjtë. Ata i fshehën, ndanë bukën me ta dhe vunë në rrezik jo vetëm veten, por edhe anëtarët e fundit të familjeve të tyre për t’i mbrojtur”, tha Kryeministri izraelit.

Netanyahu theksoi se Shqipëria përfaqësonte një shembull të rrallë në Evropën e asaj kohe. “Shqipëria ishte ishulli i paqes në oqeanin e së keqes dhe këto akte heroike tregojnë vlerat më të mëdha të një vendi që nderonte miqtë”, deklaroi ai.

Duke iu referuar marrëdhënieve dypalëshe pas Luftës së Dytë Botërore, Netanyahu kujtoi se Shqipëria kaloi dekada të vështira nën regjimin komunist, ndërsa Izraeli u njoh zyrtarisht nga Shqipëria në vitin 1969. “Pas ndryshimeve politike 35 vite më parë, Shqipëria dhe Izraeli forcuan marrëdhëniet diplomatike”, u shpreh ai.

Kryeministri izraelit vlerësoi gjithashtu reformat e ndërmarra nga Shqipëria vitet e fundit. “Nën drejtimin tuaj, Shqipëria është kthyer në një kopsht të gjallë të Evropës që ka sukses. Unë i vlerësoj reformat që keni ndërmarrë për të përmirësuar situatën e tregut në Shqipëri dhe këtë e vlerësojnë edhe investitorët izraelitë që po vijnë në Shqipëri. Ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë me çdo gjë: mbështetje për siguri, në luftën kundër terrorit, novacion, teknologji, tregti e kulturë”, deklaroi Netanyahu.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Netanyahu: Shqipëria ishte “ishull paqeje” gjatë Holokaustit, të gatshëm t’ju mbështesim me çdo gjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌