Virgil Van Dijk pritet të largohet nga Liverpooli, në fund të sezonit ose më së largu në vitin 2027.
Sipas The Guardian, Liverpool e sheh Dominik Szoboszlain si një figurë kyçe për të ardhmen e klubit dhe një kandidat serioz për shiritin e kapitenit pas largimit të Virgil van Dijk, qoftë në një të ardhme të afërt apo më vonë.
Mesfushori 25-vjeçar ka qenë pa dyshim një nga lojtarët më të spikatur të “Reds” në një sezon të vështirë pas fitimit të titullit, duke marrë rol lideri në fushë dhe jashtë saj.
Szoboszlai ka konfirmuar se bisedimet për rinovimin e kontratës me klubin kanë nisur, megjithatë ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Kontrata aktuale e tij me Liverpoolin skadon në qershor të vitit 2028, çka nënkupton se gjatë verës ai do të hyjë në dy vitet e fundit të marrëveshjes, duke e bërë çështjen e së ardhmes së tij edhe më të rëndësishme për klubin. /Telegrafi/
Futbollisti i konsideruar si një nga talentet më të mëdhenj të Barcelonës, Dro Fernandez (18), është detyruar të stërvitet i vetëm, pasi është larguar nga aktiviteti me skuadrat e klubit pas kërkesës së tij për t’u transferuar.
Të premten e kaluar, Dro i bëri të qartë trajnerit Hansi Flick dhe drejtorit sportiv të Barcelonës se dëshironte të largohej menjëherë nga klubi gjatë afatit kalimtar të janarit. Pas këtij vendimi, ai u përjashtua nga ekipi i parë dhe aktualisht nuk stërvitet me asnjë skuadër të klubit, as nën mbikëqyrjen e stafit të akademisë.
Edhe pse në klub ka pakënaqësi për mënyrën se si lojtari i ri e ka trajtuar situatën, Flick dhe drejtuesit e Barcelonës nuk ia kanë ndaluar përdorimin e ambienteve stërvitore. Megjithatë, Dro po zhvillon stërvitje vetëm individuale, pa qenë pjesë e ndonjë grupi.
Situata e tij kontraston ndjeshëm me rastin e Marc-Andre ter Stegen, i cili vazhdoi të stërvitej normalisht me ekipin gjatë negociatave me Gironën dhe madje u lejua të mos udhëtonte në Pragë për të finalizuar huazimin. Ndryshe nga ai rast, situata e Dro Fernandez po menaxhohet shumë më ashpër.
Vendimi i mesfushorit të ri ka prekur veçanërisht Hansi Flick. Trajneri gjerman e konsideronte 18-vjeçarin si një nga lojtarët më të talentuar të La Masias dhe kishte plane konkrete për ta aktivizuar rregullisht këtë sezon.
Për shkak të këmbënguljes së tij për t’u larguar, Flick e largoi menjëherë nga seancat e përbashkëta stërvitore dhe që prej së premtes Dro nuk është më pjesë e asnjë skuadre.
Sipas burimeve të Mundo Deportivo brenda klubit, trajneri është thellësisht i zhgënjyer dhe i pakënaqur me veprimet e lojtarit.
Megjithatë, duke qenë se Dro nuk ka nënshkruar ende me ndonjë klub tjetër dhe ka kontratë të vlefshme me Barcelonën deri në qershor të vitit 2027, atij nuk i ndalohet hyrja në qendrën stërvitore apo përdorimi i infrastrukturës së klubit. Pavarësisht kësaj, ai vazhdon të stërvitet ekskluzivisht në mënyrë individuale.
Dro ka marrë oferta nga disa klube të mëdha evropiane, kryesisht nga Gjermania, Anglia dhe Franca. Aktualisht, Paris Saint-Germain shihet si klubi më afër një marrëveshjeje, me PSG-në e drejtuar nga Luis Enrique që i ka ofruar një kontratë deri në vitin 2030.
Negociatat janë në një fazë të avancuar, por transferimi ende nuk është finalizuar.
Për këtë arsye, Dro vazhdon të paraqitet në Qendrën Stërvitore të Barcelonës, por largimi i tij nuk pritet të jetë i lehtë.
Klubi nuk ka ndërmend ta lehtësojë ndarjen, as në aspektin sportiv dhe as në atë financiar, ndërsa dera e stërvitjes kolektive mbetet e mbyllur për të për momentin.
Për sa i përket profilit të tij, Dro Fernandez ka baba spanjoll dhe nënë filipinase. Ai ka përfaqësuar Spanjën në të gjitha kategoritë e moshave të “Furisë së Kuqe” dhe aktivizohet si mesfushor ofensiv ose në krahun e majtë të sulmit. /Telegrafi/
Për një periudhë të gjatë, Vinicius Jr. kishte një marrëdhënie të tensionuar me ish-trajnerin e Real Madridit, Xabi Alonso, e cila karakterizohej nga mungesa e mbështetjes publike dhe një tension i vazhdueshëm në fushë.
Sulmuesi brazilian shpesh përfundonte në stol, zëvendësohej herët në ndeshje të mëdha ose dukej i kufizuar në lojën e tij, çka krijoi një distancë të dukshme mes tij dhe trajnerit.
Situata arriti kulmin gjatë El Clasicos së sezonit të kaluar, kur Vinicius u zëvendësua dhe shfaqi hapur frustrimin e tij në vijën anësore ndaj Alonsos, duke e bërë përçarjen mes palëve të dukej e pakthyeshme.
Megjithatë, pas largimit të Alonsos, gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm nën drejtimin e trajnerit të ri, Álvaro Arbeloa.
Sipas një raporti nga AS, nëpërmjet Madrid Xtra, Arbeloa i beson plotësisht Viniciusit dhe e sheh atë si një nga shtyllat kryesore të projektit të tij.
Vinicius ka qenë titullar në të dyja ndeshjet nën drejtimin e Arbeloas deri më tani, përfshirë edhe humbjen në Kupën e Mbretit ndaj Albacetes. Edhe pse ende nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës, trajneri po e inkurajon vazhdimisht skuadrën që ta përfshijë më shumë në fazën sulmuese, me synimin për t’i rikthyer vetëbesimin dhe për t’i dhënë më shumë përgjegjësi në lojë.
I pyetur së fundmi në një konferencë për shtyp për mundësinë e zëvendësimit të hershëm të Viniciusit, për ta mbrojtur nga presioni dhe kritikat e tifozëve në “Santiago Bernabeu”, Arbeloa nuk e përjashtoi këtë skenar, por theksoi qartë angazhimin e tij për ta mbështetur lojtarin në çdo moment. /Telegrafi/
Marc-Andre ter Stegen i ka thënë lamtumirë Ciutat Esportiva, pasi ka arritur marrëveshje për një transferim në formë huazimi te Girona deri në fund të sezonit.
Sipas gazetës katalunase Sport, Barcelona ka përfshirë në kontratë një të ashtuquajtur “klauzolë frike”, e cila do ta penalizonte financiarisht Gironën në rast se portieri gjerman aktivizohet kundër katalanasve.
Dy skuadrat janë të planifikuara të përballen në Montilivi në mesin e shkurtit, me Barcelonën që synon të mbrojë interesat e saj sportive përmes kësaj klauzole.
Ndërkohë, Ter Stegen ka mbërritur herët në qendrën stërvitore për t’u përshëndetur me shokët e skuadrës dhe stafin teknik, përpara udhëtimit të Barcelonës drejt ndeshjes së Ligës së Kampionëve.
Portieri gjerman ka zgjedhur Gironën për të siguruar minuta të rregullta loje në prag të Kupës së Botës, duke mbetur njëkohësisht pranë familjes së tij në Barcelonë.
Marrëveshja pritet të finalizohet pas kryerjes së ekzaminimeve mjekësore, me këtë huazim që vlerësohet si një nga transferimet më të bujshme në historinë e Gironas. /Telegrafi/
Trajneri i ri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, është i bindur se skuadra e tij ka potencialin e nevojshëm për të luftuar dhe fituar tituj, edhe pa kryer afrime të reja në merkato.
Arbeloa i bëri këto deklarata gjatë konferencës për shtyp përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Monacos, që do të luhet të martën në mbrëmje.
“Ekipi po luan mirë, është shumë i motivuar dhe pozitiv pas fitores së së shtunës”, u shpreh Arbeloa.
Trajneri spanjoll theksoi rëndësinë e përballjes së radhës në Ligën e Kampionëve.
“Jemi të përqendruar te ndeshja e nesërme, duke e ditur se është një garë shumë e rëndësishme për ne. Fitorja e nesërme do të na sillte shumë më afër qëllimit tonë. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e saj dhe duam të luajmë një ndeshje të shkëlqyer dhe t’u japim tifozëve tanë një fitore”, shtoi ai.
I pyetur nëse Real Madridi ka nevojë për përforcime të reja, Arbeloa i hodhi poshtë këto ide.
“E kam thënë që nga dita e parë se kam një skuadër të jashtëzakonshme dhe jam jashtëzakonisht me fat, nuk kemi nevojë të përforcohemi”, deklaroi trajneri madrilen.
Ai shtoi se ditët e para në krye të ekipit vetëm sa e kanë përforcuar bindjen e tij.
“Gjatë këtyre gjashtë ditëve të fundit kam kuptuar se, në një nivel më praktik, lojtarët janë edhe më të mirë nga sa mendoja. Kam ardhur këtu për të luftuar për të gjithë titujt, La Ligën dhe Ligën e Kampionëve. Ky është objektivi ynë dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për të luftuar për to".
Në fund, Arbeloa iu drejtua edhe tifozëve, duke nënvizuar rolin vendimtar të tyre, veçanërisht në “Santiago Bernabeu”.
“Do të na pëlqente shumë t’i kishim tifozët në anën tonë, sepse pa ta nuk kemi shumë shanse. Kur Real Madridi ka fituar tituj, kjo ka ndodhur kryesisht sepse Bernabeu ka qenë shumë mbështetës. Nëse pyet ndonjë kundërshtar për rikthimet magjike të Real Madridit, të gjithë flasin për atmosferën që Bernabeu është i aftë të krijojë. Është detyra jonë t’u sjellim atyre atë gëzim”, përfundoi Arbeloa, duke iu referuar edhe fishkëllimave që skuadra ka marrë në disa ndeshje./Telegrafi/
Copa del Rey hyn në fazën e saj vendimtare pas hedhjes së shortit për çerekfinalet, ku janë përcaktuar katër përballje mjaft interesante.
Ndeshjet Albacete – Barcelona, Alaves – Real Sociedad, Valencia – Athletic Bilbao dhe Real Betis – Atletico Madrid do të zhvillohen më 3, 4 dhe 5 shkurt, ndërsa Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) pritet të konfirmojë së shpejti datat dhe oraret përfundimtare.
Përballja mes Albacetes dhe Barcelonës do të jetë hera e parë që këto dy skuadra takohen ndonjëherë në Copa del Rey.
Albacete vjen në këtë fazë pas eliminimit befasues të Real Madridit, ndërsa Barcelona synon të vazhdojë rrugën drejt trofeut. /Telegrafi/
Pas një periudhe të trazuar dhe ndryshimeve në stolin drejtues, Manchester United ka marrë një vendim përfundimtar për t’i dhënë fund negociatave për shitjen e sulmuesit Joshua Zirkzee.
Edhe pse për javë të tëra ishte spekuluar për një transferim të mundshëm te Roma, klubi nga Old Trafford ka mbyllur në mënyrë të papritur derën për këtë operacion, raporton FourFourTwo.
Drejtori sportiv i Romës, Frederic Massara, ka konfirmuar se “Djajtë e Kuq” e bënë të qartë që dy javë më parë se bisedimet nuk ishin më një opsion.
Sipas raportimeve, trajneri i përkohshëm Michael Carrick është i vendosur ta mbajë sulmuesin holandez në skuadër deri në fund të sezonit, pavarësisht konkurrencës së fortë në repartin ofensivë.
Zirkzee kishte shprehur gatishmërinë për t’u huazuar, me një detyrim blerjeje prej 40 milionë eurosh, me synimin për të siguruar më shumë minuta loje në prag të Kupës së Botës që po afron. Megjithatë, afrimet e lojtarëve si Bryan Mbeumo dhe Benjamin Sesko e kanë ndërlikuar më tej situatën e tij, edhe pse klubi vazhdon ta konsiderojë një aset të rëndësishëm për të ardhmen.
Vendimi i Manchester United ka befasuar mediat italiane, të cilat e konsideronin transferimin drejt Romës pothuajse të përfunduar, sidomos pas largimit të Ruben Amorim.
Për momentin, Joshua Zirkzee mbetet në Manchester, ku do të kërkojë të imponohet dhe të justifikojë investimin e bërë nga klubi nën drejtimin e Michael Carrick. /Telegrafi/
Juventusi ka deklaruar se Pierre Kalulu nuk është i disponueshëm për transferim, pavarësisht interesit të madh nga Manchester United, Aston Villa dhe Tottenham Hotspur.
Klubi italian thekson se mbrojtësi francez “nuk ka çmim” dhe nuk është në shitje.
24-vjeçari, i cili erdhi te Juventusi nga AC Milan një vit më parë, ka lënë mbresa që nga ardhja e tij, duke u bërë një opsion i besueshëm në mbrojtjen e skuadrës.
Shumë klube të Ligës Premier janë interesuar për shërbimet e tij gjatë këtij muaji janar, por Juventusi është i vendosur ta mbajë Kalulu gjatë gjithë sezonit.
Kalulu ka bërë 28 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, duke kontribuar në stabilitetin e mbrojtjes së Juventusit dhe duke treguar qetësi me topin dhe shkathtësi në mbrojtje. /Telegrafi/
Futbollistët e ekipit kombëtar të Senegalit u bënë kampionë të Afrikës për herë të dytë në histori, pas një fitorjeje 1:0 ndaj Marokut në një nga finalet më dramatike të të gjitha kohërave.
Senegali festoi pas kohës shtesë, megjithatë në fund të rrjedhës së rregullt të lojës, ekipi ishte në prag të largimit nga fusha për shkak të vendimeve të gjyqtarit.
Fillimisht, senegalezëve iu anulua një gol i rregullt, dhe më pas u tërbuan nga vendimi i gjyqtarit për të akorduar një penallti të dyshimtë për Marokun në sekondat e fundit.
Shumë lojtarë më pas lanë fushën me udhëzimin e trajnerit Pape Thiaw dhe u mbyllën në dhomën e zhveshjes, ndërsa pushimi zgjati rreth pesëmbëdhjetë minuta.
Në fund, senegalezët dolën nga dhoma e zhveshjes, Brahim Diaz humbi penalltinë për Marokun dhe në kohën shtesë, Pape Gueye shënoi golin vendimtar, duke i dhënë Senegalit titullin e kampionit të Afrikës.
Legjenda që vendosi rikthimin në fushë
Vendimi për rikthimin e skuadrës në fushë i atribuohet një legjende të futbollit afrikan, El-Hadji Diouf, i cili aktualisht shërben si këshilltar në Federatën Senegaleze të Futbollit. Ai ishte në rreshtin e parë pas stolave të zëvendësuesve gjatë finales.
Gjatë pushimit, Sadio Mane iu afrua Diouf-it, i cili i pëshpëriti disa fjalë në vesh. Fjalët e tij duket se ishin vendimtare, sepse Mane vrapoi menjëherë në dhomën e zhveshjes dhe i udhëhoqi shokët e ekipit përsëri në fushë.
"El Hadji Diouf më thirri nga tribunat dhe na tha të vazhdonim të luanim. Pas kësaj, shkova në dhomën e zhveshjes dhe e thirra ekipin përsëri. Claude la Roy dhe Mamadou Niang më këshilluan gjithashtu të njëjtën gjë", tha Mane pas ndeshjes./Telegrafi/
Vedat Muriqi është futbollisti i momentit te Mallorca dhe jo vetëm, pasi ai sigurisht që është lojtari që ka bërë më së miri këtë fundjavë në La Liga.
Ylli kosovar ka shkëlqyer në fundjavën që lamë pas me tre gola ndaj Athletic Bilbaos duke i siguruar një fitore Mallorcas 3-2.
Një nga gazetarët më të mirë italianë, Gianluca Di Marzio ka bërë një shkrim të jashtëzakonshëm për prizrenasin: Nga lufta e Kosovës te shkëlqimi në Turqi, dështimi në Serie A dhe rilindja në La Liga me fanellën e Mallorcas.
Më poshtë keni shkrimin e plotë të përkthyer nga Di Marzio për Vedat Muriqin:
Rilindja e Vedat Muriqit te Mallorca: golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit me 46 gola
Hapni renditjen e golashënuesve të La Ligës dhe përkrah emrave si Mbappe, Ferran Torres e Lewandowski, do të gjeni edhe Vedat Muriqin. “Piratin” kosovar, i cili në Spanjë ka përjetuar një rilindje të vërtetë falë Mallorcës.
Me 14 gola në kampionat, ai po vazhdon të thyejë rekord pas rekordi, përfshirë edhe atë të arritur në fitoren e fundit 3-2 ndaj Athletic Bilbaos, ku realizoi një het-trik dhe u bë kështu golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit nga Ishujt Balearikë me 46 gola, duke kaluar Juan Arangon dhe duke iu afruar Samuel Eto’os, i cili mban rekordin me 54 gola.
telegrafi.com
Në Itali shpesh etiketohej si i ngadaltë apo i rëndë në lëvizje, por në La Liga Muriqi është një tjetër lojtar: i pamëshirshëm në zonë dhe gjithnjë e më vendimtar. Bashkëpunimi me Lazion nuk arriti kurrë të lulëzonte plotësisht: skuadra kishte nevojë për një sulmues përkrah Ciro Immobiles dhe merkatoja i solli Simone Inzaghit sulmuesin kosovar për 21 milionë euro, blerja e dytë më e shtrenjtë e epokës Lotito. Rezultatet? Vetëm disa paraqitje nga viti 2020 deri në 2022 dhe vetëm dy gola të shënuar, të dy ndaj Atalantës, një në Serie A dhe një në Kupën e Italisë.
Megjithatë, aventura me Lazion përfundoi herët, pasi në janar të vitit 2022 Mallorca vendosi ta blejë për 13 milionë euro. Një rini e dytë për sulmuesin, i cili në Spanjë gjeti vazhdimësi, gola dhe entuziazmin e atij fëmije që u rrit me topin në këmbë, pavarësisht frikës nga lufta në Kosovë.
Muriqi, protagonist në La Liga me Mallorcën
Pikërisht lufta ka qenë për Muriqin përvoja më e vështirë e jetës. Vetëm gjashtë vjeç, ai u detyrua të largohej nga Prizreni.
“Na morën sendet me vlerë dhe paratë. Na thanë se do ta bombardonin shtëpinë nëse nuk largoheshim brenda dy orësh. Na mbrojti Zoti. Ishim 50 persona, flinim në bodrum dhe kishim vetëm dy litra qumësht për t’u ushqyer. Hanim bukë dhe qepë për mëngjes, drekë e darkë”, tregonte Muriqi në një intervistë të vjetër për Gazzetta dello Sport.
Konfliktet mes Serbisë dhe Kosovës do ta shënonin adoleshencën e tij, por synimi mbeti gjithmonë i njëjtë: të bëhej futbollist. Këtë e arriti në vitin 2005 me KF Liria, në vendlindje, përpara se të vazhdonte karrierën në Shqipëri te Teuta e Durrësit e Besa e Kavajës, derisa bëri hapin e madh në Turqi duke luajtur për Giresunspor, Genclerbirligi, Rizespor e Fenerbahce.
Ëndrra Botëror me Kosovën
Që nga viti 2008, asnjë lojtar i Mallorcës nuk kishte realizuar një het-trik; i fundit ishte Dani Guiza kundër Real Murcias.
Ishte pikërisht Vedat Muriqi ai që e theu këtë tabu ndaj Athletic Bilbaos, me një dedikim prekës për babain e tij: “Sikur të ishte gjallë, sot do ta festonte ditëlindjen. Djali im mban emrin e tij. Ai u nda nga jeta kur unë isha 7 vjeç”, tha Muriqi pas ndeshjes i emocionuar.
Mes objektivave të Muriqit, përveç mbijetesës me Mallorcën, është edhe ëndrra e Botërorit me Kosovën.
Kombëtarja, e drejtuar nga Franco Foda, në mars do të përballet me Sllovakinë për të luajtur më pas finalen e mundshme ndaj njërës mes Turqisë dhe Rumanisë.
Muriqi është pa dyshim njeriu simbol i Kosovës, si dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 32 gola.
Shifra lideri dhe gola vendimtarë, veçanërisht ai i shënuar në sekondat e fundit ndaj Greqisë, që i siguroi Kosovës një hap drejt kualifikimit në play-off.
Qoftë me Mallorcën apo me Kosovën, Vedat nuk ka ndërmend të ndalojë së ëndërruari. /Telegrafi/
Vedat Muriqi vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes gjatë janarit, jo vetëm për golat e shënuar.
Sulmuesi kosovar është duke pasur oferta të vazhdueshme, përkundër që ka shprehur dëshirën për të mbetur te Mallorca.
Ish-klubi i Muriqit, Fenerbahce po insiston për ta rikthyer në Stamboll sulmuesin dardan.
Mediumi turk, FotoMac ka raportuar se gjiganti nga Stambolli ka bërë një ofertë të parë në drejtim të Mallorcas prej 12 milionë eurove dhe dy klubet janë duke negociuar.
Mallorca synon të përfitojë 16 milionë euro nga shitja e Muriqit i cili këtë edicion ka shënuar 14 gola në La Liga, por dëshira e tij është të mbetet në klubin aktual.
"Jam i lumtur këtu dhe kam një kontratë. Kur një sulmues shënon shumë gola, vijnë oferta. Klubi do të vendos për të ardhmen time, pastaj unë do të marr vendimin tim", tha Muriqi të shtunën pasi shënoi het-trik ndaj Athletic Bilbaos.
Gjithnjë sipas mediave turke, e ardhmja e Muriqit pritet të vendoset deri në fund të kësaj jave nëse do të largohet nga Mallorca apo do të qëndrojë për ta thyer rekordin e Samuel Eto'o-s si golashënuesi më i mirë në histori të klubit.
Aktualisht Muriqi ka shënuar 48 gola dhe ndodhet vetëm gjashtë gola larg rekordit të kamerunasit i cili është golashënuesi më i mirë në histori të Mallorcas me 54 gola. /Telegrafi/
Finalja e Kupës së Kombeve të Afrikës midis Marokut dhe Senegalit mund të mos ketë ofruar lëvizje të bukura futbolli, por ofroi shumë emocione, dhe një prej tyre ishte drama e vërtetë që u zhvillua pas portës së portierit senegalez Edouard Mendy.
Marokenët u vlerësuan nga të gjithë pjesëmarrësit në Turneun Afrikan të Kombeve për organizimin e shkëlqyer të turneut, por që në gjysmëfinale, vendasit treguan mungesën e mikpritjes dhe vrazhdësinë e tyre që shihet rrallë.
Konkretisht, portieri nigerian Stanley Nwabali i fshiu dorezat me një peshqir në një moment të ndeshjes dhe e la atë pranë vijës së portës, dhe një nga rojet e sigurisë ia vodhi atë.
Even the Nigerian goalkeeper's personal towel, which he wanted to use to dry his gloves, was stolen by a Moroccan official during the semi-final of the AFCON. 🇳🇬🇲🇦🤣😭 pic.twitter.com/H1O8E8WQo8 — Football Tweet ⚽ (@Footballtweet) January 16, 2026
Të gjithë mendonin se një gjë kaq e çuditshme nuk mund të ndodhte në finale, por marokenët e çuan paturpësinë e tyre në një nivel tjetër.
Konkretisht, në mes të ndeshjes, kapiteni i Marokut, Achraf Hakimi, mori peshqirin e Mendyt dhe e hodhi pas reklamave.
Mbrojtësi i Senegalit, El Hadji, Malick Diouf, reagoi menjëherë, duke kërcyer mbi reklamat dhe duke ia kthyer peshqirin Mendyt, por ajo copë e vlefshme pëlhure u zhduk përsëri.
Në atë moment, portieri rezervë i Marokut, Yehvan Diouf, hyri në skenë dhe solli peshqirin e tij pas portës së Mendyt dhe ia dha shokut të tij të skuadrës që t’i fshinte dorezat, duke pasur parasysh se po binte shi gjatë ndeshjes.
This is pure MADNESS, An unbelievable scene as the Moroccan player Ismael Saibari tries to steal the Senegalese goalkeeper Mendy's towel, fortunately, there was a Senegalese player there to keep hold of it!
Por trajneri i Marokut më pas e zëvendësoi mesfushorin e tij, Ismael Saibari, dhe e dërgoi atë pas portës së Senegalit për të penguar Dioufin t’ia kalonte peshqirin Mendyt.
Portieri rezervë i Senegalit arriti të anashkalonte Saibarin dhe t’ia kalonte peshqirin Mendyt, por më pas marokenët vendosën të punësonin fëmijët që presin topat.
Big Shout out to Senegal’s reserve goal keeper Yehvan Diouf who was active all through out the game handing Edouard Mendy his towel and fighting off ball boys and Moroccan players. A Real Soldier.💪🇸🇳 pic.twitter.com/yKt5VY4LO8 — Yimzy (@oyimzy) January 19, 2026
Në një moment, gjatë aksionit maroken në gjysmën e fushës së Senegalit, katër djem sulmuan Dioufin dhe u përpoqën t’i vidhnin peshqirin disa herë.
Diouf luftoi fjalë për fjalë me fëmijët për të shpëtuar peshqirin, dhe në një moment ai madje ra në fushë ndërsa marokenët ishin përpara zonës së penalltisë së Senegalit.
Një roje sigurie ndërhyri në gjithçka, por as ai nuk arriti t’i vidhte peshqirin Dioufit.
Ju kujtojmë se Senegali fitoi në kohën shtesë me rezultatin 1:0 dhe u bë kampion i Afrikës, dhe pa asnjë dyshim portieri rezervë Diouf meriton të gjitha lëvdatat dhe një pjesë të meritës për trofeun. /Telegrafi/
Basketbollisti slloven Luka Doncic u rikthye në fushë pas mungesës në ndeshjen e fundit për shkak të një dëmtimi në ijë, dhe menjëherë u shndërrua në një nga protagonistët kryesorë të fitores së Los Angeles Lakers.
Lakers mposhtën Toronto Raptors në shtëpi me rezultatin 110:93, duke shënuar fitoren e tyre të 25-të të sezonit.
Doncic dhe Deandre Ayton ishin më të mirët te Lakers, duke shënuar nga 25 pikë secili. Ayton regjistroi edhe 13 kërcime, ndërsa Doncic shpërndau 7 asistime.
LeBron James shtoi 24 pikë për skuadrën e tij. Tek Raptors, Scottie Barnes, lojtari më i dalluar i sezonit, kontribuoi me 22 pikë dhe 9 ribaunde.
Me këtë fitore, Lakers renditen në vendin e gjashtë në Konferencën Perëndimore me rekord 25-16, duke vazhduar luftën për një vend të drejtpërdrejtë në playoff.
Finalja e mbrëmshme e Kupës së Kombeve Afrikane prodhoi emocione të forta, polemika dhe një hero të padiskutueshëm: portierin e Senegalit, Edouard Mendy.
Ndërkohë, Brahim Diaz u shndërrua në figurën tragjike të ndeshjes, pas humbjes së një penalltie vendimtare në kohën shtesë.
Gjithçka ndodhi në minutën e 97-të të takimit, kur gjyqtari, pas rishikimit të VAR-it, akordoi një penallti për Marokun për një tërheqje në zonë pas një goditjeje nga këndi. Diaz u rrëzua në zonë dhe gjyqtari nga Republika Demokratike e Kongos tregoi pikën e bardhë, duke shkaktuar reagime të forta nga stafi dhe lojtarët e Senegalit.
Trajneri Thiaw dhe disa futbollistë senegalezë u larguan nga fusha në shenjë proteste, por kapiteni Sadio Mane ndërhyri, duke i bindur ata të ktheheshin dhe ta përfundonin ndeshjen.
Penalltinë e mori përsipër Brahim Diaz, i cili tentoi një goditje të tipit “panenka”, por tentativa e tij dështoi plotësisht dhe Mendy e priti topin pa vështirësi.
Në vazhdimin e kohës shtesë, Senegali përfitoi nga momentumi dhe nëpërmjet Pape Gueye shënoi golin e vetëm të finales, duke siguruar titullin kampion të Afrikës.
Megjithatë, humbja e penalltisë nga Diaz nxiti diskutime dhe dyshime, pasi u vu re se ai kishte komunikuar për një kohë të gjatë me Mendy përpara ekzekutimit.
Edouard Mendy reagoi pas ndeshjes, duke hedhur poshtë kategorikisht çdo aludim për një marrëveshje apo humbje të qëllimshme të penalltisë nga Diaz.
“A e humbi Brahimi penalltinë qëllimisht? Jo, absolutisht jo. Duhet të jemi seriozë. A mendoni se në minutat e fundit të një finaleje, një lojtar i një kombëtareje që ka pritur titullin për 50 vjet do të pranonte diçka të tillë? Ai donte të shënonte. Unë thjesht bëra punën time dhe e prita penalltinë,” deklaroi portieri senegalez.
Brahim Diaz ende nuk ka folur publikisht, ndërsa Senegali feston një tjetër moment historik në futbollin afrikan, me Mendyn që konfirmohet si një nga protagonistët kryesorë të këtij triumfi. /Telegrafi/
Milan arriti një fitore të rëndësishme ndaj Lecces në San Siro, duke thyer rezistencën e fortë të skuadrës mysafire, e cila u mbajt në lojë për një kohë të gjatë falë një performance të jashtëzakonshme të portierit Falcone.
Rossonerët dominuan ndeshjen dhe më në fund siguruan tre pikë vendimtare për vazhdimësinë e sezonit falë fitores 1-0 me golin e Niclas Fullkrug.
Pas përfundimit të takimit, mesfushori shqiptar Ardon Jashari foli për DAZN, duke u ndalur si te rezultati, ashtu edhe te paraqitja e tij personale. Mesfushori u shpreh i kënaqur për besimin e trajnerit dhe mbi të gjitha për fitoren e ekipit.
“Le të vazhdojmë kështu. Jam i lumtur për Fullkrugun. Jam i kënaqur që e nisa ndeshjen si titullar, por gjëja më e rëndësishme janë tre pikët e ekipit", u shpreh Jashari.
Ai komentoi edhe rolin e tij në fushë, duke theksuar fleksibilitetin dhe gatishmërinë për të zbatuar kërkesat taktike të trajnerit.
“Unë bëj atë që më kërkon trajneri. Është e rëndësishme që shokët e ekipit të kuptojnë karakteristikat e mia. Më kërkoi të luaja si numër gjashtë dhe ky është një mesazh që duhet të përçohet në të gjithë ekipin,” shtoi ai.
Jashari nuk i kurseu fjalët e mira as për bashkëpunimin me Luka Modric, i cili është një nga figurat kyçe të mesfushës së Milanit.
“Të luash me të është një dhuratë. Ai është një person i jashtëzakonshëm jashtë fushës dhe një lojtar i pabesueshëm. Po e shijoj çdo moment dhe shpresoj të luaj më shumë minuta përkrah tij", tha mesfushori.
Pas kësaj fitoreje, Milani tashmë përqendrohet te sfida e radhës në Olimpico kundër Romës, një test i madh për ambiciet e kuqezinjve. /Telegrafi/
Marc Guehi ka mbërritur në Manchester dhe tashmë është shumë pranë përfundimit të transferimit të tij te Manchester City.
Sky Sports ka shpërndarë imazhe të dielën, ku shihet aeroplani privat i mbrojtësit të Anglisë duke u ulur në aeroportin e Manchesterit, ndërsa lojtari pritet t’i nënshtrohet fazave të fundit të marrëveshjes.
Guehi do të finalizojë kushtet personale dhe do të kryejë kontrollet mjekësore në orët në vijim.
Manchester City e ka identifikuar kapitenin e Crystal Palace si një përforcim kyç për repartin defensiv, ndërsa marrëveshja tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare përpara konfirmimit zyrtar nga të dy klubet.
Kësisoj City me këtë transferim ia rrëmben Liverpoolit një objektiv të madh, pasi Guehi ka qenë dëshira kryesore e trajnerit Arne Slot. /Telegrafi/
Chelsea ndodhet në negociata për transferimin e qendërmbrojtësit të Rennes, Jeremy Jacquet.
Talenti 20-vjeçar i përfaqësueses franceze U21 ka tërhequr interes të madh me paraqitjet e tij këtë sezon.
“Blutë” raportohet se janë të gatshëm të paguajnë rreth 50 milionë funte, megjithatë Rennes po kërkon 55 milionë funte, çka ka krijuar një ngërç në bisedime mes dy klubeve.
Jacquet ka qenë titullar i rregullt gjatë këtij edicioni, duke lënë mbresa me forcën në fazën mbrojtëse dhe aftësinë për të avancuar topin nga prapavija. Ai ka kontratë me klubin francez deri në vitin 2029.
Chelsea e sheh Jacquet si një investim dhe opsion afatgjatë për repartin defensivë, ndërsa Rennes mbetet i vendosur të sigurojë vlerën maksimale për një nga talentet më premtues në zhvillim. /Telegrafi/
Sipas Fabrizio Romano, Kobbie Mainoo do të qëndrojë te Manchester United edhe gjatë këtij muaji, pavarësisht se më herët kishte shprehur dëshirën për t’u larguar në formë huazimi.
Mesfushori 20-vjeçar ishte lënë jashtë planeve nga Ruben Amorim, por gjithçka ndryshoi me ardhjen e Michael Carrick në krye të skuadrës.
Mainoo u aktivizua si titullar në ndeshjen e tij të parë në Premier League nën drejtimin e Carrick dhe shkëlqeu në fitoren 2-0.
Manchester United nuk ka qenë kurrë plotësisht i bindur për idenë e largimit të talentit të ri, megjithatë do ta kishte konsideruar me hezitim një huazim vetëm në rast se ai do të mbetej vazhdimisht në stol.
Tani, klubi nga Liga Premier nuk ka asnjë arsye për të lejuar largimin e Mainoo, i cili gëzon besimin e plotë të Carrick.
Ky zhvillim vjen si një goditje për Napolin dhe klubet e tjera të interesuara, të cilat kishin pyetur për një huazim të mundshëm. /Telegrafi/
Parma dhe Genoa ka qenë ndeshja e parë e ditës së diel në Serie A, teksa pas 90 minutave sfida u mbyll pa gola 0-0.
Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, por që në fund nuk solli fitues.
Megjithatë këtë ndeshje do ta mbajë gjatë në mend talenti shqiptar Joi Nuredini. Sulmuesi i talentuar shqiptar ka bërë debutimin e tij në Serie A me fanellën e Genoas.
🔁89'| Nel Genoa dentro Nuredini al posto di Colombo#ParmaGenoa 0⃣-0⃣ — Genoa CFC (@GenoaCFC) January 18, 2026
18-vjeçari është një nga futbollistët më të mirë të ri të Genoas, derisa legjenda italiane, Daniele De Rossi që është në stolin e Genoas i ka besuar atij duke i dhënë debutimin në Serie A.
Nuredini u fut në ndeshje në minutën e 88-të, derisa luajti deri në minutën e 94-të.
Sulmuesi i talentuar është pjesë e Kombëtares U19 të Shqipërisë, derisa është produkt i Akademisë së Genoas. /Telegrafi/