Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 24 January 2026Main stream

Delegacioni i KFOR-it vizitë në Portin e Durrësit për bashkëpunim logjistik

24 January 2026 at 13:25
TIRANË, 24 janar /ATSH/ Një delegacion i Grupit të Bashkuar të Mbështetjes Logjistike të KFOR-it (Joint Logistic Support Group – JLSG) zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Portin e Durrësit, ku u prit në një takim nga drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu.
Vizita u zhvillia në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes institucioneve shqiptare dhe forcave aleate të NATO-s, si dhe në funksion të njohjes nga afër me kapacitetet dhe infrastrukturën portuale që Porti i Durrësit ofron për mbështetjen e operacioneve logjistike dhe ushtarake.
Delegacioni i KFOR-it, i përbërë nga përfaqësues të niveleve të ndryshme drejtuese dhe operative, u informua mbi potencialin operacional të portit, zonat e shërbimit, si dhe mundësitë që Shqipëria mund të ofrojë në kuadër të mbështetjes së vendit pritës për operacione të zhvilluara ose të mbështetura nga KFOR.
Autoriteti Portual i Durrësit bën të ditur se, takimi shërbeu gjithashtu për të forcuar më tej bashkëpunimin institucional dhe për të shkëmbyer informacion mbi nevojat logjistike, planëzimin operacional dhe rolin strategjik të Portit të Durrësit në rajon.
1 nga 4
e.xh/j.p/

The post Delegacioni i KFOR-it vizitë në Portin e Durrësit për bashkëpunim logjistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikonstruksioni i godinës, 142 të dënuar të burgut të Fushë-Krujës transferohen në Peqin dhe Durrës

24 January 2026 at 18:08

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur se, për shkak të rikonstruksionit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fushë-Krujë, ka nisur procesi i transferimit të të dënuarve drejt institucioneve të tjera të vuajtjes së dënimit.

Konkretisht, janë transferuar gjithsej 142 të burgosur, nga të cilët 85 për në IEVP Peqin dhe 57 për në IEVP Durrës. Për realizimin e këtij procesi janë marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen dhe shoqërimin e të burgosurve nga forcat operacionale, nën drejtimin e specialistëve përkatës. Gjithashtu, për lëvizjen janë njoftuar Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, si dhe komisariatet përkatëse, në përputhje me itinerarin e përcaktuar.

Autokolona me 57 të burgosur ka mbërritur pa probleme në IEVP Durrës, ku nga ana e institucionit janë marrë masat e plota për pritjen, kontrollin dhe sistemimin e tyre, nën drejtimin e drejtuesve të institucionit.

Po ashtu, autokolona me 85 të burgosur ka mbërritur pa probleme në IEVP Peqin, ku janë zbatuar të gjitha procedurat standarde për pritjen, kontrollin dhe sistemimin e të burgosurve, nën drejtimin e drejtuesve të institucionit.

Procesi i transferimit është zhvilluar në mënyrë të qetë, të sigurt dhe në përputhje të plotë me aktet ligjore dhe rregulloret në fuqi, njofton Drejtoria e Pergjithshme e Burgjeve.

e.xh/j.p/

The post Rikonstruksioni i godinës, 142 të dënuar të burgut të Fushë-Krujës transferohen në Peqin dhe Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: MIE, e anagazhuar në përmbylljen e kapitujve kyç të negociatave me BE

24 January 2026 at 12:18

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) vijon punën intensive për përmbylljen e negociatave të integrimit në Bashkimin Evropian për katër nga kapitujt më të rëndësishëm, me fokus të veçantë te Kapitulli 15 – Energjia.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku duke publikuar momente nga mbledhja e skuadrës së drejtuar nga Enkeleda Muçaj, kryenegociatore e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku u shpreh se të gjithë janë angazhuar plotësisht në këtë proces historik.

“Të gjithë drejtuesit e skuadrës sonë janë mobilizuar për të çuar përpara negociatat, si dhe për të informuar dhe përgatitur grupet e interesit të lidhura me këto kapituj,” tha Balluku.

Shqipëria synon që në vitin 2027 t’i ketë plotësuar të gjitha kushtet për mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Ndërkohë në 2025-ën Shqipëria i çeli negociatat për 33 kapituj. Në 17 nëntor çeli negociatat për 5-së kapitujt e fundit.

Në 2026 Shqipëria do të kalojë, dhe po punon intensivisht për këtë, për t’u futur në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësim me një numër të mirë fushash nga këto 33 kapituj.

Procesi përfshin koordinimin e drejtuesve të institucioneve dhe ekspertëve të fushave përkatëse, me qëllim përgatitjen e plotë të vendit për kërkesat dhe standardet e BE-së në këtë sektor kyç.

e.xh/j.p/

The post Balluku: MIE, e anagazhuar në përmbylljen e kapitujve kyç të negociatave me BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Bizneset të aplikojnë për statusin OEA për procedura më të thjeshtuara doganore

24 January 2026 at 18:15

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, zhvilluan një vizitë pune në dy kompani shqiptare, të cilat kanë përfituar statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, kompaninë “Everest” dhe “Albaelettrica”.

Gjatë vizitës, ministri Malaj u njoh nga afër me aktivitetin e kompanive dhe me përfitimet që ka sjellë statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar për to. Kompania Everest ushtron aktivitetin e saj ekonomik prodhues dhe eksportues në sektorin e profileve të duraluminit dhe industrisë së automotivës, ka rreth 530 punonjës dhe operon në të gjithë zinxhirin e prodhimit, nga përpunimi i aluminit deri te produktet e gatshme për tregun vendas dhe eksport. Rreth 60–65% e prodhimit të saj eksportohet në tregje si Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe vendet e rajonit.Administratori i kompanisë “Everest” vlerësoi përfitimet që statusi OEA i ka sjellë biznesit, duke theksuar thjeshtimin e procedurave doganore, reduktimin e kontrolleve, përshpejtimin e transportit dhe kursimin e kohës, element kyç për rritjen e eficiencës dhe konkurrueshmërisë.

Vizita vijoi në kompaninë “Albaelettrica”, një tjetër subjekt përfitues i statusit Operator Ekonomik i Autorizuar, e specializuar në tregtimin me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, civile, industriale, si dhe projektimin dhe instalimin e tyre. Edhe përfaqësuesit e kësaj kompanie theksuan se certifikimi OEA ka sjellë lehtësira të ndjeshme në procedurat doganore, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e kostove dhe përmirësimin e performancës operacionale.

Nga ana e tij, ministri i Financave vlerësoi lehtësitë që sjell statusi iOperatorit Ekonomik të Autorizuar dhe i bëri thirrje të gjithë bizneseve që të aplikojnë për të përfituar këtë status.

“Jemi sot këtu për t’i bërë thirrje të gjithë bizneseve nëpër Shqipëri, të cilët kanë një aktivitet që i lidh me importin dhe eksportin në drejtorinë e Doganave, që të shohin mundësinë për të marrë certifikimin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, sepse ju jep procedura doganore më të thjeshtuara, më pak kontrolle nëpër doganë por, edhe në ato raste kur ka kontrolle, subjektet të cilët kanë këtë certifikim kanë një prioritet përsa i përket procesimit të procedurave doganore”, u shpreh  Malaj.

Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Doganave vuri në dukje se statusi OEA bazohet në besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet administratës doganore dhe bizneseve korrektë. Ai theksoi se përfitimet përfshijnë, ndër të tjera, më pak kontrolle dokumentare dhe fizike, zhdoganim lokal në ambientet e subjektit dhe kursim të ndjeshëm të kohës dhe kostove.

Gjatë vizitës, Malaj përfitoi nga rasti për të informuar se aktualisht Shqipëria po punon intensivisht për përafrimin e Kodit Doganor me legjislacionin e Bashkimit Europian, proces që pritet të përfundojë brenda këtij viti.

“Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë drejt përafrimit të të gjithë kuadrit të saj ligjor me direktivat e Bashkimit Europian. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është aktualisht duke punuar për të përafruar dhe për të harmonizuar të gjithë Kodin Doganor me kërkesat e direktivave të BE dhe brenda këtij viti ne do ta përfundojmë të gjithë këtë proces. Kodi Doganor shqiptar do të jetë njësoj si Kodi Doganor që aplikohet në Bashkimin Europian. Prandaj, këto fasilitete të cilat ju tashmë i keni përfituar duhet t’i përfitojnë edhe operatorët e tjerë, në mënyrë që të jenë edhe ata më efikasë dhe më konkurrues në tregun ku do të aderojmë shumë shpejt”, tha ministri i Financave.

Operatori Ekonomik i Autorizuar (OEA) është një status që u jepet operatorëve ekonomikë të besueshëm, të cilët përfitojnë nga thjeshtime dhe lehtësira doganore, si dhe nga një trajtim më i favorshëm nga administrata doganore. Deri më tani, këtë status e kanëpërfituar 18 kompani, të cilat operojnë në sektorë të ndryshëm në treg.Për të përfituar statusin OEA, operatorët duhet të plotësojnë kritere të caktuara, si: respektimi i legjislacionit doganor dhe tatimor, kapacitet i mirë financiar, sisteme të përshtatshme menaxhimi dhe, për OEA-S, standarde të larta sigurie dhe mbrojtjeje të zinxhirit tregtar.Përfitimet e statusit të OEA-ve jepen në varësi të llojit të autorizimit, si: një trajtim më i favorshëm në lidhje me vlerësimin e riskut dhe kontrollet; një akses i thjeshtuar apo ekskluziv në disa thjeshtime doganore; si dhe marrëveshje për njohje të përbashkët me shtete të tjera.

e.xh/j.p/

The post Malaj: Bizneset të aplikojnë për statusin OEA për procedura më të thjeshtuara doganore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Interes për të zbuluar e përjetuar Shqipërinë në panairin Fitur në Madrid

24 January 2026 at 10:28

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Stenda e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, në Madrit, Spanjë, ka tërhequr interes të lartë nga vizitorë dhe operatorë turistikë nga vende të ndryshme të botës, duke reflektuar rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj Shqipërisë si destinacion turistik.

Në stendën shqiptare prezantohen destinacionet kryesore turistike të vendit, vlerat e trashëgimisë kulturore, si dhe produktet tradicionale, të cilat përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të ofertës turistike kombëtare. Ky prezantim synon të pasqyrojë diversitetin e Shqipërisë dhe potencialin e saj për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale momente nga aktivitetet në stendën e Shqipërisë, duke theksuar interesin dhe kureshtjen e vizitorëve për të njohur më nga afër destinacionet shqiptare.

“Çdo moment pulson me interes dhe kureshtje për të zbuluar e përjetuar Shqipërinë në të gjitha dimensionet e saj”, u shpreh ministri Gonxhja.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në FITUR 2026 vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e turizmit shqiptar në tregjet ndërkombëtare, për forcimin e bashkëpunimit me operatorë turistikë dhe për rritjen e numrit të vizitorëve të huaj në vend.

Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) 12,466,038 shtetas të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit që lamë pas.

Kjo shifër shënon një rritje vjetore prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, duke dëshmuar se trendi rritës i Shqipërisë si destinacion turistik po konsolidohet.

e.xh/j.p/

The post Gonxhja: Interes për të zbuluar e përjetuar Shqipërinë në panairin Fitur në Madrid appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Leku fiton terren ndaj valutave kryesore

24 January 2026 at 10:14

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Leku fitoi terren ndaj monedhave kryesore të huaja gjatë javës 19–23 janar në tregun e brendshëm të këmbimit valutor.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan u këmbye në fundjavë me 82,17 lekë, nga 83,01 lekë në fillim të javës, duke shënuar një rënie prej 0,84 lekësh.

Edhe euro shënoi një rënie të lehtë ndaj lekut. Monedha evropiane u kuotua këtë fundjavë me 96,43 lekë, nga 96,51 lekë ditën e hënë, ose 0,08 lekë më pak.

Në raport me lekun u dobësuan gjithashtu paundi britanik dhe franga zvicerane.

Paundi britanik u këmbye nga 111,27 lekë në fillim të javës, në 111,21 lekë në fundjavë, ndërsa franga zvicerane u zhvlerësua lehtë me 0,01 lekë, duke u kuotuar në 103,92 lekë.

Banka e Shqipërisë vijon të zbatojë një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ku ecuria e tregut valutor përcaktohet nga raporti i kërkesës dhe ofertës. Sipas institucionit, luhatjet e regjistruara reflektojnë zhvillimet pozitive në ekonominë shqiptare, si edhe ndikimet nga tregjet ndërkombëtare financiare.

e.xh/j.p/

The post Leku fiton terren ndaj valutave kryesore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banka e parë digjitale në Shqipëri, risi teknologjike dhe test për sigurinë kibernetike

24 January 2026 at 09:31

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Hyrja e bankës së parë digjitale në tregun financiar shqiptar përbën një risi të rëndësishme për sistemin bankar, duke shënuar një hap drejt modernizimit të shërbimeve financiare dhe përafrimit me standardet evropiane.

Ky zhvillim pritet të sjellë një model të ri operimi, të bazuar tërësisht në teknologji digjitale, si dhe të rrisë konkurrencën në treg.

Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, vlerësoi se Shqipëria ka treguar gatishmëri për të përqafuar risitë, edhe pse përballet ende me sfida infrastrukturore dhe informuese.

“Hyrja e bankës digjitale do të na afrojë më shumë me tregjet bankare evropiane dhe do të rrisë konkurrueshmërinë e sistemit financiar”, u shpreh Radonshiqi.

Sipas saj, përvoja pozitive e qytetarëve me shërbimet online ka treguar se digjitalizimi sjell përfitime konkrete, duke reduktuar kohën dhe kostot si për individët, ashtu edhe për bizneset, përfshirë zonat rurale. E njëjta prirje pritet të reflektohet edhe në sistemin bankar, përmes rritjes së efikasitetit dhe aksesit në shërbime financiare.

“Banka digjitale nënkupton kosto më të ulëta transaksionesh, kursim kohe dhe rritje të konkurrueshmërisë, si në aspektin e të bërit biznes, ashtu edhe në realizimin e operacioneve financiare”, tha ajo.

Radonshiqi theksoi se banka e re digjitale pritet të shërbejë si model për bankat e tjera tregtare, duke nxitur digjitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe orientimin e tregut bankar drejt inovacionit teknologjik.

Megjithatë, krahas risive që sjell, digjitalizimi i plotë i shërbimeve bankare shoqërohet edhe me sfida të rëndësishme, ku kryesorja mbetet siguria kibernetike. Sipas ekspertes, rritja e përdorimit të platformave digjitale ekspozon sistemin financiar ndaj rreziqeve të reja, përfshirë sulmet kibernetike, të cilat mbeten një shqetësim për qytetarët dhe bizneset.

“Pavarësisht lehtësive dhe efikasitetit që ofron banka digjitale, sfida kryesore lidhet me garantimin e sigurisë së të dhënave dhe transaksioneve financiare. Kjo kërkon masa të shtuara sigurie dhe bashkëpunim të ngushtë mes bankave dhe institucioneve rregullatore”, theksoi Radonshiqi.

Sipas saj, adresimi i sfidës së sigurisë kibernetike do të jetë vendimtar për ndërtimin e besimit të publikut dhe për suksesin afatgjatë të modelit të bankës digjitale në Shqipëri, duke e kthyer këtë risi në një faktor pozitiv për zhvillimin e gjithë sistemit bankar.

Banka e parë digjitale, e cila ka marrë miratimin nga Banka e Shqipërisë, do të operojë pa degë fizike, duke ofruar shërbime bankare përmes platformave digjitale. Modeli i saj synon të kombinojë teknologjinë e avancuar me procedura të thjeshtuara, kosto më të ulëta transaksionesh dhe një qasje të përqendruar te klienti, duke ndryshuar mënyrën tradicionale të ndërveprimit me bankën.

/e.xh/r.e/ /a.g/

The post Banka e parë digjitale në Shqipëri, risi teknologjike dhe test për sigurinë kibernetike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korrupsion dhe shpërdorim detyre, arrest shtëpie ndaj 3 efektivëve në Orikum

24 January 2026 at 09:30
TIRANË, 24 janar /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria e Hetimit dhe Drejtoria Rajonale Vlorë – Gjirokastër) ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj tre punonjësve të policisë.
Sipas njoftimit të AMP-së, policët D. L., me detyrë inspektor krimesh pranë stacionit të policisë Orikum; A. J., me detyrë shef i stacionit të policisë Orikum; A. F., me detyrë specialist i policimit në zonë janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Drejtoria e Hetimit është vënë në dijeni se këta punonjës policie, në shtator të vitit të kaluar, në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet që iu jep funksioni, kanë kërkuar dhe marrë nga një shtetas shumën prej 270 000 lekësh, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Pas hetimit disamujor me metoda speciale në drejtimin e SPAK, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i implikimit të punonjësve të policisë në veprime korruptive dhe shpërdorim të detyrës.
AMP njofton se vijojnë hetimet pë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /j.p/

The post Korrupsion dhe shpërdorim detyre, arrest shtëpie ndaj 3 efektivëve në Orikum appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Gonxhja, takim me kryebashkiakun e Madridit gjatë panairit “Fitur”

23 January 2026 at 22:41

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja takoi në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026 në Madrid, kryebashkiakun e qytetit, José Luis Martínez-Almeid.

Gonxhja ndau në rrjete sociale momente nga takimi me kryetarin e bashkisë së Madridit, José Luis Martínez-Almeida në një panair lider qv siç u shpreh ai që mbetet një platformë kyçe për dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e turizmit.

Më herët gjatë ditës së sotme, ministri Gonxhja u takua me Sekretaren e Përgjithshme, të UN Tourism, Sheikha Al Nowais.

Panairi Fitur është  nga më të mëdhenjtë në fushën e turizmit, i njohur për numrin e lartë të kontratave dhe marrëveshjeve që lidhen gjatë ditëve të para të tij. Shqipëria po merr pjesë me synimin për të zgjeruar ofertën turistike gjatë gjithë vitit. /j.p/

 

The post Gonxhja, takim me kryebashkiakun e Madridit gjatë panairit “Fitur” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja me homologun në Madrid: Interes i shtuar i tregut spanjoll për ofertat turistike shqiptare

23 January 2026 at 20:01

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë qëndrimit në Madrid, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, zhvilloi takim me ministrin e Industrisë dhe Turizmit të Spanjës, Jordi Hereu i Boher.

Gonxhja tha se në fokus të takimit ishte shkëmbimi i përvojave dhe modeleve të suksesshme në sektorin turistik.

“Diskutuam mbi mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë turizmin e qëndrueshëm, promovimin e destinacioneve kulturore, diversifikimin e ofertës turistike dhe zgjatjen e sezonit”, u shpreh ministri.

Ministri Gonxhja dhe homologu i tij spanjoll theksuan potencialin në rritje të Shqipërisë si destinacion turistik, si dhe interesin e shtuar të tregut spanjoll për ofertat turistike shqiptare. Po ashtu, gjatë takimit u vlerësua rëndësia e partneriteteve institucionale dhe të biznesit për nxitjen e investimeve dhe bashkëpunimit afatgjatë.

Të dy ministrat konfirmuan vullnetin e përbashkët për thellimin e dialogut dypalësh, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve turistike dhe kulturore midis Shqipërisë dhe Spanjës dhe promovimin e vendit si destinacion gjithëvjetor të turizmit ndërkombëtar.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në intensifikimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit turistik shqiptar, duke u mbështetur në praktikat më të mira evropiane dhe standardet ndërkombëtare.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit Fitur në Madrid, Spanjë është tashmë një traditë e konsoliduar.

Në këtë edicion të panairit Shqipëria prezantohet me moton “Albania All Senses”, duke promovuar destinacionet turistike, produktet autentike dhe ofertën e plotë të shërbimeve turistike të vendit.

e.xh/j.p/

The post Gonxhja me homologun në Madrid: Interes i shtuar i tregut spanjoll për ofertat turistike shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia masa për tubimin e PD-së, nesër bllokim i qarkullimit në disa akse rrugore

23 January 2026 at 18:40

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bëri me dije se ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të tubimit të Partisë Demokratike që do të zhvillohet ditën e nesërme, përpara Kryeministrisë, në orën 17:00.

Si pjesë e këtyre masave, Policia njofton se ditën e sotme dhe të nesërme do të ketë kufizime në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore:

Nga ora 23:45, të ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.

Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

e.xh/j.p/

The post Policia masa për tubimin e PD-së, nesër bllokim i qarkullimit në disa akse rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Mbi 12,4 milionë vizitorë të huaj gjatë 2025-ës, rritje vjetore 6.6 %

23 January 2026 at 19:36

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Shqipëria vijon të tërheqë vizitorë të huaj, me një rritje prej 6,8 % të turistëve të huaj gjatë muajit dhjetor 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot të dhënat për muajin dhjetor, të cilat vulosin bilancin vjetor: 12,466,038 shtetas të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit që lamë pas.

Kjo shifër shënon një rritje vjetore prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, duke dëshmuar se trendi rritës i Shqipërisë si destinacion turistik dhe tranzit nuk ishte i përkohshëm.

Gjatë dhjetorit, 698.742 shtetas të huaj hynë në territorin e vendit, ndërsa daljet e tyre arritën në 638.680 persona, duke shënuar një rritje prej 5,5 % krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria po vazhdon të konsolidohet si destinacion turistik i preferuar, për shkak të rritjes së udhëtimeve ndërkombëtare, kthimeve sezonale të emigrantëve dhe promovimit të vendit si destinacion gjithëvjetor.

INSTAT bën të ditur se flukset e lëvizjes së shtetasve shqiptarë dhe të huaj drejt dhe nga Shqipëria vijuan të shënojnë rritje edhe gjatë muajit dhjetor 2025.

Gjatë muajit dhjetor 2025, në territorin e Republikës së Shqipërisë kanë hyrë gjithsej 1.542.889 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 7,0 % krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Ndërkohë, numri i daljeve nga territori i vendit ka arritur në 1.353.137 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 8,1 % më shumë krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar.

Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë gjatë muajit dhjetor 2025 janë regjistruar në 844.147 persona, duke pësuar një rritje prej 7,1 % krahasuar me dhjetorin 2024. Edhe daljet kanë shënuar rritje. Gjatë dhjetorit 2025, nga Shqipëria kanë dalë 714.457 shtetas shqiptarë, ose 10,6 % më shumë krahasuar me dhjetorin 2024.

e.xh/j.p/

The post INSTAT: Mbi 12,4 milionë vizitorë të huaj gjatë 2025-ës, rritje vjetore 6.6 % appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla në Shkodër dhe Malësi të Madhe: Dëgjesa të hapura me fermerët për adresim mbështetjeje gjithëpërfshirëse

23 January 2026 at 19:25

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në vijim të turit të dëgjesave me fermerët për hartimin e Skemës Kombëtare 2026, zhvilloi sot takime në qarkun Shkodër, me dy ndalesa në Shkodër dhe Malësi të Madhe, duke vijuar dialogun e drejtpërdrejtë me fermerët mbi nevojat reale të sektorit bujqësor.

Gjatë dëgjesës me fermerët, ministri Salla theksoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë për të reflektuar mbi problematikat ekzistuese dhe për të ndërtuar një skemë më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

“Në dëgjesën e radhës me fermerët, po flasim hapur për atë që nuk ka funksionuar dhe po konceptojmë Skemën Kombëtare 2026 mbi siguri, gjithëpërfshirje dhe adresimin e mbështetjes së munguar”, u shpreh ministri.

Ai nënvizoi se Skema Kombëtare 2026 do të bazohet në parime të qarta dhe të barabarta për të gjithë fermerët. “Një skemë me rregulla të qarta e të barabarta për të gjithë, të përafruara me standardet e Bashkimit Europian, që garanton pagesa të drejta, duke e bërë sektorin më të fortë, më konkurrues dhe më të qëndrueshëm”, theksoi Salla.

Gjatë takimeve në Shkodër dhe Malësi të Madhe, ministri Salla u shoqërua edhe nga kryetarët e bashkive përkatëse, ndërsa bashkëbisedimi me fermerët u përqendrua në nevojat reale të terrenit dhe në sugjerimet për përmirësimin e mbështetjes publike për sektorin bujqësor.

Turi i dëgjesave për Skemën Kombëtare 2026 do të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit, me synimin që politikat mbështetëse të ndërtohen mbi kontributin e drejtpërdrejtë të fermerëve dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

1 nga 2

e.xh/j.p/

The post Salla në Shkodër dhe Malësi të Madhe: Dëgjesa të hapura me fermerët për adresim mbështetjeje gjithëpërfshirëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare, Salla vijon dëgjesat me fermerët e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës 

22 January 2026 at 23:17

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi takime me fermerët e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës, në kuadër të dëgjesave për hartimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2026.

Salla tha se qëllimi i këtyre takimeve është mbledhja e mendimeve dhe sugjerimeve drejtpërdrejt nga terreni, në mënyrë që ndryshimet në skemën e re të reflektojnë një qasje sa më të përbashkët dhe konsensuale të fermerëve.

“Kemi ardhur për të bashkëbiseduar me ju përpara se të detajojmë Skemën Kombëtare 2026, për të na sugjeruar aty ku duhet të ndryshojmë qasjen dhe të përmirësojmë masat mbështetëse”, u shpreh ministri Salla.

I shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, dhe kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, ministri Salla në bashkëbisedim me fermerët u ndal tek masat kryesore mbështetëse që duhet të vijojnë me prioritet, si dhe në propozimet e reja që duhet të merren në konsideratë për sektorë të tjerë të bujqësisë.

Dëgjesat me fermerët do të vijojnë edhe në zona të tjera të vendit, me synimin për ndërtimin e një skeme mbështetjeje sa më efikase dhe të përshtatur me nevojat reale të sektorit bujqësor.

e.xh/j.p/

The post Skema Kombëtare, Salla vijon dëgjesat me fermerët e Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nënkryetari i gjykatës së Tiranës: Po na cenohet siguria, na ka mbështetur AAPSK me pajisje

22 January 2026 at 22:57

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Nënkryetari i Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha ngriti shqetësime mbi mungesën e sigurisë dhe kushtet e papërshtatshme në ambientet e institucionit, duke theksuar se kërkesat për ndërhyrje kanë mbetur pa përgjigje.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Hoxha bëri të ditur se gjykata prej vitesh përballet me mungesë të theksuar pajisjesh dhe fondesh, duke nisur nga pajisjet bazë të sigurisë deri te infrastruktura e brendshme. Sipas tij, një skaner sigurie nuk funksionon prej disa vitesh, ndërsa kërkesat për pajisje shtesë janë plotësuar vetëm pjesërisht.

Ai theksoi se për vitin aktual, nga fondet e kërkuara për pajisje, është miratuar vetëm 7–10% e nevojës reale, ndërsa pjesa dërrmuese e buxhetit është dedikuar vetëm për pagat, sigurimet shoqërore dhe blerjen e një skaneri. “Nga 100% që kemi kërkuar për pajisje, kemi minus rreth 90%”, u shpreh Hoxha, duke e cilësuar situatën si alarmante për funksionimin normal të gjykatës.

Në këtë kuadër, ai falënderoi në mënyrë të veçantë drejtuesen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Risena Xhaja, për mbështetjen e dhënë në sigurimin e disa pajisjeve të nevojshme për rritjen e sigurisë.

Një tjetër problem i ngritur nga nënkryetari i Gjykatës së Tiranës lidhet me ruajtjen fizike të godinës. Hoxha deklaroi se kërkesat për shtim të pranisë së policisë në ambientet e gjykatës kanë qenë të vazhdueshme, por deri më tani nuk kanë gjetur zbatim. “Do të mjaftonin rreth 60 punonjës policie vetëm për Gjykatën e Tiranës. Kërkojmë të paktën dy ose tre policë për çdo kat. Godinat e gjykatave, ku ruhen prova të rëndësishme, pasdite i ruan Zoti”, tha ai.

Sipas Hoxhës, mungesa e sigurisë dhe infrastruktura e pamjaftueshme përbëjnë rrezik jo vetëm për stafin dhe qytetarët, por edhe për integritetin e provave dhe procesin e drejtësisë në tërësi. /j.p/

The post Nënkryetari i gjykatës së Tiranës: Po na cenohet siguria, na ka mbështetur AAPSK me pajisje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kadastra Shqiptare nis regjistrimin fillestar të pronave në tre fshatra të Bulqizës

22 January 2026 at 19:52

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Kadastra Shqiptare njoftoi se ka nisur faza e regjistrimit fillestar të pronave në tre fshatra të Bulqizës: Lubalesh (ZK 2501) dhe Çerenec i Epërm (ZK 4002) në Njësinë Administrative Gjoricë, si dhe Gjinovec (ZK 1743) në Njësinë Administrative Klenjë (Trebisht).

Sipas njoftimit të Kadastrës, gjatë një periudhe 45-ditore, banorët mund të konsultojnë listat e pronave me sipërfaqet dhe emrat e pronarëve të identifikuar, si dhe hartat kadastrale të zonave të përfshira. Dokumentacioni i mbledhur dhe të dhënat nga evidentimi në terren janë përpunuar ligjërisht dhe hartografikisht, duke mundësuar verifikimin e saktësisë së të dhënave për çdo pronë.

Kadastra njoftoi qytetarët të paraqesin kërkesë me shkrim për çdo paqartësi, pretendim ose kërkesë për korrigjim të të dhënave të pronës, pranë zyrës ku është bërë afishimi publik ose pranë Zyrës Vendore të ASHK-së në Bulqizë.

Pas përfundimit të regjistrimit fillestar, banorët mund të aplikojnë për regjistrimin e pronës dhe pajisjen me dokumentacion pronësie përmes portalit e-Albania. /j.p/

The post Kadastra Shqiptare nis regjistrimin fillestar të pronave në tre fshatra të Bulqizës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet sistemi për dorëzimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave, afat deri më 31 mars

22 January 2026 at 19:51

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Qytetarët mund të dorëzojnë tashmë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA 2025) përmes platformës online e-Filing. Afati i fundit për dorëzim është 31 mars 2026.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deklarata duhet dorëzuar nga ata që gjatë vitit 2025 kanë pasur pagë mbi 100 mijë lekë në muaj, të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë.

Po ashtu deklarata është detyrim edhe për të dypunësuarit, dhe për të gjithë ata individë që kanë realizuar gjatë 2025-ës të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim, të ardhura këto që mund të jenë fituar edhe nga platformat online si Meta, Facebook, YouTube, Google, Booking dhe AirBNB.

Për herë të parë këtë vit, nga baza e tatueshme e prindërve me fëmijë nën moshën 18 vjeç, krijohet mundësia e zbritjes së shumës 48.000 lekë për çdo fëmijë. Kjo zbritje do të aplikohet vetëm nga njëri prej prindërve, që duhet të ketë edhe pagën më të lartë në familje. Për këtë skemë që do funksionojë për herë të parë këtë vit, janë vënë në dispozicion në buxhetin e shtetit 1.5 miliardë lekë.

Kjo zbritje do të aplikohet vetëm nga njëri prej prindërve, që duhet të ketë edhe pagën më të lartë në familje. Për këtë skemë që do funksionojë për herë të parë këtë vit, janë vënë në dispozicion në buxhetin e shtetit 1.5 miliardë lekë.

Edhe qytetarët që nuk kanë detyrim ligjor për dorëzimin e DIVA mund ta bëjnë deklaratën për të përfituar këto përfitime.

Tatimpaguesit mund të kontrollojnë deklaratën e tyre të paraplotësuar në sistem dhe të aplikojnë për të gjitha zbritjet që u përkasin, duke e bërë procesin të shpejtë dhe të sigurt.

e.xh/j.p/

The post Hapet sistemi për dorëzimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave, afat deri më 31 mars appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punimet për godinën e re të DPSHTRR-së, drejt përfundimit

22 January 2026 at 18:45

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Punimet për ndërtimin e selisë së re të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ndodhen në fazën përfundimtare, duke shënuar një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve publike.

E konceptuar me perspektivën e duhur për nevojat e një enti në rritje e për të përballuar funksione të shumta shërbimesh e detyra operacionale, objekti i ri, që do të zëvendësojë godinën e vjetër, do të jetë një vepër arkitektonike gjurmëlënëse, e një ndërtimi administrativ model që do t’i shtohet kryeqytetit falë një investimi bashkëkohor, me standarde maksimale eficience energjetike, prestigj e rrezatim inovacioni teknologjik, me gjithëpërfshirje të publikut në hapësira edukative, me një konstruksion inovator për funksionalitet e siguri shërbimesh publike.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor Kreshnik Bajraktari, inspektoi nga afër ecurinë e punimeve dhe respektimin e standardeve të zbatimit. Godina përfshin 6,105 m² sipërfaqe ndërtimi, holl të hapur 450 m² për aktivitete komunitare dhe dy kate parkim nëntokësor.

Selia e re ka arkitekturë bashkëkohore, hapësira të ndriçuara natyralisht, atrium të gjelbëruar dhe sistem ajrimi klimatik. Objekti do të pajiset gjithashtu me panele fotovoltaike për energji të pastër, duke garantuar kursim afatgjatë dhe respekt ndaj mjedisit.

Investimi synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

e.xh/j.p/

The post Punimet për godinën e re të DPSHTRR-së, drejt përfundimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndryshimet ligjore vendosin detyrim për transparencën e kontratave të lobimit

22 January 2026 at 17:57

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat shqyrtoi sot, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, projektligjin “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, tha se projektligji synon krijimin e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për rregullimin e veprimtarisë së lobimit, me qëllim garantimin e transparencës, integritetit dhe mbikëqyrjes së ndikimit në vendimmarrjen publike.

Sipas saj, projektligji është i harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian dhe përbën pjesë të paketës ligjore antikorrupsion, duke adresuar kërkesat e procesit të integrimit evropian.

Ai parashikon regjistrimin e detyrueshëm të lobistëve, krijimin e Regjistrit të Lobimit, mekanizma monitorimi dhe sanksione administrative në rast shkeljesh.

Pirdeni theksoi se ligji vendos për herë të parë një kuadër të strukturuar ligjor për veprimtarinë e lobimit, duke rritur transparencën mbi ndërveprimet e grupeve të interesit me institucionet publike dhe parandalimin e konfliktit të interesave.

“Projektligji synon garantimin e transparencës jo vetëm për kontaktet e lobimit, por edhe për kontratat e lobimit, duke parashikuar që çdo lobist që ushtron këtë veprimtari të jetë i detyruar t’i bëjë ato transparente pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në 2027 zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale do te ketë një staf të shtuar prej 5 personash që do të jenë të akomoduar për nevojat e kësaj çështje”, u shpreh Pirdeni.

Ajo bëri të ditur se projektligji parashikon ngritjen e një regjistri për lobimet. 12,3 milionë lekë është buxheti i projektit për këtë proces, nga të cilat 6 milionë lekë do të te shkojnë për ngritjen e regjistrit dhe pjesa tjetër për trajnimin e kapaciteteve funksionale të stafit.

“Efekti financiar total i projektligjit vlerësohet në rreth 39,5 milionë lekë”, tha ajo. /j.p/

The post Ndryshimet ligjore vendosin detyrim për transparencën e kontratave të lobimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prendi: Projektligji për shërbimin e jashtëm, rregullim më i qartë i emërimeve në misionet diplomatike

22 January 2026 at 17:29
TIRANË, 22 janar /ATSH/ Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat shqyrtoi sot, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, projektligjin “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”.
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Prendi, bëri të ditur se në fokus të këtij projektligji është rregullimi i veprimtarisë dhe funksionimit të Shërbimit të Jashtëm përmes një strukture funksionale, e cila garanton një shërbim dinjitoz dhe të qëndrueshëm.

 

Sipas Prendit, projektligji përbën një instrument ligjor të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare të Shqipërisë dhe për mbrojtjen e interesave kombëtare. Ajo theksoi se projektligji nuk ndryshon thelbin e përgjegjësive dhe detyrave bazë të Shërbimit të Jashtëm, që lidhen me hartimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, si dhe me mbrojtjen e interesave të shtetit dhe të shtetasve shqiptarë kudo në botë.

Në krahasim me ligjin në fuqi, projektligji sjell disa risi dhe efekte pozitive që synojnë konsolidimin e mëtejshëm të shërbimit diplomatik, të mbështetur në karrierën diplomatike. Konkretisht, ai rregullon më mirë fushën e kompetencave të Shërbimit të Jashtëm dhe raportet me institucionet kushtetuese, qendrore dhe vendore në marrëdhëniet me jashtë, si dhe zgjeron bashkëpunimin dhe koordinimin ndërinstitucional në përputhje me zhvillimet ndërkombëtare.

Projektligji parashikon gjithashtu rregullim më të qartë të procesit të emërimit dhe përfundimit të mandatit të krerëve të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore, si dhe forcon kriteret profesionale për rekrutimin e diplomatëve të karrierës, bazuar në nivelet akademike.

Një risi e rëndësishme është përfshirja për herë të parë në kuadrin ligjor e Akademisë Diplomatike, si institucion në varësi, e cila do të shërbejë për rritjen profesionale të diplomatëve dhe do të ofrojë kurse e trajnime në bashkëpunim me struktura homologe ndërkombëtare. Po ashtu, projekti përcakton më qartë përfshirjen e personave jashtë karrierës diplomatike në misione diplomatike dhe poste konsullore, si dhe prezanton konceptin e të dërguarit të posaçëm për misione apo çështje specifike diplomatike.

Në aspektin financiar, Prendi sqaroi se projektligji parashikon edhe përfshirjen ekonomike të familjarëve të diplomatëve, si një element i rëndësishëm për garantimin e kushteve dinjitoze të shërbimit jashtë vendit, përfshirë mbulimin e kostos së jetesës.

“Efekti financiar shtesë i projektligjit vlerësohet në 51 milionë e 500 mijë lekë, që përfaqëson rreth 1,3 për qind të buxhetit vjetor të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Nga kjo shumë, rreth 24 milionë e 500 mijë lekë parashikohen për ngritjen e Akademisë Diplomatike, 9 milionë e 300 mijë lekë për mbështetjen e fëmijëve të diplomatëve në grupmoshën 18–23 vjeç, si dhe rreth 17 milionë e 700 mijë lekë për mbulimin e kostove të shkollimit të tyre”, deklaroi ajo.

e.xh/j.p/

The post Prendi: Projektligji për shërbimin e jashtëm, rregullim më i qartë i emërimeve në misionet diplomatike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌