Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, kanë reaguar pas aksidentit tragjik hekurudhor në Spanjë, ku deri tani raportohet se kanë humbur jetën 39 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Osmani, ka shprehur ngushëllime dhe mbështetje për popullin spanjoll.
“Lajme zemërthyese nga jugu i Spanjës pas një aksidenti tragjik hekurudhor që ka marrë shumë jetë dhe ka lënë shumë të tjerë të lënduar. Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe urimet për shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit. Kosova qëndron në solidaritet me popullin e Spanjës në këtë kohë të vështirë”, ka shkuar Osmani në “X”.
Heartbreaking news from southern Spain following a tragic rail crash that has claimed many lives and left many others injured.
Our heartfelt condolences to the families who have lost their loved ones, and our wishes for a swift recovery to all those injured.
Kosovo stands in… — Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) January 19, 2026
Kryeministri në detyrë Kurti gjithashtu shprehu pikëllimin e tij përmes një postimi, duke theksuar solidaritetin me viktimat dhe familjarët e tyre:
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga lajmet që vijnë nga Spanja për aksidentin tragjik të trenit që mori shumë jetë njerëzish. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa ekipeve të shpëtimit u urojmë forcë në përpjekjet e tyre”, ka shkruar Kurti.
Autoritetet spanjolle po vazhdojnë operacionet e shpëtimit dhe hetimet për shkaqet e aksidentit, ndërsa reagime ngushëllimi kanë ardhur nga liderë të shumtë botërorë. /Telegrafi/
We are deeply saddened by the news from Spain about the tragic train crash that claimed many lives. Our thoughts are with the victims and their families, and we wish the rescue teams strength in their efforts. — Albin Kurti (@albinkurti) January 19, 2026
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.
Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e diel, 19 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 61% apo 558 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11/11), Prishtinë (26/26), Prizren (232/235) dhe Skënderaj (50/72).
Sipas të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur në 20 komuna.
Në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/
Ndonëse 5 nga 12 Spitalet Rajonale duhet të kryenin këto ndërhyrje, në disa prej tyre ku edhe numri i popullsisë është i madh, nuk zhvillohen operacione të tilla.
Në maj të vitit të shkuar, L.T, 73-vjeçe, mori në duar rekomandimin nga mjeku okulist që në fillim të muajit tetor 2025 do të kryhej ndërhyrja kirurgjikale e kataraktit, me lente intraokulare.
Tashmë që jemi në janar të një viti më pas, bashkë me shikimin, ka nisur t’i zbehet edhe shpresa se ndërhyrja do të kryhet. “Nuk kemi akoma lente” është përgjigjja më e shpeshtë që ka marrë e moshuara.
Ashtu si 73-vjeçarja ka edhe shumë pacientë të tjerë që janë në listë pritjeje për ndërhyrje.
Megjithatë, rastet urgjente nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza”, dhe disa Spitale Rajonale, kryhet që në momentin e paraqitjes së pacientëve. “….të gjitha rastet urgjente janë trajtuar në kohë, po ashtu dhe rastet e planifikuara të cilat janë shpërndarë sipas ngarkesës së shërbimeve”, thotë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në një reagim zyrtar për Faktoje.al.
Sipas tyre, në shumicën e spitaleve ku ofrohet ky shërbim është vijuar në mënyrë të pandërprerë kirurgjia për vendosjen e lenteve intraokulare, përveҫ rasteve të veҫanta kur mund të ketë pasur ndonjë problematikë të përkohshme të aparaturës së PHACOS (aparaturë për heqjen e perdeve të syrit).
Përplasja në QSUNT
“Nga të dhënat e vëna në dispozicion numri i pacientëve që kanë kryer ndërhyrjen e vendosjes së lenteve intraokulare për periudhën 1 janar 2025 – 31 tetor 2025 është rreth 3400 pacientë”, thotë Ministria e Shëndetësisë.
Pavarësisht numrit të lartë të ndërhyrjeve, ka ende shumë pacientë që janë në listë pritjeje, ndonëse fillimisht u është thënë se brenda tre muajsh do të kryhen operacionet e planifikuara.
“Nga informacionet e transmetuara nga Shërbimet e Okulistikës në spitale mund të themi se numri i pacientëve në listë pritjeje për këtë ndërhyrje për pjesën e mbetur të vitit është mbi 320”, pohohet zyrtarisht nga ministria.
Ndonëse 5 nga 12 Spitalet Rajonale duhet të kryenin këto ndërhyrje, në disa prej tyre ku edhe numri i popullsisë është i madh, nuk zhvillohen operacione të tilla.
Kjo situatë ka bërë që shumë pacientë nga rrethe të ndryshme këtë shërbim nuk e marrin në spitalet rajonale ku banojnë, por detyrohen që të vijnë në Tiranë dhe pas shumë konsultave që janë kohë e humbur dhe shpenzime, marrin një afat i cili zakonisht është brenda tre muajve, por shpesh kjo kohë shtyhet edhe më shumë.
Shkodra as mjekë, as lente
Qarku Shkodër me rreth 150 mijë banorë nuk ofron shërbimin e ndërhyrjeve me lente intraokulare, madje pranohet zyrtarisht se përveç mungesës së lenteve nuk kanë as mjekë okulistë.
“Aktualisht pranë klinikës ORL-OKL në Spitalin Rajonal të Shkodrës nuk realizohet ndërhyrja kirurgjikale e kataraktit me lente intraokulare, pasi ky shërbim deri më tani është mbuluar vetëm nga një mjek okulist, fakt i cili ka sjellë pamundësi fizike për përmbushjen e të gjitha aktiviteteve që ky shërbim ofron”, thotë për Faktoje, Spitali Rajonal i Shkodrës.
Ministria e Shëndetësisë, në vitin 2023 e përfshiu Spitalin Rajonal në listën që ofron shërbimin e ndërhyrjes kirurgjikale të kataraktit.
“Sa i takon paketës së kataraktës, ajo ofrohet falas në tetë spitale, konkretisht në QSUT, Spitalin Universitar të Traumës, Spitalet Rajonale të Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe Elbasanit, duke i krijuar mundësi të moshuarve kryerjen e ndërhyrjes dhe lentet falas në sistemin shëndetësor publik”, tha ish-ministrja Ogerta Manastirliu, në janar të tre viteve më parë.
Në përgjigjen për Faktoje, Spitali Rajonal Shkodër thotë se muajt e fundit personeli është shtuar edhe me dy mjekë të tjerë dhe se ky shërbim pritet të vihet në funksion.
Mungesa e lenteve dhe mjekëve i ka detyruar pacientët që të dynden në Tiranë, ndërsa presin për shumë muaj datën e ndërhyrjeve.
Një tjetër pacient në kushtet e anonimatit tha për Faktoje se mjeku që i rekomandoi ndërhyrjen është i njohuri i tij, por në dy raste ia kishte shtyrë operacionin, pasi lentet nuk ishin cilësore.
Ministria ka një tjetër përgjigje, teksa thotë se pjesa më e madhe e lenteve sigurohen nga vende të BE-së.
“Lentet e përdorura në ndërhyrjet për kataraktën furnizohen nga kompani të licencuara sipas legjislacionit shqiptar, me origjinë kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian si p.sh.: Belgjika, si dhe nga vende si SHBA, Indi, Kanada, Japoni etj., në përputhje me kërkesat e sigurisë dhe cilësisë të përcaktuara në dokumentacionin teknik të tenderit”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në ligjin për barnat por edhe pajisjeve mjekësore është e sanksionuar se mund të futen edhe barnat ose pajisjet mjekësore “e prodhuara në vendet e Ballkanit”.
Më jep “borxh” lentet
Pavarësisht planifikimeve dhe tenderave të zhvilluara sipas kërkesave të pavionëve të ORL-OKL, shpesh ndodh që për një kohë të pacaktuar ka mungesë lentesh dhe shtyrje sidomos të operacioneve të planifikuara.
“Në rast të mungesave në mënyrë të vazhdueshme, sipas praktikës së konsoliduar, janë marrë masa bashkëpunimi me spitale rajonale, për përdorim të përkohshëm të rezervave ekzistuese, pra një qarkullim të lenteve në spitale, me qëllim të mospezullimit të trajtimit të pacientëve”, thotë Ministria e Shëndetësisë.
Sipas tyre, ndërhyrja e kataraktës klasifikohet si ndërhyrje jo urgjente.
“…80% e ndërhyrjeve të kataraktës bëhen me planifikim, pasi nuk janë urgjenca mjekësore, ku listë pritja në spitale nuk është më shumë se 3 muaj, një kohë shumë e shkurtër krahasimisht me vende të tjera, ku planifikimet e kirurgjisë së kataraktës variojnë nga 9 muaj deri 18 muaj në rutinën e tyre”, thotë ministria.
Ndërhyrjet në katarakt jo në të gjithë rastet konsiderohen urgjente, por shtyrja në kohë e operacioneve ka bërë që pacientët kryesisht të moshuar të jetojnë me shikim të kufizuar nga perdet në sy.
E tillë është edhe 73-vjeçarja L.T., e cila që nga maji i vitit të kaluar ende pret telefonatën për t’i caktuar datën e ndërhyrjes, me shpresën se lentja të jetë cilësore e prodhuar në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Përfundimi
Ndërhyrja kirurgjikale e kataraktit me lente intraokulare kryhet falas në Tiranë dhe spitale rajonale, por koha e kryerjes së ndërhyrjeve, sipas dëshmive të pacientëve zgjat mbi tre muaj.
Gjithashtu Spitali i Rajonal i Shkodrës pranon se nuk e kryen këtë shërbim, pavarësisht se më herët referuar ministrisë por edhe disa pacientëve, ky shërbim kryhej.
Aktualisht, nisur nga nga kontaktet me pacientë, por edhe përgjigjet zyrtare këtë premtim e klasifikojmë si pjesërisht të mbajtur. /Faktoje.al/
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka monitoruar në vazhdimësi procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore dhe do të ndërmarrë veprime për çdo dyshim për keqpërdorim të votave.
Sipas njoftimit për media thuhet se koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë rinumërimit, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në komunat ku ka përfunduar rinumërimi të fillojnë grumbullimin e informatave dhe provave relevante që mund të vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale lidhur me procesin zgjedhor.
“Prokurorja Pula ka kërkuar gjithashtu që edhe në komunat ku rinumërimi nuk ka përfunduar, menjëherë pas përfundimit të tij të fillohet me procesin e grumbullimit të provave të nevojshme”, thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit thekson se Prokurori i Shtetit do të mbetet i angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetoj çdo rast, për të cilin ka dyshime se është keqpërdorë – falsifikuar vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë./Telegrafi/
Një aksion po zhvillohet në Prishtinë në koordinim mes Prokurorisë Themelore dhe Policisë së Kosovës.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala ka konfirmuar për Telegrafin se është duke u zhvilluar një aksion ndaj katër personave për vepra të ndryshme penale.
Sipas Shalës, dy persona po hetohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në bazë të nenit 414, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, dy persona të tjerë janë nën hetime për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, sipas nenit 309 të KPRK-së.
Zëdhënësja Shala ka shtuar se aksioni është duke vazhduar ende dhe se për më shumë detaje do ju njoftojmë me kohë. /Telegrafi/
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Nait Hasani ka reaguar lidhur me manipulimin e votave ku nga procesi i rinumërimit të disa vendvotimeve atij i janë larguar deri më tani 3 mijë e 414 vota.
Sipas tij, procesi ka shkaktuar cenim të rëndë të vullnetit të lirë të qytetarëve dhe manipulim të emrit të tij.
“Me atë që pash në rinumërim, votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im për manipulime të papranueshme zgjedhore. Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe akt të rëndë moral dhe politik”, ka shkruar Hasani.
Ai refuzon çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarëve dhe siguron se qëndron pranë demokracisë dhe transparencës.
“Unë refuzoj kategorikisht çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit. Nuk kam hyrë në politikë për të fituar me mashtrime, por për të fituar me besim. Nuk kam nevojë për vota të vjedhura, sepse respektoj votën e ndershme më shumë se çdo rezultat”, u shpreh Hasani.
Hasani thekson gjithashtu rëndësinë e drejtësisë dhe përkushtimin e tij për të mbrojtur të ardhmen demokratike të vendit.
“Drejtësia nuk duhet të heshtë. As unë nuk do të hesht. Unë do të vazhdoj të qëndroj në anën e qytetarëve, në anën e votës së lirë dhe në anën e së vërtetës, edhe nëse kjo rrugë është më e vështirë. Ky reagim nuk është për të mbrojtur vetëm emrin tim, por për të mbrojtur të ardhmen demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai. /Telegrafi/
Qendra Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) përballoi gjatë ditëve të fundit të vikendit një ngarkesë të jashtëzakonshme, duke trajtuar rreth 900 raste.
Nga këto, 194 raste kanë kërkuar reanimim, 302 trajtime kanë qenë internistike, 183 raste ortopedike, 137 raste kirurgjike dhe 33 raste me intervenime të vogla.
Ndërsa 61 persona kanë qenë të aksidentuar. Të gjitha këto shërbime janë ofruar nga ekipet e mjekëve specialistë dhe infermierëve të Qendrës Emergjente.
Një pjesë e konsiderueshme e pacientëve janë paraqitur drejtpërdrejt në Qendrën Emergjente, duke anashkaluar shërbimet shëndetësore parësore dhe dytësore.
Për këtë arsye, QKUK u bën thirrje qytetarëve që rastet jo emergjente t’i drejtojnë fillimisht qendrave të mjekësisë familjare apo spitaleve rajonale, për të lehtësuar punën e Qendrës Emergjente dhe për të garantuar trajtim të shpejtë për rastet serioze.
“Qendra Emergjente duhet të mbetet e rezervuar për rastet serioze dhe kërcënuese për jetën. Bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për të mundësuar ofrimin e kujdesit shëndetësor në kohën e duhur për pacientët në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën", thuhet në njoftimin e QKUK-së. /Telegrafi/
Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë do të dorëzohen dosjet përfundimtare në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dosjet përkatëse do t’i paraqiten trupit gjykues nga prokuroria, përfaqësuesi i viktimave, si dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pas dorëzimit të këtyre dosjeve, procesi hyn në fazën e fjalëve përfundimtare, të cilat pritet të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt. Me përfundimin e kësaj faze, procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, pa mundësi lirimi nga paraburgimi deri në këtë fazë të procedurës.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësit do të kenë një afat prej tre muajsh për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në nëntor të vitit 2020, u arrestuan pas konfirmimit të aktakuzës dhe lëshimit të fletarrestimeve nga një gjykatës. Prokuroria pretendon se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi individuale për rrëmbimin, keqtrajtimin dhe vrasjen e civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Gjatë fazës paraprake, Prokuroria i ka dorëzuar Mbrojtjes mijëra faqe prova. Mbrojtja ka zhvilluar hetimet e veta dhe ka ngritur kundërshtime ligjore ndaj aktakuzës dhe juridiksionit të gjykatës. Ndërkohë, viktimat kanë aplikuar për të marrë pjesë në proces, ku aktualisht marrin pjesë 155 viktima.
Midis prillit 2023 dhe prillit 2025, Prokuroria ka thirrur 125 dëshmitarë. Ndërsa, nga shtatori deri në nëntor 2025, ekipet e Mbrojtjes kanë thirrur shtatë dëshmitarë. Secila palë ka pasur mundësinë të bëjë pyetje dhe të kundërshtojë dëshmitë e dëshmitarëve të palës tjetër.
Sipas ligjit, një i akuzuar mund të mbahet në paraburgim vetëm nëse gjykatësit konstatojnë ekzistencën e rreziqeve që e arsyetojnë atë. Deri më tani, në më shumë se 25 rishikime të paraburgimit, gjykatësit kanë vlerësuar se Thaçi dhe bashkëakuzuarit e tjerë paraqesin rrezik për kryerjen e veprave të tjera penale, konkretisht ndaj personave që kanë dhënë ose pritej të japin dëshmi para Dhomave të Specializuara.
Gjykatësit kanë theksuar gjithashtu se paraburgimi synon parandalimin e rrezikut të hakmarrjes ndaj dëshmitarëve apo përpjekjeve për t’i nxitur ata të tërheqin dëshmitë e tyre. Vlerësimi i nevojës për vazhdimin e paraburgimit bëhet çdo dy muaj.
Sa i përket parimit të procesit publik, nga 134 dëshmitarë që kanë dhënë dëshmi në sallën e gjyqit gjatë gjykimit, 61 kanë dëshmuar pa asnjë masë mbrojtëse. Kjo, pavarësisht kritikave të shumta lidhur me nivelin e transparencës së procesit./KP/
Policia e Shtetit ka finalizuar gjatë 24 orëve të fundit dy faza të operacionit policor të koduar “Operacionalja”, duke kapur dhe vënë në pranga dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shtetasit e ndaluar, R. B. dhe G. H., banues në Tiranë, ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga UNMIK, pasi dyshohen për “Pjesëmarrje ose organizim të grupit të strukturuar kriminal” në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore
“Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK/Kosovë, më datë 13.01.2026, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për këta dy shtetas, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Pjesëmarrje ose organizim i grupit të strukturuar kriminal’, në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës”, thuhet në njoftim,
Shtetasit u ndaluan me qëllim ekstradimin drejt autoriteteve të Kosovës, dhe policia njofto se po vijon puna për finalizimin e procedurës së ekstradimit. /Telegrafi/
Një person është arrestuar pasi dyshohet se kishte kanosur dhe sulmuar një tjetër qytetar, duke prezantuar gjatë incidentit një pistoletë.
Rasti ka ndodhur në fshatin Randobravë të Prizrenit.
Njësitë policore reaguan menjëherë ndaj rastit dhe, me urdhër të prokurorit, bastisën shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 30 fishekë, një pushkë gjuetie dhe një pushkë automatike.
Pas inicimit të rastit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet vazhdojnë. /Telegrafi/
Këtë të hënë pritet të nisë zyrtarisht sesioni i ri parlamentar, me deputetët që rikthehen në Kuvend pas përfundimit të pushimeve, në një klimë të tensionuar politike.
Hapja e punimeve do të bëhet me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila do të përcaktojë kalendarin dhe axhendën e punës për pesë javët e ardhshme, ndërsa në orën 17:00 është parashikuar zhvillimi i seancës plenare.
Ndërkohë, disa reforma të rëndësishme vijojnë të mbeten pezull. Sipas mazhorancës socialiste, më urgjentet janë reforma zgjedhore dhe ajo territoriale, të cilat duhet të përmbyllen brenda muajit korrik, pasi zgjedhjet vendore të vitit 2027 parashikohet të zhvillohen me një Kod Zgjedhor dhe hartë territoriale të re.
Opozita, megjithatë, i ka bojkotuar këto procese që prej muajit dhjetor dhe nuk ka sinjalizuar gatishmëri për rikthim.
Socialistët kanë paralajmëruar se do të presin reflektimin e opozitës deri në nisjen e këtij sesioni parlamentar.
Në të kundërt, ata kanë bërë të ditur se do të heqin dorë nga formula e konsensusit dhe do të marrin shumicën e vendeve në tryezat e reformave.
Mbetet për t’u parë nëse mazhoranca do ta konkretizojë këtë qasje, në një kohë kur Bashkimi Evropian ka kërkuar procese gjithëpërfshirëse dhe jo reforma të njëanshme.
Në pritje të nisjes së punimeve është gjithashtu edhe një tjetër objektiv i shpallur nga kreu i mazhorancës, ai i një reforme të thellë kushtetuese brenda këtij mandati parlamentar. /euronews/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot (e hënë, 19 janar 2026), në ora 13:30, mbledhjen e radhës, ku në rend dite do të jetë raporti mbi procesin e deritanishëm të rinumërimit të vendvotimeve.
Kjo mbledhje vjen në kohën kur dyshimet për manipulim të votave kanë nxitur reagime të forta nga subjektet politike dhe kërkesa të shumta për rinumërim të plotë dhe hetime nga organet e drejtësisë.
Mospërputhjet më të mëdha janë evidentuar në komunën e Prizrenit, duke ngritur shqetësime serioze për keqnumërim gjatë procesit fillestar.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, KQZ mund të marrë një vendim të ri për të zgjeruar rinumërimin në komunat e tjera, në varësi të gjetjeve që dalin gjatë procesit aktual të rinumërimit.
Deri më tani, procesi i rinumërimit është duke u zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 07:15, janë rinumëruar 556 vendvotime nga gjithsej 914, ndërsa pritet që KQZ të prezantojë detaje shtesë lidhur me gjetjet dhe hapat e mëtejmë gjatë mbledhjes së sotme./Telegrafi/
Dyshimet për manipulim të votave kanë shkaktuar reagime të shumta nga partitë politike, zyrtarët institucionalë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët po kërkojnë transparencë të plotë, rinumërim të plotë të të gjitha votave dhe hetime nga organet e drejtësisë.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se “vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo cenim i saj është i papranueshëm”, duke kërkuar që çdo parregullsi të trajtohet seriozisht.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se “vota nuk tjetërsohet”, duke kërkuar rinumërim të plotë për të garantuar vullnetin e qytetarëve.
“Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim. Dhe për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. ”, ka shkruar ai.
Edhe Ramush Haradinaj ka kërkuar rinumërim të të gjitha votave, duke deklaruar se “demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh”.
“Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve,” shkruan ai.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së Hykmete Bajrami ka kërkuar rinumërim në gjithë Kosovën dhe reagim të menjëhershëm institucional, duke theksuar se “drejtësia duhet të veprojë pa vonesë”.
Nga ana tjetër, Eugen Cakolli nga KDI ka ngritur alarmin për, siç e ka quajtur, “manipulim industrial të votave në disa komuna”, duke kërkuar që Prokuroria të nisë hetime urgjente.
Ndërkohë, edhe deputeti i zgjedhur Anton Quni i LDK-së, është distancuar nga çdo manipulim, duke deklaruar se “rritja e votave në emrin tim është kriminale”.
Reagim ka pasur edhe nga Driton Selmanaj, i cili pas humbjes së mbi 800 votave ka deklaruar se “rinumërimi i të gjitha kutive është i domosdoshëm”.
Në ndërkohë, Kryeprokurori i Prizrenit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetimet për dyshimet për manipulim të votave.
“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndrojë i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale,” tha Petrit Kryeziu, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nuk përjashtohet mundësia e rinumërimit në gjithë Kosovën, në varësi të gjetjeve gjatë procesit.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në orën 07:15 të ditës së sotme, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 556 vendvotime nga gjithsej 914, ndërsa procesi pritet të vazhdojë edhe gjatë ditës.
Autoritetet kanë theksuar se çdo parregullsi do të trajtohet në përputhje me ligjin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor./Telegrafi/
Mot i vranët me intervale me diell pritet të mbizotërojë në territorin e vendit.
Gjatë orëve të mëngjesit do të ketë ngrica dhe, vende-vende, mjegull, çka paraqet rrezik për pjesëmarrësit në trafik.
Autoritetet rekomandojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët malore dhe zonat me lagështi të lartë.
Të enjten, në disa zona parashihen riga shiu, ndërsa në viset malore priten edhe fjolla bore. Temperaturat do të mbeten të ulëta, sidomos në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes.
Sipas IHMK-së sot dita do të karakterizohet nga mot i vranët me intervale me diell. Ngrica do të jetë e pranishme në të gjithë territorin.Temperaturat minimale do sillen nga -9 deri në -7°, kurse ato maksimale nga -1 deri në 3°C
Era do të fryej kryesisht nga veriperëndimi, me shpejtësi 1–3 m/s. /Telegrafi/
Procesi i rinumërimit të votave, po nxjerr në pah gabime të shumta sa i përket numrit të votave për kandidatët për deputet.
Si rrjedhojë e këtij procesi një diferencë e madhe e votave të disa kandidatëve është hasur në Prizren, që ka bërë që Prokuroria Themelore e Prizrenit të vihet në lëvizje.
Petrit Kryeziu, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, ka bërë të ditur për Telegrafin se sot me iniciativë të tij ka dhënë autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të nisë hetimet për manipulimet e dyshuara në procesin zgjedhor.
“Sot në cilësinë e kryeprokurorit, me vetiniciativë kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet,” tha Kryeziu.
Ai theksoi se çdo individ që ka ndryshuar rezultatin e votës ose ka falsifikuar dokumente zgjedhore do të përgjigjet penalisht.
“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndrojë i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale,” tha Kryeziu.
Kryeprokurori shtoi se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis.
Prokuroria e Prizrenit ka nisur një hetim të plotë për të zbuluar çdo shkelje dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor. /Telegrafi/
Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në procesin zgjedhor, duke thënë se i është cenuar integriteti personal dhe politik, si dhe integriteti i shtetit demokratik.
Në një postim publik, ajo ka theksuar se këtë vit shënon 20 vjet angazhim politik dhe se për herë të parë, sipas saj integriteti i saj është cenuar nga keqmenaxhimi i procesit zgjedhor.
“20 vjet të jetës sime kam punuar me profesionalizëm, parime të drejta, kompetencë dhe integritet, i cili për herë të parë në jetën time po më cenohet nga individë që procesin zgjedhor e kanë menaxhuar me papërgjegjësi dhe agjenda të panjohura për mua dhe pa dijeninë time”, ka shkruar Veselaj-Gutaj.
Ajo ka vlerësuar se tjetërsimi i votës përbën një nga goditjet më të rënda ndaj demokracisë dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë.
“Tjetërsimin e votës e konsideroj krimin më të madh që mund t’i ndodhë demokracisë dhe rrugës sonë për një shoqëri të drejtë. Kjo nuk mund assesi të falet”, ka theksuar ajo.
Sipas Veselaj-Gutajt, ajo që ka ndodhur nuk mund të quhet thjesht vjedhje, por sabotim i shtetit dhe i procesit demokratik.
“Kjo nuk është demokraci, madje nuk mund ta quajmë as vjedhje, është sabotim i shtetit, dhe i gjithë asaj për çka sakrifikuam në këtë çerek shekull”, ka shkruar ajo.
Veselaj-Gutaj ka kërkuar që të gjithë përgjegjësit të vihen para drejtësisë dhe që të bëhet rinumërim i votave në të gjitha komunat.
“Kjo dukuri që i preku të gjithë kandidatët pa asnjë përjashtim… duhet të ndalohet qysh tash dhe të papërgjegjshmit të sillen para përgjegjësisë. Madje rinumërimi duhet të bëhet në të gjitha komunat”, ka theksuar ajo.
Pavarësisht zhgënjimit, ajo ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj politik.
“Ndonëse e mllefosur dhe e zhgënjyer me këtë dukuri të shëmtuar, unë do të vazhdoj rrugën time në karrierën politike me plot përgjegjësi, kompetencë dhe integritet”, ka përfunduar Veselaj-Gutaj.
Kujtojmë se ish-deputetes së PDK-së deri tash i janë larguar mbi dy mijë vota pas rinumërimit. /Telegrafi/
Infeksionet e ndryshme respiratore të sipërme dhe të poshtme kanë shtuar ndjeshëm numrin e të prekurve tek të vegjlit.
Në 24 orë në urgjencën pediatrike të QSUT, paraqiten mbi 250 raste, ku vetëm 15-20% prej tyre kanë nevojë për trajtim spitalor.
Sa i takon simptomave, mbeten ata klasikët e gripit: kollë, dhimbje koke dhe temperaturë disa ditore.
“Pacientë që kanë nevojë të domosdoshme për trajtim të mëtejshëm në urgjencë, është 15-20% për trajtim në pavion. Pjesa tjetër, në 30%, kanë nevojë për trajtim të shkurtër në observim, një perfuzion… fëmijët paraqiten me kollë, temperaturë, ose me të vjella e diarre.”, tha doktori Albert Lama.
Në qarkullim janë infeksione të ndryshme, por ajo që po mbizotëron tek të vegjlit është varianti “A” i gripit.
Mendoj se është influenca A, ajo që mbizotëron, duke qenë se është më agresive. Gripi po dominon stinën.”, shtoi ai.
Shefi i Urgjencës së Pediatrisë në QSUT, Albert Lama, këshillon prindërit që të jenë vigjilentë ndaj çdo ndryshimi në sjellje të fëmijës, çka do të thotë nga mungesa e oreksit, apo gjendja e parehatisë me gjumin, si dhe jeta joaktive.
“Ta shikojnë gjendjen çdo ditë. Nëse e shohin të plogësht, me temperaturë apo me kollë, jo si përditshmëria që janë mësuar, ta çojnë te mjeku i familjes. Më pas të ndiqet sipas protokollit, sepse mjeku i familjes e njeh edhe historikun e tyre.”, tha ai.
Në rastet kur të vegjlit paraqesin simptoma gripi, mjekët këshillojnë prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në kopshte, çerdhe apo shkolla, masë kjo për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksioneve në qarkullim.
Ende nuk kemi arritur në pikun e gripit; pritet të arrijë në fund të muajit janar, fillim shkurti./abcnews.al/