Problemet në mbrojtje, City synon transferimin e një mbrojtësi nga Serie A
Manchester City po monitoron nga afër situatën e mbrojtësit të Bolognës, Jhon Lucumi, teksa pasiguria rreth së ardhmes së kolumbianit në Serie A po rritet.
Sipas Il Resto del Carlino, qendërmbrojtësi 27-vjeçar ka tërhequr interes serioz nga gjigantët e Ligës Premier, në një moment kur kontrata e tij me Bolognën po hyn në një fazë kritike.
Lucumi ka qenë një figurë kyçe në repartin defensiv të skuadrës së drejtuar nga Vincenzo Italiano, duke ofruar qëndrueshmëri, lidership dhe siguri në ndërtimin e lojës nga prapavija.
Megjithatë, kontrata e tij aktuale skadon verën e ardhshme dhe përpjekjet e klubit italian për të arritur një zgjatje afatgjatë thuhet se kanë ngecur.
Në këtë situatë, kampi i mbrojtësit po shqyrton me kujdes interesimin e Manchester Cityt përpara se të marrë një vendim për kushtet e reja, çka i shton edhe më shumë presion Bolonjës në negociatat që vazhdojnë. /Telegrafi/
