Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 January 2026Main stream

Ivanka Trump vrojton Zvërnecin për projektin strategjik, publikohen pamje

21 January 2026 at 14:11


Dhëndri dhe vajza e presidentit amerikan, Donald Trump ndodhen këtë të mërkurë në Vlorë.

Euronews Albania ka siguruar pamje ku duket Ivanka Trump në Vlorë.

Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij kanë mbërritur të shoqëruar nga një delegacion në zonën e Ujit të ftohtë. Ata kanë zhvilluar për rreth 1 orë një takim me një studio arkitekturore ku do të diskutohet për mënyrën e realizimit të projektit, investimit në ishullin e Sazanit.



Po ashtu, Euronews Albania ka publikuar pamje gjatë momentit të mbërritjes së saj në Zvërnec.

Vizita e Ivanka Tramp dhe Jared Kushner bashkëshortit të saj zhvillohet në kuadër të zhvillimit të projektit.

Mësohet se dy investitorët kanë pasur takimet me studiot arkitekturore. /euronews.al/

IKD: Veprimet e Agron Qalajt po bllokojnë zbatimin e reformës në KPK

21 January 2026 at 14:00


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me siç thonë veprimet e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, të cilat po pengojnë drejtpërdrejt zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

IKD thekson se më 1 janar 2026 ishte paraparë që të fillojë reforma e shumëpritur në sistemin prokurorial të Kosovës.

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK, Këshilli Prokurorial i Kosovës nga fillimi i këtij viti do të ketë përbërje prej shtatë anëtarësh, nga 13 sa i kishte me legjislacionin e vjetër. Gjatë vitit të kaluar, prokurorët e prokurorive themelore, në një proces të bazuar në meritokraci, zgjodhën znj. Elsa Bajramin si përfaqësuese të tyre në Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i së cilës do të duhej të fillonte më 1 janar të këtij viti.

Përderisa pritjet legjitime të publikut janë se KPK do të ndërmarrë veprime konkrete në jetëzimin e reformës në sistemin prokurorial të Kosovës dhe në ruajtjen e parimeve të sundimit të ligjit dhe integritetit të sistemit prokurorial, fatkeqësisht realiteti po dëshmon të kundërtën”, thuhet në reagim.

IKD thekson se U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit po vazhdon me mendësinë e vjetër të qeverisjes me Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke shfrytëzuar interpretime të pabazuara ligjore të Zyrës Ligjore të Sekretariatit të KPK-së për të prolonguar funksionalizimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe po synon ruajtjen e një mendësie korporatiste brenda sistemit prokurorial.

“Për më tepër, IKD vlerëson se konstatimi i z. Agron Qalaj se propozimi i një (1) anëtari të KPK-së nuk ka marrë votat e nevojshme për miratim është në kundërshtim me Ligjin nr. 08/L-249 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK.

Fillimisht, duhet theksuar se neni 37/A, i cili thekson se: ‘1. Deri në zbatimin e përbërjes së përhershme të Këshillit prej shtatë (7) anëtarësh, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus një (1) anëtar, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm’, është dispozitë kalimtare, e cila ka vlejtur në kohën kur KPK kishte mbi shtatë (7) anëtarë dhe zbritja e numrit të anëtarëve duhej të vinte gradualisht, siç tanimë ka ndodhur.

Tanimë, në situatën kur kjo dispozitë kalimtare ka humbur fuqinë ligjore, aplikohet neni 13 i Ligjit në fjalë, i cili thekson se: ‘1. Kuorumi i Këshillit formohet me pesë (5) anëtarë, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, përveç nëse parashihet ndryshe me këtë ligj; 2. Vendimet e Këshillit merren me shumicë të thjeshtë votash të të gjithë anëtarëve të Këshillit, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj’”, thuhet në reagim.

IKD më tej thekson se sipas kësaj dispozite, situata është plotësisht e qartë: KPK ka kuorum të mjaftueshëm prej pesë anëtarësh për mbajtjen e takimit.

Ndërkaq, vendimmarrja merret me shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit. Ligji nuk i referohet tërësisë së numrit të anëtarëve, por i referohet “anëtarëve të Këshillit”, të cilët aktualisht janë pesë (5), dhe shumica e thjeshtë e tyre është tre.

“Në rastin konkret, propozimi i anëtarit të KPK-së ka përmbushur këtë kriter ligjor, pasi në mbledhje kanë qenë të pranishëm pesë (5) anëtarë të KPK-së, nga të cilët tre (3) kanë votuar pro dhe dy (2) kundër. Rrjedhimisht, propozimi ka marrë votat për miratim dhe do të duhej të konsiderohej i miratuar.

IKD vlerëson se ndërhyrje të tilla në procedurën e vendimmarrjes përbëjnë tentativë për të sabotuar reformën në KPK përmes shkeljeve të hapura ligjore. Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se përgjegjësia për këtë situatë i takon drejtpërdrejt Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i cili, në vend se të sigurojë zbatimin e ligjit dhe funksionimin ligjor të KPK-së, ka zgjedhur të bllokojë një proces të rregullt dhe të ligjshëm vendimmarrës”, thuhet në reagim.

IKD i bën thirrje Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, që të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore, duke e konstatuar pa vonesa certifikimin e rezultatit zgjedhor të 1 nëntorit 2025, ashtu siç u votua në takimin e djeshëm.

Instituti i Kosovës për Drejtësi më tej thekson se U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit do të duhej të shërbente si shembull i respektimit të ligjit dhe procedurës për të promovuar integritetin dhe kredibilitetin e sistemit prokurorial në këtë fazë kalimtare, duke marrë masa për funksionalizimin e Këshillit Prokurorial dhe për tranzicionin e shpejtë dhe pa vonesa te Kryesuesi i ardhshëm i KPK-së. /Telegrafi/

Kurti takon Komisioneren e BE-së për Zgjerim: Progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me statusin e vendit kandidat

21 January 2026 at 13:52


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në margjina të Forumit Ekonomik Botëror takoi Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.

Në njoftimin e Kryeministrisë bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua mbi progresin ekonomik dhe avancimin demokratik të vendit të cilat janë kyçe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti ka thënë se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status.

“Në takim u diskutua edhe rreth situatës gjeopolitike, Planit të Rritjes, bashkëpunimit rajonal dhe aktualitetit. Sa i përket bashkëpunimit rajonal, kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv dhe mbështet integrimin më të gjerë ekonomik të rajonit bazuar në vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet tutje. /Telegrafi/

AGK: Të shqetësuar me kërcënimin e rëndë me vrasje ndaj gazetarit, Lirim Mehmetaj

21 January 2026 at 13:39


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me kërcënimin e rëndë me vrasje ndaj gazetarit dhe themeluesit të Vox Kosova, Lirim Mehmetaj.

AGK thekson se një koment kërcënues në Facebook ndaj tij, mes tjerash, thotë ‘ okfira me ti shpraz nlul tballit frik e kie’.

“AGK-ja e dënon ashpër këtë gjuhë dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që të ndërmarrin masa urgjente për identifikimin dhe lokalizimin e personit në fjalë dhe ta mbajë përgjegjës për veprën penale të kanosjes”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni tutje thekson se ky kërcënim kaq serioz vë në rrezik sigurinë fizike të Mehmetajt dhe redaksisë që ai udhëheq, prandaj AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë masa mbrojtëse. /Telegrafi/

Ftesa e Trumpit për Bordin e Paqes, Rama uron Osmanin: Tejet domethënës, forcon raportet me Amerikën dhe sinjal domethënës për sigurinë e Kosovës

21 January 2026 at 10:56


Kryeministri Edi Rama ka uruar presidenten e vendit, Vjosa Osmani për ftesën që mori nga presidenti amerikan, Donald Trump që Kosova të jetë pjesë e Bordit të Paqes.

Rama në një postim në platformën X shkruan se ftesa e presidentit Trump është tejet domethënës dhe forcon raportet me SHBA-të.

Postimi i plotë i Ramës:

Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.

Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht. /Telegrafi/



Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e…
— Edi Rama (@ediramaal) January 21, 2026

Përleshje masive në Gaçkë të Ferizajt, pesë prej tyre të mitur

21 January 2026 at 10:43


Policia e Kosovës ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë, pesë prej tyre të mitur.

Rasti ka ndodhur në fshatin Gaçkë të Ferizajt, të martën në ora 22:55.

“Është raportuar se pas një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë, pesë prej tyre të mitur. Dy nga të dyshuarit kanë marr lëndime trupore nga mjeti i mprehtë (thikë) dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raport.

Pesë të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të dyshuarit tjerë të mitur janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Dhëndri dhe vajza e Trump mbërrijnë në Vlorë, takime lidhur me investimet në ishullin e Sazanit

21 January 2026 at 10:33


Nën masa të rrepta sigurie, dhëndri i Donald Trump sapo ka mbërritur në Vlorë. Jared Kushner ka mbërritur i shoqëruar nga një delegacion në zonën e Ujit të ftohtë. Mësohet se Kushner është i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Ivanka Trump.

Aty do të zhvilloj një takim për të diskutuar më tepër rreth investimit në ishullin e Sazanit. Sipas informacioneve do të zhvillohet një takim nëpërmjet Jared Kushner me një studio arkitekturore ku do të diskutohet për mënyrën e realizimit të projektit, investimit në ishullin e Sazanit, raporton euronews.al.

Nuk do të jetë takim me përfaqësues të pushtetit.

Në QNR rinumërohen 834 nga 2,557 vendvotime, procesi përmbyllet plotësisht në 7 komuna

21 January 2026 at 10:22


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 21 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 834 nga 2,557 vendvotime.

Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 7 komuna.

Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/

Dy burra sulmojnë një grua në Lipjan për shkak të një kontesti pronësor

21 January 2026 at 10:14


Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të sulmit ndaj një gruaje në Lipjan.

Rasti ka ndodhur të martën në ora 12:50.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor, kishin sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare”, thuhet në raport.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Trump fton Kosovën në Bordin e Paqes, presidentja Osmani publikon letrën e presidentit amerikan

21 January 2026 at 08:48


Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë sot se ndihet thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Donald Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt.

Osmani në një postim në Facebook ka publikuar letrën e presidentit Donald Trump lidhur me festën që Kosova të jetë në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të

Lexoni të plotë postimin:

Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt.

Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike.

Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej.

Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes - dhe ne jemi gati. /Telegrafi/




15 vite nga “21 Janari”, Rama: Drejtësia i ngjan një breshke, po ne nuk harrojmë

21 January 2026 at 07:56


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kujtuar këtë të mërkurë 21 Janarin, në 15-vjetorin e ngjarjes ku gjatë protestës së vitit 2011 mbetën të vrarë katër persona.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se edhe pas 15 vitesh drejtësia për viktimat nuk është vënë në vend.

“.... Sot, në 15-vjetorin e një krimi shtetëror të pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare, kur katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë, me bindjen që sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama. /Telegrafi/

Moti në Shqipëri, vranët dhe reshje shiu të herëpashershme

21 January 2026 at 07:22


Shqipëria të mërkurën do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, ndërkaq reshje shiu të herëpashershme do të ketë me intensitet kryesisht të ulët që në orët e para të 24-orëshit.

SHMU njofton se lokalisht në jug të vendit në intervale të shkurtra kohore reshje shiu në formën e shtrëngatave.

Gjatë ditës reshjet e shiut do të mbeten prezentë të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët, lokalisht në qendër dhe jug të vendit hera-herës reshje shiu me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave.

Në zonën e Alpeve, në verilindje-lindje në lartësitë mbi 300-400 metër si dhe në juglindje-jug në lartësitë mbi 600-700 metër reshje dëbore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim verilindje– lindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 18 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 3-4 ballë. /Telegrafi/




Mëngjesi me ngrica dhe vende-vende me mjegull

21 January 2026 at 07:08


Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët.

IHK njofton se në mëngjes do të ketë ngrica dhe vende-vende mjegull.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -8 deri -5°C, ndërkaq ato maksimale nga 1-4°C

Era do të fryjë kryesisht nga juglindjes me shpejtësi 1-8m/s. /Telegrafi/

Yesterday — 20 January 2026Main stream

​Avokati Bytyqi dorëzon kallëzim penal ndaj Belisar Jezercit, anëtar i “Lëvizjes së Deçanit”

20 January 2026 at 13:43


Në Prokurorinë Speciale të Kosovës, avokati Asdren Bytyqi dorëzoi kallëzim penal ndaj Belisar Jezercit, anëtar i “Lëvizja e Deçanit”, duke e akuzuar atë për thirrje të vazhdueshme për shfarosje dhe spastrim etnik ndaj myslimanëve shqiptarë.

Të martën, Bytyqi kërkoi që Prokuroria Speciale të ngreh aktakuzë për grupin “Lëvizja e Deçanit” dhe paraburgim për Belisar Jezercin.

“I njëjti në vazhdimësi, mirëpo veçanërisht me qëndrimin e tij publik në rrjetin e tij social në Facebook, me statusin e fundit ku bën thirrje për shfarosjen, përkatësisht spastrimin etnik të të gjithë myslimanëve shqiptarë nga territoret e Dardanisë, ashtu siç i thotë ai... Ky është një akt i paprecedent, një çmenduri e cila i ka kaluar nivelet e lirisë së shprehjes dhe e cila në një shoqëri të tillë, që me Kushtetutë thuhet që liria e shprehjes përcaktohet që liria e shprehjes kufizohet në rast se ajo bie ndesh me sigurinë publike dhe interesin publik. Ky zotëri ka vepruar kësisoj duke nxitur dhe duke bërë thirrje masive për largimin e popullatës myslimane shqiptare nga territoret e Iliridës. Ky kallëzim penal është shembull dhe model që ne nuk do të ndalemi dhe jo vetëm ndaj këtij, po dhe të gjithë atyre provokatorëve të tjerë të Serbisë, që janë pjesë e lëvizjes për rikthim, përkatësisht Lëvizjes së Deçanit, të cilët në vazhdimësi tentojnë që të provokojnë dhe nxisin urrejtje dhe përçarje ndërfetare dhe ndëretnike në mesin e shqiptarëve”, deklaroi Bytyqi.

Avokati, Asdren Bytyqi deklaroi se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë ligjore karshi këtyre individëve, derisa theksoi se kallëzimi penal i sotëm është një veprim edhe karshi Prokurorisë Speciale, raporton KP.

Ai shpreson që ky institucion do të ngritë aktakuzë për grupin “Lëvizja e Deçanit”.

“Ky kallëzim penal është edhe një lloj veprimi ndaj Prokurorisë Speciale, e cila aq sa është prokurori e cila kujdeset për vendosjen e drejtësisë, po ashtu është institucion i cili ushtron shumë më shumë politikë sesa në realitet drejtësi. Sepse në këto raste, në rastet kur individë të caktuar të përkatësisë myslimane shkruajnë statuse dhe nxisin urrejtje, pa i arsyetuar, pa të drejtë ndaj individëve të caktuar ose grupeve të caktuara, menjëherë arrestohen dhe menjëherë iniciohen procedura sipas detyrës zyrtare. Kurse ndaj grupit të Deçanit, ky institucion ka politikë selektive, pra nuk mban drejtësi dhe i vë veshët në lesh dhe nuk i intereson fare dhe i mbyll të gjitha dosjet dhe nuk merr asnjë lloj veprimi të shpejtë, duke ditur që ky rast është një rast i paprecedent ku bëhet thirrje për shfarosjen, përkatësisht spastrimin etnik të gjithë popullatës myslimane shqiptare. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale që ta kryejë detyrën e saj që ia përcakton Kushtetuta dhe ligji dhe të marrë veprimet e duhura dhe të presim drejtësi prej saj, përkatësisht aktakuzë”, theksoi avokati Bytyqi.

Bytyqi tha se në Prokurorinë Speciale kanë dorëzuar 25 prova materiale dhe presin nga ky institucion i drejtësisë të marrë masa të menjëhershme për paraburgim të Belisar Jezercit.

“Ne presim që ky institucion, duke ditur që i kemi dorëzuar diku afër 25 prova materiale përkatësisht qëndrime të zotëriut Belisar dhe qëndrimeve të përgjithshme të cilat janë të organizuara dhe të sinkronizuara të Lëvizjes së Deçanit… Presim që Prokuroria Speciale të marrë masat e menjëhershme dhe ne kemi kërkuar që edhe të paraburgoset i njëjti, përkatësisht të caktohet edhe ndonjëra nga masat e sigurimit të të pandehurit deri në zhvillimin e procedurës. Për arsye se në rast se i njëjti tolerohet, jam i bindur që do të vazhdojnë jo vetëm me këtë intensitet, po dhe me një intensitet më të ashpër, sepse kjo është një politikë e sponsorizuar nga ana e Serbisë dhe armiqve të vendit tonë”, u shpreh ai. /Kp/

“Barna për shërimin e fëmijëve me autizëm”, reagon PRAK për rastin në Gjilan: Mos të trajtohet si incident i izoluar, por si një fenomen alarmant

20 January 2026 at 12:29


Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj raportimeve në media se një individ në Gjilan dyshohet se ka ofruar barna për “shërimin” e fëmijëve me autizëm.

PRAK thekson se ky rast nuk duhet trajtuar vetëm si një incident i izoluar apo si përgjegjësi individuale penale, por si një fenomen alarmant që nxjerr në pah dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve në situata të ndjeshme emocionale dhe sociale.

Lexoni të plotë reagimin:

Lidhur me rastin e pretendimeve për “shërimin e autizmit” dhe rrezikimin e shëndetit të fëmijëve

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) shpreh shqetësim të thellë lidhur me raportimet e publikuara nga media për rastin në Gjilan, ku një individ dyshohet se ka ofruar “trajtime” për autizëm, përfshirë përdorimin e substancave të destinuara për kafshë, duke i paraqitur ato si terapi shëruese për fëmijë.

Ky rast nuk duhet trajtuar vetëm si një incident i izoluar apo si përgjegjësi individuale penale, por si një fenomen alarmant që nxjerr në pah dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve në situata të ndjeshme emocionale dhe sociale.

Së pari, ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me mungesën e shërbimeve të mjaftueshme, të qasshme dhe të integruara për fëmijët me çrregullime të zhvillimit, përfshirë autizmin. Kur sistemi publik nuk ofron mbështetje të strukturuar, terapi të vazhdueshme, orientim profesional dhe informim të saktë, qytetarët mbesin të vetmuar dhe të dëshpëruar duke u bërë lehtësisht pre e pretendimeve të rreme dhe mashtruese.

Së dyti, kemi të bëjmë me mungesë të kontrollit efektiv institucional dhe mbikëqyrjes së praktikave pseudo-mjekësore, veçanërisht në hapësirat informale dhe online, ku individë pa licencë dhe pa përgjegjësi profesionale promovojnë “trajtime” të rrezikshme, pa u ndëshkuar në kohë.

Së treti, niveli i ulët i edukimit shëndetësor dhe informimit publik mbi çrregullimet e spektrit të autizmit krijon terren për dezinformim. Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, por një gjendje që kërkon ndërhyrje multidisiplinare, mbështetje afatgjate dhe respektim të dinjitetit të fëmijës dhe familjes.

PRAK e mirëpret reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe konfirmimin e Policisë së Kosovës se rasti është duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. Këto hapa janë të domosdoshëm, por jo të mjaftueshëm nëse mbesin vetëm reagim pas faktit.

Shëndeti i fëmijëve nuk mbrohet vetëm me hetime pasi dëmi ka ndodhur, por me parandalim, rregullim dhe mbikëqyrje aktive.

PRAK kërkon që ky rast të shërbejë si pikë kthese dhe bën thirrje për:

- Veprim të shpejtë dhe transparent institucional, me informim publik për epilogun e rastit dhe masat e marra.

- Forcim të mekanizmave të inspektimit shëndetësor dhe ndërsektorial, për të identifikuar dhe ndaluar praktikat e rrezikshme pseudo-mjekësore.

- Zgjerim dhe strukturim të shërbimeve publike për fëmijët me autizëm, përfshirë diagnostikimin e hershëm, terapitë dhe mbështetjen për familjet.

- Fushata të vazhdueshme të edukimit shëndetësor, në bashkëpunim me organizatat e pacientëve dhe shoqërinë civile, për të luftuar dezinformimin.

- Vendosje të qartë të përgjegjësisë ligjore për çdo individ që mashtron dhe rrezikon shëndetin e fëmijëve nën petkun e “trajtimeve alternative”.

PRAK rithekson se e drejta për shëndet, siguri dhe trajtim të bazuar në shkencë është e panegociueshme, dhe se mbrojtja e pacientëve, veçanërisht e fëmijëve duhet të jetë prioritet real, jo vetëm deklarativ.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë mbetet e gatshme të kontribuojë për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen. /Telegrafi/

U kanos nga ish i dashuri, i dyshuari la një fishekë dhe i tha “e kam për burrin e motrës suaj”

20 January 2026 at 10:49


Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të kanosjes në Fushë Kosovë.

Rasti ka ndodhur të dielën, në ora 15:30, ku një grua u kanos nga ish i dashuri.

“Është raportuar se viktima femër kosovare është kanosur nga ish i dashuri i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari i kishte lënë viktimës një fishekë të kalibrit 7.65 mm për të cilin i kishte thënë që e ka për burrin e motrës së juaj”, thuhet në raport.

I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

Vjedhja në një argjendari në Prishtinë, Policia jep detaje

20 January 2026 at 10:36


Të hënën në Prishtinë persona të panjohur kanë depërtuar me forcë brenda në lokali, ndërsa kanë vjedhur ari dhe një pistoletë.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, të hënën në ora 10:00, ndërkaq Policia e ka cilësuar si vjedhje të rëndë.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se persona të pa njohur me forcë kanë depërtuar brenda lokalit nga kanë vjedhur ari dhe një pistoletë (për të cilën pronari posedonte leje)”, thuhet në raport.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

Vazhdon procesi në QNR, rinumërohen 688 nga 2,557 vendvotime

20 January 2026 at 10:30


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e martë, 20 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 688 nga 2,557 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/51), Gjakovë (15/145), Gllogoc (7/73), Gjilan (13/130), Dragash (57/57), Istog (6/62), Kaçanik (45/45), Klinë (6/63), Fushë Kosovë (6/62), Kamenicë (5/50), Mitrovicë e Jugut (10/102), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/85), Novobërdë (2/23), Obiliq (3/33), Rahovec (8/78), Pejë (14/139), Podujevë (11/110), Prishtinë (26/262), Prizren (235/235), Skenderaj (72/72), Shtime (34/34), Shtërpcë (2/17), Suharekë (9/89) dhe Ferizaj (63/152).

Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 6 komuna.

Në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/ në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi.

Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).

Pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit do të përfshihen edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave. /Telegrafi/

Policia heton një rast të vdekjes në QKUK

20 January 2026 at 10:25


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po heton një rast të vdekjes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Policia njofton se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

“QKUK-Prishtinë 19.01.2026 – 20:00. Më datë 20.01.2026 rreth orës 01:37 derisa ishte në tretman mjekësor në QKUK, viktima mashkull kosovar, raportohet se i njëjti ka ndërruar jetë. Trupi i pa jetë i viktimës dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë”, thuhet në raport.

Policia njofton se rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

AMP godet bastet sportive, masa sigurie për gjashtë punonjës policie

20 January 2026 at 08:23


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan–Korçë), në kuadër të operacionit të koduar “Last Bet” dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar masa sigurie ndaj gjashtë punonjësve të policisë dhe një shtetasi, të dyshuar për organizim dhe favorizim të veprimtarisë së paligjshme të basteve sportive, duke shpërdoruar detyrën.

Në njoftim thuhet caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitit 2025, ku nga veprimet e thelluara hetimore, rezultoi se të dyshuarit duke shfrytëzuar atributet e funksionit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e lotarive të palejuara / basteve sportive, duke konsumuar elementët e veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 197/25 dhe 248 i Kodit Penal.

Lexoni njoftimin:

AMP ekzekuton masat e sigurisë ndaj 6 punonjësve të policisë dhe 1 shtetasi

Në kuadër të operacionit “Last Bet” zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë), nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u ekzekutua vendimi penal i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar:

Masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Pr. Penale, ndaj;

▶️ Nënkomisar R.T., me detyrë Specialist për krimet, pranë Stacionit të Policisë Manëz, në Komisariatin e Policisë Durrës.

▶️ Inspektor E.K., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.

▶️ Shtetasi I.T., banues në Tiranë

Masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 233 dhe 234 i Kodit të Pr. Penale, ndaj;

▶️ Komisar D.S., me detyrë Shef i Seksionit për hetimin e krimeve në volum në Komisariatin e Policisë Devoll.

▶️ Nënkomisar A.M., me detyrë Përgjegjës turni pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.

▶️ Inspektor G.B., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.

▶️ Inspektor E.D., me detyrë Trupë shërbimi operacional pranë Seksionit Special të Ndërhyrjes Taktike, në njësinë speciale “Renea”.

Në funksion të veprimeve procedurale u sekuestruan 7 telefona celularë, të cilët dyshohet të jenë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.

Për ankesa me Whatsapp 0694151511�Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”. /Telegrafi/

❌
❌