BRUKSEL – Hyjnë në fuqi masat për kufizimet e lëvizjes së diplomatëve rusë në BE
BRUKSEL, 25 janar /ATSH-DPA/ – Masat që kufizojnë lirinë e lëvizjes për diplomatët rusë në Bashkimin Evropian hynë sot në fuqi për t’u mbrojtur nga spiunazhi dhe dezinformimi.
Kur udhëtojnë nëpër zonën Schengen përtej vendit të tyre pritës, diplomatët dhe zyrtarët konsullorë rusë si dhe stafi dhe anëtarët e familjes së tyre, tani do të duhet të njoftojnë vendin e tyre të destinacionit dhe çdo vend tranziti të paktën 24 orë para udhëtimit.
Shtetet anëtare gjithashtu mund të futin një kërkesë autorizimi për hyrje ose tranzit në mënyrë që të jenë në gjendje të ndalojnë udhëtimin në raste dyshimi.
Udhëtimi brenda vendit pritës nuk ka nevojë të regjistrohet.
Masa u miratua zyrtarisht në tetor si pjesë e një pakete sanksionesh kundër Rusisë dhe u botua në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.
BE tha se masat po zbatohen me arsyetimin se disa nga individët në fjalë po marrin pjesë në operacione sekrete për Moskën, përfshirë spiunazhin dhe përhapjen e dezinformatave rreth luftës për të shtrembëruar opinionin publik.
Sipas zyrtarëve të BE-së, shkeljet e kërkesave mund të ndëshkohen me tërheqjen e akreditimit diplomatik.
Deri tani, diplomatëve rusë në përgjithësi u është lejuar të udhëtojnë lirisht nëpër BE.
Vendet lindore të BE-së e kanë kritikuar këtë privilegj për vite me radhë, por shtetet e tjera anëtare kanë pasur frikë se kufizimet e udhëtimit mund të shkaktojnë kundërmasa për diplomatët evropianë në Rusi./ /Ad.Ab./
The post BRUKSEL – Hyjnë në fuqi masat për kufizimet e lëvizjes së diplomatëve rusë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.