Ndeshja e raundit të 1/8-ave të Kupës së Kombeve të Afrikës midis Algjerisë dhe Republikës Demokratike të Kongos përfundoi me fitoren minimale të skuadrës algjeriane, e cila kualifikohet në çerekfinale. Pas një përballjeje të fortë dhe dinamike që zgjati deri në kohën shtesë, Adil Boulbina shënoi golin vendimtar në minutën e 119-të.
Gjatë pjesës së parë, të dyja ekipet krijuan raste të rrezikshme, por portierët dhe mbrojtja e qëndrueshme mbajtën rezultatin të barabartë. Republika Demokratike e Kongos pati disa mundësi të mira për të kaluar në avantazh, por Luca Zidane dhe kolegët e tij në mbrojtje reaguan në kohë për të shmangur golat.
Në pjesën e dytë, Algjeria mori më shumë kontrollin e lojës, duke krijuar presion konstant mbi portën kundërshtare.
Riyad Mahrez shënoi një gjuajtje nga distanca që kaloi shumë pranë traversës, duke treguar se sulmuesit algjerianë ishin në formë të mirë, por për fat të ekipit, rezultati mbeti i barabartë deri në fund të kohës normale.
Në kohën shtesë, Algjeria shfrytëzoi një mundësi të shkëlqyer për të vendosur fitoren. Adil Boulbina shënoi golin e vetëm të ndeshjes me një gjuajtje të fuqishme nga distanca, duke i dhënë Algjerisë avantazhin vendimtar në minutën e 119-të.
Me këtë fitore, Algjeria kalon në çerekfinalet e Kupës së Kombeve të Afrikës, duke treguar forcën e tyre në fazat e eliminimit, ndërsa atje do të përballet me Nigerinë. /Telegrafi/
Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) ka publikuar të martën listën e mbrojtësve me më shumë gola për vitin 2025.
Në krye të kësaj liste qëndron braziliani Reinaldo, mbrojtës i majtë i klubit brazilian Mirassol, me 14 gola të shënuar.
Pas tij, me nga 11 gola, janë Achraf Hakimi i Paris Saint-Germain dhe Besnik Krasniqi i Dritës. Tetë nga 11 golat e Krasniqit janë realizuar nga penalltia, duke treguar precizitetin dhe rolin vendimtar që ai ka te skuadra.
Krasniqi, 35-vjeçari i cili është shtyllë e ekipit të Dritës dhe kapiten i saj, ka kontribuar jo vetëm në kampionat, ku Drita u shpall kampion, por edhe në garat evropiane.
Ai luajti me Dritën në Ligën e Konferencës, ku ekipi arriti deri në play-off, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje dhe në realizimin e golave vendimtarë.
Në këtë klasifikim janë marrë parasysh vetëm lojtarët nga 100 ligat më të mira të botës, ku Krasniqi ka lënë pas edhe mbrojtës të njohur si Nicolás Otamendi i Benficas dhe Argjentinës.
Ole Gunnar Solskjaer është përfolur së fundmi për një rikthim te Manchester United, pas largimit të Ruben Amorim nga posti i trajnerit.
Legjenda norvegjeze, 52 vjeç, ka luajtur 366 ndeshje për Man United gjatë karrierës së tij, duke shënuar 126 gola. Si lojtar, ai ka fituar gjashtë tituj në Ligën Premier dhe një Ligë të Kampionëve, ndër shumë trofe të tjerë.
Solskjaer u emërua trajner i përkohshëm i Man United në dhjetor 2018 pas largimit të Jose Mourinho. Pas një serie rezultatesh pozitive, ai mori detyrën në mënyrë permanente dhe drejtoi 168 ndeshje, me 91 fitore, 37 barazime dhe 40 humbje, që përkthehet në një përqindje fitoreje prej 54.17%. Ai u shkarkua në nëntor 2021 pas një periudhe forme të dobët.
Së fundmi, mediat britanike raportojnë se Solskjaer është i gatshëm të rikthehet si trajner i përkohshëm i Manchester United, me Darren Fletcher duke marrë detyrën përkohësisht këtë javë.
Specialistët e transferimeve, përfshirë Fabrizio Romano, kanë njoftuar se mund të ketë marrëveshje.
"Ole Gunnar Solskjær dhe Manchester United kanë bërë përparim në bisedimet për rolin e trajnerit përkohës. Siç u bë e ditur dje, Ole dëshiron të marrë këtë detyrë dhe konsiderohet një kandidat serioz, ndërsa bisedimet po ecin shumë mirë. Nuk ka asnjë problem lidhur me kohëzgjatjen e kontratës – Ole është i gatshëm ta pranojë", shkruan ai.
🚨 Ole Gunnar Solskjær and Manchester United advance in positive talks over caretaker manager role.
As revealed yesterday, Ole wants the job and he’s a serious candidate with talks well underway.
No issues on contract lenght. Ole is ready to say YES.
Solskjaer mbetet një emër i respektuar në Old Trafford dhe rikthimi i tij, edhe në mënyrë të përkohshme, do të ishte një lajm i madh për tifozët e klubit. /Telegrafi/
Adenis Shala, sulmuesi kosovar, ka zgjedhur këtë sezon të vazhdojë karrierën jashtë Evropës, duke u bashkuar me klubin Nasaf Qarshi në Uzbekistan, tash e gjashtë muaj. Mes vështirësive në adaptim, deri te ndeshjet me yjet e futbollit botëror që luajti ndaj tyre në Ligën e Kampionëve të Azisë, Shala i flet të gjitha në një intervistë me Telegrafin.
Përpara këtij hapit, Shala ka luajtur në ekipe të njohura si Hajduk Split dhe Fenerbahce, sa ishte fëmijë, ndërsa në Kosovë ka mbajtur fanellën e Ferizajt, Feronikelit, Gjilanit dhe Trepçës ’89. Kulmin e arriti te Shkëndija e Tetovës, aty ku vazhdon të jetë i dashur nga tifozët.
Kalimi në Uzbekistan për Shalën ka qenë një sfidë e re, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë personal për futbollistin prishtinas.
Ai ka përballuar një ndryshim të madh jetësor, duke iu dashur të adaptohej në një vend dhe një kulturë të re, pjesë e kontinentit aziatik, ku futbolli është fizikisht më intensiv se në Maqedoni dhe Kosovë.
“Vendosa ta vazhdoj karrierën time në Uzbekistan sepse kampionati aty është i fortë. Arsyeja pse zgjodha Nasaf Qarshi është sepse është një nga klubet më të mira në vend dhe ka një strukturë shumë profesionale”.
“Ka qenë një ndryshim i madh. Uzbekistan është pjesë e Azisë dhe për t’u përshtatur me jetesën këtu është shumë më e vështirë sesa në Evropë. Por po mundohem të adaptohem çdo ditë më mirë”, deklaroi Shala për Telegrafin.
Futbolli në Uzbekistan krahasuar me Maqedoni dhe Kosovë, pasi ylli i sulmit para kalimit atje, ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës, ku u shpall edhe kampion.
“Sipas mendimit tim, futbolli në Uzbekistan është më i fortë nga aspekti fizik. Ka shumë intensitet dhe lojtarë të fuqishëm, më shumë sesa në Maqedoni dhe Kosovë”, shtoi ai.
Përveç kampionatit vendas, Shala ka marrë pjesë me Nasaf Qarshi edhe në Ligën e Kampionëve të Azisë, ku ka përballuar ekipe të njohura si Al Hilal, Al Ahli dhe Al Ittihad, duke fituar eksperienca të jashtëzakonshme nga ndeshjet me lojtarë kampionë dhe ekipe me emër ndërkombëtar.
"Me klubin tonë kemi marrë pjesë në Ligën e Kampionëve të Azisë. Në grup kemi pasur shumë skuadra të forta si Al Hilal, Al Ahli dhe Al Ittihad – ekipe me shumë histori dhe lojtarë kampionë. Për mua ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme të luaj përballë tyre”, ka thënë Shala.
Ai në këto takime u përballë me yjet botërorë, si Karim Benzema, Ngolo Kante, ndërsa tregoi edhe për bashkëbisedimin që kishte me Mario Mitajn.
“Karim Benzema është lojtar i jashtëzakonshëm dhe fitues i Topit të Artë. Takimi dhe mundësia për të luajtur përball tij ka qenë realizimi i një ëndrre. Mario Mitaj është një lojtar dhe person i shkëlqyer; pata rastin të bisedojmë pas ndeshjes, ku kryesisht folëm për kombëtaren shqiptare dhe ia urova suksesin në play-off. Po ashtu, i urova fat për ndeshjet në mars dhe shpresoj që Shqipëria dhe Kosova të arrijnë Botërorin".
"N’Golo Kanté më la një përshtypje të veçantë – asnjë lojtar që kam pasur përball nuk më ka lënë si ai. Thjeshtësia dhe modestia e tij janë të jashtëzakonshme, duke marrë parasysh se ka fituar Botërorin, Premier Ligën dhe Champions League. Për mua, kjo ishte një surprizë shumë pozitive”, përfundoi ai.
Megjithatë, e ardhmja e tij tek Nasaf Qarshi mbetet e pasigurt, pasi ekziston mundësia që Shala të kthehet në Evropë në sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/
Sulmuesi kosovar Emir Sahiti pritet të largohet nga Hamburgu gjatë afatit kalimtar dimëror, pas një sezoni të vështirë dhe me shumë pak hapësira në skuadër.
Sipas raportimit të OneFootball, menaxheri i 27-vjeçarit është duke punuar intensivisht për gjetjen e një klubi të ri. Emri i Sahitit u është ofruar disa skuadrave, përfshirë St. Pauli, por futbollisti ka kërkuar qartë që prioritet të jetë një transferim drejt Arabisë Saudite.
Sahiti ka pasur vështirësi të mëdha për të siguruar minuta këtë edicion në Bundesligën gjermane. Ai ka zhvilluar vetëm 122 minuta lojë në kampionat, duke u paraqitur në dy ndeshjet e para të sezonit.
Pas kësaj, nuk ka fituar më asnjë minutë: në nëntë ndeshje nuk u ftua fare, ndërsa në tri të tjera mbeti në bankën e rezervistëve.
Minutat e vetme pas kësaj periudhe i mori më 3 dhjetor, në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë ndaj Holstein Kielit.
Emir Sahiti iu bashkua Hamburgut në verën e vitit 2024, duke u transferuar nga Hajduk Split për shumën prej 1.2 milionë eurosh. Kontrata e tij me klubin gjerman skadon në vitin 2027, çka e bën këtë afat dimëror vendimtar për të ardhmen e tij. /Telegrafi/
Liverpool nuk ka asnjë qëllim ta lejojë Federico Chiesan të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit, pavarësisht interesimit në rritje nga Napoli dhe Juventus.
Raportimet e fundit nga Italia e kishin lidhur anësorin italian me një rikthim të mundshëm në Serie A në formë huazimi, por këto skenarë pritet të mbeten vetëm në letër.
Sipas Sky Sports UK dhe TuttoMercato, klubi anglez ka vendosur të mbyllë çdo mundësi largimi në mes të sezonit.
Liverpool e sheh Chiesan si pjesë të planeve për pjesën e mbetur të kampionatit dhe nuk është i gatshëm të aprovojë as huazim e as transferim të përhershëm në janar.
Situata mund të rishikohet vetëm pas mbylljes së sezonit, ku klubi do të ishte i hapur për bisedime, por vetëm për një shitje përfundimtare, jo për një marrëveshje të përkohshme.
Federico Chiesa iu bashkua Liverpoolit nga Juventus në verën e vitit 2024 dhe ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2028, me edhe dy vjet e gjysmë të mbetura. Në këtë sezon, përfaqësuesi italian ka zhvilluar 15 paraqitje në Ligën Premier, duke realizuar dy gola.
Megjithëse Napoli dhe Juventus vazhdojnë të monitorojnë situatën e tij, çdo rikthim i Chiesas në Serie A do të duhet të presë të paktën deri në verë – dhe vetëm nëse plotësohen kushtet e vendosura nga Liverpool. /Telegrafi/
Një surprizë e madhe u regjistrua në seancën e fundit stërvitore të Barcelonës përpara gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës ndaj Athletic Bilbaos, që do të zhvillohet nesër.
Ylli i ri i katalanasve, Lamine Yamal, nuk u pa në fushë me pjesën tjetër të skuadrës, duke shkaktuar shqetësim mes tifozëve dhe mediave, raportoi Mundo Deportivo.
Klubi reagoi shpejt duke qetësuar opinionin publik, duke bërë të ditur se Yamal ndodhej brenda kompleksit sportiv në Xheda, ku skuadra e Hansi Flick po përgatitet për këtë duel të rëndësishëm.
Sipas Barcelonës, 17-vjeçari po ndiqte një program të veçantë fizik të adaptuar dhe mungesa e tij nuk lidhej me ndonjë dëmtim serioz.
Megjithatë, Mundo Deportivo zbulon se arsyeja reale e mungesës së Yamal është një virus i stomakut, i cili e ka shqetësuar prej disa ditësh dhe e ka dobësuar fizikisht. Për këtë arsye, stafi teknik vendosi ta kursejë nga ngarkesa e plotë stërvitore.
Kujtohet se Yamal mungoi edhe në seancën e parë të vitit të ri, më 1 janar, për shkak të gjendjes së përgjithshme jo të mirë shëndetësore.
Trajneri Hansi Flick nuk komentoi mbi situatën e Yamalit në konferencën për shtyp para ndeshjes, pasi ajo u mbajt para stërvitjes nga e cila sulmuesi i ri mungoi, duke mos i dhënë mundësi gazetarëve të ngrinin pyetje mbi këtë çështje.
Nga ana tjetër, të gjithë lojtarët e tjerë të Barcelonës që udhëtuan drejt Arabisë Saudite u stërvitën normalisht, përfshirë edhe Ronald Araújo.
Flick bëri të ditur se pas stërvitjes do të zhvillojë një bisedë me mbrojtësin uruguaian për të marrë një vendim përfundimtar mbi aktivizimin e tij, ndonëse fillimisht nuk kishte planifikuar ta përdorte në ndeshjen ndaj Athletic Bilbaos. /Telegrafi/
Manchester City nuk arriti të gjente rrugën e fitores ndaj Sunderlandit, në një ndeshje të luftuar dhe me raste, që u mbyll pa gola (0-0).
Skuadra e Pep Guardiolës dominoi posedimin dhe krijoi më shumë raste, por u ndal nga mungesa e konkretizimit.
Man City e nisi ndeshjen fuqishëm dhe arriti edhe të shënojë në minutën e 7-të me Bernardo Silvën, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Gjatë pjesës së parë, kampionët në fuqi ushtruan presion të vazhdueshëm, me raste nga Haaland, Foden dhe Cherki, por portieri Robin Roefs ishte vendimtar për Sunderlandin, duke mbajtur portën e paprekur.
Nga ana tjetër, Sunderland nuk u mbyll plotësisht dhe pati momentet e veta. Brian Brobbey dhe Trai Hume testuan seriozisht Gianluigi Donnarummën, i cili reagoi në mënyrë spektakolare në disa raste, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të Man Cityt në këtë ndeshje.
Në pjesën e dytë, Guardiola reagoi me ndryshime, por sërish mungoi finalizimi.
Sunderland rezistoi me disiplinë deri në fund, pavarësisht lodhjes, duke siguruar një barazim të madh përballë një kundërshtari të fortë. Ndeshja u mbyll pas katër minutash shtesë, pa ndryshim rezultati.
Në përfundim, një ndalesë zhgënjyese për Manchester City, që mbetet e dyta me 41 pikë, ndërsa Sunderland është i shtati me 33 pikë. /Telegrafi/
Liverpool dhe Leeds United nuk arritën të gjenin rrugën e golit në një përballje që përfundoi 0-0, në një ndeshje ku skuadra e Arne Slot dukej e zbehtë dhe pa ide.
Ky rezultat shënon fundin e një serie pozitive për Liverpool, i cili vinte pas tri fitoreve radhazi në kampionat, por nuk arriti të krijonte raste të pastra gjatë 90 minutave.
Ndeshja nisi me ritëm të moderuar, me pak aksione në portat respektive. Leeds tregoi organizim dhe përkushtim në mbrojtje, ndërsa Liverpool duket se nuk kishte ide të qarta taktike për të kaluar mbrojtjen kundërshtare.
Nga ana tjetër, Leeds provonte të shfrytëzonte çdo hapësirë, por e vetmja mundësi e shënimit që u anulua ishte goli i Dominic Calvert-Lewin, i cili u konsiderua pozitë jashtë loje.
Ky barazim i lë Liverpoolin në pozitën e katërtë me 33 pikë, plot 12 pikë pas Arsenalit lider, ndërsa Leeds ka 21 pikë në vendin e 17-të. /Telegrafi/
Max Verstappen mund ta ketë humbur titullin e Kampionit të Botës për pilotë këtë sezon për një diferencë minimale, por për të katërtin vit radhazi ai kryeson listën e pilotëve më të paguar në Formula 1.
Gjashtë nga dhjetë skuadrat pjesëmarrëse janë të përfaqësuara në TOP 10-shen e fitimeve për vitin 2025, bazuar në paga dhe bonuse.
Të dhënat janë raportuar nga Forbes, ndërsa të ardhurat nga sponsorët nuk janë përfshirë.
Ja renditja e plotë, duke nisur nga i vetmi “rookie” në listë.
I vetmi debutues në listë, Kimi Antonelli mori një detyrë të vështirë nga Toto Wolff, duke zëvendësuar Lewis Hamilton te Mercedes.
Italiani pati një sezon solid, me podiumin e parë (P3 në Kanada), shumë rezultate në TOP 10 dhe një vend të dytë në Brazil. Në moshën 19-vjeçare, ai u bë debutuesi me më së shumti pikë në histori dhe e mbylli kampionatin në vendin e 7-të.
Pas largimit nga Ferrari, Sainz iu bashkua Williamsit me dëshirën për të dëshmuar veten.
Fillimi ishte i vështirë, me aksident në Australi dhe shumë probleme teknike, por spanjolli shkëlqeu në gjysmën e dytë të sezonit, duke siguruar dy podiume (Azerbajxhan dhe Katar) dhe vendin e 9-të në renditje.
Një sezon zhgënjyes për kanadezin, i cili përfundoi vetëm i 16-ti në kampionat.
Vetëm gjashtë herë në TOP 10, me rezultatin më të mirë vendin e 6-të në Australi. Pavarësisht formës, ai do të vazhdojë me Aston Martin pas rinovimit të kontratës.
Në sezonin e tij të parë si piloti kryesor te Mercedes, Russell ishte konstant dhe efikas.
Ai fitoi në Kanada dhe Singapor, siguroi 9 podiume dhe e mbylli kampionatin në vendin e 4-t, pavarësisht mungesës së ritmit krahasuar me Red Bull dhe McLaren.
Alonso kërkon ta mbyllë karrierën me dinjitet, por makina nuk e ndihmoi.
Fillimi i sezonit ishte i dobët, por spanjolli u përmirësua në gjysmën e dytë dhe e mbylli kampionatin në vendin e 12-të. E ardhmja e tij pas 2026 mbetet e pasigurt.
Norris shpërtheu në pjesën e dytë të sezonit, me fitore në Hungari, Meksikë dhe Brazil, duke u bërë kampioni i parë i McLarenit që nga Hamilton në 2008.
Edhe pse nuk fitoi titullin, Verstappen mbetet piloti më i paguar në Formula 1.
Me tetë fitore dhe një rikthim spektakolar në fund të sezonit, holandezi e mbylli kampionatin vetëm dy pikë larg titullit, duke treguar pse është katër herë kampion bote radhazi.
Legjenda e Real Madridit, Raul, ka befasuar opinionin futbolldashës duke lënë mënjanë përkatësinë klubore dhe duke e shpallur Lionel Messin më të madh se ikonat e “Los Blancos”, si Cristiano Ronaldo dhe Zinedine Zidane.
Ndryshe nga shumica e figurave të lidhura fort me “Santiago Bernabeu”, të cilët zakonisht zgjedhin CR7 në debatin e përhershëm për lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave, Raul e pranon hapur se magjia e argjentinasit ka epërsi ndaj fuqisë së portugezit, shkruan Goal.com.
Debati i përjetshëm vazhdon
Messi ka qenë për vite me radhë “makthi” i Real Madridit, ndërsa përplasjet e tij epike me Cristiano Ronaldon shënuan një epokë të tërë të futbollit botëror.
Gjatë dy dekadave, dy superyjet fituan së bashku 13 Topa të Artë, duke e çuar nivelin e shkëlqimit individual në kufij të paparë më parë.
Edhe në fillim të vitit 2026, të dy vazhdojnë të jenë aktivë. Messi ka kontratë me fituesit e MLS Cup, Inter Miami, deri në vitin 2028, ndërsa Ronaldo është i lidhur me Al-Nassr me një kontratë dyvjeçare që do ta mbajë në fushë edhe pas ditëlindjes së tij të 42-të.
Pse Messi është mbi të gjithë
Raul, i cili shënoi 323 gola në 714 paraqitje për Real Madridin, ka luajtur me disa nga futbollistët më të mëdhenj në histori, por sërish Messin e vendos në majë.
“Kam pasur fatin të luaj me lojtarë si Zidane, Cristiano, Ronaldo, Figo… por mendoj se Messi është më i miri. Ai është shumë ndryshe. I bën gjërat të duken të lehta; ato që për të tjerët duken të pamundura, ai i bën sikur po luan në rrugë me miqtë”, u shpreh Raul.
Ylli i ri që po vjen
Edhe pse Messin e konsideron më të madhin e të gjitha kohërave, Raul pranon se një tjetër produkt i akademisë legjendare La Masia mund të dominojë futbollin në të ardhmen e afërt. Ai veçon Lamine Yamal, talentin adoleshent që po thyen rekorde që nga debutimi në moshën 15-vjeçare.
Tashmë 18-vjeçar, Yamal ka fituar titullin e La Ligës dhe Kampionatin Evropian, ndërsa vitin 2025 e mbylli si i dyti në renditjen për Topin e Artë. Megjithatë, Raul paralajmëron se mbi të nuk duhet ushtruar presion i tepruar.
“Të gjithë e dimë se do të jetë një lojtar i rëndësishëm, por Lamine nuk duhet të jetë shtylla e Kombëtares së Spanjës. Ka lojtarë më me përvojë që duhet ta ndihmojnë, në mënyrë që ai të jetë protagonist pa u ndjerë i detyruar të na shpëtojë çdo ndeshje”, theksoi Raul.
A do ta arrijë Yamal madhështinë?
Për shkak të stilit të lojës dhe faktit se është majtak që kalon lehtë kundërshtarët, Yamal krahasohet vazhdimisht me Messin. Edhe pse ai përpiqet të ndërtojë rrugën e tij, është e vështirë të shmangë hijen e futbollistit më të trofeshëm në histori.
Shumë parashikojnë se Yamal mund të ndjekë hapat e Messit dhe të bëhet fitues i shumëfishtë i Topit të Artë, por për momentin, Lionel Messi mbetet i pakonkurrencë në krye, si më i madhi i të gjitha kohërave. /Telegrafi/
Enzo Maresca nuk është më trajner i Chelseat. Bordi i klubit londinez është ndarë nga trajneri italian, më pak se dy vjet pasi ai kishte nënshkruar një kontratë pesëvjeçare.
Vendimi ka ardhur pas një serie prej tri ndeshjesh pa fitore, si dhe për shkak të një marrëdhënieje të tensionuar mes Marescës dhe menaxhmentit të klubit, raportojnë mediat britanike.
Sipas burimeve angleze dhe ndërkombëtare, favoriti kryesor për ta pasuar Marescën është Liam Rosenior, trajneri 41-vjeçar anglez që aktualisht drejton Strasburgun. Dy klubet kanë të njëjtët pronarë, çka e bën një lëvizje të mundshme më të lehtë për t’u realizuar.
I pari në Ligën e Konferencës
Rosenior mori drejtimin e Strasburgut në fillim të sezonit të kaluar dhe e udhëhoqi ekipin drejt vendit të shtatë në Ligue 1 – pozitë që klubi e mban edhe pas 16 xhirove të sezonit aktual.
Në Ligën e Konferencës, Strasburgu shkëlqeu duke e përfunduar fazën e ligës në vendin e parë, me 16 pikë nga maksimumi i mundshëm prej 18.
Karrierën si trajner, Rosenior e nisi në vitin 2022 si trajner i përkohshëm i Derby County, ku drejtoi ekipin për 12 ndeshje. Më pas, nga nëntori 2022 deri në maj 2024, ai ishte në krye të Hull City.
Si futbollist, Rosenior ka mbi 15 vjet përvojë në Ligën Premier dhe Championship, duke luajtur për Fulham, Reading, Ipswich, Hull City dhe Brighton. /Telegrafi/
Robert Lewandowski dhe Andreas Christensen do të jenë të lirë të zhvillojnë bisedime me klube të tjera duke filluar nga e enjtja, 1 janar 2026.
Dyshja janë aktualisht lojtarët e vetëm te Barcelona kontratat e të cilëve skadojnë në verën e vitit 2026.
Sipas rregullave të FIFA-s dhe UEFA-s, çdo futbollist që hyn në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tij ka të drejtë të negociojë lirshëm me klube të tjera, pa pasur nevojë për miratimin e klubit aktual.
Në rastin e Robert Lewandowskit, raportohet se Barcelona ende nuk ka hapur bisedime konkrete për rinovimin e kontratës. Sulmuesi polak mbetet një nga figurat kryesore të skuadrës katalanase, por e ardhmja e tij afatgjatë në “Camp Nou” është ende e paqartë.
Situata e Andreas Christensen paraqitet disi ndryshe. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se drejtuesit e Barcelonës e kanë inkurajuar mbrojtësin danez me një ofertë për kontratë të re, edhe pse ai ka pësuar së fundmi një dëmtim serioz.
Ky veprim shihet si shenjë besimi ndaj lojtarit dhe vlerësimit të rolit të tij në projektin e klubit.
Megjithatë, duke qenë të lirë të bisedojnë me klube të tjera nga janari, si Lewandowski ashtu edhe Christensen mund të shqyrtojnë alternativa të reja për të ardhmen e tyre. /Telegrafi/
Trajneri gjerman i futbollit, Alexander Nouri (46), do të largohet nga futbolli dhe nga janari i vitit 2026 do të nisë një kapitull të ri profesional jashtë sportit.
Sipas mediave gjermane, Nouri do të fillojë punë në rrjetin e restoranteve McDonald’s, ku do të marrë rolin e menaxherit në dy njësi, duke mbyllur kështu përfundimisht karrierën e tij në futboll.
Nga lojtari te trajneri
Alexander Nouri ishte fillimisht futbollist, duke luajtur si mesfushor sulmues për ekipin e dytë të Werder Bremenit, si dhe për klubet Seattle, Uerdingen, Osnabrück, Kiel dhe Oldenburg. Karrierën e trajnerit e nisi në vitin 2013, kur mori drejtimin e Oldenburgut.
Gjatë viteve në vijim, ai ka drejtuar si trajner ekipet e para dhe të dyta të Werder Bremenit, si dhe Ingolstadtin, Herthan dhe Kavalan në greqi.
Po ashtu, Nouri ka punuar si ndihmës trajner te Hertha dhe në stafin teknik të Kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vitet e fundit pa angazhim
Nouri ka qenë pa punë që nga viti 2022. Ai e drejtoi Werder Bremenin si trajner i parë nga shtatori 2016 deri në tetor 2017, periudhë në të cilën regjistroi 15 fitore, 11 barazime dhe 17 humbje.
Te Hertha, ai udhëhoqi ekipin në katër ndeshje si trajner i përkohshëm, duke regjistruar një fitore, dy barazime dhe një humbje.
Angazhimi i tij i fundit ishte në Greqi, te Kavala, ku nga dhjetori 2021 deri në mars 2022 arriti tre fitore, shtatë barazime dhe pesë humbje. Kjo mbetet edhe eksperienca e tij e fundit si trajner futbolli. /Telegrafi/
Enzo Maresca po e mbyll vitin 2025 në krye të Chelseat, por pozicioni i tij është vënë seriozisht në pikëpyetje dhe mund të jetë në rrezik nëse rezultatet nuk përmirësohen shpejt, raporton Sky Sports.
Blutë kanë arritur vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit në Ligën Premier, duke e lënë të ardhmen e trajnerit italian të varur në fije.
Paraqitjet e fundit nuk kanë bërë shumë për të ulur presionin mbi Marescan. Pas fitores bindëse 3-0 ndaj Barcelonës në nëntor, Chelsea ka regjistruar rezultate zhgënjyese kundër Leeds United, Atalantas dhe Aston Villas, si dhe një barazim 2-2 ndaj Bournemouth gjatë periudhës festive.
Vetë trajneri italian ka shprehur hapur pakënaqësitë e tij, duke i përshkruar ditët para fitores ndaj Evertonit më 13 dhjetor si “48 orët më të këqija” të aventurës së tij në "Stamford Bridge".
Këto deklarata nxorën në pah tensionet me drejtuesit e klubit dhe ngritën pikëpyetje serioze për të ardhmen e tij afatgjatë te Chelsea.
Pas barazimit me Bournemouth, lojtarëve të Chelseat u janë dhënë dy ditë pushim dhe ata do të rikthehen në stërvitje të premten, në përgatitje për ndeshjen e vështirë të së dielës në transfertë ndaj Manchester Cityt.
Blutë udhëtojnë drejt “Etihad”-it me 10 pikë më pak se skuadra e Pep Guardiolës, pasi deri tani këtë sezon kanë humbur plot 20 pikë nga pozicione fituese. /Telegrafi/
Manchester United dhe Wolves u ndanë baras 1-1 në një përballje të fortë, ku vendimtar u bë edhe ndërhyrja e VAR-it në minutat shtesë.
Djajtë e Kuq kaluan në epërsi në minutën e 27-të, kur Joshua Zirkzee shënoi nga jashtë zonës, me goditjen e tij që u devijua dhe përfundoi në rrjetë, duke mposhtur portierin Jose Sa.
“Djajtë e Kuq” patën edhe raste të tjera, përfshirë një goditje me kokë të Benjamin Sesko që u ndal nga shtylla.
Wolves reagoi dhe u shpërblye në fund të pjesës së parë. Pas një goditjeje nga këndi, Ladislav Krejci u gjend i lirë në zonë dhe me kokë shënoi për 1-1 në minutën e 45-të.
Pjesa e dytë u karakterizua nga luftë e fortë në mesfushë dhe raste të shpërndara.
Wolves rrezikoi disa herë, ndërsa Manchester United kërkoi golin e fitores me zëvendësime ofensive.
Momenti më dramatik erdhi në minutën 90+1, kur Patrick Dorgu shënoi për Man United, por pas rishikimit në VAR goli u anulua për pozicion jashtë loje.
United are held at home. — Manchester United (@ManUtd) December 30, 2025
Ndeshja u mbyll me rezultatin 1-1, një barazim që lë shije të hidhur për Manchester United pas golit të anuluar në fund, ndërsa Wolves merr një pikë të vlefshme nga “Old Trafford”. /Telegrafi/
Ndeshja e javës së 19-të të Ligës Premier mes Bournemouth dhe Chelsea përfundoi në një barazim dramatik 2-2, me të dyja skuadrat që treguan karakter dhe intensitet të lartë.
Ndeshja filloi me një surprizë të shpejtë, kur David Brooks (Bournemouth) shënoi në minutën e 6-të, por goli u shqyrtua nga VAR për një mundësinë e mundshme për dorë, por u konfirmua si i rregullt.
Chelsea reagoi shpejt dhe në minutën e 15-të barazoi me një penallti të shndërruar në gol nga Cole Palmer për 1-1.
Chelsea mori epërsinë 2-1 në minutën e 23-të me një gol të bukur nga Enzo Fernandez, i cili shfrytëzoi një pasim të saktë nga Alejandro Garnacho.
Megjithatë, Bournemouth nuk u dorëzua dhe Justin Kluivert barazoi rezultatin në minutën e 27-të, duke shënuar për 2-2 dhe duke i dhënë një ritëm të ndeshjes të fortë për pjesën e mbetur të pjesës së parë.
Chelsea filloi pjesën e dytë me një dominim të qartë, duke sulmuar vazhdimisht për të gjetur golin e avantazhit.
Bournemouth reagoi përsëri dhe arriti të mbante rezultatin falë një paraqitjeje të fortë nga portieri Djordje Petrovic dhe mbrojtja, duke ruajtur barazimin 2-2 deri në fund.
Ndeshja përfundoi me ndjenja të përziera për të dyja skuadrat, me Chelsea që dominonte lojën, por nuk arriti të sigurojë fitoren. /Telegrafi/
39 vjet më parë, më 30 dhjetor 1986, çmimi prestigjioz "Topi i Artë" iu dha futbollistit Igor Belanov.
Ai konsiderohet si një nga lojtarët më të shquar në futbollin sovjetik dhe ukrainas, dhe pikërisht me këtë çmim ai arriti famë botërore.
Në vitin 1985, ai u bashkua me Dynamo Kiev, ku, nën drejtimin e trajnerit Valeri Lobanovski, ai u bë një figurë kyçe në ekipin që fitoi Kupën e Fituesve të Kupave në vitin 1986 kundër Atletico Madrid.
Në Kupën e Botës në Meksikë të njëjtin vit, ai shënoi një tregolësh kundër Belgjikës në raundin e 16-tave, megjithëse BRSS u eliminua pas kohës shtesë.
Për shkak të burokracisë sovjetike, ai nuk luajti në Itali pavarësisht interesit të klubeve, dhe në vitin 1989 u transferua te klubet gjermane Borussia Mönchengladbach dhe Eintracht Braunschweig.
Belanov e gjeti veten përsëri në qendër të vëmendjes së publikut në fillim të vitit 2022, kur mori armët dhe iu bashkua mbrojtjes ukrainase kundër pushtimit rus. /Telegrafi/
Ndërkohë që futbollistët në Kupën e Kombeve të Afrikës po përpiqeshin të tërhiqnin vëmendjen me lëvizjet e tyre, ylli i vërtetë i turneut ishte fotoreporterja senegaleze Amina Fall.
Fotot e saj nga fusha përmbytën shpejt mediat sociale dhe numri i ndjekësve të saj u rrit ndjeshëm brenda natës.
Mediat shkruajnë se gazetarja e re ka lënë në hije yje të shumtë të futbollit me pamjen dhe qasjen e saj profesionale.
Me sa duket, ajo nuk e priste një vëmendje të tillë, por pamjet dhe postimet e saj nga ndeshjet u bënë virale në kohë rekord.
Ndërsa disa debatojnë se sa interesante janë fotot e saj në sport, shumica e përdoruesve të mediave sociale bien dakord për një gjë - ajo fitoi audiencën me buzëqeshjen dhe energjinë e saj të sinqertë.
Aktualisht ajo ka 111 mijë ndjekës në Instagram. Senegali i saj mundi Botsvanën 3-0 në raundin e parë të turneut dhe më pas luajti 1-1 kundër RD të Kongos. /Telegrafi/
Ndeshja mes Al Ettifaq dhe Al Nassr përfundoi në barazim 2-2, duke shënuar herën e parë që ekipi i Riadit nuk fitoi këtë sezon në Ligën Profesionale Saudite.
Joao Felix dhe Cristiano Ronaldo shënuan dy golat e Al Nassr, duke intensifikuar garën për Këpucën e Artë, por Gio Wijnaldum dhe skuadra e Al Ettifaq barazuan rezultatin me dy gola, duke shpëtuar ndeshjen për vendasit.
Ronaldo e shënoi golin në minutën e 67-të, kur një gjuajtje nga Felix u devijua me shpinë nga Ronaldo brenda zonës, e që ishte goli i dytë dhe i epërsisë për Al Nassr.
CON LA ESPALDA
Cristiano Ronaldo llega a su gol 957 en su carrera profesional.
Ronaldo vazhdon t’i afrohet edhe më shumë synimit për ta arritur shifrën e 1000 golave në karrierë. Ylli portugez i futbollit të martën shënoi golin e e 957.
Ndeshja u karakterizua nga dominimi i Al Nassr në pjesën e dytë, por mungesa e përfundimit dhe kundërsulmet e shpejta të Al Ettifaq lanë rezultatin 2-2 deri në fund. /Telegrafi/