Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 January 2026Main stream

SHBA – Trump paralajmëron lideren e re të Venezuelës, Rodriguez, përpara betimit

5 January 2026 at 10:41

UASHINGTON, 5 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump i ka lëshuar një paralajmërim të ashpër udhëheqëses së re të Venezuelës, Delcy Rodríguez, përpara betimit të saj në detyrë, duke thënë se ajo mund të “paguajë një çmim shumë të madh, ndoshta më të madh se Maduro”, nëse “nuk bën atë që është e drejtë”, sipas BBC.

Në një intervistë për “The Atlantic”, Trump shtoi se për Venezuelën “ndryshimi i regjimit, sido që ta quani, është më i mirë se ai që keni tani”.

Nga ana e saj, në mbledhjen e parë të kabinetit, Rodríguez, e cila pritet të betohet sot, iu drejtua drejtpërdrejt Trumpit me një apel.

“Popujt tanë dhe rajoni ynë meritojnë paqe dhe dialog, jo luftë”, tha ajo.

Ndërkohë, ish-presidenti Nicolas Maduro pritet të dalë para një gjykate në Nju Jork, pasi u kap së bashku me bashkëshorten e tij gjatë sulmeve ajrore amerikane në Venezuelë të shtunën.

Ai përballet me akuza që lidhen me trafik droge, të cilat i mohon.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi gjatë fundjavës se Shtetet e Bashkuara janë në luftë “kundër organizatave të trafikut të drogës”, dhe jo kundër vetë Venezuelës. /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump paralajmëron lideren e re të Venezuelës, Rodriguez, përpara betimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Një avion i ”Air France” bën ulje të detyruar në Mynih

5 January 2026 at 09:49

MYNIH, 5 janar /ATSH-DPA/ – Një avion i “Air France”, që po fluturonte drejt Parisit, u detyrua të bëjë një ulje të paplanifikuar në Mynih dje në mbrëmje, pasi në bord u ndje një erë djegieje, bëri të ditur sot një zëdhënës i aeroportit.

”Askush nuk u lëndua”, tha zëdhënësi, duke shtuar se ”avioni arriti të lëvizë vetë drejt vendit të parkimit”.

Pasagjerët u dërguan në hotele .

Numri i saktë i tyre nuk ishte menjëherë i qartë, por zëdhënësi theksoi se në bord ndodheshin me siguri më shumë se 200 persona, duke pasur parasysh tipin e avionit.

Fluturimi ishte nisur nga Bejruti dhe ishte planifikuar fillimisht të ulej në aeroportin “Charles de Gaulle” në Paris.

Shkaku i erës së djegies nuk ishte menjëherë i qartë.

“Avioni ndodhet ende këtu”, tha zëdhënësi sot në mëngjes, duke shtuar se linja ajrore do të merret tani me rastin./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJERMANI – Një avion i ”Air France” bën ulje të detyruar në Mynih appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump ripohon dëshirën e tij për një Groenlandë amerikane, pas kundërshtimit të Danimarkës

5 January 2026 at 09:40

UASHINGTON, 5 janar /ATSH-AFP/ – Donald Trump riafirmoi dje në mbrëmje dëshirën e tij për të parë Groenlandën të vihet nën kontrollin amerikan, pasi kryeministri danez i kërkoi Shteteve të Bashkuara të “ndërpresin kërcënimet” e tyre për të aneksuar territorin.

Ndërhyrja ushtarake amerikane në Venezuelë, e cila nxori në pah interesin e Donald Trump për burimet e saj të mëdha të naftës në vend, ka ringjallur frikën për Groenlandën, e cila lakmohet nga presidenti amerikan për burimet e saj të rëndësishme minerale dhe vendndodhjen strategjike.

“Ne kemi nevojë për Groenlandën nga një këndvështrim i sigurisë kombëtare, dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje të kujdeset për të,” përsëriti presidenti amerikan për gazetarët në bordin e “Air Force One”, dje në mbrëmje.

“Do të kujdesemi për Groenlandën pas rreth dy muajsh… le të flasim për Groenlandën pas 20 ditësh”, shtoi ai.

Më parë, Donald Trump e kishte nxitur kryeministren daneze Mette Frederiksen të thyente heshtjen e saj.

Kur u pyet në një intervistë telefonike nga “The Atlantic” në lidhje me implikimet e operacionit ushtarak në Venezuelë për Groenlandën, Trump tha se u takon partnerëve të tij t’i vlerësojnë ata, sipas revistës.
“Ata do të duhet të vendosin vetë. Vërtet nuk e di”, tha Trump, duke shtuar se “ne absolutisht kemi nevojë për Groenlandën. Ne kemi nevojë për mbrojtjen tonë”./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump ripohon dëshirën e tij për një Groenlandë amerikane, pas kundërshtimit të Danimarkës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 4 January 2026Main stream

SHBA – Pas kapjes, Maduro po mbahet në burgun famëkeq të Bruklinit

4 January 2026 at 22:21

NJU JORK, 4 janar /ATSH/ – Burgu i Bruklinit, që mban presidentin venezuelian, Nicolás Maduro është një strukturë kaq problematike, saqë disa gjyqtarë kanë refuzuar të dërgojnë njerëz atje, edhe pse aty janë mbajtur të burgosur të famshëm si yjet e muzikës R. Kelly dhe Sean “Diddy” Combs, sipas, AP.

E hapur në fillim të viteve 1990, Qendra Metropolitane e Paraburgimit, ose MDC Brooklyn, aktualisht strehon rreth 1 300 të burgosur.
Është vendi rutinë për njerëzit që presin gjyqin në gjykatat federale në Manhattan dhe Bruklin, ku mbahen të dyshuar gangsterë dhe trafikantë droge së bashku me disa njerëz të akuzuar për krime të jakës së bardhë.

Një turmë emigrantësh venezuelianë, shumë të mbështjellë me flamuj, u mblodhën në trotuaret jashtë burgut të shtunën në mbrëmje për të festuar kapjen e Maduros.

Turma brohoriti ndërsa autokolona e zbatimit të ligjit që besohet se mbante udhëheqësin e rrëzuar dhe gruan e tij mbërriti në burg.

Maduro nuk është presidenti i parë i një vendi që është mbyllur atje.
Juan Orlando Hernandez, ish-presidenti i Hondurasit, u burgos në MDC Brooklyn ndërsa ishte në gjyq për trafikimin e qindra ton kokainë në SHBA.

I dënuar me 45 vjet burg, Hernández u fal dhe u lirua nga presidenti Donald Trump në dhjetor./ /Ad.Ab./

The post SHBA – Pas kapjes, Maduro po mbahet në burgun famëkeq të Bruklinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fletoret e Camus, një dritare në mendimin e tij

4 January 2026 at 22:17

NJU JORK, 4 janar /ATSH/ – Botimi The Complete Notebooks” sjell për herë të parë të mbledhura në një vëllim të vetëm të gjitha shënimet e Albert Camus, nga viti 1935 deri më 1959, duke ofruar një pasqyrë të rrallë mbi mendimin e brendshëm të shkrimtarit dhe filozofit francez, sipas “New York Times”.

Në artikull kritiku Dwight Gamer e përshkruan librin si një dokument thelbësor për të kuptuar jo jetën private të Camus, por procesin e tij intelektual dhe krijues.

Ndryshe nga ditarët klasikë, fletoret e Camus përmbajnë shumë pak elemente autobiografike.

Ato shmangin rrëfimin personal dhe fokusohen kryesisht në ide filozofike, shënime letrare dhe reflektime morale. Camus shfaqet si një njeri thellësisht privat, që e konsideronte rrëfimin intim dhe thashethemin si diçka të neveritshme.

Në këto shënime gjenden embrionet e veprave të tij më të njohura, si “I huaji”, “Mortaja” dhe “Rënia”.

Ato dëshmojnë për përpjekjen e vazhdueshme të Camus për të kuptuar absurditetin e ekzistencës, izolimin njerëzor, fajin dhe përgjegjësinë morale.

Sipas artikullit, romane të tilla mbeten forma më e plotë dhe më e qartë e mendimit të tij, krahasuar me fragmentet shpesh të thata të fletoreve.

Artikulli kujton edhe debatet e hershme kritike rreth këtyre shënimeve, nga vlerësimi entuziast i A.J. Liebling deri te kritika e ashpër e Susan Sontag, e cila vinte në dyshim peshën filozofike të Camus.

Vetë Garner pranon se, pas leximit të plotë, anon më shumë nga qëndrimi skeptik i Sontag-ut, duke i konsideruar fletoret interesante, por jo gjithmonë madhore.

Fletoret përfshijnë gjithashtu reflektime mbi politikën, kritikët letrarë dhe shoqërinë franceze, shpesh me ironi dhe sarkazëm. Krahas tyre, shfaqet edhe ana sensuale e Camus: dashuria për diellin mesdhetar, notin, udhëtimet e thjeshta dhe kafenetë modeste, larg luksit dhe pompozitetit.

Në përfundim, The Complete Notebooks” paraqitet si një vepër që kërkon durim dhe vëmendje nga lexuesi.

E  si sot më 1960 filozofi i shquar francez   humbi jetën në moshën 46-vjeçare në një aksident automobilistik pranë Villeblevin, në Francë. /Ad.Ab./

 

The post Fletoret e Camus, një dritare në mendimin e tij appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Aeroplanë britanikë dhe francezë godasin një objekt të dyshuar të IS në Siri

4 January 2026 at 18:01

DAMASK, 4 janar /ATSH/ – Aeroplanë britanikë dhe francezë kryen një sulm ajror në Siri, duke goditur një objekt nën tokë ku dyshohet se militantët e Shtetit Islamik (IS) ruanin armë dhe eksplozivë, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe, sipas NBC.

Sipas deklaratës së Ministrisë së mbrojtjes, sulmet ndodhën në një strukturë në male, pak mbi qytetin historik të Palmiras në provincën Homs.

Britania dhe Franca janë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja që lufton militantët e IS për më shumë se një dekadë.

Ministria tha se forcat britanike përdorën avionët luftarakë “Typhoon FGR4” dhe bashkëpunuan me avionët francezë në këtë sulm të përbashkët.

Avionët britanikë përdorën bomba të drejtuara “Paveway IV” për të goditur disa tunele që çonin tek objekti.

Njoftimet e  para tregojnë se “objekti u godit me sukses”.

“Ky veprim tregon udhëheqjen dhe vendosmërinë e Britanisë për të qëndruar krah për krah me aleatët tanë dhe për të zhdukur çdo ringjallje të IS dhe ideologjitë e tij të dhunshme në Lindjen e Mesme,” tha sekretari i Mbrojtjes, John Healey. /Ad.Ab./

The post FOKUS – Aeroplanë britanikë dhe francezë godasin një objekt të dyshuar të IS në Siri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Starmer: 2026 mund të jetë viti i hapave të rëndësishëm drejt paqes në Ukrainë

4 January 2026 at 18:00

LONDËR, 4 janar /ATSH – DPA/ Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se viti 2026 mund të shënojë “përparim të rëndësishëm” drejt arritjes së  paqes në Ukrainë.

Ai tha se tani ka më shumë zhvillime konkrete se kurrë më parë lidhur me gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ofruar garanci sigurie për vendin e shkatërruar nga lufta.

Në një intervistë për emisionin  “Sunday With Laura Kuenssberg”, Starmer paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin mund ta ndalë përkohësisht pushtimin, por “do të kthehet sërish” nëse nuk vendosen garanci të forta sigurie në rast të një marrëveshjeje paqeje.

Deklaratat vijnë përpara një takimi të planifikuar të “Koalicionit të të Gatshmëve” në Paris të martën, ku do të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Ky i fundit ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite do të ketë edhe bisedime me përfaqësues amerikanë.

Starmer tha se ka pasur “përparim serioz” si në planin amerikan, ashtu edhe në punën e “Koalicionit të të Gatshmëve”, duke shtuar se një nga çështjet kryesore të diskutimit do të jetë integrimi i propozimeve amerikane me planet e koalicionit.

Ai theksoi se tashmë ekzistojnë plane ushtarake dhe se fokusi është te mënyra se si këto iniciativa mund të bashkërendohen për të ofruar garanci sigurie më të forta se më parë.

Pa qenë tepër optimist, kryeministri britanik u shpreh se viti 2026 mund të jetë vendimtar për hapa konkretë drejt paqes në Ukrainë, duke nënvizuar se kjo do të kishte një ndikim të madh edhe për Britaninë e Madhe.

Starmer theksoi gjithashtu se nuk do të zgjidhte kurrë mes SHBA-së dhe Evropës, por pranoi se Evropa është bërë “tepër e varur” nga Amerika. Ai nënvizoi nevojën që vendet evropiane të rrisin bashkëpunimin në mbrojtje, siguri dhe inteligjencë.

Përsa i përket territoreve lindore, ai tha se e ardhmja e Donetskut dhe Luhanskut mbetet një pikë e vështirë, duke theksuar se vendimet për territorin duhet t’i takojnë vetëm Ukrainës. /Ad.Ab./

 

The post BM – Starmer: 2026 mund të jetë viti i hapave të rëndësishëm drejt paqes në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Ministri Jones : Tranzicioni paqësor sa më shpejtë në Venezuelë

4 January 2026 at 17:31

LONDËR, 4 janar /ATSH-DPA/ – Një tranzicion “paqësor” i pushtetit në Venezuelë duhet të arrihet shpejt, ka deklaruar një ministër i kabinetit britanik, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do ta “drejtojnë” vendin derisa të formohet një qeveri e re.

Darren Jones, sekretari kryesor i kryeministrit britanik, Keir Starmer, tha se Britania e Madhe nuk ishte e përfshirë në operacionin amerikan dhe as nuk ishte informuar paraprakisht për sulmet ndaj Karakasit.

Ai refuzoi të komentojë mbi ligjshmërinë e veprimit, duke theksuar se vlerësimi i tillë i takon gjykatave ndërkombëtare.

Jones nënvizoi se prioriteti kryesor pas zhvillimeve të 48 orëve të fundit duhet të jetë arritja e një tranzicioni paqësor drejt një udhëheqjeje që gëzon mbështetjen e popullit venezuelian, duke shtuar se nuk i takon një vendi të tretë të vendosë për të ardhmen politike të Venezuelës.

Presidenti Trump deklaroi se udhëheqësi venezuelian Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij janë nxjerrë nga vendi dhe janë paditur për akuza “narko-terrorizmi”. Sipas tij, SHBA-ja do të “drejtojë” Venezuelën përkohësisht, derisa të realizohet një transferim pushteti i sigurt dhe i rregullt.

Trump tha gjithashtu se administrata amerikane synon të ndërhyjë në sektorin e naftës së Venezuelës, duke “rregulluar” infrastrukturën dhe duke shitur sasi të mëdha nafte në tregjet ndërkombëtare.

Veprimi është përshkruar si ndërhyrja më e ashpër amerikane për ndryshim regjimi që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003.

Kryeministri britanik  Starmer ka shmangur kritikat e drejtpërdrejta ndaj Uashingtonit, duke theksuar rëndësinë jetike të marrëdhënieve të sigurisë dhe inteligjencës me SHBA-në.

Ai pranoi se ekzistojnë dallime pikëpamjesh me presidentin Trump, por theksoi se ruajtja e partneritetit me Uashingtonin është në interesin kombëtar të Britanisë së Madhe. /Ad.Ab./

The post BM – Ministri Jones : Tranzicioni paqësor sa më shpejtë në Venezuelë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SERBI – Vuçiç: Armatosja e Prishtinës kërcënon sovranitetin e Serbisë

4 January 2026 at 16:51

BEOGRAD, 4 janar /ATSH-TANJUG/ – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se vendi po përballet me një botë ku e drejta publike ndërkombëtare dhe Karta e Kombeve të Bashkuara nuk funksionojnë më.

Ai shprehu shqetësimin për armatosjen e Prishtinës teksa theksoi se kjo shkel Rezolutën 1244 të OKB-së.

Vuçiç tha se një aleancë e sapoformuar midis Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sovranitetin e Serbisë.

“Ne po përgatitemi për mbrojtje kundër atyre që nuk i fshehin më kërcënimet e tyre”, deklaroi Vuçiç.

Ai njoftoi plane për të forcuar njësitë speciale dhe për të dyfishuar kapacitetin ushtarak të Serbisë brenda 18 muajve.

Sipas tij Serbia duhet të mbështetet te vetja, pasi asnjë fuqi e jashtme nuk do të ndërhynte për të ndihmuar nëse aktorët rajonalë do të lëviznin kundër vendit.

Ai foli gjithashtu për ndryshimet e regjistruara globale nën drejtimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Vuçiç vuri në dukje se Trump ka krijuar një agjenci të specializuar brenda Shtëpisë së Bardhë të dedikuar për të siguruar dominimin global të energjisë të SHBA-së.

Duke reflektuar mbi ngjarjet e fundit në Venezuelë dhe përmbysjen e Bashar al-Assad në Siri, Vuçiç tha se interesat globale diktohen nga nafta dhe jo nga jetët njerëzore.

Sipas tij nuk ka rrezik të menjëhershëm agresioni dhe se Serbia duhet të ruajë paqen në një botë ku “asnjë rregull nuk zbatohet më”. /Ad.Ab./

The post SERBI – Vuçiç: Armatosja e Prishtinës kërcënon sovranitetin e Serbisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VENEZUELË – Gjykata e Lartë: Rodrigues, presidente në detyrë

4 January 2026 at 16:34

ROMË, 4 janar /ATSH-ANSA/ – Gjykata e  Lartë e  Venezuelës  ka shpallur se zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez do të marrë përsipër detyrat dhe fuqitë e Presidentit në mënyrë të përkohshme.

Vendimi vjen pas situatës së tensionuar politike dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare që kanë ndodhur gjatë javëve të fundit.

Sipas vendimit të gjykatës, Rodríguez do të udhëheqë vendin derisa të sigurohet një tranzicion i rregullt dhe i qëndrueshëm dhe të kthehet funksionimi normal i institucioneve.

Ajo ka marrë fuqinë e plotë ekzekutive dhe do të përfaqësojë Venezuelën në çdo marrëveshje dhe çështje ndërkombëtare gjatë periudhës në detyrë.

Ky veprim vjen në një moment të ndjeshëm, pasi presidenti Nicolas Maduro u kap nga trupat amerikane dhe u largua nga vendi në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të forcave amerikane.

Gjykata e Venezuelës e ka konsideruar të domosdoshme emërimin e një lidershipi të përkohshëm për të ruajtur stabilitetin.

Ndërkohë, qytetarët dhe organizatat ndërkombëtare po ndjekin me vëmendje situatën, duke shprehur shqetësim për mundësinë e konflikteve të brendshme dhe për ndikimin mbi ekonominë dhe mirëqenien e popullit.

Vendimi i gjykatës ka nxitur reagime të ndryshme ndërkombëtare.

Disa vende e kanë pranuar emërimin e Rodriguez si një hap të nevojshëm për ruajtjen e qeverisjes dhe rendit, ndërsa të tjerë e shohin si një zhvillim të diskutueshëm që mund të komplikojë më tej situatën politike.

Në përfundim, Rodriguez do të kryejë funksionet e presidentit deri në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme politike, ndërsa komuniteti ndërkombëtar dhe qytetarët mbeten të vëmendshëm për çdo zhvillim të ri që mund të ndikojë në të ardhmen e Venezuelës. /Ad.Ab./

The post VENEZUELË – Gjykata e Lartë: Rodrigues, presidente në detyrë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VATIKAN – Papa Leone XIV: Të garantohet sovraniteti i Venezuelës dhe të sigurohet forca e ligjit

4 January 2026 at 16:33

VATIKAN, 4 janar /ATSH-ANSA/ – Papa Leone XIV ka shprehur shqetësimin e thellë për situatën aktuale në Venezuelë, gjatë lutjes së Angelus në Sheshin Shën Pjetri.

Ai theksoi nevojën që populli venezuelan të vendoset në qendër të çdo zgjidhjeje dhe të merren masa për të siguruar paqen dhe drejtësinë.

Papa bëri thirrje që të respektohet sovraniteti i Venezuelës, si dhe sundimi i ligjit, sipas Kushtetutës së vendit.

Ai kërkoi gjithashtu që të ruhen të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Një tjetër theks i rëndësishëm ishte kujdesi për të varfrit dhe ata që vuajnë nga kriza ekonomike, duke sugjeruar se çdo zgjidhje politike duhet të përqendrohet mbi mirëqenien e popullit.

Papa gjithashtu bëri thirrje përpjekje për për pajtimin dhe bashkëpunimin brenda vendit, duke shmangur dhunën dhe konfliktet.
Fjala e Papës vjen pas një operacioni ndërkombëtar në Venezuelë, ku Presidenti Nicolás Maduro u kap nga forcat amerikane dhe u dërgua jashtë vendit për akuza të rënda. Pas kësaj, Zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez u shpall presidente në detyrë nga autoritetet vendase

Në përfundim, Papa Leone XIV bëri apel që çdo vendim politik të marrë parasysh interesin e popullit, të respektojë sovranitetin dhe të drejtat e qytetarëve, dhe të punojë për një të ardhme paqësore dhe të drejtë për Venezuelën. /Ad.Ab./

The post VATIKAN – Papa Leone XIV: Të garantohet sovraniteti i Venezuelës dhe të sigurohet forca e ligjit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Moti i keq shkakton probleme ne Britaninë e Madhe

4 January 2026 at 15:48

LONDËR, 4 janar /ATSH – DPA/ – Paralajmërimet e verdha për dëborë dhe akull mbeten në fuqi për disa pjesë të Britanisë së Madhe ndërsa veriu i Skocisë po përgatitet për ndërprerje të mëtejshme të udhëtimeve për shkak të motit të keq.

Reshje të dendura dëbore pritet të shkaktojnë vonesa në rrugë dhe në transportin publik gjatë ditës së sotme dhe deri të hënën. Edhe pse paralajmërimet më serioze të nivelit portokalli për veriun e Skocisë skaduan të dje në mbrëmje, paralajmërimi i verdhë mbetet në fuqi deri të hënën në mesditë.
Paralajmërime të veçanta për dëborë dhe ngrica janë në fuqi për Uellsin, Greater Manchester dhe Anglinë Jugperëndimore, ndërsa një pjesë e madhe e bregdetit lindor të Anglisë mbulohet nga një paralajmërim i verdhë për akull.
Moti i keq bëri që “ScotRail” të njoftonte disa anulime trenash në veri të Skocisë.

Rrugë në verilindje të Skocisë u mbyllën gjithashtu, duke shkakuar vonesa në lëvizje, të raportuara në autostradën A90 midis Brechin dhe Stonehaven për shkak të grumbullimit të dëborës nga era.

Policia u këshilloi  banorëve banorëve të Orkney të shmangnin udhëtimet për shkak të kushteve të rrezikshme në rrugë.

Zonar përreth Badenoch dhe Strathspey në rajonin Highland u prekën më rëndë, me policinë që këshilloi të shmangej çdo udhëtim përveç atyre me të rëndëshishme

Zyra Meteorologjike britanike (Met Office) paralajmëroi se reshjet e dendura të dëborës mund të izolojnë disa komunitete rurale, si edhe të rrisin rrezikun për ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.

Ajri arktik e ka zhytur një pjesë të madhe të Britanisë së Madhe në temperatura nën zero në ditët e para të janarit, me pothuajse minus 6 gradë Celsius të regjistruara dje në mëngjes në Loch Ness, ndërsa reshjet e dëborës pritet të fillojnë të pakësohen gradualisht gjatë të hënës. /Ad.Ab./

The post METEO – Moti i keq shkakton probleme ne Britaninë e Madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MJEKËSI – Aminoacidi argininë, shpresë e re kundër Alzheimerit

4 January 2026 at 16:00

LONDËR, 4 janar /ATSH/ – Një studim i ri nga Universiteti Kindai në Japoni sugjeron se arginina, një aminoacid i zakonshëm dhe me profil të lartë sigurie, mund të reduktojë ndjeshëm dëmtimet karakteristike të sëmundjes Alzheimer në modele eksperimentale, sipas “Sciencenews”.

Gjetjet, të publikuara në revistën “Neurochemistry International” tregojnë se administrimi oral i argininës ul grumbullimin e proteinës beta-amiloide (Aβ), redukton inflamacionin dhe përmirëson sjelljen në modele me mizat e frutave dhe minjtë.

Alzheimeri është një sëmundje neurodegjenerative progresive dhe një nga shkaqet kryesore të demencës në botë. Megjithëse barnat më të reja me antitrupa kundër Aβ janë futur në përdorim, përfitimet e tyre janë të kufizuara, ndërsa kostot dhe rreziqet e efekteve anësore mbeten të larta. Kjo e bën kërkimin për alternativa më të sigurta dhe më të përballueshme një prioritet urgjent.

Studiuesit zbuluan se arginina vepron si një “shoqërues kimik” i sigurt, duke ngadalësuar formimin e agregateve toksike të Aβ42 në laborator, në varësi të përqendrimit. Më pas, efekti u konfirmua në dy modele të njohura të Alzheimerit: një model me Drosophila (miza e frutave) me mutacionin Arctic dhe një model minjsh AppNL-G-F me tre mutacione familjare të sëmundjes.

Në të dyja rastet, trajtimi me argininë uli ndjeshëm ngarkesën amiloide dhe efektet toksike të saj.

Tek minjtë, u vu re reduktim i pllakave amiloide dhe i niveleve të Aβ42 të patretshme në tru, si edhe përmirësim i performancës në testet e sjelljes.

Po ashtu, u ul shprehja e gjeneve të citokinave pro-inflamatore, duke sugjeruar një efekt mbrojtës më të gjerë ndaj neuroinflamacionit.

“Fakti që arginina është tashmë e njohur si e sigurt dhe e lirë e bën atë një kandidate shumë premtuese për ripozicionim si terapi për Alzheimerin”, tha profesor Yoshitaka Nagai, bashkëautor i studimit.

Sipas tij, përshkueshmëria e mirë në tru dhe përdorimi klinik ekzistues mund të përshpejtojnë kalimin drejt provave klinike tek njerëzit.

Studiuesit theksojnë se doza dhe skema e përdorur në studim janë kërkimore dhe nuk përputhen me suplementet komerciale, ndaj nevojiten studime të mëtejshme për të përcaktuar sigurinë dhe efektivitetin tek pacientët.

Megjithatë, rezultatet ofrojnë një provë të fortë koncepti se një qasje e thjeshtë dhe me kosto të ulët mund të ketë ndikim të madh global në luftën kundër Alzheimerit. /Ad.Ab./

The post MJEKËSI – Aminoacidi argininë, shpresë e re kundër Alzheimerit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHANGAI – Presidenti jugkorean Lee vizitë shtetërore në Kinë

4 January 2026 at 13:42

SHANGAI, 4 janar /ATSH/ – Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka nisur një vizitë shtetërore në Kinë për të promovuar paqen në Gadishullin Korean, vetëm pak orë pasi Koreja e Veriut lëshoi raketa balistike, sipas Reuters.

Kjo është vizita e parë e Lee në Kinë që nga marrja e detyrës në qershor.

Gjatë vizitës, Lee do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping për takimin e tyre të dytë brenda vetëm dy muajve, një interval jashtëzakonisht i shkurtër që tregon interesin e Kinës për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe turizmin, veçanërisht ndërkohë që marrëdhëniet e Kinës me Japoninë janë tensionuar.
Lee ka lavdëruar Xi si një udhëheqës të madh dhe vizionar dhe ka theksuar mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe teknologjik, përfshirë zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe industrive të avancuara.

Administrata e Lee synon të forcojë marrëdhëniet me Pekinin, duke njohur rëndësinë e Kinës si partneri më i madh tregtar i Koresë së Jugut.

Kjo lëvizje vjen pas një periudhe tensioni me Kinën gjatë mandatit të presidentit të mëparshëm, për shkak të afërsisë së Koresë së Jugut me SHBA-nē dhe Japoninë.

Vizita vjen gjithashtu në një kontekst sigurie, pasi Koreja e Veriut ka rritur aktivitetin bërthamor dhe Kinës i kërkohet të ndihmojë në rifillimin e dialogut me Phenianin.

Lee pritet të kërkojë që Kina të lehtësojë negociatat për denuklearizimin dhe stabilitetin rajonal.

Agjenda e vizitës përfshin edhe bashkëpunimin teknologjik dhe zinxhirët e furnizimit, duke përqendruar vëmendjen në industrinë dixhitale, turizmin dhe inovacionet teknologjike të avancuara.

Ky takim synon të vendosë një balancë diplomatike në rajon, duke forcuar marrëdhëniet mes Koresë së Jugut dhe Kinës, pa cenuar aleancën strategjike të Seulit me SHBA-në. /Ad.Ab./

The post SHANGAI – Presidenti jugkorean Lee vizitë shtetërore në Kinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ATHINË – Ndërpriten fluturimet pas një problemi në sistemin teknik në aeroport

4 January 2026 at 12:48

ATHINË, 4 janar /ATSH – ANA/ – Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës u pezulluan sot për shkak të një problemi teknik që ka ndodhur në sistemin e kontrollit të trafikut ajror.

Sipas një njoftimi të Aeroportit Ndërkombëtar të Athinës, “për shkak të një problemi teknik në sistemin e trafikut ajror, të gjitha mbërritjet dhe nisjet drejt dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës janë pezulluar përkohësisht”.

Burime nga Autoriteti i Aviacionit Civil bëjnë të ditur se problemi ka ndodhur pak para orës 10:00 të mëngjesit, duke mbajtur të bllokuara në tokë avionët si në aeroportin “Eleftherios Venizelos”, ashtu edhe në aeroporte të tjera të vendit.

Si pasojë, mbërritjet dhe nisjet ajrore janë bërë të pamundura.
Ministria e Transportit theksoi se disa frekuenca që shërbejnë për  nevojat e sistemit të trafikut ajror të Athinës po përballen me probleme teknike, të cilat po hetohen në bashkëpunim me autoritetet kompetente të jashtme.

“Për të garantuar sigurinë e fluturimeve, aktualisht po shërbehet vetëm një pjesë e fluturimeve që kalojnë mbi hapësirën ajrore, ndërsa janë vendosur kufizime në aeroportet greke”, thuhet në njoftim.

Çështja mbetet nën hetim dhe priten njoftime të mëtejshme nga autoritetet përgjegjëse. /Ad.Ab./

 

The post ATHINË – Ndërpriten fluturimet pas një problemi në sistemin teknik në aeroport appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PEKIN – Kina kërkon lirimin e menjëhershëm të Maduros

4 January 2026 at 11:43

PEKIN, 4 janar /ATSH DPA/ – Kina i ka bërë thirrje  Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të lirojnë menjëherë presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe gruan e tij, Cilia Flores, si dhe të ndalojnë çdo përpjekje për të destabilizuar qeverinë venezuelase, tha të sot një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Që një ditë më parë, Pekini kishte kritikuar ashpër sulmin e SHBA-së kundër Venezuelës.

Kina, së bashku me Rusinë dhe Iranin, është një nga aleatët kryesorë të Venezuelës.

Në orët e para të ditës se djeshme, Shtetet e Bashkuara kapën presidentin Nicolás Maduro dhe gruan e tij gjatë një sulmi ushtarak në Venezuelë dhe i nxorrën jashtë vendit.

Ata pritet të gjykohen në Nju Jork për akuza që përfshijnë “komplot për narko-terrorizëm”. /Ad.Ab./

The post PEKIN – Kina kërkon lirimin e menjëhershëm të Maduros appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SEUL: Koreja e Veriut lëshon raketa balistike drejt Detit Lindor

4 January 2026 at 10:52

SEUL, 4 janar /ATSH DPA/ – Koreja e Veriut lëshoi sot disa raketa balistike drejt Detit Lindor, i njohur gjithashtu si Deti i Japonisë, raportoi agjencia jugkoreane e lajmeve Yonhap, duke cituar burime ushtarake në Seul.

Lëshimi i raketave rrit sërish tensionet në rajon, në fillim të vitit 2026.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Koresë së Jugut (JCS), sistemet e vëzhgimit zbuluan disa lëshime raketash nga territori i Koresë së Veriut. Ushtria jugkoreane bëri të ditur se po monitoron nga afër situatën dhe po analizon të dhënat teknike të raketave.

“Ushtria jonë ruan një gjendje të fortë gatishmërie, ndërsa ndan ngushtë informacionin mbi raketat balistike të Koresë së Veriut me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, në kuadër të një mbikëqyrjeje të shtuar për lëshime të tjera të mundshme”,  tha JCS-ja në një deklaratë zyrtare.

Sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, raketat fluturuan rreth 900 kilometra përpara se të binin në det. Nuk u raportua për dëme apo kërcënime të drejtpërdrejta ndaj territorit të vendeve fqinje.

Edhe Japonia konfirmoi aktivitetin raketor. Agjencia japoneze Kyodo, duke cituar Rojat Bregdetare të Japonisë, raportoi se dy raketa të dyshuara balistike ishin lëshuar nga Koreja e Veriut dhe kishin rënë në Detin e Japonisë.

Yonhap kujtoi se Pheniani herën e fundit kishte lëshuar një raketë balistike drejt Detit Lindor në muajin nëntor.

Sipas rezolutave të Kombeve të Bashkuara, Koreja e Veriut e ka të ndaluar të lëshojë apo edhe të testojë raketa balistike të çdo rrezeje veprimi, pasi këto sisteme mund të pajisen edhe me koka bërthamore. /Ad.Ab./

The post SEUL: Koreja e Veriut lëshon raketa balistike drejt Detit Lindor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Spiunë, dronë dhe pishtarë prerës; si e kapi SHBA presidentin Maduro

4 January 2026 at 10:42

UASHINGTON, 4 janar /ATSH/ – Për muaj të tërë, spiunët amerikanë kishin monitoruar çdo lëvizje të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, sipas BBC.

Një ekip i vogël, që përfshinte edhe një burim brenda qeverisë venezuelase, kishte vëzhguar se ku flinte 63-vjeçari, çfarë hante, çfarë vishte dhe madje, sipas zyrtarëve të lartë ushtarakë, edhe “kafshët e tij shtëpiake”.

Më pas, në fillim të dhjetorit, u finalizua një mision i planifikuar me emrin “Absolute Resolve Operation”. Ai ishte rezultat i muajve të tërë planifikimi dhe provash të imtësishme, që përfshinin edhe ndërtimin nga trupat elitare amerikane të një kopjeje të saktë, në madhësi reale, të shtëpisë së sigurt të Maduros në Karakas, për të praktikuar rrugët e hyrjes.

Plani, që përbënte një ndërhyrje të jashtëzakonshme ushtarake amerikane në Amerikën Latine, të paprecedent që nga Lufta e Ftohtë, u mbajt rreptësisht sekret.

Kongresi nuk u informua dhe nuk u konsultua paraprakisht. Me detajet e sakta të përcaktuara, zyrtarëve të lartë ushtarakë u mbeti vetëm të prisnin kushtet optimale për nisjen e operacionit.

Ata donin të maksimizonin elementin e befasisë, thanë zyrtarët.

Kishte pasur një nisje të rreme katër ditë më parë, kur presidenti Trump kishte dhënë miratimin, por u vendos të pritej për mot më të mirë dhe më pak mbulim me re.
“Gjatë javëve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, burrat dhe gratë e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara qëndruan gati, duke pritur me durim që të plotësoheshin kushtet e duhura dhe presidenti të na urdhëronte të vepronim”, tha shefi më i lartë ushtarak i vendit, gjenerali Dan Caine, në një konferencë shtypi.

“Fat të mbarë dhe Zoti ju ndihmoftë”

Urdhri nga presidenti për të nisur misionin erdhi më në fund në orën 22:46 EDT të së premtes.
“Do ta bënim këtë katër ditë më parë, tre ditë më parë, dy ditë më parë, dhe pastaj papritur u hap mundësia. Dhe thamë: Shkoni”, tha vetë Trump për Fox & Friends dje pak orë pas operacionit të natës.

“Ai na tha, dhe ne e vlerësojmë këtë… fat të mbarë dhe Zoti ju ndihmoftë”, tha gjenerali Caine.

Urdhri i Trump erdhi pak para mesnatës në Karakas, duke i dhënë ushtrisë pjesën më të madhe të natës për të operuar në errësirë.

Ajo që pasoi ishte një mision dy orë e njëzet minuta nga ajri, toka dhe deti, që befasoi shumëkënd në Uashington dhe në mbarë botën.

Për nga shkalla dhe saktësia, ai ishte praktikisht i paprecedentë. Dhe shkaktoi menjëherë dënime nga disa fuqi rajonale, me presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, që tha se kapja e dhunshme e udhëheqësit të Venezuelës vendoste “edhe një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për të gjithë komunitetin ndërkombëtar”.

Trump nuk e ndoqi misionin nga salla e situatave në Shtëpinë e Bardhë. Në vend të kësaj, ai ishte i rrethuar nga këshilltarët e tij në klubin Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, ku ndoqi një transmetim të drejtpërdrejtë të operacionit, i shoqëruar nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

“Ishte diçka e pabesueshme për t’u parë”, tha dje Trump. “Nëse do ta kishit parë çfarë ndodhi… e pashë fjalë për fjalë sikur po shikoja një shfaqje televizive. Dhe nëse do të kishit parë shpejtësinë, dhunën… ishte thjesht diçka e jashtëzakonshme, një punë e mrekullueshme që bënë këta njerëz”.

Në muajt e fundit, mijëra trupa amerikane janë dislokuar në rajon, duke iu bashkuar një aeroplanmbajtëseje dhe dhjetëra anijeve luftarake në grumbullimin më të madh ushtarak në dekada, ndërsa presidenti Trump ka akuzuar Maduron për trafik droge dhe narko-terrorizëm, si dhe ka shkatërruar dhjetëra varka të vogla të akuzuara për transport droge në rajon.

Por shenjat e para të operacionit  u shfaqën në qiell. Sipas zyrtarëve amerikanë, më shumë se 150 avionë përfshirë bombardues, avionë luftarakë dhe mjete zbulimi  u angazhuan gjatë natës.

“Ishte shumë komplekse, jashtëzakonisht komplekse, e gjithë manovra, uljet, numri i avionëve”, tha Trump për Fox News. “Kishim një avion luftarak për çdo situatë të mundshme”.

Shpërthime të forta u dëgjuan në Karakas rreth orës 02:00 me orën lokale, dhe re tymi u panë duke u ngritur mbi qytet.

“Dëgjova një zhurmë të madhe, një shpërthim të fortë”, tha një gazetare, Ana Vanessa Herrero. “I lëvizi të gjitha dritaret. Menjëherë pas kësaj pashë një re të madhe tymi që pothuajse bllokoi të gjithë pamjen”.

“Avionë dhe helikopterë po fluturonin kudo mbi qytet”, tha ajo.

Së shpejti, në rrjetet sociale nisën të qarkullonin gjerësisht video që tregonin avionë të shumtë në qiell dhe të tjera që tregonin pasojat e dukshme të shpërthimeve.

Njëra tregonte një kolonë helikopterësh që fluturonin në lartësi të ulët mbi Karakas, ndërsa tymi ngrihej nga shpërthime të dukshme.

“U zgjuam rreth orës 01:55 nga gjëmimi i shpërthimeve dhe zhurma e avionëve që fluturonin mbi Karakas”, tha një dëshmitare, Daniela. “Gjithçka u zhyt në errësirë të plotë, e ndriçuar vetëm nga shkëndijat e shpërthimeve aty pranë”.

“Fqinjët po shkruanin në grupin e bisedave të pallatit, të gjithë të hutuar dhe të pavetëdijshëm se çfarë po ndodhte, [dhe] të frikësuar nga shpërthimet”, shtoi ajo.

Një numër videosh tregojnë shpërthime, zjarr dhe tym në zona të ndryshme të Karakasit.

Deri tani janē konfirmuar pesë lokacione, të goditura gjatë sulmeve, përfshirë Bazën Ajrore “Generalissimo Francisco de Miranda”, një fushë ajrore të njohur si “La Carlota:, dhe portin La Guaira, korridori kryesor i Karakasit drejt Detit Karaibe.

Disa nga goditjet amerikane kishin në shënjestër sisteme të mbrojtjes ajrore dhe objektiva të tjera ushtarake, thanë zyrtarët.

Presidenti Trump sugjeroi gjithashtu se SHBA-ja i ndërpreu energjinë elektrike Karakasit përpara nisjes së misionit, megjithëse nuk specifikoi se si.

“Dritat e Karakasit u fikën kryesisht falë një ekspertize të caktuar që ne kemi”, tha ai. “Ishte errësirë dhe ishte vdekjeprurëse.”

“Ata e dinin se po vinim”

Ndërsa goditjet tronditnin Karakasin, forcat amerikane u futën në qytet. Ato përfshinin anëtarë të njësisë elitare “Delta Force,” njësia më e lartë e misioneve speciale të ushtrisë amerikane. Ata ishin të armatosur rëndë dhe mbanin edhe një pishtar prerës, në rast se do t’u duhej të prisnin dyert metalike të shtëpisë së sigurt të Maduros.

Sipas gjeneralit Caine, trupat mbërritën në vendndodhjen e Maduros pak pasi nisën goditjet, në orën 02:01 me orën lokale.

Trump e përshkroi shtëpinë e sigurt si një “fortesë” ushtarake në zemër të Karakasit.
“Ata ishin në pozicion gati duke na pritur. E dinin që po vinim”, tha ai.

Trupat u qëlluan sapo mbërritën, dhe një nga helikopterët amerikanë u godit, por arriti të vazhdonte fluturimin.
“Forcat amerikane zbritë në kompleksin e Maduros dhe vepruan me shpejtësi, saktësi dhe disiplinë”, tha gjenerali Caine.

“Ata thjesht hynë me forcë, dhe hynë në vende që realisht nuk ishin menduar të hapeshin, dyer çeliku të vendosura pikërisht për këtë arsye”, tha Trump.

Vetëm ndërsa operacioni po zhvillohej dhe që përfshiu edhe kapjen e bashkëshortes së Maduros, Cilia Flores sekretari i Shtetit Rubio filloi të njoftonte ligjvënësit për veprimin, një vendim që ka shkaktuar zemërim te disa anëtarë të Kongresit.

“Le të jem i qartë; Nicolas Maduro është një diktator i paligjshëm. Por nisja e një veprimi ushtarak pa autorizimin e Kongresit dhe pa një plan të besueshëm për atë që vjen më pas është e pamatur”, tha demokrati kryesor Chuck Schumer, udhëheqësi i partisë në Senat.

Njoftimi paraprak i Kongresit do ta kishte rrezikuar misionin, u tha gazetarëve Rubio gjatë konferencës për shtyp të së shtunës.
“Kongresi ka një prirje për të rrjedhur informacione”, shtoi Trump. “Kjo nuk do të ishte gjë e mirë”.

Në kompleksin e Maduros, ndërsa trupat elitare amerikane po hynin me shpejtësi, Trump tha se presidenti venezuelia, i cili thuhet se në muajt e fundit ka rritur mbështetjen te truprojat kubane, u përpoq të arratisej drejt një dhome të sigurt.
“Ai po përpiqej të shkonte në një vend të sigurt, i cili nuk ishte i sigurt, sepse do ta kishim hedhur në erë derën për rreth 47 sekonda”, tha ai.

“Ai arriti te dera. Nuk arriti ta mbyllte”, tha Trump. “U sulmua aq shpejt sa nuk arriti të futej në atë dhomë”.

Kur u pyet nëse SHBA-ja mund ta kishte vrarë Maduron, një udhëheqës autoritar që mori presidencën në vitin 2013, nëse ai do t’i kishte rezistuar arrestimit, Trump tha se kjo “mund të kishte ndodhur”.

Nga pala amerikane, “disa djem u plagosën”, tha ai, por asnjë ushtar amerikan nuk u vra.

Autoritetet venezueliane nuk kanë konfirmuar viktima.

SHBA-ja kishte ofruar më parë një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacion që do të çonte në arrestimin e Maduros. Por deri në orën 04:20 me orën  lokale të së shtunës, helikopterët po largoheshin nga territori venezuelian me Maduron dhe bashkëshorten e tij në bord, nën kujdesin e Departamentit të Drejtësisë dhe në rrugë drejt Nju Jorkut, ku pritet të përballen me akuza penale.

Pothuajse saktësisht një orë më vonë, Trump njoftoi botën për kapjen e tij.

“Maduro dhe gruaja e tij së shpejti do të përballen me gjithë fuqinë e drejtësisë amerikane”, përfundoi ai. /Ad.Ab./

The post ANALIZË – Spiunë, dronë dhe pishtarë prerës; si e kapi SHBA presidentin Maduro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HOLANDÊ – Moti i keq paralizon aeroportin Schipol, qindra fluturime të anulluara

4 January 2026 at 10:14

AMSTERDAM, 4 janar /ATSH -DPA/ – Dëbora dhe akulli po shkaktojnë ndërprerje të rënda të trafikut ajror në aeroportin Schiphol të Amsterdamit gjatë fundjavës.
Ashtu si të premten, të shtunën edhe sot  ka vonesa dhe anulime të shumta fluturimesh për shkak të kushteve dimërore dhe nevojës për shkrirjen e akullit të avionëve, njoftoi aeroporti.

Vetëm linja ajrore holandeze KLM anuloi dje mbi 200 fluturime, ndërsa sot pritet të anulohen pothuajse 300 fluturime, raportoi agjencia holandeze e lajmeve ANP duke cituar KLM-në.

Ndërkohë, pati gjithashtu ndërprerje dhe anulime në qarkullimin rrugor dhe hekurudhor në Holandë.

Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes. /Ad.Ab./

The post HOLANDÊ – Moti i keq paralizon aeroportin Schipol, qindra fluturime të anulluara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HAPËSIRË – Dëshmi të reja për planetin e nëntë në sistemin diellor

4 January 2026 at 07:58

NEVADA, 4 janar /ATSH/ –
Astronomët kanë njoftuar se mund të kenë gjetur dëshmi për ekzistencën e një planeti të nëntë në sistemin tonë diellor, shumë përtej orbitës së Neptunit, sipas “Sciencealert”.

Zbulimi bazohet në analiza të të dhënave infra të kuqe të mbledhura dekada më parë, të cilat tregojnë praninë e një objekti të madh dhe shumë të ftohtë që lëviz ngadalë në hapësirë.

Objekti i dyshuar është identifikuar duke krahasuar të dhëna nga sateliti amerikan IRAS i vitit 1983 dhe misioni japonez AKARI i vitit 2006.

Në këto të dhëna u vu re një sinjal i dobët termik që kishte ndryshuar pozicion me kalimin e 28 viteve, një tregues i mundshëm i një orbite rreth Diellit.

Sipas vlerësimeve, ky trup qiellor mund të ndodhet në një distancë prej 500 deri në 700 njësish astronomike nga Dielli, duke e bërë atë jashtëzakonisht të largët.

Nëse konfirmohet si planet, ai mund të ketë një masë 7 deri në 17 herë më të madhe se ajo e Tokës dhe një temperaturë ekstreme shumë nën zero, çka shpjegon pse është kaq i vështirë për t’u zbuluar.

Ky zbulim lidhet ngushtë me misteret e Kuiper Belt, një rajon përtej Neptunit i mbushur me trupa akullnajorë.

Prej vitesh, astronomët kanë vërejtur se disa prej këtyre objekteve kanë orbita të çuditshme dhe të grupuara, gjë që sugjeron ndikimin gravitacional të një planeti të madh të padukshëm.

Karakteristikat e planetit të mundshëm e afrojnë atë me Uranin dhe Neptunin, të ashtuquajturit gjigantë akullnajorë, të cilët kanë atmosfera të pasura me hidrogjen, helium dhe metan.

Për shkak të distancës dhe temperaturës së ulët, teleskopët infra të kuqe mbeten mjeti kryesor për zbulimin e tij.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se provat aktuale nuk janë ende përfundimtare.

Nevojiten vëzhgime të reja dhe të vazhdueshme për të konfirmuar lëvizjen orbitale të objektit dhe për të përjashtuar mundësinë që ai të jetë një burim i largët në sfond.

Nëse konfirmohet, ky zbulim do të ndryshonte ndjeshëm kuptimin tonë për strukturën e sistemit diellor dhe do të rikthente zyrtarisht idenë se Dielli ynë ka nëntë planetë, duke hapur një kapitull të ri në astronomi. /Ad.Ab./

The post HAPËSIRË – Dëshmi të reja për planetin e nëntë në sistemin diellor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌