Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 January 2026Main stream

Një vit nën vëzhgim intensiv -zhvillimet e brendshme në KGJK gjatë vitit 2025

5 January 2026 at 10:56


Gjatë vitit 2025, Instituti i Kosovës për Drejtësi/ Betimi për Drejtësi ka monitoruar në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet e brendshme në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), duke raportuar për vendimmarrjen institucionale, menaxhimin e burimeve njerëzore, avancimet në karrierën gjyqësore, miratimin e akteve nënligjore, transparencën dhe raportimet e kryetarëve të gjykatave – veçanërisht ato raste ku u zhvilluan debate substanciale në mbledhjet e Këshillit.

Rekrutimi i gjyqtarëve të rinj: Ritëm i shpejtë dhe ndryshim i ndjeshëm i përbërjes së gjyqësorit

Rekrutimi i gjyqtarëve të rinj në Kosovë gjatë viteve të fundit është zhvilluar me një ritëm të shpejtë, duke ndikuar drejtpërdrejt në përbërjen e sistemit gjyqësor. Brenda rreth pesë viteve, janë emëruar mbi 150 gjyqtarë, çka përbën një numër të konsiderueshëm në raport me përbërjen e përgjithshme të gjyqësorit dhe ka sjellë një rifreskim të dukshëm të trupës gjyqësore, veçanërisht në gjykatat themelore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Procesi është realizuar përmes thirrjeve të njëpasnjëshme publike dhe procedurave të përzgjedhjes, të zhvilluara brenda afateve relativisht të shkurtra. Sipas të dhënave zyrtare, rekrutimi i gjyqtarëve të rinj është orientuar kryesisht drejt adresimit të mungesës së stafit gjyqësor dhe shpërndarjes së tyre në gjykatat me ngarkesë më të madhe të lëndëve.

Përbërja e gjyqësorit ka pësuar ndryshime edhe për sa i përket profilit profesional të gjyqtarëve të rinj, të cilët vijnë nga fusha të ndryshme të profesionit juridik, përfshirë avokatinë, prokurorinë dhe administratën publike.

Rekrutimi i përshpejtuar i gjyqtarëve mbetet një nga zhvillimet më të rëndësishme në funksionimin e sistemit gjyqësor në vitet e fundit dhe vazhdon të jetë në vëmendje të institucioneve, shoqërisë civile dhe mediave, përfshirë Betimin për Drejtësi, në kuadër të monitorimit të reformave në drejtësi.

KGJK tashmë tradicionalisht dërgon ftesa për monitorim të këtyre proceseve, duke theksuar se rekrutimi bazohet në objektivitet dhe transparencë të plotë.

Zhvillimi i procedurave për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të KGJK-së:

KGJK gjatë vitit 2025 pësoi ndryshime në përbërjen e tij, me zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Gjyqtarët Besnik Bislimaj dhe Mirjeta Shala fituan mandatin e anëtarit, pas përfundimit të mandatit të anëtarëve të mëhershëm, gjyqtarëve Qerim Ademaj dhe Avni Mehmeti.

Edhe për këto procese, KGJK ka dërguar ftesë për monitorim që në fillim të procedurave për zgjedhjen e anëtarëve, procese këto që janë monitoruar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Kujtojmë se së fundi, KGJK ka shpallur konkurs për zgjedhjen e anëtarëve të rinj për tri pozita, pas përfundimit të mandatit të kryesuesit Albert Zogaj, si dhe të anëtareve Drita Rexhaj dhe Teuta Ibrahimi.

Publikimi i vendimeve gjyqësore- kërkesë e vazhdueshme nga kryesuesi i KGJK-së:

Një temë që është përsëritur vazhdimisht gjatë vitit 2025 në mbledhjet e KGJK-së, dhe që është pasqyruar rregullisht në raportimet tona, ishte publikimi i vendimeve gjyqësore. Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave që të rrisin nivelin e publikimit të vendimeve, duke e cilësuar këtë si element kyç për transparencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit.

Në raportimet tona kemi evidentuar se, pavarësisht këtyre kërkesave të përsëritura, praktikat e publikimit vazhdojnë të jenë të pabarabarta nga një gjykatë në tjetrën. Kjo çështje ka qenë shpesh temë diskutimi në Këshill, me theks në mungesën e kapaciteteve administrative, problemet teknike dhe mungesën e një standardi unik të zbatueshëm në të gjitha gjykatat.

KGJK ka shkuar edhe një hap më tutje duke hartuar dhe miratuar udhëzuesin e ri për publikimin e vendimeve gjyqësore, ku ndër të tjera përcaktohet se emri dhe mbiemri i të akuzuarve publikohen, përveç rasteve kur dispozitat ligjore parashohin rregulla të tjera.

Zgjedhja e kryetarëve të gjykatave dhe mbikëqyrësve të degëve:

Gjatë vitit 2025, KGJK ka zhvilluar procedurat për zgjedhjen e kryetarëve të tri gjykatave themelore në nivel vendi.Fillimisht, si kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë u përzgjodh gjyqtari Shemsedin Haxhiaj.

Më pas, si kryetare e Gjykatës Themelore në Gjakovë u përzgjodh gjyqtarja Fëllanza Knushaj. Kujtojmë se procesi i parë për emërimin e kryetarit të kësaj gjykate kishte dështuar, ndërsa kandidatët në atë proces ishin gjyqtarët Sulltan Dobraj dhe Drilon Haraçia.

Në fund, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë u përzgjodh gjyqtari Ngadhnjim Arrni.

Po ashtu, KGJK zgjodhi edhe mbikëqyrësit e degëve të gjykatave themelore, si dhe të Dhomave të Posaçme, por pa arritur të përfundojë në tërësi emërimin e mbikëqyrësve për të gjitha degët e gjykatave themelore.

Për këto procese, KGJK ka dërguar ftesa për monitorim të intervistave dhe ka bërë publike listat e kandidatëve, përfshirë edhe listën për kryetar të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke shënuar hapa të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës.

Avancimet në karrierën gjyqësore- vendime me ndikim afatgjatë:

Paralelisht me rekrutimet, proceset e avancimit të gjyqtarëve brenda sistemit gjyqësor kanë qenë një tjetër zhvillim kyç i vitit 2025. Betimi për Drejtësi ka raportuar vazhdimisht për listat e kandidatëve për avancim, si dhe për procedurat e avancimit të gjyqtarëve nga gjykatat themelore në ato më të larta, përfshirë shqyrtimin e aplikimeve, vlerësimet e performancës dhe vendimet e KGJK-së për emërime në pozita më të larta gjyqësore.

Gjatë vitit 2025, KGJK ka zhvilluar procese të avancimit fillimisht brenda gjykatave themelore për në Departamentin Special, e më pas në Gjykatën Komerciale, Gjykatën e Apelit, Gjykatën Supreme, si dhe në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Po ashtu, nga monitorimi është vërejtur se KGJK i ka kushtuar rëndësi edhe Departamentit për Çështje Administrative, i cili funksionon brenda Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke rritur ndjeshëm numrin e gjyqtarëve në këtë departament.

Miratimi i një numri të lartë aktesh nënligjore:

Gjatë vitit 2025, KGJK ka miratuar një numër të konsiderueshëm aktesh nënligjore, përfshirë rregullore, udhëzime administrative dhe vendime që rregullojnë funksionimin e brendshëm të sistemit gjyqësor. Betimi për Drejtësi ka raportuar për këto akte, të cilat kanë prekur fusha të ndryshme, nga organizimi administrativ i gjykatave dhe menaxhimi i burimeve njerëzore, deri te trajnimi profesional dhe procedurat e brendshme disiplinore.

Raportimet e kryetarëve të gjykatave:

Një pjesë e rëndësishme e punës së KGJK-së gjatë vitit 2025 ishin raportimet e kryetarëve të gjykatave, përfshirë raportet për ngarkesën e lëndëve, vonesat procedurale, mungesën e stafit dhe kushtet infrastrukturore. Veçanërisht janë pasqyruar rastet kur këto raportime kanë nxitur debate të drejtpërdrejta në mbledhjet e Këshillit.

Raportimet e transmetuara në Facebook kanë reflektuar diskutime konkrete, duke ngritur tema të rëndësishme për rritjen e angazhimit institucional me qëllim përmirësimin e qasjes në drejtësi.

Përfundim:

Në përmbledhje, viti 2025 ka qenë një vit me zhvillime intensive brenda KGJK-së. Proceset e vazhdueshme të rekrutimit të gjyqtarëve të rinj, avancimet në karrierën gjyqësore, miratimi i një numri të madh aktesh nënligjore, kërkesat e vazhdueshme për rritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore dhe debatet e hapura mbi performancën e gjykatave, kanë shënuar këtë periudhë.

Këto zhvillime tregojnë për një sistem në lëvizje të vazhdueshme, por edhe për sfida që kërkojnë monitorim dhe llogaridhënie publike. Për këtë arsye, monitorimi i vazhdueshëm i KGJK-së dhe i sistemit gjyqësor mbetet thelbësor për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi. /BetimipërDrejtësi/

​Mungesa e anesteziologëve dhe infermierëve, problem kronik në Mjekimin Intensiv

5 January 2026 at 10:29


Mjekimi Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po përballet me mungesë të theksuar të anesteziologëve dhe infermierëve.

Kjo njësi e Klinikës së Anesteziologjisë, e cila pothuajse gjithmonë funksionon me kapacitet të plotë, vitin e kaluar trajtoi rreth 500 pacientë në gjendje të rënduar.

Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, Shaqir Uka, deklaron për KosovaPress se nëntori 2025 ka qenë sfidues, pasi numri i pacientëve të pranuar ka shënuar rritje të trefishtë. Njësia, e cila ka në dispozicion vetëm 21 shtretër, gjatë gjithë periudhës së vitit paraprak ka funksionuar me shfrytëzim prej 99 për qind.

“Mjekimi Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare disponon me 21 shtretër aktiv, të cilët në 99 për qind të kohës janë gjithmonë të zënë. Neve gjatë këtij viti, nga janari deri në këtë moment kur jemi duke biseduar, kemi pasur 495 pacientë të pranuar dhe të trajtuar në njësinë e Mjekimit Intensiv Qendror... Gjatë nëntorit të këtij viti, befasishëm kemi pasur 62 pacientë të pranuar në mjekimin intensiv, çka është trefishi i kapaciteteve tona”, thotë Uka.

Ai shton se në këto raste është shumë e vështirë të menaxhohen, pasi ata pacientë kanë nevojë për trajtim.

"Neve na është dashur të bëjmë një menaxhim të situatës me pacientët të cilët i kemi pasur... Kjo pastaj rëndohet edhe më tepër, kur kemi parasysh numrin e paktë të anesteziologëve që e disponon klinika jonë”, shprehet Uka.

Sipas tij, numri i pacientëve të referuar në këtë klinikë mbetet pothuajse i pandryshuar nga viti në vit, ndërsa veçanti e vitit 2025 është gjendja e rënduar e pacientëve për trajtim.

Në Mjekimin Intensiv Qendror në QKUK nga janari deri në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar rreth 120 pacientë kanë vdekur, kryesisht nga lëndime të rënda në aksidente trafiku dhe rrëzime në vendin e punës, ndërsa rastet e vdekjeve nga arma e zjarrit shënuan rënie.

“Kanë qenë pacientë të cilët kanë pasur sëmundje të cilat kanë qenë të pamundshme me u menaxhuar nga aspekti mjekësor, lëndime shumë të rënda, dëmtime shumë të rënda, qoftë të indit trunor, shumica e tyre, lëndime në aksidentet e komunikacionit. Kemi pasur shumë këtë vit rrëzime nga lartësia të punëtorëve të cilët kanë humbur jetën për shkak të lëndimit që e kanë marrë në vendet e tyre të punës. Pastaj, janë lëndimet me armë zjarri, me lëndimet me armë të ftohta, të cilat fatmirësisht, po them fatmirësisht, janë në zvogëlim e sipër për çdo vit”, thotë Uka.

Ai thotë se për një funksion më të mirë në Mjekimin Intensiv nevojitet trefishim i numrit të stafit.

“Për momentin ne disponojmë me gjashtë ekipe, nga dy anesteziologë, të cilët kryejnë punën në mjekimin intensiv, gjegjësisht, mbajnë kujdestaritë 24-orësh në mjekimin intensiv. Kjo vështirësohet edhe më tepër, domethënë na mbetet neve që kujdestaritë t'i mbajmë në çdo të gjashtën ditë… Kjo, përveç lodhjes fizike, jashtëzakonisht shumë ka reperkusione të mëdha në aspektin emocional, psikik e të tjera… Tashmë jemi në fazën kur kolegët e rinj janë në përfundim të specializimit", thotë Uka.

Ai thekson se pritet së shpejti të bëhet publik edhe konkursi për pranimin e tyre, dhe kjo sadopak do ta zbusë situatën përgjithësisht të rënduar në Klinikën e Anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv.

"Mirëpo, edhe me këtë numër të cilët do të pranohen tash, kjo mund ta zbusë pak situatën, por për të qenë plotësisht komod dhe për të kryer punë normale ishte dashur që numri i anesteziologëve të trefishohet nga numri të cilin ne e kemi tash për tash… Tani janë diku në Qendrën Klinike janë diku rreth 45-47 anesteziologë në total. Këtu te ne janë 12 janë gjashtë ekipe me nga dy anesteziologë”, thotë Uka.

Duke i konsideruar si heronj e kësaj klinike, Uka thotë se Mjekimi Intensiv Qendror lëngon edhe nga mungesa e infermierëve të cilët nuk janë të mjaftueshëm. Ai thotë se kërkesat për shtimin e stafit infermieror janë vazhdimisht për 20-25 infermierë, por që zakonisht pranohen vetëm 4-5.

“Problematikë kronike, e cila vazhdon me vite të tëra, e pazgjidhur edhe më tutje, është mungesa e stafit të mesëm, po edhe stafit ndihmës, posaçërisht stafit të mesëm. Në standarde ish dashur që një infermier për shembull të ketë aktivitetin e vet punues me dy pacientë më së shumti, ose dy infermierë me tre pacientë. E neve shumicën e kohës një infermier duhet të kryejë punën e vet me tre pacientë, nganjëherë edhe me katër pacientë”, thekson Uka për KosovaPress.

Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, konsideron se nuk është e nevojshme rritja e kapaciteteve në këtë klinikë, por funksionalizimi i njësive të kujdesit intensiv në klinikat e tjera. Sipas Ukës, mbi 30 për qind e pacientëve janë trajtuar në këtë klinikë për shkak të mungesës së njësive të tjera intensive.

“Realisht, nuk ishte dashur që kapacitetet tona të shtohen më tepër. Ishte dashur të aktivizohen njësitë intensive nëpër klinikat e tjera, në mënyrë që edhe Klinika e Neurologjisë të ketë mundësi t’i trajtojë pacientët të cilët marrin frymë me ventilator. Klinika e Infektives ka një njësi intensive, por ka pak shtretër, edhe ata hezitojnë të marrin një pacient i cili ka nevojë për trajtim me ventilator. Klinika Interne nuk ka asnjë njësi intensive dhe ne kemi shumë pacientë, diku rreth 18% pacientëve që ne i trajtojmë këtu janë pacientë të tyre, të cilët ishte dashur të marrin trajtim atje. Kështu, në përpjekjet tona në nivel të drejtorisë qendrore, nga ana e drejtorisë së Klinikës së Anesteziologjisë, janë të drejtuar në atë kuptim që të mund të funksionalizohen intensivet e tyre”, deklaron Uka.

Nga Mjekimi Intensiv Qendror thonë se janë të pajisur me aparaturë mjekësore bashkëkohore, përfshirë ventilatorë dhe pajisje për monitorim, të cilat janë fjala e fundit e teknologjisë mjekësore. Edhe sa i takon furnizimit me barna dhe material mjekësore gjatë vitit 2025 kjo klinikë qëndroi mirë, ndonëse u theksuan se kishte mungesa të herëpashershme. /KP/

Detaje rreth sherrit të armatosur në Podujevë - tre persona të arrestuar, dy në arrati

5 January 2026 at 09:48


Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth plagosjes së dy personave në Podujevë.

Sipas raportit 24 orësh, rasti ka ndodhur orës 20:30, në Rrugën “Zahir Pajaziti” ku nga një përleshje e armatosur mes dy grupeve rivale, ku dy persona janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.

Gjatë sherrit, njëri nga të dyshuarit ka përdorur armën e zjarrit, duke qëlluar drejt personave tjerë në vendngjarje.

Palët e përfshira në konflikt ishin pjesë e dy grupeve rivale, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se në përleshje kanë marrë pjesë edhe tre persona të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim nga autoritetet.

Njësitet policore kanë ndërmarrë veprime të shpejta hetimore në vendin e ngjarjes, ku kanë mbledhur prova dhe kanë identifikuar disa prej të përfshirëve.

Deri më tani tre të dyshuar janë arrestuar nga policia dhe janë vendosur nën mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

"Dyshohet se në këtë rast kanë marr pjesë edhe tre persona të tjerë të cilët nuk janë identifikuar dhe gjenden në arrati. Tre nga të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy nga të dyshuarit tjerë kanë ikur nga vendi i ngjarjes", ka njoftuar policia.

Hetimet për kapjen e personave të shpallur në arrati dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti vazhdojnë nga autoritetet. /Telegrafi/

Lapaj reagon nga spitali: Edi Rama nuk ta kam frikën, do kthehem sërish në shesh

5 January 2026 at 09:10


Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me incidentin e regjistruar në mesnatë ku mbeti i lënduar.

Lapaj thekson se policia në mesnatë tentoi t’i largonte nga vendi ku po zhvillojnë protesta.

“Edi Rama të bëj përgjegjës ty! Miq, mbrëmë pas mesnate dhjetëra forca të Edi Ramës u sulën të tërbuar mbi ne. I gjendur përballë dhunimit të së drejtës sime Kushtetuese për të shprehur mendimin tim përmes protestës, nuk kam lëvizur", ka shkruar Lapaj.

Lapaj thekson se do të rikthehet sërish në shesh ndërsa bëri thirrje që qytetarët t’i bashkohen në protesta.

"Kam nisur të filmoj. Nga veprimet e tyre një prej ngrohëseve më ka goditur. Ndodhem te Spitali i Traumës ku po kryej ekzaminimet. Sërish do kthehem në shesh. Edi Rama unë nuk të kam frikë. Përkundrazi! Ti je kreu i një bande dhe do mbash përgjegjësi. I bëj thirrje kujtdo të bashkohet kundër hajdutëve”, shkruan Lapaj./Telegrafi/

85 vjeçarja nga Saranda bie nga ballkoni, humb jetën në spital

5 January 2026 at 08:58


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të diele rreth orës 19.30 në qytetin e Sarandës ku një 85-vjeçare ka ndërruar jetë pasi ka rënë nga ballkoni në katin e tretë të një pallati në lagjen nr.3.

Selfije Demani është transportuar në spitalin e Sarandës dhe duke parë gjendjen e rëndë të saj me fraktura të shumta, dëmtime në të 2 gjunjët, në pjesën e legenit dhe në mushkri.

Mjekët e kanë futur menjëherë në sallën e operacionit, por për shkak të gjendjes së rëndë nuk mundi të mbijetojë.

Sipas burimeve mësohet se në momentin që ka ndodhur ngjarja ishte vetëm në shtëpi, kishte probleme me shikimin dhe lëvizte me paterica. Burime praprake bëjnë me dije se e moshuara dyshohet të ketë pasur edhe probleme mendore.

Policia po heton në dy pista, në atë të vetëvrasjes dhe të vdekjes aksidentale./NOA/

I ra bombola e gazit lotsjellës në kokë - momenti kur Lapaj mbërrin në Spitalin e Traumas

5 January 2026 at 08:29


Forcat e policisë kanë ndërhyrë në orët e vona të mbrëmjes së të dielës për të larguar me forcë aktivistët e “Shqipëria Bëhet” nga vendi ku prej rreth një muaji po zhvillonin protestën, para godinës së Kryeministrisë.

Policia ka marrë me automjet karriget, batanijet dhe disa soba më gaz të cilat shërbenin për t’u ngrohur aktivistët, të cilët qëndronin para godinës së Kryeministrisë.

Gjatë ndërhyrjes është lënduar edhe kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. Dyshohet se Lapajt është lënduar në kokë nga një prej bombolave të gazit gjatë aksionit të policisë.

Aktivistët dhe policia kanë njoftuar ambulancën, e cila e ka transportuar atë me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e parë.

Aktivistë të Shqipëria Bëhet thanë se disa protestues që ishin para kryeministrisë janë shoqëruar nga policia. Mes aktivistëve dhe policisë ka pasur shpesh herë përplasje lidhur me vendosjen e çadrave dhe sendeve të tjera në sheshin kryesor para godinës qeveritare. Disa herë policia ka hequr nga sheshi çadrat dhe gjeneratorët që përdoreshin për energji dhe ngrohje nga protestuesit.

Që prej datës 8 dhjetor, “Shqipëria Bëhet” kishte nisur një protestë pa ndërprerje para godinës së Kryeministrisë.

Paraditen e së dielës, “Shqipëria bëhet” zhvilloi tubimin e radhës ku nuk munguan tensionet dhe përplasjes me forcat e rendit./euronews/


Përditësohen të dhënat në kufi - deri në 3 orë pritje në Merdar

5 January 2026 at 08:12


E plotësuar: Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat mbi fluksin në pikat e kalimit kufitar, ku vërehen pritje të gjata për automjetet në disa prej tyre.

Sipas raportit të orës 08:29: pritjet më të mëdha janë regjistruar në pikën kufitare Merdar ku koha e pritjes për dalje arrin deri në 3 orë, ndërsa kolona e automjeteve shkon deri në 3500 metra.

Situatë e ngarkuar paraqitet edhe në Dheun e Bardhë, me pritje deri në 120 minuta dhe kolonë rreth 800 metra në dalje.

Në pikën kufitare Jarinjë, automjetet po përballen me pritje rreth 60 minuta, ndërsa në Mutivodë pritjet arrijnë deri në 40 minuta, me kolona të konsiderueshme në dalje.

Në pikat e tjera kufitare si Bërnjak, Hani i Elezit, Glloboçicë, Qafë e Morinës dhe Qafë e Prushit, qarkullimi po zhvillohet pa vonesa të mëdha dhe pa kolona të gjata.



------

Kolona kilometrike në dalje nga Merdara dhe Dheu i Bardhë, pritjet deri në dy orë

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, udhëtarët që dalin nga Kosova përballen me vonesa të konsiderueshme në disa pika kufitare.

Më e rënduar situata paraqitet në pikën kufitare të Merdarës, ku pritjet për të dalë nga kjo pikë arrijnë deri në dy orë.

Në këtë pikë, kolona e automjeteve gjatë daljes arrin deri në 1000 metra, duke shkaktuar vonesa të zgjatura për ata që udhëtojnë jashtë vendit.

Edhe në pikën kufitare të Dheu i Bardhë, kolona në dalje arrin rreth 800 metra me pritje deri në dy orë.

Në pjesën tjetër të pikave kufitare, pritjet dhe kolonat në dalje janë më të shkurtra.

Autoritetet apelojnë për durim dhe mirëkuptim nga udhëtarët dhe rekomandojnë planifikimin e kohës për lëvizje për shkak të këtyre pritjeve. /Telegrafi/

Kujdes nga shtrëngatat dhe era e fortë këtë të hënë në Shqipëri

5 January 2026 at 07:56


Ditën e hënë, vendi ynë do të përballet me kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura, të shoqëruara me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet nga i ulët deri në mesatar në pjesën më të madhe të territorit.

Në zonën e veriperëndimit, veçanërisht në qarkun e Shkodrës, reshjet priten të jenë me intensitet mesatar deri të lartë deri në orët e mesditës, në formën e shtrëngatave me shkarkesa elektrike. Nga pasdita deri në mbrëmje në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje të shiut me intensitet të lartë, të shoqëruara me shtrëngata dhe rrebeshe.

Në zonat malore, mbi 1500 metra lartësi, sidomos në Alpe dhe në verilindje, priten reshje dëbore me intensitet nga i ulët deri në mesatar.

Era do të fryjë nga drejtimi i jugut me shpejtësi rreth 12 metra për sekondë, ndërsa në zonat luginore dhe bregdet, sidomos në jug, era pritet të arrijë shpejtësi deri në 24 metra për sekondë.

Deti do të jetë me valëzim të forcës 4-6 ballë. /Telegrafi/

Aksidentohet vetura e policisë dhe një taksi në Prishtinë, katër persona të lënduar

5 January 2026 at 07:35


Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pak pas mesnatës në Prishtinë, tek udhëkryqi i konvikteve,

Në këtë aksident janë përfshirë një veturë e Policisë së Kosovës dhe një veturë taksi.

Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes, shihet se të dyja veturat kanë pësuar dëme të mëdha materiale.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për kryeqytetin, Enis Pllana.

Pllana bëri të ditur se katër persona janë lënduar.

“Rreth orës 00:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku melëndime në rrugën “Xhevë Lladrovci në Prishtinë. Në aksident janmë përfshirë dy vetura, si pasojë lëndime kanë pësuar katër persona, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor”, ka thënë Pllana.

Ai ka shtuar se me rastin po merret trafiku i kryeqytetit. /Telegrafi/

Edhe 25 kuti pa numëruar – LVV prin me mbi 72% të votave me postë

5 January 2026 at 07:23


Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve janë numëruar 72.83 për qind e votave me postë. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tani janë numëruar 67 nga gjithsej 92 kuti të votimit me postë.

Nga rezultatet preliminare, prin Lëvizja Vetëvendosje me 72.56 për qind të votave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.62 për qind dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 8.19 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 4.73 për qind të votave.

Ndryshe sipas një njoftimi nga KQZ, nga fillimi i procesit të numërimit (e shtunë, 3 janar, ora 16:00) e deri të dielën në orën 16:00, ishin numëruar 41 nga gjithsej 92 kuti të votimit me postë, brenda të cilave ndodhen pakot me fletëvotime që deri tani janë sjellë në Kosovë.

Fletëvotimet e numëruara u takojnë komunave: Deçan (4 kuti), Gjakovë (6), Gllogoc (2), Gjilan (7), Dragash (1), Istog (4), Kaçanik (2), Klinë (2), Fushë Kosovë (2), Kamenicë (3), Mitrovicë e Jugut (4), Lipjan (2) dhe Rahovec (2).

Ndërkohë, në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të dhënat për rezultatet e votimit me postë po përditësohen vazhdimisht.

Procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon, ndërsa rezultatet mbeten preliminare deri në përfundimin e plotë të numërimit dhe certifikimin zyrtar nga KQZ. /Telegrafi/

Java sjell vranësira, reshje dhe ulje të temperaturave

5 January 2026 at 07:12


Kjo javë nis me mot kryesisht të vranët, i shoqëruar herë pas here me riga shiu dhe fjolla bore.

Vranësirat do të jenë prezente gjatë gjithë javës, ndërsa reshjet do të jenë më të theksuara në disa zona.

Temperaturat minimale dhe maksimale do të mbeten mbi vlerat zero deri të mërkurën, me përjashtim të viseve malore, ku mund të paraqiten ngrica të dobëta.

Nga e enjtja pritet një rënie e ndjeshme e temperaturave, të cilat do të zbresin dukshëm nën zero.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, me intensitet mesatar, ndërsa lokalisht mund të jetë e fortë.

E hënë - Moti do të jetë kryesisht i vranët, me riga shiu. Temperaturat minimale 1–3° kurse ajo maksimale 7–10°C.

Era do fryej kryesisht nga jugperëndimi, me shpejtësi 1–6 m/s/. /Telegrafi/

Yesterday — 4 January 2026Main stream

Përditësohen rezultatet nga numërimi i mbi 40% të votave me postë

4 January 2026 at 15:39


Procesi i numërimit të votave me postë për zgjedhjet parlamentare të Kosovës 2025 vazhdon në Qendrën e Numërimit të Votave. Deri tani janë numëruar 40.22% e votave të dërguara me postë.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të udhëheqë me një përqindje të lartë prej 71.15%, duke marrë gjithsej 7,361 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) renditet e dyta me 10.43% (1,079 vota), ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ndodhet në vendin e tretë me 8.81% (911 vota).

Po ashtu, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka fituar 6.53% të votave (676 vota), dhe partitë më të vogla janë: Partia Liberale Egjiptiane (PLE) me 1.26% (130 vota) dhe PSA me 0.50% (52 vota).

Edhe pse numërimi është ende në proces, LVV po ruan një epërsi të dukshme.

Të dhënat mund të ndryshojnë ndërsa numërimi i votave vazhdon. /Telegrafi/

Shefja e stafit të Osmanit i reagon Vuçiqit: Anti-amerikan, mbron regjimin e Maduros

4 January 2026 at 15:23


Learta Hollaj, shefe e stafit të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me situatën pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në Venezuelë.

Në një postim në X, Hollaj e ka cilësuar zgjedhjen e Serbisë si “anti‑amerikane” dhe pro‑Maduro, duke nënkuptuar mbështetjen e Beogradit për regjimin e Nikola Maduro në Venezuelë, i cili nga SHBA dhe aleatët e saj akuzohet si regjimi i një narko‑terrorizmit.

“Anti‑Amerikan. Pro‑Maduro. Kjo është zgjedhja e Serbisë”, ka shkruar Hollaj

Hollaj ka komentuar gjithashtu deklaratën e Vuçiqit, i cili pas ndërhyrjes amerikane në Venezuelë tha se “ligji publik ndërkombëtar nuk ekziston më, dhe rendi i OKB‑së ekziston vetëm në letër”.

“Pas ndërhyrjes amerikane në Venezuelë, Vuçiq sulmon @realDonaldTrump‑in, duke pretenduar se “ligji ndërkombëtar publik nuk ekziston më, dhe rendi i OKB‑së ekziston vetëm në letër”, ndërkohë që mbron regjimin narko‑terrorist të Maduros”, u shpreh ajo. /Telegrafi/

Anti-American. Pro-Maduro. This is Serbia’s choice.

After the 🇺🇸 intervention in Venezuela, Vučić rails against @realDonaldTrump, claiming “International public law no longer exists, and the UN order exists only on paper”, while defending Maduro’s narco-terrorist regime. ⬇️
— Learta Hollaj (@LeartaHollaj) January 4, 2026

LVV reagon pas rezultateve: Vullneti i qytetarëve është i qartë - fitore plebishitare në 24 komuna

4 January 2026 at 15:08


Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një reagim pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke e cilësuar fitoren elektorale si plebishitare dhe një reflektim të qartë të vullnetit politik të qytetarëve.

Në komunikatën e shpërndarë për media, LVV thekson se së bashku me partnerët e saj kanë rezultuar të parët në 24 komuna të Republikës së Kosovës, dhe në çdo komunë kanë shënuar rritje të votave krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Vullneti politik i qytetarëve është i qartë, fitorja elektorale është plebishitare, referendumi demokratik kaloi,” thuhet në reagim.

Lëvizja gjithashtu ka përmendur rezultate pozitive në votën nga mërgata, duke e konsideruar atë një fitore të jashtëzakonshme dhe shenjë të mbështetjes së gjerë që ka marrë.

“Fitore e jashtëzakonshme po shënohet edhe në votën nga mërgata,” ka thënë LVV.

Në përfundim të reagimit, Lëvizja Vetëvendosje i ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre dhe i ka uruar për fitoren historike të arritur në zgjedhjet e fundit.

“Ju faleminderit për mbështetjen. Urime fitorja historike!", thuhet në reagimin e LVV-së./Telegrafi/

Osmani kujton Tahir Zemajn: Oficer profesionist, atdhetar i jashtëzakonshëm dhe bashkëpunëtor i Presidentit Rugova

4 January 2026 at 15:01


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot me respekt dhe nderim 23-vjetorin e vrasjes së ushtarakut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kolonel Tahir Zemaj, së bashku me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin.

Në një reagim publik, Presidentja Osmani e ka përshkruar kolonel Zemajn si një oficer profesionist, atdhetar i jashtëzakonshëm dhe luftëtar të lirisë, si dhe si një bashkëpunëtor të afërt të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

“Kolonel Zemaj ishte oficer profesionist, atdhetar i jashtëzakonshëm, luftëtar i lirisë dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova,” ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja ka theksuar se vrasja e tij, bashkë me familjarët, mbetet plagë e hapur dhe kujtesë e dhimbshme për shoqërinë kosovare, duke rikujtuar se drejtësia për disa krime të mëdha ende pret të realizohet.

“Vrasja e tij mbetet plagë e hapur dhe kujtesë e dhimbshme se drejtësia për disa krime ende pret,” ka deklaruar Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, kujtimi i kolonel Zemajt dhe familjarëve të tij është një obligim moral dhe institucional për të vërtetën, drejtësinë dhe për Kosovën që ata ëndërruan dhe luftuan.

“Kujtimi për kolonel Zemajn dhe familjarët e tij është obligim moral dhe institucional për të vërtetën, për drejtësinë dhe për Kosovën që ata ëndërruan e luftuan,” ka theksuar ajo.

Në përmbyllje të mesazhit të saj, Presidentja Osmani ka nderuar jetën dhe veprën e kolonel Tahir Zemajt, Enisit dhe Hasanit, duke shprehur respektin e thellë për kontributin e tyre në lirinë dhe të ardhmen e vendit.

“Lavdi jetës dhe veprës së kolonel Tahir Zemajt, Enisit dhe Hasanit!”

“Rezistencë deri në largimin e Ramës!” - këta janë dy emrat që propozon Lapaj për qeverinë tranzitore

4 January 2026 at 14:40


Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi se nuk pret reflektim nga kryeministri Edi Rama, por synon ndërgjegjësimin e qytetarëve përmes protestës si formë rezistence deri në realizimin e së drejtës. Në një deklaratë për A2 CNN me gazetaren Fjorela Beleshi, Lapaj tha se protesta duhet të vazhdojë me dinjitet, duke kritikuar autoritetet për moslejimin e ngritjes së çadrave dhe duke e cilësuar këtë si mungesë njerëzillëku.

“Nuk pres asnjë reflektim nga Rama. Ajo që pres është të ndërgjegjësojmë njerëz duke u bërë shembull që protesta është rezistencë derisa realizohet e drejta. duhet të vendosen çadra se i merr era. Mua më vjen rëndë që na lënë me plastmas dhe jo me çadër. Kjo është mungesë e theksuar njerëzillëku”, u shpreh Lapaj për A2 CNN.

I pyetur sesi mund ta rrëzojnë kryeministrin Rama i cili ka 83 mandate, Lapaj u përgjigj se mandatet kanë vlerë vetëm kur mbështeten mbi moralin dhe besimin qytetar, ndërsa argumenti i shumicës parlamentare është i pavlefshëm nëse pushteti kapet në shkelje dhe korrupsion.

“Mandatet kanë vlerë kur kanë moral. Dyshoj se janë marrë nën mënyrë të drejtë nëse nuk justifikohen moralisht nuk kanë vlerë mandatet. Kanë fuqi sa qëndron morali. Faktet tregojnë që nuk ka moral se është kapur në flagrancë duke vjedhur në të gjitha nivelet. Argumenti i 83 mandatave është i pavlefshëm. Bëj një qeveri tranzitore, ngri të gjithë drejtorët që të mos japin lekë nga administrata për zgjedhjet”, vijoi Lapaj për A2 CNN.

Ai theksoi se prej vitit 2022 ka pasur përkeqësim të të drejtave të qytetarëve dhe se frika është e instaluar në shoqëri, ndaj protestat me thelb politik janë të domosdoshme.

“Nga 2022 ka një përkeqësim të të drejtave të qytetarëve dhe njerëzit tremben. Protesta që kanë thelb politik janë protesta që i trembin se lidhen me ekzistencën e pushtetit. Kjo është dëshmi e frikës së shoqërisë dhe numrat tanë kanë ardhur duke u rritur. Por edhe sikur një njeri të protestojë”, tha Lapaj, për A2 CNN.

Sipas tij, zgjidhja është krijimi i një qeverie tranzitore, ndalimi i presionit mbi administratën dhe bashkimi i qytetarëve përtej flamujve partiakë. Ai përmendi emrat e Përparim Kabos dhe Tritan Kalo për krijimin e qeverisë tranzitore.

“Nuk është koha të ngremë flamurin e partisë por të bashkohemi për flamurin e Shqipërisë. Asnjë parti politike nuk mund dot regjimin e Ramës. Duke qëndruar dhe ndërgjegjësuar qytetarët. Na bashkon sheshi për këdo që vjen me flamurin kombëtar. Berisha të hyjë në stinën e jetës dhe sheshet t’ia lërë djemve e vajzave të PD-së. Asnjë politikan nuk duhet të jetë në qeveri tranzitore. Përparim Kabo e Tritan Kalo të merrnin përgjegjësinë kombëtare në këtë fazë të rëndësishme”.

PZAP: 66 ankesa të paraqitura për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Vetëvendosje dhe LDK me numrin më të madh

4 January 2026 at 14:30


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, janë paraqitur 66 ankesa gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Në një përgjigje për Telegrafin, PZAP ka bërë të ditur se subjektet politike që kanë paraqitur numrin më të madh të ankesave përfshijnë: Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Listën Serbe, Kosovski Savez, Za Slobodu Pravdu i Opstanak dhe Lëvizjen Përparimtare të Romëve të Kosovës.

Sa i përket natyrës së ankesave, Paneli sqaron se ato lidhen kryesisht me çështje të ndryshme gjatë procesit zgjedhor.

“Sa i përket natyrës së ankesave, kanë të bëjnë kryesisht me vendosjen e materialit promovues në hapësirë publike, shfrytëzimin e resurseve publike të institucioneve, ndikimin në votues, si dhe kundërshtimin e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ),” thuhet në përgjigjen e tyre.

PZAP ka theksuar se çdo ankesë trajtohet sipas rregullave dhe afateve të parapara me ligj, ndërsa vendimet e panelit synojnë të sigurojnë një proces zgjedhor të drejtë dhe transparent për të gjitha subjektet dhe qytetarët. /Telegrafi/

​Një person theret me thikë në Leposaviq, dy të dyshuar në arrati

4 January 2026 at 14:14


Një incident i rëndë ka ndodhur dje në Leposaviq, ku një person ka mbetur i lënduar si pasojë e therjes me thikë.

Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, viktima, ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se është therur me thikë nga dy persona të dyshuar, gjithashtu meshkuj kosovarë.

Mjekët kanë bërë të ditur se viktima ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht gjenden në arrati, ndërsa rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente policore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të dyshuarve./Telegrafi/

Protestuesit përplasen me policinë para Kryeministrisë, shtohen përforcimet në radhët e efektivëve

4 January 2026 at 13:44


Është përfshirë nga tensionet protesta e “Shqipëria Bëhet”, teksa efektivët e policisë së shtetit janë përleshur me protestuesit.

Ende nuk dihen arsyet e dhunës, por forca të shumta policia kanë shtyrë fizikisht protestuesit duke u përpjekur t’i largojnë.

Ndërkohë kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj është shprehur se efektivë të veshur civilë u kanë bërë foto protestuesve që më pas t’i arrestojnë.

“Ka civilë me xhup ‘Louis Vuitton’ që po u bëjnë foto qytetarëve për t’i arrestuar. Turp të keni, hajdutë. “Arrestoni mua, ja ku jam. Pse u bëni foto qytetarëve? Pse i frikësoni njerëzit?” tha Lapaj, përcjell A2 CNN.

Ndërkaq protestuesit kanë ngritur çadra në bulevard, përballë godinës së qeverisë.

- YouTube www.youtube.com

23 vjetori i vrasjes së Kolonelit Tahir Zemaj, Abdixhiku: Kujtesa e tij mbetet e gjallë në LDK

4 January 2026 at 13:38


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, së bashku me familjen Zemaj dhe bashkëpunëtorë, ka bërë homazhe me rastin e 23-vjetorit të vrasjes së Kolonelit Tahir Zemaj, të birit të tij Enisit dhe të Hasan Zemajt, kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së në Deçan.

Në një përvjetor të cilin e përshkruan si të dhimbshëm, Abdixhiku ka kujtuar me respekt jetën dhe sakrificën e tre figurave të shquara që, siç tha ai, ia kushtuan jetën Kosovës dhe idealit të lirisë.

“Në këtë përvjetor të dhimbshëm, kujtojmë me respekt të thellë dhe dhimbje të madhe tre burra që ia kushtuan jetën Kosovës dhe idealit të lirisë,” ka thënë Abdixhiku.

Kolonel Tahir Zemaj është përshkruar si një patriot i rrallë, ushtarak vizionar dhe strateg i luftës, i cili me guxim e mençuri udhëhoqi beteja vendimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin kundër regjimit serb, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e rezistencës.

Dhimbja për vrasjen e tyre mbetet e thellë edhe pas më shumë se dy dekadash, për shkak se autorët e këtij krimi ende nuk janë ndëshkuar.

“Ishte janari i acartë i vitit 2003, kur Kosova u trondit nga lajmi i kobshëm për ekzekutimin e Kolonelit Tahir Zemaj, të birit të tij Enisit dhe të kushëririt Hasan Zemaj… Ata u vranë pabesisht, vetëm sepse besuan dhe punuan për një Kosovë të lirë, demokratike dhe me institucione të forta”, ka theksuar Abdixhiku.

Në nderim të kujtimit të tyre, kryetari i LDK-së e ka përshkruar Kolonelin Tahir Zemaj si një figurë kyçe jo vetëm për çështjen kombëtare, por edhe për historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunimin me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova.

“Kolonel Tahir Zemaj, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, aktivist i orëve të para të LDK-së dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, mbetet simbol i sakrificës, i dinjitetit dhe i përkushtimit ndaj atdheut.”

Abdixhiku ka theksuar se dhimbja për këtë humbje vazhdon të jetë e hapur, ndërsa padrejtësia bëhet edhe më e rëndë për familjen dhe gjithë LDK-në, duke kërkuar drejtësi për viktimat.

Në fund të mesazhit, ai ka nderuar jetën dhe veprën e Kolonelit Tahir Zemaj, Enisit dhe Hasan Zemaj, duke shprehur lavdi për kontributin e tyre në lirinë dhe të ardhmen e Kosovës. /Telegrafi/

❌
❌