Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Main stream

Moti i keq në Shqipëri, si paraqitet situata e përmbytjeve në vend, qarqet më problematike

10 January 2026 at 15:58

Si pasojë e reshjeve intensive të shiut të regjistruara gjatë orëve të fundit, në disa qarqe të vendit janë evidentuar problematika të lidhura me rritjen e prurjeve në disa lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash si dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera raportohen problematika të kufizuara ose situatë e qëndrueshme.

Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën, duke evidentuar pikat me risk dhe duke marrë masa paraprake për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.

Në Qarkun Durrës janë verifikuar gjithsej 5 477 banesa, nga të cilat në 1 711 raste janë konstatuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën prezencë uji. Vijon puna për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve.

Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit ka shënuar rënie përgjithësisht në tokat bujqësore. Forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve, ku është evidentuar mungesë energjie elektrike. Niveli i lumit Drin vijon të jetë në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.

Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e disa akseve rrugore, ku janë shënuar rrëshqitje dherash, si dhe për largimin e ujit nga disa objekte.

Në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.

Në terren janë të angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, po asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente, sipas nevojave të autoriteteve vendore.

Dy favoritët në gjysmëfinalen e Kupës së Kombeve të Afrikës/ “Luanët e Atlasit” mundën 2-0 Kamerunin, në një duel të madh

10 January 2026 at 15:41

Në fushë ishin dy prej skuadrave më të forta. Maroku dhe Senegali cilësohen ndër kandidatët kryesorë për të fituar Kupën e Kombeve të Afrikës, dhe ata I respektuan parashikimet.

Sukseset përkatësisht 2-0 ndaj Kamerunit dhe 1-0 kundër Malit ishin të merituara, edhe pse të vështira. Marokenët duan të tregojnë se jo më kot janë gjysmëfinalistë në fuqi të Kupës së Botës, pasi eliminuan Spanjën e Portugalinë në Katar.

Ylli kryesor, Brahim Diaz, dhe pastaj Ismail Saibari, shënuan golat në sfidën që u luajt në shtëpinë e tyre, në stadiumin e kryeqytetit Rabat.

Ishte një duel i ashpër dhe Kameruni nuk u dorëzua për asnjë minutë. Jo më kot e mbajti topin 59 për qind, edhe pse nuk mundi ta kërcënonte portën e Marokut, madje pa pasur asnjë gjuajtje në kuadrat.

Afrikanët e veriut, që gjithashtu janë arabë, kanë yje si Bono, Hakimi, Mazraui, Saibari, Brahim Diaz apo El Kabi dhe padyshim që janë favoritë për ta fituar trofeun.

Senegali ndërkaq dominoi plotësisht ndaj Malit, edhe pse fitorja ishte vetëm 1-0.

Iliman Ndiaje ishte autori I golit të vetëm të ndeshjes në 27’, ndërsa në fund të pjesës së parë ndodhi momenti që përcaktoi edhe më shumë.

Malezët mbetën me 10 vetë pasi Bisuma doli nga loja me të kuqe.

Ata që cilësohen “Luanët e Terangës” nuk patën nevojë për dhurata të tjera dhe patën epërsi të theksuar në stadiumin e Tanzhierit.

Plot 18 gjuajtje drejt portës dhe 9 në kuadrat ndaj vetëm një të rivalit.

Senegalezët kanë 16 ndeshje radhazi pa humbje në Kupën e Kombeve të Afrikës, duke qenë të dytët në historinë e këtij konkurrimi pas Egjiptit që ia doli për 24 sfida në vitet 2004-2007.

Kurbin, tërhiqet uji në Adriatik/ Kryeplaku: Do të nisin vlerësimet e dëmeve

10 January 2026 at 15:35

Uji ka nisur të tërhiqet nga fshati Adriatik i Kurbinit. Situata po shkon drejt stabilizimit sidomos pas izolimit të argjinaturës së lumit Drojë ditën e djeshme.

Ndërkohë që hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë  duke bërë që niveli i ujit të ulet me 30-40 cm. Gjergj Çuli ish-specialist i pompave të hidrovorëve në Adriatik thotë se reshje me kaq intensitet janë të rralla, në Kurbin.

Pjetër Preni kryeplaku i fshatit Adriatik thekson se do të nisë edhe vlerësimi I dëmeve si në tokë bujqësore po ashtu edhe në bagëti

Gjatë kësaj jave si rezultat i reshjeve të dendura, disa fshatra në Kurbin u përmbytën, banesat  u rrethuan nga uji, duke krijuar situatë të vështirë për banorët.

Durrës, tërhiqet Erzeni/ Dëme të mëdha në shtëpi e toka në Jubë dhe Katund të ri

10 January 2026 at 15:25

Lumi Erzen është rikthyer në shtratin e tij dhe pak e nga pak uji po tërhiqet nga zonat e përmbytura në njësinë Administrative Sukth dhe Katund i Ri. Situata duket drejtë përmirësimit por dita për t’u rikthyer jetës së përditshme për banoret e prekur nga përmbytja duket shume e largët. Tërheqja e ujit në zonën e Sukthit dhe të Katundit te Ri ia ka lënë vendin mbetjeve dhe baltës.

Banesa të përmbytura me prani uji ka vetëm në zonën e Ish -Kënetës, ku dhjetëra shtëpi e objekte janë ende nën pushtetin e përmbytjeve.

Banoret e ish-Kënetës kanë nevojë për ndihmën e autoriteteve për largimin e ujit nga shtëpitë dhe oborret e tyre.

Nga të dhënat e deritanishme përmbytja përfshiu të paktën 4 mijë banesa e objekte, ndërsa janë evakuuar mbi 850 banoreve, pasi shtëpitë e tyre ishin të pabanueshme. Strukturat e Bashkisë dhe ato të strukturave operacionale të emergjencave ndodhen në terren dhe po e ndjekin situatën. Plote 508 specialiste te ndare ne grupe pune janë në terren për t’u ardhur ne ndihme banoreve të cilët kanë nevojë. Aktualisht po punohet edhe me vlerësimin e dëmeve.

Pas përmbytjes, vjen balta/ Banorët bëjnë bilancin e dëmeve në shtëpi e toka

10 January 2026 at 15:18

Furia e Vjosës dy ditë më parë ka lënë pas shkatërrim. Thasë me rërë në oborret e shtëpive, inerte në anë të rrugëve dhe banorët që përpiqen të bëjnë sërish të banueshme shtëpitë e tyre.

Në një nga rrugët e Ferrasit, Pëllumb Tetenaj 84 vjeç, një ish-zetorist qëndron i vetëm në të ftohtë, në hyrje të banesës së tij.

“Pres nipin … të më pastrojë të paktën kuzhinën… kam fjetur të kunati.. Kam fjetur në makinë … kjo përmbytje ishte e madhe”, tha ai.

Përtej shkatërrimit të orendive dhe pajisjeve, përmbytja e 8 Janarit ka lënë pas edhe tronditje të thellë psikologjike. Flora Sulejmani, rrëfen tmerrin që përjetoi, me bashkëshortin invalid, teksa në pak minuta uji vërshoi brenda shtëpisë. Nuk kishte kohë as të merrte telefonin, ndaj kërkoi ndihmë duke fikur dhe ndezur një elektrik dore.

Pajisjet dhe orenditë shtëpiake janë dëmtuar tërësisht, në banesat një katëshe. Pjesa më e madhe e tyre janë blerë te reja, pas përmbytjeve të vitit 2017.

Në terren ndodhen automjete dhe efektivë zjarrfikës për pastrimin e baltës nga banesat e përmbytura.

Në Ferras gjatë vërshimeve të Vjosës u përmbytën 75 banesa, disa banesa të tjera u përmbytën në Çerven dhe Kashisht. Në Rromës të Mallakastrës u evakuua një familje pas daljes së Vjosës nga shtrati. Gjithsej në këtë përmbytje nga Vjosa, u evakuuan 7 familje, pjesa më e madhe në Ferras.

Dëmet nga përmbytjet po inventarizohen nga komisionet e verifikimit. Bilanci paraprak i përmbytjeve  flet për mbi 700 ha tokë bujqësore nën ujë dhe afërsisht 100 shtëpi të përmbytura në Ferras, Çerven, Kashisht, Adë dhe Rromës.

Vjosa kthehet në shtrat/ Nënkalimi i Bishanit ende me ujë, por kalohet me mjete të vogla

10 January 2026 at 15:11

Lumi Vjosa është rikthyer gradualisht në nivele normale, pas rritjes së prurjeve të ditëve të fundit që sollën përmbytje në disa zona, teksa niveli ka shkuar ne 5,5 metra. Sipas informacioneve më të fundit nga terreni, uji është tërhequr nga banesat në fshatin Bishan, duke lehtësuar situatën për banorët e zonës.

Megjithatë, në disa banesa dhe në hapësirat përreth tyre ende ka prezencë të ujit, kryesisht në oborre dhe toka përreth, çka vijon të krijojë vështirësi për banorët.

Problem mbetet edhe nënkalimi i Bishanit, ku ka ende ujë të grumbulluar, por pavarësisht kësaj, rruga është e kalueshme dhe qarkullimi i automjeteve nuk është ndërprerë.

Banorët shprehen se situata është përmirësuar krahasuar me ditët e mëparshme, por tashmë janë në pritje të procesit të evidentimit të dëmeve, veçanërisht në tokat bujqësore që janë përmbytur për disa ditë me radhë. Sipas tyre, sipërfaqe të konsiderueshme toke janë dëmtuar, duke rrezikuar prodhimin bujqësor dhe të ardhurat e familjeve të zonës

Ndërkohë, autoritetet vendore pritet të vijojnë monitorimin e situatës dhe të nisin verifikimet në terren për të vlerësuar dëmet e shkaktuara, si dhe për të marrë masat e nevojshme në ndihmë të banorëve të prekur.

Aktori i njohur turk, arrestohet për trafik droge

10 January 2026 at 14:59

Aktori i famshëm turk, Can Yaman është arrestuar në Turqi si pjesë e një hetimi mbi trafikimin dhe përdorimin e drogës midis personazheve të njohur, gazetarëve dhe personazheve VIP në Stamboll, sipas rainewsofficial.

Yaman, shumë i njohur në Itali për rolet e tij kryesore në disa seriale televizive të suksesshme, përfshirë “Sandokan” të kohëve të fundit, por edhe për njohuritë e tij të thella të gjuhës italiane, u arrestua mbrëmë së bashku me gjashtë persona të tjerë, përfshirë aktoren Selen Gorguzel.

Yaman u gjet me disa doza droge me vete. Të shtatë të arrestuarit tani po i nënshtrohen një sërë testesh në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar nëse, kur dhe çfarë droge kishin konsumuar.

Policia kontrolloi nëntë klube të ndryshme nate në metropolin e Bosforit mbrëmë duke arrestuar disa tregtarë dhe menaxherët e lokaleve ku shiteshin narkotikë.

Në javët e fundit, si pjesë e të njëjtit hetim, më shumë se 20 personalitete, personazhe të famshëm dhe gazetarë janë kapur nga policia.

Hetimi ka të bëjë me akuzat për “posedim droge ose stimuluesish për përdorim personal”, “lehtësim të përdorimit të drogës” dhe “inkurajim të një personi për t’u angazhuar në prostitucion, lehtësim të një praktike të tillë ose ndërmjetësim ose sigurim të një vendi për prostitucion”.

Protestat e dhunshme në Iran/ Spitalet të mbingarkuara nga numri i madh i të plagosurve gjatë përplasjeve

10 January 2026 at 14:42

Spitalet në Iran po përballen me mbingarkesë të rëndë, ndërsa protestat antiqeveritare vazhdojnë në shumë qytete të vendit, sipas BBC.

Një mjek dhe një punonjës shëndetësor në dy spitale të ndryshme thanë se numri i të plagosurve është rritur ndjeshëm, duke vënë sistemin shëndetësor nën presion ekstrem.

Sipas një mjeku nga Teherani, spitali kryesor oftalmologjik i kryeqytetit ka hyrë në gjendje krize, me shërbimet emergjente të tejmbushura.

“Janë pezulluar ndërhyrjet jo urgjente dhe stafi shtesë është thirrur për të përballuar fluksin e pacientëve”, tha një zyrtar.

Një tjetër punonjës shëndetësor nga qyteti Shiraz raportoi se spitali i tij nuk kishte mjaft kirurgë për të trajtuar të plagosurit që po silleshin vazhdimisht.

Protestat, që nisën më 28 dhjetor, janë shtrirë në dhjetëra zona në të gjithë Iranin.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut raportojnë se dhjetëra protestues kanë humbur jetën, përfshirë edhe fëmijë, ndërsa mijëra persona janë arrestuar.

EMRI/ I dënuar me 6 vite burg, ekstradohet nga Gjermania 51-vjeçari

10 January 2026 at 14:04

Në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua ekstradimi nga Gjermania drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Sokol Ndreka, 51 vjeç.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vite burgim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Përmbledhje e ngjarjes:

Më datë 31.10.2022, në rrugën dytësore Tiranë–Durrës, janë kapur në një automjet 15 shtetas të huaj (emigrantë të paligjshëm).

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Sokol Ndreka ishte i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të emigrantëve.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden/Gjermani, u bë i mundur arrestimi i tij në Gjermani, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Përroi në fshatin Guri i Kuq del nga shtrati, probleme në aksin Pogradec-Qafë Thanë

10 January 2026 at 13:37

Vijon problematika e vërshimit të ujërave dhe inerteve në aksin nacional Pogradec–Qafë Thanë, pranë zonës së Gurit të Kuq.

Situata lidhet me daljen nga shtrati të përroit pranë fshatit Gur i Kuq, një problematikë e evidentuar edhe dy ditë më parë.

Si pasojë e reshjeve të dendura, uji dhe aluvionet kanë dalë mbi rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve, i cili aktualisht kryhet vetëm në një korsi.

Theu masën e sigurisë dhe tentoi t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit/ Arrestohet Alma Bime, drejtoreshë e Emigracionit në Ministrisë së Brendshme

10 January 2026 at 13:15

Është arrestuar Alma Bime, 43- vjeçe drejtoreshe e Emigracionit në Ministrisë së Brendshme.

Bime dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” si dhe ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit.

Drejtoresha e Ministrisë së Brendshme, Alma Bime, u shoqërua ne dhjetor nen dyshimet për kanosjen e një të huaji përmes mesazheve dhe djegien e orendive shtëpiake të ish-bashkëjetuesit të saj, Mareglen Tomori, në banesën që ndodhet në rrugën “Hysen Xhura” në Kinostudio.

Flakët te tregu te “5 Maji”/ Reagon Policia: Dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental

10 January 2026 at 13:07

Policia e Tiranës ka reaguar për zjarrin që përfshiu tregun e rrobave te “5 Maji” në Tiranë.

Sipas policisë, dyshohet se zjarri ka rënë si pas një shkëndije elektrike, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale.

“Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

Rrëshqet masivi shkëmbor në aksin Kuc-Qeparo, punonjësit e bashkisë ndërhyjnë për pastrimin e rrugës

10 January 2026 at 13:02

Në aksin rrugor Kuc–Qeparo ka pasur rrëshqitje të masivit shkëmbor, e cila ka bllokuar këtë aks për disa ore.

Ndërkohë, punonjësit e Bashkisë me mjetet e tyre kanë bërë të mundur hapjen e një krahu të rrugës, duke lejuar qarkullimin e pjesshëm.

Aktualisht po punohet për hapjen totale të aksit rrugor. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitjen e këtij masivi malor, duke bllokuar rrugën.

Britani/ Një i vdekur nga stuhia “Goretti”, 28 000 familje pa energji elektrike

10 January 2026 at 12:46

Një burrë është gjetur i vdekur sot pasi një pemë ra mbi makinën e tij në jug të Kornuollit, pas kalimit të stuhisë “Goretti”, e cila ka lënë ende dhjetëra mijëra familje pa energji elektrike në Britaninë e Madhe.

Stuhia përfshiu vendin natën nga e enjtja në të premte, me erëra që arritën 160 kilometra në orë në jugperëndim të Anglisë dhe në Uells, si dhe me reshje të dendura dëbore, akull dhe shi dje në Skoci, Uells, Irlandën e Veriut dhe në veri të Anglisë, duke shkaktuar shumë ndërprerje dhe probleme.

Policia e rajonit Kornuoll dhe Devon, në jugperëndim të Anglisë, njoftoi sot vdekjen e një burri në qytetin Helston, i cili u gjet nga shërbimet e emergjencës në makinën e tij, mbi të cilin kishte rënë një pemë të enjten.

“Operacionet u kryen në vendngjarje (të premten) për të hequr pemën në mënyrë të sigurt dhe (…) fatkeqësisht, një burrë rreth të pesëdhjetave u gjet i pajetë brenda makinës”, tha policia lokale në një deklaratë.

Pjesa më e madhe e Britanisë së Madhe vazhdon të jetë nën paralajmërim të verdhë për dëborë dhe ngrica sot, sipas agjencisë kombëtare të meteorologjisë Met Office, në Skoci dhe në veri të Anglisë, ku akulli mund të shkaktojë “çrregullime”.

Rreth 28 000 familje ishin ende pa energji elektrike sot në mëngjes në jugperëndim të Anglisë dhe në rajonin e Midlands, sipas të dhënave më të fundit të operatorit të rrjetit National Grid.

VIDEO/ Izolohet fshati Bashaj, rrëshqitje masive të tokës në Selenicë, bllokohet rruga në disa zona

10 January 2026 at 12:31

Mbetet e bllokuar rruga nga fshati Matogjin drejt Bashaj në bashkinë Selenicë.

Si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit rrëshqitjet e dherave kanë vijuar duke bllokuar totalisht fshatin Bashaj.

Pritet që emergjencat të vlerësojnë situatën dhe të ndërhyjnë për t’ju ardhur në ndihmë banorëve.

 

VIDEO/ Prurje të rrëmbyeshme të lumenjve në Mirditë, tokat bujqësore nën ujë, rrezikohet linja elektrike

10 January 2026 at 11:58

Prurjet e rrëmbyeshme të lumenjve Fan i Vogël dhe Zmeja në Mirditë kanë shkaktuar probleme të shumta ditët e fundit, duke sjellë gërryerje të tokës dhe rrezik për infrastrukturën.

Lumi Fan i Vogël ka marrë sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore, ndërsa paraqet rrezik edhe për linjën elektrike, duke iu afruar ndjeshëm rrugës. Ndërkohë, nga ana tjetër, lumi Zmeja rrezikon furnizimin me ujë të qytetit, pasi tubi i ujësjellësit ka mbetur i varur në ajër, në mes të shtratit të lumit, si pasojë e gërryerjes.

Sipas kryebashkiakut të Mirditës, Albert Melyshi, situata është e rënduar dhe kërkon mbështetjen e Emergjencave Civile për të frenuar përkeqësimin e mëtejshëm të saj.

Lumi Fan i Vogël devijoi rrjedhën dhe dy ditë më parë dëmtoi linjën elektrike, e cila më pas u zëvendësua nga OSHEE. Ky fenomen po përsëritet vazhdimisht në të dy këta lumenj, sa herë që prurjet bëhen të mëdha.

Si skenë filmi/ “Thash të shpëtojmë kokat”, e moshuara në Fier: Sinjalizuam SOS me prozhektor. Gjithçka ndodhi për 5 minuta

10 January 2026 at 11:52

Të shumtë janë banorët në Fier që janë përballur me problematika si pasojë e përmbytjeve që prekën vendin. Banorët tregojnë të prekur vështirësitë që përjetuan nga përmbytjet.

Një histori vjen nga një qytetare në Fier, e cila rrëfen e prekur se ndodhej në një situatë të vështirë me burrin invalid në banesë.

Ajo tregon se sinjalizuan efektivët e policisë me prozhektor, dhe se menjëherë i erdhën në ndihmë.

Unë nuk ngrija dot tim shoq njëherë. Mora prozhektorin i bëra sinjal policëve, erdhën. “Zonjë si e ke hallin”, i thashë për burrin që nuk lëvizin, më ndihmuan, lajmëruan ambulancën. E morën por si  e nxorën moj bijë se është pak i shëndoshë, është bërë plagë. 6 çuna erdhën që e morën e nxorën. Uji erdhi shumë shpejt nuk kishim mundësi të bënim asgjë, gjithçka ndodhi shumë shpejt as 5 minuta. Nuk kishe mundësi të lëvizje, vetëm thashë të shpëtojë koka. Unë tremba për tim shoq më shumë. Për jetën e tij u tremba më shumë se nuk ngrija dot tim shoq njëherë. Erdhën ata çunat që ua bëftë Zoti hallall atyre, edhe policëve”, treguar ajo.

VIDEO/ ‘Zbardhet’ Llogaraja, reshjet e borës përfshijnë zonën, autoritet apel për përdorimin e gomave të dimrit

10 January 2026 at 11:28

Reshjet e dëborës kanë vijuar edhe gjatë natës në Llogara. Në rrugë vijojnë të ketë edhe ngrica.

Rruga është e kalueshme, por bëhet apel që drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes dhe të përdorin zinxhirë ose gomat e dimrit.

 

❌
❌