TEHERAN, 13 janar /ATSH/ – Iranianët arritën të telefononin sot për herë të parë jashtë vendit, pasi komunikimet u ndërprenë gjatë një goditjeje të ashpër ndaj protestave mbarëkombëtare, në të cilat aktivistët thonë se janë vrarë mijëra persona, sipas AP.
Disa banorë të Teheranit kontaktuan dhe folën me një gazetar në Dubai.
Megjithatë, ata nuk arrinin të telefonoheshin sërish nga ata numra. Dëshmitarët thanë se mesazhet SMS vazhdonin të ishin jashtë funksioni dhe se përdoruesit e internetit në Iran mund të hynin vetëm në faqet e miratuara nga qeveria brenda vendit, por jo në faqe jashtë Iranit.
Dëshmitë ofruan një pamje të shkurtër të jetës në rrugët e kryeqytetit iranian gjatë katër ditëve e gjysmë izolim nga bota. Ata përshkruan një prani të madhe të forcave të sigurisë në qendër të Teheranit.
Policia, e pajisur me helmeta, jelekë mbrojtës, shkopinj, mburoja, armë gjahu dhe lëshues gazi lotsjellës, ishte vendosur në kryqëzime kryesore. Afër tyre, dëshmitarët panë anëtarë të forcës vullnetare Basij të Gardës Revolucionare, gjithashtu të armatosur. Edhe agjentë civilë të sigurisë ishin të dukshëm në hapësira publike.
Sipas dëshmitarëve, disa banka dhe zyra qeveritare u dogjën gjatë trazirave. Bankomatë u shkatërruan dhe bankat patën vështirësi në kryerjen e transaksioneve për shkak të mungesës së internetit.
Megjithatë, dyqanet ishin të hapura, edhe pse qarkullimi i njerëzve ishte i ulët. . Një dëshmitar tha se shumë tregtarë pohuan se forcat e sigurisë i kishin urdhëruar të rihapnin dyqanet pa kushte, megjithëse media shtetërore iraniane nuk e ka pranuar një urdhër të tillë.
Dëshmitarët folën në kushte anonimiteti nga frika e ndëshkimeve
Shumë banorë mbeten të shqetësuar për një sulm të mundshëm ushtarak nga SHBA-ja, edhe pse presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani dëshiron të negociojë.
“Klientët e mi flasin për reagimin e Trumpit dhe pyesin nëse ai planifikon një sulm ushtarak ndaj Republikës Islamik”, tha Mahmoud, një tregtar që dha vetëm emrin e parë për arsye sigurie. “Nuk pres që Trump apo ndonjë vend tjetër i huaj të shqetësohet për interesat e iranianëve”.
Një shofer taksie, Reza, tha se protestat mbeten temë kryesore për shumë njerëz.
”Njerëzit, sidomos të rinjtë, janë të pashpresë, por flasin për vazhdimin e protestave”, tha ai.
Ndërkohë, duket se shërbimet e sigurisë po kërkojnë terminalë të “Starlink”.
Banorë të veriut të Teheranit raportuan se autoritetet po bastisnin ndërtesa apartamentesh me antena satelitore. Edhe pse antenat satelitore janë të ndaluara, zbatimi i ligjit ishte zbutur vitet e fundit.
Në rrugë, qytetarët shiheshin duke kundërshtuar agjentë civilë që ndalonin kalimtarë në mënyrë të rastësishme.
Televizioni shtetëror njoftoi gjithashtu se shërbimet mortore dhe morgjet janë falas, një sinjal se disa institucione mund të kenë kërkuar tarifa të larta për dorëzimin e trupave gjatë goditjes nga ana e policësë.
Irani thotë se ka komunikuar me Uashingtonin
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një intervistë për ”Al Jazeera”, tha se komunikimi me të dërguarin amerikan Steve Witkoff ka vazhduar para dhe pas protestave.
“Komunikimet vazhdojnë, por idetë dhe kërcënimet e propozuara nga Uashingtoni janë të papajtueshme”, tha ai.
Shtëpia e Bardhë deklaroi se retorika publike e Iranit ndryshon nga mesazhet private të marra nga Teherani ditët e fundit.. Presidenti ka interes t’i shqyrtojë këto mesazhe, por nuk heziton të përdorë opsione ushtarake nëse e sheh të nevojshme”, tha zëdhënësja Karoline Leavitt
Ndërkohë, demonstrues proqeveritarë dolën në rrugë në mbështetje të regjimit, duke brohoritur slogane si “Vdekje Amerikës!” dhe “Vdekje Izraelit!”. Prokurori i Përgjithshëm iranian ka paralajmëruar se protestuesit do të konsiderohen “armiq të Zotit”, një akuzë që mund të çojë në dënim me vdekje.
Trump vendos tarifa ndaj partnerëve tregtarë të Iranit
Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se vendet që bëjnë biznes me Iranin do të përballen me tarifa 25% nga SHBA-ja, me efekt të menjëhershëm. Ai e paraqiti këtë si një masë ndëshkuese për goditjen ndaj protestave.
Brazili, Kina, Rusia, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndër vendet që kanë marrëdhënie tregtare me Teheranin.
Mbi 10 700 persona janë arrestuar gjatë dy javëve të protestave.
Me internetin e ndërprerë, vlerësimi i situatës nga jashtë mbetet i vështirë dhe nuk është e mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur bilanci i viktimave./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post KOMENT – Irani në protesta, izolim dhe presion ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.