Një adoleshent nga Kumanova ka montuar dhe publikuar foto me përmbajtje eksplicite të një të miture, policia e ka arrestuar dhe ndaj tij do të ngrihet kallëzim.
“Dje në ora 15:20, zyrtarë policorë nga SPB Kumanovë kanë privuar nga liria një 16-vjeçar nga Kumanova, duke vepruar pas një denoncimi paraprak se në rrjetet sociale kishte publikuar foto të montuara me përmbajtje eksplicite të një të miture”, njoftoi Policia.
Ai është shoqëruar në stacion policor dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të pasojë kallëzim përkatës./TV21/
"Venko Filipçe nuk po refuzon vetëm një takim udhëheqësish, por Filipçe po refuzon dialogun dhe një dorë ndihme për të ndërtuar një konsensus politik për interesat e shtetit", thuhet në reagimin e OBRM-PDUKM-së pasi LSDM hodhi poshtë thirrjen për t'u ulur në të njëjtën tryezë me kryeministrin Hristijan Mickoski.
"Ai interesohet për reformat në gjyqësor, sigurinë, lirinë e shprehjes dhe përparimin e shtetit. Në të ashtuquajturin brifing të sotëm me gazetarët, Filipçe konfirmoi se është i interesuar vetëm për vendin e tij partiak në LSD, të cilin e ruan me besnikëri për mentorin dhe mikun e tij besnik nga partitë e çmendura në Dubai dhe Halkidiki.
Ne e kuptojmë pse ai është kundër reformave në gjyqësor dhe prokurori. Sepse është i frikësuar deri në palcë nga spastrimi i kuadrove të zgjedhura nga "Bihaçka" që e mbrojnë atë nga përgjegjësia për krimin e komisionit 20% për spitalet modulare, i cili në Tetovë merr jetën e 14 personave të djegur të gjallë vetëm në dy minuta", thuhet në reagimin e OBRM-PDUKM-së./Telegrafi/
Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, njofton se inflacioni në Maqedoni do të ulet në 2.5% këtë vit, dhe më pas do të kthehet gradualisht në mesataren historike prej rreth 2%.
Ndërsa Banka Popullore pret stabilizim të çmimeve, Enti Shtetëror i Statistikave në raportin e saj të fundit për dhjetorin 2025 tregon se kostoja e jetesës është rritur me 4.1% brenda një viti.
Sipas Sllaveskit, ekonomia vendase deri më tani ka treguar qëndrueshmëri ndaj rreziqeve globale dhe trendet pozitive do të vazhdojnë edhe këtë vit.
Një rol të rëndësishëm, thotë ai, do të luajnë investimet publike në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, si dhe projektet lokale të infrastrukturës.
"Ne presim një rimëkëmbje të fortë të ekonomisë, të nxitur nga investimet publike dhe private, veçanërisht në sektorët e prodhimit dhe energjisë.
Një shtysë shtesë do të jepet nga fluksi i investimeve të huaja direkte", tha guvernatori në një deklaratë për revistën "Ekonomia dhe Biznesi"./Telegrafi/
Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski nuk do t'i kërkojë falje prokurores Lençe Ristovska me arsyetimin se nuk ja ka përmendur emrin e saj në intervistë.
Në përgjigjen ndaj pyetjes së “Sloboden Peçat” drejtuar Qeverisë, nëse Mickoski do t’i kërkojë falje Ristoskas pasi e quajti “mediokre” dhe pasi e mbështeti konstatimin e gazetares, e cila tha se Ristoska është pjesë e një “matrice klienteliste-politike”, si dhe nëse kjo paraqet presion ndaj saj që të zhbllokojë pasurinë e partisë dhe të heqë dorë nga ndjekja penale, nga Qeveria thanë se është e çuditshme se si Ristoska e ka njohur veten në atë intervistë.
“Në lidhje me pyetjen tuaj gazetareske, ju informojmë se kryeministri Hristijan Mickoski në intervistë nuk e ka përmendur Lençe Ristoskan me emër dhe mbiemër. Ai ka folur për mediokritete dhe është e çuditshme se si Lençe Ristoska u vetë-njoh në atë intervistë” thuhet në përgjigjen e shkurtër të Qeverisë.
Prokurorja kërkoi nga Mickoski falje publike pas intervistës së tij për “vecer.mk”, ku Mickoski foli se pas ndryshimeve në Kodin Penal të propozuara nga deputetë të OBRM-PDUKM-së, më zëshëm kishin reaguar disa individë nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP).
Reshje të kohëpaskohshme të shiut dhe borës në viset më të ulëta dhe borë në viset më të larta dhe në male do të ketë nesër paradite, kur do të fryjë erë e matur deri e përforcuar jugore, mbi 60 kilometra në orë. Pasdite reshjet do të jenë vetëm me borë.
“Për shkak të zbritjes së masës më të ftohtë ajrore nga veriu, pasdite dhe gjatë natës reshjet çdokund do të jenë vetëm me borë. Reshje më të rrëmbyeshme do të ketë në pjesët perëndimore, me ç’rast shtresa e borës në male do të rritet për 20 cm, ndërsa në vendet e tjera prej 5 deri 10 centimetra”, kumtoi Drejtoria për punë hidrometeorologjike.
Sipas parashikimit të DPHM-së, reshje lokale të borës do të ketë edhe të dielën, kur do të fryjë erë e përforcuar veriore, që do të vazhdojë të fryjë edhe të hënën. Nga fillimi i javës së ardhshme vende-vende temperaturat e mëngjesit do të zbresin edhe nën -10 gradë, ndërsa të ditës do të përqendrohen nën zero.
Në Shkup nesër paradite do të ketë reshje të kohëpaskohshme të shiut dhe borës, të cialt pasdite dhe gjatë natës do të jenë vetëm me borë. Reshje lokale të borës do të ketë edhe të dielën, kur do të fryjë erë e përforcuar veriore.
Partia "E Majta" është në favor të shfuqizimit të të ashtuquajturës qeveri e "Pëzhinos" dhe zëvendësministrave shtesë të panevojshëm me të drejtë vetoje, sepse beson se është e pakuptimtë dhe është shndërruar në një mjet për pazarllëqe ndërpartiake.
“Qeveria teknike funksionon si një fasadë dhe shëmbëlltyrë e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike dhe pluralizmit, pas së cilës vazhdon pabarazia thelbësore politike, selektiviteti dhe censura.
Prandaj, heqja e qeverisë teknike është e pranueshme për ne vetëm nëse shkon krah për krah me reforma demokratike reale, jo deklarative.
Si fillim, futja e një njësie të vetme zgjedhore, si e vetmja mënyrë që çdo votë të jetë po aq e vlefshme”, thuhet në deklaratën e "Të Majtës".
Kushti i dytë i vendosur nga kjo parti është “heqja e censurës politike dhe sigurimi i aksesit të barabartë në përfaqësimin mediatik për subjektet politike”./Telegrafi/
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi sot se nëse shpallen zgjedhje, LSDM-ja do të marrë pjesë në to dhe do të luftojë me të gjitha mjetet demokratike, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai shpjegoi gjithashtu vendimin e tij për të mos pranuar një takim udhëheqësish me kryeministrin Hristijan Mickoski.
"Nuk ka takim për qeverinë teknike. Është vija e fundit e mbrojtjes kundër abuzimit të plotë të vullnetit të lirë të qytetarëve në procesin zgjedhor. Qeveria teknike, e cila është e vetmja mundësi për zgjedhje të drejta dhe demokratike, nuk duhet të shfuqizohet. Ata nuk e duan sepse kur të hyjë një ministër nga opozita, krimet dhe abuzimet e mëparshme do të zbulohen sinqerisht. Ne e kemi deklaruar qartë se së pari bëhet fjalë për zgjedhje, dhe pastaj për emigrantë për para", tha Filipçe.
Kryetari i LSDM-së thotë se do të mbështesin të gjitha ligjet reformuese në Kuvend, por informon se kryeministri Hristijan Mickoski nuk ka pranuar asnjë nga sugjerimet e tyre që ia dhanë Ministrisë së Drejtësisë nga grupi i tyre i ekspertëve./Telegrafi/
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se dy persona nga Shkupi të moshës 30 vjeçe janë gjetur të vdekur në një shtëpi fundjave në Gjonovicë të Epërme të Gostivarit.
Nga SPB-Tetovë thonë se trupat e personave në të ndjerë janë dërguar për autopsi.
“Më datë 08.01.2026, në orën 23:45, në DPB Gostivar është denoncuar se në një shtëpi pushimi (vikendi) në fshatin Gjonovicë e Epërme të Gostivarit, janë gjetur të vdekur personat T.J. (30) dhe I.N. (30), të dy nga Shkupi.
Mjeku ka konstatuar vdekjen pa gjurmë dhune, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupat e të ndjerëve janë dërguar për obduksion.
Ekspertizë në vendin e ngjarjes kanë kryer prokurori publik dhe ekipi i inspektimit nga SPB Tetovë”, thonë nga SPB-Tetovë.
Një banor i Dibrës humbi jetën dje kur ra nga një ndërtesë banimi në ndërtim e sipër, ku po kryente detyra pune.
Ai vdiq nga plagët e rënda që mori gjatë rrugës për në Spitalin e Përgjithshëm me aktivitete të zgjeruara në Dibër.
Siç raportoi Policia e Ohrit, rreth orës 11:35, DPB Dibër mori një njoftim nga Shërbimi i Mjekësisë së Shpejtë se K. S. (40) nga Dibra kishte vdekur gjatë rrugës për në spital.
Një prokuror publik dhe një inspektor pune shkuan në vendngjarje, ndërsa një ekip nga Departamenti i Punëve të Brendshme Dibër kreu një inspektim.
Sipas informacioneve nga banorët e Dibrës, bëhet fjalë për bashkëqytetarin e tyre i cili ka punuar në vendosjen e dyerve dhe dritareve në ndërtesë.
Ministria e Financave njofton se është realizuar pagesa e transhesë së re nga buxheti në vlerë prej 424.9 milionë denarëve ose 6.9 milionë eurove ndaj Bankës Zhvillimore për përkrahjen e kompanive vendore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
"Me pagesën e kësaj transheje, përkrahja e përgjithshme e shtetit ndaj ekonomisë vendore arrin në 13.8 miliardë denarë ose 224.3 milionë euro nga mjetet e përgjithshme prej 250 milionë eurove të planifikuara për përkrahjen e kompanive vendore. Qeveria i siguroi këto mjete përmes linjës kreditore nga Banka Hungareze Eksport-Import, për përkrahjen e ekonomisë vendore.
Përkrahja përfshin plasimin e mjeteve me kushte të favorshme për kompanitë në drejtim të realizimit të investimeve private, me ç’rast ato do të sigurojnë zhvillimin e tyre dhe nxitjen e rritjes ekonomike. Mjetet janë plasuar te shfrytëzuesit e fundit përmes bankave afariste, ku norma e interesit është 1.95% në nivel vjetor, afati i shlyerjes 15 vjet dhe periudha grejs 3 vjet.
Buxheti i përgjithshëm për përkrahjen e kompanive vendore të parapara me buxhetin është 250 milionë euro, ndërsa vlera e ciklit investues vlerësohet të jetë rreth 300 milionë euro", thuhet në njoftimin e MF./Telegrafi/
Këshilli i Prokurorëve Publikë hap një procedurë pas raportimit të prokurores Lençe Ristoska për kryeministrin Hristijan Mickoski, pasi ai e quajti publikisht atë “mediokre” dhe pjesë të një “matrice klienteliste-politike”, ndërsa ajo reagoi se deklarata të tilla ushtrojnë presion dhe shkelin pavarësinë në punën e saj.
Kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi, në një deklaratë të shkurtër për “Sloboden Peçat” konfirmoi se sot e kanë marrë njoftimin dhe do të veprojnë sipas Rregullores së miratuar për Sigurimin dhe Garantimin e Pavarësisë së Prokurorëve Publikë, përkatësisht do të formojnë një Komision i cili do të duhet të nxjerrë përfundime.
Rregullorja u miratua në nëntor të vitit të kaluar dhe sipas saj, nëse përcaktohet se një ngjarje e caktuar i plotëson elementët ligjorë të të qenit krim, iniciohet një procedurë para prokurorisë kompetente.
"Një shkelje e jashtme e pavarësisë është çdo veprim i personave jashtë prokurorisë publike dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë që kërcënon integritetin profesional të prokurorëve publikë dhe mund të vlerësohet si shkelje e kryerjes së pavarur, të përgjegjshme, të ligjshme, të paanshme dhe objektive të funksionit të prokurorisë publike", thuhet në Rregullore.
Këshilli formon një komision prej tre anëtarësh, i cili mund të mbledhë të dhëna dhe informacione për të përcaktuar rrethanat. Komisioni mund të thërrasë prokurorin për të sqaruar akuzat dhe mund t'i kërkojë Mickoskit të japë një deklaratë me shkrim ose me gojë./Telegrafi/
Për shkak të përmbytjeve që kanë goditur pjesë të vendit si pasojë e reshjeve të shiut, në Koçan dhe Ohër po ndërhyhet me mekanizëm për shkak të daljeve të lumenjve nga shtrati. Në rajonin e Shkupit nuk ka shqetësime të veçanta lidhur me reshjet, ndërsa në Tetovë janë raportuar rrëshqitje të dheut në rrugët lokale, njoftoi mëngjesin e sotëm Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Nga QMK theksojnë se në Komunën e Koçanit është vërejtur rritje e konsiderueshme e nivelit të lumenjve dhe kanaleve në pjesën e fushës: Lumi i Koçanit ka pasur përmbytje lokale pranë fshatit Gorni Podlog, ku autoritetet ndërhyn me mekanizim; lumi Zrnovskë ka dalë nga shtrati para derdhjes në lumin Bregallnica, ndërsa lumi Orizar ka dalë nga shtrati pranë fshatit Gërdovci, ku gjendja është më kritike.
Janë përmbytur disa bodrume të shtëpive pranë lumit. Ujësjellësi Bregalnica ndërhyn me mekanizim të rëndë, ndërsa MPB ka ndaluar qarkullimin e mjeteve motorike në hyrjen veriore të fshatit. Lumi Zletovska dhe lumi Bregalnica kanë nivel të rritur, por për momentin nuk ka përmbytje. Niveli i ujit në burimet e sipërme po stabilizohet dhe ka tendencë të ulet, ndërsa në rrjedhat e mesme dhe të poshtme gjendja mbetet kritike.
Në rrugën Maqedonska Kamenicë – miniera SASA, për shkak të rrëshqitjes së dheut, qarkullimi bëhet me një korsi për rreth 200 metra. Në Probishtip, për shkak të daljes së lumit Kiselica në rrugën F. Neokazi – F. Petrishinë, qarkullimi është i vështirësuar. Në rajonin e Shkupit nuk ka shqetësime të veçanta lidhur me reshjet e shiut.
Në Ohër, është mbajtur takim i Shtabit Emergjent të Komunës, me vendim që të vihen në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe materiale. Lagjja Daljan është përmbytur për shkak të daljes së lumit Dalja. Ekipe me mekanizim të rëndë po drejtojnë ujin drejt liqenit, ndërsa me pompa bëhet zbrazja e bodrumeve, oborreve dhe objekteve të biznesit. Përmes numrit 112 janë pranuar shumë ankesa nga kjo zonë. Probleme janë regjistruar edhe në lumin Koselska pranë fshatit Livoishtë, ku uji i madh ka dëmtuar rrugën pranë urës drejt fshatit Vapila. Autoritetet kompetente janë njoftuar
Në Kërçovë, niveli i lumenjve po ulet, por në disa lokacione gjendja mbetet kritike. Rreth 120 persona nga rruga “Prilepska” janë evakuuar dhe strehuar në palestrën sportive “Hristo Uzunov”. Gjatë ditës së nesërme do të bëhet vlerësimi i objekteve të dëmtuara. Në rajonin e Tetovës, janë raportuar rrëshqitje të dheut në rrugët lokale drejt fshatit Gjermë dhe zonës Banjicë, të cilat janë të papërshkueshme për momentin. Komuna ndërhyn me mekanizim. Në Reçicë të Vogël është raportuar shembje e një muri mbajtës, ku ka pasur dëme materiale. Rasti po trajtohet nga shërbimet kompetente. Në Komunën e Zhelinës, është raportuar përmbytje e lumit Vardar në fshatin Strimnicë.
Gjatë muajit dhjetor 2025, NP "Higjiena Komunale"-Shkup mblodhi dhe transportoi gjithsej 13.000 ton mbeturina komunale nga koshat në shtëpitë individuale dhe kontejnerët e vendosur në hapësirat publike në territorin e qytetit të Shkupit.
"Në të njëjtën kohë, ekipet e Kompanisë larguan 2200 metra kub mbeturina kryesisht të rënda dhe ndërtimore nga deponitë ilegale të vendosura në të gjitha komunat e Shkupit.
Gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar, Eko-Patrulla e Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale-Shkup zhvilloi një numër të madh bisedash edukative me përfaqësues të subjekteve afariste, si dhe me individë të cilët u kapën duke hedhur mbeturina në mënyrë të papërshtatshme, gjatë të cilave u përgatitën 225 procesverbale.
Numri më i madh i procesverbaleve - gjithsej 85 - u dorëzuan në komunën e Karposhit të Shkupit", thonë nga NP "Higjiena Komunale"./Telegrafi/
Sipas parashikimeve në ditët në vijim janë paralajmëruar reshje të borës dhe rënie të konsiderueshme të temperaturave, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) përkujton për nevojën për drejtim me kujdes dhe përgjegjësi me automjetet motorike, si dhe shfrytëzim të detyrueshëm dhe të drejtë të pajisjes dimërore.
“Para se të nisen për rrugë, është e nevojshme që vetura të përgatitet në mënyrë adekuate për drejtim në kushte dimërore. Bëni kontroll të automjetit i cili zakonisht përfshin: kontroll të antifrizit, nivelit të karburantit, gjendjes së fshirësve dhe lëngut për xhamin e përparmë, gjendjen e akumulatorit dhe gjendjen dhe presionin e gomave”, bëhet e ditur në kumtesë.
KRSKRR njëherësh bën thirrje që shoferët t’i respektojnë rregullat dhe sinjalizimin e vendosur në komunikacion, me kohë të informohen për gjendjen në rrugë, ta përshtatin shpejtësinë e lëvizjes sipas kushteve dhe gjendjes në rrugë, të mbajnë distancë të sigurt ndërmjet automjeteve – me qëllim të rritjes së sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
“Hulumtimet tregojnë se kushtet jo të favorshme të motit kërkojnë nga shoferi kujdes më të madh gjatë drejtimit me automjetin. Për këtë, KRSKRR bën thirrje të qartë: Vetëm me sjellje të përgjegjshme në komunikacion të gjithë bashkë mund të kontribuojmë për komunikacion më të sigurt në rrugë – çdo jetë është e rëndësishme”, theksohet në kumtesën e KRSKRR-së.
Temperaturat më të ulëta u regjistruan këtë mëngjes në Kodrën e Diellit me -11 gradë celsius, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM). Temperatura nën -9 gradë u regjistruan edhe në Kumanovë, si dhe në Shkup-Petrovec, Berovë dhe Kriva Palëankë, ku u regjistruan -8 gradë. Në Tetovë, Demir Kapi dhe Mavrovë temperatura në mëngjes ka qenë -7 gradë, ndërsa -6 gradë është regjistruar në Shkup-Zajçev Rid, Strumicë, Veles, Shtip, Vinicë, Kavadar dhe Krushevë. Në Prilep janë matur -5, Gjevgjeli dhe Pretor -3, ndërsa në Ohër dhe Manastir temperatura e mëngjesit ka qenë -2 gradë.
Vlera totale e eksportit të mallrave nga Maqedonia, në periudhën janar – nëntor 2025, arrin në 7.3 miliardë euro dhe shënon rritje prej 2.5 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vlera e mallrave të importuara arrin në 10,5 miliardë euro, që është 3,8 % më shumë krahasuar me vitin 2024, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave.
Këmbimi tregtar sipas produkteve, në bazë të Klasifikimit Standard Ndërkombëtar të Tregtisë, tregon se në eksport pjesëmarrjen më të madhe e kanë katalizatorët në mbajtëse me metale të çmuara ose përbërjet e tyre, setet e përçuesve për ndezje për automjete, avionë ose anije, si dhe pjesët e ulëseve.
Në import, më së shumti janë të përfaqësuara vajrat e naftës, platini dhe lidhjet e platinit, si dhe automjetet motorike për transportin e personave.
Tregtia më e madhe është realizuar me Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Greqinë dhe Serbinë, të cilat marrin pjesë me 47.7 % në vëllimin e përgjithshëm të këmbimit tregtar. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian marrin pjesë me 59.3 % në këmbimin e përgjithshëm.
Sindikata e Punonjësve të Kulturës së Maqedonisë (SPKM) ka bërë akuza të ashpra kundër Ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, duke e akuzuar atë për shkelje të qëllimshme të marrëveshjeve kolektive me një “Udhëzim” të ri dhe për refuzim të zbatimit të vendimeve gjyqësore ligjërisht të detyrueshme për rritjen e pagave në sektorin e kulturës.
Nga SPKM thonë se me dokumentin e kontestuar, Ministri po rifutet në fuqi formulën e llogaritjes së pagave të njohur si “diferenca midis gushtit dhe shtatorit 2023”, të cilën gjykatat tashmë e kanë shpallur shprehimisht të paligjshme dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive.
Nga Sindikata theksojnë se tashmë ekzistojnë 15 vendime gjyqësore ligjërisht të detyrueshme që përcaktojnë në mënyrë të qartë se pagat në kulturë duhet të rriten me 10 përqind të pagës bazë bruto, në përputhje me Nenin 14 të Kontratës së Përgjithshme Kolektive.
"Ministri në mënyrë arbitrare dhe kokëfortë kthen të njëjtën formulë të paligjshme. Ky nuk është një udhëzues, por një përpjekje për të pezulluar rendin ligjor në kulturë. Në vend që të zbatojë ligjet dhe vendimet gjyqësore, Ministri merr të drejtën t'i riformësojë ato", thuhet në reagimin e SPKM-së./Telegrafi/