Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 10 January 2026Main stream

Pas të reshurave reagohet në shtatë raste në kryeqytet– këta janë numrat e telefonit për raste emergjente

10 January 2026 at 15:47


Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës ka bërë të ditur se për shkak të reshurave kanë reaguar në shtatë raste të ndryshme.

Në një postim në Facebook bëhet apel për kujdes gjatë lëvizjeve dhe të raportojnë për çdo rast emergjent.

Postimi i Drejtorisë:

Kushtet e pafavorshme atmosferike kanë shkaktuar një mori rastesh në Kryeqytet.

Si rrjedhojë, ekipet emergjente të drejtorisë sonë, në bashkëpunim me Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve, Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Investimeve Kapitale, Ndërmarrjen Gjelbër dhe kompanitë kontraktuese të Kryeqytetit, janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe aktualisht po intervenojnë njëkohësisht në 7 raste.

Ju lutemi të keni kujdes gjatë lëvizjeve dhe të raportoni çdo rast emergjent në numrat: 0800 122 33 ose 0800 122 44. /Telegrafi/














“Ç’mi ke trazuar mercenarët, o Besian”, Abdixhiku i reagon Musliut: I keni partitë tuaja, ka kush merret me LDK-në

10 January 2026 at 15:35


Deklarata e disa dite më parë e Besian Mustafës nga Lidhja Demokratike e Kosovës se LDK bëri gabim trashanik kur votoi Hashim Thaçin për president ka ngjallur reagime.

Ndaj kësaj deklarate fillimisht reagoi Ganimete Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila tha se gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi, por heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik e kësaj partie.

“Gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi. Gabimi trashanik i LDK-së ka qenë heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik. Ka qenë paaftësia për t’u përballur me të vërtetën dhe mungesa e kurajës për t’i drejtuar kritikë të hapur Donika Gërvallës, Faton Pecit dhe Vjosa Osmanit, duke ushqyer iluzione të rreme se këta do t’ia kthenin votat e humbura dhe do t’i riparonin dëmet kolosale që vetë ia shkaktuan LDK-së”, ka shkruar Musliu.


E lidhur me deklaratën e Ganimete Musliut, ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku në një postim në Facebook duke aluduar në deklaratën e Musliut, ka thënë se ka kush merret me LDK-në.

Lexoni të plotë postimin e Abdixhikut:

Ç’mi ke trazuar mercenarët, o Besian?

Besiani, një politikan shembullor, e LDK me gjithë të, nuk kanë frikë nga zhurma. As nga sulmet e paguara. LDK nuk matet me tituj portalesh mercenarizmi e as me opinione të porositura nga dëshpërimi se nuk i fusin thonjtë dot tek anëtarësia e LDK-së. Nuk po ju dëgjojnë. Nuk po ju llogarisin.

I keni partitë tuaja.

Mbajeni duhmën e pazareve mes tyre.

Ka kush merret me LDK-në. Veç ju dhe partitë tuaja, kurrë jo. Kjo shtëpi e ka anëtarësinë që e do pa kushte; që e mbronë nëpër ditë të vështira, nëpër sulme, nëpër zhgënjime.

Sa herë që LDK është sulmuar, ka qenë sepse ka qenë e fortë nga brenda. Dhe kjo i bën nervoz. Sepse uniteti ynë, në të mirë e vështirë - sidomos në të vështirë - është pengesë fatale për pazare, për pushtete të lehta dhe për interesa primitive. Sulmet nuk na dobësojnë. Na bëjnë më të qartë pse jemi këtu.

Ne nuk do të përgjigjemi me mllef. Do të përgjigjemi me punë. Me program. Me besim te shteti dhe te qytetari. Me njerëz të së ardhmes, mu sikurse Besiani!

Kjo është përgjigjja jonë. Qetë. Drejt. Dhe përpara. Trazimet le të vazhdojnë. Hapur, madje. Le t’i ballafaqojmë mercenarët dhe paratë që i aktivizojnë kundër njerëzve më të mirë të Lidhjes; sikurse Besian Mustafa. /Telegrafi/



Projekti milionësh në Malishevë përmbytet, ndërsa mungon pranimi teknik

10 January 2026 at 15:13


Një nënkalim i ndërtuar me miliona euro në Malishevë dhe i përuruar me koncert dhe fjalime, u përmbyt vetëm disa muaj më pas si pasojë e reshjeve të shiut. Komuna e pranon se projekti nuk e ka përfunduar ende pranimin teknik, kurse kompania ndërtuese nuk dha shpjegime.

Me një koncert të madh, fjalime e parakalime, në gusht të vitit 2025, komuna e Malishevës e përuroi një nënkalim për vetura në qytet.

Nënkalimi ishte vetëm një pjesë e një projekti infrastrukturor me vlerë afër 9 milionë euro, që kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati e ka quajtur “ndër projektet më të mëdha në historinë e Malishevës”, shkruan Evropa e Lirë.

Projekti “Malisheva Urbane”, përfshin edhe shesh e parkingje nëntokësore, ndërtimi i së cilave u krye kryesisht nga kompania “B Famis” nga Suhareka.

Por, vetëm disa muaj pas përurimit - më 6 janar 2026 - nënkalimi u mbush me ujë pas reshjeve intensive.

Komuna e Malishevës tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se përmbytja ishte pasojë e shiut të rrëmbyeshëm dhe “rritjes së nivelit të ujit në lumin Mirusha dhe një dege të lumit, që si pasojë ka qenë i pamundur shkarkimi i ujit”.

Të nesërmen, nënkalimi u lëshua për qarkullim, pas pastrimit të ujit që, sipas komunës, u bë nga kompania komunale e pastrimit.

Komuna nuk i ka vënë faj punimeve të nënkalimit për këtë përmbytje, ndonëse ka thënë se pranimi teknik për këtë projekt nuk ka përfunduar në tërësi.

“Përurimi është bërë për rrugët, [që është] një pjesë e projektit, ndërsa projekti si tërësi nuk është i përfunduar”, thotë zyra për informim e komunës, duke mos specifikuar se a është bërë pranimi teknik i nënkalimit.

Pranimi teknik është procedurë përfundimtare për secilin projekt ndërtimor kur bëhet vërtetimi se punët janë kryer siç janë paraparë në projekt, apo kontratë.

“Në gjuhën inxhinierike quhet ‘leja e shfrytëzueshmërisë’. Shërben më së shumti te objektet banesore. Nënkalimet janë objekte më të vogla, por gjithsesi kërkohet pranimi teknik, sepse është rregull”, thotë Naser Kabashi, profesor i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës.

Megjithatë, sipas profesorit, në rastet e vërshimeve të strukturave ndërtimore si te nënkalimet, më shumë ka të bëjë me mosplanifikim të përballimit të reshjeve me intensitet të lartë dhe kohë të shkurtër, gjatë projektimit.

“Pamundësia e gëlltitjes së ujit në këto kapacitete ka rezultuar në këtë [mbushjen me ujë], sipas rasteve të përgjithshme, pa u ndalur në raste specifike që mund të kenë ndonjë element të veçantë”, thekson ai për REL-in.

Në anën tjetër, as nga kompania “B Famis” nuk ka pasur ndonjë reagim lidhur me këtë çështje, edhe pas pyetjeve të dërguara nga REL-i.

Një punëtor i kësaj kompanie, që foli me REL-in nga numri zyrtar i kompanisë, tha se kompania “gjendet në pushim deri më 15 janar”.

Në kontratën për ndërtimin e këtij projekti, që REL-i e ka siguruar, në punëkryerje parashihet edhe drenazhimi, sistemet e shkarkimit të ujit, ndonëse nuk ka detaje të tjera specifike që kanë të bëjnë me situata si ajo e vërshimeve.

Në rrjetet e saj sociale, kompania ka reklamuar në vazhdimësi projektin dhe punën e tyre në të.

Si u fitua kontrata për realizimin e këtij projekti?

Në fund të vitit 2022, komuna e Malishevës hapi tenderin për ndërtimin e këtij projekti që e kishte paraparë të kushtonte rreth 8.9 milionë euro.

Tenderi ishte i hapur dhe kriter kryesor për fitimin e tij ishte çmimi më i ulët në ofertë.

Në këtë thirrje pati dy ofertues.

Njëra ishte kompania “B Famis” nga Suhareka në konsorcium me dy kompani tjera “Eskavatori” dhe “Best Company”. Oferta e tyre ishte rreth 8.2 milionë euro.

Pronar i kompanisë “B Famis” është Bekim Bytyçi.

Ndërsa, ofertuesi i dytë ishte kompania “Famis Co”, po ashtu nga Suhareka së bashku me një kompani tjetër “Bamirs”, me ofertë rreth 7.7 milionë euro.

Pronarë të kompanisë “Famis Co” janë Avdullah Bytyçi, Fadil Bytyçi dhe Hamdi Bytyçi.

Tenderin e fitoi “B Famis”, ndonëse pati ofertën më të lartë, pasi që komuna e shpalli ofertuesin e dytë “të papërgjegjshëm”, me arsyen se i mungonin disa nga dokumentacionet dhe kriteret që kërkoheshin në tender.

Ndër to, sipas komunës, ishin disa dokumentacione për përvojat e punës së inxhinierëve në projekt, pastaj dëshmitë e përvojave paraprake e deri te mungesa e disa pajisjeve të caktuara.

Përfundimisht më 12 janar, 2023, “B Famis” nënshkroi kontratën për këtë projekt.

Si janë të lidhura këto dy kompani mes vete?

“B Famis” dhe “Famis Co” në të kaluarën kanë qenë një kompani e vetme e themeluar dhe e udhëhequr kryesisht nga anëtarë të familjes Bytyçi.

Historia e tyre shkon prapa deri në vitet e ‘70-ta dhe ndër vite kompania ndryshoi emrin disa herë.

Ky është informacion publik që të dy kompanitë e kanë të shkruar në historikun e përmbledhur në uebfaqet e kompanive.

Tek në vitin 2022, kompania, që quhej “Famis Co”, ndahet dhe krijohet kompania “B Famis”, e cila u regjistrua zyrtarisht më 19 maj 2022, disa muaj para se të fitonte tenderin për projektin në Malishevë.

Përveç tenderit kryesor për ndërtimin e nënkalimit dhe infrastrukturës përcjellëse, komuna e Malishevës, më 2025 hapi edhe një tender tjetër për punë shtesë në këtë projekt.

Kësaj radhe, tenderi nuk u hap për ofertues, por iu dha me negocim kompanisë “B Famis”.

Vlera e këtij tenderi ishte rreth 823.000 euro.

Ligji për Prokurimin Publik e lejon që institucionet të japin tender me negocim vetëm me arsyetim specifik se pse ka qenë e nevojshme.

REL-i ka pyetur komunën e Malishevës se pse ka qenë e nevojshme për këto punë shtesë dhe pse ky tender nuk ishte i hapur për ofertues të tjerë, por nuk ka marrë përgjigje.

“Formë klasike e manipulimit të ofertave”

Albulena Ndrecaj, drejtoreshë e organizatës INPO, e cila kryen hulumtime dhe raporte mbi prokurimin në Kosovë, e përshkruan situatën kur dy kompani të njëjta, ose me lidhje mes vete, garojnë në të njëjtin tender si “praktikë e kamotshme në Kosovë”.

“Kjo është forma më klasike e manipulimit të ofertave në prokurim publik, ku shpeshherë një përfitues i vetëm ka dy apo tri kompani dhe bën oferta me matematika të ndryshme në mënyrë që të fitojë oferta më e shtrenjtë”, thotë ajo.

Sipas Ndrecajt, përgjegjësia për ruajtjen e parasë publike bie mbi autoritetin kontraktues, në këtë rast komuna.

“Autoritetet kontraktuese në përgjithësi i njohin të gjithë operatorët ekonomikë. Operatori ekonomik e ka një qëllim të vetëm, përfitimin e kontratës. I takon Autoritetit kontraktues që të detektojë në rast që kompanitë bëjnë devijime ligjore”, thotë Ndrecaj.

Sa i përket faktit që në tenderin me dy ofertues, njëri është shpallur i papërgjegjshëm, Ndrecaj thotë se ndonjëherë kjo bëhet qëllimshëm.

“...sepse një operator ekonomik që, ta zëmë, ka kontrata milionëshe me shtetin apo autoritete të tjera kontraktuese, është nonsens [nuk ka kuptim], që në një procedurë tjetër të tenderit të shpallet i papërgjegjshëm për shkak të mungesës së ndonjë dokumentacioni apo mosplotësimit të kriterit”, nënvizon ajo.

Në uebfaqen e kompanisë “Famis Co”, si projekte të tyre janë paraqitur edhe të tilla si, unaza e jashtme në komunën e Prishtinës dhe një mbikalim në fshatin Komoran të Drenasit.

REL-i ka dërguar pyetje lidhur me këtë çështje te kompania “Famis Co”, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.

REL-i i ka shkruar edhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për të kërkuar interpretim lidhur me atë se a përbën shkelje kjo situatë, por ende nuk ka marrë përgjigje.

“Orë të vështira për shkak të reshjeve”, punonjësit e OSHEE-së në terren – Balluku publikon fotografi

10 January 2026 at 15:06


Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belina Balluku ka thënë se Shqipëria po kalon orë të vështira për shkak të reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ulëta në veri dhe verilindje të vendit.

Balluku në një postim në Facebook thekson se Punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Shqipërisë ndodhen në terren për të garantuar furnizim pa ndërprerje për abonentët kudo.

“Orë të vështira për shkak të reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ulëta në veri dhe verilindje të vendit, por ekipet e OSHEE ndodhen në terren për të garantuar furnizim pa ndërprerje për abonentët kudo. 1600 punonjës dhe 186 mjete...”, shkruan ajo. /Telegrafi/







A u mbajtën 35 të ndaluarit në rastin e BSK-së pa vendim pas skadimit të afatit ligjor? Gjykata del me njoftim

10 January 2026 at 14:57


Gjykata Themelore në Prizren ka reaguar lidhur me raportimet se 35 të ndaluarit në rastin e Byrosë Kosovare të Sigurimit po mbahen pa vendim pas skadimit të afatit ligjor.

Gjykata Themelore e Prizrenit në një komunikatë për media thekson se me rastin e përfundimit të seancës dëgjimore për caktimin e masë së sigurisë ndaj 39 të pandehurve, Gjyqtari i procedurës paraprake të premten në përfundim të seancës (ora 22:10), ka konstatuar në procesverbal se të pandehurit do të kthehen në qendrat e tyre të ndalimit në mënyrë që Gjykata t’i njoftojë lidhur me aktvendimit për propozimin/kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren.

“Ky vendim i Gjyqtarit të procedurës paraprake është marrë konform neni 162 të Kodit të Procedurës Penale, paragrafi 8 ku thuhet se ‘Sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se brenda 48 orëve nga arresti, gjyqtari i procedurës paraprake mban seancën dëgjimore për të vendosur nëse i pandehuri duhet të mbahet në paraburgim (në rastin konkret brenda 48 orësh është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore Prizren), dhe në vazhdim të paragrafit thuhet se ‘Në pritje të vendimit të gjykatës, i pandehuri mund të mbahet nën ndalim’, çka edhe Gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar në procesverbal në rastin konkret”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Avokati Zekaj: 35 të ndaluarit po mbahen pa vendim pas skadimit të afatit ligjor

10 January 2026 at 14:35


Avokati Yll Zekaj ka reaguar sot lidhur me mbajtjen e 35 të ndaluarve në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, në kuadër të rastit që lidhet me Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

Zekaj ka deklaruar se gjatë seancës për caktimin e masave të sigurisë ndaj 39 personave të ndaluar, e cila është mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prizren nga ora 16:00 deri rreth orës 22:30, Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar që për 35 prej tyre të caktohet masa e paraqitjes në stacion policor, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas tij, pavarësisht kësaj kërkese, Gjykata nuk ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të këtyre të ndaluarve, por ka vendosur që ata të kthehen në ndalim, pa një vendim të veçantë, në pritje të marrjes së aktvendimit për masën e sigurisë jashtë seancës. Ai ka shtuar se gjyqtari, sipas tij, kishte deklaruar gojarisht se vendimi do të merrej sot rreth orës 10:00.

Zekaj ka theksuar se, sipas tij, i vetmi vendim ligjor në fuqi ka qenë ai për ndalim prej 48 orësh, afat i cili ka skaduar sot në ora 10:00.

“I vetmi vendim i ligjshem qe egziston deri tani ne kete rast eshte ai i ndalimit per 48 ore, i cili ka skaduar sot ne ora 10:00. Edhe pse vendimi ka skaduar qe 2 ore, 35 te ndaluarit jane duke u mbajtur ne menyre te kunderligjshme nga Burgu i Lipjanit, pa asnje vendim”, ka shkruar Zekaj në reagim.

Ai ka deklaruar se edhe pas skadimit të këtij afati, 35 të ndaluarit po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan pa asnjë vendim gjyqësor, duke shtuar se institucioni përkatës, sipas tij, po pret veprim nga Gjykata Themelore në Prizren.

Reagimi i Zekajt vjen pas deklarimeve të një dite më parë të avokatit Driton Muharremi, i cili kishte thënë se, ndonëse Gjykata kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë për masa alternative ndaj 35 të pandehurve, ata ishin dërguar dhe mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar sot se Prokuroria Themelore në Prizren ka dorëzuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazrekut, dhe ish-drejtorit të Departamentit të Financave dhe Kontabilitetit, Valon Berisha, si dhe Florent Sylejmanit e Yll Çollakut. Kurse ndaj 35 të tjerëve ka kërkuar masën e paraqitjes në Polici.

Mazreku dhe Berisha bashkë me të dyshuarit tjerë u arrestuan mëngjesin e 8 janarit në një aksion të Prokurorisë Themelore të Prizrenit që ishte udhëhequr nga kryeprokurori Petrit Kryeziu. Dëmi pretendohet të jetë mbi 1 milion euro.

Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) kishte njoftuar se se rasti i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar.

Ish-drejtori i Financave në Byronë Kosovare të Sigurimit, Valon Berisha, dyshohet të ketë përfituar kundërligjshëm para nga qytetarë të cilët ishin rimbursuar në emër të sigurimeve me shuma dhjetëra mijë euro.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, mes të dyshuarve kryesorë janë Sami Mazreku dhe Valon Berisha, të cilët gjatë periudhës 22 korrik 2022 – 9 tetor 2023, në pozitat drejtuese në BKS, dyshohen se kanë kryer një sërë transaksionesh bankare të paautorizuara, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme. Transaksionet e dyshuara përfshijnë shumën prej 4,641 euro deri mbi 8,500 euro për kompensim të supozuar të dëmeve nga aksidentet e trafikut për persona që paraprakisht kishin marrë kompensim, duke shkaktuar kështu dëm të drejtpërdrejtë për BKS-në.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur se 39 persona janë arrestuar në aksionin për keqpërdorimet në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

Ai në një konferencë për medie kishte deklaruar se dëmi vlerësohet të jetë 1 milion e 43 mijë euro, derisa shtoi se cak i hetimeve ishin edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, të cilët po ashtu janë në mesin e të arrestuarve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Edhe dy muaj paraburgim për Fatmir Shehollin, i dyshuar për spiunazh

10 January 2026 at 14:25


Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin Fatmir Shehollit, i arrestuar për spiunazh.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të Spiunazhit në vazhdimësi, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 09.01.2026 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muaj”, tha Gashi për Telegrafi.com.

Ndryshe, Fatmir Sheholli u arrestua më 09 tetor 2025. Ai dyshohet se ka vepruar sipas udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiq, duke mbledhur dhe shpërndarë informacion rreth pronave, aktiviteteve biznesore dhe funksionimit të institucioneve në Kosovë.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale thuhet se Sheholli ishte i rekrutuar nga BIA dhe kishte ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke marrë informacione që më pas i shpërndante edhe në media online në Kosovë. Ai ishte nën hetime nga gushti i vitit 2024 dhe ishte edhe në përgjim fizik.

Gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës më 9 tetor 2025 në banesën e Shehollit janë sekuestruar një numër i pajisjeve elektronike, dokumentacion dhe sende të tjera. /Telegrafi/

Raporti i fundit pas vërshimeve, AME: Situata e menaxhueshme, nuk ka indikacione për përshkallëzim të situatës

10 January 2026 at 14:12


Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka dhënë raportin e fundit lidhur me situatën pas vërshimeve në vend.

AME thekson situata është e menaxhueshme dhe nuk ka indikacione për përshkallëzim.

Periudha e raportimit është nga ora 22:00 e së premtes deri në orët e mëngjesit të së shtunës.

Lexoni të plotë njoftimin:

Sipas informatave të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, NJPZSH-të, DSHPE-të dhe raportimeve të qytetarëve, situata e vërshimeve në nivel vendi gjatë intervalit kohor të raportimit paraqitet kryesisht stabile dhe e menaxhueshme.

Pas rënies së intensitetit me të reshura të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës, në shumicën e rajoneve është vërejtur përmirësim i dukshëm i gjendjes, me rënie graduale të nivelit të ujit në lumenj dhe përrenj.

Nuk raportohet për humbje jete.

GJENDJA SIPAS RAJONEVE

Rajoni i Prishtinës

- Prishtinë: vërshime në rrugën “Rifat Berisha” (Kodra e Diellit) dhe në fshatin Hajvali – rruga “Brigada 153”.

- Lipjan: vërshime në fshatin Smallush – rruga “11 Qershori”.

- Shtime: vërshime në rrugën Shtime–Reçak.

- Graçanicë: vërshime në Motel “Villa Hilton” dhe rrugën te Prishtina Mall.

- Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas, - Podujevë: situata e qetë, pa raste për ndërhyrje.

Të gjitha intervenimet janë realizuar nga NJPZSH, DSHPE dhe kompani të kontraktuara nga Komunat.

Rajoni i Prizrenit

- Prizren, Suharekë, Rahovec, Mamushë: pa thirrje dhe pa intervenime; rrugët të kalueshme.

- Malishevë: dy intervenime për rrugë të bllokuara nga uji.

- Dragash: një intervenim teknik në fshatin Rapçë (pusetë e bllokuar).

Rajoni i Mitrovicës

- Mitrovicë: në kompleksin “Amina” është evakuuar një familje nga NJPZSH;

-aktualisht gjendja është më e qetë dhe pa rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja.

- Skenderaj & Vushtrri: pa raste që kërkojnë ndërhyrje.

- KEK – Termocentrali Kosova A: në orën 07:05 është kërkuar intervenim urgjent për pompë thithëse me kapacitet të madh; kërkesa është adresuar dhe NJPZSH ka intervenuar.

Rajoni i Pejës

- Pejë, Deçan, Klinë, Istog, Junik: situata stabile, pa kërkesa për intervenim.

Trafiku:

Pejë–Rugovë: segmente me ujë në rrugë – kërkohet kujdes i shtuar.

Pejë–Kullë: e kalueshme, me kujdes.

Rajoni i Gjakovës

Situata e qetë dhe stabile.

Niveli i ujit në lumenj ka filluar të bie.

Raportohet një bllokim rruge nga shembja e dheut.

Rajoni i Gjilanit

- Gjilan: vërshim në rrugën e Kufcës.

- Komunat tjera (Ferizaj, Kamenicë, Viti, Kaçanik, Hani i Elezit, Shtërpcë, Artanë/Novobërdë, Kllokot, Partesh, Ranillug): pa vërshime, situata e qetë.

KËRKESA DHE NDËRHYRJE SPECIFIKE

Kërkesë urgjente nga KEK për pompë thithëse me kapacitet të madh në Kosovën A – e adresuar dhe e realizuar nga kapaciteti i Agjencise Menaxhimit Emergjent.

Nuk janë pranuar kërkesa shtesë për ndihmë apo koordinim nga komunat gjatë intervalit 22:00–08:00.

VLERËSIMI I SITUATËS

Situata paraqitet stabile dhe e menaxhueshme.

Rreziku kryesor aktual lidhet me: reshjet e borës, ngricat në rrugë, vështirësitë në qarkullim.

Nuk ka indikacione për përshkallëzim të situatës.

GATISHMËRIA INSTITUCIONALE

Qendra Operative e AME-së dhe strukturat përgjegjëse për Mbrojtje Shpëtim dhe Ndihmë mbesin në gatishmëri të plotë 24/7, për monitorim dhe reagim të menjëhershëm sipas nevojës.

Bllokimi i rrugës Prishtinë-Ferizaj për shkak të reshurave - pamje nga droni

10 January 2026 at 13:53


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë, konkretisht në segmentin që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt është bllokuar plotësisht qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor për një kohë të caktuar.

Policia njofton se qarkullimi i automjeteve do të devijohet dhe orientohet përmes autostradës.

Më poshtë mund t’i shiheni pamjet nga droni të rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë.

Stamponin veshje të kontrabanduara në një magazinë në Kamëz, pranga shtetasit turk - një tjetër në kërkim

10 January 2026 at 13:44


Policia e Shtetit ka bërë të ditur se në Kamëz, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.

Policia në një njoftim për media thekson se lidhur me këtë kanë arrestuar një shtetas turk, një tjetër është në kërkim, ndërkaq po ashtu kanë sekuestruar sasi të mëdha veshjesh, stampa/logo të markave të njohura ndërkombëtare.

Lexoni të plotë njoftimin e Policisë së Shqipërisë:

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar “Brands 2”.

Zbulohet në Kamëz, 1 magazinë ku stampoheshin veshje të kontrabanduara, me logo false.

Arrestohet 1 shtetas turk, shpallet në kërkim 1 tjetër shtetas turk si dhe procedohen në gjendje të lirë 3 punonjëse.

Sekuestrohen sasi të mëdha veshjesh/këpucësh, makineri lazeri, printimi ose stampimi, stampa/logo të markave të njohura ndërkombëtare, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Si rezultat i administrimit të informacionit të siguruar se në Kamëz, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, me mbështetjen e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizoi dhe finalizoi operacionin “Brands 2”.

Gjatë operacionit u arrestua shtetasi turk O. S., 46 vjeç, u shpall në kërkim shtetasi turk M. K., 50 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetaset L. M, Sh. M dhe Sh. B, punonjëse në këtë magazinë.

Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë konstatuan se në magazinë kishte mallra që dyshohet se kishin shmangur detyrimin doganor, si dhe makineri për falsifikimin dhe stampimin e logove që vendoseshin në veshje dhe këpucë të ndryshme.

Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 50-vjeçarit të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. /Telegrafi/


Rrëshqitjet e dheut bllokojnë rrugën Elbasan–Gjinar, banorët kërkojnë ndërhyrje

10 January 2026 at 13:29


Si pasojë e reshjeve të shumta dhe motit të keq, në rrugën Elbasan–Gjinar ka pasur rrëshqitje dherash, të cilat kanë sjellë bllokimin e qarkullimit.

Bllokimi ka ndodhur rreth orës 10:00 të kësaj të shtune, në afërsi të fshatit Lleshan, duke ndërprerë qarkullimin në këtë aks të rëndësishëm që lidh disa fshatra të zonës së Shpatit, raporton euronews.al.

Banorët dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të ekipeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit në normalitet.

I jepet lamtumira e fundit ish-ministrit Sadriu, Abdixhiku: Mbi të gjitha ishte njeri i mirë, i matur e i vendosur në qëndrime

10 January 2026 at 12:45


Sot i është dhënë lamtumira e fundit ish ministrit të Ekonomisë, Ali Sadriu, i cili ndërroi jetë të premten në moshën 75 vjeçare.

Në mbledhjen komemorative në nderim të figurës së ish-ministrit Sadriu, ishte i pranishëm kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se Sadriu si ministër i parë i Financave në Kosovën e pasluftës vuri themelet e ekonomike e financiare.

Lexoni të plotë postimin e Abdixhikut në Facebook:

Sot i dhamë lamtumirën e fundit një njeriu të mirë dhe një shërbyesi të ndershëm të Kosovës, Ali Sadriut. Nderuam jo vetëm një figure publike, por mbi të gjitha një njeri të qetë, të urtë dhe të drejtë, që e jetoi politikën si mision dhe jo si skenë.

Ali Sadriu ishte mbi të gjitha njeri i mirë, i matur në fjalë, i vendosur në qëndrime. Një njeri që e kuptonte se politika nuk është zhurmë, por përgjegjësi, nuk është shfaqje, por shërbim. Ai i takonte një brezi që besonte se shteti ndërtohet me durim, ligj dhe karakter.

Si Ministër i parë i Financave, në Kosovën e pasluftës, ai vuri themelet e ekonomike e financiare të Republikês sonë të re. Në kohë të tij, u hartua për herë të parë Buxheti i Kosovës; e u themeluan institucionet më të rëndësishme të vendit; Banka Qendrore, Administrata Tatimore e Dogana e Kosovës.

Ali Sadriu do të mungojë. Do të mungojë fjala e tij e qetë, prania e tij e matur, këshilla e tij e sinqertë. Por vepra e tij mbetet. Emri i tij mbetet. Kujtimi për të do të jetojë në familjen e tij, në LDK dhe në historinë e këtij vendi. Në këtë dhimbje jemi pranë familjes së tij, bashkëshortes Minire, fëmijëve Qëndresa, Fitore, Saranda, Fatbardha dhe Flamur.

Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sadriu.

Lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës. /Telegrafi/


Tha se LDK kishte bërë gabim trashanik kur kishte votuar Thaçin për president, Musliu i reagon Mustafës

10 January 2026 at 12:25


Ditë më parë Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se LDK ka bërë gabim trashanik kur e ka votuar për president Hashim Thaçin nga Partia Demokratike e Kosovës.

E lidhur me këtë, ka reaguar sot Ganimete Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Musliu në një postim në Facebook shkruan se gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi, por heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik e kësaj partie.

“Besian Mustafa paska thënë se votimi i Hashim Thaçit për president qenka “gabim trashanik i LDK-së”. Jo. Gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi. Gabimi trashanik i LDK-së ka qenë heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik.

Ka qenë paaftësia për t’u përballur me të vërtetën dhe mungesa e kurajës për t’i drejtuar kritikë të hapur Donika Gërvallës, Faton Pecit dhe Vjosa Osmanit, duke ushqyer iluzione të rreme se këta do t’ia kthenin votat e humbura dhe do t’i riparonin dëmet kolosale që vetë ia shkaktuan LDK-së”, shkruan ajo.

Sipas Musliut, kjo heshtje u bë edhe më e rëndë kur LDK mbylli sytë para skandaleve të shumta që shënuan mandatin e Faton Pecit në qeveri, Donika Gërvallës në diplomaci dhe Vjosa Osmanit në presidencë.

“Nga keqmenaxhimi dhe vendime të kontestuara, te arroganca politike, shkelja e standardeve institucionale dhe dëmtimi i funksionimit demokratik të shtetit. Gjithçka u tolerua në emër të kalkulimeve të ulëta politike. Me këtë sjellje, LDK nuk dështoi vetëm si opozitë, por u bë bashkëfajtore përmes heshtjes.

LDK zgjodhi të përkulej, jo të përballej. Zgjodhi të shpresojë, jo të veprojë. Kështu, u shndërrua në një subjekt frikacak, të paqëndrim dhe të padenjë për barrën historike që pretendon ta mbajë.

Problemi i LDK-së nuk është e kaluara; problemi i saj është mungesa e guximit për ta thënë të vërtetën sot”, tha ajo. /Telegrafi/



Grumbullim uji, rrëshqitje dheu – probleme në disa rrugë të Kosovës pas vërshimeve, Durmishi jep detaje

10 January 2026 at 11:46


Ministri në detyrë i Transportit, Hysen Durmishi, ka bërë sot të ditur lidhur me gjendjen në rrugë pas reshjeve të shiut dhe vërshimeve.

Durmishi në një postim në Facebook shkruan se në rrugën Prishtinë - Ferizaj ka grumbullim të ujit si pasojë e kyçjeve ilegale në kanalet atmosferike, për çka është bllokuar qarkullimi, ndërsa tregon edhe për gjendjen në rrugë tjera të vendit.

Lexoni të plotë postimin:

Ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dhe borës, janë shkaktuar disa vërshime të cilat kanë prodhuar probleme në disa rrugë të Kosovës.

Në rrugën Prishtinë - Ferizaj, ka grumbullim të ujit si pasojë e kyçjeve ilegale në kanalet atmosferike, për çka është bllokuar qarkullimi.

Ekipet tona janë në terren duke punuar në shkarkimin e ujit dhe rruga pritet të hapet për qarkullim brenda ditës.

Te nënkalimi në Mazgit, në drejtim të autostradës, ka grumbullim të ujit si pasojë e bllokimit të kanalit atmosferik. Po punohet intensivisht në zhbllokimin e rrugës.

Po ashtu, në autostradën “Ibrahim Rugova” ka rrëshqitje të dheut. Në këto momente po punohet për sanim sa më të shpejtë, në mënyrë që qarkullimi të zhvillohet normalisht.

Në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë - Gjurgjicë, gjithashtu ka grumbullim të ujit në rrugë. Ekipet tona janë duke ndërhyrë në sanimin emergjent dhe shumë shpejt pritet rikthimi i qarkullimit normal.

Në rrugën Zhur–Dragash kemi lëvizje të trupit të rrugës. Është vendosur sinjalizimi përkatës dhe aktualisht qarkullimi zhvillohet në një shirit.

Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve deri në sanimin e plotë të këtyre problemeve dhe, nëse është e mundur, të evitohet qarkullimi i panevojshëm në këto pika. /Telegrafi/


Demi: 2026 është vit kyç për Kosovën, digjitalizimi dhe arsimi vendosin zhvillimin e dekadës

10 January 2026 at 11:31


Viti 2026, sipas analistit të politikave Agron Demi, duhet të shënojë një orientim më të qartë të Qeverisë së re drejt reformave strukturore, me fokus të veçantë në digjitalizim, arsim dhe inovacion.

Demi në “Përballje Podcast” theksoi se këto fusha janë vendimtare për zhvillimin afatgjatë të Kosovës dhe për përgatitjen e vendit për ndryshimet e shpejta globale.

Sipas Demit, dekada që vjen do të karakterizohet nga tranzicioni i thellë digjital dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale, ndaj Kosova duhet të përshtatet me këtë realitet.

“Dhjetëvjeçari i ardhshëm do të jetë dekadë e tranzicionit digjital dhe e inteligjencës artificiale. Ne nuk e kemi luksin të vazhdojmë me politikat e dhjetë viteve të kaluara në dhjetë vitet e ardhshme”, u shpreh ai, shkruan Telegrafi.



Ai theksoi se digjitalizimi nuk duhet parë vetëm si proces teknologjik, por si reformë që prek funksionimin e shtetit në tërësi.

“Digjitalizimi duhet të ndihmojë mënyrën se si menaxhohet arsimi, shëndetësia, projektet kapitale dhe marrëdhënia e qytetarëve dhe bizneseve me shtetin”, tha Demi, duke shtuar se administrata publike ka nevojë për modernizim të thellë.

Një tjetër shtyllë që, sipas tij, duhet të jetë prioritet është arsimi. Demi vlerësoi se ndryshimet teknologjike po e transformojnë tregun e punës dhe kërkojnë reforma të reja në sistemin arsimor.

“Bota po ndryshon aq shpejt saqë arsimi duhet të përshtatet me nevojat e reja, përndryshe do të mbesim prapa në përgatitjen e fuqisë punëtore”, theksoi ai.

Në këtë kuadër, Demi përmendi edhe inovacionin si element kyç për zhvillim ekonomik.

Ai vlerësoi pozitivisht nismat që synojnë eliminimin e barrierave administrative dhe mbështetjen e ideve të reja.

“Nëse diçka është bërë mirë në vitet e fundit, është përpjekja për të hequr barriera administrative dhe për të krijuar hapësirë për inovacion”, u shpreh Demi.

Sipas tij, fokusimi në digjitalizim, arsim dhe inovacion duhet të shkojë paralelisht me tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Demi theksoi se këto prioritete nuk janë zgjedhje politike, por domosdoshmëri zhvillimore.

“Këto janë vitet kur duhet të vendosen themelet për zhvillimin afatgjatë, sepse vonesat sot do të kushtojnë shumë më shtrenjtë nesër”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Seanca për korrupsion në BKS, disa kërkuan ndihmë mjekësore

10 January 2026 at 10:17


Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar lidhur me seancën gjyqësore që është zhvilluar ndaj 39 të pandehurve në rastin ku dyshohet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimit.

Në njoftim thuhet se gjatë zhvillimit të seancës, disa nga palët në procedurë kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore, për çka Gjyqtari i procedurës paraprake ka ndërprerë disa herë seancën dhe palëve iu është ofruar ndihma e nevojshme përmes Emergjencës.

“Kur palët kanë qenë të gatshme ka vazhduar me seancën për caktimin e masës së sigurisë”, thuhet në njoftim.

Gjykata tutje njofton se seanca kishte filluar në ora 16:00 ndaj 39 të pandehurve, ndërkaq ka përfunduar në ora 23:00. /Telegrafi/

Arrestohet shoferi, ra në përrua me veturë dhe nuk ndihmoi pasagjerin i cili është zhdukur

10 January 2026 at 10:07


Policia e Shtetit ka sqaruar rrethanat e aksidentit të ndodhur në orët e para të kësaj të shtune në Klos.

Sipas policisë, një automjet tip Audi me targa angleze, me drejtues 24-vjeçarin A.L., banues në fshatin Fullqet, Klos, dhe pasagjer 30-vjeçarin J.K., ka dalë nga rruga rreth orës 01:30 dhe ka përfunduar në një përrua.

Policia bën të ditur se 24-vjeçari ka dalë nga makina dhe nga uji duke shpëtuar, ndërsa për pasagjerin nuk ka asnjë informacion.

Drejtuesi i automjetit ka rezultuar në gjendje të dehur.

Lexoni të plotë njoftimin e Policisë, pa ndërhyrje:

Ra me automjetin që drejtonte në përroin e fshatit Dars, nuk njoftoi Policinë dhe u largua nga vendngjarja, dyshohet se nuk i dha ndihmë pasagjerit në brendësi të automjetit, Policia identifikon, kap dhe arreston 24-vjeçarin.

Shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës.

Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.

Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24 vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.

Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/


Rritet numri i lindjeve, mbi 1 mijë e 716 lindje u kryen gjatë vitit 2025 në Spitalin e Mitrovicës

10 January 2026 at 10:02


Spitali i Mitrovicës bëri të ditur se është rritur numri i lindjeve gjatë vitit 2025.

Në njoftim bëhet e ditur se në vitin 2025 u kryen gjithsej 1716 lindje, me 1744 foshnja të porsalindur, që paraqet numër për 118, më shumë, krahasuar me vitin 2024.

“Mjekët gjinekologë gjatë vitit 2025, kanë kryer edhe 5185 vizita mjekësore ambulantore tek pacientet. Rritja e numrit të lindjeve është shënuar falë punës me përkushtimit nga stafi, besimit të pacientëve, si dhe përmirësimit të shërbimeve mjekësore.

Pas këtij suksesi qëndron puna e palodhshme e gjinekologëve, neonatologëve, mamive, infermierëve dhe gjithë ekipit që 24 orë në ditë, me dije dhe humanitet, kujdesen për nënat dhe foshnjat e porsalindura”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Dy aksidentet e para disa dite, vdesin në spital dy persona

10 January 2026 at 09:51


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se si pasojë e lëndimeve të marra në dy aksidente (raste të ndara) të para disa dite kanë ndërruar jetë në spital dy persona.

Njëri aksident kishte ndodhur në rrugën “Sokol Sopi” në Prishtinë, më 30 dhjetor 2025, ndërkaq aksidenti tjetër kishte ndodhur në fshatin Slivovë të Prishtinës, më 3 janar.

Raporti i policisë:

Rr. Sokol Sopi, Prishtinë 30.12.2025 – 16:45. Më 09.01.2026 është raportuar se viktima mashkull kosovar, gjersa ishte në tretman mjekësor, si pasojë e lëndimeve të marra në aksident ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

Fsh. Slivovë, Prishtinë 03.01.2026 – 14:33. Lidhur me rastin është raportuar se viktima femër kosovare, e cila ka qenë duke u trajtuar në QKUK, më 10.01.2026 ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. /Telegrafi/

Prania e madhe e ujit në rrugë, në një segment të rrugës nacionale Ferizaj–Prishtinë ndalohet qarkullimi i automjeteve

10 January 2026 at 09:29


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë, konkretisht në segmentin që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt është bllokuar plotësisht qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor për një kohë të caktuar.

Policia njofton se qarkullimi i automjeteve do të devijohet dhe orientohet përmes autostradës.

“Për shkak të sasisë së madhe të ujit në rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë, konkretisht në segmentin që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i ‘Prishtina Mall’ në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i ‘Marigona’ në drejtim të Ferizajt, në koordinim me zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës dhe kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtje të rrugës, është marrë vendim që të bllokohet plotësisht qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor për një kohë të caktuar”, thuhet në njoftim.

Policia thekson tutje se ky veprim është ndërmarrë si masë e domosdoshme për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve dhe parandalimin e rrezikut në trafik. /Telegrafi/

❌
❌