Dezinformimi në fushën e shëndetësisë është një nga format më të rrezikshme të keqinformimit, me pasoja të drejtpërdrejta për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Kështu u shpreh Aimona Vogli, menaxhere editoriale në Faktoje.al, në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com
“Informacioni i rremë për shëndetin nuk është një problem abstrakt, por një rrezik real që ndikon në vendimmarrjen e njerëzve. Kur flasim për dezinformim nuk është një gjë abstrakte...Raste të tilla mund të çojnë deri te ndërprerja e mjekimeve dhe përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të pacientëve”, u shpreh ajo.
Vogli vuri në dukje se mund të krijon pasiguri.
“Shpërndarja e informacioneve të paverifikuara për trajtime, sëmundje apo këshilla mjekësore krijon panik dhe keq orienton publikun, veçanërisht në rrjetet sociale, ku mungon filtri profesional”, thotë ajo.
Foto: Ridvan Slivova
Në këtë kontekst, Vogli theksoi rëndësinë e verifikimit të burimeve dhe përgjegjësinë e mediave për të mos publikuar informacione shëndetësore pa u bazuar në burime të besueshme dhe ekspertizë profesionale, duke nënvizuar se dezinformimi në këtë fushë mund të ketë pasoja të pakthyeshme./Telegrafi/.
Kosova është një shtet i ri dhe i vogël, e jo fuqi ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye, ajo ka nevojë të jetë e pranishme, e dukshme dhe aktive në sa më shumë ngjarje dhe forume ndërkombëtare.
Vëmendja ndërkombëtare nuk vjen vetvetiu; ajo ndërtohet përmes pranisë së vazhdueshme e pozicionimit të duhur diplomatik dhe angazhimit në temat globale.
Ngjarje si Forumi Ekonomik Botëror në Davos, ku marrin pjesë liderët më të fuqishëm të botës, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë hapësira ku shtetet e vogla mund të përfitojnë dhe të ndërtojnë lidhje strategjike.
Në këtë kontekst duhet parë edhe pjesëmarrja si themeluese e Kosovës në Bordin e Paqes për Gazën të nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani.
Ky nuk është thjesht një akt formal apo simbolik, por një mundësi konkrete për ndërkombëtarizim, avancim diplomatik dhe rritje të peshës së saj në skenën globale. Sidomos kur ky forum zhvillohet nën një ndikim të qartë të Shteteve të Bashkuara, aleatit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës.
Në këtë bord janë të përfaqësuara edhe një sërë shtetesh që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, përfshirë Argjentinën, Kazakistanin, Armeninë, Azerbajxhanin, Marokun, Indonezinë, Uzbekistanin, Paraguajin dhe të tjera. Kjo e bën këtë platformë veçanërisht të rëndësishme, sepse krijon hapësirë për kontakte direkte, dialog politik dhe ndërtim besimi, elemente që shpesh mungojnë në diplomacinë klasike bilaterale.
Njohjet ndërkombëtare nuk vijnë si rezultat i një vendimi të vetëm apo i një fushate të shpejtë.
Ato ndërtohen gradualisht, përmes ekspozimit, bashkëpunimit dhe krijimit të perceptimit se një shtet është faktor stabiliteti dhe partner i besueshëm. Prania e Kosovës në forume të tilla kontribuon drejtpërdrejt në këtë proces.
Kosova ka interes strategjik të jetë pjesë e çdo forumi rajonal, evropian dhe global ku diskutohen çështje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Një angazhim aktiv dhe konstruktiv në këto platforma e pozicionon atë si palë kontribuuese dhe jo thjesht si përfituese të rendit ndërkombëtar.
Po aq e rëndësishme është edhe rrethana politike në të cilën po ndodh kjo prani. Angazhimi i Kosovës në një forum të mbështetur dhe të ndikuar nga Shtetet e Bashkuara, përkon me një periudhë kur administrata amerikane, nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, pritet të mbetet në krye të politikës ekzekutive edhe për së paku tre vjet të tjerë. Kjo krijon një kanal afrimi politik dhe diplomatik me administratën aktuale amerikane, në një moment kur rreshtimi strategjik dhe besueshmëria kanë peshë konkrete në vendimmarrjen globale.
Ky është një pozicionim i drejtë i politikës së jashtme dhe një investim afatgjatë në interesin shtetëror të Kosovës dhe kështu duhet të veprohet edhe në hapat për integrim euro-atlantik edhe vendet tjera nga Bashkimi Evropian./Telegrafi/
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar lidhur me vendimin për rritjen e pagës minimale, duke vlerësuar se përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve dhe rritja e pagës minimale janë qëllime të drejta dhe të nevojshme për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.
Megjithatë, AKB shpreh shqetësim për mënyrën se si është marrë ky vendim, duke theksuar se ai është miratuar pa dialog me sektorin privat, pa konsultime paraprake dhe pa një analizë të plotë të ndikimit financiar, veçanërisht për mikro-ndërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla, të cilat përbëjnë shumicën e ekonomisë së Kosovës.
Sipas AKB-së, mungesa e një analize gjithëpërfshirëse rrit rrezikun që një pjesë e bizneseve, të paafta për të përballuar kostot shtesë, të shtyhen drejt informalitetit, duke cenuar vetë qëllimin e deklaruar të këtij vendimi.
“Ne nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale, por kërkojmë që vendime të tilla të rëndësishme të merren përmes dialogut social, në bashkëpunim me përfaqësuesit e biznesit dhe sindikatat, dhe të shoqërohen me masa lehtësuese fiskale apo mbështetëse, sidomos për bizneset e vogla”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Në të njëjtën kohë, Aleanca shpreh indinjatë që edhe në këtë rast veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë apo trajtuar me politika të veçanta mbështetëse, pavarësisht rolit dhe sakrificës së tyre për lirinë e vendit, duke theksuar se çdo reformë sociale dhe ekonomike duhet të reflektojë drejtësi dhe ndjeshmëri ndaj kësaj kategorie.
AKB i bën thirrje Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të rihapë dialogun me sektorin privat dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar që rritja e pagës minimale të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe pa pasoja negative për ekonominë formale./Telegrafi/.
KOSTT po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme në balancimin e sistemit në kohë reale, si pasojë e devijimeve të mëdha ndërmjet energjisë së nominuar dhe kërkesës reale.
Kështu thuhet në një komunikatë nga ky institucion.
“Sot, më 20.01.2025, KESCO ka nominuar rreth 26.17% më pak energji sesa kërkesa reale, duke e çuar Zonën e Kontrollit KOSTT në jo balanca mesatare prej rreth 211 MW orë, ndërsa në disa orë këto jo balanca tejkalojnë 260 MW orë. Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”, shkruan KOSTT transmeton Telegrafi.
KOSTT bën thirrje që nominimet të reflektojnë saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, për të shmangur devijimet dhe për të ruajtur sigurinë e sistemit. Në këtë situatë, KOSTT është detyruar që të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes./Telegrafi/.
Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se zgjidhja për krizën energjetike në Kosovë nuk qëndron te importi urgjent, por te planifikimi afatgjatë dhe përgjegjësia institucionale.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Ymeri tha se sektori i energjisë po funksionon pa strategji të qartë dhe pa planifikim vjetor, çka sipas saj është arsyeja kryesore pse krizat po përsëriten.
“Zgjidhja është planifikimi vjetor i të gjithë sektorit të energjisë elektrike, që nuk është bërë as për vitin 2025 e as për vitin 2026”, deklaroi Ymeri shkruan Telegrafi.
Ajo theksoi se institucionet duhet të tregojnë qartë se sa energji i nevojitet Kosovës, sa do të importohet dhe nga cilat burime, në mënyrë që të shmangen situatat emergjente me çmime të larta.
“Duhet me ditë sa kemi nevojë për energji, sa kemi me importu dhe prej kujt kemi me importu. Kjo është bazë”, u shpreh ajo.
Sipas Ymerit, mungesa e këtij planifikimi e ka bërë sektorin të pambrojtur dhe ka hapur rrugë për improvizime që po i kushtojnë shtrenjtë qytetarëve.
“Pa planifikim, gjithçka bëhet ad-hoc. Importi bëhet urgjent dhe faturën e paguajnë qytetarët”, tha ajo.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së shtoi se transparenca dhe mbikëqyrja institucionale janë po aq të rëndësishme sa vetë prodhimi i energjisë.
“Energjia elektrike është siguri kombëtare dhe nuk mund të menaxhohet pa përgjegjësi dhe pa llogaridhënie”, theksoi Ymeri.
Ymeri dhe Hajrullahu në "Përballje Podcast"Foto: Ridvan Slivova
Ajo paralajmëroi se, në mungesë të një strategjie të qartë vjetore, Kosova do të vazhdojë të përballet me kriza të përsëritura energjetike dhe pasoja të rënda ekonomike për qytetarët dhe bizneset./Telegrafi/.
Një fotografi jo vërtet e një “fantazme” duke shëtitur në Prishtinë u shpërnda me shpejtësi në rrjete sociale, përfundoi në disa media online dhe u kthye në temë debati publik.
Imazhi, i krijuar me inteligjencë artificiale, Photoshop apo montazh, nuk ishte real, por ndikimi i tij ishte.
Pa asnjë verifikim, pa burim dhe pa konfirmim zyrtar, një imazh i pavërtetë krijoi hutim, shqetësim dhe madje panik, sidomos te fëmijët dhe prindërit.
Kjo tregoi se sa lehtë mund të manipulohet opinioni publik dhe sa shpejt dështojnë filtrat bazë të informimit në gazetari.
Raste të tilla rikthejnë në vëmendje rrezikun e përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale dhe nevojën urgjente për edukim medial.
Në një kohë kur imazhet dhe videot po bëhen gjithnjë e më bindëse, verifikimi para shpërndarjes nuk është më zgjedhje, është përgjegjësi.
Kjo ishte një “fantazmë”. Nesër mund të jetë diçka shumë më serioze.
Prandaj, para se të besoni apo të shpërndani një lajm: verifikoni burimin, autorin dhe median.
Thjesht, verifikoni. Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.
Raportimi në disa media për një “fantazmë” që “shëtitet” nëpër rrugët e Kosovës është i pasaktë, pasi që bëhet fjalë për një përmbajtje të gjeneruar nëpërmjet Inteligjencës Artificiale (AI).
“Mediat duhet të kenë kujdes që përmbajtjet e ngjashme t’i verifikojnë dhe të mos i shpërndajnë, sepse mund të shkaktojnë panik”, thuhet në reagimin e KMShK-së me datën 12 janar.
KMShK bën thirrje që raportimet të bëhen kujdesshëm, të jenë korrekte dhe të bazuara në Kodin e Etikës./Telegrafi/.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se më 12 shkurt 2026, duke filluar nga ora 09:00, do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj disa të akuzuarve për vrasje të rëndë.
Sipas njoftimit zyrtar, të pandehurit H.B., R.M., V.Ç., E.L. dhe Sh.K. akuzohen për veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.9, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërkaq, i pandehuri D.G. akuzohet për veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, nga neni 380 paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 2 të KPRK-së.
Seanca do të mbahet në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, në katin e parë, salla numër I, dhe do të udhëhiqet nga gjyqtari Ilir Bytyqi.
Nga Gjykata bëhet e ditur se seanca është e hapur për publikun, duke ftuar mediat dhe qytetarët e interesuar ta përcjellin atë./Telegrafi/.
Zgjedhja e Presidentes apo Presidentit të ri të Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, nuk pritet të shoqërohet me bllokadë institucionale, pavarësisht debateve politike që mund të zhvillohen.
Sipas tij, bazë për këtë është vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës në rastin e Behgjet Pacollit, i cili përcakton qartë obligimin e deputetëve për të marrë pjesë në procesin e votimit.
“Deputetët janë të obliguar me marrë pjesë në votim. Edhe nëse nuk arrihet zgjedhja në dy rundet e para, në rundin e tretë Presidenti zgjidhet me 61 vota, por deputetët duhet të jenë të pranishëm”, u shpreh Demi në “Përballje Podcast”, shkruan Telegrafi.
Ai theksoi se partitë politike nuk kanë më hapësirë për manovra apo bllokada të qëllimshme, pasi përvoja e kaluar ka treguar se zvarritjet institucionale nuk u kanë sjellë përfitime politike.
“Bllokada disamujore, edhe pse realisht përgjegjësia ishte kryesisht e partisë në pushtet, në perceptimin publik përfundimisht nuk e dëmtoi Vetëvendosjen”, tha Demi, duke shtuar se kjo parti ka arritur ta menaxhojë narrativën politike në favor të saj.
Sipas analistit, një raund i ri zgjedhjesh parlamentare nuk do t’u konvenonte as partive opozitare.
Ai përmendi se Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të hyjë në procese të brendshme zgjedhore, ndërsa një lidership i ri nuk do të rrezikonte përballjen me zgjedhje të reja brenda pak muajsh.
Një situatë e ngjashme, sipas tij, vlen edhe për Partinë Demokratike të Kosovës dhe AAK-në, të cilat nuk kanë interes të futen sërish në një cikël zgjedhor të shpejtë.
Demi foli edhe për faktorë të jashtëm që mund të ndikojnë në kalkulimet politike, përfshirë vendimet e mundshme nga Haga për ish-krerët e UÇK-së dhe PDK-së.
Në përmbyllje, Demi theksoi se rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe pjesëmarrja e mërgatës kanë treguar se Vetëvendosje, veçanërisht lideri i saj Albin Kurti, ka qenë disa hapa përpara në menaxhimin e skenarëve politikë.
“Edhe zvarritjet institucionale, në fund, janë shndërruar në avantazh elektoral për partinë në pushtet”, tha ai, duke shtuar se dalja më e ulët në votime në disa raste ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin final.
Grenlanda po shndërrohet në një nga pikat më të ndjeshme gjeostrategjike të dekadës.
Arktiku nuk është më periferi, por qendër e interesave të fuqive të mëdha.
Evropa mund të ballafaqohet në këtë aspekt me Amerikën e NATO mund të ndahet në qëndrime ndërsa lufta në Ukrainë, zhvillimet e fundit në Iran, tensionet rreth Tajvanit dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme po e formësojnë globin.
Kina dhe Rusia, çuditërisht, po qëndrojnë në heshtje për Venezuelën. Një heshtje që nuk është neutrale, por mund të jetë strategjike.
Ndërkohë, në Kosovë, dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pas daljes së rezultateve, debati publik vazhdon të sillet rreth një teme kryesore: numri i ulëseve në Kuvend.
A i ka Lëvizja Vetëvendosje 57 apo 58 deputetë? A mund t’i kishte Partia Demokratike e Kosovës 23 ulëse? Pse Lidhja Demokratike i ka vetëm 15 e jo 20 sa kishte?
Ndërkaq, diskutimet për qeverisjen e ardhshme, për prioritetet katërvjeçare, për programin politik, për ministritë dhe për politikat konkrete që do ta prekin jetën e qytetarëve, janë pothuajse të padukshme.
Në vend të pyetjes çfarë do të bëjmë?, vazhdojmë të pyesim sa i kanë?
Kjo do të ishte thjesht një anomali politike, po të mos ishte problem serioz strategjik.
Sepse, Kosova, ndonëse shtet i vogël, është jashtëzakonisht e ekspozuar ndaj zhvillimeve globale.
Çdo lëvizje në NATO, çdo tension mes fuqive të mëdha, çdo ndryshim në raportet ShBA–BE, çdo situatë në Lindje e në Ukrainë mund të këtë ndikim edhe në sigurinë e politikën e jashtme të vendit.
Qeveria e ardhshme e Kosovës do të përballet me një botë më të pasigurt, më të polarizuar dhe më pak të durueshme ndaj improvizimit.
Ajo do të duhet të ketë qasje të qartë ndaj sigurisë, diplomacisë, energjisë, ekonomisë dhe marrëdhënieve me aleatët. Këto nuk janë çështje teknike, por ekzistenciale.
Megjithatë, diskursi publik mbetet i ngujuar në rreth parlamentar dhe ironia është e pashmangshme: teksa bota po digjet, ne numërojmë karriget.
Natyrisht, rezultati zgjedhor ka rëndësinë e vet dhe respektimi i procedurave është thelbësor për demokracinë. Por, nuk mbaron gjithçka te numërimi i mandateve. Demokracia vazhdon pikërisht aty, te vizioni, te përgjegjësia dhe te përgatitja për sfidat që vijnë.
Pyetja reale nuk është kush ka një ulëse më shumë në Kuvend. Pyetja është: a jemi gati për botën që po vjen?
Qeveria e re e Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, duhet ta shfrytëzojë vitin 2026 për të vendosur themele të qarta zhvillimore dhe për të shmangur politikat afatshkurtra që nuk prodhojnë rezultate të qëndrueshme.
Në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu, Demi theksoi se fokusi i institucioneve të reja duhet të jetë funksionalizimi i shtetit dhe orientimi drejt reformave që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi dhe shoqëri.
Sipas tij, prioriteti i parë duhet të jetë stabiliteti institucional dhe miratimi në kohë i buxhetit.
“Miratimi i buxhetit është pika e parë dhe më e rëndësishme, sepse pa të bllokohen pagesat dhe funksionimi normal i shtetit”, tha Demi, duke nënvizuar se vonesat politike krijojnë kosto të drejtpërdrejta ekonomike.
Në aspektin e zhvillimit ekonomik, Demi vlerësoi se Qeveria e re duhet të rikthejë vëmendjen te investimet kapitale dhe projektet zhvillimore.
“Investimet kapitale kanë qenë për vite motor i zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe rritjes afatgjatë”, u shpreh ai, duke shtuar se pa projekte konkrete infrastrukturore është e vështirë të flitet për zhvillim real.
Një tjetër fokus i domosdoshëm, sipas Demit, është digjitalizimi i administratës publike dhe modernizimi i shërbimeve shtetërore.
“Digjitalizimi duhet të ndikojë mënyrën se si funksionon shteti – nga arsimi dhe shëndetësia, te projektet kapitale dhe raporti i qytetarëve me institucionet”, tha ai shkruan Telegrafi.
Foto:Ridvan Slivova
Demi theksoi gjithashtu se arsimi dhe inovacioni duhet të trajtohen si shtylla të zhvillimit afatgjatë. Sipas tij, ndryshimet teknologjike dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale po e transformojnë tregun global të punës, ndaj Kosova duhet të përgatisë kapitalin njerëzor për këto sfida.
“Nuk kemi luksin të vazhdojmë me politika të vjetra në një botë që po ndryshon kaq shpejt”, u shpreh ai.
Në përmbyllje, Demi tha se suksesi i Qeverisë së re do të matet me aftësinë për të kaluar nga menaxhimi i përditshëm drejt një vizioni zhvillimor.
“Këto janë vitet kur duhet të vendosen themelet për dekadat e ardhshme, sepse vendimet e sotme do ta përcaktojnë zhvillimin e Kosovës në të ardhmen”, përfundoi ai. /Telegrafi/.
Ekonomia e Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, nuk përballet vetëm me sfidën e miratimit të buxhetit, por edhe me bllokimin e marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Duke folur në “Përballje Podcast”, Demi theksoi se një nga rastet më domethënëse është Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
Sipas tij, Kosova nuk ka arritur të përfitojë asnjë euro nga fondet në vlerë prej 882 milionë eurosh, të garantuara nga Bashkimi Evropian për vendet e rajonit, me fokus fillestar zbatimin e agjendës së gjelbër dhe më pas projekte të tjera zhvillimore.
“Kosova është një ndër vendet e vetme në rajon, pas Bosnjës, që nuk ka arritur të marrë asnjë milion nga këto fonde”, u shpreh Demi shkruan Telegrafi.
Ai paralajmëroi se një pjesë e këtyre mjeteve tashmë mund të konsiderohen të humbura.
“Vetë kryeministri Kurti ka deklaruar se rreth dhjetë për qind e këtyre fondeve vetëm se janë humbur, ndërsa ato mjete shpërndahen më pas te vendet e tjera të rajonit”, tha Demi, duke theksuar se rikthimi i plotë i shumës prej 882 milionë eurosh tashmë është i vështirë.
Demi shtoi se mbetet e paqartë nëse, edhe në rast të miratimit të buxhetit në fillim të vitit, Kosova do të arrijë t’i rikthejë këto mjete.
“Nuk dihet nëse në janar, edhe nëse aprovohet buxheti, do të ketë ende hapësirë që këto fonde të kthehen”, theksoi ai.
Sipas analistit, kjo situatë tregon se sfidat ekonomike të vitit 2026 nuk lidhen vetëm me politikat e brendshme fiskale, por edhe me aftësinë institucionale të Kosovës për të përmbushur obligimet dhe për të shfrytëzuar mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, të cilët mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin e gjelbër të vendit./Telegrafi/
Numërimi i votave ka përfunduar, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është renditur e dyta me 192,407 vota.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas përmbylljes së procesit zgjedhor, duke theksuar se ky rezultat përfaqëson një përgjegjësi të madhe për partinë.
“Këtë besim e marrim me përgjegjësi të madhe”, ka shkruar Hamza, duke vlerësuar ruajtjen e votës së PDK-së si dëshmi të mbështetjes së qytetarëve për punën dhe vlerat që partia përfaqëson.
Ai ka theksuar se gara ka qenë e vështirë dhe e pabarabartë, ndërsa ka nënvizuar se rezultati i obligon strukturat e partisë për angazhim edhe më të madh.
“Ky besim na obligon më shumë se kurrë që të riorganizohemi, t’i konsolidojmë radhët tona dhe ta intensifikojmë veprimin politik”, ka shkruar ai transmeton Telegrafi.
Hamza ka bërë të ditur se PDK do të vazhdojë angazhimin për qytetarët pa dallim.
“PDK do të vazhdojë të punojë për çdo qytetar, pa dallim, në çdo platformë ku jemi të pranishëm, me këmbëngulje dhe me bindjen se Kosova meriton më shumë dhe më mirë”, ka përfunduar ai, duke falënderuar qytetarët për besimin e dhënë./Telegrafi/.
Kosova hyn në vitin 2026 me pritje për institucione të reja dhe me pritshmëri të larta për stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik.
Në “Përballje Podcast”, analisti i politikave Agron Demi ka folur për gjendjen ekonomike të vendit, prioritetet që e presin Qeverinë e re dhe rreziqet që mund ta shoqërojnë vitin 2026 nëse nuk ka ndryshim qasjeje.
Demi vlerëson se proceset zgjedhore tashmë kanë përfunduar, por sfida kryesore mbetet faza paszgjedhore dhe funksionalizimi i institucioneve.
Sipas tij, formimi i shpejtë i Kuvendit dhe Qeverisë është parakusht për stabilitet ekonomik.
“Nëse tejkalohet shkurti pa u konstituuar Kuvendi dhe Qeveria, mund të rrezikohen linjat buxhetore dhe të krijohen pengesa serioze financiare”, tha ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.
Fokusi kryesor për vitin 2026, sipas Demit, duhet të jetë zhvillimi ekonomik.
Ai theksoi se vitet e fundit janë karakterizuar nga vendime të përkohshme dhe mungesë e projekteve zhvillimore afatgjata.
“Ka pasur shumë vendime ad-hoc dhe shpërndarje të mjeteve buxhetore, por investimet kapitale, që dikur ishin shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, kanë rënë në plan të tretë”, u shpreh Demi shkruan Telegrafi.
Foto: Ridvan Slivova
Në këtë kontekst, ai vlerëson se buxheti i vitit 2026 duhet të ketë karakter më zhvillimor.
Sipas tij, rritja e shpenzimeve për paga dhe skema sociale nuk mjafton për të nxitur rritje ekonomike afatgjatë.
“Nëse nuk rikthehet fokusi te investimet kapitale dhe projektet infrastrukturore, do të jetë e vështirë të flasim për zhvillim real ekonomik”, theksoi ai.
Demi foli edhe për marrëveshjet dhe fondet ndërkombëtare, duke përmendur Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.
“Kosova nuk ka arritur të përfitojë nga fondet e garantuara prej BE-së, ndërsa një pjesë e tyre rrezikon të humbet nëse nuk ka veprime të shpejta institucionale”, tha ai, duke e cilësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për zhvillim ekonomik dhe për zbatimin e agjendës së gjelbër.
Sa i përket gjendjes sociale, Demi theksoi se inflacioni dhe rritja e çmimeve kanë ndikuar drejtpërdrejt në standardin e jetesës.
“Rritja e çmimeve, deficiti tregtar dhe varësia nga importet vazhdojnë të jenë sfida serioze për ekonominë e Kosovës”, u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e matjeve të rregullta të varfërisë e bën më të vështirë adresimin e problemeve reale.
Foto: Ridvan Slivova
Në fund, Demi vlerësoi se viti 2026 duhet të shënojë një orientim më të qartë drejt reformave strukturore, digjitalizimit dhe tranzicionit të gjelbër.
“Dhjetëvjeçari i ardhshëm do të jetë periudhë e tranzicionit digjital dhe energjetik. Kosova nuk e ka luksin të vazhdojë me politika të vjetra në një realitet që po ndryshon shpejt”, përfundoi ai.
Sipas Demit, mënyra se si Qeveria e re do ta adresojë buxhetin, investimet kapitale dhe fondet ndërkombëtare do të përcaktojë në masë të madhe nëse viti 2026 do të jetë vit stabilizimi apo vit i humbur për zhvillimin ekonomik të Kosovës./Telegrafi/.
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhebashkëpunim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më datë 05.01.2026 ka bërë ekstradimin nga Kosova në Turqi të një shtetasi turk.
Në njoftimin nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se i dyshuari ishte arrestuar nga njësitet e Policisë së Kosovës pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Turqisë nën dyshimin e përfshirjes në veprapenale.
“Shfrytëzimi seksual i fëmijës’’ dhe ‘’Privimi i lirisë së fëmijës’’, të sanksionuar sipas kodit penaltë shtetit turk.Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre turke, shkruan në komunikatë transmeton Telegrafi.
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojëbashkëpunimin me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimittë aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryerësve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera tëjashtëligjshme./Telegrafi/.
Për qytetarët, viti 2026 nuk është debat politik, por një pyetje e drejtpërdrejtë, a do të ketë punë, mirëqenie, shërbime më të mira dhe stabilitet institucional?
Pas një bllokade njëvjeçare, Kosova po hyn më në fund në një fazë të re politike. Zgjedhjet u përmbyllën pa incidente dhe me publikim rekord të rezultateve preliminare nga KQZ-ja, një tregues i funksionimit demokratik dhe stabilitetit institucional.
Sipas rezultateve, qytetarët i dhanë Albin Kurtit edhe një mandat tjetër. Me 56 deputetë të siguruar nga LVV dhe partnerët e saj, formimi i Qeverisë Kurti 3 duket çështje kohe. Por fitorja në zgjedhje nuk e zëvendëson përgjegjësinë e qeverisjes. Përkundrazi, viti 2026 do të jetë test politik dhe institucional.
Pesë sfida do ta përcaktojnë jo vetëm punën e Qeverisë Kurti 3, por edhe besimin e qytetarëve në politikë dhe qeverisje.
Buxheti 2026 dhe ekonomia
Sfida kryesore mbetet ekonomia. Miratimi i Buxhetit 2026 duhet të jetë urgjent, i qëndrueshëm dhe zhvillimor. Pa investime kapitale, mbështetje për sektorin privat dhe menaxhim të kujdesshëm fiskal, çdo reformë tjetër mbetet e kufizuar.
Përveç menaxhimit fiskal, qeveria duhet të adresojë çmimet e larta të energjisë, inflacionin dhe presionin mbi buxhetin e familjeve. Nevojitet mbështetje institucionale e qëndrueshme për bizneset dhe qytetarët, për të shmangur rritje të mëtejshme të çmimeve dhe pasoja të thella sociale.
Zgjedhja e Presidentit – testi real
Në pranverën e vitit 2026 pritet zgjedhja e Presidentit/es. Ky proces nuk duhet ta fusë vendin në krizë politike apo ta çojë drejt zgjedhjeve të reja. Kërkohet kompromis dhe pjekuri institucionale.
Deri tash, presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmërinë e saj për një mandat të dytë. A do të ndodhë kjo apo do të kemi një figurë tjetër në krye të institucionit, do ta tregojë koha e afërt.
Kjo situatë do të jetë testi real për Qeverinë Kurti 3 dhe për qëndrimet që do të mbajnë subjektet kryesore politike – PDK, LDK dhe AAK në Kuvendin e Kosovës.
Kuvendi dhe agjenda legjislative
Pas bllokadave të gjata, Kuvendi duhet të funksionojë. Para deputetëve janë ligje dhe marrëveshje kyçe, përfshirë marrëveshjet financiare me Bankën Botërore, projektet për shëndetësi dhe arsim, si dhe shqyrtimi i parë i Buxhetit 2026.
Foto: Ridvan Slivova
Këto vendime përcaktojnë zhvillimin ekonomik dhe raportet ndërkombëtare të Kosovës. Çdo bllokadë e re do të ishte jo vetëm dështim politik, por edhe kosto direkte për qytetarët.
Politika e jashtme dhe partnerët
Raportet me Bashkimin Evropian dhe ruajtja e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten sfida serioze. Kosova ka nevojë për diplomaci më proaktive dhe më pak konfrontim që çon në izolim.
Izolimi diplomatik nuk është veprim i mençur, por rrezik strategjik për një shtet të vogël. Njohjet e reja dhe anëtarësimi në organizata dhe institucione ndërkombëtare mbeten prioritet kyç. Dialogu me Serbinë do të jetë në fokus, por edhe në varësi të situatës politike në Serbi.
Qeverisja e brendshme
Arsimi, shëndetësia dhe administrata publike mbeten test për çdo qeveri, e sidomos për një qeveri me mandat të dytë apo të tretë. Qytetarët presin rezultate konkrete, jo justifikime politike.
Zgjedhjet përfunduan. Tani nuk ka më arsyetime, as fajësime. Viti 2026 do të tregojë nëse mandati i ri do të mbahet mend për qeverisje, apo për një tjetër shans të humbur./Telegrafi/.
Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka krijuar një tronditje të thellë në ekonominë amerikane dhe në tregjet financiare globale, duke vënë në pikëpyetje epërsinë tradicionale teknologjike të Shteteve të Bashkuara. Kështu ka deklaruar eksperti i tregjeve financiare ndërkombëtare, Emanuel Bajra, në “Përballje Podcast”.
Sipas Bajrës, për herë të parë pas dekadash, tregu amerikan është përballur me ndjenjën se dominimi teknologjik nuk është më i garantuar, gjë që ka reflektuar drejtpërdrejt në sjelljen e investitorëve dhe në luhatjet e forta të tregjeve gjatë vitit 2025.
“Kjo ishte një tronditje e madhe për tregun amerikan. U kuptua se epërsia teknologjike nuk është më e sigurt”, tha Bajra.
Ai shpjegoi se frika nga përhapja e shpejtë e inteligjencës artificiale dhe nga humbja e avantazhit teknologjik ka ndikuar drejtpërdrejt në rënien e besimit te kompanitë e mëdha teknologjike dhe në tërheqjen e shpejtë të kapitalit.
“Kur kapitali fillon të tërhiqet, bie konfidenca dhe krijohet panik. Reagimi i investitorëve ka qenë i menjëhershëm”, theksoi ai.
Bajra theksoi se inteligjenca artificiale nuk është vetëm zhvillim teknologjik, por tashmë është shndërruar në faktor kyç ekonomik dhe gjeopolitik, që po ndikon mënyrën se si alokohet kapitali dhe si ndërtohen strategjitë ekonomike globale.
“Inteligjenca artificiale sot është faktor ekonomik dhe gjeopolitik. Ajo po e ndryshon mënyrën se si funksionojnë tregjet dhe si mendohet për të ardhmen”, u shpreh Bajra shkruan Telegrafi.
Sipas tij, këto zhvillime do të vazhdojnë të ndikojnë në tregjet financiare edhe në vitet në vijim, duke e bërë inteligjencën artificiale një nga faktorët më të rëndësishëm në ekonominë globale./Telegrafi/.
Pas një bllokade totale njëvjeçare, më në fund vendi po duket se po shkon drejt një zgjidhjeje.
Zgjedhjet përfunduan, qytetarët votuan dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi në kohë rekord rezultatet e para preliminare.
Vetëm 2–3 orë pas përfundimit të votimit, Kosova kishte tashmë rezultatet fillestare, çka përbën një shembull të organizimit të mirë, procesit demokratik dhe një dite zgjedhore pa incidente serioze që do ta cenonin integritetin e procesit.
Por, çfarë sollën rezultatet e djeshme dhe cila është situata politike?
Qytetarët ia dhanë Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje edhe një mandat për të qeverisur.
Me 56 deputetë nga LVV, GUXO, Alternativa dhe PShDK, Kurtit i duhen vetëm edhe 5 vota nga komunitetet jo-shumicë për të formuar qeverinë. Nëse këto vota sigurohen pa Duda Baljen dhe Adem Hoxhën, si në të kaluarën, Kurti mund të arrijë deri në 64 vota, duke krijuar qeverinë pa partitë opozitare të deritashme, PDK, LDK dhe AAK.
Në muajin shkurt, Kurti kishte 42% dhe 48 deputetë, ndërsa sipas rezultateve të së dielës, që ende nuk janë finale, ai del me 56 deputetë, pra 6 më shumë.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila në shkurt kishte 24 deputetë, tani pritet të ketë 23, me Bedri Hamzën në krye të partisë.
LDK-ja, nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, shënon një rënie të konsiderueshme nga 20 deputetë në shkurt, tani pritet të ketë 15.
Ndërkohë, AAK, e cila në shkurt kishte 8 deputetë së bashku me NISMA-n e Fatmir Limajt, tani pritet të ketë 6 deputetë, dy më pak, dhe pa NISMA-n në Kuvend.
Tani, pas një bllokade njëvjeçare, çfarë na pret?
Është koha për përgjegjësi, punë dhe përkushtim. Kosovën e presin shumë tema të rëndësishme, por fokusi kryesor në vitin 2026 duhet të jetë ekonomia – ekonomia dhe ekonomia.
Kur flasim për ekonomi, flasim për Buxhetin 2026, i cili duhet të miratohet urgjentisht; për ligjet e reja që e presin Kuvendin e Kosovës; dhe për marrëveshjet ndërkombëtare që presin miratim dhe zbatim praktik.
Një tjetër test real për Qeverinë Kurti 3 do të jetë zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës në pranverë. Ky proces nuk duhet ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Kërkohen marrëveshje, kompromis dhe pjekuri politike.
Kosova nuk ka më nevojë për “sallta politike”. Është koha për përgjegjësi dhe pjekuri politike.
Koha për qeverisje të mirë në arsim, shëndetësi, ekonomi, politikë të jashtme, e jo për ankesa dhe bllokada.