Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Main stream

Presidenti i Torinos sqaron të ardhmen e Kristjan Asllanit

9 January 2026 at 23:45


Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka komentuar situatën e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani, duke lënë të hapur mundësinë e një largimi të tij gjatë afatit kalimtar dimëror.

Në një prononcim për mediat italiane, 68-vjeçari ka vlerësuar paraqitjet e Asllanit, duke theksuar cilësitë e tij teknike, por njëkohësisht ka pranuar se e ardhmja e mesfushorit mbetet e paqartë për shkak të dinamikës së afatit kalimtar të janarit.

“Asllani ka pasur disa ndeshje të mira dhe disa jo aq të mira, si pjesa tjetër e skuadrës. Ai ka cilësi të jashtëzakonshme. E përdor shumë mirë si këmbën e djathtë ashtu edhe të majtën, aq sa nuk dihet se cila është më e fortë.”

“Pastaj do të shohim se çfarë do të sjellë afati kalimtar i janarit, gjithmonë përmban surpriza”, ka thënë Cairo.

Interesimi për mesfushorin shqiptar nuk mungon, pasi disa klube kanë shfaqur gatishmëri për ta transferuar.

Në mesin e skuadrave të përmendura janë Girona, Parma dhe Sassuolo, të cilat po e ndjekin nga afër situatën e tij.

Kristjan Asllani iu bashkua Torinos gjatë verës, në formë huazimi nga Interi, me synimin për të fituar më shumë minuta dhe vazhdimësi në lojë.

Deri më tani, 23-vjeçari ka regjistruar 16 paraqitje me fanellën e Torinos në këtë edicion.

E ardhmja e mesfushorit shqiptar pritet të sqarohet në javët në vijim, teksa afati i janarit mund të sjellë zhvillime të reja për karrierën e tij./Telegrafi/

Dikur një lojtar i rëndësishëm, por tani ylli i Barcelonës rrezikon largimin nga klubi

9 January 2026 at 22:33


Barcelona është e gatshme të shqyrtojë mundësinë e huazimit të mesfushorit Marc Casado nëse ai kërkon të largohet në kërkim të minutave të rregullta të lojës, përpara mbylljes së afatit kalimtar të janarit, raporton Mundo Deportivo.

Talenti i dalë nga akademia, i cili pati një sezon shpërthyes vitin e kaluar, ka parë një rënie të ndjeshme të hapësirave këtë edicion dhe pritet të përballet me konkurrencë edhe më të madhe me rikthimin e afërt të Gavit nga lëndimi.

Casado ishte konsoliduar si titullar sezonin e kaluar, në një periudhë kur Marc Bernal po rikuperohej nga një dëmtim i rëndë në ligament dhe Frenkie De Jong ishte jashtë fushave. Megjithatë, dhjetë muajt e fundit kanë qenë të vështirë për mesfushorin.

Me rikthimin e De Jong në formë të plotë, Casado ka grumbulluar vetëm 786 minuta në 18 paraqitje në të gjitha garat, duke mbetur pas Pedrit, De Jongut, Eric Garcias dhe Bernalit në hierarkinë e mesfushës.

Transferimi i Joao Cancelo gjithashtu e përjashton çdo mundësi që Casado të përdoret si alternativë në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Edhe pse stafi teknik i drejtuar nga Hansi Flick nuk ka ndërmend ta shtyjë lojtarin drejt largimit, klubi nuk do t’i vendoste pengesa nëse do të vinte një ofertë e përshtatshme dhe lojtari do të shprehte dëshirën për t’u larguar.

Sipas raportit, Casado ka refuzuar oferta gjatë verës dhe deri më tani nuk ka treguar asnjë prirje për të kërkuar largimin, çka e bën të pamundur një dalje nga klubi para fundit të këtij muaji./Telegrafi/

Yesterday — 9 January 2026Main stream

Kameruni triumfon ndaj Malit dhe avancon në gjysmëfinale të Kupës së Kombeve të Afrikës

9 January 2026 at 21:58


Kombëtarja e Marokut ka regjistruar një fitore të rëndësishme me rezultat 2-0 ndaj Kamerunit, për të avancuar në gjysmëfinale të Kupës së Kombeve të Afrikës.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 26-të, pas një goditjeje nga këndi, ku Brahim Diaz u tregua më i shkathët në zonë dhe me një përpjekje nga afër, e shtyu topin në rrjetë për t’i dhënë epërsinë Marokut prej 1-0.

Ky gol i dha qetësi skuadrës së drejtuar nga Walid Regragui, e cila menaxhoi mirë pjesën e mbetur të pjesës së parë.

Kameruni u përpoq të reagojë, por ndërhyrjet e shumta dhe mungesa e qartësisë në fazën sulmuese bënë që skuadra afrikane të ndëshkohej edhe me kartonë të verdhë, përfshirë Arthur Avom dhe Nouhou.

Në pjesën e dytë, Maroku vazhdoi të kontrollojë ritmin e lojës, ndërsa trajnerët e të dyja skuadrave bënë disa zëvendësime për të freskuar ekipet.

Vendimi i Regraguit për të futur në lojë lojtarë si Youssef En-Nesyri dhe Sofyan Amrabat i dha edhe më shumë stabilitet ekipit.

Goli i dytë dhe vendimtar erdhi në minutën e 74-t, kur një pasim i gjatë dhe i saktë e nxori Ismael Saibari përballë portës.

Mesfushori maroken finalizoi me një goditje të ulët dhe precize, duke e dërguar topin në cepin e djathtë të portës për rezultatin përfundimtar 2-0.

Pas këtij triumfi, Maroku do të presë në gjysmëfinale fituesin e çiftit Algjeri – Nigeri, ndeshje kjo që do të luhet nesër (e shtunë) me fillim nga ora 17:00./Telegrafi/

Zyrtare: Udoyen Akpan përforcon Gjilanin

9 January 2026 at 21:31


SC Gjilani ka zyrtarizuar transferimin më të ri në skuadër, duke nënshkruar me futbollistin Udoyen Akpan, i cili i bashkohet ekipit nga Drenica.

Sulmuesi 26-vjeçar vjen me një përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare, të fituar gjatë karrierës së tij në disa kampionate evropiane.

Me origjinë nga Liverpooli, Akpan ka qenë pjesë e disa klubeve në Angli, ndërsa ka luajtur gjithashtu në Qipro, Uells, Maltë dhe Itali, duke ndërtuar një profil të gjerë dhe të pasur futbollistik.

Afrimi i Akpanit shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv të skuadrës, teksa Gjilani synon të rrisë konkurrencën dhe cilësinë në vazhdim të sezonit.

Njoftimi i plotë i Gjilanit:

SC Gjilani ka kënaqësinë të bëjë të ditur afrimin më të ri në skuadër, futbollistin Udoyen Akpan.

Akpan i bashkohet ekipit tonë nga FC Drenica, duke sjellë me vete një përvojë të pasur të fituar në disa kampionate evropiane.

Sulmuesi 26 vjeçar është me origjinë nga Liverpool, teksa gjatë rrugëtimit të tij profesional, ai ka qenë pjesë e klubeve në Angli, si dhe ka luajtur në Qipro, Uells, Maltë dhe Itali, çka e bën një futbollist me bagazh të rëndësishëm ndërkombëtar.

SC Gjilani i uron mirëseardhje Udoyen Akpanit dhe shpreh besimin se kontributi i tij do të jetë i rëndësishëm për skuadrën në vazhdim të sezonit./Telegrafi/

Presidenti i La Ligas komenton përplasjen mes Simeones dhe Vinicius

9 January 2026 at 21:16


Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, ka minimizuar polemikën rreth përplasjes midis Diego Simeone dhe Vinicius Junior gjatë gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës të enjten, duke e përshkruar si “gjëra që ndodhin në fushë dhe nuk duhet trajtuar si diçka më shumë sesa një anekdotë”.

Duke folur në Xhedah, ku ishte i pranishëm në këtë kompeticion, Tebas bëri thirrje për mirëkuptim në mes të reagimeve pas shkëmbimit të nxehtë mes trajnerit të Atletico Madrid dhe sulmuesit të Real Madridit.

“Pyetni Simeonen. Lojtarët dhe trajnerët janë nën shumë presion gjatë ndeshjeve, dhe edhe më shumë se dje”.

“Duhet ta kuptojmë që këto gjëra ndodhin, nuk janë më shumë se kaq. Siç thotë Simeone, janë gjëra që ndodhin në fushë dhe nuk duhet trajtuar si diçka më shumë sesa një anekdotë”.

Simeone kishte refuzuar të përgjigjej pas ndeshjes për këtë çështje, duke insistuar se ngjarjet në fushë duhet të mbeten aty, ndërsa trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso kishte kritikuar sjelljen e kolegut të tij.

Atletico Madridi gjithashtu ka reaguar, duke mbrojtur trajnerin e saj me një mesazh në rrjetet sociale në të cilin kanë lënë të kuptohet se ishte ylli i Real Madridit ishte ai që filloi gjithçka./Telegrafi/

“Nuk je më te Crystal Palace”, legjenda e Arsenalit paralajmëron Eberechi Ezen

9 January 2026 at 20:43


Legjenda e Arsenalit, Sol Campbell, ka dhënë një paralajmërim për Eberechi Eze pas paraqitjes së tij të parë në ligë për një muaj, gjatë mesjavës.

Eze hyri nga stoli në pjesën e fundit të barazimit 0-0 të ‘Topçinjve’ ndaj Liverpoolit të enjten mbrëma, duke zëvendësuar kapitenin Martin Odegaard për minutat e fundit të përballjes me kampionët në fuqi të Ligës Premier.

Ky barazim 0-0 me ‘Të Kuqtë’ i dha Arsenalit një avantazh prej gjashtë pikësh në krye të tabelës së Ligës Premier, ndërsa ‘Topçinjtë’ synojnë të sigurojnë titullin e parë të ligës së parë pas më shumë se 20 vjetësh.

Ndërkohë që skuadra e veriut të Londrës nuk arriti të përfitonte nga barazimi 1-1 i Manchester City ndaj Brightonit të mërkurën mbrëma, tre barazimet radhazi të Cityt për të hapur 2026-n i japin ekipit të Mikel Arteta një avantazh të shëndetshëm në krye të tabelës.

Kjo ndeshje shënoi paraqitjen e parë të Eze në Ligën Premier që nga momenti kur u zëvendësua në orën e 60-të gjatë fitores 2-1 të Arsenal ndaj Wolves muajin e kaluar, megjithatë ish-lojtari i Crystal Palace kishte filluar në triumfin me penallti në Carabao Cup ndaj ‘Shqiponjave’.

“Eberechi Eze është në klubin e duhur. Duhet të presësh mundësinë tënde dhe kjo është diçka e mirë, sepse kur futesh në skuadër, e vlerëson dhe nuk e merr vendin tënd si të mirëqenë”.

“Eze do të marrë mundësinë e tij. Ka qenë i jashtëzakonshëm në disa raste, ka shënuar gola të mrekullueshëm dhe ka realizuar një het-trik fantastik ndaj Tottenhamit. Por ka shumë djem që po shënojnë gola, po bëjnë paraqitje të mahnitshme, duke bërë pritje të shkëlqyera dhe gjëra të tjera”.

“Nuk je më në Crystal Palace, je në Arsenal dhe duhet pak më shumë për të konsoliduar pozicionin tënd. Nuk mjafton të realizosh një het-trik dhe të startosh çdo javë”.

“Duhet të gjejë pozicionin e tij në ekipin e Arsenalit, një skuadër që ka qenë së bashku për dy, tre vjet e më shumë dhe duhet të gjejë rrugën e tij”, ka deklaruar Campbell./Telegrafi/

Barcelona merr vendimin final për të ardhmen e Rashford

9 January 2026 at 19:38


Në një zhvillim të rëndësishëm, gazetari Fabrizio Romano ka raportuar se Barcelona ka ndërmend të blejë përfundimisht sulmuesin e Manchester United, Marcus Rashford, i cili po luan si huazim te katalanasit.

Sipas informacionit të dhënë, blaugranasit dëshirojnë të aktivizojnë opsionin e blerjes prej 30 milionë eurosh për sulmuesin anglez.

Rashford u transferua te Barcelona në një huazim sezonal nga Manchester United gjatë verës, me një klauzolë për blerje të përhershme.

Sulmuesi 28-vjeçar është përshtatur mirë në skuadër dhe ka dhënë paraqitje të mira shpesh, edhe pse disa aspekte të lojës së tij ende kanë vend për përmirësim.

Në aspektin statistikor, Rashford ka luajtur 23 ndeshje zyrtare, duke shënuar 7 gola dhe dhënë 9 asistime, të dhëna që konfirmojnë ndikimin e menjëhershëm të tij në ekip.

Përtej statistikave, ai ka kontribuar në thellësinë sulmuese të skuadrës, duke u bërë një opsion i besueshëm si titullar dhe si lojtar që mund të ndryshojë lojën nga stoli.

Sulmuesi anglez ka bindur stafin teknik dhe menaxhmentin sportiv për shkak të nivelit të qëndrueshëm të paraqitjeve që ka treguar që nga ardhja e tij.

Me largimin e Ruben Amorim nga Manchester United së fundmi, u ngrit mundësia që Rashford të rikthehej në ‘Old Trafford’ në fund të sezonit.

Megjithatë, sipas gjendjes aktuale, duket se sulmuesi është më pranë qëndrimit te Barcelona sesa kthimit në Angli, pasi katalanasit janë të gatshëm të aktivizojnë klauzolën e blerjes prej 30 milionë eurosh./Telegrafi/

Arsenali po përgatitet një ofertë të majme prej 74 milionë eurosh për yllin e Newcastle

9 January 2026 at 19:13


Arsenal synon një transferim prej rreth 74 milionë eurosh për Tino Livramento, por përballet me konkurrencë nga Manchester City.

Sipas një raporti të ri, Arsenal po planifikon një marrëveshje të mundshme prej rreth 74 milionë eurosh për të nënshkruar me Tino Livramento nga Newcastle, por përballet me konkurrencë të fortë nga Manchester City.

Mbrojtësi 23-vjeçar do të ketë vetëm dy vite të mbetura në kontratën e tij gjatë verës, dhe të dy gjigantët e Ligës Premier janë të interesuar për të siguruar shërbimet e tij.

Sipas The Sun, Arsenal po planifikon një transferim të mundshëm veror për Livramento. Mbrojtësi i djathtë i Newcastle ka marrë një rol kyç në skuadrën e Eddie Howe në St James' Park, duke luajtur 18 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

Kontrata e tij skadon në vitin 2028 dhe 'Laraskat' do të kenë shumë pak fuqi negociuese këtë verë, duke pasur parasysh se më herët kishin kërkuar rreth 70 milionë euro për Livramenton në verë.

Performancat e 23-vjeçarit në veriun e Anglisë e kanë bërë atë një pjesë të përfaqësueses së Anglisë, ku ka fituar tre paraqitje, dhe ai shpreson të përfshihet në skuadrën e Thomas Tuchel për Botërorin 2026.

Arsenal përballet me konkurrencë serioze nga Manchester City, të cilët kanë pasur një interes afatgjatë për ish-lojtarin e Southampton.

Livramento iu bashkua Newcastle në vitin 2023 nga Southampton në një marrëveshje prej 34.8 milionë eurosh dhe ‘Laraskat’ pritet të përfitojnë një fitim të madh nga ky transferim.

Ai ka treguar në nëntor, pas rikthimit nga një mungesë e gjatë, se ende nuk ka pasur negociata për një kontratë të re.

“Kjo nuk është diçka që unë e kontrolloj. E lë te babai im dhe agjenti im. Për mua, kam qenë jashtë për shtatë javë. Kam punuar shumë për t’u rikthyer dhe natyrisht për të ndihmuar skuadrën”.

Jam shumë i lumtur me mënyrën se si kam luajtur (kundër Man City). Kjo është fokusi im tani. Të qëndroj ku jam dhe të ndihmoj sa më shumë skuadrën”, kishte deklaruar ai./Telegrafi/

“Është e pamundur”, Inigo Martinez zbulon pse nuk do të ndodhë rikthimi i tij te Barcelona

9 January 2026 at 18:15


Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Inigo Martinez, ka bërë shaka duke thënë se nuk do të kthehet te klubi për shkak të kostove financiare që një rikthim i tillë do të përfshinte.

Mbrojtësi bask ka munguar shumë këtë sezon në qendër të mbrojtjes, ndërsa skuadra katalanase ka vendosur që pozicioni i mbrojtësit qendror të jetë prioritet kryesor për verën e ardhshme.

Blaugranat ishin të interesuar të afronin një tjetër mbrojtës qendror edhe gjatë janarit, dhe disa sugjeruan se rikthimi i Martínezit mund të ishte zgjidhja ideale.

Duke folur për Gerard Romero, siç citohet nga Mundo Deportivo, Martinez dha një përgjigje me humor për arsyen pse kjo nuk do të ndodhte.

“Është e pamundur që Laporta të ndahet nga aq shumë para. Sinqerisht, jam shumë i lumtur këtu”.

“Sigurisht që më mungon Barcelona; ishte viti im më i mirë profesional dhe kuptova se çfarë do të thotë të përjetosh shpirtin e Barçës”.

“Natyrisht, do t’ju ndjek nga larg. Nuk do të mund të jem aty sepse ne luajmë të nesërmen”.

Pa Martinez, Hansi Flick më në fund është kthyer tek Gerard Martin për të pasur një opsion me këmbën e majtë në qendër të mbrojtjes, pasi kishte testuar partneritete të ndryshme mes Pau Cubarsi, Ronald Araujo dhe Eric Garcia.

Mbrojtësi bask u shpreh i kënaqur për ish-shokun e tij të skuadrës.

“Jam vërtet shumë i lumtur për Gerard Martin. Ai ka shfrytëzuar maksimalisht mundësinë e tij dhe po zhvillon një sezon fantastik. I pëlqen të mësojë dhe nuk ankohet kurrë, nuk ka kurrë fytyrë të mërzitur”.

“Më gëzon të shoh mbrojtës të rinj qendrorë nga akademia dhe shpresoj që të vazhdojë të ecë kaq mirë”, deklaroi Martinez./Telegrafi/

KB Bashkimi merr një dënim të rëndë nga FBK-ja pas incidentit në ndeshjen ndaj Pejës

9 January 2026 at 17:39


Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka marrë masa të rrepta ndaj Bashkimit të Prizrenit pas incidenteve që ndodhën gjatë ndeshjes së së enjtes mbrëma kundër Pejës, një përballje për Kupën e Kosovës që u ndërpre për më shumë se 40 minuta.

Si pasojë e vendimit të FBK-së, Bashkimi është i detyruar të paguajë një gjobë prej 3,200 eurosh dhe do të luajë tri ndeshjet e ardhshme pa praninë e tifozëve në tribunën ballore, pjesë që zakonisht zë shumicën e mbështetësve të skuadrës.

Ky vendim ka për qëllim të parandalojë përsëritjen e sjelljeve të rrezikshme dhe të sigurojë një ambient të sigurt për lojtarët dhe stafit.

Incidenti që shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes ndodhi kur kapiteni i Pejës, Dardan Berisha, u godit me një shkrepëse në kokë nga një nga tifozët, duke bërë që gjyqtari të ndërpresë përballjen për më shumë se 40 minuta derisa situata u qetësua.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta nga klube, lojtarë dhe opinion publik, të cilët kanë kërkuar masa të ashpra për të parandaluar dhunën në basketbollin kosovar.

Ky vendim i FBK-së për Bashkimin nuk është i izoluar, Federata ka qenë e qartë se nuk do të tolerojë sjellje që rrezikojnë sigurinë e lojtarëve apo eprorëve të ndeshjes.

Ndërkohë, Peja do të vazhdojë garën e Kupës pa pasur ndikim të drejtpërdrejtë nga incidenti dhe kapiteni Dardan Berisha është rikuperuar nga goditja, sipas raportimeve zyrtare të klubit./Telegrafi/

Transferimi i ri i Arsenalit u pa prezent në stadium gjatë ndeshjes kundër Liverpoolit

9 January 2026 at 17:20


Një përforcim i ri u pa prezent në ‘Emirates Stadium’ gjatë barazimit 0-0 të Arsenalit ndaj Liverpoolit, një ndeshje që bëri që “Topçinjtë” të shkëputeshin me gjashtë pikë nga Manchester City në krye të renditjes së Ligës Premier.

Skuadra e Mikel Artetës humbi mundësinë për t’u shkëputur me tetë pikë nga City i Pep Guardiolës, të cilët kanë barazuar tri ndeshjet e fundit – kundër Sunderlandit, Chelseat dhe Brightonit, duke i lejuar Arsenalit të avancojë më tej në garën për titullin e parë në Ligën Premier që nga sezoni 2003/04.

Liverpooli, i cili tashmë është i pamposhtur në 10 ndeshje radhazi, e kufizoi Arsenalin në vetëm 34 për qind posedim të topit në pjesën e dytë dhe mund të kishte marrë më shumë se një pikë nga kjo përballje nëse do t’i kishte në fushë sulmuesit e zakonshëm, Alexander Isak dhe Hugo Ekitike.

Mungesa e rrezikshmërisë në sulm ishte e dukshme edhe nga statistikat, me Liverpoolin që nuk arriti të regjistronte asnjë goditje në portë nga shtatë tentativa.

Ndërkohë, disa tifozë të vëmendshëm të Arsenalit vunë re se një lojtar që pritet t’i bashkohet klubit në të ardhmen ishte ulur pranë stolit të Arsenalit.

16-vjeçari Victor Ozhianvuna publikoi një fotografi të fushës në Instagram, e cila ngjalli reagime nga tifozët në rrjetet sociale.

Victor Ozhianvuna was at the game tonight. pic.twitter.com/jBO9mPXKHS
— Jeorge Bird (@jeorgebird) January 8, 2026

Sulmuesi irlandez aktualisht luan për skuadrën e Shamrock Rovers, por pritet t’i bashkohet Arsenalit kur të mbushë 18 vjeç, në janar të vitit 2027.

Adoleshenti arriti një marrëveshje për t’u transferuar te Arsenali në tetor të vitit 2025 dhe tashmë ka hyrë në histori në karrierën e tij të hershme, duke u bërë lojtari i dytë më i ri ndonjëherë që ka luajtur në Ligën e Konferencës kur u aktivizua në ndeshjen e kthimit të Rovers kundër Molde.

Ozhianvuna ka përfaqësuar gjithashtu Republikën e Irlandës në grupmoshat nga U15 deri në U18.

Sipas rregullave pas Brexit, klubet angleze nuk lejohen të nënshkruajnë me lojtarë nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) deri sa ata të kenë mbushur moshën 18 vjeç./Telegrafi/

Nis Turkish Open 2026 në golf, Azer Bislimaj përfaqëson Kosovën

9 January 2026 at 17:19


Sot nis zyrtarisht Turkish Open 2026, një nga turnetë më prestigjioze të golfit në Turqi, i organizuar nga Federata e Golfit e Turqisë, duke mbledhur emra të rëndësishëm të këtij sporti nga vende të ndryshme.

Garat do të zhvillohen në ambientet e Kaya Palazzo Golf Resort, një nga komplekset më të njohura dhe më cilësore të golfit në rajon, i cili ofron kushte të nivelit më të lartë për organizimin e eventeve ndërkombëtare.

Në këtë turne të rëndësishëm, Kosova përfaqësohet nga golfisti Azer Bislimaj, i cili do të synojë një paraqitje sa më të mirë përballë konkurrencës së fortë.

Turkish Open 2026 ka mbledhur 60 lojtarë nga 12 shtete, duke e kthyer këtë garë në një arenë të vërtetë ndërkombëtare.

Përveç prestigjit, turneu ofron edhe një motiv shtesë për pjesëmarrësit, pasi fituesi siguron një “Wild Card” për pjesëmarrje në DP World Tour, një nga seritë më të rëndësishme të golfit në botë.

Ky event përfaqëson një platformë të rëndësishme konkurruese për lojtarët, duke u ofruar atyre mundësinë për të matur forcat në nivel ndërkombëtar dhe për të fituar përvojë të çmuar në kalendarin e golfit në Turqi.

Golfisti nga Kosova, Azer Bislimaj do të mundohet që të përfaqësojë Kosovën sa më denjësisht në këtë turne prestigjioz./Telegrafi/

Mbappe po e shtyn Real Madridin të nënshkruajë në verë me super yllin francez

9 January 2026 at 16:43


Kylian Mbappe dëshiron që Real Madridi të nënshkruajë me Jeremy Jacquet. Sulmuesi francez e ka informuar bordin e klubit se duhet ta marrin në konsideratë bashkatdhetarin e tij nga Stade Rennais.

20-vjeçari e ka impresionuar Mbappen me paraqitjet e tij në Ligue 1, ndërsa Real Madridi ka nevojë për përforcime në mbrojtje.

Si David Alaba ashtu edhe Antonio Rüdiger pritet të largohen nga klubi deri në sezonin 2026/27. Kjo e lë Xabi Alonson me mungesë mbrojtësish qendrorë të dëshmuar.

Tregu modern i futbollit lëviz shpejt dhe klubet marrin vendime me ritëm të lartë, qoftë për transferime lojtarësh apo përzgjedhjen e platformave për angazhimin e tifozëve.

Tifozët që kërkojnë të vënë baste për transferime tashmë mund të përdorin platforma bastesh pa verifikim identiteti, të cilat shmangin vonesat e kontrollit dhe ofrojnë pagesa me kriptovaluta me privatësi të plotë.

Tashmë mund të gjenden kuota për transferimin e Jacquet te Madridi në këtë afat kalimtar, me disa platforma që publikojnë tregjet e transferimeve sapo dalin thashethemet.

Jeremy Jacquet

Jacquet ka fituar admirimin e shumë njerëzve me pjekurinë e tij. Në moshën 20-vjeçare, ai është shfaqur i qetë dhe i sigurt në nivelin më të lartë të futbollit francez. Rennes nuk ka ndërmend të shesë një nga produktet e saj më të mira të akademisë.

Mendimi i Mbappes ka peshë në “Bernabeu”. Vendimmarrësit e klubit e vlerësojnë kontributin e tij në lidhje me talentët francezë që nga transferimi i tij nga PSG-ja, veçanërisht duke pasur parasysh rolin e tij kyç në planet për Superkupën e ardhshme të Spanjës.

Sipas Fichajes, mbështetja e tij i ka dhënë ndjekjes së Jacquet një shtysë shtesë.

Real Madridi ka fonde për të investuar në objektivat e duhur. Rrjeti i skautimit të klubit ka ndjekur progresin e Jacquet gjatë gjithë sezonit dhe së shpejti mund të bëjnë një lëvizje./Telegrafi/

Ish-lojtari i Chelseat trondit publikun: Më kanë mbetur vetëm edhe pak ditë jetë

9 January 2026 at 16:15


Një ish-lojtar i akademisë së Chelseat ka zbuluar se i kanë mbetur vetëm “disa ditë” dhe se po “lufton për të mbijetuar” pas një periudhe dyvjeçare “të vështirë dhe sfiduese”.

Lamisha Musonda, 33 vjeç, iu bashkua Chelseat nga Anderlecht në vitin 2012 së bashku me vëllezërit e tij Tika dhe Charly, dhe kaloi dy vite në skuadrat e akademisë së klubit përpara se të kthehej në Belgjikë për të luajtur me Mechelen.

Mesfushori, i cili bëri nëntë paraqitje për përfaqësuesen U21 të Belgjikës mes viteve 2011 dhe 2013, më pas luajti për skuadra të ligave më të ulëta në Spanjë si Llagostera dhe Palamós, si edhe për ekipin kongolez Mazembe.

Ai u tërhoq nga futbolli profesionist në fund të të 20-ave.

Pesë vite pas tërheqjes nga futbolli, Musonda ka publikuar një deklaratë prekëse për të konfirmuar se është i sëmurë rëndë dhe se nuk pret të jetojë edhe për shumë kohë.

“Teksa e kuptoj se më kanë mbetur vetëm disa ditë, kuptoj gjithashtu se kam pasur shumë njerëz pranë meje dhe gjithmonë do t’i çmoj kujtimet. Jeta është e vështirë, por pamja është e mrekullueshme”.

“Jeta përbëhet nga ngritje dhe rënie dhe askush nuk mund ta kuptojë vërtet dhimbjen që përjeton”.

“Këto dy vitet e fundit kanë qenë veçanërisht të vështira dhe sfiduese për mua. Me trishtim të madh njoftoj se po përpiqem të rikthej shëndetin tim”.

“Kjo është arsyeja pse kam munguar në rrjetet sociale. Duhet të përballem me faktet – shëndeti im është kritik dhe tani po luftoj për të mbijetuar”.

“Ndihma dhe lutjet tuaja do të jenë një mbështetje e madhe gjatë kësaj kohe. Familja ime dhe unë po luftojmë dhe nuk do të dorëzohem deri në frymën e fundit”.

“Kam pasur fatin të kem një fillim jete të bukur dhe ende kam shumë për të ofruar. Por ka kaq shumë njerëz të mrekullueshëm që do të kisha dashur t’i falënderoja personalisht dhe fakti që ndoshta nuk do ta kem këtë mundësi më trishton thellësisht”, ka shkruar Musonda në Instagram./Telegrafi/

Arsenali është gati t’i ‘rrëmbejë’ Liverpoolit nga dora transferimin e yllit anglez

8 January 2026 at 23:37


Arsenali vazhdon të mbajë interes prej kohësh për një lojtar që ndodhet gjithashtu në radarët e Liverpoolit, teksa një transferim befasues për yllin në fjalë është diskutuar seriozisht.

“Topçinjtë” investuan fuqishëm gjatë verës, duke afruar emra të mëdhenj si Viktor Gyokeres, Eberechi Eze dhe Martin Zubimendi, ndër të tjerë. Në total, Arsenali shpenzoi rreth 250 milionë euro, përfshirë 55 milionët e paguara për Gyokeres.

Edhe pse afati kalimtar dimëror është i hapur, klubi nga Londra Veriore tashmë ka nisur planifikimet për afatin kalimtar të verës.

Këtë e ka bërë të ditur gazetari i njohur David Ornstein, i cili publikoi informacione të reja rreth transferimeve.

Sipas Ornstein, Arsenali ruan interes të kahmotshëm për Marc Guehi dhe e sheh atë si një opsion serioz për repartin defensiv në afatin kalimtar të verës.

Edhe pse skuadra e Mikel Artetës ka tashmë në përbërje qendërmbrojtës të nivelit të lartë si William Saliba dhe Gabriel, si dhe afrimin e verës Piero Hincapie, drejtuesit janë të vendosur ta forcojnë edhe më tej mbrojtjen.

Në garë për Guehin është edhe Liverpooli, i cili, ashtu si Arsenali, po synon një transferim gjatë verës, duke marrë parasysh faktin se kontrata e mbrojtësit me Crystal Palace përfundon më 30 qershor.

25-vjeçari ishte shumë pranë kalimit te Liverpooli në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, por marrëveshja u anulua në momentet e fundit nga Palace.

Sipas raportimeve, kushtet personale ishin dakorduar dhe Guehi kishte kryer një pjesë të testeve mjekësore përpara një transferimi prej 35 milionë eurosh.

Liverpooli mund të humbasë Ibrahima Konaten në fund të sezonit, andaj transferimi i Guehit shihet si një zëvendësim i gatshëm, veçanërisht për faktin se ai e njeh shumë mirë Ligën Premier.

Guehi ka zhvilluar 152 ndeshje kampionale me Crystal Palace që nga transferimi i tij prej 18 milionë eurosh nga Chelsea në verën e vitit 2021./Telegrafi/

Xabi Alonso sulmon ashpër Diego Simeonen, konfirmon rikthimin e Mbappes për finale

8 January 2026 at 23:11


Real Madridi ka siguruar kualifikimin në finale të Superkupës së Spanjës, pasi ka mposhtur me rezultat 2-1 Atletico Madridin në gjysmëfinale.

Golat e Fede Valverdes dhe Rodrygos i dhuruan ‘Los Blancos’ mundësinë për të garuar për trofuen e parë të vitit 2026.

Sidoqoftë, përtej rezultati vëmendjen e mori përplasja mes Diego Simeones dhe Vinicius Junior, me trajnerin argjentinas që iu drejtua brazilianit me fjalët "Florentino Perez do të largojë, mbaje mend".

Këto fjalë nga Simeone nuk u pritën aspak mirë nga Xabi Alonso, i cili përveç frustrimit që shprehu ndaj kolegut të tij në fushë, pati disa fjalë për të edhe pas përfundimit të takimit.

🚨 Xabi Alonso: "I heard what Simeone said to Vini, and I didn't like it. You can't talk like that, some things cross the line." pic.twitter.com/Im187ZDu0X
— Madrid Xtra (@MadridXtra) January 8, 2026

“E dëgjova se çfarë ka thënë Simeone në drejtim të Vinit dhe nuk më pëlqeu. Ju nuk mund të flisni në atë mënyrë, disa gjëra e kalojnë kufirin”, ka deklaruar Alonso.

Trajneri madrilen gjithashtu dha lajmin e madh për tifozët e Real Madridit duke konfirmuar se Kylian Mbappe do të arrijë nesër (e premte) në Arabinë Saudite.

🚨🚨 Xabi Alonso: “Kylian Mbappé will ARRIVE TOMORROW.” pic.twitter.com/DNLcm6pHbP
— Madrid Xtra (@MadridXtra) January 8, 2026

Ylli francez pritet të jetë i gatshëm për finale ndaj Barcelonës, ndonëse me shumë mundësi minutat e tij do të jenë të kufizuara.

Kujtojmë se finalja mes Barcelonës dhe Real Madridit do të luhet ditën e diel me fillim nga ora 20:00./Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Milani ndalet me barazim në shtëpi nga Genoa

8 January 2026 at 22:48


Milani ka luajtur baras me rezultat 1-1 në shtëpi ndaj Genoas në kuadër të javës së 19-të në elitën e futbollit italian.

Kuqezinjtë e nisën ndeshjen më mirë dhe që në minutat e para krijuan rrezik serioz. Në minutën e 8-të, Matteo Gabbia u ngrit lart pas një harkimi nga këndi, por goditja e tij me kokë u ndal nga traversa, duke shpëtuar Genoan nga pësimi i hershëm i golit.

Genoa reagoi dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 28-të. Ruslan Malinovskyi dërgoi një krosim të saktë në zonë, ndërsa Lorenzo Colombo përfitoi dhe me një goditje të shpejtë e dërgoi topin në cepin e poshtëm të majtë të portës për rezultatin 1-0.

Në pjesën e parë pati edhe momente polemike, kur Genoa kërkoi penallti në minutën e 18-të, por gjyqtari Maurizio Mariani vlerësoi se ndërhyrja ishte e rregullt dhe loja vazhdoi.

Në pjesën e dytë, Milani shtoi presionin dhe barazimi erdhi në minutën e 58-të. Pas një goditjeje nga këndi, Matteo Gabbia fitoi duelin ajror, ndërsa Christian Pulisic ishte në vendin e duhur për ta shtyrë topin në rrjetë dhe për të barazuar rezultatin në 1-1.

Megjithatë, gëzimi i kuqezinjve zgjati pak. Vetëm disa minuta më vonë, Milani realizoi sërish, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për shkak të një prekjeje me dorë në fazën ndërtuese të aksionit.

Milani pati edhe një tjetër mundësi të artë për të kaluar në epërsi, kur Davide Bartesaghi u gjend para portës pas një topi të kthyer, por goditja e tij përfundoi ngushtë jashtë.

Kur dukej se Milani do të mposhtet, në skenë doli Rafael Leao i cili në minutën e 93-të realizoi një gol të mrekullueshëm për epilogun përfundimtar 1-1.

Në minutën e 96-të Genoa fitoi penallti, por Nicolae Stanciu dështoi të shënojë nga pika e bardhë duke goditur mbi traversë.

Pas këtij barazimi, Milani shkon në kuotën e 39 pikëve dhe aktualisht pozicionohet në vendin e dytë në tabelë./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Juventusi nis kontakte të reja për transferimin e yllit të Man Cityt

8 January 2026 at 22:21


Juventusi ka rikthyer interesimin për Bernardo Silvën, duke vendosur kontakte të reja, teksa mesfushori portugez po hyn në muajt e fundit të kontratës së tij me Manchester Cityn, sipas raportimeve të Mirko Di Natale për TuttoJuve.

Kontrata e Silvës në “Etihad Stadium” skadon në qershor, çka e bën atë një nga lojtarët e lirë më të kërkuar të verës së ardhshme.

“Zonja e Vjetër” synon të pozicionohet përpara klubeve të tjera elitare evropiane në garën për nënshkrimin e tij.

Drejtori sportiv Cristiano Giuntoli ka kontaktuar herët përfaqësuesit e lojtarit, duke sinjalizuar qartë synimin e Juventusit për të sjellë përvojë të nivelit botëror dhe kreativitet në mesfushën e Luciano Spallettit.

Juventusi e sheh 31-vjeçarin si lojtarin ideal për të rritur nivelin teknik dhe taktik të skuadrës, në prag të sezonit 2026/27.

Ndërsa një transferim gjatë sezonit mbetet shumë pak i mundshëm, Juventusi po punon për të siguruar një marrëveshje paraprake në muajt në vijim, me qëllim që Bernardo Silva t’i bashkohet klubit nga Torino verën e ardhshme./Telegrafi/

El Clasico për trofe: Reali kalon Atleticon dhe cakton finalen me Barcelonën

8 January 2026 at 21:58


Real Madridi ka arritur të sigurojë kalimin në finale të Superkupës së Spanjës, pas triumfit me rezultat 2-1 ndaj Atletico Madridit në gjysmëfinale.

“Los Blancos” e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte. Qysh në minutën e dytë, Federico Valverde realizoi një supergol nga goditja e dënimit nga distanca, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të majtë të portës dhe duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi Jan Oblakut.

Real Madridi vazhdoi të krijojë raste, me Rodrygon dhe Vinicius Juniorin që rrezikuan portën e Atleticos, por pa arritur të dyfishojnë epërsinë në pjesën e parë.

Në anën tjetër, Atletico u përpoq të reagojë, por u ndal disa herë nga pritjet e sigurta të Thibaut Courtois, i cili ishte vendimtar në ruajtjen e avantazhit.

👉🛡️👈 pic.twitter.com/eWSDOabMBj
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) January 8, 2026

Në fillim të pjesës së dytë, Real Madridi e konkretizoi dominimin. Në minutën e 55-të, Federico Valverde asistoi sërish, kësaj radhe për Rodrygon, i cili u tregua i saktë brenda zonës dhe shënoi për 2-0.

Atletico Madridi nuk u dorëzua dhe arriti të rikthehet në lojë në minutën e 58-të. Pas një harkimi të bukur nga Giuliano Simeone, Alexander Sorloth realizoi me kokë në portë të zbrazët, duke e ngushtuar rezultatin në 2-1.

Në minutat e fundit, skuadra e Diego Simeones shtoi presionin dhe pati disa raste të mëdha për barazim.

Antoine Griezmann u ndal nga Courtois pas një goditjeje nga afërsia, ndërsa Marcos Llorente humbi dy mundësi të arta, njëra prej tyre ballë për ballë me portierin, duke e dërguar topin jashtë shtyllës së djathtë.

Me këtë fitore Real Madridi ka ‘prerë’ biletën për në finale të Superkupës, atje ku të dielën i pret ‘El Clasico’ ndaj Barcelonës./Telegrafi/

Bashkimi triumfon në derbin e tensionuar ndaj GO+ Pejës

8 January 2026 at 21:43


Bashkimi ka regjistruar fitore të rëndësishme ndaj GO+ Pejës në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës në basketboll, në një përballje të zhvilluar në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, e cila u shoqërua edhe me incidente serioze.

Takimi u ndërpre rreth shtatë minuta para përfundimit të pjesës së parë, pasi nga tribunat u hodhën gjësende në parket, duke shkaktuar lëndim te kapiteni i Pejës, Dardan Berisha, i cili pësoi një të çarë në ballë.

Pas incidentit, skuadra mysafire u tërhoq nga parketi, ndërsa loja rifilloi pas afro 40 minutash, pasi një pjesë e tribunës qendrore u zbraz me vendim të organeve përkatëse.

Pavarësisht ndërprerjes së gjatë, loja vazhdoi dhe Bashkimi arriti ta ruajë epërsinë, duke triumfuar me rezultat 96:90. Prizrenasit e mbyllën pjesën e parë me avantazh prej tetë pikësh, 48:40.

Çereku i tretë ishte i barabartë, 24:24, ndërsa në dhjetëminutëshin e fundit, GO+ Peja u tregua më efikase duke e fituar atë 26:24, por pa arritur ta përmbysë rezultatin final.

Shannon Shorter ishte lojtari më i dalluar te Bashkimi, duke realizuar 27 pikë, katër kërcime dhe katër asistime.

Kontribut të rëndësishëm dha edhe Isiah Cousins, i cili regjistroi një “double-double” me 17 pikë dhe 10 asistime, të shoqëruara edhe me pesë kërcime.

TJ Bickerstaff shtoi 16 pikë, ndërsa Ike Nëamu dhe Dequon Lake kontribuuan me nga 11, përkatësisht 10 pikë.

Te GO+ Peja, kapiteni Dardan Berisha, pavarësisht lëndimit, e mbylli ndeshjen me 20 pikë, katër kërcime dhe dy asistime.

Performancën më të plotë statistikisht e pati Tajh Green, i cili regjistroi “double-double” me 10 pikë dhe 12 kërcime, duke shtuar edhe një asistim.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas dy javësh në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ku do të përcaktohet ekipi që do të sigurojë dy fitore dhe do të avancojë në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës./Telegrafi/

❌
❌