“Express”: Shqipëria në qendër të vëmendjes britanike për plazhet e kristalta dhe çmimet e ulëta
TIRANË, 19 janar /ATSH/ – Ndërsa kushtet arktike po godasin Britaninë e Madhe me erëra të akullta dhe reshje dëbore, shumë britanikë kanë filluar të mendojnë për pushime në vende më të ngrohta.
Një vend evropian i nënvlerësuar dhe shumë i lirë, ku një gotë birrë kushton vetëm 2,20 paund mund të jetë zgjidhja ideale, dhe vjen i rekomanduar edhe nga eksperti i udhëtimeve Simon Calder për britaniken ”Express”.
Ky vend mesdhetar arrin temperatura rreth 28 gradë Celcius në prill dhe 40 gradë Celcius në korrik dhe pushimet atje mund të jenë shumë më të lira krahasuar me destinacione të tjera të njohura evropiane.
Çmimet janë të ngjashme me ato që Britania e Madhe kishte në vitet ’90: turistët mund të blejnë një birrë për 2,20 paund dhe një kafe për vetëm 1,50 paund, sipas kalkulatorit të kostos së jetesës “Numbeo”.
”Pushuesit mund të kursejnë edhe në hotele, pasi qëndrimi mesatar kushton rreth 49 paund për natë”, sipas BudgetYourTrip.
Për më tepër, Simon Calder është një admirues i vendit, gjë që flet vetë.
Ai foli në emisionin ”This Morning” të ITV-së në shtator 2024 për qytetin e bukur të Durrësit.
Duke biseduar me prezantuesit Ben Shepherd dhe Cat Deeley, ai tha se ”është një nga qytetet më historike dhe më të bukura të Shqipërisë”.
Calder u shpreh gjithashtu entuziast për çmimet, duke kujtuar se kishte blerë një picë dhe një birrë për rreth 6,0 paund. Ai shtoi se udhëtimi i tij prej rreth 35 kimometrash nga aeroporti deri në hotel do t’i kishte kushtuar vetëm disa paund, po të mos kishte humbur autobusin e fundit.
Për turistët që kërkojnë histori, Durrësi është destinacion ideal, i njohur për amfiteatrin e tij romak mbresëlënës, me mozaikë ende të paprekur.
Nëse preferoni plazhin, shumë udhëtarë e kanë krahasuar Shqipërinë me Greqinë, por pa çmimet e larta, falë ujërave të kristalta dhe bregdetit mahnitës.
Vendi ka njohur një rritje të shpejtë të popullaritetit mes turistëve, me qytete bregdetare si Ksamil që janë bërë virale në rrjetet sociale. Megjithatë, sipas udhëtarëve në Reddit, Shqipëria mbetet ende e nënvlerësuar, ndërsa ata lavdërojnë peizazhet mahnitëse, udhëtimet e përballueshme dhe njerëzit jashtëzakonisht mikpritës.
Shumë plazhe janë private dhe të lidhura me bare ose restorante, ndaj mund të jetë e nevojshme të paguani për të qëndruar gjatë ditës. Pasi të sistemoheni, mund të notoni në ujërat e qeta dhe blu të thellë.
Shqipëria është gjithashtu një destinacion i preferuar evropian për ecje malore, me Alpet Shqiptare që ofrojnë maja të larta, bujtina lokale në fshatra të largëta dhe ujëvara mbresëlënëse./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post “Express”: Shqipëria në qendër të vëmendjes britanike për plazhet e kristalta dhe çmimet e ulëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.