Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 January 2026Main stream

FOKUS – Ministrja e Energjisë e Groenlandës: Pushtimi nga SHBA do të ishte sulm ndaj NATO-s

13 January 2026 at 22:41

LONDËR, 13 janar /ATSH-DPA/ – Një pushtim i Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të konsiderohej një sulm ndaj të gjithë aleatëve të NATO‑s, tha ministrja e Energjisë e territorit danez.

Në një konferencë shtypi sot në Londër, Naaja Nathanielsen deklaroi se një veprim ushtarak i SHBA‑s do të përfaqësonte shembjen e forces së ligjit dhe do të detyronte aleatët perëndimorë të pyesnin se çfarë do të thotë ky rend i ri botëror.

Kur u pyet nëse Groenlanda do të priste mbështetje nga NATO në rast një pushtimi, ajo tha se nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, sepse ajo mendonte se një vend që do të sulmohej nga një tjetër aleat i NATO‑s, të gjithë ne do të ishim nën sulm.

Nathanielsen shtoi se Groenlanda ndihej  e tradhtuar nga kërkesat e presidentit amerikan Donald Trump për të aneksuar territorin gjysmëautonom të Danimarkës.

Vizita e saj në Britaninë e Madhe erdhi ndërsa SHBA‑ja vazhdoi të kërcënonte se do të merrte nën kontroll këtë territor, i cili sipas Trump është jetik për sigurinë kombëtare amerikane.

Një anëtar i Partisë Republikane të Donald Trump prezantoi dje një legjislacion për aneksimin e Groenlandës si shteti i 51‑të i SHBA‑së.

Ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës do të vizitojnë nesër Uashingtonin për një takim me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Ministrja e Energjisë e Groenlandës: Pushtimi nga SHBA do të ishte sulm ndaj NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – UNICEF: Më shumë se 100 fëmijë të vrarë në Gaza që nga armëpushimi

13 January 2026 at 22:05

GJENEVË, 13 janar /ATSH-DPA/ – Sipas agjencisë së OKB-së për fëmijët, UNICEF, më shumë se 100 të mitur janë vrarë në Rripin e Gazës që nga shpallja e armëpushimit në tetor.

Organizata raportoi se kanë humbur jetën 60 djem dhe 40 vajza nën moshën 18 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, i ka konfirmuar këto shifra dhe ka deklaruar se është burimi kryesor i të dhënave për UNICEF-in.

Organizatat e OKB-së kanë theksuar vazhdimisht se shifrat e ministrisë konsiderohen të besueshme.

Megjithatë, të dhënat e autoritetit shëndetësor nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Ushtria izraelite tha, në përgjigje të një kërkese për koment, se nuk synon kurrë qëllimisht fëmijët dhe se gjithmonë përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve gjatë operacioneve të saj.

Sipas saj, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, ushtria ka goditur vetëm objektiva terroriste ose ka reaguar ndaj shkeljeve të marrëveshjes nga ana e Hamasit.

Ushtria izraelite gjithashtu bëri thirrje për kujdes në lidhje me shifrat e autoriteteve shëndetësore.

Edhe informacionet e ushtrisë nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, i cili ndodhet në Rripin e Gazës, tha se viktimat janë shkaktuar kryesisht nga sulmet ajrore dhe ato me dronë.

“Bombardimet janë ngadalësuar, por nuk janë ndalur”, theksoi  ai.

“Disa viktima janë goditur edhe nga armë zjarri, ndërsa disa të tjerë janë vrarë nga mjete shpërthyese të pashpërthyera më herët”, shtoi ai.

Sipas tij, numri real i të vrarëve është më i lartë, pasi UNICEF numëron vetëm rastet që i konsideron të verifikuara.

”Gjashtë fëmijë kanë vdekur tashmë nga hipotermia këtë dimër në Gaza”, tha Elder./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – UNICEF: Më shumë se 100 fëmijë të vrarë në Gaza që nga armëpushimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 13 January 2026Main stream

HAPËSIRË – Një meteorit nga Alaska zbulon origjinën e ujit në Tokë

13 January 2026 at 21:21

LONDËR, 13 janar /ATSH/ – Një meteorit i rrallë, i gjendur në Alaska, po bën që shkencëtarët të rimendojnë origjinën e ujit në Tokë.

Gjetjet e reja sugjerojnë se planeti ynë mund të kishte hidrogjenin e nevojshëm për të formuar ujë vetë, pa ndihmën e asteroideve, duke sfiduar teorinë që Toka e hershme ishte e thatë, sipas” Daily Glaaxy”.

Ky informacion vjen nga studimet e kryera nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit, të cilët analizuan një meteorit enstatit chondrite të njohur si “LAR 12252”. Përbërja e tij, që ngjan me Tokën para 4,55 miliardë vjetësh, tregoi sasi të konsiderueshme hidrogjeni që më parë nuk ishin zbuluar.

Studimet e mëparshme kishin gjetur vetëm gjurmë të vogla hidrogjeni në “LAR 12252”, të cilat mund të ishin shkaktuar nga kontaminimi pas mbërritjes së meteoriti në Tokë. Ekipi i ri analizoi matriksin, materialin që rrethon chondrulet, dhe zbuloi hidrogjen sulfurik natyral.

Sipas Thomas Barrett, autor kryesor i studimit, kjo tregon se hidrogjeni nuk erdhi nga toka, por ishte pjesë e përbërjes origjinale të meteoriti, duke ofruar prova që uji mund të ishte formuar në Tokë natyralisht.

Meteoriti “LAR 12252” bën pjesë në grupin e rrallë të enstatit chondrite, që përputhet ngushtë me përbërjen izotopike të Tokës së hershme. Këta meteorite shihen si “fotografi” të materialit që formoi planetin tonë.

Mendimi i mëparshëm ishte se Toka ishte relativisht e thatë dhe uji erdhi më vonë nga asteroidet e lagura. Gjetjet e reja tregojnë se përbërësit e Tokës mund të kishin qenë “të pasur me hidrogjen”, duke mundësuar formimin natyral të ujit.

Ky zbulim ndryshon mënyrën se si kuptojmë evolucionin kimik të Tokës. Sipas studiuesve të Oksfordit, formimi i ujit ishte një pasojë natyrore e materialeve të planetit, jo një rastësi kozmike.

Teoria tradicionale që uji erdhi përmes goditjeve të asteroideve mbetet e diskutueshme.

Prania e hidrogjenit natyral në meteoritin “LAR 12252” sugjeron fort se uji mund të ishte krijuar në Tokë vetë, duke sfiduar perceptimin e deritanishëm në shkencën planetare. /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post HAPËSIRË – Një meteorit nga Alaska zbulon origjinën e ujit në Tokë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Irani në protesta, izolim dhe presion ndërkombëtar

13 January 2026 at 20:40

TEHERAN, 13 janar /ATSH/ – Iranianët arritën të telefononin sot për herë të parë jashtë vendit, pasi komunikimet u ndërprenë gjatë një goditjeje të ashpër ndaj protestave mbarëkombëtare, në të cilat aktivistët thonë se janë vrarë mijëra persona, sipas AP.

Disa banorë të Teheranit kontaktuan dhe folën me një gazetar në Dubai.

Megjithatë, ata nuk arrinin të  telefonoheshin sërish nga ata numra. Dëshmitarët thanë se mesazhet SMS vazhdonin të ishin jashtë funksioni dhe se përdoruesit e internetit në Iran mund të hynin vetëm në faqet e miratuara nga qeveria brenda vendit, por jo në faqe jashtë Iranit.

Dëshmitë ofruan një pamje të shkurtër të jetës në rrugët e kryeqytetit iranian gjatë katër ditëve e gjysmë izolim nga bota. Ata përshkruan një prani të madhe të forcave të sigurisë në qendër të Teheranit.

Policia, e pajisur me helmeta, jelekë mbrojtës, shkopinj, mburoja, armë gjahu dhe lëshues gazi lotsjellës, ishte vendosur në kryqëzime kryesore. Afër tyre, dëshmitarët panë anëtarë të forcës vullnetare Basij të Gardës Revolucionare, gjithashtu të armatosur. Edhe agjentë civilë të sigurisë ishin të dukshëm në hapësira publike.

Sipas dëshmitarëve, disa banka dhe zyra qeveritare u dogjën gjatë trazirave. Bankomatë u shkatërruan dhe bankat patën vështirësi në kryerjen e transaksioneve për shkak të mungesës së internetit.

Megjithatë, dyqanet ishin të hapura, edhe pse qarkullimi i njerëzve ishte i ulët. . Një dëshmitar tha se shumë tregtarë pohuan se forcat e sigurisë i kishin urdhëruar të rihapnin dyqanet pa kushte, megjithëse media shtetërore iraniane nuk e ka pranuar një urdhër të tillë.

Dëshmitarët folën në kushte anonimiteti nga frika e ndëshkimeve

Shumë banorë mbeten të shqetësuar për një sulm të mundshëm ushtarak nga SHBA-ja, edhe pse presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani dëshiron të negociojë.

“Klientët e mi flasin për reagimin e Trumpit dhe pyesin nëse ai planifikon një sulm ushtarak ndaj Republikës Islamik”, tha Mahmoud, një tregtar që dha vetëm emrin e parë për arsye sigurie. “Nuk pres që Trump apo ndonjë vend tjetër i huaj të shqetësohet për interesat e iranianëve”.

Një shofer taksie, Reza, tha se protestat mbeten temë kryesore për shumë njerëz.

”Njerëzit, sidomos të rinjtë, janë të pashpresë, por flasin për vazhdimin e protestave”, tha ai.

Ndërkohë, duket se shërbimet e sigurisë po kërkojnë terminalë të “Starlink”.

Banorë të veriut të Teheranit raportuan se autoritetet po bastisnin ndërtesa apartamentesh me antena satelitore. Edhe pse antenat satelitore janë të ndaluara, zbatimi i ligjit ishte zbutur vitet e fundit.

Në rrugë, qytetarët shiheshin duke kundërshtuar agjentë civilë që ndalonin kalimtarë në mënyrë të rastësishme.

Televizioni shtetëror njoftoi gjithashtu se shërbimet mortore dhe morgjet janë falas,  një sinjal se disa institucione mund të kenë kërkuar tarifa të larta për dorëzimin e trupave gjatë goditjes nga ana e policësë.

Irani thotë se ka komunikuar me Uashingtonin

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një intervistë për ”Al Jazeera”, tha se komunikimi me të dërguarin amerikan Steve Witkoff ka vazhduar para dhe pas protestave.

“Komunikimet vazhdojnë, por idetë dhe kërcënimet e propozuara nga Uashingtoni janë të papajtueshme”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se retorika publike e Iranit ndryshon nga mesazhet private të marra nga Teherani ditët e fundit.. Presidenti ka interes t’i shqyrtojë këto mesazhe, por nuk heziton të përdorë opsione ushtarake nëse e sheh të nevojshme”,  tha zëdhënësja Karoline Leavitt

Ndërkohë, demonstrues proqeveritarë dolën në rrugë  në mbështetje të regjimit, duke brohoritur slogane si “Vdekje Amerikës!” dhe “Vdekje Izraelit!”. Prokurori i Përgjithshëm iranian ka paralajmëruar se protestuesit do të konsiderohen “armiq të Zotit”, një akuzë që mund të çojë në dënim me vdekje.

Trump vendos tarifa ndaj partnerëve tregtarë të Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se vendet që bëjnë biznes me Iranin do të përballen me tarifa 25% nga SHBA-ja, me efekt të menjëhershëm. Ai e paraqiti këtë si një masë ndëshkuese për goditjen ndaj protestave.

Brazili, Kina, Rusia, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndër vendet që kanë marrëdhënie tregtare me Teheranin.

Mbi 10 700 persona janë arrestuar gjatë dy javëve të protestave.

Me internetin e ndërprerë, vlerësimi i situatës nga jashtë mbetet i vështirë dhe nuk është e mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur bilanci i viktimave./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post KOMENT – Irani në protesta, izolim dhe presion ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Londra thërret ambasadorin iranian dhe planifikon sanksione të reja

13 January 2026 at 19:57

LONDËR, 13 janar /ATSH-DPA/ – Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper thërriti sot ambasadorin e Iranit në Londër për shkak të shtypjes së protestave në vend dhe shpalli sanksione të reja ndaj regjimit iranian.

Cooper i tha Parlamentit se raportet mbi dhunën e ushtruar nga qeveria iraniane ndaj protestuesve gjatë javëve të fundit mund të mos pasqyrojnë plotësisht ashpërsinë e situatës dhe se realiteti mund të jetë edhe më i rëndë.

Ajo tha se kishte biseduar dje me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, duke shprehur kundërshtimin e fuqishëm të Britanisë së Madhe ndaj vrasjeve, dhunës dhe represionit.

Sipas saj, po planifikohen sanksione të plota dhe të mëtejshme ndaj sektorëve iranianë të naftës, energjisë, bërthamor dhe sistemit financiar.

Cooper theksoi se vendimi për të thirrur ambasadorin u mor për të kërkuar shpjegime mbi raportet tronditëse dhe për të nënvizuar seriozitetin e momentit.

Sipas raportimeve, mijëra persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë arrestuar, ndërsa aktivistët kundër regjimit të udhëhequr nga lideri suprem Ali Khamenei kanë dalë në rrugë për të protestuar.

”Britania e Madhe dënon me termat më të ashpër vrasjet e tmerrshme dhe brutale të protestuesve iranianë dhe kërkon që autoritetet iraniane të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të tyre”, tha ajo./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BM – Londra thërret ambasadorin iranian dhe planifikon sanksione të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Zgjedhjet e 12 prillit prova më e madhe e pushtetit të Orbanit në 16 vjet

13 January 2026 at 18:47

BUDAPEST, 13 janar /ATSH/ – Kryeministri nacionalist hungarez, Viktor Orban do të përballet, për herë të parë pas 16 vitesh, me një sfidant të fortë në zgjedhjet parlamentare të Hungarisë, që do të mbahen më 12 prill, ndërsa rezultati pritet të ketë pasoja të thella për Evropën dhe forcat politike të së djathtës ekstreme, sipas Reuters.

Rikandidimi i Orbanit po ndiqet me vëmendje edhe përtej Hungarisë.

Udhëheqësi nacionalist e konsideron presidentin amerikan Donald Trump si një aleat kundër Bashkimit Evropian dhe ka ruajtur lidhje të ngushta me Moskën, pavarësisht luftës në Ukrainë.

Orban dhe modeli i demokracisë joliberale

Orban, 62 vjeç, i cili erdhi në pushtet në vitin 2010 me një fitore dërrmuese, e ka shndërruar Hungarinë në atë që ai e quan një demokraci joliberale.

Ai është përplasur shpesh me Brukselin për kufizimet ndaj mediave të pavarura, qëndrimin e tij kundër emigracionit dhe tkurrjen e të drejtave të komunitetit LGBTQ.

Këto përplasje kanë çuar në ngrirjen e miliarda eurove fonde evropiane, duke ushtruar presion shtesë mbi një ekonomi që tashmë po vuan nga inflacioni i lartë dhe rënia e fuqisë blerëse.

Në këto zgjedhje, ai do të përballet me Peter Magyar, një ish-zyrtar i qeverisë, partia e të cilit ”Tisza”, me orientim qendër-djathtas, ka tronditur skenën politike hungareze që nga hyrja e saj në vitin 2024.

Rezultati i këtij votimi nuk do të ketë pasoja vetëm për Hungarinë, por pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe ekuilibrat politikë në Bashkimin Evropian.

Në arenën ndërkombëtare, Orban ka ndërtuar një profil të veçantë: ai mban marrëdhënie të afërta me Moskën, pavarësisht luftës në Ukrainë, dhe e sheh ish-presidentin amerikan Donald Trump si një aleat ideologjik kundër institucioneve të Bashkimit Evropian.

Ekonomia, pika e dobët e ”Fidesz”-it

Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, ku stabiliteti ekonomik i ka shërbyer si avantazh, këtë herë Orban përballet me një realitet më të vështirë. Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, inflacioni u rrit ndjeshëm, duke shkaktuar një krizë të kostos së jetesës që preku veçanërisht shtresat e mesme dhe të ulëta.

Përpjekjet e qeverisë për të frenuar çmimet dhe për të ofruar mbështetje sociale kanë pasur efekt të kufizuar, ndërsa bllokimi i fondeve të BE-së ka reduktuar hapësirën fiskale për investime dhe stimulim ekonomik. Në këtë kontekst, ekonomia është shndërruar në pikën më të ndjeshme të fushatës së ”Fidesz”-it.

Sfida e re Peter Magyar dhe partia ”Tisza”

Në këtë skenë politike hyn Peter Magyar, 44 vjeç, një ish-konkurrent i sistemit qeveritar, i cili është shfaqur si figura më e fortë opozitare në një dekadë e gjysmë. Partia e tij, ”Tisza”, me orientim qendër-djathtas, ka arritur të tërheqë votues të zhgënjyer si nga opozita tradicionale, ashtu edhe nga ”Fidesz”.

Magyar ka ndërtuar fushatën e tij mbi dy shtylla kryesore: luftën kundër korrupsionit dhe rikthimin e marrëdhënieve funksionale me Bashkimin Evropian. Ai ka premtuar se do të ndërmarrë reforma për të zhbllokuar miliarda euro fonde të ngrira nga BE-ja, duke argumentuar se këto para janë jetike për rimëkëmbjen ekonomike.

Ndryshe nga Orban, Magyar ka theksuar se Hungaria duhet të mbetet e ankoruar fort në BE dhe NATO, ndërsa ka sinjalizuar një qasje pragmatike ndaj Rusisë, pa u larguar nga linja euroatlantike.

Sondazhet dhe faktorët e pasigurisë

Sondazhet e fundit sugjerojnë një garë më të ngushtë se kurrë më parë. Sipas një studimi të kryer në dhjetor nga instituti Publicus, partia ”Tisza” gëzon mbështetjen e 48% të votuesve të vendosur, kundrejt 40% për ”Fidesz”-in. Megjithatë, një përqindje e konsiderueshme votuesish të pavendosur mbetet një faktor kyç që mund të përmbysë parashikimet.

Kontrolli i ”Fidesz”-it mbi institucionet, mediat proqeveritare dhe strukturat lokale mbetet një avantazh i rëndësishëm për Orbanin. Nga ana tjetër, lodhja e elektoratit nga një pushtet i gjatë dhe presioni ekonomik mund të favorizojnë ndryshimin.

 Një zgjedhje me pasoja përtej Hungarisë

Zgjedhjet e 12 prillit nuk janë thjesht një garë mes dy politikanëve, por një referendum de facto mbi drejtimin strategjik të Hungarisë: vazhdimi i kursit nacionalist dhe konfrontues me BE-në, apo një kthesë drejt integrimit më të thellë evropian dhe reformave institucionale.

Për Bashkimin Evropian, një humbje e Orbanit do të dobësonte një nga zërat më të fortë kundër Brukselit nga brenda unionit. Përkundrazi, një fitore e re e tij do të konfirmonte qëndrueshmërinë e modelit të demokracisë joliberale dhe do t’i jepte shtysë forcave të ngjashme politike në vende të tjera evropiane.

Në këtë kuptim, votimi i 12 prillit në Hungari shihet gjerësisht si një nga testet politike më të rëndësishme të vitit në Evropë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post ANALIZË – Zgjedhjet e 12 prillit prova më e madhe e pushtetit të Orbanit në 16 vjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Shiu dhe ngricat paralizojnë transportin në Evropën Qendrore dhe Lindore

13 January 2026 at 17:27

PRAGË, 13 janar /ATSH/ – Shiu dhe ngricat shkaktuan sot ndërprerje të mëdha në udhëtime në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, duke detyruar aeroportet në Çeki, Austri, Sllovaki dhe Hungari të shtyjnë fluturimet, sipas AP.

Fluturimet drejt dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vjenës, një nga më të ngarkuarit në Evropën Qendrore, u pezulluan përkohësisht.

Aeroporti ”Václav Havel” i Pragës u detyrua të kufizojë mbërritjet, ndërsa aeroporti ndërkombëtar i Sllovakisë u mbyll për disa orë.

”Shiu i ngrirë dhe kushtet ekstreme të akullit ndaluan të gjitha nisjet dhe mbërritjet në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Ferenc Liszt’ të Budapestit”, shkroi në rrjetet sociale ministri hungarez i Transportit, Janos Lazar.

Zëdhënësi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vjenës, Peter Kleemann tha se fluturimet hyrëse u devijuan drejt aeroporteve të tjera, si Mynihu, Frankfurti, Këlni dhe Venecia, ndërsa nisjet u vonuan.

Operacionet pritej të rifillonin gjatë orëve të vona të paradites.

Vala e të ftohtit ka shkaktuar gjithashtu probleme në transportin publik.

Pas reshjeve të mëdha të dëborës javën e kaluar, shërbimet e tramvajit në Budapest u ndërprenë për shkak të akullit të grumbulluar, njoftoi autoriteti i transportit publik të kryeqytetit.

Operatori kombëtar hekurudhor i Austrisë, ÖBB, tha se priteshin vonesa në veri dhe lindje të vendit, përfshirë Vjenën, dhe u bëri thirrje udhëtarëve të shtyjnë udhëtimet jo urgjente.

Autoritetet çeke njoftuan se disa trena dhe autobusë u anuluan, ndërsa pasagjerët në stacionin kryesor të kryeqytetit u përballën me vonesa që zgjatën me orë. Ata shtuan se autostrada D8 drejt Gjermanisë u mbyll për shkak të një aksidenti në anën gjermane të kufirit. Në disa zona në lindje të Gjermanisë u raportuan rrugë të mbuluara nga akulli.

Temperaturat në Rumani, e cila ka përjetuar reshje të dendura dëbore gjatë javës së fund në disa zona parashikoheshin të zbrisnin deri në minus 13 gradë Celsius, duke detyruar disa shkolla të kalojnë në mësim online.

Shërbimi Meteorologjik i Hungarisë tha në një deklaratë se në lindje të vendit priteshin reshje të konsiderueshme bore, ndërsa në zonat më perëndimore pritej shi dhe shi i ngrirë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post KOMENT – Shiu dhe ngricat paralizojnë transportin në Evropën Qendrore dhe Lindore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Groenlanda burim tensioni Kinë-SHBA

12 January 2026 at 22:57

NUUK (Groenlandë) 12 janar /ATSH/ – Kina deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të përdorin vende të tjera si pretekst për të ndjekur interesat e tyre në Groenlandë, duke theksuar se aktivitetet kineze në Arktik janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtar, sipas AP.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur dëshirën për të arritur një marrëveshje për të marrë Groenlandën, territor gjysmëautonom i Danimarkës, aleate e NATO-s.

Ai argumenton se kjo është e nevojshme për të parandaluar ndikimin e Rusisë ose Kinës në rajon, duke rritur ndjeshëm tensionet mes Uashingtonit, Kopenhagës dhe autoriteteve lokale në Groenlandë.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka paralajmëruar se marrja kontrollit të  e Groenlandës nga SHBA-ja  do të shënonte fundin e NATO-s.

Ndërkohë, kryeministri i Groenlandës dhe liderët e katër partive të tjera parlamentare kanë theksuar në një deklaratë të përbashkët se e ardhmja e territorit duhet të vendoset nga populli i tij.

Presidenti Trump i përsëriti komentet e tij gjatë fundjavës, duke thënë se SHBA-ja “duhet ta marrë Groenlandën”, përndryshe këtë do ta bënin Rusia ose Kina. Ai shtoi se preferon një marrëveshje, por theksoi se “në një mënyrë apo tjetër, Groenlanda do të jetë e SHBA-së”.

Kina, e cila në vitin 2018 u vetëshpall “shtet pranë Arktikut”, synon të zgjerojë ndikimin e saj në rajon dhe ka shpallur planet për ndërtimin e një “Rruge Polare të Mëndafshit” si pjesë e nismës globale “Brezi dhe Rruga”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze deklaroi se aktivitetet e Pekinit në Arktik synojnë paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke shtuar se të drejtat e të gjitha vendeve duhet të respektohen sipas ligjit ndërkombëtar.

Ndërkohë, pritet që përfaqësues danezë dhe gorenlandezë të zhvillojnë bisedime në Uashington këtë javë, ndërsa po përgatiten edhe vizita të senatorëve amerikanë në Danimarkë. /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – Groenlanda burim tensioni Kinë-SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

FOKUS – Suedia investon rreth 374 milionë euro për dronë ushtarakë

12 January 2026 at 21:41

STOKHOLM, 12 janar /ATSH-AFP/ –  Suedia do të investojë katër miliardë korona suedeze (rreth 374 milionë euro) për blerjen e dronëve për forcat e saj të armatosura, deklaroi sot ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson duke theksuar se Evropa duhet të marrë një përgjegjësi më të madhe për sigurinë e saj dhe për Ukrainën.

”Ky investim përfshin dronë zbulimi dhe të luftës elektronike, si edhe municione me rreze të gjatë veprimi, të njohura gjithashtu si dronë kamikazë ose dronë vetëvrasës”, sqaroi Jonson.

”Fondi përfshin gjithashtu dronë detarë për çminim dhe për mbikëqyrje detare. Të gjitha këto sisteme pritet të dorëzohen brenda dy viteve”, përfundoi ai.

Vendit skandinav do t’i duhet gjithashtu të shpenzojë 1,3 miliardë korona (rreth 121,5 milionë euro) për të forcuar kapacitetet hapësinore, me rreth 10 satelitë ushtarakë që do të rrisin efikasitetin e sistemeve tona pa pilot dhe të raketave të lundrimit.

Suedia njoftoi dje një investim prej 15 miliardë koronash (rreth 1,4 miliardë euro) në mbrojtjen ajrore tokësore.

Duke folur në një forum vjetor për mbrojtjen, Jonson u shpreh se situata e sigurisë është përkeqësuar edhe më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

”Kërcënimit në rritje nga Rusia i shtohet edhe paparashikueshmëria gjithnjë e më e madhe e Shteteve të Bashkuara. Një përfundim është i qartë, Evropa duhet të marrë një përgjegjësi më të madhe për sigurinë e saj dhe për atë të Ukrainës”, theksoi Jonson./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – Suedia investon rreth 374 milionë euro për dronë ushtarakë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEKSIKË – Sheinbaum: Prania e trupave amerikane nuk është në rendin e ditës

12 January 2026 at 21:01

MEKSIKO SITI, 12 janar /ATSH-AFP/-  Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum deklaroi sot se i ka bërë të qartë homologut të saj amerikan, Donald Trump, se prania e trupave amerikane në vend “nuk është në rendin e ditës”.

Të dy udhëheqësit zhvilluan një bisedë telefonike pas deklaratave të Trumpit të enjten, ku ai përmendi mundësinë që Shtetet e Bashkuara të “ndërmarrin një sulm tokësor kundër karteleve të drogës”, veçanërisht në Meksikë.

”Unë i thashë ‘jo, kjo nuk është në rendin e ditës’, por ne vazhdojmë të bashkëpunojmë brenda kuadrit të sovranitetit tonë”, deklaroi Sheinbaum gjatë konferencës së saj të zakonshme për shtyp.

”Meksika është kundër ndërhyrjeve ushtarake”, i theksoi ajo presidentit amerikan, i cili e kishte pyetur për mendimin e saj lidhur me një ndërhyrje ushtarake të SHBA-së në Venezuelë dhe kapjen e Nicolas Maduros më 3 janar.

”Ai më pyeti se cili ishte qëndrimi ynë për Venezuelën; unë iu përgjigja se ky është qëndrimi zyrtar, se ne kemi një Kushtetutë, jemi kundër ndërhyrjeve ushtarake”, tregoi ajo.

Pak më herët në platformën X, presidentja meksikane kishte njoftuar se kishte ”diskutuar për disa çështje” me Donald Trumpin, ”përfshirë sigurinë me respektimin e sovraniteteve tona, uljen e trafikut të drogës, tregtinë dhe investimet”./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post MEKSIKË – Sheinbaum: Prania e trupave amerikane nuk është në rendin e ditës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOLDAVI – Presidentja Sandu pro ribashkimit me Rumaninë

12 January 2026 at 20:20

KISHINEV, 12 janar /ATSH-AFP/ – Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu deklaroi se do të votonte pro nëse do të mbahej një referendum për ribashkimin me Rumaninë, anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, në një intervistë të publikuar sot në një portal britanik.

Liderja pro evropiane denoncon rregullisht ndërhyrjet e Rusisë në këtë republikë të vogël, kryesisht folëse e gjuhës rumune, me 2,4 milionë banorë, ish-republikë sovjetike e vendosur midis Rumanisë dhe Ukrainës.

Ajo tha në një intervistë për podcastin britanik ”The rest is politics” se po bëhet ”më e vështirë për një vend të vogël si Moldavia të mbijetojë si demokraci, vend sovran, dhe sigurisht të rezistojë ndaj Rusisë”.

”Nëse do të kishim një referendum, unë do të votoja për ribashkimin me Rumaninë”, shtoi ajo duke theksuar megjithatë se sipas sondazheve ”nuk ka sot një shumicë që mbështet bashkimin e Moldavisë me Rumaninë”.

Nën presidencën e Sandusë, Moldavia ka paraqitur kandidaturën për t’u anëtarësuar në BE, një objektiv që ajo e përshkroi në këtë intervistë si realist.

Negociatat për anëtarësim kanë filluar në vitin 2025.

Partia e Sandusë fitoi zgjedhjet legjislative në shtator, duke ruajtur kursin pro evropian të Moldavisë.

Ajo u zgjodh për një mandat të dytë në vitin 2024.

Moldavia ishte e bashkuar me Rumaninë midis dy luftërave botërore, para se të aneksohej nga Bashkimi Sovjetik.

Ajo shpalli pavarësinë gjatë shpërbërjes së BS në vitin 1991./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post MOLDAVI – Presidentja Sandu pro ribashkimit me Rumaninë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Policia sekuestron sasi rekord kokaine në Atlantik

12 January 2026 at 19:45

MADRID, 12 janar /ATSH-DPA – Forcat speciale spanjolle kanë sekuestruar afërsisht 10 tonë kokainë në një anije mallrash që vinte nga Brazili në oqeanin Atlantik, njoftuan sot autoritetet.

Ata thanë se ky është sekuestrimi më i madh i kokainës në det të hapur në historinë e Policisë Kombëtare spanjolle.

Anija u ndalua  rreth 540 kilometra në perëndim të Ishujve Kanarie.

Sipas njoftimit, të 13 anëtarët e ekuipazhit, që raportohet se janë nga India dhe Serbia, u arrestuan.

Kokaina thuhet se ishte fshehur në një ngarkesë kripe.

Sipas deklaratës, goditja historike kundër mafias së kokainës nga Amerika e Jugut ndodhi javën e kaluar.

Forcat spanjolle u ndihmuan në hetimet e tyre nga Administrata e Drogave e SHBA-së (DEA), Qendra për Analizë dhe Operacione Detare  Narkotikë (MAOC-N), ku bëjnë pjesë Gjermania dhe vende të tjera evropiane, si dhe autoritetet në Francë, BM dhe Portugali.

Anija u dërgua në portin e Santa Cruz në Tenerife, ku qëndron që nga e diela pasdite.

Sipas medieve spanjolle, që citonin zëdhënës të Policisë Kombëtare, asnjë vend tjetër evropian nuk ka arritur ndonjëherë një kapje kaq të madhe të kokainës në det të hapur.

Sipas  burimeve të shpeshta zyrtare, Spanja po bëhet gjithnjë e më shumë një nga portat kryesore për tregtinë e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Në tetor, njësitë speciale të policisë sekuestruan 6,5 tonë kokainë në një anije tjetër në Atlantik.

”E gjithë Evropa aktualisht po përmbytet nga kokaina, dhe Spanja luan një rol të rëndësishëm si portë drejt kontinentit”, tha Joan Ramon Villalbi, komisioneri i qeverisë për Planin Kombëtar të Drogës në Spanjë, gjatë një dëgjese me ligjvënës spanjoll vitin e kaluar./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SPANJË – Policia sekuestron sasi rekord kokaine në Atlantik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FUTBOLL – Xabi Alonso largohet nga Real Madrid, Arbeloa merr drejtimin

12 January 2026 at 18:51

MADRID, 12 janar /ATSH-AFP/ – Një ditë pas humbjes në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj FC Barcelonës, Real Madridi njoftoi sot largimin e trajnerit të tij Xabi Alonso, pas vetëm tetë muajsh në stolin madridas, dhe emërimin e Alvaro Arbeloas si pasues.

“Real Madridi njofton se, me marrëveshje të përbashkët mes klubit dhe Xabi Alonsos, është vendosur t’i jepet fund mandatit të tij si trajner i ekipit të parë”, shkruan gjiganti spanjoll në një komunikatë të shkurtër.

”Ish-mbrojtësi spanjoll Alvaro Arbeloa, kampion bote në vitin 2010 përkrah Xabi Alonsos dhe deri tani në krye të ekipit rezervë, do ta zëvendësojë atë në stol”, njoftoi Reali në një komunikatë të dytë. /Ad.Ab./

The post FUTBOLL – Xabi Alonso largohet nga Real Madrid, Arbeloa merr drejtimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Mot i ftohtë, erëra të fuqishme, ngrica dhe reshje dëbore

12 January 2026 at 18:41

ATHINË, 12 janar /ATSH-ANA/ – Shërbimi Kombëtar Meteorologjik (EMY) njoftoi se temperaturat do të fillojnë një rënie të ndjeshme që nga pasditja e sotme dhe do të mbeten shumë të ulëta deri të mërkurën në mëngjes, ndërsa ngricat do të shfaqen kryesisht gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit, me intensitet më të madh në veri.

Sipas paralajmërimit të jashtëzakonshëm për motin, reshje dëbore do të ketë në zonat  malore të Greqisë kontinentale dhe në ishullin Evia.

Gjatë orëve të natës, do të ketë ngrica në zonat fushore të rajonit të Maqedonisë Lindore dhe Thrakës, në njësitë rajonale të Serres dhe gadishullit të Halkidikisë, në pjesët lindore të njësisë rajonale të Selanikut, si edhe në ishujt e Egjeut Verior (Limnos, Lesvos, Chios, Ishujt Sporade).

Që nga orët e para të mëngjesit të sotëm, në zonat fushore të Evias (kryesisht në pjesët lindore të ishullit) dhe në zonat malore të ishujve të Ciklades dhe të Kretës.

Sekretariati i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile u bëri thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet gjatë këtyre ditëve dhe të marrin masa sigurie, duke përfshirë sigurimin e objekteve që mund të rrëmbehen nga era, udhëtimin vetëm kur është e domosdoshme, pajisjen e automjeteve me zinxhirë, mbajtjen e rezervuarit të karburantit plot dhe udhëtimin vetëm gjatë ditës, pasi të kenë njoftuar të afërmit për itinerarin që planifikojnë të ndjekin./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post GREQI – Mot i ftohtë, erëra të fuqishme, ngrica dhe reshje dëbore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GROENLANDË – Qeveria nuk pranon në asnjë mënyrë kërkesën amerikane për të marrë vendin

12 January 2026 at 17:23

NUUK, 12 janar /ATSH-AFP/ – Groenlanda nuk e pranon në asnjë mënyrë dëshirën amerikane për të marrë në zotërim territorin e saj dhe do të intensifikojë përpjekjet që mbrojtja e saj të garantohet brenda kuadrit të NATO-s, njoftoi sot qeveria groenlandeze.

”Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar sërish dëshirën e tyre për të marrë në zotërim Groenlandën. Koalicioni qeverisës i Groenlandës nuk mund ta pranojë këtë në asnjë mënyrë”, thuhet në një deklaratë.

Javën e kaluar, Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja dhe Britania e Madhe, në një deklaratë të përbashkët, shprehën mbështetjen e tyre për Groenlandën dhe Danimarkën, e cila e administron territorin, përballë deklaratave të Donald Trump.

”Në dritën e qëndrimit shumë pozitiv të gjashtë vendeve anëtare të NATO-s ndaj Groenlandës, Naalakkersuis do të intensifikojë përpjekjet që mbrojtja e Groenlandës të jetë pjesë e kuadrit të NATO-s”, shpjegoi koalicioni.

Qeveria groenlandeze e drejtuar nga Jens-Frederik Nielsen theksoi se Groenlanda synon “të jetë përgjithmonë pjesë e aleancës perëndimore të mbrojtjes”./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post GROENLANDË – Qeveria nuk pranon në asnjë mënyrë kërkesën amerikane për të marrë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Kompanitë amerikane të naftës të investojnë në Venezuelë

10 January 2026 at 14:34

UASHINGTON, 10 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje drejtuesve të kompanive të mëdha amerikane të naftës që të rrisin ndjeshëm investimet në Venezuelë, gjatë një takimi të zhvilluar dje në Shtëpinë e Bardhë.

Duke folur pas takimit, presidenti Trump tha se kompanitë amerikane do të investonin qindra miliarda dollarë në Venezuelë, pa dhënë detaje konkrete.

Më herët, në prani të gazetarëve, drejtori ekzekutiv i “Exxon”, Darren Woods, deklaroi se kushtet ligjore dhe ekonomike në Venezuelë aktualisht e bëjnë të pamundur investimin.

Në hapje të takimit, Trump u tha drejtuesve se dëshironte që kompanitë amerikane të naftës të angazhoheshin me të paktën 100 miliardë dollarë për të rritur prodhimin e naftës në Venezuelë.

“Nëse nuk doni të hyni, thjesht më njoftoni, sepse kam 25 persona që nuk janë këtu sot dhe janë të gatshëm të zënë vendin tuaj”, tha Trump.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Venezuela po punojnë mirë së bashku për të rindërtuar infrastrukturën energjetike të vendit të Amerikës së Jugut”, shtoi Trump.

Më pas, Trump u kërkoi gazetarëve të largoheshin nga salla, duke thënë se do të fillonte negociatat me drejtuesit e kompanive.

“Ne disi formuam një marrëveshje”, tha ai më pas, duke e cilësuar takimin si “të shkëlqyer”.

“Ata do të hyjnë me qindra miliarda dollarë në shpime për naftë dhe kjo është e mirë për Venezuelën dhe shumë e mirë për Shtetet e Bashkuara,” u shpreh Trump, pa dhënë shpjegime të mëtejshme. /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Trump: Kompanitë amerikane të naftës të investojnë në Venezuelë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Spitalet të mbingarkuar nga numri i madh i të plagosurve gjatë protestave

10 January 2026 at 14:09

TEHERAN, 10 janar /ATSH/ – Spitalet në Iran po përballen me mbingarkesë të rëndë, ndërsa protestat antiqeveritare vazhdojnë në shumë qytete të vendit, sipas BBC.

Një mjek dhe një punonjës shëndetësor në dy spitale të ndryshme thanë se numri i të plagosurve është rritur ndjeshëm, duke vënë sistemin shëndetësor nën presion ekstrem.

Sipas një mjeku nga Teherani, spitali kryesor oftalmologjik i kryeqytetit ka hyrë në gjendje krize, me shërbimet emergjente të tejmbushura.

“Janë pezulluar ndërhyrjet jo urgjente dhe stafi shtesë është thirrur për të përballuar fluksin e pacientëve”, tha një zyrtar.

Një tjetër punonjës shëndetësor nga qyteti Shiraz raportoi se spitali i tij nuk kishte mjaft kirurgë për të trajtuar të plagosurit që po silleshin vazhdimisht.

Protestat, që nisën më 28 dhjetor, janë shtrirë në dhjetëra zona në të gjithë Iranin.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut raportojnë se dhjetëra protestues kanë humbur jetën, përfshirë edhe fëmijë, ndërsa mijëra persona janë arrestuar.

Informacioni nga terreni është i vështirë për t’u verifikuar, pasi Irani ndodhet nën një bllokim pothuajse të plotë të internetit./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post IRAN – Spitalet të mbingarkuar nga numri i madh i të plagosurve gjatë protestave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Dy javë protesta në Iran, qeveria intensifikon masat shtypëse

10 January 2026 at 13:11

DUBAI, 10 janar /ATSH/ –  Protestat që kanë përfshirë Iranin për afro dy javë vazhdojnë edhe sot, pavarësisht ndërprerjes së internetit dhe bllokimit të linjave telefonike nga qeveria iraniane, sipas AP.

Demonstratat nisën më 28 dhjetor për shkak të rënies së madhe të monedhës rial dhe u zgjeruan shpejt duke sfiduar drejtpërdrejt teokracinë iraniane dhe politikat e ashpra ekonomike.

Sipas Agjencisë për të Drejtat e Njeriut me qendër në SHBA, të paktën 65 persona janë vrarë dhe mbi 2 300 të tjerë janë arrestuar që nga fillimi i protestave.

Televizioni shtetëror iranian raporton rreth viktimave mes forcave të sigurisë dhe përpiqet të tregojë kontrollin mbi situatën.

Lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar një shtypje të ardhshme, ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA- ja mbështet popullin iranian.

Në të njëjtën kohë, Princ Reza Pahlavi, i mërguar jashtë vendit, ka bërë thirrje për protesta të mëtejshme gjatë fundjavës, duke u kërkuar demonstruesve të përdorin flamurin e vjetër të Iranit dhe simbole kombëtare.

Raportet nga vendi tregojnë se shumë shkolla dhe universitete zhvilluan mësime online, ndërsa video të verifikuara tregojnë mijëra protestues në rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera, duke brohoritur kundër Khameneit dhe duke sfiduar qeverinë.

Protestat kanë transformuar tensionet ekonomike në një sfidë të hapur politike ndaj regjimit, ndërsa Irani mbetet i izoluar nga pjesa tjetër e botës për shkak të ndërprerjes së komunikimeve ndërkombëtare./  /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post FOKUS – Dy javë protesta në Iran, qeveria intensifikon masat shtypëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – 268 milionë dollarë për përgatitjen e trupave për dislokim në Ukrainë

10 January 2026 at 12:34

LONDËR, 10 janar /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe do të shpenzojë 200 milionë paund (268 milionë dollarë) për të përgatitur trupat britanike për dislokim në Ukrainë në rast të një armëpushimi me Rusinë, njoftoi sekretari i Mbrojtjes, John Healey.

Healey i bëri deklaratat pas një vizite njëditore dje në Kiev, ku diskutoi planet për Forcën Shumëkombëshe për Ukrainën me presidentin Volodymyr Zelensky.

Fondet do të përdoren për modernizimin e mjeteve ushtarake dhe sistemeve të komunikimit, mbrojtjen kundër dronëve dhe pajisje të tjera, me qëllim që trupat të jenë të gatshme për dislokim.

“Po rrisim ndjeshëm investimet në përgatitjet tona pas njoftimit të kryeministrit këtë javë, duke u siguruar që forcat e armatosura britanike janë të gatshme të dislokohen dhe të udhëheqin Forcën Shumëkombëshe për Ukrainën, sepse një Ukrainë e sigurt do të thotë një Britani e Madhe e sigurt”, tha Healey.

Pas takimit, Zelensky shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Britanisë së Madhe, duke shtuar se “është thelbësore që kuadri për përfundimin e luftës të përfshijë një reagim të qartë nga aleatët nëse agresioni rus përsëritet”.

Healey njoftoi dje gjithashtu se këtë muaj do të nisë prodhimi i dronëve të rinj “Octopus” për Ukrainën, të projektuar për të kapur dronët e tjerë që Rusia përdor për të sulmuar objektiva civile.

Britania e Madhe synon të prodhojë mijëra dronë në muaj, me secilin “Octopus” që kushton vetëm 10% të çmimit të dronëve që synon të neutralizojë.

Njoftimi vjen një ditë pasi Rusia ndërmori një valë masive sulmesh me dronë dhe raketa kundër Ukrainës, duke goditur objektiva civile dhe infrastrukturën energjetike./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BM – 268 milionë dollarë për përgatitjen e trupave për dislokim në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Një i vdekur nga stuhia “Goretti”, 28 000 familje pa energji elektrike

10 January 2026 at 11:48

LONDËR, 10 janar /ATSH-AFP/ – Një burrë është gjetur i vdekur sot pasi një pemë ra mbi makinën e tij në jug të Kornuollit, pas kalimit të stuhisë “Goretti”, e cila ka lënë ende dhjetëra mijëra familje pa energji elektrike në Britaninë e Madhe.

Stuhia përfshiu vendin natën nga e enjtja në të premte, me erëra që arritën 160 kilometra në orë në jugperëndim të Anglisë dhe në Uells, si dhe me reshje të dendura dëbore, akull dhe shi dje në Skoci, Uells, Irlandën e Veriut dhe në veri të Anglisë, duke shkaktuar shumë ndërprerje dhe probleme.

Policia e rajonit Kornuoll dhe Devon, në jugperëndim të Anglisë, njoftoi sot vdekjen e një burri në qytetin Helston, i cili u gjet nga shërbimet e emergjencës në makinën e tij, mbi të cilin kishte rënë një pemë të enjten.

“Operacionet u kryen në vendngjarje (të premten) për të hequr pemën në mënyrë të sigurt dhe (…) fatkeqësisht, një burrë rreth të pesëdhjetave u gjet i pajetë brenda makinës”, tha policia lokale në një deklaratë.

Pjesa më e madhe e Britanisë së Madhe vazhdon të jetë nën paralajmërim të verdhë për dëborë dhe ngrica sot, sipas agjencisë kombëtare të meteorologjisë Met Office, në Skoci dhe në veri të Anglisë, ku akulli mund të shkaktojë “çrregullime”.

Rreth 28 000 familje ishin ende pa energji elektrike sot në mëngjes në jugperëndim të Anglisë dhe në rajonin e Midlands, sipas të dhënave më të fundit të operatorit të rrjetit National Grid.

Stuhia ”Goretti” shkaktoi gjithashtu dëme të mëdha materiale në Francë, ku më pak se 100 000 familje mbetën pa energji elektrike të shtunën në mëngjes, por pas kalimit të saj nuk u raportua asnjë viktimë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post BM – Një i vdekur nga stuhia “Goretti”, 28 000 familje pa energji elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌