Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 January 2026Main stream

Trump kërcënon regjimin në Iran? Presidenti amerikan: Jemi gati të ndërhyjmë

By: Rovena
11 January 2026 at 14:41

Presidenti amerikan Donald Trump ka dërguar një paralajmërim të fortë ndaj udhëheqësve iranianë, duke deklaruar se nëse Irani nis të sulmojë, ai është gati të përgjigjet menjëherë dhe se Teherani do të paguajë një çmim të lartë. Ai thekson gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin ata që kërkojnë lirinë dhe janë të gatshme të ndërhyjnë, ndërsa mediat raportojnë se ka një listë objektivash të mundshme që mund të goditen në rast ndërhyrjeje.

Megjithatë, në praktikë, Shtëpia e Bardhë po përdor një qasje të kujdesshme dhe taktike, të njohur si “prit dhe shiko” (“wait and see”), për të monitoruar zhvillimet e revoltës në Iran dhe për të kuptuar nëse ka dobësi në strukturat shtetërore. Analiza e CIA-s tregon se udhëheqësit e Republikës Islamike mbeten të fortë dhe nuk ka shenja të një ndryshimi dramatik, duke i dhënë Trump hapësirë për të planifikuar veprime, pa u nxituar.

Presidenti ka shmangur takimin me Reza Pahlavin, djalin e fundit të Shahut të Iranit dhe një figurë të njohur për protestuesit, duke ndjekur modelin e përdorur më parë në Venezuelë, ku zgjidhjet ndërkohore iu besuan udhëheqësve të përkohshëm, në vend që të përfshinin opozitarët e drejtpërdrejtë.

Ndërkohë, ekspertët vënë në dukje se ndërhyrja ushtarake mund të rrisë më tej tensionet brenda vendit, por Irani ka punuar gjatë muajve të fundit për të forcuar arsenalin e tij raketor dhe për të përmirësuar aftësitë ushtarake, duke i dhënë SHBA-ve mundësi të godasin nga distanca me armë të avancuara, përfshirë raketat cruise dhe armët e tjera, që janë provuar më parë ndaj objekteve të mbrojtura bërthamore.

Strategët amerikanë dhe udhëheqësit politikë kanë shqyrtuar mundësinë e një sulmi ajror të gjerë, por nuk ka konsensus dhe nuk janë lëvizur mjetet ushtarake të nevojshme, duke e lënë Teheranin në pritje dhe duke përdorur kërcënimin si mjet presioni. Trump ka treguar në të kaluarën se është i aftë të përdorë pretaktikë, duke dhënë shenja të hapjes për dialog, por duke ruajtur avantazhin strategjik për SHBA-të.

Çdo ndërhyrje amerikane, dhe ndoshta edhe izraelite, rrezikon të fuqizojë narrativën e “komplotit të huaj” që Teherani përdor vazhdimisht për të legjitimuar qëndrimin e tij ndaj protestuesve. Sidoqoftë, paralajmërimet e Trumpit tregojnë gatishmërinë e tij për të përdorur të gjitha opsionet, diplomatike dhe ushtarake, për të mbrojtur interesat e SHBA-ve dhe për të mbajtur presionin mbi udhëheqësit iranianë.

Në këtë situatë, strategjia amerikane mbetet e dyfishtë: prit dhe vëzhgo, por njëkohësisht paralajmëron dhe vendos në gatishmëri ushtrinë, duke shfrytëzuar avantazhin teknologjik dhe taktikat e sofistikuara të vëzhgimit për të ruajtur kontrollin mbi zhvillimet dhe për të mos lejuar që situata të dalë jashtë kontrollit.

Nobel nuk kalon te Trump/ Instituti: Çmimi është i përhershëm dhe nuk mund të transferohet

By: Rovena
11 January 2026 at 14:15

Çmimi Nobel për Paqen nuk mund të transferohet, ndahet ose revokohet. Këtë e bëri të qartë Instituti Norvegjez I Nobelit, pa deklaratave të fitueses së vitit të kaluar, Maria Corina Machado, e cila sugjeroi se mund t’ia jepte çmmin e saj presidentit amerikan Donald Trump.

Në një deklaratë, instituti tha se vendimi për të dhënë një Çmim Nobel është përfundimtar dhe i përhershëm. Organizata gjithashtu vuri në dukje se komitetet që japin çmimet nuk komentojnë mbi veprimet ose deklaratat e laureatëve pas marrjes së çmimeve.

Machado ka thënë se dorëzimi i çmimit Trump do të ishte një akt mirënjohjeje nga populli venezuelian për largimin e Nicolás Maduro, presidentit të vendit, i cili u arrestua nga Shtetet e Bashkuara.

Trump, i cili ka shprehur prej kohësh interes për të fituar çmimin dhe herë pas here e ka lidhur atë me arritjet diplomatike, tha se do të ishte i nderuar ta pranonte çmimin nëse Machado do t’i ofrohej gjatë një takimi të planifikuar në Uashington.

Machado, një ish-anëtare e Asamblesë Kombëtare, u ndalua të kandidonte në zgjedhjet e përgjithshme të Venezuelës në vitin 2024 nga autoritetet e lidhura me Maduron.

Ajo mbështeti një kandidat zëvendësues i cili konsiderohej gjerësisht se kishte fituar zgjedhjet, megjithëse Maduro pretendoi fitoren.

 

Të shpallur në kërkim për mashtrin e shpërdorim detyre, policia arreston dy persona

By: Rovena
11 January 2026 at 13:45

Kapen, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, dy persona të shpallur në kërkim, për veprat penale “Mashtrim”, “Shpërdorim detyre” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bënë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim T. B., 39 vjeç, banues në Shkodër.

Gjykata e Durrësit, më datë 31.07.2025, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Po në vijim të operacionit, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, u bë e mundur kapja e personit tjetër në kërkim, shtetasit A. K., 31 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për veprën penale “Mashtrim”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

 

Dita e gjashtë e përmbytjeve dhe motit të keq/ Mbrojta Civile: Ja qarqet më problematike

By: Rovena
11 January 2026 at 13:06

Reshjet intensive të shiut dhe dëborës gjatë orëve të fundit kanë përfshirë një pjesë të madhe të territorit të vendit, duke krijuar problematika të natyrës hidrologjike dhe infrastrukturore në disa qarqe.

Situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera situata ka qenë me problematika të kufizuara dhe të menaxhueshme. Strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes ndodhen në terren dhe po punojnë për përballimin e pasojave dhe stabilizimin e situatës.

Në Qarkun Shkodër, rritja e nivelit të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë rritje të prezencës së ujit në zonën e Obotit dhe Dajçit si dhe përmbytje të tokave bujqësore në zonën Urrelat–Shirq. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është i pakalueshëm për mjetet e ulëta. Nuk raportohen përmbytje banesash, ndërsa argjinaturat dhe kanalet kulluese, shkarkuesit dhe diga e rezervuarit të Shkodrës vijojnë të jenë funksionale. Strukturat vendore po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Në Qarkun Durrës, situata po shkon drejt përmirësimit në zonat e përmbytura të Sukthit dhe Katundit të Ri, megjithatë vijon prezenca e ujit në rreth 1 800 hektarë toka bujqësore dhe në disa banesa në zona të veçanta të Kënetës dhe Shkozetit. Janë kryer ndërhyrje për lirimin e akseve rrugore dhe për funksionalizimin e shkarkuesve, me qëllim shmangien e përkeqësimit të situatës.

Në Qarkun Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh në disa njësi administrative si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Qarkullimi në akset kryesore po mbahet i kontrolluar, ndërsa në rrugët rurale po punohet për hapjen dhe garantimin e aksesit. Po ashtu vijon operacioni i kërkimit për një shtetas të humbur, me angazhimin e forcave të specializuara.

Në Qarkun Berat, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe prezencë uji në disa banesa dhe objekte publike si dhe evakuimin e disa familjeve për arsye sigurie. Situata po menaxhohet nga strukturat vendore, me mbështetjen e forcave të emergjencës.

Në Qarkun Fier, lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati në disa zona, duke përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore dhe duke prekur disa banesa. Strukturat e bashkive ndodhen në gatishmëri të plotë dhe po vlerësojnë në mënyrë të vazhdueshme nevojën për masa shtesë.

Në Qarqet Korçë dhe Gjirokastër, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore, bllokime rrugësh dhe evakuime të kufizuara të disa familjeve në zona me rrezik.

Puna në terren vijon për hapjen e akseve rrugore dhe eliminimin e rrezikut për banorët. Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa qarqe të vendit me efektivë dhe mjete të specializuara për ndërhyrje emergjente, lirimin e rrugëve të bllokuara, evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e autoriteteve vendore.

U bëjmë thirrje banorëve të zonave të prekura të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat me rrezik përmbytjeje apo rrëshqitjeje dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.

Real Barcelona, superkupa e “artë”/ Rivalët e përjetshëm ndeshen në finalen e sotme në Arabinë Saudite

By: Rovena
11 January 2026 at 12:54

Një tjetër mbrëmje e shënuar.

Do të luhet sonte një tjetër episod I El Klasikos, I duelit më të madh të futbollit botëror, atij mes Barcelonës dhe Realit, në finalen e Superkupës së Spanjës.

Katalanasit, kampionë të Spanjës në fuqi dhe fitues gjithashtu të trofeut që dorëzohet sot, cilësohen favoritë, ndonëse kur luhet derbi parashikimet nuk vlejnë.

Rivalët e mëdhenj ndeshen në orën 20:00 në stadiumin e Mbretit Abdullah në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Xheda, dhe “blaugranët” pritet të kenë titullar talentin më të madh të botës, Lamin Jamalin.

Adoleshenti I tmerrshëm hyri si zëvendësues në gjysmëfinalen ndaj Atletik të Bilbaos, të fituar tepër thellë 5-0.

Forma e Barçës është e madhe ndonëse trajneri Hansi Flik bën thirrje se ndaj Realit do të jetë shumë e vështirë.

Arauho është kthyer, Gavi mungon ashtu si portieri Ter Shtegen, ndërsa Levandovski mund ta nisë nga stoli.

Po Reali?

Lajmi I mirë është që Kilian Mbape është gati pasi mungoi I dëmtuar në gjysmëfinale.

Madrilenët vërtet janë 15 herë kampionë të Europës, por nuk po luajnë aq mirë sa rivali, dhe trajneri Shabi Alonso ende nuk ka krijuar një skuadër të vërtetë.

Edhe fitorja 2-1 ndaj Atletikos në gjysmëfinale, në derbin e Madridit, nuk ngrohu shumë, edhe pse rriti ndjeshëm moralin.

“Një finale e 10-ve, – titullon “AS” nga Madridi, – Mbape që ishte I dëmtuar, dhe Lamin që ishte rezervë, ndezin Superkupën!”

“El Mundo Deportivo” nga Katalonja ka në kopertinë foton e trajnerëve Flik e Alonso me trofeun e Superkupës mes tyre: Superfinale!”

Po flasim për Superkupën më të pasur në histori, me shpërblim prej 23 milionë eurosh për katër ekipet pjesëmarrëse, duke thyer rekordin e 19 milionë eurove vitin e kaluar.

Fituesi I trofeut do të marrë plot 12 milionë euro, ndërsa të tjerët më pak.

Fitojnë Egjipti e Nigeria/ Përcaktohen gjysmëfinalistët e Kupës së Kombeve të Afrikës

By: Rovena
11 January 2026 at 12:52

Padyshim një turne shumë i fortë.

Edhe pse shpesh naiv dhe me ulje-ngritje, futbolli I Kupës së Kombeve të Afrikës po bëhet gjithnjë e më I rëndësishëm, ndërsa më e bukura është ende përpara.

Pas dy çerekfinaleve të fundit, u përcaktuan ndeshjet gjysmëfinale, ndërsa u luajt një finale e parakohëshme.

Egjipti ia doli pas një beteje të ashpër të kalonte Bregun e Fildishtë me rezultatin 3-2 në stadiumin e Agadirit në Marok.

“Faraonët” ishin gjatë gjithë kohës në epërsi, ndonëse kundërshtari bëri më shumë dhe u imponua me 71 për qind mbajtje topi.

Diçka e pamendueshme për nivele të tilla, ndërsa goditjet në kuadrat ishin njësoj, dhe egjiptianët besohet se u ndihmuan nga përvoja si shtatë herë fitues të këtij trofeu, pra si rekordmenë.

Marmush kaloi “faraonët” në epërsi që në 4’, pastaj Rabia dyfishoi shifrat.

Pjesa e parë u mbyll me gol të ivorianëve, madje me autogol, por shpejt pas pushimit ylli kryesor në fushë, Mohamed Salah, realizoi rrjetën e tij.

Edhe pse Due shkurtoi shifrat, sërish Egjipti u mbajt dhe do të luajë në gjysmëfinale me Senegalin në 14 janar.

Çerekfinalja tjetër pati kontrast tepër të madh.

Nigeria dominoi Algjerinë duke fituar 2-0 në mënyrë të merituar.

Viktor Osimhen, ish-sulmuesi I Napolit, që sot luan në Turqi me Gallatasarajin, ishte heroi kryesor.

Shënoi golin e parë dhe mbajti nën presion mbrojtjen kundërshtare.

Akor Adams fiksoi shifrat 2-0, ndërsa nigerianët bombarduan portën rivale me 12 gjuajtje, duke mos u lënë asnjë në kuadrat.

Gjysmëfinalja do të jetë një tjetër finale e parakohshme, pasi Nigeria do të ndeshet me ekipin vendas, Marokun, që cilësohet favorit për të fituar Kupën e Kombeve të Afrikës.

Mehmeti “godet” sërish/ Futbollisti shqiptar e bën “sefte” edhe në Kupën e Anglisë

By: Rovena
11 January 2026 at 12:50

Nuk ka ndërmend që të ndalet.

Anis Mehmeti po tregon këtë fillim viti, të njëjtën formë me të cilën e mbylli 2025-ën.

Futbollisti ofensiv shqiptar shënoi golin e radhës, të dytin në 2026, këtë herë në Kupën e Anglisë.

Bristol Siti fitoi bindshëm në raundin e tretë, 5-0 ndaj Uatfordit në shtëpi, dhe Mehmeti realizoi për 2-0 në 37’.

Në fushë u mbajt vetëm 58’ për t’u ruajtur, ndërsa këtë vit golat u bënë dy, e madje në vetëm 10 ditë.

Më parë, realizoi në portën e Portsmuthit, sërish në shtëpi dhe sërish në një fitore të thellë 5-0 në kampionat.

Ylli kuqezi, që ka luajtur tri ndeshje me ekipin përfaqësues, po luan padyshim edicionin e jetës në kategorinë e dytë angleze, një ligë tepër e fortë që mund të krahasohet me shumicën e superligave në Europë, me përjashtim të atyre të pesë vendeve kryesore.

Me 9 gola e 6 asistë gjithsesj, ai ka tërhequr vëmendjen duke qenë lojtari më I mirë I Bristol Sitit, dhe njëri nga më të dalluarit në Championship.

Klubi po bën përpjekje për ta mbajtur, sepse kontrata e Anis Mehmetit përfundon në qershor.

Ndërkaq, kjo formë deri tani nuk i ka vlejtur për t’u kthyer në kombëtare pas dy vitesh e gjysmë.

Rodri shënon golin e “harruar”/ Ylli spanjoll kthehet protagonist tek Man City në Kupën angleze

By: Rovena
11 January 2026 at 12:48

Për herë të fundit kishte ndodhur në maj të dy viteve më parë.

Njëri nga lojtarët më të mirë të Mançester Sitit, dhe fituesi I Topit të Artë në 2023, Rodri, një gol të zakonshëm për të, ndërsa kampionia e Anglisë fitoi 3-1 ndaj Uest Hemit, por as ai dhe as të tjerët nuk e dinin sesa duhej të priste për t’u përsëritur.

U desh të kalonin 20 muaj që nga 19 maji 2024, që mesfushori I Spanjës të shënonte golin e radhës.

Këtë ëndërr e plotësoi pikërisht mbrëmjen e kësaj të shtune, në fitoren e ekzagjeruar të Mançester Sitit kundër Ekseter Sitit në Kupën e Anglisë me shifrat 10-1.

Kënaqësia ishte e plotë sepse trajneri Pep Guardiola e hodhi në fushë si kapiten.

Rrjeta ishte për 2-0 dhe tekniku katalanas nuk rrezikoi shumë, duke e zëvendësuar Rodrin në pushim.

Për një ndeshje të raundit të tretë të Kupës kaq ishte mjaft.

Spanjolli 29-vjeçar, një nga talentet më të spikatur të futbollit të këtij brezi, ka pasur probleme të mëdha me dëmtimet.

Ai mungoi plot 11 ndeshje në nëntor e dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa goditjen më të rëndë e mori menjëherë pas Kampionatit Europian duke munguar 236 ditë, apo 53 ndeshje.

Tifozët e Sitit do ta mbajnë mend gjithmonë sepse ishte ai që shënoi golin e fitores në finalen e Championsit ndaj Interit, 1-0 në 2023, që I dha skuadrës së tyre trofeun e parë dhe deri tani të vetëm në konkurrimin më të madh europian të klubeve.

Sabalenka fiton derbin “e urrejtjes”/ Tenistja nga Bjellorusia mund në finale ukrainasen Kostiuk

By: Rovena
11 January 2026 at 12:46

Ndoshta asnjëra prej tyre nuk e donte këtë përballje.

Nuk është e lehtë këto ditë që një bjelloruse të ndeshet me një ukrainase, edhe pse nuk bëhet fjalë që të jetë njësoj sikur rivale të jetë një ruse.

Arina Sabalenka e Bjellorusisë fitoi ndaj rivales nga Ukraina, Marta Kostiuk, në finalen e Turneut Ndërkombëtar në Brisbejn të Australisë.

Ishte një lloj nxemjeje për Australian Openin, në fushë me çimento, dhe sfida u cilësua si derbi I urrejtjes.

Kjo, sepse Kostiuk nuk pranoi t’i jepte dorën kundërshtares, besohet për rolin që Bjellorusia luajti në nisjen e agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt 2022.

Gjithsesi, numri 1 I botës nuk e vuri në diskutim fitoren.

Kostiuk gjithsesi duhet të ndihet krenare sepse nderoi vendin e saj, duke mundur në çerekfinale rusen Andrejeva.

Sabalenka ia doli 2-0 me sete, me rezultatin e seteve, 6-4 e 6-3, pra edhe pse nuk ishte një shetitje, sërish suksesi mund të quhet bindës.

Arina e mbylli turneun në mënyrë perfekte duke mos humbur asnjë set, ndërsa shpreson që në Melburn të fitojë Grand Slemin e pestë në karrierë.

Dëmtim serioz për Gjimshitin/ Kapiteni i kombëtares u lëndua në duelin Atalanta-Torino

By: Rovena
11 January 2026 at 12:43

Formën e ka pasur mjaft të mirë.

Berat Gjimshiti po e ndihmonte ekipin e tij, Atalanta, që të ngrinte kokë në Serinë A, por pikërisht në momentin më të bukur erdhi një goditje e fortë.

Kapiteni I kombëtares shqiptare pësoi dëmtim në sfidën e kampionatit në shtëpi ndaj Torinos, që bergamaskët e fituan 2-0.

Ishte minuta e 42-të, kur mbrojtësi mbeti përtokë pas një përplasjeje me një futbollist rival, dhe më pas u largua nga fusha.

Problemet ishin aq të mëdha, saqë u nxorr me barrellë dhe menjëherë u dërgua në spital.

Për fat, vizita e parë tregoi se nuk ka thyerje apo krisje në kockat e legenit, por lëndimi është muskulor.

Mediat italiane shkruajnë se Gjimshiti ka probleme me muskujt e barkut, por duhet të ketë vizita më të specializuara në ditët në vazhdim për të përcaktuar shkallën e dëmtimit dhe kohën e riaftësimit.

Sipas mediave si “Il Korriere dela Sera” apo “Sportmediaset”, lëndimi duket serioz, ndonëse shpresohet që mungesa të mos jetë aq e gjatë sa të rrezikojë ndeshjet e kombëtares në fund të muajit mars në plej ofin e Kupës së Botës, fillimisht në 26 të atij muaji, në Varshavë ndaj Polonisë./abcnews.al

Borë nga veriu në jug/ Reshjet nuk ndikojnë në qarkullimin e rrugëve

By: Rovena
11 January 2026 at 12:24

Në verilindje u kthyen reshjet e borës duke krijuar një shtresë nga 15 deri në 30 cm në lartësi mbi 1 mijë metra.

Megjithëkëtë në rrugët kombëtare nuk ka probleme për qarkullimin e automjeteve.    Rruga e Kombit është e hapur në të gjithë gjatësinë e saj.

As në  rrugët e tjera që lidhin Kukësin me Pukën, Peshkopinë, Hasin e Shishtavecin nuk ka pengesa për qarkullimin e automjeteve.

Reshjet e borës përfshinë edhe Pukën e Fushë Arrëzin ku trashësia e saj arrijnë deri në 25 cm.  Emergjencat civile po punojnë për mbajtjen hapur të rrugëve në këtë zonë.

Në disa pjesë të segmentit nga Boga në Theth   trashësia e borës ka arritur në 120 cm. Pranë tunelit panoramik sipas emergjencave civile rrugë është e bllokuar.

Reshjet e borës prej mëngjesit të së dielës kanë përfshirë dhe juglindjen e vendit, por pa krijuar probleme për qarkullimin e automjeteve.

Të gjitha rrugët nga Korça në drejtim të pikave kufitare janë  lehtësisht të kalueshme.

Nëse do të udhëtoni në këto zona emergjencat civile iu bëjnë thirrje të pajisni automjetet me goma dimërore dhe zinxhirë.

 

 

I dënuar në Itali me 6 vite e gjysmë burg për lëndë narkotike/ Kapet me qëllim ekstradimin, 38-vjeçari

By: Rovena
11 January 2026 at 11:56

I dënuar nga autoritetet në Itali, me 6 vjet e gjysmë burgim, si bashkëpunëtor për trafikimin e lëndëve narkotike, kapet me qëllim ekstradimin, 38-vjeçari.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve operacionale, me partnerët italianë, realizuar nëpërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 77”.

Në kuadër të operacionit u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Alesjo Abdija, 38 vjeç.

Në vitin 2024, Gjykata e Perugias, Itali, e ka dënuar me 6 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

Forcat e fundit kurde largohen nga Aleppo pas arritjes së marrëveshjes së armëpushimit

By: Rovena
11 January 2026 at 11:45

Luftëtarët e fundit kurdë janë tërhequr nga qyteti sirian i Aleppos, pas njoftimit të një marrëveshjeje armëpushimi në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Mazloum Abdi, udhëheqësi i Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët, tha se një marrëveshje ishte arritur nëpërmjet ndërmjetësimit ndërkombëtar, duke siguruar evakuimin e sigurt të “martirëve, të plagosurve, civilëve të bllokuar dhe luftëtarëve” nga qyteti.

Autobusë që transportonin anëtarët e fundit të SDF të udhëhequra nga kurdët u panë duke u larguar nga lagjja me shumicë kurde Sheikh Maqsoud, sipas raporteve të mediave lokale, shkruan BBC.

Përleshjet e fundit në Aleppo filluan më herët këtë javë, pasi negociatat për integrimin e kurdëve në qeverinë e re të Sirisë arritën në një bllokim.

Të paktën 12 persona u vranë në shpërthimin e fundit të dhunës, i cili gjithashtu pa dhjetëra mijëra civilë të zhvendosur pasi u detyruan të largoheshin nga Sheikh Maqsoud dhe Ashrafieh.

Ushtria siriane bombardoi zonën të mërkurën pasdite pasi i caktoi lagjet “zona të mbyllura ushtarake”, në përgjigje të asaj që pretendonte se ishin sulme nga grupe të armatosura në zonë.

SDF-ja e udhëhequr nga kurdët – e cila këmbëngul se nuk ka prani ushtarake në Aleppo – e quajti atë një “përpjekje kriminale” për të zhvendosur me forcë banorët.

Një armëpushim u arrit më herët gjatë javës, por forcat kurde refuzuan të largoheshin nga fortesa e fundit e Sheikh Maksoud sipas marrëveshjes.

Në mars të vitit 2025, SDF-ja e udhëhequr nga kurdët, e cila kontrollon pjesën më të madhe të verilindjes së Sirisë dhe ka dhjetëra mijëra luftëtarë, nënshkroi një marrëveshje për të integruar të gjitha institucionet ushtarake dhe civile në shtetin sirian.

Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën se po përpiqeshin të prishnin negociatat që pasuan, me marrëveshjen që ende nuk u realizua pothuajse një vit më vonë.

Versioni më i ri i marrëveshjes së armëpushimit u ndërmjetësua nga SHBA-të dhe fuqitë e tjera botërore, pas shqetësimit se bllokimi në Aleppo rrezikonte përfshirjen e Turqisë.

Turqia mbështet qeverinë siriane dhe e konsideron milicinë kurde që dominon SDF-në një organizatë terroriste.

Në një postim të shtunën, ambasadori i SHBA-së në Turqi dhe i dërguari special në Siri, Tom Barrack, tha se ishte takuar me presidentin sirian dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të “ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërpresin menjëherë armiqësitë dhe të kthehen në dialog” në përputhje me marrëveshjen e marsit.

Ai shtoi se SHBA-të kanë mirëpritur “tranzicionin historik” të Sirisë dhe do t’i ofrojnë mbështetjen e tyre Presidentit Ahmed al-Sharaa ndërsa ai “punon për të stabilizuar vendin”

Izraeli në gatishmëri të lartë për mundësinë e një veprimi ushtarak amerikan kundër Iranit

By: Rovena
11 January 2026 at 11:24

Izraeli është në gatishmëri të lartë për mundësinë e çdo veprimi ushtarak amerikan kundër Iranit, ndërsa autoritetet atje përballen me protesta antiqeveritare.

Kjo është bërë e ditur nga tri burime izraelite me njohuri për çështjen, shkruan TrtWorld.

Siç kujton mediumi në fjalë, presidenti Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë ditët e fundit dhe i ka paralajmëruar sundimtarët e Iranit kundër përdorimit të forcës kundër demonstruesve.

Dhe të shtunën, Trump tha se SHBA-të janë “të gatshme për të ndihmuar”.

Megjithatë, burimet, të cilat ishin të pranishme për konsultimet izraelite për sigurinë gjatë fundjavës, nuk dhanë detaje se çfarë do të thoshte në praktikë gjendja e alarmit të lartë të Izraelit.

Izraeli dhe Irani zhvilluan një luftë 12-ditore në qershor, në të cilën SHBA-të iu bashkuan Izraelit në nisjen e sulmeve ajrore.

Në një telefonatë të shtunën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio diskutuan mundësinë e ndërhyrjes së SHBA-së në Iran, sipas një burimi izraelit që ishte i pranishëm në bisedë.

Një zyrtar amerikan konfirmoi një diskutim të tillë, por nuk tha se çfarë temash diskutuan.

Në një intervistë me The Economist të botuar të premten, Netanyahu tha se do të kishte pasoja të tmerrshme për Iranin nëse do të sulmonte Izraelin.

Reshjet e borës mbulojnë veriun e vendit/ Në Pukë e Fushë Arrëz trashësia arrin në 25 centimetra

By: Rovena
11 January 2026 at 10:55

Reshjet e dendura të dëborës kanë mbuluar zonat e Pukës dhe Fushë Arrëzit, duke arritur trashësi deri në 25 centimetra.

Bashkia e Pukës dhe Shërbimi i Emergjencave Civile po punojnë intensivisht për të mbajtur rrugët të hapura dhe për të kriposur akset kryesore. Drejtuesit e automjeteve këshillohen të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, nënvizon Demir Hyseni, Drejtor i Emergjencave Civile në Bashkinë Pukë.

Pasojat e përmbytjeve/ Katër grupe nga bashkia e Fierit nisin verifikimin e dëmeve në fshatin Ferras, 120 banesa të prekura

By: Rovena
11 January 2026 at 10:52

Prej ditësh Shqipëria është përballur me kushte atmosferike të paqëndrueshme çka kanë sjellë përmbytje masive nga veriu në jug. Ndërkohë nuk kanë munguar as reshjet e dëborës në zona malore.

Ndërkohë që përmbytjet kanë shkaktuar dëme të shumta në banesat e shumë familjeve dhe në qindra hektarë tokë bujqësore. Qeveria ka premtuar dëmshpërblim për të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet, gjë të cilën e ritheksoi edhe vetë kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” këtë mëngjes.

Ndërkohë siç bën raporton gazetarja e ABC News, katër grupe nga bashkia e Fierit kanë nisur verifikimin e dëmeve në fshatin Ferras, një nga fshatrat më të prekur nga përmbytjet, edhe për shkak të prurjeve të lumit Vjosa. Nga verifikimet e deritanishme rezultojnë 120 banesa të prekura.

VIDEO/ Bie niveli i lumit Shkumbin, si paraqitet situata në qarkun e Fierit

By: Rovena
11 January 2026 at 10:42

Situata në Thanasaj raportohet e qëndrueshme, pasi prurjet e lumit Shkumbin janë në rënie. Bashkia e Lushnjes, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile dhe ndërmarrjet e shërbimeve, po mbështet banorët e shtëpive të rrethuara nga uji, duke ndihmuar në largimin e baltës dhe mbetjeve të shkaktuara nga përmbytjet.

Bashkia apelon për kujdes dhe bashkëpunim të vazhdueshëm nga banorët për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar rreziqe të mundshme.

Ushtronin prostitucion/ Policia e Elbasanit “mësyn” në dy apartamente, arrestohen 3 kolumbianet

By: Rovena
11 January 2026 at 10:29

Policia e Elbasanit ka arrestuar 3 shtetase kolumbiane që ushtronin prostitucion në 2 apartamente në qytet, të cilat kontaktonin klientët nëpërmjet faqeve në internet. Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pronarja e apartamentit.

Gjatë kontrollit në ambientet e ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Rrëshqitje dherash dhe gërryerje në Mirditë/ Rrëzohen shtylla elektrike, pa energji elektrike 4 fshatra

By: Rovena
11 January 2026 at 10:13

Teritori i Qarkut Lezhë ka qenë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët,e dëborë në lartësi mbi 700 m. Aktualisht rreshjet janë ndërprerë.
Nga bashkia Kurbin raportohet:
Ne terren,gjendja paraqitet më e përmirësuar në të gjitha zonat që gjatë ketyre ditëve ka pasur problematika, po kështu dhe në njësinë Fush Kuqe, në fshatrat Adriatik, ka vijuar evadimi i ujrave dhe ka ulje të nivelit të tij. Gjatë ditës së djeshme pasur probleme në fshatin Patog, kryesisht nëpër lokalet dhe bizneset per arsye te baticave detare.
Sot do vijojë verfikimi i dëmëve në gjithë territorin nga grupet e punës, dhe kryesisht të përqëndruara në fshatin Adriatik ku dhe na jepet mundesia për të konstatuar më qartë dëmet pas tërheqjes së ujrave.
Do vijojne punimet per sistemimin dhe pastrimin e rrugicave te lagjes dhe largimin e inerteve apo aluvioneve të sjella nga prurjet.
Po ashtu do vijoje pastrimi dhe forcimi i KUL-se gjatë gjithë gjatësisë së tij në Njësinë Mamurras.
Mjetet e punes do vijojne të jenë ato që kemi pasur disponibel gjatë gjithë këtyre ditëve, me perjashtim të Eskavatorit te FA-se, i cili pas përfundimit të punës në segmentin Skuraj-Vinjolle, është tërhequr ditën e djeshme.
Vijon të mbetet problematike fenomeni i rreshqitjes së tokës, në të gjtha zonat kodrinore e malore.
Nga bashkia Lezhë raportohet:
Situata paraqitet e qetë ne Bashkine Lezhë . Gjatë ditës së sotme do te vijoji monitorimi i gjithe teritorit të bashkisë per problematikat qe mund te shfaqen.
Grupet e punës do të vazhdojnë punën për evidentimin dhe vlersimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, pastrimin e inerteve, mbeturinave etj..
Në bashkinë Mirditë raportohet:
Si pasoje e vazhdimit te gërryerjes së tokës bujqësore në Zall – Donaj nga Lumi Fan i Vogël, rreth ores 00:00 jane rrëzuar përsëri shtyllat elektrike të TM, të spostuara një ditë më parë nga OSHEE, pasi gërryerjë ka avancuar duke kaluar vendin e spostimit, duke lënë pa energji fshatin Ndërfanë, Gëziq, Kalanjan, Cekaj. Avancimi i gërryerjes po shkon drejt rrugës së fshatit dhe banesave.
Pë sa më sipar këkohet mbështetjë në mënyrë urgjente nga Ministria e Bujqësisë nëpërmjet mjeteve të DRUK Lezhë, sipas kërksës së drejtuar, që me datën 09.01.2026, ku AKMC është vënë në dijeni.
Problematikë tjetër alarmante është tubacioni i zbuluar i linjës së ujësjellësit të qytetit të Rrëshenit dhe jo vetëm, nga gërryerjet e përroit në fshatin Jezull, nga e cila rrezikohet këputja e tij, si dhe me avancimin e mëtejshëm rrezikohet dhe shembja e aksit rrugor që lidh një sërë fshatrash.
Nga verifikimet e fundit të kryetra nga strukturat e EC të bashkisë , si pasojë e reshjeve të shiut të ditëve të fundit, në disa fshatra janë konstatuar rrëshqitje toke, të cilat paraqesin rrezik për banesa dhe prona private.
Nga DRUK raportohet
Dhe sot me 5 mjete kamion privat te tonazhit te larte 20 m3 , 2 mjete eskavator te DRUK; 20 punonje dhe 3 fouristrada pune te DRUK, me prezencën e mbështetjen e Policisë bashkiake, do të vazhdojë puna për përforcimin e argjinaturës së lumit Drin në fshatin Ishull Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë.
Furnizimi me ujë të pishëm ka vazhduar rregullisht, kurse me energji sipas problematikave të raportuara më lart.
Niveli i lumit Drin vazhdon të ketë ulje, duke shkuar në parametrat normal për periudhën, po kështu dhe lumi Mat, pas reduktimit të shkarkimeve nga H/C Shkopet e Qafë Mollë.
Probleme me akset rrugore deri tani nuk raportohen.
Mbetemi në kontakt.

❌
❌