Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Main stream

FOKUS – Marrëveshje historike tregtare BE-Indi, pas 20 vitesh negociata

26 January 2026 at 22:56

NJU DELHI, 26 janar /ATSH-AFP/ – India dhe Bashkimi Evropian kanë finalizuar një marrëveshje të madhe të tregtisë së lirë, thanë sot zyrtarë të qeverisë indiane, rreth dy dekada pasi negociatat nisën për herë të parë.

Përballë sfidave nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara, Brukseli dhe Nju Delhi kanë kërkuar lidhje më të ngushta duke prodhuar një pakt që do të prezantohet nesër në kryeqytetin indian.

Sot, në paradën e Ditës së Republikës së Indisë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa u pritën si mysafirë nderi dhe do të zhvillojnë një samit me kryeministrin indian, Narendra Modi.

“Nivelit zyrtar të negociatave po i afrohet fundi dhe të dyja palët janë gati të shpallin përmbylljen e suksesshme të bisedimeve gjatë samitit të nesërm”, tha sekretari indian i tregtisë, Rajesh Agrawal.

BE-ja ka parë Indinë, vendin më të populluar në botë, si një treg të rëndësishëm për të ardhmen, ndërsa Nju Delhi e sheh bllokun evropian si një burim të rëndësishëm teknologjie dhe investimesh të domosdoshme për të zhvilluar infrastrukturën dhe krijuar miliona vende pune.

Sipas të dhënave të BE-së tregtia bilaterale e mallrave arriti në 120 miliardë euro (139 miliardë dollarë) në 2024, një rritje prej pothuajse 90 për qind gjatë dekadës së fundit, me 60 miliardë euro (69 miliardë dollarë) të tjera në tregtinë e shërbimeve.

Sipas marrëveshjes, pritet që India të lehtësojë qasjen në treg për produktet kyçe evropiane, përfshirë automobilat dhe verën, në këmbim të lehtësimit të eksporteve të tekstileve dhe farmacisë, ndër të tjera./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Marrëveshje historike tregtare BE-Indi, pas 20 vitesh negociata appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MILANO 2026 – Flaka Olimpike mbërrin në Cortina d’Ampezzo para Lojërave Dimërore

26 January 2026 at 22:39

ANTHOLZ (Itali), 26 janar /ATSH-DPA/ – Një javë e gjysmë para fillimit të Lojërave Dimërore në Itali, flaka olimpike ka mbërritur në Cortina d’Ampezzo, një nga dy vendet zyrtare pritëse.

Flaka arriti në Cortina, një komunitet me 6 000 banorë në Alpet Italiane, saktësisht 70 vjet pas fillimit të Lojërave Dimërore të mëparshme atje në vitin 1956.

Këtë vit, radha i takon përsëri qytetit, së bashku me Milanon.

Flaka pritet të arrijë në Milano më 5 shkurt, një ditë para fillimit zyrtar të Lojërave Dimërore të këtij viti.

Flaka olimpike u nis që në nëntor nga vendi antik i Olimpisë në gadishullin Peloponez në Greqi. Ajo udhëtoi fillimisht përmes Greqisë dhe që nga dhjetori ka qenë në turne nëpër Itali.

Rreth 820 sportistë morën pjesë në Lojërat Dimërore të vitit 1956, të parat që u mbajtën në Itali.

Këtë herë do të jenë më shumë se 3 500 sportistë.

Lojërat do të zgjasin deri më 22 shkurt. Garat nuk do të zhvillohen vetëm në Milano dhe Cortina, por do të shpërndahen në disa vende në veri të vendit.

Ceremonia e mbylljes do të mbahet në Verona. /Ad.Ab./

The post MILANO 2026 – Flaka Olimpike mbërrin në Cortina d’Ampezzo para Lojërave Dimërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kamionistë nga Ballkani bllokojnë kufijtë e BE-së për shkak të rregullave të qëndrimit

26 January 2026 at 22:22

BEOGRAD, 26 janar /ATSH-DPA/ – Shoferët e kamionëve nga Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po protestojnë kundër rregullave të rrepta të qëndrimit në BE duke bllokuar kalimet kufitare.

”Që nga mesdita e sotme, shoferët kanë ndaluar trafikun e mallrave në kufijtë e vendeve të tyre me fqinjët e BE-së, Hungarinë, Kroacinë dhe Bullgarinë”, raporton media serbe.

Veprimi drejtohet kundër zbatimit gjithnjë e më të rreptë të një rregulloreje të BE-së për qëndrimin, sipas së cilës shtetasit joBE nga vendet evropiane lejohen të qëndrojnë në BE vetëm 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.

Shoferët e kamionëve që udhëtojnë pothuajse çdo ditë midis vendit të tyre dhe shteteve të BE-së thonë se kjo rregullore është praktikisht e pamundur për t’u respektuar.

Rregulli ekziston prej kohësh, por më parë nuk zbatohej për shoferët e kamionëve dhe punonjësit që kalojnë kufirin çdo ditë.

Situata ndryshoi kur autoritetet kufitare të BE-së filluan të përdorin kompjuterë për të regjistruar hyrjet e shtetasve joBE në kufijtë e jashtëm, duke regjistruar saktësisht kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre.

Shoqatat e transportit nga Ballkani ankohen se muajt e fundit qindra shoferë kamionësh janë ndaluar nga policia në vendet e BE-së për tejkalim të kohës së qëndrimit të lejuar dhe janë deportuar si migrantë të parregullt.

“Nëntëdhjetë ditë brenda gjashtë muajsh thjesht nuk mjafton”, tha Nedjo Mandiç nga Shoqata Serbe e Transportit për televizionin serb “N1”.

“Shoferët tanë nuk mund të fitojnë mjaftueshëm para në këtë periudhë, nuk mund të mbulojmë kostot tona dhe jemi të detyruar të ndalojmë operacionet”, shtoi ai.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel tha se BE-ja është e vetëdijshme për shqetësimet e shprehura nga kompanitë e transportit në rajonin e Ballkanit.

“Jemi të vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga operatorët e transportit në Ballkanin Perëndimor. Po ndjekim situatën nga afër dhe jemi në kontakt me partnerët tanë në rajon”, tha ai./   /Ad/.Ab./ a.jor

 

The post FOKUS – Kamionistë nga Ballkani bllokojnë kufijtë e BE-së për shkak të rregullave të qëndrimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 26 January 2026Main stream

KIEV – Zelensky: Takim i ri tripalësh me SHBA dhe Rusinë

26 January 2026 at 21:40

KIEV, 26 janar /ATSH/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi se po përgatiten negociatat e radhës midis delegacioneve të Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë, të planifikuara për të dielën, 1 shkurt, sipas ”The Independent”.

Në një fjalim sot në mbrëmje, Zelensky tha se delegacioni ukrainas i raportoi detajet pas takimeve treplashe  në Emiratet e Bashkuara Arabe më 23-24 janar.

Diskutimet përqendroheshin kryesisht te çështjet ushtarake, kontrolli dhe monitorimi për të lehtësuar përfundimin e luftës.

“Ukraina gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet në anën e paqes”, tha Zelensky duke theksuar se Rusia është arsyeja kryesore e vazhdimit të konfliktit.

Ai bëri thirrje për rezultate konkrete diplomatike dhe paralajmëroi partnerët ndërkombëtarë të mos e lejojnë Rusinë të përdorë negociatat për të shmangur presionin e nevojshëm.

Një nga çështjet më të ndjeshme mbetet territori, ku Ukraina insiston që çdo bisedë të nisë nga linja aktuale e kontaktit, ndërsa Rusia kërkon tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesa e papushtuar e rajonit të Donetskut./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post KIEV – Zelensky: Takim i ri tripalësh me SHBA dhe Rusinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LINDJE E MESME – Aeroplanmbajtësja amerikane “Abraham Lincoln” mbërrin në rajon

26 January 2026 at 19:37

UASHINGTON, 26 janar /ATSH-AFP/ – Aeroplanmbajtësja amerikan “Abraham Lincoln” dhe eskorta e saj kanë mbërritur në Lindjen e Mesme, njoftoi sot ushtria amerikane, duke forcuar kështu praninë e saj në rajon në një periudhë tensionesh të forta me Iranin.

Donald Trump kishte siguruar javën e kaluar se një armatë amerikane po nisej drejt Gjirit dhe se Uashingtoni po monitoronte me kujdes Iranin, ku pushteti kishte shtypur me gjak protesta masive.

Presidenti amerikan disa herë ka kërcënuar se mund të godasë Iranin për t’iu përgjigjur këtij shtypjeje, por dukej se ishte tërhequr nga ky kërcënim, pasi kishte siguruar se Teherani kishte pezulluar ekzekutimet e planifikuara të protestuesve.

”Anija, që deri më tani ndodhej në Detin e Kinës Jugore, është aktualisht e vendosur në Lindjen e Mesme për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, deklaroi në X komanda ushtarake amerikane për Lindjen e Mesme (Centcom).

Që përpara njoftimit të Centcom-it, regjimi iranian kishte paralajmëruar sot për çdo ndërhyrje amerikane.

“Mbërritja e një anijeje të tillë lufte nuk do të ndikojë në vendosmërinë e Iranit (…) për të mbrojtur kombin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghai duke iu referuar dukshëm anijes.

“Republika Islamike e Iranit ka besim në kapacitetet e saj”, shtoi ai.

Irani dhe Izraeli zhvilluan në qershor 2025 një luftë 12-ditore, e shkaktuar nga një sulm pa precedent i Izraelit kundër objekteve ushtarake dhe bërthamore në territorin iranian dhe zona të banuara.

Shtetet e Bashkuara iu bashkuan ofensivës së aleatit të tyre izraelit duke goditur tre site bërthamore.

Të dobësuar tashmë nga kjo luftë, Irani ka shtypur me dhunë protestat e fundit, me bilancin që tani arrin afërsisht 6 000 të vdekur sipas një organizate për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e cila po heton mijëra vdekje të tjera të mundshme./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post LINDJE E MESME – Aeroplanmbajtësja amerikane “Abraham Lincoln” mbërrin në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – IOM: Qindra emigrantë u zhdukën në Mesdhe gjatë janarit

26 January 2026 at 18:57

GJENEVË, 26 janar /ATSH-AFP/ – Qindra emigrantë besohet se kanë humbur jetën ose janë zhdukur në Mesdhe gjatë janarit, njoftoi sot  Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM ) e Kombeve të Bashkuara.

”IOM-i është thellësisht i shqetësuar nga raportet për disa anije mbytura. Kushtet e këqija të motit kanë penguar fort operacionet e kërkim-shpëtimit”, thuhet në një komunikatë të organizatës, e cila po verifikon informacionet.

“Vetëm gjatë javëve të para të 2026-ës, kemi frikë se qindra persona mund të jenë zhdukur”, shtoi organizata.

Gjatë 10 ditëve të fundit janë raportuar tre anije të mbytura, dy më 23 janar dhe një më 25 janar, të cilat besohet se shkaktuan 104 viktima”, tha Jorge Galindo, zëdhënës i IOM-it.

Sipas IOM-it, anijet ishin nisur nga Libia dhe Tunizia.

”IOM gjithashtu po heton zhdukjet e anijeve që dolën nga Tunizia, me rreth 380 persona”, shtoi ai.

”Këta persona ndodheshin në nëntë anije të ndryshme, të cilat besohet se u mbytën midis 14 dhe 21 janarit”, tha Merna Abdelazim, analiste e të dhënave në projektin “Missing Migrants” të IOM.

Agjencia e OKB-së ka mundur të konfirmojë vetëm tre vdekje lidhur me incidentin e 23 janarit.

“Në Lampedusa, Itali, tre persona kanë vdekur gjatë një operacioni kërkim-shpëtimi që përfshinte një anije nisur nga Tunizia”, njofton IOM-i./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJENEVË – IOM: Qindra emigrantë u zhdukën në Mesdhe gjatë janarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KANADA – Carney: Kërcënimet e Trumpit thjesht taktika negociuese

26 January 2026 at 17:40

OTAVA, 26 janar /ATSH-AFP/ – Kryeministri kanadez, Mark Carney minimizoi sot  kërcënimet e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore 100% duke theksuar se ato ishin kryesisht pjesë e një strategjie për negociata tregtare.

”Shpejt do të hyjmë në negociata ose në rishikim të marrëveshjes sonë me Shtetet e Bashkuara dhe Meksikën (ACEUM)”, kujtoi Mark Carney.

”Presidenti është një negociator me përvojë (…) Mendoj se disa nga këto komente dhe qëndrime duhet të kuptohen në këtë kontekst më të gjerë”, theksoi ai.

Presidenti amerikan kërcënoi të shtunën se do të vendoste tarifa doganore 100% mbi importet kanadeze në SHBA në rast të një marrëveshjeje tregtare midis Kanadasë dhe Kinës, pas njoftimit të Mark Carney për një marrëveshje paraprake në Pekin në mes të janarit./  /Ad.Ab./

The post KANADA – Carney: Kërcënimet e Trumpit thjesht taktika negociuese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Izraeli merr edhe trupin e fundit të pengut

26 January 2026 at 17:01

GAZA/TEL AVIV, 26 janar /ATSH-DPA/ – Izraeli ka identifikuar dhe marrë nga Rripi i Gazës edhe eshtrat e pengut të fundit, njoftoi sot ushtria izraelite.

Ky zhvillim përmbush një kusht kyç për kalimin në fazën e dytë të planit të paqes për Gazën, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe i nënshkruar në tetor.

”Përfaqësues të ushtrisë kanë njoftuar familjen e pengut të ndjerë, rreshterit të klasit të parë Ran Gvili, se i afërmi i tyre është identifikuar dhe do të kthehet për t’u varrosur”, thuhet në një postim të ushtrisë në Telegram.

Sipas njoftimit, Gvili ”ra në luftime në mëngjesin e 7 tetorit 2023 dhe trupi i tij u rrëmbye dhe u dërgua në Rripin e Gazës”.

”Me këtë, të gjithë pengjet janë kthyer nga Rripi i Gazës në shtetin e Izraelit”, thuhet më tej në deklaratën e ushtrisë.

Më herët këtë muaj, i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff deklaroi se plani i paqes po hynte në fazën e dytë.

Objektivat kryesore të fazës së dytë janë çarmatimi i grupit ekstremist palestinez Hamas, krijimi i një qeverie teknokrate dhe nisja e rindërtimit të Gazës, pasi territori bregdetar palestinez pësoi shkatërrime të mëdha gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post GAZA – Izraeli merr edhe trupin e fundit të pengut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

FOKUS – Rrjetet sociale mes orëve të mësimit, alarm për përdorimin e telefonit në shkollë

25 January 2026 at 21:02

SAN FRANÇISKO, 25 janar /ATSH /- Fëmijët dhe adoleshentët po kalojnë një pjesë të konsiderueshme të ditës së shkollë me telefonat e tyre, shumë më tepër sesa mendojnë prindërit. Një studim i publikuar nga revista “JAMA” tregon se të rinjtë amerikanë të moshës 13–18 vjeç shpenzojnë mesatarisht rreth 70 minuta të ditës shkollore në telefon, kohë që përkon drejtpërdrejt me orët e mësimi, sipas CNN.

Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Jason Nagata nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko, kjo kohë merret nga momentet kur nxënësit duhet të jenë të përqendruar në klasë. Ai thekson se përdorimi i telefonit gjatë mësimit ndikon negativisht në përqendrim dhe në cilësinë e të nxënit.e

Ky studim dallon nga kërkimet e mëparshme sepse nuk u mbështet në vetë-raportimin e adoleshentëve, por në një aplikacion që regjistroi realisht përdorimin e telefonit. Të dhënat treguan se pjesa më e madhe e kohës gjatë shkollës shpenzohej në rrjete sociale si TikTok, Instagram dhe Snapchat, si dhe në aplikacione lojërash dhe video si YouTube.

Edhe pse disa nxënës thonë se telefonat u nevojiten për detyra shkollore, aplikacionet më të përdorura kishin shumë pak lidhje me mësimin. Kjo sugjeron se telefoni po shërben më tepër si burim shpërqendrimi sesa si mjet edukativ gjatë orarit shkollor.

Studiuesit vërejnë gjithashtu se, pavarësisht rregullave kufizuese në shumicën e shkollave, shumë adoleshentë po gjejnë mënyra për t’i anashkaluar ato. Studimi përfshiu vetëm përdorues të Android-it dhe u zhvillua në periudhën 2022–2024, çka do të thotë se nevojiten analiza të tjera për të vlerësuar ndikimin e politikave më të reja shkollore.

Ekspertët këshillojnë që prindërit të mos i fajësojnë fëmijët, pasi telefonat janë të dizajnuar për të krijuar varësi. Në vend të ndëshkimit, rekomandohet dialogu, përfshirja e fëmijëve në vendosjen e rregullave dhe kufizimi i njoftimeve ose lënia e telefonit në shtëpi gjatë shkollës.

Po aq e rëndësishme është edhe sjellja e vetë prindërve. Studimet tregojnë se mënyra se si prindërit përdorin telefonin ndikon drejtpërdrejt në zakonet digjitale të fëmijëve, duke e bërë shembullin personal një nga mjetet më efektive për të nxitur përdorim më të shëndetshëm të teknologjisë. /Ad.Ab./

 

 

The post FOKUS – Rrjetet sociale mes orëve të mësimit, alarm për përdorimin e telefonit në shkollë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEKNOLOGJI – Bateri më e lirë dhe më e sigurt që mund të zëvendësojë litiumin

25 January 2026 at 20:31

PEKIN, 25 janar /ATSH/ – Inxhinierët kinezë kanë krijuar një lloj të ri baterie me natrium dhe squfur, të cilën thonë se mund të jetë një alternativë më e sigurt dhe më e lirë ndaj qelizave të litiumit,sipas “The Independent”.

Një numër gjithnjë e në rritje i pajisjeve elektronike përdorin litium si material kryesor të baterisë. Por bateritë e litiumit janë të prirura ndaj ngrohjes së tepërt dhe problemeve me burimet e materialeve, duke sjellë rreziqe sigurie dhe kosto më të larta.

Shkencëtarët në mbarë botën janë në kërkim të materialeve të baterive me cilësi më të dëshirueshme.

Përpjekjet e mëparshme për të dizajnuar bateri natrium-squfur hasën në probleme të mundshmërisë, përfshirë nevojën për një sasi të madhe metali natrium, gjë që kufizonte përdorimin e gjerë.

Këto dizajne të mëparshme gjithashtu hasën vështirësi në krijimin e reaksionit kimik kryesor të nevojshëm për prodhimin e energjisë në temperaturën e dhomës. “Përdorimi i një sasie të konsiderueshme metali natrium në anodë, zakonisht dhjetëra herë më i madh se ai i baterive konvencionale me litium ose natrium, dëmton sigurinë dhe kostoefektivitetin, duke sakrifikuar gjithashtu densitetin e energjisë dhe fuqisë së disponueshme,” shpjeguan studiuesit në një studim të publikuar në revistën Nature.

Shkencëtarët ndryshuan reaksionin kimik për të krijuar një bateri me anodë të lirë me tension të lartë që funksionon mirë në temperaturën e dhomës.

Ata thonë se dizajni i ri ofron një tension shkarkimi prej 3.6 volt, krahasuar me vetëm rreth 1.6 V në versionet e mëparshme.

Bateria tregon “performancë elektro-kimike dhe praktikshmëri të shkëlqyer” dhe ka një kosto “shumë më të ulët se alternativat aktuale”. Studiuesit thonë se kostoja e saj mund të jetë deri në dy rendë më e ulët se bateritë aktuale të natriumit.

Megjithatë, ata argumentojnë se dizajni ka potencialin të adresojë problemet e zinxhirit të furnizimit dhe sigurisë që prekin teknologjinë e baterive aktualisht.

“Bateria jonë natrium-squfur pa anodë tregon potencial për ruajtjen e energjisë në rrjet dhe elektronikë të veshshme”, thanë studiuesit. /Ad.Ab./

The post TEKNOLOGJI – Bateri më e lirë dhe më e sigurt që mund të zëvendësojë litiumin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS- Zelensky: Dokumenti i garancive të sigurisë nga SHBA për Ukrainën është gati

25 January 2026 at 19:47

KIEV, 25 janar /ATSH/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi sot se dokumenti i garancive të sigurisë nga SHBA për Ukrainën është “100% gati” pas dy ditësh bisedimesh mes përfaqësuesve të Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë, sipas AP.

Zelensky tha se tani po presin që partnerët të caktojnë një datë nënshkrimi, pas së cilës dokumenti do të dërgohet për ratifikim në Kongresin Amerikan dhe Parlamentin rus.

Ai theksoi gjithashtu synimin e Ukrainës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian deri ne vitin 2027, duke e quajtur këtë një “garanci për sigurinë ekonomike”.

Bisedimet në Abu Dabi u zhvilluan në një format trepalësh që përfshinte diplomatët dhe përfaqësuesit ushtarakë të të treja palëve, dhe u përqendruan në çështje ushtarake dhe ekonomike.

Megjithatë, Zelensky njohu dallimet thelbësore me Rusinë, sidomos mbi integritetin territorial të Ukrainës, duke theksuar se territori ukrainas duhet të respektohet.

Palët do të kthehen në Emiratet e Bashkuara Arabe më 1 shkurt  për raundin tjetër të bisedimeve.

Një marrëveshje për qeverisjen e centralit bërthamor të Zaporizhias, të zënë nga Rusia dhe më i madhi në Evropë, ende nuk është arritur.

Në thelb, dokumenti i sigurisë është gati, por ende mbeten hapa për nënshkrim dhe ratifikim, si dhe për t’u gjetur kompromiset mes palëve. /Ad.Ab./

The post FOKUS- Zelensky: Dokumenti i garancive të sigurisë nga SHBA për Ukrainën është gati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Mbi 700 mijë familje pa energji elektrike në SHBA mes një stuhie të ashpër dimri

25 January 2026 at 18:48

UASHINGTON, 25 janar /ATSH-DPA/ – Një stuhi e ashpër  në Shtetet e Bashkuara  ka lënë tashmë qindra mijëra njerëz pa energji elektrike, përpara se të pritej të godiste Nju Jorkun, Filadelfian dhe Uashingtonin sot me vonë.

Misisipi, Luiziana dhe Teksasi janë ndër shtetet më të prekura, me rreth 730 mijë familje të goditura nga ndërprerjet e energjisë në mbarë vendin, sipas faqes “PowerOutage.us”.

Sipas autoriteve, rreth 190 milionë njerëz, më shumë se gjysma e popullsisë së SHBA-së, po përballen me ndërprerje dhe vështirësi për shkak të një prej stuhive më të rënda të dimrit të viteve të fundit.

Shërbimi Kombëtar i Motit bëri të ditur se stuhia pritej të shtrihej në një distancë prej rreth 3 mijë kilometrash, nga Nju Meksiko në jugperëndim deri në Maine në verilindje, gjatë fundjavës.

Parashikohej që ajo të godiste sot Nju Jorkun, ndërsa shumë shtete kanë shpallur gjendjen e emergjencës.

Kushtet e pafavorshme kanë shkaktuar gjithashtu kaos për udhëtarët, me mijëra fluturime të anuluara.
Autoritetet lokale thonë se reshjet e dendura të borës po shkaktojnë ndërprerje të trafikut dhe mbyllje rrugësh, që mund të zgjasin disa ditë.

Shtresat e akullit kanë krijuar kushte udhëtimi “jashtëzakonisht të rrezikshme” në disa zona.
Me valën e vazhdueshme të të ftohtit që kërcënon të paralizojë pjesë të vendit në ditët në vijim, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi dhe të shmangin përdorimin e makinave.

Banorëve të Uashingtonit u është kërkuar të kenë gati elektrikë dore dhe të mbajnë të karikuar telefonat celularë.

Sipas “NBC News”, në të pesë bashkitë e Nju Jorkut do të hapeshin qendra ngrohjeje për banorët.

CNN raportoi se në Crested Butte, Kolorado, janë regjistruar 58 centimetra borë, ndërsa deri në 20 centimetra janë shënuar në disa pjesë të Oklahomës dhe rreth 30 centimetra në Nju Meksiko. /Ad.Ab./

The post FOKUS – Mbi 700 mijë familje pa energji elektrike në SHBA mes një stuhie të ashpër dimri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Sulmet ruse lënë mijëra pa ngrohje, ndërsa Kievi përballet me të ftohtin ekstrem

25 January 2026 at 17:57

KIEV, 25 janar /ATSH– DPA/ – Forcat ruse goditën Ukrainën gjatë natës me 102 dronë dhe dy raketa balistike Iskander, njoftoi sot Forca Ajrore e Ukrainës, pavarësisht bisedimeve të fundjavës të zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe mes dy palëve dhe Shteteve të Bashkuara.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se 1 676 blloqe banimi në kryeqytet vazhdojnë të jenë pa ngrohje si pasojë e sulmeve ruse, edhe pse pjesa më e madhe e rreth 6 000 blloqeve që u ndërprenë nga rrjeti i ngrohjes tashmë e kane siguruar furnizimin me energji.

Temperaturat gjatë natës në Kiev ranë nën minus 10 gradë Celsius.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes në Moskë njoftoi se infrastruktura energjetike ishte dëmtuar nga raketa ukrainase gjatë natës.
Rajoni i Belgorodit është përballur me probleme të furnizimit me energji elektrike prej disa javësh.

Ukraina po i reziston një pushtimi të plotë rus që nga shkurti i vitit 2022.

Ukraina dhe Rusia zhvilluan të shtunën një ditë të dytë bisedimesh në Abu Dabi, takimi i parë zyrtar mes palëve ndërluftuese pas disa muajsh.

/Ad.Ab./

The post UKRAINË – Sulmet ruse lënë mijëra pa ngrohje, ndërsa Kievi përballet me të ftohtin ekstrem appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – “Greatest Hits” e “The Eagles”, albumi i parë në historinë e SHBA-së që shet mbi 40 milionë kopje

25 January 2026 at 17:00

NJU JORK, 25 janar /ATSH-DPA/ – Albumi”Greatest Hits” i viteve 1971–1975 i grupit ” The Eagles” u publikua për herë të parë pothuajse saktësisht 50 vite më parë, shkurt 1976.

“Në një epokë dhe kulturë ku gjithçka duket se bëhet gjithnjë e më e përkohshme, është kënaqësi të kesh qenë pjesë e diçkaje që ka qëndrueshmëri edhe pas pesëdhjetë vitesh,” tha në një deklaratë anëtari themelues, bateristi dhe këngëtari Don Henley.

“Jemi të mahnitur dhe mirënjohës”, shtoi ai “.

“The Eagles” nisi dje 12 shfaqjet e fundit në Las Vegas.

“The Eagles u formuan në Los Angeles në fillim të viteve 1970 dhe mjeshtëruan përzierjen e rock ’n’ roll-it me muzikën country. Hitet e tyre, përfshirë, “Hotel California” dhe “Take It Easy” u bënë pjesë e kolonës zanore të asaj dekade.

Grupi u shpërnda në vitin 1980 dhe u ribashkua 14 vite më vonë, me Henley dhe Glenn Frey si dy anëtarët e vetëm origjinalë; Frey ndërroi jetë në vitin 2016.
Grupi u pranua në “Rock & Roll Hall of Fame” në vitin 1998 dhe u nderua nga “Kennedy Center” në vitin 2016. /Ad.Ab./

 

The post MUZIKË – “Greatest Hits” e “The Eagles”, albumi i parë në historinë e SHBA-së që shet mbi 40 milionë kopje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Hyjnë në fuqi masat për kufizimet e lëvizjes së diplomatëve rusë në BE

25 January 2026 at 15:49

BRUKSEL, 25 janar /ATSH-DPA/ – Masat që kufizojnë lirinë e lëvizjes për diplomatët rusë në Bashkimin Evropian hynë sot në fuqi për t’u mbrojtur nga spiunazhi dhe dezinformimi.

Kur udhëtojnë nëpër zonën Schengen përtej vendit të tyre pritës, diplomatët dhe zyrtarët konsullorë rusë si dhe stafi dhe anëtarët e familjes së tyre, tani do të duhet të njoftojnë vendin e tyre të destinacionit dhe çdo vend tranziti të paktën 24 orë para udhëtimit.

Shtetet anëtare gjithashtu mund të futin një kërkesë autorizimi për hyrje ose tranzit në mënyrë që të jenë në gjendje të ndalojnë udhëtimin në raste dyshimi.

Udhëtimi brenda vendit pritës nuk ka nevojë të regjistrohet.
Masa u miratua zyrtarisht në tetor si pjesë e një pakete sanksionesh kundër Rusisë dhe u botua në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

BE tha se masat po zbatohen me arsyetimin se disa nga individët në fjalë po marrin pjesë në operacione sekrete për Moskën, përfshirë spiunazhin dhe përhapjen e dezinformatave rreth luftës për të shtrembëruar opinionin publik.

Sipas zyrtarëve të BE-së, shkeljet e kërkesave mund të ndëshkohen me tërheqjen e akreditimit diplomatik.

Deri tani, diplomatëve rusë në përgjithësi u është lejuar të udhëtojnë lirisht nëpër BE.
Vendet lindore të BE-së e kanë kritikuar këtë privilegj për vite me radhë, por shtetet e tjera anëtare kanë pasur frikë se kufizimet e udhëtimit mund të shkaktojnë kundërmasa për diplomatët evropianë në Rusi./ /Ad.Ab./

The post BRUKSEL – Hyjnë në fuqi masat për kufizimet e lëvizjes së diplomatëve rusë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS -Jo zemra, jo truri; dhëmbët zbulojnë sekretin e jetëgjatësisë

25 January 2026 at 15:36

TOKIO, 25 janar /ATSH/ – Shëndeti i dhëmbëve mund të jetë më shumë se një buzëqeshje e bukur, ai duket se ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësi. Studime të fundit japoneze tregojnë se mungesa e dhëmbëve, kariesi i patrajtuar dhe dobësia orale, lidhen me rrezik më të lartë vdekjeje, sidomos tek të moshuarit, sipas “The Sun”.

Dobësia orale përkufizohet nga të paktën tre nga këto simptoma, më pak se 20 dhëmbë, vështirësi në përtypje ose gëlltitje, gojë e thatë, ose probleme në të folur.

Një studim gjashtëvjeçar me rreth 11 mijë persona mbi 65 vjeç tregoi se ata me dobësi orale kishin jetëgjatësi më të shkurtër të shëndetshme dhe 34 % rrezik më të lartë vdekjeje krahasuar me të tjerët.

Edhe faza e ndërmjetme, kur shfaqet vetëm një ose dy simptoma, lidhet me përkeqësim të shëndetit dhe rritje të rrezikut. Studiuesit japonezë paralajmërojnë se kjo nuk ka lidhje vetëm me faktorë ekonomikë ose sëmundje ekzistuese, dobësia orale vetë është tregues i rrezikut.

Vizitat te dentisti kanë efekt të dukshëm në jetëgjatësi. Personat që kishin bërë një vizitë dentare brenda gjashtë muajve jetonin rreth një vit më shumë në shëndet të mirë, edhe nëse tashmë kishin shenja të dobësisë orale. Ata që nuk vizitonin dentistin kishin 25% rrezik më të lartë vdekjeje.

Një studim tjetër me 200 mijë persona mbi 75 vjeç zbuloi se dhëmbët e mbushur (të trajtuar) lidhen me mbijetesë më të gjatë. Personat me 21 ose më shumë dhëmbë të shëndetshëm ose të mbushur kishin rrezikun më të ulët të vdekjes, ndërsa burrat pa dhëmbë kishin 74% rrezik më të lartë, dhe gratë 69% më të lartë.

Ky efekt lidhet me aksesin në kujdes dentar: dhëmbët e trajtuar tregojnë se individi ka marrë kujdes të rregullt, duke parandaluar inflamacionin kronik dhe problemet ushqimore që ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm. /Ad.Ab./

The post FOKUS -Jo zemra, jo truri; dhëmbët zbulojnë sekretin e jetëgjatësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VILNIUS – Zelensky kërkon më shumë municione kundërajrore përballë sulmeve ruse

25 January 2026 at 14:39

VILNIUS, 25 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u bëri thirrje sot aleatëve të tij për më shumë aftësi mbrojtëse ajrore në përgjigje të sulmeve ruse që kanë lënë qindra mijëra banorë të Kievit pa energji elektrike dhe ngrohje në mes të dimrit.
“Vetëm këtë javë, rusët kanë lëshuar më shumë se 1 700 dronë sulmues, më shumë se 1 380 bomba të drejtuara dhe 69 raketa të llojeve të ndryshme”, tha Zelensky me të mbërritur në Vilnius, ku po merr pjesë në përkujtimet e kryengritjes lituaneze të vitit 1863.
“Kjo është arsyeja pse raketat për sistemet e mbrojtjes ajrore janë të nevojshme çdo ditë dhe ne vazhdojmë të punojmë me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për të siguruar mbrojtje më të mirë të hapësirës sonë ajrore”, shtoi ai.
Rusia po bombardon pa pushim termocentralet dhe rrjetin elektrik të Ukrainës duke zhytur qindra mijëra ukrainas në errësirë dhe të ftohtë në mes të dimrit dhe duke e shtyrë Zelenskyn të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në sektorin e energjisë.
Situata është veçanërisht e rëndë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, objektivi kryesor i Rusisë, sulmet ajrore të të cilit kanë detyruar gjysmë milioni banorë të evakuohen.
“Aktualisht ka 1 676 ndërtesa të larta apartamentesh në Kiev pa ngrohje pas sulmit armik në qytet më 24 janar”, tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.
Ekipet po punojnë pa ndërprerje për të rivendosur ngrohjen dhe energjinë elektrike, por temperaturat e ulëta dhe sulmet ajrore të përsëritura po pengojnë përpjekjet e tyre.
Të shtunën, raundi i parë i negociatave të drejtpërdrejta midis delegacioneve ukrainase, ruse dhe amerikane mbi planin e SHBA-së për të zgjidhur konfliktin, i cili ka marrë qindra mijëra jetë që nga viti 2022, përfundoi në Abu Dabi pa ndonjë përparim të dukshëm. /Ad.Ab./

The post VILNIUS – Zelensky kërkon më shumë municione kundërajrore përballë sulmeve ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE dërgon rreth 450 gjeneratorë në Ukrainë mes dimrit të ashpër

23 January 2026 at 15:55

BRUKSEL, 23 janar /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian pritet të dërgojë pothuajse 450 gjeneratorë emergjentë në Ukrainë, pas sulmeve masive ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit, në kushtet e një dimri tejet të ashpër.

Komisioni Evropian njoftoi sot se 447 gjeneratorët, me vlerë 3,7 milionë euro (4,3 milionë dollarë),  synojnë të “rikthejnë furnizimin me energji elektrike për spitalet, strehimet dhe shërbimet kritike”.

“Sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës po i privojnë qëllimisht civilët nga ngrohja, drita dhe shërbimet bazë, në mes të një dimri të egër”, deklaroi komisionerja e BE-së për Barazi, Hadja Lahbib.

“Këto sulme janë të dizajnuara për të thyer shpirtin e ukrainasve. Ato do të dështojnë”, theksoi ajo.

Që nga fillimi i janarit, Ukraina po përballet me ngrica të forta, me temperatura që herë pas skojnë nën minus 20 gradë Celsius.

Situata është përkeqësuar edhe më tej nga sulmet e synuara ruse ndaj infrastrukturës së vendit, duke lënë miliona njerëz pa energji elektrike dhe pa ngrohje.

Që nga nisja e pushtimit rus, gati katër vite më parë, Bashkimi Evropian ka dërguar më shumë se 9 500 gjeneratorë në Ukrainë.

Komisioni Evropian ka ofruar gjithashtu mbi 1,2 miliardë euro ndihmë humanitare për mbrojtjen e popullsisë civile, si dhe të paktën 3,0 miliardë euro për sigurinë energjetike. /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRUKSEL – BE dërgon rreth 450 gjeneratorë në Ukrainë mes dimrit të ashpër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Lagarde: Kritikat ndaj Evropës mundësi për vetëpërmirësim

23 January 2026 at 14:04

DAVOS, 23 janar /ATSH-AFP/ – Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, vlerësoi sot kritikat ndaj Evropës gjatë Forumit Ekonomik të Davosit duke i konsideruar ato një mundësi për reflektim dhe përmirësim.

”Evropa është denigruar mjaft ditët e fundit, por në thelb, kjo është gjë e mirë dhe duhet t’i falënderojmë ata që e denigrojnë”, tha Lagarde gjatë një diskutimi në mbyllje të forumit në Alpet Zvicerane.

Ajo shpjegoi se kritikat e bëra e kanë bërë Evropën të kuptojë më mirë se “duhet të përqendrohemi më shumë tek inovacioni, përmirësimi i produktivitetit dhe gjithçka tjetër”.

Në një fjalim shumë të ndjekur në Davos, presidenti amerikan Donald Trump kishte kritikuar ashpër Evropën, duke evidentuar dobësitë e aleatëve të tij.

Po ashtu, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu keqardhjen se Evropa është “fragmentuar” në vend që të shfaqet si “një fuqi e vërtetë globale”.

“Kemi dëgjuar shumë zhurmë këtë javë, por duhet të dallojmë sinjalet nga zhurma duke theksuar rëndësinë e të thënit të së vërtetës”, shtoi Lagarde.

“Besimi dhe e vërteta shkojnë së bashku. Ndërtimi i besimit kërkon kohë, por shkatërrimi i tij shumë pak”, tha ajo.

“Ka besim dhe afeksion të madh për popullin amerikan”, shtoi Legarde.

Lagarde gjithashtu bëri thirrje për “kujdes ndaj mënyrës se si shpërndahet pasuria dhe ndaj rritjes së pabarazive”./  /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post DAVOS – Lagarde: Kritikat ndaj Evropës mundësi për vetëpërmirësim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Moska kërkon tërheqjen e trupave ukrainase nga Donbasi, para takimit në Abu Dabi

23 January 2026 at 12:34

MOSKË, 23 janar /ATSH-AFP/ – Rusia njoftoi sot se ende kërkon nga Kievi që të tërheqë trupat e tij nga lindja e Ukrainës për të zgjidhur konfliktin, përpara bisedimeve në Abu Dabi mes përfaqësuesve rusë, ukrainas dhe amerikanë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nga ana e tij tha se çështja territoriale mbetet pika kryesore e pazgjidhur dhe do të jetë në fokus të bisedimeve, të cilat pritet të zgjasin sot dhe nesër.

Këto diskutime do të jenë bisedimet e para direkte mes Moskës dhe Kievit mbi një plan amerikan për zgjidhjen e konfliktit.

“Forcat e armatosura ukrainase duhet të largohen nga Donbasi, duhet të tërhiqen. Ky është një kusht shumë i rëndësishëm”, deklaroi zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitri Peskov.

“Pa zgjidhjen e çështjes territoriale (…) është e kotë të shpresohet për arritjen e një marrëveshjeje afatgjate”, shtoi ai.

Rusia kërkon tërheqjen e forcave ukrainase nga Donbasi, një territor industrial dhe minierash në lindje të Ukrainës që përfshin rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Kërkesat e saj synojnë veçanërisht rajonin e Donetskut, të cilin ajo e kontrollon pjesërisht dhe që mbetet epiqendra e luftimeve që kanë shkaktuar të paktën dhjetëra mijëra viktima që nga viti 2022.

Ky takim në Abu Dabi do të mbahet një ditë pas dy takimeve në nivel të lartë: njëri në Davos mes Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump dhe tjetri në Moskë mes presidentit Vladimir Putin dhe emisarëve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner./  /Ad.Ab./

The post RUSI – Moska kërkon tërheqjen e trupave ukrainase nga Donbasi, para takimit në Abu Dabi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌