Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Main stream

Ministrja Koçiu thyen heshtjen për shoqërimin e të miturit gjatë protestës: Po qëllonte efektivët me gurë, u trajtua sipas ligjit

By: V K
27 January 2026 at 13:55

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka folur lidhur me protestën e fundit të opozitës ku për shkak të tensioneve, u shoqërua në komisariat një i mitur 14-vjeçar.

Koçiu tha se policia nuk ushtroi dhunë ndaj protestuesve, ndërsa shtoi se 11 policë u lënduan.

“Akti normativ është i rëndësishëm edhe për ministrinë e Punëve të Brendshme. Do të bëjmë të mundur të kemi më shumë mbështetje për të gjitha institucionet e ministrisë së Brendshme, Policia apo Garda. Garda do të vazhdojë të marrë mbështetje dhe do të vijojë mbështetja edhe për punonjësit e policisë.

Me protestën që u zhvillua ditën e shtunë dhe rolin e policisë së shtetit në këtë protestë. Diskutimi këtu përballi punonjësit e policisë së shtetit. Kam detyrimin moral për të garantuar qytetarët që policia e kreu detyrën më së miri. Nuk u ushtrua dhunë ndaj protestuesve, por policia u përball me dhunë, u sulmuan me Molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, duke u lënduar 11 prej tyre.

Policia ka vepruar sipas rregullave, ka bërë thirrje të vazhdueshme për ruajtjen e qetësisë, kur këto u shpërfillën, u ndërmorrën masa për shpërndarjen e turmës sipas rregullores. Akuzat janë të pavërteta dhe të pabazuara. Çdo veprim është kryer sipas ligjit. E drejta për protestë është kushtetuese, por dhuna nuk është një e drejtë.

Dua të ndalem te rasti i diskutuar për të përdorur opinionin publik dhe manipulimin politik. Rasti i shoqërimit të një të mituri, gjatë veprimeve të policisë së shtetit, u konstatua i mituri duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta drejt policëve. Për të mbrojtur jetën e policëve dhe vetë të miturit, ai u mor për verifikim. Bëhej fjalë për një 14-vjeçar, në asnjë moment nuk është trajtuar në mënyrë të paligjshme apo çnjerëzore. Ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm në përputhje me standardet për mbrojtjen e të miturve. Askush nuk është mbi ligjin, askush nuk duhet të përdorë fëmijët për të justifikuar dhunën”,-u shpreh Koçiu.

The post Ministrja Koçiu thyen heshtjen për shoqërimin e të miturit gjatë protestës: Po qëllonte efektivët me gurë, u trajtua sipas ligjit appeared first on Albeu.com.

Berisha nga Strasburgu: Narkoshteti i Ramaduros rrezikon sigurinë e Europës

By: V K
27 January 2026 at 13:45

Gjatë debatit në grupin parlamentar të EPP-së në Strasburg mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin për ‘terapinë konvertuese’, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paraqiti situatën në Shqipëri, si një rrezik serioz për sigurinë e Europës, duke e cilësuar atë si ‘narkoshtet’ të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Berisha u shpreh se, kartele të drogës, të lidhura drejtpërdrejt me Ramën, dominojnë tregjet e drogës në Europë dhe se Shqipëria është kthyer në një qendër të madhe të pastrimit të parave përmes ndërtimeve dhe resorteve turistike.

Në një debat tjetër, kryedemokrati Sali Berisha, kritikoi ashpër raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, duke e cilësuar atë si një praktikë çnjerëzore dhe agresion ndaj fëmijëve.

Ai u shpreh se, në Shqipëri, në kopshte dhe shkolla fillore, po përdoren materiale mësimore që synojnë manipulimin e fëmijëve drejt ndryshimit të gjinisë, duke e lidhur këtë me atë që e quajti propagandë e ekstremit të majtë dhe ndikim të Xhorxh Sorosit.

Sipas kryetarit të PD-së Sali Berisha, kjo qasje synon vendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë në Shqipëri dhe më gjerë.

Gjithashtu, ai theksoi se, ndonëse debatet mbi këtë çështje ishin të ndara, në audiencë pati rezerva të mëdha ndaj raportit, i cili sipas tij tentonte të legjitimonte ‘terapinë konvertuese’ ndaj fëmijëve.

FJALA E PLOTE:

Dje gjatë ditës në debatin e zhvilluar në grupin parlamentar të EPP-së për zgjedhjet në Shqipëri dhe raportin e ‘Terapisë konvertuese’ paraqita para audiencës rrezikun e madh që përfaqëson narkoshteti shqiptar më në krye Edi Rama apo siç quhet rëndom Ramaduro apo Noriega i Europës për sigurinë e vendeve të rajonit dhe vendeve të Europës.

Në fjalën time, paraqita dominimin e tregut të drogës në Europës, marijuanës, heroinës, kokainës nga kartelet e drogës të lidhura direkt me Edi Ramën, të komanduara direkt prej tij, i cili e ka shndërruar Shqipërinë në një parajsë të larjes së parave të tyre, në qindra kulla, ndërtesa, resorte turistike.
Shpreha kërkesën që vendet anëtare të Këshillit të Europës, parlamentet e këtyre vendeve të ngrenë zërin e tyre ndaj këtij rreziku serioz që u vjen nga një vend i vogël i cili ka të gjitha potencialet e mëdha të zhvillimit dhe e ka zhytur regjimi në drogë, vetëm për qëllime elektorale.

Po kështu, tek rreziku i madh që përfaqëson Shqipëria, u ndala tek AKSHI, kopshti familjar i Edi Ramës, në të cilin koordinatori kryesor i karteleve të drogës me anëtarët e familjes Rama, kanë plaçkitur qindra e qindra milionë euro. Por mbi të gjitha Ergys Agasi ka eksportuar të gjitha të dhënat e internetit që ekzistojnë në Shqipëri, tek klanet kriminale dhe armiqtë e NATO-s dhe kjo është një rrezik i madh që Shqipëria shpërndan në rajon dhe Europë.

Mirëkuptimi ishte i plotë nga audienca. Përveç kësaj mora fjalën në debatin që u zhvillua për raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, terapinë ç’njerëzore, një agresion i vërtetë që bëhet ndaj fëmijëve për të ndryshuar gjinitë.

Ftova të pranishmit që të vijnë në Shqipëri, të shohin pasojat e rënda të transformimit të Shqipërisë në republikën e Xhorxh Soros apo në kopshtin e lulëzuar të këtij të fundit, ku fëmijëve në kopsht dhe në shkolla fillore, u jepen tekste, figurina dhe objekte mësimore për t’i manipuluar në drejtim të ndryshimit të gjinisë.

Theksova se, kjo propagandë është propaganda e ekstremit të majtë që synon rivendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë e botë. Debatet për këtë çështje natyrisht nuk ishin të njëjta, por në tërësi u shprehën rezerva shumë të mëdha për raportin i cili në një farë mënyre kërkonte të legjitimonte ‘terapinë konvertuese’ ndaj fëmijëve për ndryshim gjinie.

The post Berisha nga Strasburgu: Narkoshteti i Ramaduros rrezikon sigurinë e Europës appeared first on Albeu.com.

Apeli i GJKKO lë në fuqi konfiskimin e apartamentit të ish-kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja

By: V K
27 January 2026 at 13:18

Gjykata e Apelit të Posaçëm, ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për konfiskimin e apartamentit të ish kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 5, datë 24.04.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Ankimimi u bë ndaj vendimit të GJKKO në prill të vitit 2025, ku u konsfiskua apartamenti në pronësi të Dedjas.

Në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë, vendosi prishjen e vendimit të Apelit të GJKKO dhe urdhëroi kthimin e çështjes për rigjykim me një trup tjetër gjykues.

SPAK kishte kërkuar një vit burg me akuzën e fshehjes së pasurisë, por GJKKO-së e dënoi me 6 muaj, të cilat iu konvertuan në një vit shërbim prove.

Sipas SPAK, Bashkim Dedja, ka fshehur apartamentin në formularin e vetëdeklarimit teksa ishte gjyqtari i parë që dënohej nga GJKKO, pasi nuk kaloi Vettingun.

Ish-anëtari i Kushtetueses, u shkarkua nga Vettingu për mosjustifikim e një apartamenti ne Durrës, ndërsa në prill të vitit 2021, gjykata vendosi sekuestrimin e tij.

The post Apeli i GJKKO lë në fuqi konfiskimin e apartamentit të ish-kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja appeared first on Albeu.com.

Bujqësia mori goditje të konsiderueshme/ Erion Braçe kritika ministrit Pirro Vengu: Tha se paratë për t’i shlyer kanë kaluar, por në buxhet nuk janë

By: V K
27 January 2026 at 13:12

Ditën e sotme, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kritikuar ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, për dëmshpërblimet nga përmbytjet në sektorin e bujqësisë.

Socialisti tha se në buxhet nuk janë pagesat për zonat Gramshit dhe të Delvinës, të cilat u goditën dy herë në nëntor dhe janar, nga përmbytjet dhe ngricat.

Sipas Braçes, Vengu tha se paratë kanë kaluar, por në të vërtetë nuk janë në buxhet, as në relacion dhe as në seancën e zhvilluar në komision.

“Më vjen mirë që paratë janë shtuar në bujqësi dhe fondi është realizuar thuajse 100%. Ajo që me shqetëson është që kanë ndodhur fatkeqësi te mëdhaja dhe bujqësia ka marrë një goditje të konsiderueshme. Në verë goditja për bujqësinë erdhi në dy zona, Gramshi dhe Delvina. Duhet të paguajnë për to.

Më habiti ministri i Mbrojtjes kur tha që janë kaluar paratë për të shlyer këto dëme të shkaktuara për bagëtitë, por edhe për frutikulturën sepse në buxhet unë nuk i gjej, as në relacion dhe as në seancën që zhvilluam në komision nuk ishin. Përmbytjet e kombinuara me ngrica në nëntor dhe janar, kanë goditur zonën më prodhuese të vendit”, tha Braçe.

Braçe më tej tha se në krahun e shpenzimeve publike “vazhdojmë të kemi mos realizime”.

“Në 4 vite 1.2 mln euro mos realizime që janë një buxhet i plotë i investimeve publike. Janë shumë para që nuk realizohen”, tha deputeti i PS.

 

The post Bujqësia mori goditje të konsiderueshme/ Erion Braçe kritika ministrit Pirro Vengu: Tha se paratë për t’i shlyer kanë kaluar, por në buxhet nuk janë appeared first on Albeu.com.

Fshihej në Tiranë prej 10 vitesh/ Kush është 53-vjeçari i dënuar për tre vrasje në Maqedoninë e Veriut

By: V K
27 January 2026 at 12:52

Personi që shihni në foto, është Besim Sherifi, 52-vjeçari i arrestuar këtë të martë nga Policia, pasi dyshohet si autor i një vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut, ngjarje e ndodhur në vitin 2007.

Sherifi u kap nga Policia, në një apartament në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, ku thuhet se fshihej prej gati 10 vitesh.

Sipas raportimeve, në momentin që policia ka mësyrë në banesën e tij, 52 vjeçari ka mohuar të ketë lidhje me rrastin, teksa u ka thënë “nuk jam un personi që kërkoni. Nuk kam kryer asnjë vrasje, jam shtetas kosovar”.

Ndërkohë sipas policisë i arrestuari kishte siguruar pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi të falsifikuara, të lëshuara në emër të një shtetasi nga Kosova, por pas marrjes së shenjës së gishtave ka rezultuar se ai ishte personi i shpallur në kërkim nga autoritetet maqedonase.

Vrasja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në vitin 2007 në fshatin Kopanica, në Shkup ku janë vrarë 3 persona.

Për të gjykata kishte caktuar arrest në burg në mungesë, që sipas legjislacionit penal në Maqedoninë e Veriut parashikon dënim me burgim të përjetshëm.

Sherifi pritet të ekstradohet drejt Maqedonisë së Veriut.

The post Fshihej në Tiranë prej 10 vitesh/ Kush është 53-vjeçari i dënuar për tre vrasje në Maqedoninë e Veriut appeared first on Albeu.com.

U shkarkua pse mbështeti punonjësit e Kadastrës Vlorë për peticionin, ish-nëndrejtori përcillet me brohoritje, lot dhe përqafime nga vartësit (VIDEO+FOTO)

By: V K
27 January 2026 at 12:34

Sokol Shehaj, tashmë ish-nëndrejtori i Kadastrës Vlorë, edhe pse jeton në Tiranë, ku ka edhe familjen, sërish doli krah punonjësve, duke kundërshtuar urdhrin e zhvendosjes së Institucionit drejt kryeqytetit.

Kjo, edhe pse institucioni zhvendoset drejt kryeqytetit dhe më afër familjes e banesës së tij.

Por dalja në krah e punonjësve për protestën dhe peticionin i ka kushtuar jo pak zyrtarit vendor.

Për këtë ai u pezullua fillimisht dhe më pas u shkarkua nga puna një ditë në parë, pa asnjë motivacion, vetëm pse mbajti anën e kolegëve.

 

 

Kolegët dhe vartësit e kanë përcjellë mes lotëve ditën e sotme, duke ndarë edhe përqafime mes tyre.

Teksa thërrisnin emrin e tij, “Koli, Koli, Koli…”, punonjësit ndanë përshëndetje, përqafime dhe deri në qepalla me ish-zyrtarin e Kadastrës tashmë.

Çfarë ndodhi?

Punonjësit e institucionit kanë protestuar dhe dorëzuar një peticion, ku shprehen kundër zhvendosjes së Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës.

 

 

Burime brenda stafit të Hipotekës Vlorë bëjnë me dije se, pas dorëzimit të peticionit, punonjësit kanë marrë mbështetje nga zëvendësdrejtori i Ashk Vlore Sokol Shehaj.

Megjithatë, sipas të njëjtave burime, pas kësaj mbështetjeje mësohet se zyrtari në fjalë është shkarkuar nga detyra.

Ndërkohë, raportohet se ndaj 55 punonjësve të Hipotekës Vlorë po ushtrohet presion për përgatitjen e materialeve e drejt Tiranës.

Punonjësit shprehen se kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe tension, duke rrezikuar vazhdimësinë e punës së tyre në qytet.

Në shenjë reagimi, punonjësit kanë kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje nga përfaqësuesit e zgjedhur, ndërsa kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht punën, deri në sqarimin e situatës dhe marrjen e një zgjidhjeje të drejtë.

 

The post U shkarkua pse mbështeti punonjësit e Kadastrës Vlorë për peticionin, ish-nëndrejtori përcillet me brohoritje, lot dhe përqafime nga vartësit (VIDEO+FOTO) appeared first on Albeu.com.

Aksidenti i rëndë në Gramsh/ Urdhri i Infermierit shpreh dhimbje të thellë pas humbjes tragjike të infermieres: Shërbeu për vite me dinjitet dhe humanizëm

By: V K
27 January 2026 at 12:05

Në një deklaratë zyrtare, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, ka shprehur dhimbje dhe trishtim të thellë pas humbjes tragjike të infermieres Dëshira Hoxha, e cila ndërroi jetë dje, 26 janar, si pasojë e një aksidenti automobilistik në një zonë malore të Gramshit.

Urdhri e përshkroi Hoxhën si një profesioniste të përkushtuar, nënë e tre fëmijëve dhe bashkëshorte e dashur, e cila për pesë vite shërbeu me dinjitet dhe përgjegjësi ndaj komunitetit të fshatit Kabash, në Bashkinë Gramsh.

Përkushtimi i saj ndaj pacientëve e bëri atë një figurë të respektuar nga kolegët dhe banorët e zonës.

“Kujtimi dhe veprat e Dëshira Hoxhës do të mbeten të gjalla dhe të paharruara në komunitetin infermieror dhe përtej tij”, theksoi Urdhri, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e të ndjerës.

Aksidenti ndodhi pasi kamionçina, që po udhëtonte në rrugën Gramsh-Poroçan pranë fshatit Bardhaj, doli nga rruga dhe ra në një humnerë me thellësi 70 metra, duke u rrokullisur disa herë.

Për pasojë humbi jetën 43-vjeçarja Dëshira Hoxha, ndërsa u plagosën rëndë mësuesja Albana Boja dhe shoferi Shaban Kotorri, të cilët po marrin trajtim në spital.

Policia Rrugore po vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

“Dëshira Hoxha ishte një profesioniste e përkushtuar, bashkëshorte dhe nënë e tre fëmijëve, e cila për pesë vite me radhë shërbeu me dinjitet, humanizëm dhe përgjegjësi të lartë profesionale ndaj komunitetit të fshatit Kabash, në Bashkinë Gramsh. Përkushtimi i saj ndaj pacientëve dhe misionit fisnik të infermierisë e bëri atë një figurë të respektuar dhe të dashur, si nga kolegët, ashtu edhe nga banorët e zonës ku shërbente”, shprehet Urdhri për të ndjerën.

The post Aksidenti i rëndë në Gramsh/ Urdhri i Infermierit shpreh dhimbje të thellë pas humbjes tragjike të infermieres: Shërbeu për vite me dinjitet dhe humanizëm appeared first on Albeu.com.

Furnizonte burgun e Elbasanit me lëndë narkotike, ekzekutohen masat e sigurisë për efektivin dhe dy persona të tjerë

By: V K
27 January 2026 at 11:35

Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të datës 22.01.2026 dhe bazuar në vendimin nr. 784, datë 19.12.2025, autoritetet kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tre shtetasve të dyshuar, të cilët ndodhen në hetim.

U kzekutuan masat e sigurisë “Arrest me burg” për tre shtetas në Elbasan, mes tyre edhe polici i burgut të Bradasheshit, Ndriçim Kroj, i cili fuste lëndë narkotike në qelitë e burgut.

U ekzekutuan masat për:

Ndriçim Kroi, punonjës policie pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Elbasan;

Esmeralda Komici, familjare e një të paraburgosuri;

Gerald Stamolla, i paraburgosur në IEVP Elbasan.

Efektivi i policisë së burgut në bashkëpunim me dy personat e tjerë koordinoheshin për të futur droge brenda qelive.

DOSJA

Në dosjen hetimore janë zbardhur bisedat telefonike mes efektivit të policisë, Ndriçim Kroj, bashkëshortes së tij, Majlinda, por edhe personave të tjerë.

The post Furnizonte burgun e Elbasanit me lëndë narkotike, ekzekutohen masat e sigurisë për efektivin dhe dy persona të tjerë appeared first on Albeu.com.

Të bëhet akt-ekspertim i shënimit “për Shkelzenin”/ GJKKO nuk pranon kërkesën e avokatëve të Mediut, shtyhet seanca

By: V K
27 January 2026 at 11:18

Gjykata e Posaçme, ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit Fatmir Mediu, për akt-ekspertim të shënimit “për Shkelzenin”, në një faks të paraqitur si provë në funksion të gjykimit të çështjes penale ndaj tij, që lidhet me shkaqet që çuan në shpërthimin në Gërdec në vitin 2008.

Sipas SPAK, në përmbajtjen e dokumentit faks të sekuestruar në Ministrinë e Mbrojtjes ishte konstatuar një shënim në të cilin shkruhej “për z. Shkëlzen Berisha”, dhe për këtë Mediu kishte kërkuar akt-ekspertimi, por GJKKO nuk e ka pranuar kërkesën e tij,

Ndërkohë avokatet e ish-ministrit pretenduan me tej se një sërë aktesh, që janë referuar nga prokurorët në gjyq, por nuk ju janë vënë në dispozicion nga gjykata.

Për ta mundësuar këtë gjykata ndërpreu seancën dhe e shtyu atë për në datë 10 shkurt.

Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve.

Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjithashtu gjetjet e ekspertëve.

Gjyqi ndaj tij vijon që prej prillit 2023. Rihapja e çështjes u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.

The post Të bëhet akt-ekspertim i shënimit “për Shkelzenin”/ GJKKO nuk pranon kërkesën e avokatëve të Mediut, shtyhet seanca appeared first on Albeu.com.

Seanca plenare/ Boçi akuza Peleshit: Ky Parlament po bëhet i çmendur dhe qesharak, shtoni seancat, projektligjet duan debat, s’mund të kalohen të 19-ta në një ditë

By: V K
27 January 2026 at 11:03

Ditën e sotme, Kuvendi mban seancën e radhës plenare me 19 projektligje, në diskutim dhe 22 pika në rend dite në total.

Pikërisht kjo ngarkesë u bë shkak që seanca të hapej nga deputeti dhe njëkohësisht nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, i cili akuzoi mazhorancën dhe kryeparlamentarin Niko Peleshi se po çmend hapësirën e Kuvendit me këtë ngarkesë të paargumentuar.

Ai shtoi se Kuvendi po çmendej dhe kjo nuk ishte normale, ndërsa propozoi edhe shtimin e seancave me qëllim që projektligjet të shqyrtoheshin me radhë dhe me kujdes.

“Ky Kuvend po kthehet në hapësirë të çmendur. Ky parlament po bëhet i çmendur dhe qesharak. 19 projektligje brenda një seance është sa për të kaluar radhën, sa për të gënjyer shqiptarët. Kjo është për ta bukos parlamentin, për t’i marrë frymën, ky nuk është Parlament. Le të shtojmë seancat e t’i kalojmë me radhë. Projektligjet për dhunën, për median etj., të gjitha duan debat”, tha deputeti.

Në fund ai apeloi për shtim të seancave dhe që parlamenti të mos çmëndej më.

“Shtoni seancat, ka qenë kërkesë edhe e jona në Konferencën e kryetarëve, mos e çmendni këtë parlament”.

Pas tij foli kreu i grupit të PS, taulant Balla, që mori parasysh shtyrjen e diskutimit për disa projektligje, pasi kishin nevojë për më shumë diskutime dhe parje.

The post Seanca plenare/ Boçi akuza Peleshit: Ky Parlament po bëhet i çmendur dhe qesharak, shtoni seancat, projektligjet duan debat, s’mund të kalohen të 19-ta në një ditë appeared first on Albeu.com.

Jorida Tabaku: Propozuam shfuqizimin e neneve për fyerjen dhe shpifjen në Kodin Penal, fjala e lirë s’mund të kërcënohet me burg dhe t’i vësh pranga

By: V K
27 January 2026 at 10:40

Në një prononcim për gazetarët, jashtë Kuvendit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, theksoi se kanë propozuar shfuqizimin e dy neneve, atë të fyerjes dhe shpifjes, për ndryshimet në Kodin Penal, por shtoi se kjo nuk u pranua nga maxhoranca.

Ajo theksoi se fjala e lirë nuk mund të kërcënohet me burg. Sipas saj, qeveria vendosi që të vijojë me një draft, ku “fyerjen mos ta prekë dhe nenin 120 ta prekë pjesërisht dhe të përcaktojë grupin e individëve që do të jenë jashtë veprave të Kodit Penal”.

Tabaku u shpreh se Kodi Penal do të përdoret si kërcënim ndaj gazetarëve, duke shtuar se edhe vende të rajonit si Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kanë dekriminalizuar shpifjen, ndërkohë që qeveria shqiptare e përdor akoma si kërcënim.

“Pas një procesi dy mujor konsultimesh me gazetarët, organizata të shoqërisë civile, dhe KE, propozuam një draft të Kodit Penal që kishte shfuqizimin e plotë të nenit të 119 dhe 120, që janë neni për fyerje dhe shpifje. Jo vetëm për gazetarët por për të gjithë qytetarët si një masë për të treguar se fjala e lirë nuk kërcënohet me burg, dhe nuk mund ti vësh pranga.

Sigurisht që ka masa në Kodin Civil sikurse e kanë vendet e tjera, qeveria shkoi për një draft tjetër, dhe vendosi që fyerjen mos ta prekë dhe nenin 120 ta prekë pjesërisht dhe të përcaktojë grupin e individëve që do të jenë jashtë veprave të kodit penal”, tha Tabaku.

The post Jorida Tabaku: Propozuam shfuqizimin e neneve për fyerjen dhe shpifjen në Kodin Penal, fjala e lirë s’mund të kërcënohet me burg dhe t’i vësh pranga appeared first on Albeu.com.

Rikthehet i preferuari i Silvinjos, por klubi i tij mendon menjëherë largimin e lojtarit të Shqipërisë

By: V K
27 January 2026 at 10:34

Nedim Bajrami, është rikthyer në fushë këtë fundjavë për Rejnxhërs, duke luajtur sërish me ekipin skocez pas një dëmtimi që e detyroi të dilte shumë shpejt nga loja në një ndeshje ku ishte titullar.

Bajrami ishte marrë me dëmtim të një problemi muskulor në ndeshjen kundër Kilmarnok më 6 dhjetor, ku u detyrua të largohej nga loja pas vetëm rreth 21 minutash në fushë.

Edhe pse rikthimi i tij në fushë është një lajm pozitiv për Kombëtaren shqiptare, Rejnxhërs vazhdon të ketë në plan shitjen e mesfushorit gjatë merkatos, duke e konsideruar largimin e tij të mundshëm që në janar, për shkak të hapësirave të kufizuara dhe paraqitjeve të pakta këtë sezon.

Bajrami bën pjesë në listën e lojtarëve të cilët mund të lejohen të largohen së bashku me Nsiala, Matondo e Danilo, ku opsionet e mundshme që në janar, do të konsiderohen.

Në janar klubet kanë të drejtë të bëjnë ndryshime edhe në listën zyrtare të UEFA-s, por deri më tani Rejnxhërs nuk e ka përfshirë mesfushorin kuqezi dhe nëse ai vendos të qëndrojë, nuk është çudi që të përfshihet në këtë listë.

The post Rikthehet i preferuari i Silvinjos, por klubi i tij mendon menjëherë largimin e lojtarit të Shqipërisë appeared first on Albeu.com.

Organizata e Medias thirrje deputetëve: Mos votoni ndryshimet në Kod për shpifjen, s’garantohet liria e shprehjes

By: V K
27 January 2026 at 10:11

Ditën e sotme, organizata e medias ka dalë me një deklaratë për shtyp sa i takon ndryshimeve të propozuara në Kodin Penal, që lidhen me dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët.

Në deklaratë thuhet se, megjithëse disa nga ndryshimet e parashikuara konsiderohen pozitive, drafti që pritet të miratohet sot nuk përmbush standardet e Bashkimit Evropian dhe as kërkesat e komunitetit të medias për garantimin e plotë të lirisë së shprehjes.

“Së pari, teksti parashikon mbrojtje dhe dekriminalizim të shpifjes vetëm për gazetarët që janë të regjistruar dhe të njohur. Kjo nuk është një zgjidhje e plotë. Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një regjistër për gazetarët”, thuhet në deklaratë.

Organizata thekson se çdo përpjekje, për të rregulluar profesionin përmes regjistrimit sjell pasiguri juridike dhe cenon lirinë e shprehjes, duke frenuar jo vetëm gazetarët, por edhe aktivistët e shoqërisë civile që shprehin mendime kritike.

Sipas organizatës, këto shqetësime ndahen edhe nga struktura të tjera vendase dhe ndërkombëtare.

Organizata e medias nënvizojnë se reforma për dekriminalizimin e shpifjes nuk i zgjidh të gjitha problemet që lidhen me lirinë e medias dhe se nevojitet një reformë më e thellë, që të adresojë kushtet e punës, presionet politike dhe garanci të tjera për pavarësinë e gazetarëve.

Në përfundim, gazetarët i bëjnë thirrje mazhorancës dhe deputetëve të Kuvendit që ta përmbyllin këtë reformë në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, duke shmangur ndryshime sipërfaqësore që nuk garantojnë mbrojtje reale për lirinë e shprehjes.

“Kemi ndjekur me kujdes ndryshimet në Kodin Penal. Pavarësisht se disa prej tyre janë ndryshime pozitive, me keqardhje vëmë re se drafti që do të miratohet sot nuk përmbush standardet e BE-së dhe kërkesat tona për lirinë e shprehjes.

Së pari, teksti parashikon mbrojtje dhe dekriminalizim të shpifjes vetëm për ata gazetarë që janë të regjistruar dhe të njohur. Kjo nuk është një kërkesë e plotë. Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një regjistër për gazetarët.

Çdo përpjekje për të rregulluar profesionin sjell pasiguri juridike dhe frenon lirinë e shprehjes. Kjo nismë frenon edhe aktivistët e shoqërisë civile për t’u shprehur. Këto nuk janë shqetësime vetëm tonat, por edhe të shumë strukturave të tjera. Duam të theksojmë se reforma për dekriminalizimin nuk i zgjidh të gjitha sfidat. Kërkohet një reformë më e gjerë, që përfshin kushte më të mira pune dhe mbrojtje nga presionet politike. Kërkohet një agjendë më e thellë dhe jo ndryshime të cekëta. Kërkojmë që mazhoranca dhe deputetët e Kuvendit ta përmbyllin këtë reformë në mënyrë të plotë”, tha Blerjana Bino, përfaqësuesja e Organizatës së Medias.

The post Organizata e Medias thirrje deputetëve: Mos votoni ndryshimet në Kod për shpifjen, s’garantohet liria e shprehjes appeared first on Albeu.com.

Rrugët e Qarkut Dibër të mbuluara nga mjegulla, vështirësi në qarkullimin e automjeteve

By: V K
27 January 2026 at 09:57

Që prej orëve të para të ditës së sotme të gjitha rrugët e Qarkut Dibër, janë nën pushtetin e mjegullës. Qarkullimi i automjeteve bëhet me vështirësi, për shkak të fushëpamjes së kufizuar.

Situata bëhet problematike nga automjetet që nuk kanë ose lëvizin pa drita të ndezura, si dhe nga këmbësorët që bëhen të vështirë për t`u konstatuar nga drejtuesit e mjeteve.

Në të gjitha akset si Burrel-Klos, rruga e Arbrit, Bulqizë-Peshkopi, ka prani të mjegullës së dendur.

Për të monitoruar qarkullimin e automjeteve që të shmangen aksidente, policia është vendosur në disa pika kyçe të këtyre akseve rrugore.

Ndërkohë, uniformat blu bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit, të mbajnë distancën e duhur, të shmangin parakalimet si dhe të mbajnë dritat e mjegullës ndezur.

Mjegulla ka qenë prezente prej disa ditësh, duke bërë që lëvizja e mjeteve të bëhet me vështirësi.

The post Rrugët e Qarkut Dibër të mbuluara nga mjegulla, vështirësi në qarkullimin e automjeteve appeared first on Albeu.com.

Padia e Erion Veliajt/ Hidhet shorti në Gjykatën Administrative, ja gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës

By: V K
27 January 2026 at 09:33

Në Gjykatën Administrative të Tiranës, është hedhur shorti për shqyrtimin e padisë së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Gazetarja Klodiana Lala, raporton se çështja do të gjykohet nga gjyqtari administrativ i shkallës së parë, Hazbi Balliu.

Veliaj ka depozituar padinë, duke kërkuar pavlefshmërinë e emërimit në detyrë të prokurorit të posaçëm Olsi Dado.

Erion Veliaj, ndodhet që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar në burg, ndërkohë që ishte Kushtetuesja që e riktheu atë në detyrë.

The post Padia e Erion Veliajt/ Hidhet shorti në Gjykatën Administrative, ja gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës appeared first on Albeu.com.

Fshihej prej kohësh në Tiranë/ I kërkuar për tre vrasje në Maqedoninë e Veriut, arrestohet 52-vjeçari

By: V K
27 January 2026 at 09:28

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara gjatë një kohe të gjatë hetimi dhe gjurmimi, për lokalizimin dhe kapjen e një të kërkuari për vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut, është zhvilluar dhe finalizuar faza e 80-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”.

Në kuadër të kësaj faze, shërbimet operacionale lokalizuan në zonën e Liqenit të Thatë, kapën dhe shoqëruan shtetasin e dyshuar për tre vrasje.

Nga verifikimi i thelluar rezultoi se shtetasi i shoqëruar, i cili përdorte dokumente identifikimi dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me emër të një shtetasi nga Kosova, ishte person i shpallur në kërkim nga Maqedonia e Veriut, i akuzuar për vrasje të trefishtë.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin, i shtetasit Besim Sherifi, 52-vjeç, banues në Kopanica, Saraj, Maqedoni e Veriut.

Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi Interpol Shkupi e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, vepër për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal, burgim të përjetshëm.

Ky shtetas dyshohet se më datë 05.10.2007, në fshatin Kopanica, Shkup, Maqedoni e Veriut, ka vrarë me armë zjarri, 3 shtetas.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar 1 pasaportë kosovare, kartë identiteti kosovare dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me gjenealitetet e një shtetasi nga Kosova.

Materialet procedurale, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Shkupin, do të vijojë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Maqedoninë e Veriut.

The post Fshihej prej kohësh në Tiranë/ I kërkuar për tre vrasje në Maqedoninë e Veriut, arrestohet 52-vjeçari appeared first on Albeu.com.

Financial Times: Izraeli kërkon të zgjasë mbështetjen ushtarake nga SHBA, bisedime për një marrëveshje të re 10-vjeçare

By: V K
27 January 2026 at 08:58

Izraeli po përgatitet për bisedime me administratën e Donald Trump mbi një marrëveshje të re 10-vjeçare sigurie, duke synuar zgjatjen e bashkëpunimit ushtarak me SHBA-në, edhe pse udhëheqësit izraelitë sinjalizojnë se po planifikojnë një të ardhme me më pak grante direkte amerikane, raporton Financial Times.

Gil Pinchas, i cili së fundmi u largua nga posti i këshilltarit kryesor financiar të ushtrisë dhe ministrisë izraelite të Mbrojtjes, tha se Izraeli do të kërkojë të fokusohet më shumë në projekte të përbashkëta ushtarake dhe të mbrojtjes sesa në “para falas”.

Sipas tij, ndihma direkte financiare prej rreth 3.3 miliardë dollarësh në vit mund të ulet gradualisht.

“Partneriteti është më i rëndësishëm sesa vetëm çështja financiare. Ka shumë elemente që vlejnë po aq sa paratë”, tha Pinchas për FT.

Në vitin 2016, SHBA dhe Izraeli nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për periudhën 2019–2028, që parashikon 38 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, përfshirë 33 miliardë dollarë grante për pajisje ushtarake dhe 5 miliardë dollarë për sisteme mbrojtjeje raketore.

Më herët këtë muaj, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, deklaroi se shpreson të ulë gradualisht varësinë e Izraelit nga ndihma ushtarake amerikane gjatë dekadës së ardhshme.

The post Financial Times: Izraeli kërkon të zgjasë mbështetjen ushtarake nga SHBA, bisedime për një marrëveshje të re 10-vjeçare appeared first on Albeu.com.

Një stuhi tjetër dimërore në SHBA, vjen paralajmërimi i parashikuesve të motit

By: V K
27 January 2026 at 08:36

Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA, ka paralajmëruar për mundësinë e një stuhie tjetër dimërore, që do të godasë gjysmën lindore të SHBA-së këtë fundjavë që vjen.

“Potenciali që një stuhi tjetër dimërore të ndikojë në Shtetet e Bashkuara lindore këtë fundjavë që vjen”.

Ndërsa parashikuesit e motit vunë në dukje se është shumë herët për të ditur detajet e stuhisë, temperaturat shumë të ftohta do të mbulojnë gjysmën lindore të SHBA-së deri në javën e ardhshme.

Ndërsa kjo po ndodh, një shqetësim në lartësi të madhe do të lëvizë nga Kanadaja të enjten dhe do të thellohet në të gjithë SHBA-në të dielën, duke çuar në një sistem të fortë sipërfaqësor me presion të ulët.

Meteorologu i WSVN, Dylan Federico, shkroi gjithashtu në X, “I ftohti që vjen këtë fundjavë është i vërtetë! EURO është një nga modelet më të ftohta që kam parë ndonjëherë, me erëra të ftohta nën zero deri në Bregun e Gjirit të shtunën në mëngjes”.

The post Një stuhi tjetër dimërore në SHBA, vjen paralajmërimi i parashikuesve të motit appeared first on Albeu.com.

Kuvendi sot në seancë plenare/ Rishikohen buxheti 2025 dhe ndryshimet e Kodit Penal, pikat e rendit të ditës

By: V K
27 January 2026 at 08:17

Ditën e sotme në orën 10:00, Kuvendi do të mbajë seancë plenare ku në fokus janë akti normativ për buxhetin e vitit 2025 dhe ndryshimet në Kodin Penal.

Akti normativ nr. 11 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 115/2024” i dhjetorit 2025 u miratua më 20 janar nga Komisioni i Ligjeve.

Në të u kaluan 15 miliardë lekë në skemën e pensioneve, 2 miliardë lekë për bujqësinë, 1.8 miliardë lekë shtesë për shëndetësinë që do të përdoren për furnizimin e qendrave spitalore me barna dhe 1.2 miliardë lekë për detyrimet e papaguara të bashkive.

Ndërsa rishikimi i Kodit Penal dekrimininalizon shpifjen dhe parashikon mbrojtje për gazetarët, duke dënuar ata që i kërcënojnë ose dhunojnë.

Në ndryshime përfshihet edhe ashpërsimi i dënimeve për ndërtimet e paligjshme, zjarrëvnie dhe parkimin dysh, ku për këtë të fundit parashikohet dënim me 1 vit burg në rast se bllokohen korsitë e emergjencës.

Axhenda e plotë:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare të datës 27.1.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 19.1.2026.

2. Njoftime.

3. Akti normativ nr. 11, datë 19.12.2025 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar.

4. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente”.

5. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin për Pronësinë Intelektuale, Burimet Gjenetike dhe Njohuritë Tradicionale të Lidhura me To, bërë në Gjenevë, më 24 maj 2024”.

6. Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr. 5/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore “Për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale”.

7. Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr. 6/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore “Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë””.

8. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndalimin e tregtisë së paligjshme në produktet e duhanit”.

9. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

10. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

11. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

12. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar.

13. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””.

14. Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar.

15. Projektligji “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”.

16. Projektligji “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”.

17. Projektligji “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”.

18. Projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

19. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.

20. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”.

21. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

22. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

 

 

The post Kuvendi sot në seancë plenare/ Rishikohen buxheti 2025 dhe ndryshimet e Kodit Penal, pikat e rendit të ditës appeared first on Albeu.com.

Aksident në autostradën Durrës-Tiranë, përmbyset një kamioni

By: V K
27 January 2026 at 08:01

Mëngjesin e sotëm, një kamion është përmbysur në autostradën Durrës-Tiranë.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Marikaj në Vorë, ndërkohë që ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar.

Mësohet se si pasojë e aksidentit qarkullimi në njërën prej korsive është bllokuar

Rrethanat ende nuk janë të ditura, por policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e tyre.

 

The post Aksident në autostradën Durrës-Tiranë, përmbyset një kamioni appeared first on Albeu.com.

❌
❌