Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Main stream

BM – 268 milionë dollarë për përgatitjen e trupave për dislokim në Ukrainë

10 January 2026 at 12:34

LONDËR, 10 janar /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe do të shpenzojë 200 milionë paund (268 milionë dollarë) për të përgatitur trupat britanike për dislokim në Ukrainë në rast të një armëpushimi me Rusinë, njoftoi sekretari i Mbrojtjes, John Healey.

Healey i bëri deklaratat pas një vizite njëditore dje në Kiev, ku diskutoi planet për Forcën Shumëkombëshe për Ukrainën me presidentin Volodymyr Zelensky.

Fondet do të përdoren për modernizimin e mjeteve ushtarake dhe sistemeve të komunikimit, mbrojtjen kundër dronëve dhe pajisje të tjera, me qëllim që trupat të jenë të gatshme për dislokim.

“Po rrisim ndjeshëm investimet në përgatitjet tona pas njoftimit të kryeministrit këtë javë, duke u siguruar që forcat e armatosura britanike janë të gatshme të dislokohen dhe të udhëheqin Forcën Shumëkombëshe për Ukrainën, sepse një Ukrainë e sigurt do të thotë një Britani e Madhe e sigurt”, tha Healey.

Pas takimit, Zelensky shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Britanisë së Madhe, duke shtuar se “është thelbësore që kuadri për përfundimin e luftës të përfshijë një reagim të qartë nga aleatët nëse agresioni rus përsëritet”.

Healey njoftoi dje gjithashtu se këtë muaj do të nisë prodhimi i dronëve të rinj “Octopus” për Ukrainën, të projektuar për të kapur dronët e tjerë që Rusia përdor për të sulmuar objektiva civile.

Britania e Madhe synon të prodhojë mijëra dronë në muaj, me secilin “Octopus” që kushton vetëm 10% të çmimit të dronëve që synon të neutralizojë.

Njoftimi vjen një ditë pasi Rusia ndërmori një valë masive sulmesh me dronë dhe raketa kundër Ukrainës, duke goditur objektiva civile dhe infrastrukturën energjetike./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BM – 268 milionë dollarë për përgatitjen e trupave për dislokim në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Një i vdekur nga stuhia “Goretti”, 28 000 familje pa energji elektrike

10 January 2026 at 11:48

LONDËR, 10 janar /ATSH-AFP/ – Një burrë është gjetur i vdekur sot pasi një pemë ra mbi makinën e tij në jug të Kornuollit, pas kalimit të stuhisë “Goretti”, e cila ka lënë ende dhjetëra mijëra familje pa energji elektrike në Britaninë e Madhe.

Stuhia përfshiu vendin natën nga e enjtja në të premte, me erëra që arritën 160 kilometra në orë në jugperëndim të Anglisë dhe në Uells, si dhe me reshje të dendura dëbore, akull dhe shi dje në Skoci, Uells, Irlandën e Veriut dhe në veri të Anglisë, duke shkaktuar shumë ndërprerje dhe probleme.

Policia e rajonit Kornuoll dhe Devon, në jugperëndim të Anglisë, njoftoi sot vdekjen e një burri në qytetin Helston, i cili u gjet nga shërbimet e emergjencës në makinën e tij, mbi të cilin kishte rënë një pemë të enjten.

“Operacionet u kryen në vendngjarje (të premten) për të hequr pemën në mënyrë të sigurt dhe (…) fatkeqësisht, një burrë rreth të pesëdhjetave u gjet i pajetë brenda makinës”, tha policia lokale në një deklaratë.

Pjesa më e madhe e Britanisë së Madhe vazhdon të jetë nën paralajmërim të verdhë për dëborë dhe ngrica sot, sipas agjencisë kombëtare të meteorologjisë Met Office, në Skoci dhe në veri të Anglisë, ku akulli mund të shkaktojë “çrregullime”.

Rreth 28 000 familje ishin ende pa energji elektrike sot në mëngjes në jugperëndim të Anglisë dhe në rajonin e Midlands, sipas të dhënave më të fundit të operatorit të rrjetit National Grid.

Stuhia ”Goretti” shkaktoi gjithashtu dëme të mëdha materiale në Francë, ku më pak se 100 000 familje mbetën pa energji elektrike të shtunën në mëngjes, por pas kalimit të saj nuk u raportua asnjë viktimë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post BM – Një i vdekur nga stuhia “Goretti”, 28 000 familje pa energji elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Klitschko kërkon evakuim të përkohshëm për shkak të ndërprerjes së ngrohjes nga sulmet ruse

10 January 2026 at 11:11

KIEV, 10 janar /ATSH-AFP/ – Kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko u bëri thirrje banorëve që kanë mundësi që të largohen përkohësisht nga kryeqyteti, pasi sulmet ruse kanë shkaktuar ndërprerje masive të ngrohjes në qytet.

Temperaturat pritet të bien sot deri në minus 15 gradë Celcius, duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve.

Një sulm i fuqishëm me raketa dhe dronë goditi qytetin, duke vrarë katër persona dhe shkatërruar ndërtesa banimi, përfshirë edhe një pjesë të ambasadës së Katarit.

Personeli diplomatik u shpëtua pa lëndime, por dëmet ishin të konsiderueshme.

Gazetarët në Kiev raportuan panik ndër banorët, të cilët vraponin drejt strehimeve ndërsa sirenat e alarmit ajror jehonin dhe shpërthime të dronëve dhe raketave dëgjoheshin në të gjithë qytetin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën se po përdor të ftohtin si “mjet terrori” dhe kërkoi nga zyrtarët që të përballen me krizën.

“Qyteti ka burime për të menaxhuar situatën, pavarësisht dëmeve të shumta”, tha ai.

Sipas kryebashkiakut Klitschko, rreth gjysma e pallateve të banimit në Kiev, afërsisht 6 000 ndërtesa, mbeten pa ngrohje.

Autoritetet shpresojnë të rikthejnë furnizimin gjatë fundjavës në disa zona, por disa dëme kërkojnë më shumë kohë për riparim.

Autoritetet kanë hapur 1 200 qendra ngrohjeje për qytetarët e prekur, ndërsa  presidenti Zelensky bëri thirrje që askush të mos ikë nga përgjegjësitë dhe të zgjidhë problemet praktike të qytetit.

Rusia përdori raketën balistike “Oreshnik” për të goditur objektiva strategjikë, përfshirë një objekt infrastrukture pranë Lvivit.

Banorët e zonave të prekura raportuan shpërthime dhe ndërprerje të gazit, duke përkeqësuar situatën në temperaturat e acarta./   /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post KIEV – Klitschko kërkon evakuim të përkohshëm për shkak të ndërprerjes së ngrohjes nga sulmet ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Groenlandën do ta marrim me të gjitha mënyrat

10 January 2026 at 09:27

UASHINGTON, 10 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, riafirmoi mbrëmē pretendimet e tij ndaj Groenlandës, duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të veprojnë për të parandaluar Kinën ose Rusinë që të marrin kontrollin e ishullit arktik me rëndësi strategjike.

Duke folur për gazetarët gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Uashingtoni do të bëjë diçka për Groenlandën, pavarësisht nëse kjo u pëlqen apo jo të tjerëve.

“Sepse nëse nuk e bëjmë ne, Rusia ose Kina do ta marrin Groenlandën dhe ne nuk do të kemi Rusinë apo Kinën si fqinj”, theksoi ai.

“Do të doja të bënim një marrëveshje, e dini, në mënyrën e lehtë, por nëse nuk e bëjmë në mënyrën e lehtë, do ta bëjmë në mënyrën e vështirë”, shtoi Trump.

Trump ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron ta sjellë ishullin, i cili i përket aleatit të NATO-s, Danimarkës, nën kontrollin e SHBA-së, duke përmendur rëndësinë e tij strategjike dhe atë që ai e përshkroi si një prani në rritje të anijeve ruse dhe kineze në rajon.

Këto komente kanë ngjallur shqetësim, pasi Trump nuk ka përjashtuar përdorimin e presionit ushtarak ose ekonomik.

Groenlanda është kryesisht e mbuluar me akull dhe ka një popullsi prej rreth 57 mijë banorësh./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Groenlandën do ta marrim me të gjitha mënyrat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Zbulohen dy nënlloje të sklerozës multiple

10 January 2026 at 07:27

LONDËR, 10 janar /ATSH/ – Shkencëtarët kanë përdorur inteligjencën artificiale për të identifikuar dy nënlloje të reja biologjike të sklerozës multiple (SM) një zbulim që mund të ndryshojë mënyrën se si diagnostikohet dhe trajtohet kjo sëmundje, sipas Euronews.

Studimi sugjeron se SM- ja nuk është një sëmundje e vetme, por përfshin modele të ndryshme biologjike.

Skleroza multiple prek miliona njerëz në mbarë botën dhe aktualisht trajtimet bazohen kryesisht te simptomat klinike. Kjo qasje shpesh nuk pasqyron proceset biologjike që ndodhin në tru, duke bërë që disa pacientë të mos përfitojnë maksimalisht nga terapitë ekzistuese.

Studimi u krye nga University College London (UCL) dhe Queen Square Analytics dhe përfshiu rreth 600 persona me SM. Shkencëtarët analizuan një proteinë gjaku të quajtur sNfL, e cila tregon dëmtimin e qelizave nervore, në kombinim me skanime MRI të trurit.

Duke përdorur një model të mësimit makinerik të quajtur SuStaIn, studiuesit identifikuan dy nënlloje të reja: MS me sNfL të hershëm dhe SM me sNfL të vonshëm.

Këto nënlloje dallohen nga mënyra dhe koha se si shfaqen dëmtimet nervore.

Te pacientët me sNfL të hershëm, nivelet e proteinës rriten që në fazat e para të sëmundjes dhe shoqërohen me dëmtime të shpejta të trurit, duke treguar një formë më agresive të SM-së. Lezionet cerebrale zhvillohen më shpejt dhe kërkojnë monitorim të afërt.

Ndërsa te pacientët me sNfL të vonshëm, fillimisht vërehet tkurrje graduale e trurit në zona të caktuara, dhe vetëm më vonë rriten nivelet e proteinës sNfL. Kjo formë duket se përparon më ngadalë, me dëmtime nervore që shfaqen në faza më të vona.

Sipas autorëve të studimit, ky klasifikim i ri biologjik mund t’i ndihmojë mjekët të parashikojnë më mirë ecurinë e sëmundjes dhe të zgjedhin trajtimin më të përshtatshëm për secilin pacient. Pacientët me formë më agresive mund të trajtohen më herët me terapi më të forta.

Ekspertët e shëndetit e cilësojnë këtë zbulim si një hap të rëndësishëm drejt mjekësisë së personalizuar për sklerozën multiple.

Sa më shumë të kuptohet biologjia e sëmundjes, aq më të mëdha janë shanset për trajtime më efektive dhe për ndalimin e përparimit të saj./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Zbulohen dy nënlloje të sklerozës multiple appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 9 January 2026Main stream

GREQI – Fermerët drejt heqjes së bllokimeve, përpara takimit me kryeministrin Mitsotakis

9 January 2026 at 14:55

ATHINË, 9 janar /ATSH-ANA/ – Fermerët e Greqisë qendrore po lëvizin drejt një heqjeje graduale të bllokimeve, pas vendimeve të marra në asambletë e tyre të përgjithshme, ndërsa përgatiten për takimin me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, që do të mbahet të martën e ardhshme në rezidencën ”Maximos”.

Në të njëjtën kohë, grupet që marrin pjesë në Komitetin Panhelen të Koordinimit po planifikojnë një takim të ri në Nikaia, me qëllim përcaktimin e përbërjes së delegacionit dhe kuadrit të diskutimeve me qeverinë.

Megjithatë, përfaqësuesit e fermerëve theksuan se ”nuk bëhet fjalë për përfundimin e protestave”.

Përkundrazi, ata nënvizuan se traktorët do të qëndrojnë në autostrada dhe se situata do të rivlerësohet pas takimit me kryeministrin, në mënyrë që vendimet përfundimtare të merren pas vlerësimit të rezultateve të këtij takimi./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post GREQI – Fermerët drejt heqjes së bllokimeve, përpara takimit me kryeministrin Mitsotakis appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Anulova valën e dytë të sulmeve ndaj Venezuelës

9 January 2026 at 14:24

UASHINGTON, 9 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi sot se një valë e dytë sulmesh ndaj Venezuelës është anuluar për momentin, duke përmendur lirimin e të burgosurve politikë në vendin e Amerikës së Jugut.

Presidenti Trump vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin pozitiv mes dy vendeve, veçanërisht në sektorin e infrastrukturës së naftës dhe gazit, pas kapjes javën e kaluar të udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, nga forcat amerikane, pas muajsh presioni të shtuar ndaj regjimit të tij autoritar.

“Për shkak të këtij bashkëpunimi, kam anuluar valën e dytë të sulmeve që pritej më herët, e cila duket se nuk do të jetë e nevojshme. Megjithatë, të gjitha anijet do të qëndrojnë në pozicion për arsye sigurie dhe mbrojtjeje”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social, duke iu referuar anijeve luftarake amerikane të dislokuara në brigjet e Venezuelës.

Sipas  president Trump, Venezuela po liron një numër të madh të burgosurish politikë si shenjë e kërkimit të paqes.

Qeveria në Karakas kishte njoftuar më herët lirimin e shumë të ndaluarve venezuelianë dhe të huaj, mes të cilëve raportohet se përfshihen figura të njohura të opozitës, si aktivistja për të drejtat e njeriut, Rocío San Miguel./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SHBA – Trump: Anulova valën e dytë të sulmeve ndaj Venezuelës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Meloni: Nuk besoj te një veprim ushtarak i SHBA-së në Groenlandë

9 January 2026 at 13:44

ROMË, 9 janar /ATSH-ANSA/- Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar se nuk beson te një veprim ushtarak i mundshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  në Groenlandë.

Meloni theksoi se nuk do ta mbështeste një veprim të tillë.

”Nuk do ta mbështes një veprim të tillë”, deklaroi Meloni.

Ajo shtoi se mesazhi i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, duket të jetë se ai nuk do të pranojë ndërhyrje nga shtetet e tjera në këtë rajon strategjik.

Meloni nënvizoi gjithashtu rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për çështjet që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Ajo shtoi se ”zgjidhjet ushtarake nuk duhet të jenë opsioni i parë”.

Deklarata e saj vjen në një kohë kur interesat gjeopolitike në Arktik po rriten dhe vendet e ndryshme po vëzhgojnë me kujdes lëvizjet e fuqive të mëdha në këtë zonë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post ITALI – Meloni: Nuk besoj te një veprim ushtarak i SHBA-së në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Rusia përdori raketën ”Oreshnik” me kapacitet bërthamor në sulmin ndaj Ukrainës

9 January 2026 at 10:33

MOSKË, 9 janar /ATSH-DPA/ – Rusia ka përdorur raketën e saj me rreze të mesme veprimi dhe me kapacitet bërthamor ”Oreshnik” në një sulm ndaj Ukrainës perëndimore, raportoi sot agjencia e lajmeve TASS, duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

Ky është sulmi i dytë ndaj Ukrainës ku përfshihet kjo armë.

Sipas ministrisë, sulmi u krye si përgjigje ndaj një akti terrorist të kryer nga Kievi ndaj rezidencës së presidentit rus Vladimir Putin më 29 dhjetor 2025.

Ministria shtoi se objektivat e goditjes u arritën dhe se u shënjestruan objekte që prodhonin mjete ajrore pa pilot (dronë), të cilat dyshohet se janë përdorur në sulmin e pretenduar, si edhe infrastruktura energjetike.

Ukraina ka mohuar se ka kryer ndonjë sulm ndaj rezidencës së Putinit dhe akuzon Moskën se po përdor këtë pretendim të rremë për të justifikuar goditjet ndaj ndërtesave qeveritare në Kiev.

Rusia e përdori për herë të parë raketën ”Oreshnik” kundër Ukrainës në qytetin industrial të Dnipros në nëntor të viitit 2024.

Presidenti Putin ka deklaruar se sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore nuk janë në gjendje ta kapin raketën ”Oreshnik”, emri i së cilës në rusisht do të thotë ”lajthi” dhe se ajo mund të godasë objektiva deri në Evropën Perëndimore.

Analistë ushtarakë perëndimorë thonë se ”Oreshnik” është e aftë të mbajë një koka bërthamore./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post MOSKË – Rusia përdori raketën ”Oreshnik” me kapacitet bërthamor në sulmin ndaj Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Stuhitë ”Elli” dhe ”Goretti” lënë qindra mijëra evropianë pa energji elektrike

9 January 2026 at 09:57

LONDËR, 9 janar /ATSH-AFP/ – Erëra të fuqishme goditën sot Francën dhe BM, ndërsa stuhitë ”Elli” dhe ”Goretti” përparuan me shpejtësi në Evropën veriore, duke lënë qindra mijëra familje pa energji elektrike, në kushtet e temperaturave të ulëta dimërore.

Parashikuesit e motit nga Britania e Madhe deri në Gjermani u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda, duke lëshuar paralajmërime të shumta për motin e keq, përfshirë edhe alarmin e rrallë maksimal, nivelin e kuq për erëra, për Ishujt Scilly dhe Cornwall në jugperëndim të Anglisë.

Rreth 380 mijë familje mbetën pa energji elektrike në Francë, shumica dërrmuese në rajonin verior të Normandisë, njoftoi kompania e shpërndarjes së energjisë “Enedis”.

Ndërkohë raportohet se rreth 65 mijë familje humbën energjinë elektrike në BM.

“Gjatë natës, në rajonin veriperëndimor francez të Manches u regjistruan stuhi ere  me fuqi deri në 216 kilometra në orë”, thanë autoritetet.

Sipas autoriteteve , shtrëngatat rrëzuan pemë në disa rajone, ku të paktën njëra prej tyre ra mbi ndërtesa banimi në rajonin Seine-Maritime të Francës, pa shkaktuar të lënduar.

Në BM priten erëra deri në 160 kilometra në orë (100 milje), ndërsa “valë shumë të mëdha do të krijojnë kushte të rrezikshme në zonat bregdetare”, njoftoi Shërbimi Meteorologjik Britanik (Met Office).

Po ashtu, Met Office lëshoi një paralajmërim portokalli për borë në Uells, Anglinë qendrore dhe pjesë të Anglisë veriore, duke parashikuar deri në 30 centimetra borë (11 inç) në disa zona.

Hekurudhat Kombëtare të Britanisë së Madhe njoftuan se shërbimet hekurudhore do të preken gjatë dy ditëve të ardhshme dhe u bënë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet, përveç rasteve të domosdoshme.

Shkolla të mbyllura, probleme në udhëtime

Shkollat mbetën të mbyllura në Francën veriore, ku paralajmërime për mot ekstrem janë lëshuar në 30 rajone të tjera.

“Strehoni veten dhe mos përdorni automjetet”, paralajmëroi prefektura e Manches në platformën X të, duke u kërkuar banorëve të përgatisin ndriçim emergjence dhe furnizim me ujë të pijshëm.

Kushtet ekstreme të motit në Evropë kanë shkaktuar të paktën tetë viktima.

Policia në qytetin shqiptar të Durrësit nxori trupin e një burri nga ujërat e përmbytura, pas ditësh me reshje të dendura bore dhe shira të rrëmbyeshëm në të gjithë Ballkanin.

Në Gjermani, reshjet e dendura të borës dhe erërat e forta në veri pritej të ndikonin në shkolla, spitale dhe lidhjet e transportit.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Gjerman (DWD), në veri mund të bien deri në 15 centimetra dëborë, ndërsa në jug ekziston rreziku i formimit të akullit në rrugë.

”Temperaturat gjatë fundjavës mund të zbresin deri në minus 20 gradë Celsius në disa zona”, tha pmeteorologu i DWD-së, Andreas Walter.

Disa rajone kanë njoftuar sot mbylljen e shkollave, përfshirë qytetet veriore Hamburg dhe Bremen.

Në Hamburg, moti i keq kishte shkaktuar tashmë vonesa dhe anulime në rrjetin e transportit publik që të enjten.

Kompania kombëtare hekurudhore “Deutsche Bahn” paralajmëroi për vonesa të konsiderueshme në ditët në vijim dhe ka angazhuar më shumë se 14 mijë punonjës për të pastruar borën nga shinat dhe platformat.

Pasojë e ndryshimeve klimatike

DWD-ja bëri të ditur se stuhia pritet të zgjasë deri nesër , ndërsa reshjet e borës të ndalojnë të hënën.

Walter tha se kjo stuhi përbën një përjashtim krahasuar me vitet e fundit me dimra më të butë, të cilët janë “pasojë e ndryshimeve klimatike”.

“Edhe pse temperaturat po rriten për shkak të ndryshimeve klimatike, është ende e mundur të kemi një muaj të ftohtë me borë, por ngjarje të tilla do të bëhen më të rralla në të ardhmen,” tha ai./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Stuhitë ”Elli” dhe ”Goretti” lënë qindra mijëra evropianë pa energji elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

FRANCË – Macron: SHBA po braktis aleatët dhe rregullat ndërkombëtare

8 January 2026 at 15:57

PARIS, 8 janar /ATSH-DPA-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po u kthejnë shpinën partnerëve të tyre, duke përmendur politikat tregtare dhe të sigurisë.

”SHBA-ja është një fuqi e konsoliduar, por gradualisht po largohet nga disa prej aleatëve të saj dhe po shkëputet nga rregullat ndërkombëtare që deri vonë i promovonte vetë”, u tha  Macron sot ambasadorëve në Paris.

Ai tha se mes fuqive të mëdha ekziston një tundim për ”ta ndarë botën”.

”Institucionet shumëpalëshe po funksionojnë gjithnjë e më pak. Ne po jetojmë në një botë të fuqive të mëdha, me një tundim real për ta ndarë botën”, shtoi ai.

Fjalimi i Macron vjen në një kohë kur fuqitë evropiane po përpiqen të gjejnë një përgjigje të koordinuar ndaj politikës gjithnjë e më assertive të Uashingtonit në Hemisferën Perëndimore, përfshirë kapjen e liderit të Venezuelës, Nicolas Maduro, si dhe ambiciet e presidentit Donald Trump lidhur me Groenlandën.

Presidenti francez u ndal gjithashtu te përpjekjet në vazhdim për të siguruar një armëpushim në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, disa ditë pasi u zotua se do të vendosë trupa franceze në terren për të garantuar sigurinë e Ukrainës në rast të një marrëveshjeje paqeje.

Macron gjithashtu tha se Evropa duhet të mbrojë interesat e saj dhe bëri thirrje për konsolidimin e rregullimit evropian të sektorit të teknologjisë.

Ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së pavarësisë akademike dhe vlerësoi ”mundësinë për të pasur një hapësirë informacioni të kontrolluar ku opinionet mund të shkëmbehen plotësisht lirshëm, por ku zgjedhjet nuk bëhen nga algoritmet e disa pak kompanive”.

Brukseli ka miratuar një arsenal të fuqishëm ligjor për të frenuar gjigantët e teknologjisë – veçanërisht përmes Aktit për Tregjet Digjitale (DMA), që lidhet me konkurrencën, dhe Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), që ka të bëjë me moderimin e përmbajtjes.

Uashingtoni i ka dënuar këto rregulla si një përpjekje për të “detyruar” platformat amerikane të rrjeteve sociale të censurojnë pikëpamje që ato i kundërshtojnë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FRANCË – Macron: SHBA po braktis aleatët dhe rregullat ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – David Bowie ikona e përjetshme e transformimit artistik

8 January 2026 at 14:48

TIRANË, 8 janar /ATSH/ – Sot përkujtohet ditëlindja e David Bowie, një prej figurave më ndikuesе dhe më novatore të muzikës dhe kulturës pop.

I lindur në Londër në vitin 1947, Bowie do të shndërrohej në një artist që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si ndërthuren muzika, identiteti dhe arti skenik.

Karriera e tij nisi në fund të viteve ’60, por shpërthimi i vërtetë erdhi në fillim të viteve ’70, kur Bowie u pozicionua si një zë i ri dhe i guximshëm në skenën rock.

Ai dallohej për qasjen eksperimentale dhe për refuzimin e kufijve tradicionalë artistikë.

Krijimi i alter egos Ziggy Stardust shënoi një moment kyç në historinë e muzikës moderne.

Personazhi androgjen dhe futurist e ktheu Bowie në simbol të lirisë artistike dhe sfidës ndaj normave shoqërore të kohës.

Albumi “The Rise and Fall of Ziggy Stardust and the Spiders from Mars” u bë një nga veprat më të rëndësishme të rock-ut, duke e konsoliduar Bowie si një artist vizionar.

Kritika dhe publiku e panë atë si një figurë që po hapte rrugë të reja në art.

Në vitet që pasuan, Bowie vijoi të transformohej. Ai kaloi nga glam rock-u te soul-i, elektronika dhe muzika eksperimentale, duke treguar një aftësi të rrallë për t’u përshtatur dhe për të udhëhequr tendencat muzikore.

Albumet “Heroes” dhe “Low”, të regjistruara pjesërisht në Berlin, reflektuan një fazë më introspektive dhe eksperimentale të karrierës së tij. Këto projekte u konsideruan si gurë themeli të muzikës moderne evropiane.

Përtej muzikës, David Bowie u shqua edhe si aktor në film dhe teatër. Rolit e tij në kinematografi i dhanë një dimension tjetër figurës së tij publike dhe dëshmuan shtrirjen e gjerë të talentit të tij artistik.

Tekstet e këngëve të Bowie shpesh trajtonin tema si identiteti, izolimi, fama dhe pasiguria njerëzore. Kjo thellësi tematike e bëri muzikën e tij aktuale për breza të ndryshëm.

Në vitet e fundit të jetës, Bowie u tërhoq pjesërisht nga jeta publike, por jo nga krijimtaria.

Albumi “Blackstar”, i publikuar pak para vdekjes së tij në vitin 2016, u interpretua gjerësisht si një lamtumirë artistike e menduar me kujdes.

Sot, David Bowie mbetet një referencë e pashmangshme në muzikë dhe kulturë. Artistë të rinj vazhdojnë të frymëzohen nga guximi dhe vizioni i tij.

Ditëlindja e David Bowie shërben si një moment reflektimi për trashëgiminë e tij. Ai nuk ishte thjesht një muzikant, por një figurë që tregoi se arti mund të jetë transformim, sfidë dhe liri njëkohësisht./   /Ad.Ab./

The post MUZIKË – David Bowie ikona e përjetshme e transformimit artistik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Rusia do ta konsiderojë çdo prani ushtarake perëndimore në Ukrainë një objektiv legjitim

8 January 2026 at 12:43

MOSKË, 8 janar /ATSH-AFP/ – Rusia paralajmëroi sot se do ta konsiderojë çdo prani perëndimore në Ukrainë një objektiv legjitim për forcat e saj të armatosura, pas njoftimit nga evropianët për qëllimin e tyre për të vendosur mijëra trupa në vend pas luftës.

“Të gjitha këto njësi dhe instalime do të konsiderohen objektiva legjitime ushtarake për forcat e armatosura ruse. Këto paralajmërime janë përsëritur disa herë në nivelin më të lartë dhe mbeten të vlefshme”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Rusia dënoi edhe deklaratat, “militariste” sipas saj, pas marrëveshjes midis Kievit dhe aleatëve të tij evropianë për të vendosur trupa në Ukrainë pas përfundimit të konfliktit.

“Deklaratat e reja militariste nga i ashtuquajturi Koalicion i të Gatishëmve dhe regjimi i Kievit i bëjnë ata një bosht të vërtetë lufte”, tha Zakharova në një deklaratë./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post MOSKË – Rusia do ta konsiderojë çdo prani ushtarake perëndimore në Ukrainë një objektiv legjitim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Sanches: Të gatshëm të dërgojmë trupa për ruajtjen e paqes në Palestinë

8 January 2026 at 12:09

MADRID, 8 janar /ATSH-AFP/ – Kryeministri socialist spanjoll, Pedro Sánchez tha sot se ishte gati të dërgonte trupa paqeruajtëse në Palestinë, kur të lindte mundësia, siç kishte bërë edhe me Ukrainën.

“Do t’i propozoj parlamentit, kur të lindë mundësia, që të dërgojmë trupa paqeruajtëse në Palestinë, kur më në fund të shohim se si të ecim përpara me këtë përpjekje paqësimi dhe… në afat të mesëm ose shpresojmë më shpejt, të njohim dy shtetet, Izraelin dhe Palestinën”, tha Sánchez gjatë një ceremonie përshëndetëse të Vitit të Ri për ambasadorët spanjollë të mbledhur në Madrid.

“Padyshim që nuk po harrojmë as Palestinën dhe Rripin e Gazës”, tha udhëheqësi socialist, pasi përsëriti mbështetjen e tij për dërgimin e forcave paqeruajtëse në Ukrainë.

“Spanja duhet të marrë pjesë aktive në rindërtimin e shpresës në Palestinë. … Situata atje mbetet e patolerueshme”, shtoi ai.

“Pa dyshim, një shtet palestinez i pavarur, i qëndrueshëm dhe i sigurt do të jetë zgjidhja për stabilizimin, zhvillimin dhe përparimin e një rajoni me rëndësi të madhe, gjithashtu nga një pikëpamje gjeopolitike dhe gjeostrategjike, për kontinentin tonë dhe për vendin tonë”, argumentoi më tej ai.

Qeveria spanjolle, e cila njohu Shtetin e Palestinës në vitin 2024, ka qenë një nga zërat më të fuqishëm në Evropë që nga nisja e ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, e shkaktuar nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, në Izraelin jugor./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post SPANJË – Sanches: Të gatshëm të dërgojmë trupa për ruajtjen e paqes në Palestinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA prezanton udhëzime të reja dietike, më shumë proteina dhe më pak ushqime të përpunuara

8 January 2026 at 10:33

UASHINGTON, 8 janar /ATSH/ – Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr. ka prezantuar udhëzimet e reja dietike të SHBA-së, të cilat u bëjnë thirrje amerikanëve të konsumojnë më shumë proteina dhe të kufizojnë ushqimet shumë të përpunuara si dhe sheqerin e shtuar, sipas BBC.

Udhëzimet, që publikohen çdo pesë vjet nga Departamenti i Bujqësisë dhe Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, sugjerojnë gjithashtu tre racione në ditë të produkteve të qumështit me yndyrë të plotë dhe lehtësojnë kufizimet për pijet alkoolike.

Këto udhëzime përbëjnë bazën e programeve federale të ushqyerjes, përfshirë programet e vakteve shkollore, dhe të rejat kanë marrë reagime të përziera nga ekspertët.

”Mesazhi im është i qartë: hani ushqim të vërtetë”, tha Kennedy në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

Në përgjithësi, rekomandimet nxisin konsumimin e proteinave, produkteve të qumështit me yndyrë të plotë, drithërave integrale të pasura me fibra, si dhe frutave dhe perimeve, ndërsa këshillojnë shmangien e sheqernave dhe ushqimeve shumë të përpunuara, përfshirë snack-et e parapaketuara si patatinat, biskotat dhe karamelet.

Theksi mbi produktet e qumështit me yndyrë të plotë përbën një ndryshim nga udhëzimet e mëparshme, të cilat sugjeronin qumësht me pak yndyrë ose pa yndyrë për të kufizuar konsumin e yndyrave të ngopura.

Udhëzimet rekomandojnë gatimin me vajra si vaji i ullirit, por sugjerojnë edhe dhjamin e viçit si një alternativë — një preferencë e Kennedyt — edhe pse ai është i pasur me yndyra të ngopura.

Ndryshimet e përgjithshme u mirëpritën nga disa ekspertë mjekësorë, përfshirë Shoqatën Mjekësore Amerikane, e cila ka kritikuar disa nga veprimet e Kennedyt që nga marrja e detyrës./  /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post FOKUS – SHBA prezanton udhëzime të reja dietike, më shumë proteina dhe më pak ushqime të përpunuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PRAGË – Babis: Do të vazhdojmë t’i dërgojmë armë Ukrainës

7 January 2026 at 15:56

PRAGË, 7 janar /ATSH-DPA/ – Kryeministri i ri i Republikes Çeke, populisti i djathtë, Andrej Babis tha sot se nuk do të ndërpresë një iniciativë për armë e municione për Ukrainën, pavarësisht premtimeve të tij gjatë fushatës elektorale për ta  ndërprerë këtë.

“Projekti do të vazhdojë  dhe Republika Çeke do të jetë në rolin e koordinatorit”, njoftoi Babis, 71 vjeç.

Por, ai tha se paratë e taksapaguesve çekë nuk do të investoheshin më në këtë projekt.

“Kjo është pak a shumë një çështje simbolike, pasi donatorët kryesorë kanë përfshirë vende si Gjermania, Danimarka dhe Holanda, ndërsa Praga ka dhënë vetëm një pjesë të vogël të fondeve”, tha Babis.

Miliarderi dhe lideri i partisë populiste të djathtë ANO kishte kritikuar ashpër projektin gjatë fushatës së tij dhe kërkoi ndërprerjen e tij, po ashtu si dy partnerët e tij të koalicionit të ekstremit të djathtë.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë u mblodh në Pragë për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Përveç shefave të ushtrisë dhe të zbulimit, pritej të merrte pjesë edhe presidenti Petr Pavel.

Ukraina ka një nevojë të vazhdueshme për armë e municion artilerie për t’u mbrojtur nga Rusia, e cila filloi një pushtim të gjerë pothuajse katër vjet më parë./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post PRAGË – Babis: Do të vazhdojmë t’i dërgojmë armë Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Papunësia shënon rritjen më të lartë të 15 viteve të fundit

7 January 2026 at 14:45

NUREMBERG, 7 janar /ATSH-DPA/ – Papunësia në Gjermani u rrit në 2,9 milionë persona në dhjetor, me 23 mijë më shumë krahasuar me muajin paraardhës dhe me rritjen më të lartë të 15 viteve të fundit, treguan sot të dhënat zyrtare.

Sipas Agjencisë Federale të Punësimit (BA), ky është niveli më i lartë i regjistruar që nga dhjetori i vitit 2010, kur 3,012 milionë persona ishin të regjistruar si të papunë.

Në krahasim me dhjetorin e vitit 2024, numri i të papunëve u rrit me 101 mijë, ndërsa norma e papunësisë u rrit me 0,1 pikë përqindje në baza mujore duke arritur në 6,2%.

Sipas agjencisë, shifrat bazohen në të dhënat e disponueshme deri më 11 dhjetor.

”Tregu i punës vazhdon të mos ketë vrull ekonomik”, deklaroi drejtuesja e BA-së, Andrea Nahles.

Rritja e papunësisë në dhjetor është e zakonshme, pasi më pak kompani punësojnë staf të ri dhe numri i vendeve të punës bie në sektorë si ndërtimi apo bujqësia për shkak të kushteve të ftohta të dimrit.

Megjithatë, Nahles theksoi se tregu i punës është përkeqësuar gradualisht gjatë vitit si pasojë e ngadalësimit ekonomik.

”Në përmbledhje, situata është më e dobët se një vit më parë. Megjithatë, ka shenja se kemi arritur pikën më të ulët”, shtoi ajo.

Kërkesa për fuqi të re punëtore vazhdoi të bjerë edhe në dhjetor, me agjencinë që regjistroi 619 mijë vende të lira pune, 35 mijë më pak krahasuar me një vit më parë.

Sipas institutit kërkimor të BA-së, IAB, nuk dallohen prirje të qarta për muajt në vijim./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post GJERMANI – Papunësia shënon rritjen më të lartë të 15 viteve të fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Pezeshkian: Forcat e rendit të mos ndërhyjnë ndaj protestuesve

7 January 2026 at 14:34

TEHERAN, 7 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti iranian, Massoud Pezeshkian u bëri thirrje sot forcave të rendit të mos ndërmarrin asnjë masë kundër protestuesve, duke bërë një dallim të qartë mes tyre dhe personave të dhunshëm, sipas deklaratave të raportuara nga agjencia e lajmeve Mehr.

”Sot, presidenti Pezeshkian ka urdhëruar që të mos merren masa sigurie ndaj protestuesve dhe personave që marrin pjesë në tubime”, deklaroi në një video të publikuar nga Mehr pas mbledhjes së qeverisë, zëvendëspresidenti ekzekutiv, Mohammad Jafar Ghaempanah.

”Ata që mbajnë armë zjarri, thika apo mjete të tjera dhe që sulmojnë komisariate policie dhe objekte ushtarake janë persona që duan të shkaktojnë trazira, dhe duhet bërë dallim mes tyre dhe protestuesve”, shtoi Ghaempanah./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post IRAN – Pezeshkian: Forcat e rendit të mos ndërhyjnë ndaj protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Çmimet e naftës bien sërish, pas deklaratave të Trump për Venezuelën

7 January 2026 at 12:40

LONDËR, 7 janar /ATSH-AFP/ – Çmimet e naftës vijuan sot rënien, mes frikës për rritje të ofertës, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Venezuela do t’i dërgojë Shteteve të Bashkuara deri në 50 milionë fuçi naftë.

Në një postim dje në platformën e tij Truth Social, Trump tha se qeveria e përkohshme e Venezuelës do t’i dorëzojë SHBA-së nga 30 deri në 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar duke e paraqitur këtë veprim si përfitim për të dyja vendet.

Një fuçi përmban 159 litra.

Kjo sasi është e barabartë me prodhimin një deri në dy mujor të naftës të Venezuelës.

Nafta do të shitej me çmime tregu dhe të ardhurat do të kontrolloheshin prej tij si president, për të garantuar se do të përdoreshin në dobi të popullit të Venezuelës dhe të Shteteve të Bashkuara, sipas Trump.

Një fuçi e naftës Brent të Detit të Veriut për dorëzim në mars u ul sot në mëngjes me 56 cent ose gati 1%, në 60,14 dollarë, pasi çmimi kishte rënë me afro 2% të martën.

Ndërkohë, çmimi i një fuçie të naftës amerikane WTI për dorëzim në shkurt u ul me 73 cent ose 1,3%, në 56,40 dollarë.

Fillimisht ishte e paqartë se për çfarë periudhe kohore do të vihej në dispozicion vëllimi i naftës së papërpunuar i përmendur nga Trump.

Nafta është burimi më i rëndësishëm i të ardhurave dhe valutës së huaj për Venezuelën.

Udhëheqja e re në Karakas nuk reagoi menjëherë ndaj njoftimit të Trump. /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Çmimet e naftës bien sërish, pas deklaratave të Trump për Venezuelën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – 2025-a viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Norvegji

7 January 2026 at 12:01

OSLO, 7 janar /ATSH-AFP/ – Viti 2025 ka qenë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Norvegji, me një verë të shënuar nga një valë e fortë të nxehti dhe një fillimdimri të vonuar e jashtëzakonisht të butë, njoftoi sot Instituti Meteorologjik Norvegjez.

Si një tjetër tregues i çrregullimeve klimatike të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore, termometri arriti në 4,0 gradë Celcius më 22 dhjetor në Longyearbyen, kryeqendra e arkipelagut të Svalbardit në zemër të Arktikut, më shumë se në Sevilje (3,0 gradë Celcius)  apo Ankara (1,0 gradë Celsius) në të njëjtën ditë.

“Është një vit rekord”, deklaroi klimatologu Hans Olav Hygen nga Instituti Meteorologjik Norvegjez.

“Shumë zona të Norvegjisë përjetuan një verë jashtëzakonisht të nxehtë, me një valë të fortë të nxehti në korrik. Kjo, sigurisht, ndikon në bilancin e gjithë vitit. Për më tepër, para Krishtlindjeve pamë një fund vjeshte dhe një fillim dimri relativisht të butë”, shtoi ai.

Në shkallë kombëtare, temperaturat mesatare vitin e kaluar rezultuan 1,6 gradë Celcius mbi normalen (mesatarja e periudhës 1991–2020) dhe 2,8 gradë Celcius mbi nivelet e periudhës paraIndustriale (1871–1900), sipas Institutit./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post METEO – 2025-a viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Norvegji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌