Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 January 2026Main stream

Gjendet pa shenja jete një 58-vjeçar në Bulqizë, dyshimet e para

31 January 2026 at 14:23

Në një zonë minerare në Bulqizë, është gjetur pa shenja jeta një 58-vjeçar, i cili punonte si roje private te një subjekt minerar.

Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se 58-vjeçari mund të ketë rrëshqitur nga një lartësi dhe, për pasojë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Gjokoviç drejt historisë/ Ish-numri 1 i botës mund të bëhet fituesi më i vjetër në një Grand Slam

31 January 2026 at 14:06

Po mbushen tre vjet që kur ia doli për herë të fundit. Novak Gjokoviç mund të jetë një legjendë e gjallë e tenisit dhe e sportit në tërësi, veçse mosha e shtyrë ka bërë që shumëkush ta heqë nga lista e kampionëve.

Gjithsesi, ylli I lindur në Beograd gati katër dekada më parë tregoi se ndonjëherë fjala “e pamundur” nuk ekziston.

Napoleoni thuhet se e kishte hequr nga fjalori, dhe duket se këtë po përpiqet të bëjë edhe Nole që kaloi pengesën e madhe Janik Siner në gjysmëfinalen e Grand Slemit Australian Open.

Pasi kishte humbur pesë herë radhazi ndaj italianit, serbi gjeti forca për të triumfuar 3-2 me sete pas më shumë se 4 orë loje.

Rezultati ishte 3-6, 6-3, 4-6, 6-4, 6-4.

Në moshën 38 vjeç, 8 muaj e 10 ditë, ai synon rekordin si më I vjetri tenist në histori që fiton një Grand Slem.

Këtë rekord e mban australiani Ken Rouzuoll që ia doli 37 vjeç.

Megjithatë, fakti që kaloi numrin 2 të botës nuk I ka garantuar ende asgjë.

Në finale përballë tij do të jetë numri 1 I botës, spanjolli 22-vjeçar, Karlos Alkaraz, që gjithashtu jepet thellësisht favorit.

I tillë ishte edhe 24-vjeçari Siner.

Ylli nga Beogradi mban rekordin botëror të 24 Grand Slemeve të fituara në karrierë, e tani të 38 finaleve Grand Slem, bashkë me këtë të së dielës.

Ai është rekordmen botëror edhe me 51 gjysmëfinale të Çmimeve të Mëdha.

Sa për rekordin e fitoreve në Australian Open, Nole e ka ngjitur në 104, dy më shumë sesa legjenda tjetër, Rozher Federer.

Ronaldo drejt 1 000 golave/ Superylli portugez realizoi rrjetën numër 961 në karrierë

31 January 2026 at 14:02

Ndoshta vërtet nuk do të ndalet derisa t’ia dalë. Ambicia është ajo që e mban njeriun në jetë, dhe kjo ego e madhe po bën që Kristiano Ronaldo ta sfidojë tërësisht moshën.

Edhe pse 40 vjeç, superylli portugez vazhdon ndjekjen e objektivit të madh të karrierës, arritjen e shifrës së 1 000 golave si futbollist profesionist.

Mbrëmjen e fundit hodhi edhe një hap tjetër.

Shënoi rrjetën numër 961, ndërsa Al Nasr fitoi 3-0 në fushën e rivalit Al Holud, në Ligën Profesioniste Saudite.

Kjo ndodhi me të nisur pjesa e dytë, ndërsa më pas realizuan edhe Simakan e Koman me penallti, sepse CR7 ishte zëvendësuar në 79’.

Përveç 1000 golave, Kristiano kërkon edhe Këpucën e Artë këtë sezon, dhe është në vend të dytë në këtë renditje me 17, një më pak se I pari.

Në 21 janar, në fitoren 2-1 në fushën e kundërshtarit Damak, portugezi u bë shënuesi më I mirë I huaj në historinë e klubit, e tashmë ka 117 rrjeta ndaj 115 që kishte ish-rekordmeni, marokeni Hamdallah.

Ndërkaq, Ronaldo synon titullin e parë me Al Nasrin, sepse në Arabinë Saudite nuk ka fituar asgjë deri tani.

Skuadra e tij mban vendin e dytë me 43 pikë, tri më pak sesa kryesuesja Al Hilal kur ka kaluar pak më shumë se gjysma e sezonit.

Rashica “përkthyes” i Asllanit, ylli i Kosovës ndihmon mesfushorin e Shqipërisë në ditën e parë

31 January 2026 at 13:59

Nuk ka kohë për të humbur. Kristian Asllani e thotë edhe vetë se është I lodhur, por duhet të vazhdojë. Futbollisti I kombëtares menjëherë pas prezantimit dhe firmosjes së kontratës, u bashkua me skuadrën e tij, Beshiktash, dhe aty e pati menjëherë një ndihmë.

Njeriu që I ndenji në krah, që I bëri shoqëri që në orët e para dhe që luajti edhe rolin e përkthyesit ishte Milot Rashica.

Lojtari I Kosovës është prej 4 sezonesh në Turqi, fillimisht i huazuar tek Gallatasaraji e më pas I blerë si karton nga Beshiktashi, dhe për Asllanin ky është një plus I madh.

Gjithsesi, pavarësisht ndihmës së Rashicës, mesfushori kuqezi do të duhet që t’ia dalë vetë.

Padyshim që ai u prit si një përforcim i rëndësishëm nga klubi i madh i Stambollit që ndodhet vetëm në vendin e pestë në Superligën e Turqisë, sepse vjen nga Seria A, veçse kohët e fundit nuk është se ka bindur sa duhet.

Huazimi I parë I tij këtë sezon ishte nga Interi tek Torino, gjithnjë në Itali, por klubi piemontez vlerësoi se shqiptari nuk dha atë që pritej. Tek zikaltërit është e qartë se nuk ka më vend, dhe shpresa është që të arrijë të shkëlqejë në futbollin turk.

Duket se karriera e Asllanit është në një udhëkryq, dhe ai duhet të reagojë për të mirën e tij dhe për të kombëtares shqiptare, në të cilën është një nga lojtarët kryesorë.

Në kërkim dhe të dënuar për disa vepra penale/ Merr fund arratia e tre të rinjve në Tiranë

31 January 2026 at 13:54

Policia e Tiranës ka arrestuar tre shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, dy prej të cilëve të dënuar për plagosje të rëndë me dashje.

Mes të arrestuarve është një 31 vjeçar, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 2 muaj e 22 ditë burgim.

Po ashtu në pranga u vu dhe një 29 vjeçar, i dënuar nga Gjykata e Apelit me 4 vite e 6 muaj burgim për të njëjtën vepër penale. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 8 muaj e 22 ditë burgim.

Personi i tretë, i cili u arrestua nga Policia e Tiranës është 35 vjeç. Ndaj tij Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ai iu dorëzua Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale.

Manaj rikthehet në Turqi / Sulmuesi shqiptar largohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe

31 January 2026 at 13:49

Nuk e kanë harruar aspak. Rej Manaj mbetet një hero për tifozët e Sivasporit, për golat e shumtë dhe stilin agresiv dhe të sakrificës së lojës së tij, e tani do ta kenë sërish në ekip.

Sulmuesi I kombëtares shqiptare I dha fund aventurës vetëm 6-mujore në Emiratet e Bashkuara Arabe. Vetë klubi ku ai luajti këto kohë, Al Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka lajmëruar zyrtarisht ndarjen me futbollistin.

Në njoftimin në rrjet Al Sharjah I uron çdo të mirë Manajt dhe njofton se kontrata është ndërprerë me mirëkuptim.

Theksojmë se kartoni I tij u mor nga klubi nga Emiratet për 2 milionë euro.

Në pak kohë në Gjirin Persik, ylli kuqezi shënoi 6 gola në 21 ndeshje, në kampionat, kupë dhe në Championsin e Azisë, një paraqitje e mirë duke pasur parasysh edhe pengesat e përshtatjes.

Ndërkaq, në Sivaspor, Manaj ka histori tjetër. Ai ka realizuar 34 rrjeta dhe ka shërbyer 8 asistë në 63 ndeshje, duke arritur të fitojë edhe Këpucën e Bronzit në 2023-2024 kur shënoi 18 herë I lënë pas vetëm nga yje si Ikardi apo Xheko.

Kombëtarja humb “pjesët”/ Disa lojtarë kuqezinj janë të dëmtuar, sidomos në mbrojtje

31 January 2026 at 13:47

Fundi i marsit është ende larg, por nuk mund të thuhet se kohë ka. Në futboll e nesërmja vjen shumë shpejt dhe padyshim që trajneri Silvinjo dhe stafi i tij e kanë harruar tërësisht suksesin në eliminatoret e Kupës së Botës, kur siguruam vendin në plej-of.

Ndeshje si ajo në Serbi apo në Moldavi le të jenë arkivë, ndërsa momenti është me shumë probleme.
Shqipëria ka disa futbollistë të dëmtuar, disa që luajnë pak, disa që janë duke u larguar nga klubi i tyre, ose që kanë shkuar në një klub tjetër.

Dëmtimet kanë goditur më shumë mbrojtjen, ku Ismajli e Gjimshiti kanë pasur shqetësime kohët e fundit, madje tepër shpesh këtë sezon.
Edhe Kumbulla nuk e ka vendin të garantuar në La Ligën e Spanjës tek Majorka pas dëmtimit që pësoi, dhe po ashtu Ivan Balliu këtë sezon herë luan e herë jo, ndërsa ka pasur dy përplasje me trajnerin.

Elseid Hysaj është drejt largimit nga Lacio, i lënë në stol edhe në ndeshjen e fundit në Serinë A, ndërsa ka luajtur shumë pak kohët e fundit.


Mario Mitaj gjithashtu nuk ka më sigurinë e mëparshme në Arabinë Saudite. Mbrojtësi i rëndësishëm i krahut të majtë ka alternuar ndeshje të plota si titullar dhe sfida të tjera kur është lënë në tribunë, dhe statusi i tij tek Al Itihadi është në dyshim prej muajsh.

Në mesfushë kanë probleme disa nga lojtarët më të rëndësishëm. Nedim Bajrami prej kohësh është rezervë te Gllazgou Rejnxhërsi në Skoci, ndonëse trajneri Silvinjo nuk e ka humbur besimin tek ai.

Asllani, ndërkaq, nuk po gjen stabilitet, që nga Interi, Torino e tani Beshiktashi, ndërsa nga Italia e larguan si të padëshiruar.
Medon Berisha, një nga më të mirët shqiptarë në Serinë A, mbetet i dëmtuar, edhe pse pritet të kthehet shpejt dhe të jetë gati për plej-ofin e Botërorit ndaj Polonisë.

Duke kaluar tek sulmi, Armando Broja ende nuk po ndez siç duhet.
Sulmuesi vërtet e shënoi një gol për Bërnlin në Angli pas gati dy vitesh, por kaq është tepër pak dhe kjo nuk mjafton që të themi se është në formën e duhur.

Rej Manaj është në ajër, duke mos gjetur qetësi as në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe as në Turqi, ndonëse me kombëtaren ka qenë i rëndësishëm.
Së fundmi, Mirlind Daku është pushim në Rusi dhe pritet të kthehet në fushë në fillim të marsit, kur rifillon Premier Liga.

Paradoksalisht, lojtarët tanë më në formë janë ata që Silvinjo ose i aktivizon pak, ose nuk i merr fare. Ernest Muçi ka qenë fenomen në Turqi, duke shënuar shumë dhe duke fituar edhe çmimin e golit të muajit dy herë.


Po ashtu, Anis Mehmeti ka shkëlqyer në kategorinë e dytë të Anglisë dhe, pas Bristol Sitit, kaloi tek Ipsuiçi, ndonëse prej dy vitesh e gjysmë nuk grumbullohet në ekipin përfaqësues.

Mbyllet sërish qeveria amerikane, ngërçi te financimi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare

31 January 2026 at 13:22

Qeveria e Shteteve të Bashkuara është mbyllur pjesërisht, pavarësisht një marrëveshjeje financimi të miratuar nga Senati.

Ndërprerja e financimit filloi në mesnatë nga e premtja në të shtunë sipas kohës lokale, disa orë pasi senatorët ranë dakord të financonin shumicën e agjencive deri në shtator. Projektligji përfshin vetëm dy javë financim për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr zbatimin e ligjit për emigracionin, në vend që ta mbyllë atë tërësisht.

Marrëveshja ende nuk është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila aktualisht nuk po mban seanca.

Presidenti amerikan Donald Trump, arriti marrëveshjen me demokratët pasi ata refuzuan të jepnin më shumë fonde për zbatimin e ligjit për emigracionin pas të shtënave fatale të dy qytetarëve amerikanë në Minneapolis nga agjentët federalë.

Kjo është mbyllja e dytë e qeverisë brenda një kohe të shkurtër dhe vjen vetëm 11 javë pas përfundimit të bllokimit të mëparshëm të financimit që zgjati 43 ditë, më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Mbyllja e qeverisë në vitin 2025, nga 1 tetori deri më 14 nëntor, pati ndikime të gjera në shërbimet thelbësore qeveritare, përfshirë udhëtimin ajror, dhe la qindra mijëra punonjës federalë pa paga për javë të tëra.

Por kjo mbyllje e pjesshme nuk ka gjasa të jetë kaq e gjatë ose e përhapur në shumë shërbime, pasi Dhoma e Përfaqësuesve do të rifillojë seancën të hënën.

Megjithatë Shtëpia e Bardhë u ka udhëzuar disa agjencive, përfshirë departamentet e transportit, arsimit dhe mbrojtjes, që të zbatojnë planet e mbylljes.

Ligjvënësit planifikojnë të përdorin periudhën dy javore gjatë së cilës Departamenti i Drejtësisë do të vazhdojë të financohet për të negociuar një marrëveshje. Demokratët duan që kjo marrëveshje të përfshijë politika të reja për agjentët e zbatimit të ligjit për emigracionin

Aksident në Palasë/ Përmbyset automjeti i tonazhit të rëndë, tre të lënduar

31 January 2026 at 12:46

PALASË– Një aksident rrugor ka ndodhur në Palasë, ku një automjet i tonazhit të rëndë është përmbysur në rrugë.

Në mjet ndodheshin tre persona në momentin e aksidentit.

Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre është transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore, ndërsa dy të tjerët kanë marrë dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën./abcnews.al

Epstein me sytë nga Tirana? Ish-kryeministri i Norvegjisë i çon e-mail nga Shqipëria: Ka vajza të bukura!

31 January 2026 at 12:18

Emra të njohur politikanësh, biznesmenësh dhe personazhe të fuqishme janë përmendur në dosjet e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein. Miliona email-e nxjerrin në dritë detaje të panjohura më parë dhe vende që duket se ishin në rrethin e njerëzve të dyshuar dhe të akuzuar për krime.

Mes tyre është edhe Shqipëria e cila përmendet nga ish-Kryeministri norvegjez dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjørn Jagland. Në një e-mail të dërguar në 25 maj të vitit 2012, Jagland i shkruan Epstein se kishte vizituar Tiranën, ku vajzat ishin të jashtëzakonshme.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

“Përshëndetje Jeffrey. Kam qenë në Tiranë (Shqipëri) vajza të jashtëzakonshme. Do të shkoj në Jordani, Palestinë dhe Izrael. Kthehem të enjten”, shkruhet në mesazh.

Në kohën e këtij komunikimi Jagland mbante postin postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës dhe ka qenë i angazhuar në Shqipëri për zgjidhjen e krizës politike që shpërtheu në janar 2011 dhe pas zgjedhjeve lokale të atij viti.

Bazuar në datat e shkëmbimit të mesazheve, kuptohet se email-i është dërguar një ditë pas vizitës zyrtarë të Jagland në Tiranë, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë përfshirë edhe kryeministrin e kohës Sali Berisha në kuadër të angazhimeve të Këshillit të Europës.

Në email nuk flitet për takime apo detaje të tjera, por duket se edhe Tirana, nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së Jeffrey Epstein dhe rrethit të tij.

Ndërkohë në dosjet e publikuara dalin në dritë edhe komunikime të tjera mes Jagland dhe Epstein, ku në një prej tyre flitet edhe për planifikimin e një vizite në ishullin e ish financierit në Karaibe.

Si paguajmë fishekzjarrët e PD/ KQZ ndan fondet për partitë, PD merr miliona lekë për… molotovë

31 January 2026 at 12:02

Mijëra euro për aksionin opozitar. KQZ ka bërë gati shpërndarjen e fondeve vjetore për partitë politike në 2026. Ndonëse jo vit zgjedhor, 3.5 milionë euro do t’u jepen partive. Rreth gjysmat e tyre, 1.66 milionë euro i merr PS, partia më e votuar nga shqiptarët, e cila ka dhe shumicën e mandateve në parlament.

PD do të marrë 800 mijë euro. Viti i kaluar zgjedhor ishte një periudhë me shumë shpenzime për selinë blu.

Vetëm në fushatë zgjedhore u shpenzuan 1.4 milionë dollarë për fushatuesin e Trump, La Civita, 800 mijë dollarë për organizimin e fushatës së zgjedhjeve të 11 majit dhe 6 milionë dollarë kontrata e lobimit në SHBA, edhe pse kjo me këste deri në 2027

Kurse këtë vit, të vetmet shpenzime që PD ka  planifikuar, veç disa foltoreve të Sali Berishës janë molotovët dhe fishekzjarrët që do të përdoren në protestat e premtuara para kryeministrisë për të rrezuar qeverinë.

Megjithatë, në shpërndarjen e fondeve bie në sy se, pavarësisht se opozita është ndarë në dhjetëra parti, të marra të gjitha së bashku, të vjetra dhe të reja marrin në total 1.68 milionë euro po aq sa PS, e cila e vetme mori mijëra vota dhe 30 mandate më shumë.

Kjo tregon se hileja e opozitës me partitë e vogla funksionoi. Mjaftoi firma për koalicionin Shqipëria Madhështore që 4 parti pa përfaqësim në parlament, por me deputetë fiktivë nga PD, të marrin secila nga rreth 60 mijë euro.

Endrit Shabani e nisi 2026 si Avokat Populli por partia e tij opozitare Nisma Thurje përfiton 40 mijë euro. Kurse Lulzim Basha, që për momentin është çaktivizuar nga politika reale, me koalicionin euroatlantik merr 45 mijë euro.

Lulzim Basha mund të jetë në arrati dhe partia e tij ka mbyllur dyqanin por dikur i përkëdheluri i Berishës vazhdon të jetë makinë parash. Dhe si molotovët, fishekzjarrët apo partitë pa përfaqësi, do të vijojnë të paguhen me mijëra euro nga taksat e qytetarëve./abcnews.al

Në kërkim për kultivim lëndësh narkotike, arrestohet i riu në Malësi të Madhe

31 January 2026 at 11:35

Një 25-vjeçar nga Malësia e Madhe, i cili ishte shpallur në kërkim është arrestuar nga Policia. Ai akuzohet se në bashkëpunim me familjarët e tij, ka kultivuar 1275 bimë narkotike pranë banesës së tyre, në fshatin Aliaj.

Bimët narkotike janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë në muajin shtator.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera dyshohet se i riu në bashkëpunim me familjarët e tij, ka kultivuar në tokën pranë banesës së tyre, në fshatin Aliaj, 1275 bimë narkotike, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar  më 4 shtator 2025.

 

Presidenti Trump: Jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje Ukrainë-Rusi

31 January 2026 at 11:27

 Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi se beson se një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë mund të jetë afër, edhe pse pranoi armiqësinë e thellë midis udhëheqësve të të dy vendeve.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se armiqësia personale dhe politike midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentit rus Vladimir Putin ka komplikuar përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.

“Zelenskyy dhe Putin e urrejnë njëri-tjetrin dhe kjo e bën shumë të vështirë. Por mendoj se jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje”, tha Trump.

Ai nuk dha detaje për përmbajtjen e diskutimeve në vazhdim.

“Mendoj se kemi një shans të mirë për ta zgjidhur”, shtoi presidenti amerikan.

Tregtonte droga të forta/ Arrestohet 45-vjeçari në Durrës, përplasi makinën e Policisë në përpjekje për t’u larguar

31 January 2026 at 10:46

Policia e Durrësit ka arrestuar një 45-vjeçar, i identifikuar si Julian Ismailaj. Ai akuzohet se tregtonte lëndë narkotike. I arrestuari, gjatë tentativës për t’u larguar, përplasi me automjetin që drejtonte në efektin e lëndëve narkotike, automjetin e Policisë që i ishte vënë në ndjekje.

Nga kontrolli në automjet u gjet heroine, kokainë dhe 1 elektroshok.

Gjithashtu u shpallën në kërkim edhe dy bashkëpunëtorë të të arrestuarit, ku njëri prej tyre i kishte dhënë 45-vjeçarit, automjetin me qira.

Po ashtu, procedohet penalisht edhe një person tjetër, i cili dyshohet se për motive të dobëta, kanosi një person me pistoletë lodër.

 

Shembet miniera në Kongo, raportohet për mbi 200 të vdekur

31 January 2026 at 10:26

Më shumë se 200 persona kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një miniere në Republikën Demokratike lindore të Kongos.

Kjo u konfirmua nga Lumumba Kambere Muyisa, zëdhënës i guvernatorit të emëruar nga rebelët të provincës ku ndodhet miniera.

Rubaya prodhon rreth 15% të koltanit në botë, i cili përpunohet në tantal, një metal rezistent ndaj nxehtësisë që është shumë i kërkuar nga prodhuesit e telefonave celularë, kompjuterëve, komponentëve hapësinorë dhe turbinave me gaz. Vendi, ku vendasit gërmojnë manualisht për disa dollarë në ditë, ka qenë nën kontrollin e grupit rebel AFC/M23 që nga viti 2024.

Shembja ndodhi të mërkurën dhe numri i saktë i viktimave ishte ende i paqartë deri të premten në mbrëmje.

“Më shumë se 200 persona ishin viktima të kësaj rrëshqitjeje dheu, përfshirë minatorë, fëmijë dhe gra. Disa njerëz u shpëtuan pikërisht në kohë dhe kanë lëndime serioze”, tha Muyisa, duke shtuar se rreth 20 persona të plagosur po trajtohen në mjediset shëndetësore.

Një këshilltar i guvernatorit tha se numri i të vdekurve të konfirmuar ishte të paktën 227. Ai foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të informonte median

I dënuar në SHBA për akte terroriste/ Prokuroria e Tiranës kërkon konfiskimin e pasurive të familjarëve të Sajmir Alimehmetit

31 January 2026 at 10:08

TIRANË- Prokuroria Tiranës ka kërkuar konfiskimin e pasurive të familjarëve të Sajmir Alimehmetit, i cili rezulton i dënuar në SHBA për vepra penale në fushën e akteve terroriste.

Konkretisht, Alimehmeti rezulton i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg, pasi ka siguruar ose ka tentuar të sigurojë mbështetje materiale për individë apo grupe të përfshirë në aktivitet terrorist dhe ka bërë deklarim të rreme për t’u pajisur me pasaportë.

Njoftimi i Prokurorisë: 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi konfiskimin e pasurive të familjarëve të shtetasit S.A., i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg, për vepra penale në fushën e akteve terroriste, me akuzën se ka siguruar ose ka tentuar të sigurojë mbështetje materiale për individë apo grupe të përfshirë në aktivitet terrorist dhe ka bërë deklarim të rreme për t’u pajisur me pasaportë.

Aktualisht ky shtetas, i njohur ndryshe edhe si A.Q., në Shqipëri po hetohet për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ndërsa hetimet mbi procedimin pasuror nr.8 të vitit 2025, nisën nga informacionet e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar.

 

Ky shtetas, është i biri i shtetasve Z.A. dhe V.A. Nga verifikimi i bërë në lidhje me të dhe familjarët e tij, rezultoi se ka transaksione financiare në banka shqiptare të nivelit të dytë, apo veprime të tjera ekonomike në vlera të larta ekonomike të cilat nuk mund të justifikohen me të ardhurat e krijuara ndër vite. Këta shtetas deklaruan se të ardhurat i kanë krijuar nga qiratë e kursimet, por nuk kanë dokumente të provojnë këto deklarata dhe vlerat monetare objekt kërkese për konfiskim nuk kanë prejardhje të ligjshme si dhe faktin që këto pasuri nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme dhe dokumentacion.

Përfundimisht bazuar në hetimin e kryer vlerat monetare të mësipërme nuk justifikohen nga subjekti S.A. dhe pjestarët e tjerë të familjes së tij.

Për këtë arsye Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon konfiskimin dhe kalimi në pronësi të shtetit të llogarive si më poshtë:

Llogaritë e shtetasit Z.A. me gjendje lekë 39.49, Usd 4.74, si dhe depozitat në vlerën USD 50,109.56 dhe Lekë 3,862,244.93;

Llogaritë e Shtetases V. A. me gjendje Eur 15,001.09; dhe

Llogaritë e shtetasve Z.A. dhe V.A. me gjendje Lek 11,734,250.00.

 

SHBA, çmimi i arit bie mbi 10 për qind

31 January 2026 at 10:05

 Çmimet e arit, pasi u rritën vazhdimisht për rreth dhjetë javë, shënuan një rënie të fortë të premten. Rreth orës 18:30 GMT, çmimi i arit për ons ra në nivelin 4.775 dollarë, me rreth 11 për qind rënie në bazë ditore.

Megjithatë, ari është rritur me rreth 88 për qind gjatë 12 muajve të fundit dhe rreth 19 për qind që nga fillimi i vitit, i mbështetur nga tensionet e shtuara tregtare dhe gjeopolitike, si dhe nga uljet e normave të interesit nga bankat kryesore qendrore.

Edhe çmimet e argjendit pësuan një rënie të fortë, duke u ulur me mbi 33 për qind në 76,1 dollarë për ons. Rritja e tij gjatë 12 muajve ishte 255,6 për qind.

Vendimi i Rezervës Federale (Fed) të mërkurën për të mbajtur normat e interesit të pandryshuara ndihmoi dollarin të rikuperohej nga nivelet më të ulëta të shumë viteve, megjithëse ai mbeti pranë një rënieje të dytë radhazi javore.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se ka zgjedhur ish-guvernatorin e Rezervës Federale, Kevin Warsh, si kandidat për postin e kryetarit të ardhshëm të Fed-it, duke thënë se ai do të jetë “një nga kryetarët më të mëdhenj të Fed-it, ndoshta më i miri”.

Megjithatë, procesi i konfirmimit mund të rezultojë i vështirë, pasi disa senatorë republikanë janë zotuar të bllokojnë çdo nominim për Fed-in derisa Departamenti amerikan i Drejtësisë të përfundojë hetimin mbi rinovimin e selisë së bankës qendrore në Washington.

EMRAT/ Kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, tre të arrestuar në Tiranë

31 January 2026 at 09:27

Policia e Shtetit ka identifikuar shtatë persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe nga Turqia, dhe më pas i magazinonin në Tiranë dhe i shisnin në treg duke shmangur detyrimet tatimore.

Tre prej tyre janë arrestuar, kurse të tjerët janë proceduar penalisht.

Gjatë aksionit janë sekuestruar 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta dhe 2 automjete.

Tre personat u kapën në flagrancë gjatë operacionit, duke transportuar me 2 automjete, 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta.

Të arrestuarit Sofokli Bushi, Bilbil Llangozi dhe Ali Bushati akuzohen për veprat penale “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të paligjshëm.

❌
❌