Ambasada e Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë ka njoftuar se që nga ora 07:00 ka nisur procesi i votimit për qytetarët e Republikës së Kosovës të regjistruar për votim pranë kësaj Ambasade.
Votimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në ora 19:00, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Ftohen të gjithë votuesit e regjistruar që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Për ushtrimin e së drejtës së votës, votuesit duhet të jenë të regjistruar për votim në Ambasadë dhe të posedojnë një nga dokumentet zyrtare të identifikimit të Republikës së Kosovës: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi, edhe në rast se dokumenti ka afat të skaduar. /Telegrafi/
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Ermal Sadiku një ditë para zgjedhjeve ka thënë se Prishtina nuk është veç kryeqendër, por është edhe nismëtare e ndryshimit.
Ai në një postim në Facebook shkruan se të dielën të zgjidhet shpresa.
“Prishtinë, a jemi gati për 28 dhjetor?
Prishtinë, ti s'je veç kryeqendra. Ti je nismëtarja e ndryshimit. Je sinjali i parë i shpresës.
Ti je dëshmia që arroganca nuk kalon. Ti je ajo që ia jep përgjigjen më së miri papërgjegjësisë. Ti nuk e duron stagnimin.
Prandaj, të dielën zgjedhim shpresën”, shkruan ai.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ka nisur në ora 07:00 procesi i votimit për qytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit.
MPJD bën të ditur se deri në orën 09:00 kanë votuar 8.64% e votuesve të regjistruar.
“Procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me procedurat e përcaktuara, ndërsa në shumë nga këto përfaqësi, po shënohet pjesëmarrje e lartë e qytetarëve, e cila dëshmon për angazhimin qytetar dhe lidhjen e fortë që mërgata jonë ka me atdheun.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në koordinim të vazhdueshëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësitë diplomatike, po ndjek nga afër mbarëvajtjen e procesit, duke siguruar kushte të përshtatshme për ushtrimin e së drejtës së votës për të gjithë qytetarët tanë jashtë vendit”, thuhet në njoftim.
Vendvotimet do të jenë të hapura deri në ora 19:00. /Telegrafi/
Presidentja e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE), ALDE, Svenja Hahn, ka shprehur mbështetjen e saj për Bedri Hamzën dhe Partinë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se Kosova ndodhet në një moment vendimtar të rrugëtimit të saj demokratik.
Në videomesazhin e saj, Hahn vlerëson se çdo demokraci ka nevojë për stabilitet, unitet dhe miq të fortë e të besueshëm, duke nënvizuar se e ardhmja e Kosovës varet nga një udhëheqje që di t’i bashkojë njerëzit, të qeverisë me përgjegjësi dhe të forcojë partneritetet me Evropën dhe komunitetin ndërkombëtar.
Ajo thekson se Bedri Hamza është një lider me përvojë, me dorë të sigurt dhe me bilanc të dëshmuar në shërbimin publik, i cili e kupton rëndësinë e stabilitetit ekonomik, forcimit institucional dhe vlerave demokratike. Sipas Hahn, PDK dhe Bedri Hamza janë të përkushtuar ndaj dialogut, bashkëpunimit dhe një të ardhmeje evropiane për Kosovën.
“Kosova meriton një udhëheqje që bashkon dhe që sjell rezultate”, përfundon presidentja e ALDE, duke konfirmuar mbështetjen e familjes liberale evropiane për vizionin dhe lidershipin e Bedri Hamzës.
Viti 2025 është karakterizuar nga disa luhatje të forta në tregjet financiare globale, si pasojë e kombinimit të gjeopolitikës, tarifave amerikane dhe zhvillimeve në sektorin teknologjik.
Kështu deklaroi eksperti i tregjeve financiare ndërkombëtare, Emanuel Bajra, në “Përballje Podcast”.
Sipas Bajrës, një nga goditjet kryesore lidhet me sektorin e teknologjisë, i cili zë një peshë të madhe në indeksin amerikan.
“Kemi pasur katër luhatje serioze në tregjet globale. Ato erdhën si kombinim i gjeopolitikës, tarifave amerikane dhe goditjes së sektorit të teknologjisë”, tha Bajra.
Ai shtoi se rënia e besimit te kompanitë e mëdha teknologjike, frika nga inteligjenca artificiale dhe reagimet emocionale të investitorëve krijuan pasiguri të theksuar, por pa kolaps sistemik.
“Investitorët reagojnë shumë shpejt. Kur kapitali tërhiqet, bie konfidenca dhe krijohet panik, por tregjet kanë treguar rikuperim gradual”, theksoi Bajra shkruan Telegrafi.
Eksperti i tregjeve financiare ndërkombëtare, Emanuel Bajra, në “Përballje Podcast"
Ai ka shtuar se Viti 2025 ka shënuar një ndryshim të thellë në rendin gjeopolitik dhe ekonomik global, veçanërisht pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Eksperti i tregjeve financiare ndërkombëtare vlerësoi se nuk ka pasur vetëm ndryshim administrate, por edhe ndryshim doktrine politike dhe ekonomike. /Telegrafi/
Në Shkodër, një burrë i la dy qese me plehra poshtë kontejnerëve të bërllokut, ndonëse kontejnerët ishin bosh, duke mos i vendosur kështu në vendin e duhur.
E atypari rastësisht kaloi një makinë policie e bashkisë e cila e ndaloi.
Pas këshillimit, i njëjti edhe u gjobit, raporton Euronews.al.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është gjetur pa shenja jete.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Miran Hajra”, në jug të Mitrovicës, më 26.12.2025
“Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion. /Telegrafi/
Në 206 faqe “esencë hetimi”, Prokuroria e Posaçme, SPAK, përshkroi veprimtarinë e AKSHI-t Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke zbuluar një rrjet të mirë organizuar kriminal në përvetësimin e qindra milionë eurove tendera publike, mes shantazhit, pengmarrjes dhe implikimit të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe policor të vendit.
“Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasit Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, Gëzim Hoxha, si dhe persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe implementuar një skemë për paracaktimin e fituesve në procedurat e prokurimit, të kryera në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së informacionit (AKSHl), me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rrjedhin nga pagesat, lidhur me kontratat publike të prokuruara”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale SPAK, të cilën Faktoje.al e disponon.
Për Agasin dhe Beqirin janë lëshuar urdhër-arreste për akuzat: “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, në kuadër të një formacioni të posaçëm, “Grup i strukturuar kriminal” dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, por nuk janë ekzekutuar pasi dyshohet se janë larguar jashtë vendit. Në arrest shtëpie janë drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanj dhe zëvendësja e saj Hava Delibashi, ndërsa ka masë ndalim për dalje jashtë vendit për biznesmenët Papa dhe Hoxha, ndërsa pezullim nga detyra dhe ndalim për dalje jashtë vendit për numrin dy të policisë së Tiranës Erjon Ismaili.
Vetëm fillimi…!
Burime pranë grupit hetimor, thanë për Faktoje se dosja është ende nën hetim dhe aktualisht janë hapur tre fraksione të tjera, duke nisur nga emrat që dyshohet se janë përfshirë në një skemë të rëndë abuzimi me burim Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, shkruan faktoje.al
Janë dhjetëra orë filmime ku diskutohen afera me përfshirjen e personave të ndryshëm si nëpunës të lartë të shtetit, drejtues policie dhe biznesmenë të lidhur edhe me krimin e organizuar, duke kontrolluar të dhëna të ndjeshme të sigurisë në vend. Në një takim të datës 16 mars 2024 mes Karçanajt, Beqirajt dhe Agasit ky i fundit thotë: “Projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4”.
Bisedat pa limit etike, ku diskutohen shuma të mëdha se kush do i marrë dhe si do të ndahen, janë në një pjesë të madhe të filmuara (dyshohet nga vetë Agasi). “Nga këqyrja e pamjeve filmike, arsyeshëm krijohet bindja mbi lidhjet me interes që kanë këta shtetas me njëri-tjetrin, e cila, nga analizimi i përmbajtjes së bisedave të transkriptuara, krijon dyshimin e arsyeshëm mbi realizimin e një skeme kriminale në funksion të paracaktimit të procedurave të prokurimit, krijimit të avantazheve dhe përfitimit të paligjshëm prej tyre”, thotë prokuroria.
Skema
Fillimisht gjendej “preja”, një shumë e madhe prokurorimi nën logon e AKSHI-t. Më pas, përgatiteshin për të rrëmbyer çdo qindarkë në fondin limit, ndërsa “financuesja” Mirlinda Karçanaj, me paratë e buxhetit të shtetit, qe kthyer në dorë firmëtare për çdo tender në vlera të mëdha të shkonte për kompanitë e biznesmenëve kontroversë, Ermal Beqiraj dhe Ergys Agasi. Diskutimet bëheshin në zyrën e Agasit, ku pasi flitej për shuma të mëdha shoqëroheshin me fjalor fyes, tallës dhe jo etik. Çdo gjë e dokumentuar, ku vetë Agasi kishte vendosur pajisje përgjuese video-audio.
Paradoksalisht, numri një i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, drejtoresha më jetëgjatë e qeverisjes Rama, e cila presupozohet se ruan çdo të dhënë digjitale shtetërore, edhe të sigurisë dhe rëndësisë së veçantë, përfundoi në zyrën e Agasit me zë dhe figurë në kamerat përgjuese.
Një ndër të paktët që u bë pengesë, duke ankimuar procedurat tenderuese, biznesmeni Gerond Meçe drejtues i kompanisë ABS”, u mor peng dhe nën kërcënim, shantazh dhe dhunë, detyrohet që brenda pak orësh të tërhiqej nga 20 ankimimet. Pjesë e kërcënimit, sugjerimit dhe shantazhimit dyshohet sipas Prokurorisë Speciale se është edhe numri dy i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, edhe ai një bujtës i rregullt në zyrën e Agasit.
Pengmarrja
Kushdo operator ekonomik që ankohej për skualifikim të padrejtë nga tenderat e AKSHI-t i “hapej luftë” nga treshja Agasi, Beqiri dhe drejtoreshë Karçanaj. “Ndaj operatorevë ekonomik të skualifikuar, të cilët kanë kërkuar të drejtën e tyre nëpërmjet ankimimit zyrtar pranë Autoritetit Kontraktor, por edhe në Komisionin e Prokurimit Publik, është përdorur dhuna, heqja e paligjshme e lirisë për t’i detyruar me forcë që të tërhiqen nga ankimimet, por edhe nga çdo procedurë ku kanë marrë pjesë me qëllim që të sigurohej vazhdueshmëria e kësaj skeme”, thotë SPAK. Provat janë tashmë mjaft të forta me pamje filmike, dëshmi të të marrit peng dhe levizjeve të kryera që në fund shkuan në favor të kërcënuesve.
Denoncimi
Më 12 gusht 2025, Gerond Meçe, aksioner i vetëm në shoqërinë “ABS” (një kompanie të teknologjisë) u mor peng sapo doli nga banesa në drejtim të automjetit të tij. “Jemi SPAK, ejani me ne”, i thotë një i ri, i cili mbante një jelek me mbishkrimin “BKH” dhe më pas tre të tjerë me jelekë me mbishkrimin “policia” (dyshohet të falsifikuara) e fusin në automjet dhe largohen.
Meçe nuk bën asnjë rezistencë por kupton se personat nuk ishin të policisë apo BKH-së pasi devijuan lëvizjen, duke marrë drejtimin nga Elbasani. Në një banesë të braktisur në fshatin Gracen të Elbasanit, Meçe prangoset dhe nis shantazhi, kërcënimet me armë dhe ultimatum për të tërhequr menjëherë ankimet që kishte bërë ndaj 20 procedurave tenderuese të AKSHI-it dhe në KPP (Komisionin e Prokurimit Publik).
Brenda pak orësh, Meçe udhëzon administratorin e kompanisë të tërhiqte ankimimet, ndërsa pasi sigurohen se gjithçka ishte në rregull dhe se kompania e Meçes e lenë të lirë nën kërcënimin fundor: “Nuk duam probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, grua, motër, nënë, se babë nuk ke ti..,”, citohet në dosjen e SPAK, sipas deklarimeve të Meçes.
Ku të ankohej?
Po ku mund të ankohej “i marri peng”? Biznesmeni Gerond Meçe kishte aplikuar në 20 prokurorime me kompaninë e tij, por në çdo rast ishte skualifikuar dhe tenderat e AKSHI-t ishin fituar në seri nga kompanitë e Ergys Agasit, Ermal Beqirajt dhe të tjerëve pranë tyre.
Meçe nuk kryen denoncim në polici, nisur edhe nga fakti sipas tij se vetë nëndrejtori i Policisë së Tiranës i kishte sugjeruar më parë: “Hiq dorë nga AKSHI”. Po ashtu edhe institucioni tjetër i ankimit administrative KPP rezulton sipas SPAK se ka shkelur procedurat në rastin e ankimimeve të Meçajt dhe gjithashtu ka qenë e gatshme që në një kohë të shpejtë të “pranojë” tërheqjen nga ankimimi, që korrespondon me ditën e pengmarrjes së tij.
“Nga kjo veprimtari rezulton bindshëm se dhe KPP ka nxituar të pranojë ankimimet e OE(shënim: operatorëve ekonomikë) “ABS” të cilat i kanë marrë forcërisht në rrethanat e përshkruara në këtë kërkesë çka do të thotë që kjo kjo ka qenë e koordinuar me veprimet e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në dosjen e SPAK.
57 milionë euro në pak muaj
Prokuroria ka krijuar bindje bazuar në prova (filmime, biseda audio të gërshetuera me dokumente), se kompanitë e Ermal Beqirit, Ergys Agasit dhe bisnesmenëve të tjerë Gezim Hoxha dhe Andis Papa, në një hark kohor prej 9 muajsh kanë siguruar tenderë në vlerën 57 milionë euro nga AKSHI, për llogari të disa institucioneve.
Në njërën prej tenderëve e cila ka përshkrimin: “Përmirësimi i sistemeve për ndihmën ekonomike” është në vlerën 226,460,451 lekë pa tvsh. Paradoksalisht, një familje me ndihmë ekonomike nuk merr më shumë se 8 mijë lekë në muaj, por për “përmirësim sistemi” janë dhënë mbi 226 milionë lekë të reja. Ndër tenderat e tjerë me “flamur të kuq” cilësohen edhe disa të zhvilluara për institucione të tjera shtetërore, përfshi edhe burgjet.
“Nga analiza e këtyre procedurave të prokurimit, në harmoni dhe me shpjegimet e punonjësve të shoqërisë “EA Solution”, krijohet bindja se këto procedura prokurimi, fitohen nga subjektet e kontrolluara nga shtetasi Ermal Beqiri, në bashkëpunim me shtetasin Andis Papa, fitimet e të cilëve, i kalohen në mënyrë fiktive subjektit “EA Solution”, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi”, thekson prokuroria.
Po ashtu SPAK në gërshetim të provave arrin në përfundimin se tenderët manipuloheshin për t’u fituar nga kompania “Soft& Solution” e Beqirajt, kompania “Fastech” e Andis Papës dhe kompania First sh.p.k e Gëzim Hoxhës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në Qendrën për Strehim, Mbrojtje dhe Rehabilitimin e Viktimave, janë përleshur fizikisht dy gra.
Rasti ka ndodhur të premten, në ora 20:47.
“Lipjan 26.12.2025-20:47. Raportohet se në Qendrën për Strehim, Mbrojtje dhe Rehabilitimin e Viktimave, janë përleshur fizikisht dy të dyshuara femra kosovare”, thuhet në raport.
Të dyshuarat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
Të dielën, më 28 dhjetor qytetarët e Kosovës do të t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare.
Kjo do të jetë hera e katërt që brenda këtij viti qytetarët i drejtohen kutive të votimit, më 9 shkurt në zgjedhjet parlamentare, në zgjedhjet lokale më 12 tetor, balotazhi më pas dhe këtë herë sërish për zgjedhjet parlamentare, më 28 dhjetor.
E ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me të dhëna zyrtare për procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.
2,076,290 persona me të drejtë vote janë regjistruar për votim, ndërkaq brenda vendit votimi do të organizohet në 948 qendra votimi me 2,614 vendvotime.
Jashtë Kosovës, votimi fizik është parashikuar në 16 ambasada dhe 13 konsullata, ndërsa mbahen një ditë para zgjedhjeve në Kosovë, pra sot më 27 dhjetor.
MPJD tashmë ka njoftuar se janë hapur qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.
Procesi i votimit do të zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të ndryshme.
Ndryshe, për këto zgjedhje janë certifikuar gjithsej 22 subjekte politike, duke përfshirë 18 parti, 3 koalicione parazgjedhore, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat të pavarur. Komisioni gjithashtu ka akredituar rreth 860 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për të monitoruar procesin.
Institucionet përgjegjëse kanë paraparë mekanizma mbikëqyrës dhe procedura standarde për të garantuar transparencë dhe integritet zgjedhor.
Procesi i votimit nis në orën 07:00 të mëngjesit me hapjen e vendvotimeve në të gjithë territorin e Kosovës. Qytetarët me të drejtë vote identifikohen përmes dokumenteve zyrtare dhe votojnë në mënyrë të fshehtë.
Mënyrat për të plotësuar formularin për votim janë këto: Sigurohuni që fletëvotimi është i vulosur në pjesën e pasme, në anën e majtë, shënjoni vetëm një subjekt politik, në anën e djathtë, shënjoni deri në dhjetë kandidatë të atij subjekti politik dhe paloseni fletëvotimin dhe vendoseni në kutinë e votimit. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur një rast të grabitjes në rrugën Çagllavicë-Llapnasellë.
Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se një person ka raportuar se derisa ka qenë duke punuar në vendin e tij të punës-recepsionist, ka shkuar një person i panjohur i maskuar dhe nën kërcënimin e armës i ka grabitur një shumë parash.
“Rr. Çagllavicë-Llapnasellë 26.12.2025-05:10. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se derisa ka qenë duke punuar në vendin e tij të punës-recepsionist, ka shkuar një person i panjohur i maskuar dhe nën kërcënimin e armës i ka grabitur një shumë parash”, thuhet në raport.
I dyshuari është larguar në drejtim të panjohur, ndërsa rasti është në hetim. /Telegrafi/
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bën të ditur se në koordinim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit të votimit për qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
MPJD rikujton se votimi në përfaqësitë diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.
“Sot, duke filluar nga ora 07:00, përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës janë të hapura dhe në dispozicion të qytetarëve tanë të regjistruar për të ushtruar të drejtën e tyre të votës”, thuhet në njoftim.
“Vota juaj është e rëndësishme. Ju ftojmë të merrni pjesë në procesin e votimit”, thuhet tutje.
MPJD njofton diasporën me votimi mundësohet me letërnjoftim të Republikës së Kosovës, pasaportë të Republikës së Kosovës ose edhe me leje vozitje të Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit të KQZ-së, lejohet votimi edhe me dokument të skaduar. /Telegrafi/
Shqipëria të shtunën do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin e vranësira të pakta kalimtare në relievet malore në lindje, ndërkaq mjegull përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes.
Po ashtu, do të ketë prezencë e ngricave përgjatë akseve rrugore kryesisht në relievet malore.
Era do të fryjë me drejtim kryesor verilindje - veri me shpejtësi mesatare 6 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 10 m/s.
Sot në përfaqësitë diplomatike të Kosovës zhvillohet votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Qendrat e votimit hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.
Vetëm 19.187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike mund të votojnë sot, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit 26 nëntor-6 dhjetor.
Procesi i votimit do të zhvillohet në 40 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të ndryshme.
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se në fundjavë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell, ndërkaq temperaturat do të jenë në minus.
IHK thekson se të shtunën do të mbajë vranësirat në viset e larta malore parashihen të sjellin riga dhe fjolla të dobëta bore.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 grade Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-4 gradë Celsius.
Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.
Ndërkaq, edhe të dielën parashihet të mbajë mot kryesisht i ngjashëm por me temperatura më të ulëta, kryesisht ato minimalet.
Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -2 deri -6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius.
Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare. /Telegrafi/
Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, të dielën e 28 dhjetorit do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme.
Ligji nr. 08/l-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Por, çfarë duhet të dinë qytetarët para se t’i drejtohen kutive të votimit?
Neni 110 i Ligjit bën të ditur se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore dhe se secili subjekt politik i certifikuar paraqitet në votim me “listë të hapur”.
Votuesi pajiset me një fletëvotim të vetëm për zgjedhje dhe në të shënjon: votën për një subjekt politik dhe votën për një deri në dhjetë kandidatë nga lista e subjektit politik për të cilin ka votuar votuesi.
Por, çka ndodh nëse në fletëvotim shënohen më shumë se 10 kandidatë?
Pika 5, në nenin 110 në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme tregon qartë se nëse një fletëvotim shënohen më shumë se dhjetë kandidatë, atëherë numërohet vetëm vota për subjektin politik.
Cilat dokumente mund t’i keni me vete për të votuar?
Shtetasi me të drejtë vote brenda vendit dhe në përfaqësi diplomatike, mund të votojë nëse ai ose ajo identifikohet saktësisht në Listën e Votuesve dhe ofron njërin prej dokumenteve të vlefshme të identifikimit, të lëshuara nga Republika e Kosovës: letërnjoftimin, pasaportën, lejen e vozitjes.
Ndërkaq, neni 89 i Ligjit përcakton po ashtu të drejtën e votës dhe siguron fshehtësinë.
Votuesi më të drejtë për të votuar ka të drejtë vote nëse ai/ajo është i regjistruar në Kosovë ose ka aplikuar suksesshëm për votim jashtë Kosovës siç përcaktohet në nenet 6 dhe 7 të këtij ligji.
Ligji garanton se askush nuk e parandalon ose orvatet të parandalojë një votues me të drejtë për të votuar nga ushtrimi i së drejtës së tij/saj për të votuar.
Po ashtu, askush nuk lejohet të votojë në emër të një votuesi tjetër, përveç përmbushjes së rrethanave nga paragrafi 5 i këtij neni.
Pika e 4-të e këtij neni përcakton se secili votues e plotëson fletëvotimin e vet në fshehtësi mbrapa kabinës së votimit, ndërkaq vetëm një person lejohet mbrapa kabinës së votimit gjatë një intervali të caktuar kohor përveç nëse votuesi ka kërkuar ndihmë nga personi tjetër, siç përcaktohet në paragrafin 5 të këtij neni.
Votuesi i cili është me aftësi të kufizuara në atë mënyrë që nuk është në gjendje të shënojë ose hedh fletëvotimin, mund të ndihmohet nga një person tjetër i zgjedhur nga votuesi, me kusht që personi që ndihmon është votues në qendrën e njëjtë të votimit me votuesin. Personi i tillë e ndihmon vetëm një votues dhe nuk është anëtar i KVV-së ose vëzhgues i akredituar, përjashtimisht për anëtarët e ngushtë të familjes. Për këtë lloj të votimit, KQZ do t’i caktojë kriteret me rregullën zgjedhore.
Kryesuesi i Këshillit të vendvotimit obligohet që të shënojë në librin e votimit, rastet e votimit me asistencë, duke përfshirë arsyet konkrete dhe të shënojë të dhënat personale të votuesit dhe të dhënat personale të personit që ka ndihmuar.
Personi i miratuar për të ndihmuar votuesin shkruan dhe nënshkruan emrin e tij/saj në Listën e duhur të Votuesve ose Zarfin për Fletëvotim me Kusht, afër emrit ose një hapësire tjetër të ofruar nga votuesi i cili është ndihmuar dhe arsyen e votimit me kusht.
Anëtarët e KVV-së nuk mund në asnjë mënyrë të ndikojnë në vendimin e votuesit, por anëtarët e Këshillit të Vendvotimit dhe/ose stafi i Vendvotimit shpjegojnë procedurën e votimit vetëm nëse u kërkohet nga zgjedhësi
Anëtarët e KVV-së kujdesen veçanërisht për të siguruar që zgjedhësi nuk shqetësohet nga askush përderisa shënjon fletën e tij të votimit, dhe se fshehtësia e votimit është plotësisht e siguruar.
Sa i përket orarit të votimit, kjo është e rregulluar me nenin 88.
Qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00.
Në këtë theksohet qartë se askush nuk mund të votojë pas kohës së mbylljes së qendrave të votimit, përveç votuesve të cilët presin në radhë në VV në kohën e mbylljes. /Telegrafi/
Një studim i publikuar nga Fondacioni Friedrich Ebert në shtator 2025 hedh dritë mbi dimensionet shqetësuese të pastrimit të parave në sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri gjatë dekadës së fundit.
Analiza e kryer nga Prof. Asoc. Dr. Adriatik Kotorri dokumenton se një pjesë e konsiderueshme e boomit të ndërtimit në vend mund të jetë financuar nga burime me origjinë të dyshimtë, shkruan faktoje.al
Sipas të dhënave të analizuara në studim, gjatë periudhës 2015-2024 në Shqipëri janë dhënë leje ndërtimi për 11.48 milionë metra katrorë me vlerë tregu mesatarisht prej 16.238 miliardë Euro. Nga kjo shumë, vetëm 7.108 miliardë Euro janë identifikuar si të financuara nga burime të ligjshme, konkretisht 5.521 miliardë Euro nga kredia bankare dhe 1.587 miliardë Euro nga investime të huaja direkte.
Diferenca prej së paku 9.13 miliardë Euro ngre pyetje serioze mbi origjinën e fondeve. Ndonëse një pjesë e kësaj diference mund të përfaqësojë sipërfaqe të pashitura ose të financuara nga kursime legjitime, studiuesi Kotorri argumenton se treguesi më shqetësues lidhet me burime të paligjshme.
Investimet e huaja
Një ndër gjetjet më të rëndësishme të studimit lidhet me rritjen dramatike të investimeve të huaja nga vende që kanë qenë ose janë aktualisht në listën gri të Task Forcës për Veprim Financiar (FATF), organizata ndërkombëtare që monitoron pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Rasti i Turqisë është i pari. Investimet nga ky vend janë rritur nga 86 milionë Euro në 2015 në 257 milionë Euro në 2024. Turqia ka qenë pjesë e listës gri të FATF deri në qershor 2024, periudhë që përkon me intensifikimin e investimeve të saj në sektorin shqiptar të pasurive të paluajtshme.
Bullgaria paraqet rastin e dytë në aspektin e rritjes relative. Nga praktikisht zero investime në 2015, ky vend arriti në 74 milionë Euro investime në 2019 dhe vazhdoi me 28 milionë Euro investime në 2024. Bullgaria gjithashtu ka qenë pjesë e listës gri të FATF deri kohët e fundit.
Studiuesi Kotorri thekson se edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, një tjetër juridiksion me kontroll historikisht të dobët financiar, kanë rritur investimet nga zero me një kulm prej 19 milionë eurosh në 2023.
Raporti argumenton se “këto prurje investimesh, nga vende me kontroll të dobët financiar, ngrenë pikëpyetje mbi natyrën e vërtetë të këtyre investimeve dhe rrezikun potencial që ato paraqesin për pastrimin e parave në Shqipëri”
Mekanizmat e depërtimit
Studimi identifikon disa rrugë kryesore përmes të cilave paratë e paligjshme depërtojnë në sektorin e ndërtimit, siç janë:
Themelimi i kompanive me kapacitete të dyshimta: Nga 2015 në 2023, numri i kompanive të ndërtimit u rrit me 40%, duke arritur në 6,955 kompani. Shqetësuese është se 82% e kompanive të reja kanë vetëm 1-4 të punësuar dhe nuk disponojnë kapacitete reale për të realizuar projekte ndërtimi. Sipas raportit, për periudhën 2017-2019, rreth 59% e kompanive që morën leje për objekte mbi 6 kate nuk kishin kapacitete financiare të mjaftueshme.
Depozitimi i fondeve në vende të treta: Metoda përfshin depozitimin e fondeve në banka të vendeve me kontroll të dobët (si Turqia, Bullgaria dhe EBA) dhe rikthimin e tyre në Shqipëri si “investime të huaja direkte”. Kjo skemë mundëson që paratë me origjinë të dyshimtë të fitojnë një “pamje legjitime” përmes sistemit bankar ndërkombëtar.
Pagesat cash dhe nënvlerësimi: Praktika e deklarimit të vlerave të ulëta në kontrata, ndërsa pjesa tjetër paguhet në dorë, mbetet e zakonshme. Megjithëse çmimet e referencës minimale u vendosën në 2018, diferenca mes çmimeve reale dhe atyre të deklaruara arrin deri në 100% në zonat elitare.
Depozitimi i fragmentuar: Shumat ndahen në depozitime të vogla për të shmangur alarmet automatike bankare (zakonisht nën 7,000 euro) dhe më pas përdoren për blerje pronash.
Deformimi i tregut
Një ndër gjetjet më alarmante të studimit lidhet me paradokset që ka krijuar ky fenomen në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme.
Paradoksi i sasisë: Gjatë periudhës 2011-2023, ndërsa popullsia ra me 478,590 banorë, numri i banesave u rrit me 74,286 njësi. Megjithatë, numri i familjeve të pastreha u rrit me 88%, nga 70,630 në 132,563 familje. Shqipëria sot ka më shumë banesa se familje, por më shumë njerëz pa strehë.
Paradoksi i çmimit: Çmimet janë rritur me 139% (nga 862 euro/m² në 2015 në 2,057 euro/m² në 2024) ndërkohë që oferta ka shënuar një rritje prej 46%. Kjo shkel logjikën bazë ekonomike ku rritja e ofertës duhet të ulë çmimet.
Ndikimi në aksesibilitetin e strehimit: Në 2015, një personi me pagë mesatare i duheshin 38 vite për të blerë një apartament në periferi. Në 2024, kjo kohë është rritur në 47 vite, një rritje prej 23%. Për një çift, koha është zgjatur nga 19 në 23 vite.
Evazioni
Studimi vlerëson se gjatë periudhës 2015-2024, korrupsioni dhe evazioni fiskal kanë gjeneruar të paktën 8.168 miliardë Euro të ardhura të paligjshme në Shqipëri. Këto shifra bazohen në të dhëna nga ALTAX, i cili shfrytëzon burime zyrtare përfshirë INSTAT, Ministrinë e Financave, SPAK, KLSH, FMN, Bankën Botërore dhe Transparency International.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve besohet të ketë gjetur rrugë drejt sektorit të ndërtimit. Sipas raportit të “Global Initiative Against Transnational Organized Crime”, pastrimi i vlerësuar i parave në Shqipëri vetëm për periudhën 2017-2019 arrin deri në 1.6 miliardë Euro.
Paradoksalisht, ndërsa fenomeni ka rritur të ardhurat vendore përmes taksave dhe tarifave të ndërtimit (nga 12.9 miliardë lekë në 2015 në 30.5 miliardë lekë në 2022), ai ka krijuar një varësi të rrezikshme. Pesha e taksave të lidhura me pasuritë e paluajtshme në totalin e të ardhurave vendore është rritur nga 37% në 51%.
Performanca
Një ndër kritikuat më të forta të studimit i drejtohet Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF). Analiza tregon se aktiviteti i AIF ka rënë dramatikisht gjatë 5-vjeçarit të fundit:
Rastet e dërguara në organet ligjzbatuese ranë nga 1,856 (2015-2019) në 1,204 (2020-2024).
Inspektimet në vend u reduktuan nga 806 në 550.
Pasuritë e bllokuara ranë nga 71.4 milionë euro (2015-2019) në vetëm 15.8 milionë euro (2020-2024), një rënie 4.5 herë
Veçanërisht shqetësuese është vëzhgimi se aktiviteti i AIF bie në vitet zgjedhore. Me përjashtim të 2019 (kur nuk pati garë elektorale për shkak të bojkotit), në të gjitha vitet zgjedhore (2013, 2015, 2017, 2021, 2023) u shënua rënie e pasurive të bllokuara krahasuar me vitin paraardhës.
Për mosdeklarimin e shumave në kufi, një metodë kyçe e sjelljes së parasë së paligjshme nga jashtë, AIF ka dërguar vetëm 26 raste gjatë dekadës, mesatarisht 2.6 raste në vit, me një rënie të theksuar vitet e fundit.
Dimensioni ndërkombëtar dhe lista gri
Shqipëria ka qenë pjesë e listës gri të FATF për një periudhë trevjeçare, duke u klasifikuar si vend me nivel të ulët të përpjekjeve për parandalimin e pastrimit të parave.
Raporti thekson se, zhvendosja progresive e ekonomisë shqiptare drejt sektorit të pasurive të paluajtshme, e shoqëruar me tolerancë institucionale ndaj fondeve me origjinë të dyshimtë, ka krijuar një “terren të favorshëm” për operatorë që synojnë të integrojnë kapitale të paligjshme në ekonomi.
Vakuumi ligjor
Një gjetje tjetër e rëndësishme lidhet me vakuumin ligjor që karakterizon tregun shqiptar. Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane që kanë mekanizma mbrojtës për blerësit e pronave të papërfunduara (si llogaritë Escrow ose garancitë bankare), Shqipëria ofron mbrojtje minimale.
Kontratat e “Premtimit të Shitjes” dhe “Kalimit të të Drejtave”, që dominojnë tregun, nuk kanë bazë specifike ligjore dhe mbështeten në interpretim të përgjithshëm të Kodit Civil. Studiuesi Kotorri argumenton se “kontratat me të cilat shiten pjesa dërrmuese e pasurive të paluajtshme në Shqipëri janë të pabazuara në ligj.”
Indikatorët e “Kartelit”
Raporti identifikon shenja të një tregu të kontrolluar në mënyrë joformale, me karakteristika të ngjashme me kartelet:
Mungesa e konkurrencës mes projekteve në të njëjtën zonë
Rritje e koordinuar e çmimeve në periudha të njëjta (pranverë dhe vjeshtë)
Çmim pothuajse identik për parkingun në të gjitha projektet (së paku 15,000 Euro)
Rritje uniforme e sipërfaqes së përbashkët që i shtohet pronës (nga 7-12% në 17-35%)
Konkluzioni
Raporti arrin në konkluzionin se, “pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit funksionon si një sistem përfitimi të gjithanshëm, ku të gjithë aktorët e përfshirë, nga blerësit me fonde të dyshimta që legalizojnë kapitalin, te ndërtuesit që sigurojnë financim të shpejtë, deri te agjentët imobiliarë që marrin komisione dhe qeveria që rrit të ardhurat tatimore, përfitojnë nga ky fenomen”.
Studiuesi Kotorri argumenton se kjo strukturë krijon një rezistencë të fortë ndaj reformave: sa më të mëdha të jenë përfitimet, aq më e madhe është kundërshtia për ta luftuar fenomenin. Vakumi ligjor, mungesa e garancive për blerësit dhe roli i agjentëve imobiliarë si ndërmjetës kyç në negociatat për pagesa “cash” janë identifikuar si faktorë që lehtësojnë penetrimin e parave të paligjshme.
Analiza përfundon se ndërtuesit, përmes marrëveshjeve të tipit “kartel”, kanë arritur të diktojnë tregun në vend që të diktohet nga blerësit, duke cenuar konkurrencën dhe rritur çmimet në mënyrë artificiale.
Blerësit vendas dhe investitorët, nga ana tjetër, shfaqin atë që raporti e quan “sjellje tufe” dhe frikë se mos humbasin mundësinë (FOMO), duke blerë jo nga nevoja reale për strehim, por nga perceptimi i një tregu në rritje të vazhdueshme.
Studiuesi Kotorri konkludon se në këtë “vallëzim” mes aktorëve të ndryshëm të tregut, ku përfitojnë spekulantët, ndërtuesit dhe agjentët, e vetmja palë që humbet janë familjet dhe çiftet e reja me nevoja reale për banesë, të cilët e kanë gjithnjë e më të pamundur të sigurojnë strehim, pavarësisht ekzistencës së një stoku të madh apartamentesh të pabanuara.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme përcolli mesazhin për qytetarët dhe stafin që do të angazhohet në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në emër të KQZ-së, kryesuesi Kreshnik Radoniqi u bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote, që ta realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese, raporton KosovaPress.
“Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ftojmë të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit. Pjesëmarrja juaj është e një rëndësie të veçantë, andaj ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e këtij procesi”, tha Radoniqi.
Ai u bëri apel të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit që të përkujdesen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që do të jenë të angazhuar gjatë ditës së zgjedhjeve, që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht”, tha Radoniqi.
Radoniqi tha se Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit do të jenë të pranishme me ekipet e tyre në të gjitha komunat e vendit, për të siguruar një proces zgjedhor të qetë, të drejtë dhe të sigurt, si dhe kujtoi se KQZ është në kontakt me KEDS-in për qëllimin e furnizimit me energji të qendrave të votimit.
Ai u bëri thirrje shtetasve të Kosovës që janë regjistruar për votim fizik në përfaqësi diplomatike, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, duke votuar në përfaqësinë ku janë regjistruar.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të dhjetat në historinë e pasluftës në Kosovës dhe ato mbahen pas dështimit të formimit të institucioneve të reja nga zgjedhjet e rregullat parlamentare të datës 9 shkurt.
Lista votuese e zgjedhjeve të parakohshme është certifikuar nga KQZ më 10 dhjetor 2025. Sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2,076,290.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1,999,204, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,086. Kjo listë përmban 7,192 votues më shumë se në zgjedhjet lokale më 12 tetor 2025.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Në zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor marrin pjesë 24 subjekte politike me 1,180 kandidatë për deputetë.