VILNIUS – Zelensky kërkon më shumë municione kundërajrore përballë sulmeve ruse
VILNIUS, 25 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u bëri thirrje sot aleatëve të tij për më shumë aftësi mbrojtëse ajrore në përgjigje të sulmeve ruse që kanë lënë qindra mijëra banorë të Kievit pa energji elektrike dhe ngrohje në mes të dimrit.
“Vetëm këtë javë, rusët kanë lëshuar më shumë se 1 700 dronë sulmues, më shumë se 1 380 bomba të drejtuara dhe 69 raketa të llojeve të ndryshme”, tha Zelensky me të mbërritur në Vilnius, ku po merr pjesë në përkujtimet e kryengritjes lituaneze të vitit 1863.
“Kjo është arsyeja pse raketat për sistemet e mbrojtjes ajrore janë të nevojshme çdo ditë dhe ne vazhdojmë të punojmë me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për të siguruar mbrojtje më të mirë të hapësirës sonë ajrore”, shtoi ai.
Rusia po bombardon pa pushim termocentralet dhe rrjetin elektrik të Ukrainës duke zhytur qindra mijëra ukrainas në errësirë dhe të ftohtë në mes të dimrit dhe duke e shtyrë Zelenskyn të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në sektorin e energjisë.
Situata është veçanërisht e rëndë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, objektivi kryesor i Rusisë, sulmet ajrore të të cilit kanë detyruar gjysmë milioni banorë të evakuohen.
“Aktualisht ka 1 676 ndërtesa të larta apartamentesh në Kiev pa ngrohje pas sulmit armik në qytet më 24 janar”, tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.
Ekipet po punojnë pa ndërprerje për të rivendosur ngrohjen dhe energjinë elektrike, por temperaturat e ulëta dhe sulmet ajrore të përsëritura po pengojnë përpjekjet e tyre.
Të shtunën, raundi i parë i negociatave të drejtpërdrejta midis delegacioneve ukrainase, ruse dhe amerikane mbi planin e SHBA-së për të zgjidhur konfliktin, i cili ka marrë qindra mijëra jetë që nga viti 2022, përfundoi në Abu Dabi pa ndonjë përparim të dukshëm. /Ad.Ab./
The post VILNIUS – Zelensky kërkon më shumë municione kundërajrore përballë sulmeve ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.