TIRANË, 15 janar /ATSh/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar sot Hasan Arat me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Në një njoftim për medien, zyra e shtypit e presidentes së Kosovës informon se Hasan Arat u dekorua nga presidentja Osmani me Medaljen Presidenciale të Meritave, në shenjë mirënjohjeje institucionale për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe promovimin e sportit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.
Gjatë ceremonisë solemne, vijon njoftimi, Presidentja Osmani theksoi se Arat është një personalitet i shquar i sportit dhe jetës publike ndërkombëtare, i cili me vizion, përkushtim dhe integritet ka dhënë një kontribut të çmuar edhe për shtetin e Kosovës. Ajo veçoi angazhimin e tij të rëndësishëm në mbështetjen e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Një vlerësim i veçantë iu kushtua rolit vendimtar të Arat në procesin e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një ngjarje historike për sportin kosovar dhe për afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Pas dekorimit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Arat ka theksuar se ky organizim përfaqëson jo vetëm një ngjarje madhore sportive, por edhe një moment të rëndësishëm për diplomacinë sportive dhe afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Duke folur për vlerën simbolike dhe praktike të Lojërave Mesdhetare, Arat ka theksuar se Kosova tashmë ka dëshmuar se është një vend me potencial të jashtëzakonshëm sportiv.
“Është një nder i madh për mua të marr këtë medalje nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Dhe u uroj gjithë të mirat popullit të Kosovës që të kenë lojëra të shkëlqyera të Mesdheut 2030 në Prishtinë. Kosova është një vend i madh në sport dhe këto Lojëra Mesdhetare do të sjellin një trashëgimi të madhe për vendin dhe do të frymëzojnë brezat e rinj që t’i ndjekin ato. Është një ditë e madhe për diplomacinë sportive që lidh vendet, sjell paqe, solidaritet dhe frymëzon brezat e rinj. Kosova ka një potencial të madh dhe kjo e vërtetoi, Lojërat Mesdhetare 2030 në Prishtinë vërtetojnë se do të jenë lojëra fantastike dhe një njohje e madhe për shtetin e Kosovës”, theksoi Arat.
Në vijim, ai u ndal te dashuria e popullit të Kosovës për sportin, duke e cilësuar atë si një element kyç që lidh shoqëritë dhe shtetet mes vete. Ai thekson se sporti shërben si një gjuhë universale e dialogut dhe solidaritetit, e cila historikisht ka ndihmuar edhe në njohjen dhe afirmimin e Kosovës në arenën botërore.
“E dini, populli i Kosovës e do shumë sportin dhe sporti është një dialog ndërkombëtar që lidh vendet dhe njerëzit me njëri-tjetrin. Ju e keni parë kur morët medaljen e artë në vitin 2016, njohja e Kosovës ishte një nga më të mirat në atë kohë. Pra, ne patëm të njëjtën përvojë për Turqinë dhe sporti është gjithmonë një lidhje e madhe diplomatike dhe solidariteti i mbarë botës. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme për brezat që do të vijnë. Kjo trashëgimi do të sjellë një frymëzim fantastik te të rinjtë. Për të rinjtë, kjo është shumë e rëndësishme”, deklaroi Arat.
Ai ka theksuar se Lojërat Mesdhetare janë ndër organizimet më të mëdha sportive dhe kërkojnë përgatitje të kujdesshme dhe profesionale. Sipas tij, mënyra se si do të organizohen këto lojëra do të përcaktojë trashëgiminë që do të mbetet për dekada, ndaj kujdesi, planifikimi dhe standardet e larta janë thelbësore për suksesin e tyre.
Arat është biznismen dhe adminsitrator sportiv nga Turqia, por me prejardhje shqiptare. Në karrierën e tij sportive ka qenë basketbollist, ndërsa si udhëheqës është anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë, kryetar i komisionit koordinues për Lojërat Evropiane Krakoë 2023, udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për organizimin e LO 2020, ish-anëtar i komisioneve të ndryshme në IOC e ANOC, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Botërore të Atletikës, etj. Së fundi (2023-2024), për më shumë se një vit ishte president i klubit të madh turk të futbollit, Beshiktash.
/a.f/r.e/
The post Osmani dekoron Hasan Arat me Medaljen Presidenciale të Meritave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.