Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 3 February 2026Main stream

PS nuk e ndryshon/ Komisioni i Reformës Territoriale nuk “preket”

By: Rovena
3 February 2026 at 22:46

Loja mbaroi, bashkë me karambolet e doktorit. Në minutën e fundit, PS u tërhoq nga kërkesa për të ndryshuar komisionin e reformës territoriale, duke falur edhe kësaj radhe PD.

“Darka ka habere të mira. Kërkoj ndryshim në rendin e ditës, mos shqyrtohet kërkesa për komisionin e reformës territoriale në këtë seancë. Besoj ka dakordësi nga gjithë palët. Me shpresën që puna do rifillojë së shpejti”, u shpreh Balla.

Kurse bashkëkryetari i reformës territoriale, Luçiano Boçi, kishte vetëm një hall. Nëse doktori ndryshon mendje e do të bojkotojë prapë, PS s’do t’i marrë më seriozisht deklaratat e tij.

“Kërkesa jonë ka qenë e qartë, jo të mos shqyrtohet, se kjo ka brenda shqyrtimin, pra thjesht e shtyn në kohë, ne duam të tërhiqet, kjo tregon vullnetin, nëse doni ta lini as mish as peshk. Pse me sëpata në qafë do futemi ne në komision?”, tha Boçi.

E megjithatë, shumë zhurmë për asgjë. PS ia doli sepse arriti të bindë opozitën me ultimatume të thyejë bojkotin e t’i rikthehet komisioneve të reformave.

Kurse doktori ia doli që në 24 orë të tallet si me PS, si me shqiptarët, si me demokratët.

Por në fund, me siguri, peng i ka ngelur vetëm se, falë presionit, reformat do t’i bëjë në parlament, kurse me dëshirë e kishte t’i realizonte në rrugën e vet.

Sindikata e Gjykatësve kundër Kryeministrit/ Sulm me gjuhë të ashpër, pse Rama reagoi për kërkesën për rrogat

By: Rovena
3 February 2026 at 22:35

Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili tha se gjyqtarët kanë kërkuar “tinëz” rritje pagash që do t’i kushtonin buxhetit të shtetit 37 milionë euro nga taksat e shqiptarëve, ka ardhur reagimi i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve.

Shoqata mundohet ti hedh poshtë fjalët e Ramës duke u shprehur e keqardhur dhe e shqetësuar për atë që e cilëson si një fushatë publike populiste dhe linçuese në një moment delikat, kur çështja ndodhet në fazën përfundimtare të vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk mund të heshtim përballë përbaltjes kryeministrore, publike, mediatike, tërësisht histerike, që synon të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një vendimmarrje që duhet të zhvillohet vetëm në sallën e gjykimit”.

Deklarata vjen vetëm një ditë pasi kryeministri Rama publikoi fragmente nga seanca në Gjykatën Kushtetuese, duke ironizuar argumentet e gjyqtarëve që kërkojnl rritje page dhe duke deklaruar se ata po përpiqen të imponohen mbi parlamentin dhe qeverinë.

Por Shoqata e Gjyqtarëve mendon ndryshe, duke thënë se procesi nuk ka të bëjë me “rritje page”, por me zbatimin e nenit 138 të Kushtetutës, i cili parashikon se paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen.

“Termi ‘rritje page’ është i zgjedhur qëllimisht, i gënjeshtërt dhe spekulativ, për t’i kundërvënë procesit gjyqësor kushtetues populizmin, si armë e pafuqisë juridike.”

Gjyqtarët rendisin një seri shqetësimesh, ku sipas tyre ka pasur ndërhyrje të njëpasnjëshme të qeverive dhe Kuvendit që nga viti 2016, të cilat sipas tyree kanë cenuar statusin financiar, duke ulur sipas tyre referencat e pagave përmes akteve nënligjore.

Në mënyrë indirekte, reagimi i Shoqatës i përgjigjet edhe paralajmërimit të Ramës se, në rast të një vendimi të papëlqyeshëm, qeveria do të “gjejë ilaçe të tjera”.

“Paralajmërimi publik dhe kërcënues për zgjidhje alternative pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese përbën keqbesimin e radhës dhe cenon rëndë parimin e ndarjes së pushteteve.”

Në fund, Shoqata vlerëson se kerkesat e tyre nuk janë destabilizuese për vendin, por përkundrazi, shërbejnë për forcimin e shtetit të së drejtës.

Gjykata Kushtetuese pritet të japë në ditët në vijim vendimin përfundimtar mbi kërkesën e shoqates se gjyqtarëve.

Vritet Saif al-Islam Gaddafi, djali i ish-liderit libian Muammar Gaddafi

By: Rovena
3 February 2026 at 22:11

Saif al-Islam Gaddafi, djali i ish-liderit të Libisë, Muamar Gaddafi, është vrarë në Libi.

Ahmed Khalifa, një korrespondent i Al Jazeera në arabisht në Libi, tha të martën se Gaddafi se është qëlluar dhe vrarë në qytetin perëndimor libian të Zintanit, ku ai ka qenë i vendosur për dekadën e fundit.

Vrasja e 53-vjeçarit u konfirmua nga këshilltari i tij politik, Abdullah Othman, por sulmuesit dhe rrethanat e vrasjes janë ende të panjohura.

Saif al-Islam Gaddafi nuk ka pasur kurrë një pozicion zyrtar në Libi, por konsiderohej numri dy i babait të tij nga viti 2000 deri në vitin 2011.

Ky ishte viti kur opozita libiane vrau Muammar Gaddafin, duke rrëzuar regjimin e tij.

Saif al-Islam Gaddafi u burgos fillimisht në Zintan në vitin 2011, përpara se të lirohej në vitin 2017.

Lufta Rusi-Ukrainë/ Shala: Evropa duhet të ulet në tryezën e bisedimeve. Elezi: Rusia s’do iu shmanget negociatave

By: Rovena
3 February 2026 at 21:38

Profesori i Shkencave të Sigurisë, Xhavit Shala, dhe eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ishin të ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, ku analizuan zhvillimet e fundit në luftën Rusi–Ukrainë dhe rolin e Evropës në këtë konflikt.

Ata theksuan domosdoshmërinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të Evropës në proceset negociuese, rëndësinë e parandalimit të hershëm dhe angazhimin e BE-së dhe NATO-s si faktorë kyç për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, duke vlerësuar se, pavarësisht tensioneve, një përplasje e drejtpërdrejtë mes Rusisë dhe NATO-s mbetet e pamundur dhe se negociatat mbeten rruga më e mundshme drejt zgjidhjes së konfliktit.

Xhavit Shala: Evropa duhet të jetë në tavolinën e bisedimeve, ose përndryshe do të përfundojë në një menu. Prandaj francezët të cilët që kanë lënë gjithnjë hapur procesin e bisedimeve, por edhe të arrijnë me forcë ato që duan të arrijnë. Evropa duhet të mendojë për parandalimin e hershëm. Nuk po mendohet jo vetëm për Ukrainën, por edhe për post-Ukrainën.

Bedri Elezi: Në disa raste Rusia është ballafaquar me probleme vendit. Këto veprime ushtarake të Ukrainës kanë qenë sinjale të qarta se ka forcë të bëjë më shumë. Të jesh i bindur që angazhimi i BE dhe NATO është një dëshmi e qartë, që tashmë Evropa është e qartë që mund të sigurojë paqen në atë pjesë. Unë e kuptoj deklaratën e Zelenskyt, por në asnjë rrethanë nuk presim që të ketë një përplasje të Moskës me NATO-n. Sepse do të kishte një situatë ndryshe me Groenlandën dhe me konfliktet në Lindjen e Mesme. Nuk mendoj që Rusia do iu shmanget marrëveshjeve dhe negociatave.

Skandalet e dosjes Epstein/ Gjyli: Drejtësi selektive! Koçibellinj: Individi i pambrojtur përballë pushtetit

By: Rovena
3 February 2026 at 20:57

Politologia Arsejda Gjyli dhe aktivistja Suela Kocibellinj komentuan dosjen Epstein gjatë emisionit “Real Story” në ABC News, duke ngritur shqetësime të forta mbi pasojat që ky skandal ka për demokracinë, drejtësinë dhe vlerat perëndimore.

Gjyli e cilësoi çështjen si një goditje jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për vetë modelin perëndimor të shoqërisë, i cili tradicionalisht është paraqitur si shembull i vlerave morale dhe familjare.

Nga ana e saj, Kocibellinj theksoi frikën se individi mbetet i pambrojtur përballë pushtetit, duke e konsideruar këtë realitet si aspektin më shqetësues të rastit. Në analizën e saj, Gjyli vuri theksin edhe te fenomeni i drejtësisë selektive, i cili, sipas saj, u bë qartësisht i dukshëm përmes kësaj dosjeje.

Arsejda Gjyli: Jo është goditje jo vetëm e Amerikës, por edhe të vlerave Perëndimore, duke e parë Amerikën si model të vlerave. Na është thënë që edhe pse janë shoqëri liberale, janë ndërtuar mbi modele konservatore të familjes. Duhet të jepnin modelin më të mirë të shoqërisë.

Suela Kocibellinj: Ajo që të gjithë ne këtu kemi frikë, është se individi është i pambrojtur përballë pushtetit. Kjo është ajo çka është e frikshme. Megjithëse në hamendësimet tona të gjithë e themi me mendjen tonë që mund të ndodhë kudo.

Arsejda Gjyli: Ai fenomen që u identifikua është drejtësia selektive.

 

 

E vërteta e hidhur e dosjes Epstein/ Gjyli: U padit në vitin 2008, por u tolerua nga drejtësia. Mister vdekja në burg…

By: Rovena
3 February 2026 at 20:34

Politologia Arsejda Gjyli e ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka komentuar dosjen “Epstein”, duke hedhur dritë mbi lidhjet mes pushtetit, abuzimit dhe tolerancës institucionale.

Ajo theksoi se figura të fuqishme në histori janë shoqëruar shpesh me akuza për pedofili, të cilat ndonëse duken si teori konspirative, sipas saj mbështeten në fakte konkrete.

Gjyli nënvizoi se rasti i Epstein, për të cilin pati një padi që në vitin 2008, u tolerua nga organet e drejtësisë për shkak të influencës së tij, ndërsa ende mbeten mister rrethanat e vdekjes dhe dyshimet për manipulim të dosjeve për të fshehur emra të rëndësishëm.

“Njerëzit që kanë pushtuar botën gjithnjë janë lidhur me pedofilinë, duken pak si teori konspirative, por janë të vërteta. Unë mendoj që kjo nuk është vetëm psikologjike, por kjo lidhet edhe me tolerancën.

Në vitin 2008 ka pasur një padi për Epstein, por është toleruar nga organet e drejtësisë për shkak të influencës që ka pasur. Pastaj është edhe misterin nëse e vranë apo u vetëvra. Pastaj dyshohet nëse ka pasur një person që është paguar për të fshehur emrin e tij nga dosjet dhe të vendosej emri i armikut të tij”, tha Gjyli./abcnews.al

Dosja famëkeqe “Epstein”/ Nura: Nuk është rastësi që janë filmuar të gjitha! Goditet morali i Perëndimit

By: Rovena
3 February 2026 at 20:28

Analisti i sigurisë Artur Nura ka komentuar zhvillimet më të fundit mbi dosjen e Jeffrey Epstein, e cilësuar si një nga skandalet më të rënda që ka tronditur opinionin publik ndërkombëtar.

I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Nura ngriti dyshime për një prapaskenë të mirëorganizuar, duke e lidhur çështjen me praktika të vjetra të shërbimeve sekrete sovjetike dhe me ndikime që, sipas tij, synojnë goditjen e moralit dhe imazhit të Perëndimit.

Ai theksoi se koha e publikimit të këtyre fakteve, përfshirja e figurave të njohura ndërkombëtare dhe referencat e shpeshta ndaj Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin në dokumente, nuk janë rastësore, por pjesë e një strategjie më të gjerë gjeopolitike që kërkon vëmendje dhe kujdes të shtuar.

“Nëse do i referohemi të gjitha praktikave ndërkombëtare dhe faktit që minorenët janë viktimat, të gjitha analizat lidhen me sistemin e vjetër sovjetik. Kanë funksionuar me spiunuar femra të bukura. Nëse nuk do të kishim viktima të rritura, nuk do të kishim këtë sensibilitet. Ju duket rastësi që janë filmuar të gjitha?! Ju duket rastësi që të gjitha po zbulohen në këtë periudhë mjaft delikate?! Të gjitha këto godasin moralin e Perëndimit.

Bill Clinton për shqiptarët dhe Kosovën është një njeri i madh. Ajo që sipas meje është gjenden të papërgatitur në një moment të veçantë. Të gjithë duhet të japin dorëheqjen, por ajo që goditet më shumë është Perëndimi. Në të gjitha dokumentet përmendet Putini më shumë se 1 mijë. Të gjitha lidhjet me Moskën, tregojnë që mund të ketë qenë një spiun. Në të gjithë praktikën e vjetër rus, të gjithë ata që kërcënojnë të nxjerrin sekretin përfundojnë të vrarë dhe të helmuar dhe paraqiten sikur kanë vrarë veten. Strategjia e Ballkanit dhe Evropës është e njëjtë dhe kjo duhet pasur pak kujdes”, tha Artur Nura.

Bojkoti për reformat/ Leka: Opozita ka treguar mungesë serioziteti. Ka frikë se do mbetet jashtë tryezës

By: Rovena
3 February 2026 at 18:29

Analisti politik Martin Leka, i ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke kritikuar ashpër qëndrimin e opozitës.

Sipas Lekës, opozita ka treguar mungesë serioziteti dhe çorientim në veprimet e saj, ndërsa bojkoti, sipas tij, nuk i shërben interesave të Partisë Demokratike.

Ai theksoi se Reforma Territoriale nuk është thjesht një ndarje kufijsh, por një proces i thellë që kërkon angazhim dhe përgjegjësi nga të dyja palët, duke nënvizuar se opozita duhet të jetë pjesë aktive, transparente dhe të shfrytëzojë alternativa politike përtej protestave, të cilat, sipas tij, nuk përbëjnë më shqetësim real për sistemin.

“Opozita ka treguar mungesë serioziteti. Bojkoti nuk i i intereson PD dhe nga fakti që PS duroi gjithë këto kohë për patur në komision opozitën, atëherë jo vetëm kryetari i PD, por edhe shumë të tjerë e ndjenë faktin që mund të mbeteshin jashtë kësaj tryeze dhe është diçka e mirë. Reforma Territoriale nuk është vetëm një ndarje kufijsh, është shumë e thellë se sa kaq. Ka një sërë problemesh që duhet të merren seriozisht nga të dyja palët.

Opozitës i intereson dhe duhet të jetë ajo që të këmbëngulë dhe të marrë pjesë. Në këtë lojë ku është futur opozita, është shumë e çorientuar, është një mungesë e thellë serioziteti. Është një lojë dhe mungesë efekti që u bëhet qytetarëve demokratë.

Opozita duhet të jetë transparente. Opozita ka 1001 opsione, përveç rrugës, nuk është metoda efikase, për shkak se rrugën Berisha e ka provuar disa herë. Ka pasur raste që PD bënte protesta çdo ditë, edhe tani janë bërë shumë protesta, por deri atje e ka pikën e vlimit PD. Nuk përbëjnë shqetësim për sistemin. Edhe vetë Berisha e di që me protesta nuk rrëzohet qeveria”, tha Leka.

“Pendimi” i Jeffrey Epstein/ FBI: Abuzuesi seksual po negocionte të bashkëpunonte

By: Rovena
3 February 2026 at 18:14

Disa dokumente të sapo publikuara nga FBI-ja Amerikane kanë treguar se Jeffry Epstain, financier i njohur për skandalet e trafikimit seksual të të miturve kishte qenë në bisedime për të bashkëpunuar me prokurorët federalë vetëm dy javë përpara se të vetëvritej në qelinë e tij në Manhatan .

Regjistrat e FBI-së tregojnë se në 29 korrik të vitit 2019, prokurorët federalë ishin takuar me avokatët e Epstain ku kishin diskutuar në terma të përgjithshëm mundësinë e zgjidhjes së çështjes nëpmjet bashkëpunimin e të akuzuarve me drejtësinë.

Epstein, 66 vjeç, i cili kishte marrëdhënie të ngushta me liderë botërorë, miliarderë dhe yje të Hollyëood-it, vrau veten dy javë më vonë ndërsa priste gjykimin për këtë çështje të rëndësishme penale. Të tjera Dokumente të FBI-së tregojnë se në takimin mes Avokatëve të Epstain dhe Prokurorëve Federal nuk pati ndonjë propozim nga ekipi ligjor i 66-vjeçarit se çfarë bashkëpunimi mund t’i ofronin ata autoriteteve apo të garantonin se një bashkëpunim i tillë mund të arrihej.

Dokumentet tregojnë se Avokatët e Mbrojtjes se Epstain ishin njoftuar se nëse do të kërkonin bashkëpunim me autoritetet duhet të kontaktonin Prokurorinë e Distriktit Jugor të Nju Jorkut ku autoritetet prisnin që Epstain të pranonte fajësinë e tij dhe të zbulonte emrat me të cilët kishte pasur bashkëpunim në trafikimin seksual të vajzave të mitura.

Dokumentet e FBI-së kanë treguar se katër ish punonjës të Epstain kishin arritur një marrëveshje për të bashkëpunuar me Prokurorët Federal dhe në këmbim do të përfitonin shmangie nga ndjekja penale, por dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan I Drejtësisë nuk solli identifikim të tyre apo nëse ishin akuzuar ndonjëherë.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi të premten e shkuar 3.5 milionë dokumente hetimore duke përfshirë edhe pamje foto – video ku u tregohej rrjeti i trafikikimit seksual të Epstain që përfshinte vajza dhe gra të mitura si dhe përmendeshim emrat e dhjetera zyrtareve të lartë përfshirë Krere Shtetesh, Diplomate, yje te Hollywood-it apo qofte edhe Figura nga familje mbretërore.

Spiropali pritet në Shtëpinë e Bardhë nga Asistenti Special i Presidentit Trump

By: Rovena
3 February 2026 at 17:17

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi mëngjesin e sotëm Shtëpinë e Bardhë në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në Shtëpinë e Bardhë, Spiropali u prit nga Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump që njëkohësisht mban detyrën e Drejtorit të Lartë për Europën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Takimi u fokusua në potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare-Themeluese e Bordit të Paqes.

Spiropali shkruan në faqet zyrtare se “përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë fisnike të Presidentit Trump, përveçse e ripozicionon Shqipërinë si kontributore aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, i jep një tjetër përmasë bashkë-koordinimit me aleatin tonë historik, SHBA”.

Ministrja theksoi se “bashkë me Drejtorin McLaughlin ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve.”

Spiropali njoftoi gjithashtu se “Shqipëria është e nderuar të jetë në krah të SHBA si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, ISF, në linjë me planin 20 pikësh të Presidentit Trump për Gazën, si një vend që eksporton stabilitet e siguri.”

Gjatë takimit, Ministrja e Jashtme konfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për mbajtjen e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik, i cili do të thellojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në të gjithë sektorët me interes të përbashkët ekonomik, tregtar, energjitik e zhvillimor.

Postimi i plotë:

Shtëpia e Bardhë – Washington, Me Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC).

U ndalëm në potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare-Themeluese e Bordit të Paqes. Përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë fisnike të Presidentit Trump, përveçse e ripozicionon Shqipërinë si kontributore aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, i jep një tjetër përmasë bashkë-koordinimit me aleatin tonë historik.

Ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve.

Shqipëria është e nderuar të jetë gjithashtu në krah të SHBA si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, ISF, në linjë me planin 20 pikësh të Presidentit Trump për Gazën, si një vend që eksporton stabilitet e siguri.

Gjatë takimit konfirmova gatishmërinë tonë për  mbajtjen e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik, për të thelluar dhe më tej marrëdhëniet tona në të gjithë sektorët me interes të përbashkët ekonomik, tregtar, energjitik e zhvillimor.

Rusët sulmojnë me dronë iranian Kharkivin, digjet një pallat banimi

By: Rovena
3 February 2026 at 17:10

Rusët ndërmorën një sulm ndaj qytetit të Kharkivit duke përdorur dronë të tipit Shahed.

Sipas raportimeve paraprake, një nga këta dronë goditi drejtpërdrejt një ndërtesë banimi shumëkatëshe, çka çoi në shpërthimin e një zjarri të madh.

Flakët përfshinë disa kate të godinës, duke shkaktuar panik te banorët dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Ekipet e emergjencës ndërhynë për të shuar zjarrin dhe për të evakuuar banorët, ndërsa autoritetet po vlerësojnë pasojat e sulmit.

Ndërkohë, sulmi vjen në një kohë kur pritet të vazhdojnë bisedimet trepalëshe mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë, me synimin për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë drejt armëpushimit. Ndryshe, Rusia gjatë fundjavës së kaluar kishte pranuar një armëpushim disa ditor duke u zotuar se nuk do të sulmojë vetëm infrastrukturën energjetike.

Pas disa muajsh përplasje, Petro i Kolumbisë takohet sot me Trump

By: Rovena
3 February 2026 at 16:49

Presidenti kolumbian Gustavo Petro po shkon drejt Washington-it për një vizitë me rëndësi të lartë për t’u takuar me homologun amerikan Donald Trump. Ky do të jetë takimi i parë ballë për ballë mes tyre pas muajsh tensione dhe retorike të ashpër.

Venezuela, trafiku i drogës, nafta, siguria dhe sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për drogë do të jenë në krye të agjendës kur ata të takohen në Shtëpinë e Bardhë këtë të martë.

Ndërsa të dy liderët ishin miqësorë në një telefonatë pas operacionit ushtarak amerikan më 3 janar për të kapur presidentin venezuelian Nicolás Maduro, Petro më pas tha se beson se ekziston një “kërcënim real” për veprim ushtarak kundër Kolumbisë.

Trump, nga ana e tij, më parë ka thënë se një operacion ushtarak në Kolumbi “tingëllon mirë”.

Takimi i sotëm vjen pas muajsh përplasjeje mes dy liderëve, me Petro-n që ka kritikuar në mënyrë të përsëritur sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për drogë në Karaibe dhe Paqësor, si dhe politikat e emigracionit të Shtëpisë së Bardhë.

Në një intervistë për BBC muajin e kaluar, Petro shkoi aq larg sa të krahasonte agjentët e ICE-së me “brigada naziste” dhe akuzoi SHBA-të se trajton vendet e tjera si pjesë të “perandorisë” së saj.

Ndërsa Trump e ka akuzuar qeverinë e Petro-s se nuk po bën mjaftueshëm për të ndaluar rrjedhën e kokainës drejt veriut dhe ka premtuar të zgjerojë sulmet edhe ndaj objektivave tokësore në rajon.

Por përplasjet duket se u zbutën pas një telefonate “miqësore” mes dy liderëve, të cilën një zyrtar kolumbian e përshkroi si një kthesë 180 gradë “nga të dyja palët”.

Senatori amerikan Rand Paul nga Kentucky përflitet se luajti rol kyç në organizimin e bisedës mes dy presidentëve. “Unë besoj në diplomaci dhe mendova se marrëdhëniet tona po shkonin në drejtim të gabuar,” tha senatori për BBC-në. “Dhe do të doja të shihja marrëdhëniet tona të përmirësohen.”

Para vizitës së të martës, ministrja e Jashtme e Kolumbisë Rosa Yolanda Villavicencio tha se pjesa më e madhe e bisedës do të fokusohet tek shqetësimet e përbashkëta të SHBA-ve dhe Kolumbisë mbi sigurinë në Venezuelë, me të cilën Kolumbia ndan një kufi prej 2 mijë e 200 km.

BTS rikthehet fuqishëm, koncert live dhe dokumentar ekskluziv në Netflix

By: Rovena
3 February 2026 at 16:42

Supergrupi i K-Pop-it, BTS, do të mbajë performancën e tyre të parë pas rikthimit më 21 mars në Sheshin Gwanghwamun në Seoul, e transmetuar drejtpërdrejt në Netflix. Koncerti vjen një ditë pas publikimit të albumit të tyre të pestë, ARIRANG, i shumëpritur nga fansat.

Pas performancës, më 27 mars, Netflix do të publikojë dokumentarin BTS: The Return, që sjell pamje të rralla pas skenave dhe rrëfen rikthimin e anëtarëve pas përfundimit të shërbimit ushtarak.

Grupi, i nominuar për Grammy, nuk ka performuar jashtë SHBA-së dhe Koresë së Jugut që nga viti 2019. Anëtarët RM, Jin, Suga, J-Hope, Jimin, V dhe Jung Kook rikthehen në skenën globale pas projekteve solo dhe turneve individuale.

Turneu botëror i BTS do të përfshijë 34 qytete dhe 82 data, duke përfshirë dy netë në Londër më 6 dhe 7 korrik. Dokumentari premton të tregojë momentet e dyshimit, risjelljes dhe krijimit të muzikës së re nga grupi, duke kulmuar me albumin e tyre të ri.

Spanja do të ndalojë platformat e mediave sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç

By: Rovena
3 February 2026 at 16:30

Spanja do të ndalojë platformat e mediave sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe platformat do të detyrohen të zbatojnë sisteme verifikimi të moshës, tha kryeministri Pedro Sanchez të martën në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai.

“Mediat sociale janë bërë një shtet i dështuar, ku ligjet injorohen dhe krimet tolerohen”, tha ai.

“Ne do t’i mbrojmë ato nga Perëndimi i Egër dixhital”.

Ai shtoi se qeveria e tij do të paraqesë gjithashtu një projektligj të ri javën e ardhshme për të mbajtur përgjegjës drejtuesit e mediave sociale për përmbajtje të paligjshme dhe të urrejtjes.

Njoftimi vjen pas ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç në Australi, i pari në botë, në dhjetor.

Vende të tjera evropiane po shqyrtojnë gjithashtu masa të ngjashme, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Kallas mohon përçarjen midis NATO-s dhe BE-së, hedh poshtë thirrjet për një ushtri evropiane

By: Rovena
2 February 2026 at 23:19

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, paralajmëroi të hënën kundër krijimit të një ushtrie mbarëevropiane, duke e përshkruar idenë si “jashtëzakonisht të rrezikshme”, ndërsa debati vazhdon mbi aftësitë e ardhshme mbrojtëse të bllokut.

Duke folur në një konferencë sigurie në Norvegji, Kallas tha se përparësia kryesore në çdo krizë ushtarake duhet të jetë ruajtja e një strukture të qartë komande.

“Në nivel evropian, ministrat e Drejtësisë takohen gjatë gjithë kohës dhe ata tashmë mendojnë evropianë, ndërsa ministrat e Mbrojtjes kanë qenë gjithmonë kombëtarë: buxhetet kombëtare, vendimmarrja kombëtare”, tha ajo.

❌
❌