Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Main stream

Mbrojtësi kryesor pranë rinovimit, Bayerni gati ta bëjë një nga lojtarët më të paguar

13 January 2026 at 15:30


Sipas Sky, Dayot Upamecano është shumë pranë rinovimit të kontratës me Bayern Munich.

Mbrojtësi francez pritet të firmosë një marrëveshje të re me kampionët rekord të Gjermanisë deri në vitin 2031, me vetëm disa detaje të vogla që mbeten për t’u finalizuar.

Burimi raporton se, pas nënshkrimit të kontratës së re, Upamecano do të përfitojë deri në 20 milionë euro në vit, përfshirë bonuset, duke u renditur kështu mes lojtarëve më të paguar të klubit.

Përveç kësaj, si lojtari ashtu edhe përfaqësuesit e tij do të përfitojnë një bonus të konsiderueshëm nënshkrimi.

Megjithatë, sipas Sky, 25-vjeçari ende nuk ka dhënë miratimin përfundimtar.

Kjo u konfirmua edhe nga drejtori sportiv i Bayern Munich, Max Eberl, i cili pas fitores 8-1 ndaj VfL Wolfsburg, deklaroi për DAZN se disa çështje mbeten ende të hapura.

Një nga pikat kryesore që ende nuk është sqaruar plotësisht lidhet me klauzolën e largimit.

Kontrata e re pritet të përfshijë një klauzolë daljeje, por struktura e saj nuk është përcaktuar ende përfundimisht.

Sipas informacioneve të Sky, një opsion largimi në vitin 2027 pritet të përfshihet në kontratë, ndërsa shuma konkrete mbetet ende për t’u vendosur.

Pavarësisht këtyre detajeve të mbetura, Sky vlerëson se rinovimi nuk është në rrezik.

Sipas burimit, nënshkrimi i kontratës së re nga Dayot Upamecano me Bayern Munich është çështje kohe dhe pritet të zyrtarizohet së shpejti. /Telegrafi/

Liverpooli ka një plan për Mohamed Salah

13 January 2026 at 13:45


Mohamed Salah pritet të qëndrojë te Liverpooli deri në përfundim të këtij sezoni, pavarësisht spekulimeve të fundit rreth të ardhmes së tij në Anfield.

Ylli egjiptian, i cili ka kontratë deri në qershor 2027, ka qenë objekt i pyetjeve të vazhdueshme për angazhimin e tij afatgjatë me klubin, por burime pranë klubit theksojnë se Liverpooli pret që Salah të përfundojë sezonin në radhët e skuadrës.

Klubi shpreson që situata të stabilizohet, duke i mundësuar sulmuesit të përmbushë kontratën e tij, megjithatë, çështjet e vazhdueshme mund të nxisin diskutime të hershme mbi një ndarje të mundshme.

Që nga transferimi nga Roma në 2017, Salah ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm në Ligën Premier.

Sezonin e kaluar, ai shënoi 29 gola dhe realizoi 18 asistime në 38 ndeshje të kampionatit, duke ndihmuar Liverpoolin të siguronte titullin. /Telegrafi/

Michael Carrick pritet të emërohet trajner i ri i Man Utd

13 January 2026 at 11:18


Manchester United ka vepruar me shpejtësi për të gjetur pasuesin e Ruben Amorim, duke përshpejtuar ndjeshëm procesin për emërimin e trajnerit të ri.

Madje, sipas raportimeve të fundit, tashmë është arritur një marrëveshje për ardhjen e tij.

Situata në “Old Trafford” ka hyrë në një fazë trazirash totale.

Vetëm pak ditë më parë, klubi vendosi të ndahej nga trajneri portugez Ruben Amorim, i cili nuk arriti të përmbushte pritshmëritë në Ligën Premier.

Pas 14 muajsh me rezultate të paqëndrueshme dhe pa mundur të rivalizojë ekipet e mëdha të kampionatit anglez, aventura e tij në stolin e “Djajve të Kuq” mori fund.

Pas largimit të Amorim, disa emra janë përmendur si zgjidhje të përkohshme për stolin e United.

Megjithatë, sipas asaj që është raportuar ditët e fundit, Michael Carrick ka kaluar përpara Ole Gunnar Solskjaer në garën për të marrë drejtimin e ekipit.

Sipas prestigjiozes The Athletic, është arritur tashmë një marrëveshje parimore me ish-mesfushorin 44-vjeçar, i cili pritet të rikthehet në “Old Trafford” këtë herë si trajner i ekipit të parë.

Në mungesë të ndonjë surprize të papritur, Carrick pritet të drejtojë ndeshjen e tij të parë që këtë të shtunë, përballë Manchester Cityt.

Një debutim jashtëzakonisht i vështirë dhe një provë e madhe zjarri për trajnerin e ri të Manchester United. /Telegrafi/

Lewandowski sfidon moshën dhe trondit Barcelonën

13 January 2026 at 10:40


Robert Lewandowski po tregon edhe këtë sezon se mosha nuk është pengesë.

Sulmuesi polak ka shënuar 10 gola dhe vazhdon të jetë i rëndësishëm për Barcelonën.

Për këtë arsye, as lojtari dhe as klubi nuk e kanë përjashtuar mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit.

Edhe pse janë përhapur zëra për largimin e tij në fund të sezonit, brenda klubit ka mendime se Lewandowski mund të qëndrojë edhe një vit tjetër.

Sipas gazetës Sport, forma e mirë e treguar, veçanërisht në Superkupën e Spanjës, ka bindur shumë drejtues që ta mbajnë sulmuesin 37-vjeçar.

Edhe stafi teknik është i kënaqur me paraqitjet e tij.

Ndonëse këtë sezon ka qenë shpesh rezervë, Lewandowski ka ruajtur efikasitetin, me 10 gola në 20 ndeshje zyrtare.

Trajneri Hansi Flick ka theksuar se është i kënaqur me punën dhe nivelin e tij, pa dhënë ende një vendim për sezonin e ardhshëm.

Nga ana e tij, vetë Lewandowski nuk ka marrë ende një vendim.

Ai ka oferta nga MLS dhe Arabia Saudite, por dëshiron të marrë kohë dhe të flasë fillimisht me trajnerin.

Sipas AS, edhe pse cikli i tij te Barcelona mund të jetë drejt fundit, mundësia e qëndrimit nuk është përjashtuar plotësisht. Vendimi pritet të merret në një moment më të vonë. /Telegrafi/

Man City kontakton për mesfushorin e Nottingham Forest, goditje për Man Utd

13 January 2026 at 10:07


Manchester City ka bërë kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e Elliot Anderson për një transferim të mundshëm me vlerë të lartë gjatë afatit kalimtar të verës.

Ky zhvillim përbën një goditje të madhe për rivalët, Manchester United, të cilët e shihnin mesfushorin e Nottingham Forest si objektivin e tyre kryesor.

Pep Guardiola është një admirues i madh i 23-vjeçarit, reprezentues i Anglisë, duke e konsideruar atë si një mesfushor ideal dhe të gjithanshëm, qoftë në rolin e numrit 8 apo si organizator i lojës nga prapavija, perfekt për sistemin e bazuar në posedim të Cityt.

Burime pranë lojtarit sugjerojnë se vetë Anderson është i hapur për një kalim në “Etihad”, të cilin e sheh si hapin ideal për të çuar karrierën e tij në një nivel më të lartë.

Man Utd mbetet në ankth, teksa City shfrytëzon avantazhet e pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve, suksesin e provuar dhe reputacionin e Guardiolës për t’u pozicionuar si favorit i qartë në këtë garë.

Kontrata afatgjatë e Anderson me Forest, e vlefshme deri në vitin 2029, i jep klubit një pozicion të fortë negociues, me vlerësime që variojnë nga 80 milionë deri në mbi 100 milionë, shifër që mund të rritet më tej nëse ai shkëlqen në Kupën e Botës.

Nottingham Forest kanë qenë të qartë se nuk kanë interes për një shitje në janar, teksa fokusi i tyre mbetet stabiliteti në Ligën Premier.

Ndërkohë, Chelsea dhe Bayern Munich vazhdojnë të jenë në garë, por gjithnjë e më shumë kjo betejë po merr formën e një përballjeje të madhe mes dy gjigantëve të Mançesterit.

Gjatë këtij sezoni me Forest, Anderson ka regjistruar 21 paraqitje në Ligën Premier, duke shënuar një gol dhe duke dhënë dy asistime. /Telegrafi/

Chelsea po përgatitet të shpenzojë 300 milionë euro për të nënshkruar me dy superyje

13 January 2026 at 08:40


Chelsea po përgatitet të jetë protagonisti absolut i afatit kalimtar të verës 2026, me një plan ambicioz që ka tronditur futbollin evropian.

Klubi londinez synon të investojë rreth 300 milionë euro për të transferuar Fermin Lopez dhe Julian Alvarez, në një operacion që do të ishte ndër më të mëdhenjtë në histori.

Kjo lëvizje pritet të konfirmojë fuqinë financiare të pronarëve dhe ambicien për ta rikthyer Chelsean në majat e futbollit kontinental.

Fermin Lopez është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flick.

Mesfushori andaluz ka shkëlqyer me paraqitje të qëndrueshme, duke regjistruar tetë gola dhe tetë asistime në njëzet ndeshjet e fundit zyrtare.

Chelsea beson se një ofertë prej 150 milionë eurosh mund ta bindë Barcelonën, e cila vazhdon të përballet me probleme financiare, të heqë dorë nga një prej talenteve të saj më premtuese.

Drejtuesit e klubit anglez vlerësojnë lart intensitetin, luftën pa top dhe mentalitetin konkurrues të Fermin Lopez, cilësi që konsiderohen ideale për Ligën Premier.

Trajneri Liam Rosenior e sheh mesfushorin spanjoll si një element kyç për ndërtimin e një ekipi më dinamik dhe dominues.

Edhe pse lojtari ndihet i qetë në Barcelonë, një ofertë e kësaj përmase do ta detyronte atë dhe klubin katalanas të rishqyrtojnë seriozisht të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, Chelsea ka fokusuar vëmendjen edhe te Julian Alvarez, i cili po kalon një periudhë të paqëndrueshme te Atletico Madrid.

Pavarësisht se ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë 5 asistime, sulmuesi argjentinas kërkon një ambient ku të jetë pika kryesore e repartit ofensiv.

Chelsea është gati të ofrojë gjithashtu 150 milionë euro për ta rikthyer atë në Ligën Premier, kampionat ku ai ka provuar më parë sukses të madh.

Plani i Chelseat është të ndërtojë një repart sulmues të frikshëm, duke e kombinuar Julian Alvarez me Estevao dhe Pedro Neto.

Një transferim i tillë do të përçonte një mesazh të qartë force ndaj rivalëve evropianë dhe do të tregonte se klubi londinez synon trofe madhorë.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e klubeve respektive, por oferta e përgatitur nga Chelsea konsiderohet pothuajse e parefuzueshme si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë financiar. /Telegrafi/

Yesterday — 12 January 2026Main stream

Ronaldo përballë ndeshjes më të rëndësishme të sezonit

12 January 2026 at 16:00


Al Nassr renditet në vendin e dytë, katër pikë pas Al Hilal, kundërshtar që e viziton këtë pasdite (e hënë).

Një humbje mund t’i shuhë praktikisht shpresat për titullin e parë të Cristiano Ronaldos në Arabinë Saudite.

Al Nassr, që kryesoi kampionatin gjatë gjithë sezonit deri dy javë më parë, luan sot një ndeshje vendimtare.

Seria negative me një barazim dhe dy humbje e ka zbritur katër pikë pas Al Hilal, ndërsa një tjetër disfatë do ta çonte diferencën në shtatë.

Në këtë skenar, titulli i parë i Ronaldos në Arabinë Saudite do të largohej edhe më shumë.

Jorge Jesus ka nevojë për versionin më të mirë të Cristiano Ronaldos për të mbajtur gjallë garën për kampionatin.

Edhe pse portugezi ka shënuar katër gola në pesë ndeshje pas rikthimit nga pauza e Kupës Arabe, forma e tij është ende larg kulmit.

Në ndeshjen e fundit ndaj Al Qadsiah, mungesa e ndikimit të tij u ndje qartë, ndërsa lojtari që krijoi më shumë rrezik në fazën sulmuese ishte Joao Felix, tek i cili Al Nassr mbështet shpresat gjithashtu këtë pasdite.

Nga ana tjetër, Simone Inzaghi, tashmë pa Joao Cancelon, i cili është pranë transferimit te Barcelona, rikthen Theo Hernandezin pas pezullimit.

Al Hilal disponon një repart ofensiv shumë të frikshëm, me Marcos Leonardo, Darwin Nunez, Salem Al Dawsari dhe Malcom.

Duhet kujtuar se disa emra të rëndësishëm mungojnë për shkak të Kupës së Afrikës, si Sadio Mane te Al Nassr dhe Bono e Koulibaly te Al Hilal.

Kjo ndeshje është jetike për Cristiano Ronaldon.

Sot, ai luan jo vetëm për sezonin e Al Nassr, por edhe për mundësinë reale për të fituar titullin e tij të parë në nivel klubesh pas pesë vitesh. /Telegrafi/

Simeone kërkon ndjesë publike ndaj Vinicius Jr dhe Florentino Perez pas incidentit në Superkupë

12 January 2026 at 15:10


Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka kërkuar publikisht ndjesë ndaj Vinicius Jr dhe presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, pas sjelljes së tij gjatë gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës mes dy skuadrave.

Duke folur për mediat përpara ndeshjes së Atletico Madridit në Kupën e Mbretit ndaj Deportivo La Coruna, Simeone iu rikthye incidentit në të cilin u pa duke provokuar Vinicius Jr nga zona teknike.

Trajneri argjentinas i ishte referuar fishkëllimave që braziliani ka marrë në “Santiago Bernabeu”, duke sugjeruar gjithashtu se Florentino Perez do ta shkarkonte atë në fund të sezonit.

“Florentino do të të shkarkojë, mbaje mend çfarë po të them”, u dëgjua Simeone duke thënë gjatë ndeshjes.

Këto komente shkaktuan reagim të ashpër nga Vinicius Jr dhe trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ndërsa klubi madrilen e konsideroi sjelljen e Simeones si tejkalim të kufijve.

Pas reflektimit mbi situatën, Simeone doli me një deklaratë publike, duke pranuar gabimin e tij dhe duke kërkuar ndjesë.

“Dua t’i kërkoj ndjesë zotit Florentino dhe zotit Vinicius për incidentin që panë. Ishte e gabuar nga ana ime të vendosja veten në atë pozicion dhe e pranoj se kam gabuar”, u shpreh Simeone.

Megjithatë, trajneri i Atletico Madridit sqaroi se deklarata e tij ishte thjesht një ndjesë, pa shkuar deri te kërkimi i faljes.

“Kërkoj ndjesë, por nuk kërkoj falje. Nuk kam asgjë më tepër për të shtuar”, përfundoi Simeone. /Telegrafi/

Oferta e parë e Villarrealit për talentin e Borussia Dortmund

12 January 2026 at 13:16


Villarreal po planifikon me kujdes të ardhmen e repartit të mesfushës dhe ka nisur të shqyrtojë lëvizje strategjike për muajt e ardhshëm.

Klubi është i vetëdijshëm se po hyn në një fazë, ku disa lojtarë kyç janë drejt fundit të ciklit të tyre, ndaj drejtoria sportive synon të veprojë me kohë për të garantuar vazhdimësi dhe stabilitet në projektin afatmesëm dhe afatgjatë.

Në këtë kontekst, në zyrat e “La Ceramica” ka nisur të marrë vëmendje emri i Jobe Bellingham, një nga talentet e rinj më premtues të futbollit evropian dhe vëllai më i vogël i Jude Bellingham.

Mesfushori i Borussia Dortmund shihet si një profil ideal për të rinovuar mesfushën, sidomos në një moment kur roli i Dani Parejo pritet të zbehet gradualisht dhe largimi i mundshëm i Pape Gueye duket gjithnjë e më afër.

Në moshën 20-vjeçare, Jobe Bellingham shquhet për kombinimin e forcës fizike, energjisë dhe aftësisë për të interpretuar lojën në të dy fazat.

Ai nuk është vetëm një mesfushor mbrojtës, por një lojtar modern që depërton mes linjave, ushtron presion të lartë dhe kontribuon në fazën sulmuese.

Në Villarreal vlerësohet fakti që ai ka ende shumë hapësirë për zhvillim dhe mund të rritet brenda një ambienti që u jep besim dhe përgjegjësi lojtarëve të rinj.

Megjithatë, negociatat me Borussia Dortmund pritet të jenë të ndërlikuara.

Villarreal po mendon një ofertë fillestare rreth 20 milionë euro, por klubi gjerman e vlerëson lojtarin më lart dhe nuk është i gatshëm ta shesë për më pak se 30 milionë euro.

Për këtë arsye, drejtuesit spanjollë po analizojnë alternativa si bonuse për objektiva ose pagesa të strukturuara, në mënyrë që operacioni të mos rrezikojë ekuilibrat financiarë të klubit.

Jobe Bellingham e sheh me interes një aventurë në La Liga, ku mund të ketë më shumë minuta dhe rol protagonist.

Për Villarrealin, ai përfaqëson një investim ambicioz, me vlerë të menjëhershme dhe potencial të madh për të ardhmen.

Nëse palët arrijnë të afrojnë qëndrimet, klubi verdhë mund të realizojë një nga transferimet më interesante të afateve kalimtare të ardhshme. /Telegrafi/

Barcelona merr një ofertë prej 60 milionë eurosh për yllin e tyre nga klubi anglez

12 January 2026 at 12:06


Barcelona po shqyrton seriozisht një ofertë shumë të rëndësishme gjatë afatit kalimtar veror.

Klubi katalanas ka marrë një propozim prej 60 milionë eurosh nga Aston Villa për Ferran Torres, një shumë që mund të ketë ndikim të madh si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë sportiv.

Oferta vjen në një moment vendimtar për Barcelonën, e cila vazhdon të kërkojë stabilitet ekonomik pa rrezikuar konkurrencën në fushë.

Nuk bëhet fjalë për një ofertë të zakonshme dhe drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm se kjo lëvizje mund të ndikojë drejtpërdrejt në planifikimin e sezonit të ardhshëm.

Propozimi i Aston Villas e vendos Barcelonën përballë një dileme të ndërlikuar.

Nga njëra anë, 60 milionë euro do të përbënin një lehtësim të ndjeshëm financiar.

Nga ana tjetër, Ferran Torres mbetet një lojtar aktiv i projektit sportiv.

Që prej ardhjes së tij te Barcelona, Ferran Torres ka kaluar periudha me performanca të paqëndrueshme.

Ai ka shënuar gola të rëndësishëm dhe ka treguar profesionalizëm të vazhdueshëm, por nuk ka arritur të konsolidohet si titullar i padiskutueshëm.

Konkurrenca e fortë në repartin ofensiv ka ndikuar në minutat e tij gjatë disa fazave të sezonit, megjithatë polivalenca dhe përkushtimi i tij vazhdojnë të vlerësohen nga stafi teknik dhe brenda skuadrës.

Interesi i Aston Villa bazohet pikërisht në këtë profil.

Në Ligën Premier besojnë se Ferran Torres mund të fitojë vazhdimësi dhe të marrë një rol kryesor, diçka që te Barcelona nuk e ka pasur gjithmonë.

Pranimi i kësaj oferte do t’i mundësonte Barcelonës të përmirësonte ndjeshëm gjendjen financiare dhe të fitonte hapësirë për të përforcuar pozicione të tjera prioritare.

Në të njëjtën kohë, largimi i Ferran Torres do të kërkonte riorganizim në repartin ofensiv, qoftë përmes zgjidhjeve të brendshme apo një afrimi të ri në afatin kalimtar.

Drejtoria sportive po analizon disa skenarë të mundshëm, e vetëdijshme se çdo vendim do të ketë pasoja si afatshkurtra ashtu edhe afatmesme.

Barcelona nuk ka nxitim, por ka një strategji të qartë dhe oferta e Aston Villa do të shqyrtohet me kujdes të plotë.

E ardhmja e Ferran Torres mbetet e hapur, ndërsa gjithçka do të varet nga fakti nëse kjo shitje përputhet me objektivat e klubit. /Telegrafi/

A do të ketë pasoja Real Madridi nga humbja në Superkupën e Spanjës?

12 January 2026 at 09:20


Humbja ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës (3-2) nuk ka ndryshuar aspak strategjinë e drejtuesve të Real Madridit.

Pavarësisht zhgënjimit për rezultatin, klubi madrilen vijon të besojë si te trajneri Xabi Alonso, ashtu edhe te përbërja aktuale e skuadrës.

Të dielën në mbrëmje, “Los Blancos” zhvilluan një ndeshje dinjitoze dhe shfrytëzuan maksimalisht shanset e tyre deri në fund, por nuk arritën të shmangnin humbjen përballë një Barcelone që demonstroi efikasitet përpara portës dhe thellësi më të madhe në stol.

Pikërisht për këtë arsye, sepse ekipi ishte në nivelin minimal të kërkuar, drejtuesit e klubit mbeten të palëkundur në vendimin për të mos ndërhyrë në merkaton e dimrit.

Sipas së përditshmes AS, në ditët në vijim priten oferta të shumta nga agjentë dhe klube të ndryshme, por gjithçka do të shtyhet për në verë.

“Të gjithë e dinë se skuadra ka nevojë për përforcime, por janari nuk ka qenë kurrë periudha e preferuar e Real Madridit të Florentino Perez”, thekson burimi.

Pa transferime dhe pa ndryshim trajneri

Në zyrat e larta të “Santiago Bernabeu” vlerësohet se, pavarësisht mungesave të shumta për shkak dëmtimesh, nuk ka nevojë për afrime të reja gjatë muajit janar.

Madje, përveç Gonzalos që tashmë është integruar, nuk pritet që ndonjë lojtar tjetër nga akademia të bëjë hapin drejt ekipit të parë në muajt e ardhshëm.

Ndryshe nga sa ndodh shpesh pas humbjeve në finale, Superkupa nuk ka qenë “varri” i trajnerit.

Përkundrazi, Xabi Alonso ka dalë disi i përforcuar, pasi arriti të paraqesë një skuadër të angazhuar dhe energjike.

Megjithatë, për periudhën e afërt, atij dhe stafit të tij do t’u kërkohet të gjejnë zgjidhje për përmirësimin e gjendjes fizike të ekipit, i cili në javët e fundit ka shfaqur shenja shqetësuese lodhjeje.

“Në Valdebebas besojnë se ka ende kohë për të zhvilluar një sezon të mirë, por kjo kalon domosdoshmërisht nga përmirësimi i përgatitjes fizike të skuadrës”, përfundon AS. /Telegrafi/

Chelsea ofron 120 milionë për yllin kyç të Real Madridit

12 January 2026 at 08:34


Real Madridi po shqyrton me kujdes një ofertë prej 120 milionë eurosh të paraqitur nga Chelsea për Federico Valverden, duke u rikthyer kështu në qendër të vëmendjes së afatit kalimtar ndërkombëtar.

Klubi londinez ka shfaqur interes konkret dhe të drejtpërdrejtë për mesfushorin, i cili konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të projektit sportiv të klubit madrilen.

Brenda Real Madridit ekziston konsensus i plotë për vlerën e Valverdes, i cili ka fituar statusin e një lojtari kyç falë paraqitjeve të qëndrueshme, shumëfunksionalitetit dhe mentalitetit fitues.

Klubi nuk ndjen asnjë urgjencë financiare apo sportive për të negociuar dhe qëndrimi fillestar është i qartë: vetëm një ofertë jashtë çdo standardi tregu do të merrej realisht në konsideratë.

Nga ana tjetër, Chelsea ndodhet në një fazë të re rindërtimi dhe synon të dërgojë një sinjal të fortë në treg.

Trajneri i ri e sheh Valverden si figurën ideale për të ndërtuar mesfushën, falë intensitetit, dinamikës dhe aftësisë së tij për të ndikuar në disa faza të lojës.

Oferta prej 120 milionë eurosh është dëshmi e bindjes së plotë të klubit anglez.

Megjithatë, Real Madridi vlerëson më shumë aspektin sportiv sesa përfitimin e menjëhershëm ekonomik.

Zëvendësimi i një lojtari me profilin e Valverdes nuk konsiderohet i lehtë, ndërsa lidhja e fortë e futbollistit me klubin dhe roli i tij në fushë e në dhomat e zhveshjes përforcojnë idenë e vazhdimësisë.

Në moshën 27-vjeçare, Valverde përfaqëson një kombinim ideal mes përvojës dhe perspektivës afatgjatë.

Oferta e Chelseat po analizohet pa presion dhe me qetësi, ndërsa në Madrid mbetet bindja se vetëm dëshira e qartë e lojtarit mund të hapte rrugën e negociatave për një nga operacionet më të mëdha të mundshme të verës. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Chelsea ofron 150 milionë euro për yllin e Barcelonës

9 January 2026 at 16:01


Rritja e Fermin Lopez është shndërruar në një nga lajmet më pozitive të sezonit për Barcelonën.

Në moshën 22-vjeçare, mesfushori është konsoliduar në ekipin e parë dhe është kthyer në një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës, duke regjistruar tetë gola dhe tetë asistime në 20 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

Paraqitjet e tij të shkëlqyera nën drejtimin e Hansi Flick e kanë bërë një pjesë shumë të rëndësishme të projektit sportiv të Barcelonës, falë intensitetit, energjisë dhe aftësisë për të ndikuar si me dhe pa top.

Forma e lartë e Fermin nuk ka kaluar pa u vënë re jashtë Spanjës, veçanërisht në Ligën Premier, ku disa klube po ndjekin nga afër situatën e tij.

Interesimi më konkret vjen nga Chelsea, i cili sipas mediave angleze është i gatshëm të paraqesë një ofertë rreth 150 milionë euro për mesfushorin spanjoll.

Një shifër e tillë do të përfaqësonte një të ardhur historike për Barcelonën dhe do të ishte shumë e vështirë për t’u refuzuar, duke pasur parasysh edhe situatën financiare të klubit.

Aktualisht, lojtari është i përqendruar te Barcelona dhe nuk ka shfaqur dëshirë për t’u larguar, por një ofertë e këtyre përmasave mund ta vendosë klubin dhe vetë Fermin Lopez përballë një vendimi të rëndësishëm në afatin kalimtar të ardhshëm veror.

Chelsea mbetet i vendosur për të bërë një lëvizje të madhe dhe, nëse interesi konkretizohet, Fermin mund të jetë një nga emrat më të bujshëm të afatit kalimtar. /Telegrafi/

Nottingham Forest telefonon Interin për një lojtar ndërsa refuzon ofertën e Napolit për një tjetër

9 January 2026 at 13:56


Sipas Sky Sport Italia, klubi i Ligës Premier, Nottingham Forest, ka ndërmarrë hapat e parë për të testuar gatishmërinë e Interit për të shitur mesfushorin italian Davide Frattesi gjatë këtij afati kalimtar.

Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se drejtuesit e Forest kanë kontaktuar së fundmi Interin për bisedime fillestare, ndërsa klubi zikaltër ka qenë i qartë në qëndrimin e tij: çmimi i Frattesit është 35 milionë euro.

Mbetet për t’u parë nëse anglezët do të jenë të gatshëm të plotësojnë kërkesat financiare të Interit në ditët në vijim.

Përveç Nottingham Forest, interes për 24-vjeçarin kanë shfaqur edhe Galatasaray dhe Juventusi, të cilat po monitorojnë situatën e mesfushorit të Kombëtares italiane.

Nga ana tjetër, Sky Sport Italia raporton se Nottingham Forest nuk ka ndërmend të përfshijë Dan Ndoye në asnjë marrëveshje për Frattesin.

Madje, klubi anglez ka refuzuar edhe një qasje të fundit nga Napoli për shërbimet e sulmuesit anësor zviceran.

Forest planifikon ta mbajë Ndoye deri në fund të sezonit.

25-vjeçari ka regjistruar dy gola dhe një asistim në 21 paraqitje në të gjitha kompeticionet këtë sezon.

Napoli kishte tentuar transferimin e tij edhe verën e kaluar, përpara se Ndoye të kalonte përfundimisht te Nottingham Forest për një shumë prej 45 milionë eurosh.

Ndërkohë, edhe Frattesi nuk ka arritur të bindë plotësisht këtë sezon me fanellën e Interit, duke kontribuar me dy asistime në 15 paraqitje, ndërsa ka grumbulluar vetëm 506 minuta lojë në të gjitha garat. /Telegrafi/

Beteja për mbrojtësin anglez nuk ka mbaruar

9 January 2026 at 12:21


Edhe pse së fundmi është përfolur si shumë pranë një kalimi te Manchester City, realiteti është se gara për shërbimet e mbrojtësit anglez Marc Guehi është ende larg përfundimit.

Futbollisti i Crystal Palace hyn në vitin e fundit të kontratës së tij, e cila skadon verën e ardhshme.

Një ditë më parë, disa raportime e vendosnin Manchester Cityn si favorit absolut për transferimin e Guehit.

Sipas këtyre burimeve, “Citizens” janë të gatshëm të veprojnë menjëherë dhe të investojnë rreth 34.5 milionë euro për ta sjellë në “Etihad”.

Megjithatë, sipas asaj që raporton Daily Mirror, gara mbetet e hapur.

Arsenali nuk ka hequr dorë nga pista Guehi dhe mund të paraqesë ofertën e tij gjatë këtij afati kalimtar dimëror.

Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që edhe Chelsea apo Liverpooli të përfshihen seriozisht në këtë betejë.

Vëmendje nga Evropa

Nga distanca, situatën po e monitorojnë me interes edhe klube të tjera të mëdha evropiane.

Bayern Munich është një prej tyre, gjigantët bavarezë shpresojnë që Guehi t’i rezistojë ofertave të janarit dhe të presë deri në verë, kur mund të largohet nga Crystal Palace si lojtar i lirë.

Sipas Sky, Bayern do të ishte gati ta transferonte atë drejt “Allianz Arena” pa paguar kartonin.

Në gjithë këtë histori, rol vendimtar ka edhe Crystal Palace.

“Eagles” duhet të vendosin nëse do ta shesin mbrojtësin gjatë këtij muaji apo do ta mbajnë deri në fund të sezonit, duke rrezikuar largimin e tij pa përfitim financiar, por duke shfrytëzuar cilësitë e tij në fazën e dytë të kampionatit. /Telegrafi/

Kontrata që do të formësojë të ardhmen e Upamecanos

9 January 2026 at 11:09


Saga që ka shoqëruar të ardhmen e Dayot Upamecano po hyn në fazën e saj përfundimtare.

Mbrojtësi francez i ka dhënë tashmë dritën jeshile kontratës së re, e cila do t’i garantojë vazhdimësinë te Bayern Munich me kushte financiare marramendëse.

E ardhmja e Dayot Upamecano vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me klubin bavarez.

Sipas raportimeve të L’Équipe, çështja është tashmë vetëm formale dhe palët pritet të firmosin dokumentet përkatëse në ditët në vijim.

Shifrat e marrëveshjes tregojnë qartë se Bayern ka përmbushur pothuajse të gjitha kërkesat e përfaqësuesve të lojtarit.

Gazeta prestigjioze franceze konfirmon se qendërmbrojtësi do të shndërrohet në një nga lojtarët më të paguar të skuadrës, me një pagë vjetore që mund të arrijë deri në 20 milionë euro.

Për më tepër, Upamecano do të përfitojë edhe një bonus nënshkrimi me vlerë të përafërt.

Kontrata e re, e cila pritet të zgjasë deri në vitin 2030 ose 2031, do të përfshijë gjithashtu një klauzolë largimi që do t’i mundësojë mbrojtësit të largohet nga Bayern për një shumë fikse prej 65 milionë eurosh, duke filluar nga viti 2027.

Si një detaj interesant, thuhet se rinovimi i fundit i kontratës së trajnerit Vincent Kompany deri në vitin 2029 ka qenë një faktor kyç që e ka bindur Upamecanon të pranojë ofertën.

Nën drejtimin e trajnerit belg, mbrojtësi francez, i cili më parë kritikohej për gabime të papritura, ka arritur një nivel performance më të qëndrueshëm.

Kjo rritje e formës i ka forcuar pozitat e tij brenda klubit dhe ka zgjuar interesin e shumë skuadrave evropiane, të cilat, të paktën për momentin, do të duhet ta fshijnë emrin e tij nga lista e objektivave. /Telegrafi/

Ruiz flet hapur se si PSG përgatitet për penalltitë

9 January 2026 at 10:37


Fabian Ruiz ka komentuar fitoren e Paris Saint-Germain në serinë e penalltive, pas triumfit në Superkupën e Francës kundër Marseille, në një ndeshje dramatike të zhvilluar të enjten mbrëma.

Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique siguroi trofeun pas barazimit 2-2 në kohën e rregullt, duke u treguar e saktë nga pika e bardhë.

Gonçalo Ramos, Vitinha, Nuno Mendes dhe Desire Doue realizuan penalltitë e tyre, ndërsa vendimtar u shfaq portieri Lucas Chevalier, i cili priti dy goditje, duke i dhënë PSG-së fitoren e pestë radhazi në penallti.

Pavarësisht suksesit, mesfushori spanjoll pranoi se penalltitë nuk janë një aspekt që stërvitet intensivisht në klubin parisien.

“Ne e dimë cilësinë e madhe që ka Lucas, ai e ka dëshmuar tashmë. Ne kemi besim tek ai. E njëjta gjë vlen edhe për Mocha (Matvey Safonov), Renato dhe të gjithë portierët që kemi”, ka thënë Ruiz për RMC Sport.

“Lucas e meriton plotësisht këtë, është një djalë i jashtëzakonshëm që punon shumë fort. Jam shumë i lumtur për paraqitjen e tij, e cila na solli këtë trofe. Tani mund ta festojmë”.

Sa i përket penalltive, Ruiz shtoi:

“Është e vërtetë që nuk punojmë shumë me penalltitë, edhe pse ndonjëherë disa lojtarë qëndrojnë për t’u stërvitur me portierët”.

“Kjo nuk është diçka që e praktikojmë në mënyrë intensive, por kemi portierë të shkëlqyer, të cilët na ndihmojnë të fitojmë këto seri, së bashku me lojtarët që tregohen të saktë në gjuajtje”.

Në fund, mesfushori i PSG-së theksoi:

“Shpresoj të fitojmë sërish. Dhe nëse duhet të vendoset me penallti, atëherë le të jetë kështu. Ne ia besojmë gjithçka duarve të portierëve tanë, të cilët tashmë na kanë dhuruar trofe”. /Telegrafi/

Juventusi refuzon të heqë dorë nga rikthimi i një lojtari

9 January 2026 at 10:10


Juventusi ka intensifikuar kontaktet për të rikthyer Federico Chiesën në Torino, duke shqyrtuar një propozim të ri drejtuar Liverpoolit që mund të zhbllokojë negociatat e bllokuara mes palëve.

Sipas burimeve pranë klubit, bardhezinjtë po përgatisin një ofertë në formën e huazimit me të drejtë blerjeje, e cila do të shndërrohej në detyrim nën kushte të caktuara.

Kjo formulë synon të mbrojë interesat e të dyja klubeve dhe të lehtësojë finalizimin e marrëveshjes.

Megjithatë, Liverpooli mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij, duke u shprehur i hapur vetëm për një transferim të përhershëm dhe për një shifër të konsiderueshme.

Situata e Chiesës në “Anfield” nuk është aspak ideale.

Sulmuesi anësor, i cili po has vështirësi për të gjetur hapësira, qëndroi 90 minuta në stol në barazimin pa gola të Liverpoolit ndaj Arsenalit të enjten, një sinjal i qartë i rolit të tij të reduktuar nën drejtimin e trajnerit Arne Slot.

28-vjeçari u largua nga Juventusi drejt Liverpoolit 18 muaj më parë, por një rikthim në Serie A dhe te bardhezinjtë mbetet një skenar i mundshëm, nëse klubet arrijnë të afrojnë qëndrimet për vlerësimin e kartonit të tij gjatë afatit kalimtar të janarit. /Telegrafi/

Maresca favorit për të pasuar Guardiolën dhe ka zgjedhur tashmë yllin që dëshiron te Man City

9 January 2026 at 08:57


Skena e futbollit ndërkombëtar është tronditur nga raportimet që e vendosin Enzo Marescan si kandidatin kryesor për të marrë drejtimin e Manchester Cityt në rast të largimit të Pep Guardiolës në fund të sezonit.

Pas largimit të tij nga Chelsea më 1 janar, tekniku italian shihet gjithnjë e më shumë si pasardhësi ideal në pankinën e “Etihad Stadium”.

Mundësia e mbylljes së ciklit të Guardiolës e detyron drejtuesit e klubit anglez të mendojnë për një profil që garanton vazhdimësi taktike dhe identitet loje.

Në këtë skenar tranzicioni, Maresca ka vendosur tashmë prioritetin absolut për afatin kalimtar të verës: rikthimin e një lojtari që e njeh mirë klubin dhe që sot është shndërruar në një yll të futbollit botëror.

Kërkesa e Marescas: rikthimi i Cole Palmer te Manchester City

Sipas burimeve pranë klubit, Maresca ka qenë i qartë në komunikimin me drejtuesit e Cityt: Cole Palmer është çelësi i projektit të tij sportiv.

Për trajnerin italian, mesfushori ofensiv nuk është thjesht një përforcim, por boshti rreth të cilit synon të ndërtojë fazën sulmuese të ekipit pas epokës Guardiola.

Man City është në dijeni të kësaj kërkese dhe po vlerëson seriozisht koston financiare që do të kërkonte rikthimi i një ish-produkti të akademisë së vet.

Marrëdhënia e shkëlqyer mes Marescas dhe Palmer konsiderohet faktori kryesor i suksesit të përbashkët të arritur më parë në Londër.

Pjekuria e Palmer pas triumfeve ndërkombëtare

Evolucioni i Cole Palmer ka qenë i jashtëzakonshëm që nga largimi i tij nga City.

Nën drejtimin e Marescas, ai u shndërrua në liderin absolut të Chelseat, duke qenë protagonist në fitimin e Ligën e Konferencës dhe Kupës së Botës për Klube.

Këto suksese kanë rritur ndjeshëm nivelin dhe pjekurinë e lojtarit.

Përvoja fituese dhe njohja e filozofisë së lojës së Manchester Cityt do ta bënin përshtatjen e tij thuajse të menjëhershme, duke minimizuar çdo rrezik sportiv.

Maresca synon të përsërisë formulën fituese duke shfrytëzuar vizionin, kreativitetin dhe instinktin për gol që Palmer ka zhvilluar vitin e fundit. /Telegrafi/

Ish-ylli i Serie A sulmon VAR-in dhe gjyqtarët: Është një rrëmujë totale

8 January 2026 at 15:30


Ish-mesfushori i Fiorentinës dhe Milanit, Riccardo Montolivo, ka kritikuar ashpër përdorimin e VAR-it në Serie A, duke theksuar se teknologjia po i heq autoritetin arbitrit në fushë, në vend që ta ndihmojë atë vetëm në rastet e gabimeve të mëdha.

Presioni mbi gjyqtarët italianë është rritur ndjeshëm javët e fundit, pas protestave të shumta nga klube dhe trajnerë.

Të mërkurën, Napoli u ankua për një gol të anuluar të Rasmus Hojlund dhe për një penallti të akorduar në favor të Veronës.

Kontroversat vazhduan edhe në mbrëmje, me vendime të diskutueshme të VAR-it për penallti gjatë ndeshjes Lazio–Fiorentina.

“Arbitrat nuk po përmirësohen në përdorimin e VAR-it”, deklaroi Montolivo për Sky Sport Italia.

“Arbitri në fushë ka gjithnjë e më pak pushtet, ndërsa arbitri në VAR ka gjithnjë e më shumë. Për mua, duhet të jetë e kundërta”.

Sipas ish-mesfushorit të Serie A, roli i VAR-it duhet të jetë i kufizuar.

“VAR duhet ta shpëtojë arbitrin vetëm kur ai bën një gabim të madh. Ka kaq. Nëse arbitri mendon se është penallti, mund të jetë ose jo, është ai që e vlerëson. Kështu siç është tani, është rrëmujë”.

Në debat u përfshi edhe legjenda e Interit, Beppe Bergomi, i cili shtoi:

“Ne italianët do të donim ta shihnim VAR-in të përdorej edhe për goditjet nga këndi, ndaj është e vështirë të kthehemi pas”.

“Gabim pas gabimi. Kur përpiqen të korrigjojnë një gabim, zemërojnë ata që kanë vuajtur të njëjtin gabim të dielën e mëparshme”.

Ndërkohë, Lazio kishte shprehur pakënaqësi edhe javën e kaluar pas barazimit 1-1 kundër Udineses, kur sulmuesi i bardhezinjve, Keinan Davis, ndali një gjuajtje me dorë dhe më pas shënoi golin e barazimit në minutat e fundit.

Tensionet kanë arritur në një pikë kritike, aq sa drejtuesi i gjyqtarëve në Itali, Gianluca Rocchi, ka kërcënuar javën e kaluar me dorëheqje, nëse do të vihej në dyshim integriteti i trupës së arbitrimit. /Telegrafi/

❌
❌