Shtëpia e Bardhë thotë se vendimet e Venezuelës do të “diktohen” nga SHBA-ja
Shtetet e Bashkuara kanë "ndikim maksimal" mbi autoritetet e përkohshme të Venezuelës pas kapjes së Nicolas Maduros dhe do të diktojnë vendimet që ata marrin, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump do të takohet me drejtuesit e naftës amerikane të premten për të diskutuar planet për sektorin e naftës së Venezuelës, tha Sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt, disa ditë pas bastisjes që rrëzoi Maduron.
"Ne padyshim kemi ndikim maksimal mbi autoritetet e përkohshme në Venezuelë tani", ka thënë Leavitt në një konferencë për shtyp, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
"Ne po vazhdojmë të jemi në koordinim të ngushtë me autoritetet e përkohshme dhe vendimet e tyre do të vazhdojnë të diktohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës".
Trump ka thënë vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara do të "drejtojnë" Venezuelën pas kapjes së Maduros, pavarësisht se nuk kanë forca në terren atje.
Në realitet, Uashingtoni duket se mbështetet në një bllokadë detare të eksporteve të naftës venezueliane dhe kërcënimin e forcës së mëtejshme të mundshme, për të siguruar bashkëpunimin e presidentes së përkohshme Delcy Rodriguez.
Plani i SHBA-së deri më tani përfshin atë që Trump tha të martën se ishte një marrëveshje – e pa konfirmuar nga Karakasi – që Venezuela t’i dorëzojë Shteteve të Bashkuara midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë.
Ai ka thënë gjithashtu se kompanitë amerikane të naftës do të investojnë në objektet që po shkatërrohen në Venezuelë, megjithëse asnjë kompani nuk ka bërë ende premtime të tilla.
“Takimi është të premten dhe është vetëm një takim për të diskutuar, padyshim, mundësinë e madhe që është para këtyre kompanive të naftës tani”, u tha Leavitt gazetarëve.
E Sekretari i Energjisë i SHBA-së, Chris Wright, tha më parë se Uashingtoni do të kontrollojë shitjet e naftës venezueliane “për një kohë të pacaktuar”.
Shtetet e Bashkuara po zbatojnë atë që e quajnë bllokadë ndaj Venezuelës për të ndaluar çdo eksport të paautorizuar të naftës, duke sekuestruar një anije cisternë nafte në Atlantikun e Veriut të mërkurën pasi e ndoqën atë nga brigjet e Venezuelës.
Leavitt këmbënguli që anija-cisternë, e cila kishte pretenduar se lundronte me flamur rus, ishte “konsideruar pa shtetësi pasi kishte ngritur një flamur të rremë”.
“Kjo ishte një anije e flotës në hije të Venezuelës që ka transportuar naftë të sanksionuar”, tha ajo, duke shtuar se ekuipazhi do të “i nënshtrohej ndjekjes penale”. /Telegrafi/
