Gazetari gjerman ofendon rëndë Osmanin, i reagon këshilltari i Presidentes dhe analisti Mujanoviq: Gjuha juaj është e turpshme
Rinor Nuhiu, këshilltari i presidentes Vjosa Osmani dhe analisti boshnjak Jasmin Mujanoviq kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të gazetarit gjerman të Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, lidhur me presidenten Osmani.
Martens fillimisht shkroi se ekziston një vijë ndarëse mes përfaqësimit të interesave shtetërore dhe asaj që ai e quajti “vetë-poshtërim intelektual”, duke e akuzuar Presidenten Osmani për sjellje “skandaloze” dhe duke pretenduar se ajo po vepron për interesa personale politike.
Në një tjetër koment, ai pretendoi se po citonte një gazetar kosovar, i cili sipas tij kishte shkruar se Osmani po vepron në mënyrë të papranueshme dhe po tenton të ushtrojë presion ndaj Kuvendit.
Këto deklarata u kundërshtuan ashpër nga Rinor Nuhiu, i cili mohoi pretendimet e Martens dhe e cilësoi gjuhën e përdorur prej tij si fyese dhe denigruese.
Calling a head of state who is looking after the national interests of her country a “self-degrading prostitute” is vile and disgusting.
This says everything about you and the rot in your vulgar thinking.
This is sick. You must be ashamed of yourself. https://t.co/ZEYBgHoAzC
— Rinor Nuhiu (@RinorNuhiu) January 31, 2026
Nuhiu theksoi se pajtimi me gjuhë që e etiketon një kryetare shteti me terma ofendues tregon, sipas tij, mungesë serioze të busullës morale dhe profesionale.
“Të quash një kryetare shteti që kujdeset për interesat kombëtare të vendit të saj një “prostitutë vetë-degraduese” është e turpshme dhe e neveritshme. Kjo tregon gjithçka për ty dhe për mendësinë tuaj të kalbur dhe vulgare. Kjo është e sëmurë. Duhet të kesh turp nga vetja” shkroi Nuhiu.
Përplasja mes tyre vazhdoi edhe më tej, pasi Martens iu përgjigj Nuhiut me tone ironike, duke e ftuar atë që, sipas tij, të diskutojnë “sjelljen e turpshme dhe antievropiane” të presidentes Osmani në një takim publik në Berlin.
Këtij komenti i reagoi sërish Nuhiu, i cili theksoi se presidentja Osmani është një nga lideret më qartësisht pro-evropiane në rajon, duke nënvizuar se nën udhëheqjen e saj Kosova është rreshtuar plotësisht me politikat e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, analisti boshnjak Jasmin Mujanoviq ka kërkuar një reagim publik nga gazeta gjermane dhe që të distancohet nga deklaratat e gazetarit të saj,duke vlerësuar se përdorimi i një gjuhe të tillë ndaj Presidentes së Kosovës është i papranueshëm dhe cenon standardet bazë të debatit publik dhe gazetarisë profesionale.
“Mund të kesh çfarëdo mendimi për politikën e Osmanit. Por që gazetari gjerman shpesh i quajtur si kryegazetari gjerman për Ballkanin Perëndimor të thotë se ajo po angazhohet në 'prostitucion intelektual vetëdegradues' është tepër i papërshtatshëm. Kjo kërkon një reagim publik dhe distancim nga FAZ”, ka shkruar Mujanoviq.
You can take whatever view you want of Osmani's politics. But for the man often styled as the leading German journalist of the Western Balkans to claim she is engaging in "self-degrading intellectual prostitution" is wildly inappropriate. This demands a retraction @faznet. pic.twitter.com/Y9G8LWJLEY
— Jasmin Mujanović (@JasminMuj) January 31, 2026
Debati ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe ka hapur diskutime më të gjera mbi kufijtë e kritikës mediatike dhe etikën e komunikimit publik ndaj përfaqësuesve institucionalë. /Telegrafi/
