Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Main stream

Zelensky: Rusia po përgatit sulme të reja masive ndaj Ukrainës

16 January 2026 at 22:11

Duke gjykuar nga të dhënat e fundit të inteligjencës ukrainase, Rusia po përgatit sulme të reja masive ndaj Ukrainës, tha sot Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Po flasim sinqerisht me partnerët tanë për raketat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore që na nevojiten kaq shumë.” Furnizimi nuk është i mjaftueshëm. Po përpiqemi të përshpejtojmë dhe është e rëndësishme që partnerët tanë të na dëgjojnë. Shumë gjëra po bëhen tani në nivelin e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës”, tha Zelensky gjatë fjalimit të tij të rregullt në mbrëmje, raporton Ukrinform.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Ukrainës që të jenë të vëmendshëm dhe të dëgjojnë paralajmërimet për sulme ajrore. Sipas tij, qeveria po punon me kompanitë e energjisë dhe partnerët për të pasur më shumë pajisje dhe më shumë rezerva.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha sot se delegacioni ukrainas është duke udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të diskutuar garancitë e sigurisë dhe një paketë masash për të forcuar përparimin e vendit.

Në të njëjtën kohë, ai shprehu shpresën se dokumentet mbi këto çështje mund të nënshkruhen në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos javën e ardhshme.

Në një konferencë për shtyp në Kiev, Zelensky tha gjithashtu se delegacioni ukrainas shpreson të marrë sqarime nga SHBA-të mbi qëndrimin e Rusisë ndaj përpjekjeve diplomatike të mbështetura nga Amerika për t’i dhënë fund luftës.

Të hënën, duke njoftuar takimin, Zelensky tha se dëgjoi raportin e detajuar të ekipit negociator mbi kontaktet me palën amerikane dhe urdhëroi finalizimin e dokumentit mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Ndryshimet fiskale në 2026/ Eksperti kontabël: Paqja fiskale është nismë pozitive

16 January 2026 at 20:54

TIRANË- Eksperti kontabël Edvin Stefani e vlerëson si pozitive nismën e “paqes fiskale”, të parashikuar në kuadër të ndryshimeve fiskale për vitin 2026, duke theksuar se ajo i përgjigjet sfidave aktuale ekonomike dhe procesit të integrimit europian.

I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, Stefani u shpreh se ndryshimet janë të nevojshme kur kushtet e kohës e kërkojnë një gjë të tillë. Sipas tij, në pamje të parë dhe nëse zbatohet siç duhet, paqja fiskale përbën një hap pozitiv.

Eksperti theksoi se kjo nismë duhet të shoqërohet me rregulla të detajuara dhe të qarta, ndërsa paralajmëroi se nuk duhet të kthehet në praktikë të shpeshtë.

Sipas tij, paqja fiskale është ndërmarrë në një moment kur të ardhurat buxhetore janë rritur dhe ka suficit në buxhet.

“Unë jam pro ndryshimeve që shkojnë për sfidat e kohës. Nëse ne kemi sfida të kohës, ndryshimi është i nevojshëm. Në pamje të parë, ashtu siç mund të zbatohet, paqja fiskale është pozitive. Unë jam për një sistem.

Unë jam për rregulla të formalizuara, të barabarta për të gjithë. Paqja fiskale është një dorë e qeverisë, e cila u thotë bizneseve “formalizohuni”. Jemi duke hyrë në BE, por hyrja në BE, në aspekti fiskal do kemi një formalizim shumë të madh.Duhet të ketë një rregull të detajuar.  Jam pro, por jo të përsëritet shpesh. Nisma u mor pas rritjes së të ardhurave në buxhet. Pra ka suficit buxhetor”, tha ai.

Stefani pranoi gjithashtu se informaliteti është një fenomen i pranishëm kudo dhe lidhet me natyrën njerëzore, por theksoi se lufta ndaj evazionit fiskal duhet të fokusohet në krijimin e pritshmërive afatgjata për biznesin.

“Ne duhet të pranojmë që informaliteti është pjesë e natyrës njerëzore. Nuk i kemi shpikur ne. Lufta ndaj evazionit është që ti bëjmë biznesmenët me pritshmëritë afatgjata. Këto ndikojnë tek biznesmenët me pritshmëritë afatgjata për të luftuar informalitetin”, tha ai.

VIDEO/ BKH dhe Policia kontrolle në një pallat në Tiranë, hetime të përbashkëta Shqipëri-Itali

16 January 2026 at 18:56

TIRANË- Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Policia e Shtetit kanë ushtruar kontroll në një godinë për shkak se se dyshohet se ushtrohej “call center” i paligjshëm.

ABC News mëson se hetimi po kryhet në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Aktualisht nuk ka ende të dhëna se çfarë mund të jetë gjetur nga kontrollet e kryera./abcnews.al

 

“Në pranverë, anëtarësime të reja në PS”, Rama për kundërshtarët: Në 2027 do habiten kur të mbeten dhe pa ato 6 bashki që kanë sot

16 January 2026 at 18:36

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi anëtarësime të reja në Partinë Socialiste.

“Në asamblenë e radhë do të lançojmë dhe fushatën e re të anëtarësimeve në PS, që do jetë, sepse ene e kemi bërë gjithmonë, që do jetë fushat e pranverës, sepse kur të tjerët merren me humbjen e shkuar, ne merremi me fitoren e radhës.

Kemi zgjedhjet në 2027 dhe nëse gjërat do vazhdojnë kështu dhe nëse ata do vazhdojnë të besojnë se ne do biem nga shiu, nga dëbora apo nga proceset e drejtësisë, rruga e të cilave është hapur dhe garantohen prej nesh, ata le të jetojnë me këtë shpresë, se në 2027 do habiten kur të mbeten dhe pa to 5 apo 6 bashki që i kanë sot”, tha ai.

“Informimi i qytetarëve, i kontaminuar”, Rama mbi akuzat e përmbytjeve: Ata që prisnin rrëzimin tim dhe tonë, e shikonin shiun si “anëtar i koalicionit”

16 January 2026 at 18:15

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi se bashkëpunimi i shtetit me sektorin privat përfaqëson një model të ri qeverisjeje, të ndryshëm nga praktikat e së shkuarës, duke theksuar se një pjesë e suksesit financiar të privatit kthehet në dobi të shtetit.

Sipas Ramës, qeveria do të vijojë me këmbëngulje këtë qasje, por sfida kryesore mbetet informimi i qytetarëve.

Duke iu referuar situatës së përmbytjeve, Rama kritikoi kundërshtarët politikë, duke thënë se ata që prej vitesh presin rrëzimin e tij dhe të qeverisë, i panë ditët dramatike të motit të keq si një mundësi politike. Sipas tij, shiu dhe dëbora u konsideruan prej tyre si “anëtarë të mirëseardhur të koalicionit”.

“Shqipëria e deridjeshme, bashkëpunimi me privatët e shikonte ndryshe, kjo është Shqipëria tjetër, këtu ne përfaqësojmë shtetin, privati veten, një pjesë të suksesit financiar e merr shtetit. Do vazhdojmë me këmbëngulje, por na duhet të ndjejmë nevojën e madhe për informim të njerëzve, Nuk është e lehtë, sepse mjedisi i informimit është i kontaminuar.

Kur në ditët e përmbytjes, ditë dramatike, të gjithë ata që shikojnë prej shumë vitesh ëndrrën në beze thonë Tironsit, të rrëzimit tim dhe tonë, e shikonin shiun dhe dëborën si anëtarët e mirëseardhur të koalicionit.

Po të shikoni anketimet tona të brendshme.  Anketimet tona të brendshme, asnjëherë nuk na kanë lënë në baltë, edhe sot, ku ne nuk jemi në pikë tonë më të lartë siç ishim menjëherë pas zgjedhjeve, ata janë daha e daha më keq seç ishin pas zgjedhjeve, ku sigurisht ata fituan, por në fakt ata humbën, sepse publiku vlerëson atë çfarë ne bëjmë gjithsesi”, theksoi ai./abcnews.al

Rama me deputetët e PS: Rrugaçëria në Kuvend duhet të marrë fund

16 January 2026 at 17:47

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka deklaruar se mënyra se si po përdoret fjala “procedurë” në Kuvend përbën një abuzim të rëndë me etikën parlamentare dhe nuk përfaqëson standardet e parlamenteve demokratike të Bashkimit Europian.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se ndarja e mandateve në Kuvend ka një diferencë të qartë, ndërsa ndarja e orëve të fjalës krijon perceptimin e një parlamenti të ndarë thuajse në mënyrë të barabartë. Sipas tij, opozita gëzon më shumë kohë fjale sesa praktikat normale të parlamenteve të BE-së.

Rama akuzoi opozitën se po përdor procedurën parlamentare për të “marrë peng publikun” dhe për të pushtuar sallën e Kuvendit, duke i kthyer deputetët e shumicës në spektatorë të një “teatri balte”.

Sipas tij, sjellje të tilla nuk lejohen në asnjë parlament demokratik dhe as në parlamentet e vendeve të Bashkimit Europian.

Ai shtoi se rregullorja e Kuvendit nuk është e pandryshueshme dhe se, bazuar në praktikat europiane, duhet të ndërhyhet menjëherë që fjala “procedurë” të mos barazohet me pengmarrjen.

Mes tjerash, Rama apeloi që rrugaçëria në Kuvend duhet të marrë fund.

“Dua ta ritheksoj se në ndarjen e mandateve në Kuvend, diferenca është shumë e madhe. Ndërsa në ndarjen e orëve të fjalës në Kuvend, po të shikosh nga jashtë, duket sikur jemi në një parlament 51 me 49, çka do të thotë se orët e vëna në dispozicion të deputetëve të opozitës janë anomalisht shumë më tepër sesa orët që opozitat parlamentare marrin në parlamentet e BE-së.

Me këtë nuk dua të them se duam t’ua ulim orët opozitës; përkundrazi, dua të them se duhet të shikojmë që të ndërpriten fjalët e marra me forcë, me abuzim, në shkelje të plotë të etikës parlamentare, duke përdorur procedurën për të marrë peng jo Kuvendin, por publikun.

Dhe për të pushtuar sallën e parlamentit, duke vendosur deputetët e shumicës në pozitën e atyre që janë aty thjesht spektatorë të një teatri balte.

Kjo duhet të marrë fund. Në asnjë parlament demokratik, në asnjë parlament të BE-së, kjo nuk i lejohet asnjë force politike.

Prandaj, duke qenë se rregullorja e parlamentit nuk është e shkruar në gur, dhe duke u bazuar te rregulloret dhe praktikat e BE-së, duhet ndërhyrë menjëherë që fjala “procedurë” të mos jetë e barabartë me konceptin e pengmarrjes.

Legalizimi i rrugaçërisë në sallën e Kuvendit është bashkëveprim dhe bashkëfajësi në goditjen e të gjithë atyre të rejave dhe të rinjve, si dhe të atyre familjeve që ndjekin Kuvendin. Mbi të gjitha, është një goditje në aspektin social, sepse krijon nxitje të urrejtjes”, tha ai./abcnews.al

“Vdekje Khameneit”, thirrjet e protestuesve iranianë në Teheran

16 January 2026 at 16:35

Gjatë funeralit të Maryam dhe Majid Salehi Siavashani, një çift i ri që u vra gjatë protestave në Iran, në varrezat Behesht Zahra në Teheran më 11 janar, u dëgjuan thirrje të fuqishme kundër udhëheqësit suprem, Ali Khamenei.

Një nga këngët më të përsëritura nga pjesëmarrësit ishte “vdekje Khameneit”, duke reflektuar zemërimin e qytetarëve ndaj represionit shtetëror dhe dhunës së ushtruar gjatë protestave.

Protestat, që shpërthyen si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe situatës së vështirë ekonomike, kanë sjellë një valë zemërimi dhe solidariteti në shumë qytete të Iranit.

Videot e dërguara në Iran International treguan atmosferën e tensionuar në funeral, ku miq dhe familjarë nderonin jetën e çiftit të ri, ndërsa u shpreh një kërkesë e qartë për drejtësi dhe përfundimin e shtypjes ndaj qytetarëve.

Kjo ngjarje ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, duke treguar guximin e qytetarëve iranianë që përballen me frikën dhe dhunën për të kërkuar liri dhe të drejta themelore, dhe pasqyron dhimbjen e thellë të familjarëve që humbën të dashurit e tyre në një moment tragjik.

Ndryshe, qytetarët iranianë po protestojnë shkaku i kushteve të këqija ekonomike dhe sociale.

Përplasen nëntë automjete në Serbi, katër të lënduar

16 January 2026 at 16:23

Katër persona u lënduan në një aksident rrugor  ku u përfshinë nëntë automjete, përfshirë edhe një kamion, në autostradën “Milosh Veliki” në Serbinë qendrore, konfirmuan të premten nga spitali në Çaçak.

Nga spitali u bë e ditur se të gjithë të lënduarit janë trajtuar, ndërsa një burrë për shkak të lëndimeve të rënda është vendosur në njësinë e kujdesit intensiv, ndërsa tre personat e tjerë, dy gra dhe një burrë, janë në gjendje stabile dhe po i nënshtrohen ekzaminimeve shtesë.

Aksidenti ka ndodhur sot rreth orës tetë të mëngjesit, në afërsi të Luçanit. Në aksident nuk ka pasur viktima.

Për shkak të kryerjes së hetimeve, qarkullimi në segmentin e autostradës nga drejtimi i Luçanit drejt Pozhegës është ndërprerë përkohësisht, ndërsa drejtuesve të automjeteve u është rekomanduar të përdorin rrugë alternative përmes Ovçar Banjës.

Në vendngjarje ndodhen pjesëtarë të policisë rrugore, ndërsa shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar.

Celularët, Kushtetuesja kufizon SPAK/ Avokati: Vendimi përcakton përfundimisht se çfarë duhet përdorur dhe çfarë jo

15 January 2026 at 23:43

TIRANË- Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë padisë së një personi, i cili ishte ankuar se SPAK dhe GJKKO, pas sekuestrimit të celularit, i kishin marrë dhe përdorur të gjitha të dhënat personale, që kishin gjetur në aparat.

Kushtetuesja e ka quajtur këtë shkelje të të drejtave të njeriut dhe të privacisë dhe ka urdhëruar përdorimin vetëm të komunikimeve për çështje në hetim, të cilat do të përcaktohen si të tilla paraprakisht me vendim gjykate, duke i vënë kështu një vijë të kuqe kufizuese SPAK-ut dhe GJKKO-së.

Avokati i njohur Arbër Hoxha,i ftuar në “Ora e Fundit”, u shpreh se vendimi i Kushtetuese normoi një rregull dhe standard, me të cilin deri tani është abuzuar ndjeshëm.

Sipas tij, kufizimi i të drejtës për të përdorur të dhënat në celularë apo mjete të tjera është në vazhdën e shtetit të së drejtës dhe në përputhje me normat e Konventës së të drejtave të njeriut.

“Liria e komunikimit dhe fshehtësia e komunikimit garantohen nga Kushtetuta dhe nga Konventa e të Drejtave të Njeriut. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese normon Prokurorinë e Posaçme dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, që të mbajnë parasysh të drejtat e njeriut për fshehtësinë e komunikimeve dhe përdorimi i të dhënave duhet të jetë i lidhur me objektin e hetimit për të cilin është kërkuar nga Prokuroria dhe të miratuar nga Gjykata.

Ky është vendim i rëndësishëm pasi përcakton përfundimisht se çfarë duhet përdorur dhe çfarë jo. Vendimi i Kushtetueses nuk duhet kuptuar si vendim kundër SPAK, por është në vazhdën e shtetit të së drejtës. Deri tani, Prokuroria e ka zbatuar pak ose shumë pak këtë gjë”, tha ai.

Ai  u shpreh se pas këtij vendimi, asnjë peron nuk duhet të dorëzojë telefonin, pa iu komunikuar një vendim gjykata.

“Çdo person, i cili merret në cilësinë e të pandehurit, tani është i detyra e oficerëve të OPGJ, të cilët duhet t’i bëjnë me dije personin që të kenë të pranishëm mbrojtësin. Nuk mund t’i sekuestrohet tani telefoni sipas vendimit të Kushtetuese, pa një vendimmarrje nga ana e gjykatës”, tha ai./abcnews.al

Ministri i Jashtëm danez: Blerja e Groenlandës nga SHBA jashtë çdo diskutimi

15 January 2026 at 22:45

Është “jashtë çdo diskutimi” që Shtetet e Bashkuara të blejnë Groenlandën, përsëriti sot ministri i Jashtëm danez për shtypin danez, në përgjigje të komenteve të bëra nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

“Kjo është jashtë diskutimit. Kjo nuk është ajo që duam në Danimarkë, as në Groenlandë dhe është në kundërshtim me të gjitha rregullat ndërkombëtare. Kjo shkel sovranitetin tonë”, tha Lars Lokke Rasmussen për transmetuesin publik DR.

Karoline Leavitt deklaroi gjatë një konference për shtyp se vendosja e trupave evropiane në Groenlandë “nuk kishte ndikim në objektivin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të blerë” territorin autonom danez.

Yesterday — 15 January 2026Main stream

Trump kërcënon të aktivizojë “Aktin e Kryengritjes”

15 January 2026 at 22:20

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se mund të përdorë një ligj shekullor për të vendosur trupa amerikane në Minesota, ndërsa zyrtarët shtetërorë dhe federalë përplasen mbi taktikat e përdorura nga agjentët e imigracionit.

“Nëse politikanët e korruptuar të Minesotës nuk i binden ligjit dhe nuk i ndalojnë kryengritësit profesionistë të sulmojnë Patriotët e ICE-së, të cilët po përpiqen vetëm të bëjnë punën e tyre, unë do të vendos Aktin e Kryengritjes të cilin shumë presidentë e kanë bërë para meje, dhe do t’i jap shpejt fund absurditetit që po ndodh në atë shtet dikur të madh”, tha Trump.

“Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shtoi ai.

Akti i Kryengritjes – i miratuar për herë të parë në vitin 1792 dhe i ndryshuar në vitin 1871 – lejon vendosjen e trupave brenda SHBA-së në situata të caktuara.

Ligji funksionon në përputhje me Aktin Posse Comitatus, të miratuar në vitin 1878, i cili në përgjithësi ndalon përdorimin e ushtrisë brenda SHBA-së.

Trump më parë kërcënoi të aktivizonte Aktin e Kryengritjes dhe të dërgonte trupa amerikane në përgjigje të protestave kundër ICE në Portland vjeshtën e kaluar.

Herën e fundit që një president e përdori ligjin ishte në vitin 1992, kur guvernatori i Kalifornisë i kërkoi presidentit George HW Bush ndihmë në menaxhimin e trazirave në Los Angeles.

“Berisha do të shkrinte SPAK po të kishte mundësi”, Martin Leka: Zbutja e tonit, lidhet me çështjet e tij penale

15 January 2026 at 21:00

TIRANË- Gazetari Martin Leka, i ftuar në “Real Story” u shpreh se po të kishte gjë në dorë, Sali Berisha do ta shkrinte SPAK.

Ai theksoi se këtë “betim” Sali Berisha e ka bërë në publik.

Analisti pohoi se zbutja e toneve të Sali Berishës për SPAK, pas zgjedhjet së drejtuesit të ri Klodian Brahos, ka ardhur për arsyet se vetë kryetari i PD është në konflikt me akuzat penale që ka ngritur Prokuroria e Përgjithshme.

“Berisha po të kishte gjë në dorë, e kishte shkrirë me themele  SPAK dhe këtë lloj sistemi drejtësie, sepse e ka thënë me kohë vete.

Tonet që ka tani janë thjesht për të qenë politikisht korrekt dhe për të mos renduar pozitat veta sepse ai është në një konflikt penale me akuza penale me SPAK.

Nga ana tjetër, përveç Edi Ramës, të gjithë qeverinë e vet e ka bërë copë. Ramës i ka rënë SPAK. Kur të priten të gjithë rrënjët, degët janë kot”, tha ai./abcnews.al

Sa kushtoi Kuvendi i “Rithemelimit”/Indrit Hoxha në “Real Story”: Shumë reale është sa…

15 January 2026 at 20:36

TIRANË- Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Indrit Hoxha, i ftuar në “Real Story”, tha se fatura e Kuvendit të “Rithemelimit” të 11 dhjetorit 2021 është shume herë më pak, nga ajo që kanë publikuar mediat.

Ai nuk pranoi të tregonte shifrën duke e cilësuar si pjesë të sekretit hetimor.

Ai theksoi se ky hetim i SPAK mund të jetë iniciuar nga denoncimet e Gazment Bardhit, i cili në atë kohë ishte me Lulzim Bashën dhe kundër Sali Berishës.

Ky i fundit luftonte për të marrë vulën e Partisë Demokratike, në një betejë që vijoi për një kohë të gjatë.

“Sa i takon shpenzimeve të Kuvendit çdo gjë është me faturë. Prokuroria i ka të gjitha pagesat dhe të gjitha faturat, është çështja e sekretit hetimor dhe nuk mund të flas për këtë pjesë, por ju them se shifra është qindra herë më e vogël se sa shumat që fliten nëpër media.

Çështja e Kuvendit mund të ketë nisur edhe  si denoncimi i z.Bardhi dhe mund të ketë pasur indicie nga denoncimi i Bardhit asaj kohe kur ishte me z.Basha, por mund të jetë edhe për shkak të hetimeve të tjera”, tha ai./abcnews.al

“Gjërat po ecin në drejtimin e duhur”, Gjikondi: Berisha i frikësuar nga hetimi pasuror i SPAK

15 January 2026 at 20:30

TIRANË– Pak ditë më parë, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Indrit Hoxha, u thirr në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për t’u pyetur mbi të financimit të Kuvendit të Rithemelimit.

Kuvendi i Rithemelimit u zhvillua më 11 dhjetor në vitin 2021, i iniciuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, në atë kohë demokratët ishin në konflikt për vulën dhe logon e PD, pasi kjo e fundit drejtohej nga Lulzim Basha.

Ky veprim i SPAK duket se ka trembur jo pak Sali Berishën, i cili tha se shpenzimet e Kuvendit le të hetohen, por jo pasuritë e familjarëve të tij.

Kjo çështje u trajtua mbrëmjen e kësaj te enjteje në studion e “Real Story”. Juristja Brizida Gjikondi u shpreh se Sali Berisha e ka kthyer në modë sulmin publik që adreson ndaj prokurorëve të SPAK.

Sipas saj, Berisha është i frikësuar pasi vetë kreu i SPAK  në vizionin e tij është shprehur se prioritet është hetimi pasuror i personave, që janë nën hetim nga SPAK.

“Berisha është mësuar të sulmojë prokurorët  SPAK, Për Kraja dhe Millonai, janë dy prokurorët që kanë edhe çështjen e hetimit pasuror dhe Partizanit.

Për hetimin pasuror ndodhet një farë shqetësimi edhe për Berishën dhe Metës, sepse Klodian Braho kur mori detyrën  në krye të SPAK, kur u pyet për vizionin e tij, ai tha se unë do hetojë pasuritë e politikanëve që janë nën akuzë.

Fillimi i hetimit me themele, sidomos i Kuvendit të z, Berisha te stadium “Arena”, kam përshtypjen se ka të bëjë me të gjithë vizionin që ka Braho për ta filluar tek bishti, për të arritur tek koka.

Kuvendi i bërë te stadium ishte 1.1 milionë euro, nga lista që vetë Basha apo Bardhi nuk e di kush e ka dorëzuar në SPAK. Gjërat po ecin në drejtimin e duhur për të bërë një përshtatje të asaj që është deklaruar, me atë që rezulton aktualisht.”,  tha ajo./abcnews.al

Celularët, Kushtetuesja kufizon SPAK/ Minxhozi: Vendimi, piketë madhore në përcaktimin e disa kufijve

15 January 2026 at 18:41

TIRANË- Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë padisë së një personi, i cili ishte ankuar se SPAK dhe GJKKO, pas sekuestrimit të celularit, i kishin marrë dhe përdorur të gjitha të dhënat personale, që kishin gjetur në aparat.

Kushtetuesja e ka quajtur këtë shkelje të të drejtave të njeriut dhe të privacisë dhe ka urdhëruar përdorimin vetëm të komunikimeve për çështje në hetim, të cilat do të përcaktohen si të tilla paraprakisht me vendim gjykate, duke i vënë kështu një vijë të kuqe kufizuese SPAK-ut dhe GJKKO-së.

I ftuar në emisionin “Tirana Live”, analisti Skënder Minxhozi e cilësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si një reflektim të një niveli të lartë juridik. Sipas tij, bëhet fjalë për një çështje që ka shkaktuar debate të forta mediatike dhe politike, ndërsa thelbi i problemit qëndron te respektimi i procedurave dhe standardeve gjatë procesit hetimor.

Minxhozi theksoi se ky vendim përbën një piketë të rëndësishme në përcaktimin e kufijve që duhet të respektohen nga drejtësia e re, sidomos në rastet e sekuestrimit të celularëve, laptopëve dhe pajisjeve të tjera elektronike.

Ai nënvizoi se mbrojtja e privatësisë dhe e të drejtave të individit është thelbësore, pasi keqpërdorimi i të dhënave personale ka qenë shpesh një realitet i dhimbshëm, ku informacione pa lidhje me hetimin janë bërë objekt diskutimi në rrjetet sociale dhe media, duke synuar denigrimin e personave nën hetim.

Sipas analistit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese synon të korrigjojë devijimet që kanë ndodhur në këto procese dhe të forcojë besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë, përmes institucioneve me vetëdije të lartë ligjore.

“Është një reflektim i një niveli të lartë juridik, siç është dhe kjo gjykatë në lidhje me një çështjet që ka shkaktuar debate të ndezura mediatike dhe politike. Procesi hetimor kërkon informacionet dhe burimet e tij të verifikimit dhe menaxhimit të të dhënave, çështje qëndron nëse e gjitha kjo bëhet bazuar në procedurë dhe në standarde.

Ky vendim i Kushtetueses është piketë madhore në përcaktimin e disa kufijve të cilët duhen respektuar, që pas shumë vitesh, drejtësia e re, kemi këtë eksperiencë kur celularët dhe materialet e tjera si laptopë, kompjuterë, të gjithë këto materiale kërkojnë  një rregulle: të sigurohet privacia dhe e drejta e individit.

Keqpërdorimi i privacisë është një realitet i dhimbshëm. ndodheni në një situatë shumë shpesh kur informacione, pa lidhje me objektin e hetimit janë kthyer në çështje diskutime në rrjetet sociale dhe në media. Këto kanë si synim ta denigrojnë personin e hetuar.

Duhen institucione me vetëdije të lartë. Duhet sistemi ku njerëzit të besojnë në drejtësi. Kushtetuesja synon të rregullojë dhe korrigjojë devijimin që ka ndodhur dhe po ndodh në këto procese”, tha ai./abcnews.al

Ministri i Jashtëm: Turqia kundërshton “çdo ndërhyrje ushtarake” ndaj Iranit

15 January 2026 at 18:15

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha të enjten se Turqia është kundër “çdo ndërhyrjeje ushtarake” ndaj Iranit, duke i kërkuar Teheranit të zgjidhë vetë “problemet e veta të brendshme”.

Vërejtjet e Fidanit erdhën gjatë takimit të tij me gazetarët në Stamboll.

Çështja ka një dimension të marrëdhënieve ndërkombëtare, tha Fidan, duke shtuar se Teherani është “subjekt i sanksioneve” për shkak të disa prej politikave të tij.

Duke deklaruar se i ka nxitur homologët e tij iranianë të zgjidhin problemet me vendet e rajonit, Fidan tha: “(Irani) duhet t’i zgjidhë çështjet e tij në çështjen bërthamore globale përmes diplomacisë pa humbur asnjë mundësi, në mënyrë që disa probleme strukturore që shkaktojnë vështirësi ekonomike të eliminohen”.

Fidan nënvizoi se kur një vend është nën izolim ndërkombëtar, ofrimi i shërbimeve të caktuara ekonomike kufizohet.

“Irani ka një popullsi të madhe dhe një shoqëri dinamike. Ka njerëz të sofistikuar me një dëshirë shumë të fortë për jetë dhe për pjesëmarrje në jetën shoqërore. Kur i privon një shoqërie të tillë nga mundësi të caktuara, shfaqen këto lloj problemesh.

Ajo që ngatërrohet këtu është se vështirësitë me të cilat përballen njerëzit për shkak të vështirësive ekonomike dhe vështirësive të tjera mund të shfaqen si një kryengritje ideologjike kundër regjimit; Në realitet, kjo përbën një zonë gri”, tha ai.

“Kur shqyrtohet nga afër, nuk ka asnjë situatë që do të nxiste oreksin e disa vendeve armiqësore ndaj Iranit jashtë vendit, në aspektin e armiqësisë ndaj regjimit. Megjithatë, vështirësitë ekonomike të krijuara nga politikat ekzistuese dhe pamundësia për t’i lehtësuar ato, krijojnë probleme serioze.

Ne nuk duam të shohim ndonjë ndërhyrje këtu, por kur shikoni politikat e (Presidentit të SHBA-së Donald) Trump, nuk kemi parë një preferencë të fortë deri më tani për përdorimin e forcave tokësore”, tha ai më tej.

Alarm i kuq, stuhia “Goretti” i afrohet Britanisë së Madhe

15 January 2026 at 17:51

Një paralajmërim i rrallë i nivelit të kuq për erëra të rrezikshme dhe të stuhishme është lëshuar nga Met Office për jugperëndimin e Anglisë, ndërsa stuhia ”Goretti” pritet të sjellë shpejtësi ere deri në 160 km/h.

Paralajmërimi prek veçanërisht Cornwallin dhe Ishujt Scilly.

Sipas parashikimeve, pjesë të këtyre zonave do të goditen nga erëra të fuqishme që zgjasin dy deri në tre orë, ndërsa në zona të ekspozuara priten erëra maksimale prej 130–160 km/h ose edhe më shumë.

Autoritetet paralajmërojnë për dëmtime të ndërtesave, dallgë shumë të mëdha, mbetje që fluturojnë në ajër duke rrezikuar jetën, ndërprerje të energjisë elektrike dhe anulime të transportit publik.

Një paralajmërim i kuq nënkupton se pritet mot jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe se qytetarët duhet të ndërmarrin masa për të mbrojtur veten.

Met Office thekson se ekziston rrezik serioz për jetën, me ndërprerje të mëdha në udhëtime, furnizim me energji dhe dëme të gjera në prona dhe infrastrukturë, duke këshilluar shmangien e udhëtimeve.

Stuhia, e emërtuar nga shërbimi meteorologjik francez Meteo France, është përshkruar si një ngjarje me shumë rreziqe. Përveç erërave ekstreme, parashikohet edhe reshje intensive bore, me deri në 30 centimetra në disa pjesë të Britanisë së Madhe.

Paralajmërime për borë, shi, erë dhe akull janë lëshuar në të gjithë vendin për shkak të kushteve të rrezikshme të udhëtimit. Kryeparashikuesi i Met Office, Neil Armstrong, tha se ndikimet më të mëdha priten nga bora në disa zona të Uellsit dhe Midlandsit, si dhe nga erërat shumë të forta në jugperëndim.

Ai paralajmëroi se reshjet e shiut në disa rajone mund të shndërrohen në borë të rëndë, duke izoluar komunitete rurale.

BBC raporton se stuhia ”Goretti” mund të sjellë në BM një të ashtuquajtur ”bombë moti”, e njohur ndryshe si ciklogjenezë shpërthyese.

Ky fenomen ndodh kur presioni në qendër të një sistemi me presion të ulët bie me të paktën 24 milibarë brenda 24 orësh, duke prodhuar erëra aq të forta sa të rrëzojnë pemë dhe të shkaktojnë dëme strukturore.

❌
❌