Liverpooli e ‘harron’ Marc Guehin, ëndërron yllin që kushton mbi 80 milionë euro
Liverpooli ka nisur tashmë planifikimet për afatin kalimtar të janarit, por shqetësimet rreth repartit defensiv kanë filluar të shtohen gjithnjë e më shumë këtë sezon.
Trajneri Arne Slot nuk është plotësisht i bindur nga opsionet aktuale në mbrojtje. E ardhmja e Ibrahima Konates mbetet e paqartë, ndërsa në të njëjtën kohë Virgil van Dijk nuk ka arritur ende nivelin e tij të zakonshëm gjatë këtij sezoni.
Për këtë arsye, drejtuesit e Liverpoolit kanë nisur të shikojnë me vëmendje alternativa për përforcim. Klubi po kërkon një mbrojtës që mund të ketë ndikim të menjëhershëm dhe që është i aftë të përballojë kërkesat e larta të Ligës Premier.
Sipas Mick Brown, Liverpooli po monitoron nga afër një mbrojtës qendror që po shkëlqen në Serie A. Brown, i cili më parë ka punuar si shef i skautimit te Manchester United dhe Blackburn Rovers, vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me rrethet e rekrutimit në futbollin anglez.
Ai ka deklaruar për “Football Insider” se Liverpooli prej kohësh po ndjek Alessandro Bastonin e Interit, duke e parë atë si një përmirësim të mundshëm krahasuar me opsionet aktuale në skuadër. Megjithatë, realizimi i një marrëveshjeje nuk pritet të jetë i lehtë.
Sipas raportimeve, çdo lëvizje për Bastonin në janar do të kushtonte mbi 80 milionë funte, shifër kjo që ka krijuar dyshime nëse një transferim në mes të sezonit është realisht i realizueshëm. Për më tepër, Liverpooli nuk është i vetëm në garë.
Barcelona po ashtu është lidhur fuqishëm me Alessandro Bastonin përpara hapjes së afatit të janarit, duke e bërë konkurrencën edhe më të fortë.
Brown ka ndjekur Bastonin prej vitesh dhe më herët ka zbuluar se edhe skautët e Tottenhamit e kanë pasur nën vëzhgim. Sipas tij, mbrojtësi italian do t’i përshtatej shumë mirë futbollit anglez.
Liverpooli e sheh Bastonin si një lojtar që mund ta përmirësojë menjëherë repartin defensiv. Me pikëpyetjet që rrethojnë Konaten dhe Van Dijkun, klubi dëshiron të jetë i përgatitur për çdo skenar të mundshëm./Telegrafi
